Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

27. 11. 2023. 00:00 >> 18:15

Ditari 27.11.2023

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Në seancën e dytë do të diskutohet edhe për buxhetin për këtë vit 

Seanca e dytë e mbledhjes së tretë të rregullt do të duhej që sot të vazhdojë në Kuvendin e Malit të Zi, në të cilën deputetët do të duhej të debatojnë, ndër të tjera, edhe për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Buxhetin për këtë vit. Në rend të ditës së seancës kuvendore gjenden edhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për hua për vitin 2023. Në këtë mbledhje deputetët do të diskutojnë po ashtu për propozim Ligjin për plotësimet dhe ndryshimet e ligjit për regjistrimin e popullsisë si dhe për shkarkimet dhe emërimet.

Para mbledhjes së Kuvendit u mbajt mbledhja e Këshillit për ekonomi, financa dhe buxhet

Para mbledhjes së Kuvendit u mbajt mbledhja e Këshillit për ekonomi, financa dhe buxhet në të cilin u diskutua për ndryshimet e Ligjit për buxhet dhe huamarrje të Malit të Zi. Ministri i financave Novica Vukoviq tha se defiçiti i buxhetit është planifikuar në 216,3 milion euro, që janë 150 milion më pak se sa ishte planifikuar në Ligjin për buxhet për këtë vit. Ai deputetëve u ka prezantuar se të ardhurat burimore janë 2,4 miliardë euro dhe janë për 275,3 milion më shumë se sa ishte planifikuar. Vukoviq sqaroi se mungojnë mjetet në shumë prej 5,6 milion për pagesat e nevojshme në sektorin e sigurisë sociale.

Programi i bashkëpunimit ndërkufitar mes Malit të Zi dhe Serbisë në shtatë vitet e kaluara ka kontribuar në realizimin e 29 projekteve

Programi i bashkëpunimit ndërkufitar mes Malit të Zi dhe Serbisë në shtatë vitet e kaluara ka kontribuar në realizimin e 29 projekteve, me më shumë se 6,4 milion euro të mjeteve nga Bashkimi Evropian, deklaroi shefja e delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Oana Kristina Popa. “Jemi krenar që kemi përkrahur projektet e tilla, sepse dukshëm kanë përmirësuan jetën e njerëzve të cilët jetojnë në rajonet ku përkrahem projektet, tha Popa në konferencën përfundimtare të IPA 2, të cilën e organizoi Ministria për punët evropiane në Podgoricë. Popa tha se bashkëpunimi ndërkufitar është koncept ideor i Evropës dhe instrument i fuqishëm për ndërtimin e prosperitetit në krejt kontinentin.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të 3 shteteve

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të Shqipërisë Zhaklina Peto,  Irlandës, Ragnar Allkmvist dhe të Finlandës, Nikllas Lindkvist. Siç u kumtua nga kabineti i presidentit, në takime të ndara në rezidencën në Cetinë, ai u dëshiroi mirëseardhje në Mal të Zi dhe sukses në punë në misionin diplomatik me qëllim të forcimit të  marrëdhënieve bilaterale mes vendeve. Në takime u konstatuan marrëdhëniet mi ra mes Malit të Zi dhe vendeve të cilat i përfaqësojnë, që siç u vlerësua, është bazë për intensifikimin e bashkëpunimit në planin bilateral.

Mirosllav Pejoviq - të gjitha aktivitetet për regjistrimin e popullsisë janë duke u zhvilluar sipas planit

Drejtori i Monstat-it, Mirosllav Pejoviq deklaroi se të gjitha aktivitetet për regjistrimin e popullsisë janë duke u zhvilluar sipas planit. Ai tha se në muajin e kaluar janë kryer zgjerimi i komisioneve për regjistrim, është përsëritur thirrja publike dhe është bërë zgjedhja e instruktorëve dhe regjistruesve të rinj. Sipas fjalëve të Mileva Brajushkoviq- Popoviq, regjistrimi i popullsisë do të duhej të na përgjigjet në pyetjen se sa jemi në Mal të Zi, kush jemi dhe si jetojmë, duke shtuar se për statistikë, qelizat e gjakut nuk janë të rëndësishme, por i intereson pasqyra demografike e Malit të Zi, sa ka ndryshuar ajo nga viti 2011, tha Brajushkoviq- Popoviq.

Informatat e përditshme na tregojnë për mangësitë e mundshme të profesionalizimit dhe integritetit të Agjencisë  për Pengimin e Korrupsionit

Informatat e përditshme na tregojnë për mangësitë e mundshme të profesionalizimit dhe integritetit të Agjencisë  për Pengimin e Korrupsionit, dëmtimin e shtuar të mosbesimit ekzistues të qytetarëve në rendin e përgjithshëm të shtetit, deklaroi presidenti Jakov Millatoviq. Nënkryetari i Qeverisë për sistemin politik, drejtësi dhe antikorrupsion, Momo Koprivica paralajmëroi se do të inicojë zgjedhjen e Këshillit të ri të Agjencisë, i cili, sipas tij, do të merret me përgjegjësinë e drejtoreshës,Jellena Peroviq. Edhe Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar, MANS, e ftoi Prokurorin Special të Shtetit, Vlladimir Novoviq që menjëherë të formojë lëndën dhe të fillojë hetimet kundër drejtoreshës së Agjencisë për Pengimin e Korrupsionit lidhur me transkriptet e komunikimit me ish kryetaren e Gjyqit Suprem, Vesna Medenica.

Tamara Vujoviq - Transmetuesi Publik i Malit të Zi po punon në pajtim me etiken e gazetarisë

Transmetuesi Publik i Malit të Zi po punon në pajtim me etiken e gazetarisë, ndërsa politika nuk do të duhej të përzihet në redaktimin e programit, konsideron ministrja e kulturës e mediave, Tamara Vujoviq. Ajo me rastin e Ditës së Radio Televizionit të Malit të Zi tha se është e kënaqur me program, duke shtuar se përkrahja e servisit publik është një nga prioritet e Ministrisë.”Servisi ynë publik është televizioni më i zhvilluar nga aspekti i teknologjisë. Kur bëhet fjalë për ndikimin politik, RTMZ-ja mund tu mbajë leksione, jo vetëm në rajon, por edhe në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Radio televizionit të Malit të Zi, Boris Raoniq. Radio e Televizioni dhe Portali shënojnë rritje konstante të dëgjueshmërisë, shikueshmërisë dhe besimit, deklaruan drejtorët e tre sektorëve të këtij transmetuesi publik, Millan Knezheviq, Marija Tomasheviq dhe Bojana Çagjenoviq.

Sipas fjalëve të drejtoreshës së televizionit të Malit të Zi, hulumtimet tregojnë rritjen e shikueshmërisë dhe besimit dhe se Televizioni i Malit të Zi tenton të tërheq shikuesit me kualitet.Drejtori i radios, Millan Knezheviq tha se servisi publik shënon rritje të dëgjueshmërisë, shikueshmërisë dhe lexueshmërisë në te tre platforma. Me rastin e Ditës së RTMZ-së, u ndanë edhe çmimet për disa punëtorë, të cilët u veçuan në kontributin e tyre në servisin publik. 

Z.Shlukiq- Elektroekonomia e Malit të Zi deri tani nuk ka shqyrtuar ndonjë formë të rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Elektroekonomia e Malit të Zi deri tani nuk ka shqyrtuar ndonjë formë të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për vitin që vjen, deklaroi në emisionin, Link, drejtori teknik i Elektroekonomisë, Zoran Shlukiq. Ai tha se ky vit do të jetë vit rekord për prodhimtarinë e rrymës, por edhe për afarizmin e kësaj kompanie, dhe presin profit prej 800 milion eurosh. Ai përkujtoi se shtrenjtimi i paralajmëruar i energjisë elektrike për vitin që vjen, prej 5,36% nuk ka lidhje me Elektroekonominë, sepse kjo është kërkesë e Sistemit Elektropërçues, e CEDIS-it. Sipas fjalëve të Shlukiqit, rregullatori do të vlerësojë nëse kjo kërkesë është e arsyeshme apo jo. Ai tha se me përfaqësuesit e Qeverisë së re deri tani nuk është biseduar për privatizimin eventual apo të shitjes së ndonjë pjesë të aksioneve të kësaj kompanie.

 

E.Maqedonci -Qasja hegjemoniste e Serbisë në raport me Kosovën dhe me vendet fqinje, vazhdon të mbetet kërcënim

Qasja hegjemoniste e Serbisë në raport me Kosovën dhe me vendet fqinje, vazhdon të mbetet kërcënim. Kështu shprehet ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Radio Kosovën, duke shtuar se rasti në Banjskë shpërfaqi qëllimet agresive të Serbisë dhe tregoi nevojën e prezencës së shtuar në veri. “Mbrojtja e territorit, sovranitetit dhe integritetit të vendit është një ndër detyrat kryesore të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Jemi të gatshëm ta mbështesim KFOR-in në pjesën veriore të vendit dhe në koordinim me ta të pengojmë dhe frenojmë çdo sulm eventual apo tentativë për sulm kundër vendit”, deklaroi ministri kosovar i mbrojtjes.

Rreth 2.000 raste të dhunës në familje të raportuara gjatë këtij viti

Që nga janari e deri këtë muaj, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajza. Në Kosovë, sot ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”. Në aktivitetin e parë të quajtur “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë. “Në kuadër të kësaj fushate kemi paraparë mbi 80 aktivitete në secilën komunë të Republikës sepse e konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të punojmë me të gjithë. Aktiviteti i sotëm ‘Ato janë ne’, është një thirrje për sensibilizim për dhunën mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, është një thirrje për policinë, prokurorinë dhe gjykatat që rastet e dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, të mos i injorojnë të mos i neglizhojnë, të mos i paragjykojnë, por të marrin veprime serioze dhe përgjegjësit, pra dhunuesit t’i vendosin para përgjegjësisë penale. Po ashtu është thirrje që qytetarët kudo dhe kurdo që janë në dijeni të dhunës, të mos heshtin, por ta ndihmojmë viktimën, edhe viktimat të mos i lënë pa raportuar rastet e dhunës”, tha Haxhiu.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen sot në Bruksel

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen sot në Bruksel, kurse takimi do të vazhdojë deri të mërkurën, derisa siç njoftojnë mediat në qendër të takimit do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolltenberg, i cili gjatë javës së kaluar vizitoi disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se Aleanca po shqyrton një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në rajon, për të mbajtur tensionet nën kontroll.

Hamasi njofton se iu vra një nga komandantët më të lartë

Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka njoftua se njëri prej komandantëve të vet më të lartë është vrarë në luftë me Izraelin. Grupi radikal njoftoi për vdekjen e Mahmed al-Ghandour, pa treguar se kur dhe ku u vra ai. Ai është anëtari më i lartë i grupit që është vrarë në këtë luftë, e cila nisi më 7 tetor e nxitur nga sulmet e luftëtarëve të Hamasit në Izrael. Al-Ghandour ishte anëtar i lartë i grupit të armatosur dhe komandanti kryesor i Hamasit në veri të Rripit të Gazës. Ai u kishte mbijetuar së paku tri tentimeve të Izraelit për ta vrarë atë prej vitit 2002, sipas Projektit Kundër Terrorizmit, një grup me bazë në Uashington. Ndërkohë, armëpushimi i brishtë katërditor mes Hamasit dhe Izraelit vazhdoi në ditën e tretë të tij të dielën, pasi grupi radikal i liroi edhe 17 pengje të shtunën vonë, në këmbim të 39 të burgosurve palestinezë.

Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut pajtohen për forcimin e marrëdhënieve tripalëshe

Ministrat e Jashtëm të Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, janë pajtua dje për rifillimin e bashkëpunimit fqinjësor dhe për ta hapur rrugën për një takim të tre liderëve të vendeve të tyre, në përpjekje për t’i ulur tensionet në rajonin jetik. Edhe pse Kina dhe Shtetet e Bashkuara po i rregullojnë marrëdhëniet e tensionuara, përfshirë përmes një takimi mes presidentëve Xi Jinping dhe Joe Biden këtë muaj, Pekini është i shqetësuar se Uashingtoni dhe aleatët e saj rajonalë po e forcojnë partneritetin e tyre trepalësh. Pekini, Seuli dhe Tokio ishin pajtuar për takime vjetore prej vitit 2008, në përpjekje për t’i rritur shkëmbimet diplomatike dhe ekonomike, por mospajtimet mes palëve dhe pandemia e COVID-19 i ndërpreu ato plane. Takimi i fundit mes tre liderëve ndodhi në vitin  2019. Tre diplomatët u takuan në portin e Koresë së Jugut, Busan, për herë të parë prej vitit 2019, pasi zyrtarët e tri vendeve u pajtuan në shtator për ta caktuar një takim trepalësh “sa më parë që të jetë e përshtatshme”. Tre ministrat nuk treguan se kur mund të ndodhë samiti trepalësh mes liderëve.

Zhduken 13 anëtarë të ekuipazhit, pasi anija e tyre u fundos në ishullin grek

Një anije mallrash është fundosur dje në ishullin grek, Lesbos, për shkak të stuhisë detare, duke bërë që 13 prej anëtarëve të ekuipazhit të saj të zhduken, ndërsa një tjetër u shpëtua, thanë autoritetet greke. Anija ishte rrugës drejt Stambollit nga Aleksandria e  Egjiptit, dhe po barte 6.000 tonë kripë, tha roja bregdetare greke. Ekuipazhi i saj përbëhej nga 14 anëtarë, përfshirë tetë egjiptianë, katër indianë dhe dy sirianë, sipas rojës bregdetare. Anija kishte raportuar për një problem mekanik në orën 7:00 të dielën në mëngjes dhe  kishte dërguar një sinjal shqetësimi para se të zhdukej rreth tetë kilometra në veriperëndim të Lesbos, thanë autoritetet greke. Një egjiptian u shpëtua, tha një zëdhënëse e rojës bregdetare për Associated Press. Ajo tha se tetë anije komerciale, dy helikopterë dhe një fregatë e marinës greke janë duke kërkuar për të mbijetuarit. Anijet e rojës bregdetare hasën në vështirësi për të arritur në zonën e incidentit, për shkak të ujërave të trazuara, theksoi ajo. Zëdhënësja foli në kushte anonime për shkak se nuk ishte e autorizuar të fliste për media për këtë rast.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë të mbajë mot i vranët dhe me reshje të përkohshme, në jug me shi kurse në veri dhe viset e larta malore me borë

Për nesër meteorologët paralajmërojnë të mbajë mot i vranët dhe me reshje të përkohshme, në jug me shi kurse në veri dhe viset e larta malore me borë. Pas dite dhe në mbrëmje ndërprerje të të reshurave. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e jugut; pasdite diçka më e dobët. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -2 deri në 10 kurse më e larta e ditës prej 3 deri në 16 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се