Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

19. 09. 2022. 00:00 >> 18:59

Ditari 19.09.2022

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Arrihet marrëveshja, Lekiq mandatar

Lideri i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq, ka njoftuar pas takimit të sotëm të përfaqësuesve të shumicës parlamentare  nga zgjedhjet e 30 gushtit të vitit 2020, se është arritur marrëveshja që Miodrag lekiq, të propozohet për mandatar për formimin e  Qeverisë në Mal të Zi. Ai, po ashtu ka deklaruar se subjektet politike të shumicës parlamentare kanë arritur marrëveshjen për formimin e Qeverisë së re. “41 deputet kanë vetëm një kandidat për mandatar, respektivisht Miodrag Lekiq”, ka pohuar Mandiq. Ndërkaq, funksionari i Frontit Demokratik, Millan Knezheviq, theksoi se Lekiq do të propozohet për mandatar  për çgjë do ta njoftojnë gjatë ditës presidentin e vendit.

Përndryshe bisedimet e sotme kanë filluar paradite dhe temë kryesore ishte që shumica e vjetër parlamentare të arrijnë marrëveshjen për formimin e qeverisë. Në këtë takim, morën pjesë liderët e Frontit Demokratik; Andrija Mandiq e Millan Knezheviq, përfaqësuesit e Lëvizjes URA; Mileta Radovaniq e Zoran Mikiq, të Demokratëve; Zdenka Popoviq, Dragan Krapoviq dhe Danillo Sharanoviq dhe të DEMOS-it; Miodrag Lekiq. Po ashtu në këtë takim morën pjesë edhe lideri i partisë Socialiste Popullore; Vlladimir Jokoviq, Malit të Zi të bashkuar; Goran Danilloviq, i CIVIS-it; Srgjan Paviqeviq, kryetari i Partisë Punëtore; Maksim Vuçiniq dhe i Malit të Zi të Drejtë; Marko Millaçiq. Afati deri kur presidenti i shtetit mund ta propozojë mandatarin për formimin e qeverisë së re skadon sot. Takimi i shtatë i ish shumicës parlamentare, që u mbajt të premten e kaluar nuk solli ndonjë përparim.

Presidenti ka dy opsione, nëse nuk arrihet marrëveshja për mandator nga shumica e 2020

Nëse takimi i sotëm nuk sjell asgjë të re, shtrohet pyetja cilët janë hapat e ardhshëm të presidentit Millo Gjukanoviq. Sipas juristëve, presidenti ka dy opsione- që edhe pa nënshkrimin e 41 -të, ti besojë dikujt mandatin që në 90 ditët e ardhshme të formojë qeverinë ose të propozojë shkurtimin e mandatit të kësaj përbërje kuvendore. Kushtetuta nuk siguron plotësisht një zgjidhje specifike për momentin aktual politik në të cilin ndodhet Mali i Zi, kështu që interpretimet e aktit më të lartë juridik janë të ndryshme."Nuk është kusht që mandatori ti ketë 41 nënshkrime. Do të ishte mirë që ai ti ketë ato, megjithatë, presidenti mund ta propozojë atë që të përpiqet ta formojë qeverinë në 90 ditët e ardhshme" thotë Illija Vukçeviq. Ndërsa Branko Llutovac konsideron se “të gjitha opsionet janë të mundshme- nëse do të kishte 41 nënshkrime, atëherë presidenti do ta mandatojë atë person, por nëse nuk e ka përkrahjen 41 deputeti, atëherë unë mendoj që duhet të shkurtohen mundimet dhe të shkurtohet mandati i Kuvendit dhe të shkohet në zgjedhje", thotë ai.

 

Britania e Madhe i dha sot lamtumirën e fundit, mbretëreshës më jetëgjatë në historinë e këtij vendi

Sot në Londër, u mbajt ceremonia e funeralit të mbretëreshës Elizabetës së II-të e cila qëndroi në fron për 70 vjet. Arkivoli i mbretëreshës që vdiq në moshën 96 vjeçare, u bart me ceremoni të larta mbretërore nga Vestminster , ku qëndroi për një javë, e ku mijëra njerëz patën mundësi të bëjnë homazhe. Karroca me arkivolin e saj u shoqërua me ushtarakë dhe anëtarë të familjes mbretërore. Në ceremoninë e varrimit të Elizabetës së II-të mori pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq me bashkëshorten Lidija. Në funeral morën pjesë më shumë se 500 zyrtarë botërorë. Gjukanoviq mori pjesë dje në pritje edhe në Pallatin Bekingem, të cilin e organizoi Mbreti Çarllsi i III-të. Në funeral dhe përcjellje morën pjesë numër i madh i zyrtarëve të shteteve dhe mysafirë të lartë nga e gjithë bota. Mbretëresha Elizabeth II vdiq më 8 shtator në moshën 96-vjeçare në Kështjellën Balmoral të Skocisë. Ajo mbretëroi për 70 vjet – më shumë se çdo monark tjetër i Mbretërisë së Bashkuar. Fronin e ka trashëguar djali i saj i madh, Charles, i cili tani njihet me emrin Mbreti Charles III.

Abazoviq vazhdon vizitën në SHBA, sot në konferencë për integrimet evropiane të Ballkanit perëndimorë

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës
janë partneri më i rëndësishëm i politikës së jashtme, ndërsa presidenti amerikan Xho Bajden mund ta shpëtojë Ballkanin Perëndimor të mos bie nën ndikimin rus dhe kinez. Ai, në intervistën për “Pavlloviq Tudej” vlerësoi se korrupsioni është gjenerator i nacionalizmit, duke shtuar se nëse rajoni shkon drejtë nacionalizmit dhe konfliktit, atëherë ai do të jetë objektiv i lehtë i ndikimit të huaj. "Pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndikimin rus apo kinez, nëse Bajden mendon se ai duhet të parandalohet, do të mjaftonte për të ndaluar aktorët politikë që Malin e Zi dhe rajonin ta çojnë në atë rrugë", tha ai. Abazoviq sot do të flasë së bashku me Dejmon Villson, kryetar e drejtor ekzekutiv i Fondit Kombëtar të Demokracisë, për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe përgjigjen e Aleancës së NATO-s ndaj agresionit rus në Ukrainë, përfshirë këtu edhe përpjekjet për të kundërshtuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli Kushtetues, urgjentisht të vazhdojë intervistat për gjykatësit e Gjyqit Kushtetues

Aksioni për të Drejtat e Njeriut, i bëri thirrje Këshillit Kushtetues që, urgjentisht, të zhvillojë intervistat, kurse Kuvendit ti propozojë kandidatët për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, për të cilët do të votohej në seancën e parë të rregullt, e cila parashihet të mbahet me 3 tetor. Nga kjo Organizatë Joqeveritare, thonë se ndërprerja në punën e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së kuorumit pamundëson mbrojtjen e të drejtës zgjedhore dhe të drejtave të tjera të njeriut. Ata përkujtuan se deri tani janë dëgjuar vetëm gjashtë kandidatë, nga gjithsej 19-të që i plotësojnë kushtet për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe, deputetët e Kuvendit të Malit të Zi nesër në seancë të jashtëzakonshme do të votojnë sërish për propozimin për zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e juristëve eminent. Ky do të jetë hera e dytë që votojnë për këtë, pasi që asnjëri nga kandidatët e propozuar, më parë nuk mori mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, ndërsa për zgjedhjen në rundin e dytë nevojitet mbështetja e 49 deputetëve. 

 

Këshilli Kushtetues ka dëgjuar sot kandidatët për anëtarë

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kushtetues të Kuvendit të Malit të Zi, kandidati Branisllav Radulloviq ka deklaruar se Gjyqi Kushtetues i kompletuar dhe kompetent është imperativ dhe do të duhej që Gjyqi të rrisë transparencën në nivel më të lartë. Ai ka theksura se është e pabesueshme që në këtë kohë nuk ekziston mbledhja elektronike e Gjyqit Kushtetues, e cila mesiguri do të rriste efikasitetin.  Deputeti Martinoviq e ka pyetzur kandidatin se a janë Ligjet e Zetës në pajtim me Kushtetutën dhe se a ekzistojnë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve. Radulloviq i është përgjigjur se është iniciuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së këtyre Ligjeve, por është e nevojshme zgjedhja e gjyqtarëve. 

 

Sezon i suksesshëm, më shumë turistë në Veri

Sezoni turistik ishte shumë i suksesshëm, ka vlerësuar ministri për Zhvillimin Ekonomik dhe Turizmin, Goran Gjuroviq dhe ka shtuar se në veçanti e gëzon fakti për rritjen e dukshme në komunat veriore. Në mbledhjen e Këshillit për Turizëm, Bujqësi, Ekologji dhe Planifikimin hapësinor, lidhur me sfidat në sezonin e sivjetshëm turistik, Gjuroviq ka theksuar se është arritur më tepër se 86% e sezonit turistik, të realizuar në vitin 2019, kur është fjala për numrin e turistëve, kurse 87% të bujtjeve.  Ai poashtu ka pohuar se në bazë të të dhënave preliminare të Bankës Qendrore, të ardhurat nga turistët e huaj kapin shumën prej 238 milion euro e që është 93% e të ardhurave nga viti 2019. “Veç kemi filluar me përgatitjet e sezonit të ardhshëm turistik, në mënyrë që të tërheqim turistët nga vendet evropiane dhe nga tregjet e largëta nga Lindja e afërt”, ka pohuar Gjuroviq. Kryesuesi i Këshillit, Genc Nimanbegu theksoi se politikanët tonë i gjejnë lehtë premtimet për para të mëdha për disa projekte, e për të cilat nuk dihet se a do ti kthejnë ato, kurse investimet në turizëm në Mal të Zi janë të nevojshme.

Sindikata vazhdon grevën, Këshilli i Prindërve kërkon zgjidhje

As sot nuk ka filluar procesi mësimor, ndërsa në disa shkolla të vendit disa mësimdhënës kanë filluar mësimin. Ndërkohë, sindikatat janë të vendosura të vazhdojnë grevën derisa të gjendet një kompromis ndërmjet qeverisë dhe sindikalistëve. Ndërsa, shumë prej prindërve kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën, se vazhdimisht janë angazhuar për të gjetur një zgjidhje, por pa e tensionuar situatën. Procesi mësimor në disa shkolla të vendit ka filluar me iniciativë individuale të disa mësimdhënësve. Por, greva ka vazhduar në të gjithë sistemin arsimor dhe administratë publike. “Përveç kësaj, qeveria vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve”, thuhet në njoftimin e Sindikatës. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sërish u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të dalin nga greva dhe të nisë mësimi nëpër shkolla. Përmes postimeve të saj në rrjetin Facebook, ajo ka thënë se kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor. 

SHBA mbështet përpjekjet e BE-së për të arritur zgjidhje në dialogun Kosovë- Serbi

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se SHBA-ja mbështet Bashkimin Evropian në përpjekjet për të arritur një zgjidhje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. “Problemi ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe është koha për përparim", u tha Hill gazetarëve në Forumin Rajonal për Evropën dhe Euroazinë - EducationUSA në Beograd, transmeton Beta. Ambasadori amerikan nuk ka dashur të komentojë planin e pretenduar për kornizën e re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është hartuar pas angazhimit të të dërguarve nga Gjermania dhe Franca. “Nuk më takon mua të komentoj propozimet, përveçse të them se SHBA-ja mbështet BE-në, e cila po përpiqet shumë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Hill.

 

Thirrje të rinjve, mos rrezikoni jetën me varka të vogla

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të ndalojë kalimin e Kanalit Anglez me varka të vogla, ndërsa rreth 2000 vetë janë grumbulluar në veri të Francës gati për të bërë udhëtimin e rrezikshëm. Gjatë një interviste për "The Telegraph", Rama u tha të rinjve shqiptarë se ata duhet t'i investojnë paratë në bizneset e turizmit rural duke fituar kështu më shumë sesa mund të fitonin në Britaninë e Madhe. “Qeveria shqiptare do të sigurojë mbështetje financiare për të mbështetur plane të tilla mes shqetësimeve se numri i të rinjve shqiptarë që kërkojnë të kalojnë Kanalin po rritet”, tha ai. Zyrtarët e Forcave Kufitare thonë se shqiptarët tani përbëjnë deri në 60 për qind të mbërritjeve, 100 herë më shumë se numri i vitit të kaluar nga vendi ballkanik.

Borrel në Nju Jork ftoi liderët e Ballkanit perëndimorë

Me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen nesër në Nju Jork. Këtë takim e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda Bashkimit Evropian në Bruksel, të cilat kanë thënë se “tashmë është bërë traditë që në javën e shtatorit kur në Nju Jork zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të mbledh në takim të tillë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Burimet kanë thënë po ashtu se aty do të diskutohet për situatën globale, e ndryshuar në mënyrë dramatike pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Delegacioni shqiptar, pjesë e javës së nivelit të lartë në OKB

Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka mbërritur në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministrja Xhaçka do të mbajë disa takime dypalëshe me homologët nga Japonia, India, Finlanda etj, si dhe do të marrë pjesë në disa evente të nivelit të lartë si takimi i Komisionit të Partneritetit Karta e Adriatikut – SHBA; takimi Ministror i Grupit Feminist për Politikë të Jashtme; simpoziumi Gratë, Paqja dhe Lidershipi: Arritja e Paqes dhe Sigurisë së Qëndrueshme përmes Lidershipit të Përgjegjshëm ndaj Gjinisë”.

 

Polonia dhe Baltiku ua ndalojnë hyrjen shumicës së qytetarëve rusë

Prej sot shumica e qytetarëve rusë nuk do të mund të hyjnë në territoret e Polonisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Shtetasit rusë me vizë Shengen, të cilët duan të lëvizin për qëllime turizmi, biznesi, sporti ose arsye kulturore nuk do të mund të hyjnë në territoret e këtyre vendeve. Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – vendet baltike, Polonia dhe Finlanda – kanë bërë thirrje të parat për masa kufizuese në vizat turistike për rusët. Nga e njëjta ditë edhe Zvicra tha se do të pezullojë procedurat e thjeshtuara të vizave për rusët.

 Më 31 gusht, BE pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë si një "hap i parë i domosdoshëm". Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë. Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje.

 

Zelenski thotë se fitoret po vazhdojnë, Bajden se ka edhe shumë punë

Presidenti i Ukrainës, Vollodymir Zellenski, ka përmendur një "një seri fitoresh" në fushëbetejë kundër forcave pushtuese ruse, por gjithashtu i është bashkuar ushtrisë perëndimore dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë, të cilët kanë paralajmëruar rreziqe të reja. Presidenti amerikan, Xho Bajden tha se derisa ukrainasit "po mposhtin Rusinë", ka ende shumë punë për të bërë. Javën e kaluar, Zelensky kishte deklaruar se Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse. Përndryshe një sulm raketor rus goditi një objekt afër një centrali bërthamor në Ukrainën jugore, duke mos shkaktuar dëme në reaktorët e tij, por duke dëmtuar pajisje të tjera industriale, në atë që operatori i energjisë atomike e cilësoi si një akt të "terrorizmit bërthamor".

Shërbimet e Mbretërisë së Bashkuar paralajmërojnë sulme ruse ndaj objektivave civile në Ukrainë

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar për shtimin e sulmeve ruse ndaj objektivave civile në Ukrainë. "Përballë pengesave në front, Rusia besohet se ka zgjeruar vendet që dëshiron të sulmojë në mënyrë që të minojë drejtpërdrejt moralin e popullit dhe qeverisë ukrainase”, thonë nga  Ministria britanike e Mbrojtjes. Sipas raporteve të Ukrainës, Rusia bombardoi qytete në pjesë të ndryshme të vendit gjatë natës. Në rajonin e objektit bërthamor të Ukrainës, në Zaporizhia, tre persona u plagosën nga zjarri në qytetin e Nikopolit, tha guvernatori Vallentin Resniçenko. Kurse guvernatori Pavlo Kyrylenko njoftoi se pesë persona ishin vrarë në rajonin e Donjetckut një ditë më parë.

 

Shtohen viktimat e konfliktit  mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit

Numri i të vdekurve nga shpërthimi i dhunës përgjatë kufirit mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit është rritur në afro 100, teksa një armëpushim mes dy vendeve ka hyrë në fuqi. Autoritetet në Kirgizi thanë se numri i të vrarëve ka arritur në 59. Taxhikistani tha se të paktën 35 qytetarë nga ana e tyrë janë vrarë, por zyrtarë të paidentifikuar i thanë Shërbimit Taxhik të Radios Evropa e Lirë se të paktën 39 shtetas të Taxhikistanit kanë vdekur si pasojë e konfliktit në kufi. Dy vendet kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit. Mes të vdekurve dhe të plagosurve raportohet se ka civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Kirgizisë tha se situata në kufi ishte “e tensionuar”, por “duke u stabilizuar”. Përleshjes midis Kirgizisë dhe Taxhikistanit janë më të këqijat që nga viti 2021, kur dhjetëra persona u vranë dhe të paktën 150 të tjerë u plagosën në të dyja anët e kufirit. Mbi 140.000 persona janë evakuuar nga zona e Batkenit, tha ministria e Emergjencave të Kirgizisë.

 

Japonia urdhëron 2 milionë njerëz të evakuohen me afrimin e tajfunit

Japonia paralajmëroi gati dy milionë njerëz që të evakuohen pasi tajfuni Nanmadol iu afrua vendit, raportuan mediat vendase. “Afro dy milionë njerëz në Kyushu jugor janë urdhëruar të evakuohen sepse një tajfun i fuqishëm, Nanmadol, po i afrohet rajonit”, raportoi transmetuesi publik japonez NHK të shtunën. Sipas njoftimeve, nga tajfuni, një person humbi jetën , kurse 70 të tjerë janë lënduar. Agjencia Meteorologjike e Japonisë  lëshoi  paralajmërim të nivelit 5 kundër tajfunit, i cili pritet të godasë rajonin Kyushu në jug të vendit. Zyrtarët thanë se “erërat maksimale deri në 180 kilometra në orë do të godasin Kyushu-n verior dhe jugor, si dhe Ishujt Amami me erëra maksimale që do të arrijnë 252 kilometra në orë deri”.

 

Filloi pagesa e pensioneve për muajin gusht

Sot u paguan pensionet për muajin gusht, u njoftua nga Fondi për Sigurimin Invalidor dhe Pensionist. Pensioni mesatar për këtë muaj është 328.38 euro. "Mjetet e përgjithshme për pagimin e pensioneve dhe mjeteve për personat me aftësi të kufizuar janë 38.04 milion euro," thuhet në kumtesën e Fondit për Sigurimin Invalidor dhe Pensionist.

 

Përfundoi edicioni i 7-të i Festivalit Seanema

Edicioni i shtatë i festivalit të filmit Sinema përfundoi të shtunën me ndarjen e çmimit për filmin më të mirë të shkurtër, kushtuar dy projekteve filmike, të Samir Karahodës për filmin "Pa vend" dhe Maria Apçevskës për filmin “Nord poll”. Çmimi special iu dha filmit të regjisorit Rok Biçek, “Penallti shot”. Në këtë Festival, për tre ditës, sa zgjati, u shfaqën 18 filma në kategori të ndryshme. Gjatë edicionit të shtatë u mbajt punëtoria e tretë e Rrjetit Ballkanik të Filmit të Shkurtër të sapokrijuar, qëllimi i të cilit ishte të kontribuojë në decentralizimin e kulturës, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e filmave të shkurtër si formë artistike, si dhe duke fuqizuar dhe prezantuar talent e rinj nga rajoni. Edicioni i shtatë i festivalit Sinema u mbajt në Qendrën e Kulturës në Ulqin dhe u mbështet nga Qendra kinematografike e Malit të Zi, Komuna e Ulqinit, Qendra e Kulturës dhe Organizata Turistike, si dhe partneri komercial i festivalit DAA Montenegro.

Përgatiti, Senad Gilaj

 

Edhe nesër mot i ndryshueshëm, temperatura deri në 25 gradë

Në jug sot mbajti mot kryesisht i kthjellët, në veri me vranësira të ndryshueshme por kryesisht i thatë. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin e Budvë 25 gradë, Tivar e Herceg Novi 24, Podgoricë 23, Plevle 21, Beranë, Kollashin, Rozhajë e Bijello Pole 20, në Cetinë 19, Guci 17, Nikshiq 16 dhe në Zhablak 14 gradë.  

Për nesër në jug dhe bregdet të Malit të Zi parashihet mot kryesisht i kthjellët deri me vranësira të pakta e të ndryshueshme. Në veri me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell, por kryesisht i thatë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 0 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 11 deri në 25 gradë celsius.

 

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се