Ditari

22. 09. 2022. 00:00   >>  18:42

Ditari 22.09.2022

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Mbahet Kolegjiumi i kryetares së Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Danijella Gjuroviq, për sot kishte caktuar Kolegjiumin, ku ndër të tjera u diksutua edhe për iniciativën e presidentit, Millo Gjukanoviq, për shkurtimin e mandatit të Kuvendit. Pas takimit të sotëm, njëri nga liderët e Frontit Demokratik, Sllaven Radunoviq, tha se presidenti bashkëngjitur kërkesës për mbledhjen e jashtzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të diskutohej propozimi i tij për shkurtimin e mandatit, nuk ka dorëzuar edhe propozim vendimin për të cilin duhet votuar. Ai, tha se shumica e anëtarëve të Kolegjiumit konsideruan se është bërë gabim në procedurë, pasi që Gjukanoviq, nuk e ka dorëzuar propozim vendimin në fjalë. Ai, ka theksuar se presidenti duhet ta përsërisë kërkesën, ashtu siç parashihet me ligj. Të përkujtojmë se presidenti, Gjukanoviq, i ka dërguar kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviq, propozimin për shkurtimin e mandatit të përbërjes së 27-të, të Kuvendit të Malit të Zi. Ndryshe, deputetët e Kuvendit sot në seancë të jashtëzakonshme, do të duhej të emërojnë Komisionin Komunal Zgjedhor të Zetës. Këshilli Administrativ, propozoi që Nella Angjushiq të zgjedhet kryetare e Komisionit Zgjedhor Komunal, kurse sekretare Tijana Trifunoviq. Sipas vendimit të presidentit të Malit të Zi, zgjedhjet në komunën e sapoformuar të Zetës, do të mbahen më 23 tetor, si edhe në Podgoricë dhe 12 komuna tjera. Kurse Parlamenti malazez, vendosi më 16 gusht që Zeta të jetë një komunë e re.

Gjykata Kushtetuese nuk është pengesë për zgjedhje, Kuvendi vendos

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se vendimi i tij për të mos pranuar kandidaturën e Miodrag Lekiqit për mandator është në përputhje me Kushtetutën. Ai, po ashtu, tha se fakti se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, nuk paraqet pëngesë që të mbahen zgjedhjet lokale më 23 tetor dhe ka përsëritur se, si edhe më parë, ai e respekton Kushtetutën e Malit të Zi duke shtuar se tani gjithçka është në dorë të Kuvendit. “Sot kemi një sistem të shkatërruar të Malit të Zi, nga aspekti i financave publike, ekonomia, sundimi i ligjit, si edhe të institucioneve e, njëkohëisht, tani kemi edhe reputacion ndërkombëtar të përkeqësuar, gjë që nuk është në interesin tonë. Duhet të kemi pushtet të përgjegjshëm, që është përgjegjësi e institucioneve, e mbi të gjitha e Qeverisë përgjegjëse”, tha Gjukanoviq. I pyetur për zgjedhjet lokale dhe situatën në Gjykatën Kushtetuese, presidenti tha se këto dy gjëra nuk janë reciprokisht të kushtëzuara. Kushtetuta, siç tha ai, “na obligon që të kemi zgjedhje një herë në katër vjet, kështu që zgjedhjet duhet të organizohen dhe ato do të mbahen më 23 tetor”, pohoi Gjukanoviq.

Gjukanoviq, ka shkelur parimet e demokracisë dhe ka thelluar krizën

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, me përpjekjen e tij publike për të ndaluar procedurën e rregullt të zgjedhjes së Qeverisë, ka shkelur rëndë parimet themelore dhe universale të demokracisë nga të cilat është frymëzuar Kushtetuta jonë, për fat të keq, me shumë boshllëqe ligjore, tha lideri i Demos-it, Miodrag Llekiq. Ai, konsideron se Gjukanoviq, përsëri, duke pasur interesa parciale e jo të përgjithshme shtetërore, po rrezikon në mënyrë të papërgjegjshme parimet themelore të demokracisë dhe rendin juridik të vendit. “Edhe pse është njoftuar në kohë për propozimin e mandatorit nga shumica parlamentare, Gjukanoviq, në stilin e vet ka keqpërdorur funksionin shtetëror që të mos shikojë interesin e përgjithshëm, por të të pjesëshme”, thotë kreu Demos. Lekiq, beson se Gjukanoviq, në shpjegimin e tij publik të papërgjegjshëm, "anashkaloi vullnetin e shumicës parlamentare, të cilët e njoftuan në afat kohor të duhuir dhe manipuloi me konceptin e "nënshkrimit", i cili nuk ceket në Kushtetutë, duke vazhduar me të njëjtin konstruksion të ulët të pretendimeve të pasakta", tha Llekiq.

Interpretime të ndryshme për lëvizjen e Gjukanoviqit, por pajtohen se Kushtetuta është e pa përcaktuar

Vendimi i Presidentit të Shtetit për të mos i dhënë mandatin, Miodrag Lekiqit, për të formuar Qeverinë e re, por për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, ka hasë në interpretime të ndryshme nga juristët. Derisa juristi, Mitar Shushiq, beson se kreu i shtetit e ka shkelur Kushtetutën, qoftë në aspektin thelbësor, qoftë formal, kolegu i tij, Veselin Radulloviq, mendon ndryshe. Shushiq, beson se presidenti Gjukanoviq, duke mos propozuar mandatorin brenda 30 ditëve nga rënia e Qeverisë së kaluar, ka shkelur Kushtetutën, si në esencë ashtu edhe formalisht. “Presidenti, është i obligur si me marrëveshjen verbale ashtu edhe me çdo marrëveshje tjetër të shumicës parlamentare, të propozojë mandatorin, sepse autoriteti i tij është protokolar”, konsideron Shushiq. Nga ana tjetër, Radulloviq, konsideron se vendimi i kreut të shtetit është në përputhje me Kushtetutën.“Mendoj se presidenti ka vepruar brenda kufijve të kompetencave kushtetuese, përkatësisht normave kushtetuese dhe se nuk e ka shkelur Kushtetutën. Nuk jam i sigurt se kjo mund të thuhet për partitë politike”, thotë Radulloviq. Mirëpo, ata kanë edhe qasje të ndryshme për çështjen e zgjidhjes së mëtejshme të situatës së krijuar, por megjithatë, pajtohen për një gjë që Kushtetuta nuk e specifikon se çfarë do të ndodhë nëse presidenti nuk e poropozon mandatorin brenda afatit të caktuar dhe deputetët nuk e shkurtojnë mandatin e Kuvendit.

“Qëllimi kryesor i Qeverisë është lufta kundër krimit të organizuar”

Në një intervistë për “Njuzllux”, kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, ka thënë se qëllimi kryesor i Qeverisë, në krye të të cilës është ende, është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Qeveria ime po përpiqet të luftojë krimin dhe korrupsionin dhe unë jam i kënaqur me atë që është arritur në katër muajt e fundit, prej se gjendem unë në krye të saj”, tha ai. Ai, shtoi se synimi kryesor i Malit të Zi, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por kjo nuk përjashton marrëdhëniet shumë të mira që duhet të arrihen edhe me vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Duke folur për profilizimin e politikës së jashtme të Malit të Zi, ai vuri në dukje se vendi është qartë i orientuar drejt integrimeve evropiane dhe se në konfliktin ruso-ukrainas, po ndjekim politikën e sanksioneve të BE. “Ne kemi pranuar refugjatë ukrainas dhe, aktualisht, në Mal të Zi, ata përbëjnë dy për qind të popullsisë”, tha mes tjerash, Abazoviq, në një intervistë për “Njuzllux”.

 

Shteti i blen 10% të aksioneve të EEMZ-së

Qeveria e Malit të Zi, miratoi vendimin që shteti të blejë 10 për qind të aksioneve të Elektroekonomisë së Malit të Zi (EEMZ), për 15 milionë euro. Ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq, si propozues tha se në këtë mënyrë rritet likuiditeti i kompanisë, dhe shteti e shton  pronësinë në këtë komponai, e njëkohësisht pengon blerësin e dytë potencial, i cili do të ndikonte  në vendimet që lidhen me sektorin e energjisë në vend. Mbledhja e sotme e Qeverisë, në mungesë të kryeministrit, po drejtohet nga zëvendëskryeministri, Vlladimir Jokoviq. Damjanoviq, tha se për nesër është planifikuar shitja e 10 për qind të aksioneve të Elektroekonomisë, dhe sugjeron që shteti t'i blejë me një çmim shumë të favorshëm. Ai, ka përkujtuar se në seancën e 13 shtatorit, është marrë vendimi lidhur me procesin e shitjes së 10 për qind të aksioneve. Ai, tha se aksionet duhet të shiten brenda një afati të caktuar në bursë ose duhet anuluar, duke shtuar se do të ishte humbje për EEMZ nëse, për shkak të likuiditetit, do të shiteshin aksionet e një kompanie të cilën shteti e kontrollon me 80%, kurse me blerjen e këtyre aksioneve, shteti e shton pronësinë, tashmë afër 100 %.

Si të ruajmë stabilitetin e financave publike, në këtë krizë globale

Ministri i financave, Aleksandar Damjanoviq, gjatë takimit me përfaqësuesit e Bankës Botërore në fokus të bisedës pati përballimin dhe sfidën e ruajtjes së stabilitetit të financave publike si dhe zëvendësimin e fondeve buxhetore që mungojnë në Mal të Zi. Damjanoviq, i tha kreut të Misionit për Malin e Zi, Christopher Sheldon, se janë të domosdoshme masat për racionalizimin e politikave buxhetore si për të ardhurat ashtu edhe për shpenzimet janë të nevojshme dhe se, ribalanci i buxhetit, është një verifikim i detyrimeve dhe problemeve të trashëguara, por edhe një përpjekje e Qeverisë aktuale për të garantuar funksionimin normal. “Planifikohen ndryshime në akte të tjera normative, si Ligji për pagat në sektorin publik dhe Ligji për buxhetin dhe përgjegjësinë fiskale, të cilat do ti kalojnë Këshillit Fiskal, roli i të cilit do të jetë mbikëqyrës dhe korrigjues”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. Temë e takimit ishin edhe sulmet kibernetike ndaj strukturës shtetërore, me pasojat e të cilave po përballet ende administrata publike.

 

Rritja e PBB nuk duhet të na mashtrojë, thotë Drecun

Analisti ekonomik, Predrag Drecun, thotë se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në tremujorin e dytë prej 12.7%, nuk duhet të mashtrojë askënd. I ftuar në emisionin, “Link” në Radio Mali i Zi, ai tha se politika nuk guxon të merret me ekonomi dhe analiza ekonomike. Drecun, po ashtu theksoi se shteti duhet të ketë prioritet prodhimin e ushqimit për nevojat e veta dhe energjinë elektrike të mos e trajtojë si mall. Përndryshe, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Malit të Zi, u rrit me 12.7 përqind në tremujorin e dytë, u kumtua dje sipas të dhënave paraprake të Monstat. Sipas rezultateve paraprake, Prodhimi i Brendshëm Bruto, në tremujorin e dytë ishte gati 1.4 miliardë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ishte 1.14 miliardë euro. Sipas raportit, kjo është rritja më e lartë e shënuar në Evropë. Drecun, përkujtoi se në vitin 2020, kemi pasur një rënie të ekonomisë prej 20 për qind gjatë krizës së koronës. “Është mirë që me këtë pasqyrohen karakteristikat e ekonomisë, që vendimmarrësit të kuptojnë se si duhet ta drejtojnë ekonominë tonë, e cila mund të këtë pasoja të rënda nga çrregullimet e mëdha”, tha Drecun, duke shtuar se rritja prej 12.7 për qind nuk duhet të mashtrojë askënd.

 

Për decentralizimin e qeverisjeve lokale

Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj, ka takuar sot kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Siç u njoftua nga ministria e Administratës Publike, gjatë takimit u diskutuan përvojat e dy vendeve në fushën e decentralizimit të qeverisjes lokale dhe forcimit të këtij sistemi, për ligjet në nivelin administrativ lokal e, poashtu, u fol edhe për kompetencat në institucionet përkatëse. Dukaj, mori pjesë sot edhe në panelin, “Infrastruktura dhe rrjetëzimi i shërbimeve: si të sjellim infrastrukturën më bashkohore në Ballkanin Perëndimor”, në kuadër të Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë. “Që nga 19 gushti, Mali i Zi ka pësuar nga sulmet  kibernetike, që ka pasur në infrastrukturën shtetërore të informacionit dhe rrjetin e organeve tjera shtetërore. Këto sulme duhet ti kuptojmë si leksion, prej të cilit na duhet të mësojmë dhe të dalim më të fortë ndaj sfidave të ardhshme nga sulmet kibernetike”, tha ministri Dukaj. Ai, theksoi se “nuk duhet harruar asnjëherë se ky proces shoqërohet me sfida në drejtim të vendosjes së nivelit të nevojshëm të sigurisë kibernetike, për të cilën besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm, sidomos në ditët e fundit, duke pasur parasysh sulmet kibernetike me të cilat po përballen vendet tona”, u shpreh ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj.

 

Anëtarësimi në NATO, qëllim strategjik i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se anëtarësimi në NATO, është qëllim strategjik i Kosovës. Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, kontribuon në rritje të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Megjithatë, Osmani ka thënë se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe. Ajo, i ka bërë këto deklarata pas takimit me Stoltenbergun në Nju Jork, në të cilin ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës. Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre ndërsa katër, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende jo. Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se e ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

 

Urojmë që Qeveria ta ndryshojë qasjen e gabuar

Nuk ka marrëveshje për ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve të Kosovës as pas një takimi që pati me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, dhe me drejtoreshën e Unionit të Sindikatave të Arsimit në Europë, Susan Flocken. Edhe pas takimeve të mbrëmshme ndërmjet sindikalistëve evropianë që ishin në Kosovë për të gjetur një zgjidhje lidhur me grevën, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Ndërkohë, anëtarësia e sindikatave të Kosovës janë duke komunikuar se si do të dilet nga kjo situatë. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se Qeveria nuk ua ka dhënë as mundësinë për të diskutuar rreth ndryshimit të kërkesës së sindikalistëve. Greva në sektorin publik dhe arsim po vazhdon edhe sot, ndërsa ende nuk dihet se kur do të arrihet një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave. Jasharaj, tha për Radio Kosovën se janë në komunikim të vazhdueshëm me anëtarësinë në të gjitha nivelet, për të parë se çfarë hapash do të ndërmerren për ditët në vijim.

 

Ukraina dhe Rusia bëjnë këmbimin më të madh të të burgosurve

Ukraina ka bërë të ditur se në kuadër të këmbimit të të burgosurve ka rikthyer 215 ushtarë, derisa i ka dorëzuar Rusisë 55 të tillë, përfshirë politikanin pro-Moskës, Viktor Medvedchuk. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka bërë të ditur këtë këmbim të të burgosurve në adresimin e tij para kombit. Zelensky ka thënë se pesë komandantë ushtarakë, duke përfshirë liderët e mbrojtjes në fabrikën e çelikut Azovstal, janë dërguar në Turqi, në kuadër të një operacioni që është përgatitur paraprakisht, dhe për të cilin është pajtuar presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Të liruarit nga burgu do të qëndrojnë në Turqi “në siguri totale dhe kushte të rehatshme” deri në fund të luftës, ka thënë Zelensky. Përndryshe, shumë rusë kanë rezervuar me nguti bileta njëdrejtimëshe për t’u larguar nga Rusia, pasi presidenti i shtetit, Vladimir Putin, ka shpallur mobilizim të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë për luftën në Ukrainë. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë në një intervistë televizive se do të mobilizohen 300.000 rezervistë me përvojë përkatëse ushtarake.

 

Ne nuk frikësohemi nga kërcënimet e Putinit

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, tha në një konferencë shtypi  se njoftimi i Putinit - për mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve që kanë shërbyer në ushtri dhe kanë "përvojat përkatëse" si kërcënimi për të aneksuar pjesë të territorit ukrainas dhe për përdorimin e armëve bërthamore për të mbrojtur Rusinë, tregon panik dhe dëshpërim. Borrell tha për gazetarët se ministrat e Jashtëm të BE-së, që janë duke ndjekur në Nju-Jork Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të diskutojnë për këtë kërcënim dhe do të përsërisin mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Shefi i politikës së jashtme të BE-së ka deklaruar se ministrat e 27 vendeve anëtare të BE, morën një vendim politik për zbatimin e masave të reja sektoriale dhe individuale ndëshkuese kundër Moskës. Ai, tha se ne "do të paralajmërojnë komunitetin ndërkombëtar për situatën e papranueshme në të cilën, Putini, po na fut të gjithëve”.

Lufta në Ukrainë, faktor që po nxit uri në botë

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pasiguria akute për ushqim pritet të rritet "me shpejtësi" deri në fund të vitit në 19 vende në botë, pjesërisht për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Gjetjet janë bërë publike në një raport të përbashkët, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë, si dhe Programi Botëror i Ushqimit. Këto organizata e kanë përmendur luftën në Ukrainë, konfliktet tjera, motin ekstrem, zhvendosjet e njerëzve, dhe jostabilitetin ekonomik, si “nxitësit kyçë” të pasigurisë ushqimore. Raporti ka bërë thirrje për “veprime urgjente humanitare që të ruhen jetët e njerëzve dhe të parandalohet uria në shtetet ku pasiguria aktuale për ushqim pritet të përkeqësohet”, në tre muajt e ardhshëm. 

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut padit Donald Trumpin

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut ngriti padi ndaj ish-presidentin Donald Trump dhe kompanisë e tij, nën akuzat për mashtrim biznesi, ku përfshihen disa nga pasuritë e tyre më të çmuara, si pronat në Manhatan, Çikago dhe Uashington. Padia e Prokurores së Përgjithshme Letitia James, e paraqitur në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut, vjen pas përfundimit të një hetimi penal trevjeçar ndaj Trumpit dhe Organizatës Trump. Tre nga fëmijët tij të rritur, Donald Jr., Ivanka dhe Eric Trump, janë gjithashtu të pandehur, së bashku me dy drejtues të vjetër të kompanisë, Allen Weisselberg dhe Jeffrey McConney. Sipas akuzës Donald Trumpi "i ka fryrë në mënyrë të rreme vlerat e pasurive të tij me miliarda dollarë". Synimi, thotë zyra e Prokurores së Përgjithshme, ishte të krijohej imazhi prej miliarderi i Trumpit dhe të rriste vlerën e pronave të tij, kur kjo i jepte atij një avantazh, ndërsa në raste të tjera për qëllime tatimore, ta ulte vlerën e pasurisë.

Nesër, mot kryeisht me diell

Sot në pjesën më të madhe të Malit të Zi, ka mbajtur mot me diell, në viset veriore me vransira të ndryshueshme, deri plotësisht i vranët dhe me resheura të dobëta të shiut, kryeisht lokale. Fryn erë e mesme, kohë pas kohe deri e fortë, nga drejtimet e veriut. Tempraturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin e Budvë 23 gradë, Herceg Novi e Tivar 22, Podgoricë 21, Cetinë 18, Nikshiq 15, Bijello Pole 14, Beranë 13, Plevle e Kollashin 12, Rozhajë 10 dhe në Zhablak 7 gradë.

Për nesër parashihet mot kryeishst me diell, në viset veriore deri me vransira të ndryshueshme. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -1 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 11 deri në 24 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари 0

остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГ
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара.

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се