- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
12. 09. 2022.
00:00 >> 17:39
Ditari 12.09.2022
Ditarin e përgatiti Violeta Gjokaj
Mbahet takimi i katërt për zgjedhjen e udhëheqësive të reja
Takimi i ri i përfaqësueseve të ish-shumicës parlamentare nga data 30 gusht e vitit të kaluar do të mbahet sot në Parlamentin e Malit të Zi. Ky takim siç është njoftuar duhet të këtë filluar në ora 17. Siç është paralajmëruar në këtë takim do të bëhen përpjekje për arritjen e kompromisit lidhur me zgjedhjen e udhëheqësive të reja, Qeverisë dhe të Parlamentit të Malit të Zi. Të përkujtojmë se deri tani janë mbajtur tri takime të këtij niveli dhe të gjitha këto takime i ka iniciuar njëri nga liderët e Frontit Demokratik Andria Mandiq.
Ka filluar takimi i liderëve në Bërdo afër Kranjit
Ka filluar takimi i liderëve në Bërdo afër Kranjit, në të cilin merr pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Siç është paralajmëruar më parë, Gjukanoviq do të marrë pjesë në seancën plenare. Siç është njoftuar më herët nga zyra e presidentit, Gjukanoviq merr pjesë në takimin e liderëve të Procesit Brdo-Brioni me ftesë të presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, Borut Pahor dhe Zoran Millanoviq.
“Takimi në Brdo afër Kranjit, siç është paralajmëruar, do të fokusohet në domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit dhe pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës”, thuhet nga kabineti i Gjukanoviqit. Siç njofton kabineti i presidentit Pahor, takimi i liderëve Brdo-Brioni do të jetë një mundësi për të shqyrtuar situatën aktuale në rajon dhe për t'u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.
Mali i Zi dhe Kosova janë të vendosur në parimet e perspektivës evropiane të rajonit
Mali i Zi dhe Kosova qëndrojnë fort në parimet e ruajtjes së stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit, tha presidenti malazez Millo Gjukanoviq. Në prag të takimit të krerëve të shteteve të procesit Brdo-Brioni në Kranj, ai ka biseduar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për çështjet bilaterale dhe zhvillimin e situatës në rajon. "Mali i Zi dhe Kosova qëndrojnë të vendosur në parimet e ruajtjes së stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit," tha Gjukanoviq në Twitter.
Për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese 19 kandidatë
Këshilli Kushtetues ka konstatuar sot se 19 kandidatë i plotësojnë kushtet ligjore për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi në bazë të thirrjes publike të datës 1 gusht, u kumtua në seancën e këtij organi parlamentar. Në seancë u shqyrtua raporti i Komisionit, i cili shqyrtoi dokumentacionin e 19 kandidatëve që aplikuan për pozitat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Të gjithë kandidatët, para se të përcaktohet propozimi për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, do të dëgjohen në seancën e Komisionit Kushtetues. Gjykata Kushtetuese, nga gjithsej shtatë, tashmë ka vetëm katër anëtarë.
Kryetar është Budimir Shqepanoviq, ndërsa anëtarë Millorad Gogiq, Desanka Llopiçiq dhe Miodrag Iliçkoviq, i cili i plotëson kushtet për pension nesër, që do të thotë se gjykata nuk do të ketë kuorum për punë. Në fillim të vitit doli në pension Dragolub Drashkoviq, e më herët Hamdia Sharkinoviq dhe Mevlida Muratoviq.
“Nuk është adekuate që politikanët të kritikojnë gazetarët, media e lirë është e nevojshme”
Ka një numër të madh pengesash në rrugën e Malit të Zi drejt BE-së, por unë jam veçanërisht e shqetësuar për mjedisin mediatik, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhudi Rising Rajnke, mbrëmë në Ditarin 2 në TVMZ.
"Unë nuk mendoj se është adekuate apo e pranueshme kur liderët politikë kritikojnë gazetarët apo organet e medias, sepse nuk u pëlqen mënyra se si raportojnë, dhe pastaj rrezikohet siguria personale e gazetarëve. Ne duhet të kemi media të pavarura dhe të lira, dhe unë bëj thirrje liderëve politikë malazezë të ngrisinë zërin në favor të medias së lirë dhe të pavarur”, tha Rajnke.
Mali i Zi aktualisht është në ngërç dhe liderët e vendit, veçanërisht përfaqësuesit në Kuvend, duhet të marrin vendime të vështira. Ka opsione të ndryshme, por shpresoj se do të zgjedhin të duhurat për të mirën e qytetarëve që i kanë zgjedhur”, tha Rajnke . Ajo thekson se është e qartë se rreth 80 për qind e qytetarëve në Mal të Zi duan një të ardhme evropiane.
Duke folur për përkujtimin e 21-vjetorit të sulmit terrorist në Nju Jork, Rajnke tha se që nga ajo kohë SHBA-të janë angazhuar plotësisht në luftën kundër çdo lloj terrorizmi. Ajo shtoi se SHBA-ja i ka shpallur luftë terrorizmit dhe se e vetmja mënyrë për ta mposhtur terrorizmin është që një vend të bëhet mjaft i fortë.
Kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve të medias janë të papranueshme
Sindikata e Mediave të Malit të Zi dënoi ashpër kërcënimet ndaj redaktores së Portalit M Danica Nikolliq dhe u bëri thirrje autoriteteve që urgjentisht të përcaktojnë se kush i ka dërguar emailet me mesazhe kërcënuese. Nga Sindikata e mediave theksojnë se kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave në Mal të Zi, të cilat vazhdojnë dhe janë gjithnjë e më të shpeshta në sferën online, janë të papranueshme, sidomos për shkak të një mendimi ndryshe.
“Përsërisim se të gjitha mediat dhe gazetarët kanë të drejtën e politikave autonome editoriale dhe se kjo nuk duhet të jetë arsye për shënjestrimin brutal të tyre”, thuhet në njoftim. Kjo sindikatë u bëri thirrje politikanëve që të mos i etiketojnë mediat nëse nuk u pëlqen raportimi i tyre sepse, siç deklaruan ata, kjo gjithashtu mund të stimulojë sulmuesit që të kërcënojnë gazetarët dhe mediat dhe të përpiqen të merren me ta. Siç thanë ata, një numër i madh i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në vitet e kaluara janë rezultat i tensioneve politike dhe sociale në vend.
Për Italinë është e një rëndësie të veçantë që Mali i Zi të qëndrojë në rrugën e BE-së
Për Republikën e Italisë është e një rëndësie të veçantë që Mali i Zi të mbetet në rrugën evropiane, tha ambasadorja e sapoemëruar e Republikës së Italisë në Mal të Zi, Andrea Marçela, duke shtuar se ndihma e partnerëve italianë në këtë drejtim nuk do të mungojë. Këtë ajo e ka thënë gjatë bisedimeve me kryetaren e Kuvendit të Malit të Zi, Daniella Gjuroviq.
Siç u njoftua nga Kuvendi i Malit të Zi, në takim u diskutua për momentin aktual politik në vend dhe në këtë kuadër, ambasadorja Marçela përsëriti vlerësimin e saj se, me të gjitha sfidat që po kalon demokracia, është e rëndësishme të sigurohen institucione funksionale dhe sistemi i qëndrueshëm.
Kryetarja e Kuvendit, siç shtohet në kumtesë, theksoi veçanërisht rëndësinë e komunikimit intensiv parlamentar, duke u shprehur se dialogu i shpeshtë në nivelin më të lartë kontribuon në përmirësimin e rrugës evropiane të vendit tonë.
“Në këtë kontekst, Gjuroviq falënderoi palën italiane për mbështetjen e saj në procesin e anëtarësimit në BE dhe shprehu pritjen se asistenca politike dhe eksperte nuk do të mungojë as në periudhën e ardhshme”, thuhet në kumtesë. Në këtë kuadër, ajo vuri në dukje rëndësinë e aktiviteteve të vazhdueshme dhe të përkushtuara reformuese në vendin tonë, në mënyrë që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së.
Delegacioni i Kuvendit të MZ në konferencën IPAC në Uashington
Delegacioni i Kuvendit të Malit të Zi, i përbërë nga deputetët Andria Nikolliq dhe Damir Shehoviq, prej sot deri të mërkurën do të marrë pjesë në konferencën e IPAC në Uashington.
Siç u njoftua nga Kuvendi, nikoqirë të Konferencës janë bashkëkryetarët e IPAC nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Senatorët Bob Menendez dhe Marko Rubio.
“Kjo ngjarje, e cila do të mbledhë rreth 50 parlamentarë, do të mbahet në Senatin e SHBA dhe National Endowment for Democracy”, thuhet në deklaratë. Thuhet se Nikolliq dhe Shehoviq në margjinat e konferencës do të kenë disa takime të ndara me përfaqësues të Kongresit dhe Senatit Amerikan.
Ministri Dukaj do të vizitojë një nga qendrat më të mëdha botërore për digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, me bashkëpunëtorët e tij, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Shtetin e Izraelit, prej sot e deri me 15 shtator 2022.
Gjatë vizitës, ministri Dukaj do të takohet me kryetarin e Kuvendit, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, si dhe me disa ministra të tjerë dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë, Kuvendit, partive politike dhe përfaqësuesve të institucioneve relevante të shtetit të Izraelit, me të cilët do të diskutojë për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Malit të Zi dhe Shtetit të Izraelit.
Gjithashtu, gjatë vizitës, delegacioni i kryesuar nga ministri Dukaj do të vizitojë një nga qendrat më të mëdha botërore për digjitalizimin dhe sigurinë kibernetike dhe do të bisedojë me drejtuesit e kësaj qendre për bashkëpunimin dhe mbështetjen në procesin e modernizimit të infrastrukturës digjitale dhe forcimit të kapaciteteve të Malit të Zi.
Përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Integrimin Evropian dhe Projekte të Ministrisë së punëve të Brendshme, Sergej Muçalica, ka hapur sot zyrtarisht seminarin pesëditor si pjesë e projektit Partneriteti kundër Krimit dhe Terrorizmit, nën kujdesin e Drejtorisë së përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe bisedimet për zgjerim, i cili zbatohet nga CEPOLL, përfitues të të cilit janë vendet e Ballkanit Perëndimor, ka kumtuar Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas ministrisë, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shkëmbejnë përvoja me ekspertë të shumtë, si dhe me policë nga vendet e BE-së. “Pjesëmarrësit e punëtorisë nga Drejtoria e Policisë, Akademia e Policisë, Prokuroria Speciale e Shtetit dhe Administrata e të tatim-pagimeve dhe Doganave do të kenë mundësinë të shkëmbejnë përvoja dhe praktika të mira me ekspertë të shumtë nga EUROPOLL, si dhe me kolegë policë nga vendet e BE-së. ”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së punëve të Brendshme.
Prodhimi i qumështit ka rënë dhe fermat e vogla po mbyllen
Prodhimi i qumështit në Mal të Zi është ulur në krahasim me vitin e kaluar, para së gjithash për shkak të rritjes së çmimeve , gjë që ka ndikuar që të gjithë fermerët të veprojnë me humbje dhe disa ferma të vogla, veçanërisht në veri, janë mbyllur. Siç tha kryetari i shoqatës së blegtorëve nga Danillovgadi në emisionin e mëngjesit të TVMZ, Vllado Llakiq, mund të prodhojmë më shumë qumësht, por problemi është te grumbulluesit.
Sekretarja e Këshillit të Shoqatës së Bujqësisë dhe Prodhimtarisë Ushqimore në Odën ekonomike të Malit të Zi Llidia Rmush, thekson se problemi kryesor është mungesa e fondit blegtoria dhe vlerëson se shteti duhet të ndajë shumë më tepër për blegtorinë sesa 1.2 për qind nga buxheti.
“Qumështoret tona, rreth 30 prej tyre, blejnë rreth 26 milionë litra, nga të cilat 3,5 milionë janë të vendosura në treg për konsum . Pjesa tjetër përdoret për prodhimin e produkteve të qumështit. Ne importojmë 26 deri në 27 milionë litra në vit, kryesisht qumësht UHT, dhe është e qartë se ato 3.5 milionë mbulojnë vetëm rreth 10 për qind të tregut. Pra, kjo nuk mjafton”, theksoi Rmush.
Prej sonte në mesnata, të gjitha llojet e karburanteve do të jenë më të lira
Të gjitha llojet e derivateve prej sonte në mesnatë do të lirohen prej dy deri në nëntë cent për litër, njoftoi Ministria e Investimeve Kapitale. Eurosuper 95 dhe 98 do të jenë më të lira për nëntë cent dhe gjatë dy javëve të ardhshme do të kushtojnë 1.26 respektivisht 1.31 euro.
Në dy javët e ardhshme një litër Eurodizel do të kushtojë dy centë më pak, pra do të jetë 1.56 euro. Nafta për ngrohje do të lirohet tre cent dhe do të kushtojë 1.75 euro. Ndryshimet e fundit në çmimet e karburanteve ishin bërë më 30 gusht, kur Eurodizeli u rrit 12 cent.
Ukraina i vë fajin Rusisë për problemet me rrymë
Rajone të mëdha në lindje të Ukrainës kanë mbetur pa rrymë më 11 shtator, derisa Kievi ka akuzuar Moskën se po ia sulmon infrastrukturën e energjisë. Probleme me rrymë dhe ujë janë raportuar në Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhja dhe rajonet e Dnjipropetrovskut, duke çrregulluar jetët e miliona njerëzve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke ia sulmuar infrastrukturën për “t’i lënë njerëzit pa drita dhe ngrohje”. Këto probleme vijnë në kohën e kundërsulmit të forcave ukrainase në rajonin e Harkivit, të cilat kanë marrë kontrollin e dhjetëra qytezave dhe fshatrave.
Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, ka pretenduar se Rusia e ka sulmuar termocentralin e qytetit. Harkivi është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Dmytro Reznichenko, udhëheqës i Dnjipropetrovskut, ka akuzuar po ashtu Rusinë për problemet me rrymë.
Udhëheqësi i rajonit lindor Sumi, ka thënë se problemet me rrymë dhe ujë kanë prekur të paktën 135 qyteza dhe fshatra. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Azerbajxhani do të rrisë eksportet e gazit në Evropë për 30 për qind
Azerbajxhani do të rrisë këtë vit eksportet e gazit në Evropë për 30 për qind, teksa Bashkimi Evropian synon të ulë varësinë në energjinë ruse. Ministri i Energjisë në Azerbajxhan, Parviz Shahbazov, ka thënë se në tetë muajt e këtij viti, Bakuja e ka furnizuar Evropën me 7.3 miliardë metra kub gaz natyror”.
“Furnizimet totale me gaz në Evropë për vitin 2022 do të arrijnë në 12 miliardë metra kub” – rritje për 31 për qind në krahasim me vitin 2021, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter. Ai po ashtu ka treguar se prodhimi i gazit natyror është rritur për 10 për qind në periudhën janar - gusht 2022, duke arritur në 30.6 miliardë metra kub. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka propozuar ditë më parë vendosjen e çmimeve tavan në gazin natyror që importohet nga Rusia.
Presidenti rus, Vladimir Putin është zotuar se do të ndalë eksportet e naftës dhe gazit për të gjitha shtetet që vendosin çmim tavan.Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht.Në muajin korrik, BE-ja dhe Bakuja kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për të dyfishuar sasinë e gazit të importuar nga Azerbajxhani në të paktën 20 miliardë metra kub deri më 2027. Marrëveshja po ashtu parasheh zgjerimin e Korridorit jugor të gazit që përshkon Azerbaxhanin, Gjeorgjinë, Turqinë dhe Greqinë.
Hyn në fuqi pezullimi i marrëveshjes për lehtësimin e vizave për shtetasit rusë
Këshilli Evropian miratoi një propozim për të pezulluar marrëveshjen për lehtësimin e vizave të vitit 2007 me Rusinë. Masa do të reduktojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara për shtetasit rusë në zonën Schengen, e cila përfshin 22 shtete të BE-së dhe katër vende të tjera evropiane.
Tarifa e aplikimit për një vizë Schengen do të rritet nga 35 euro (35 dollarë) në 80 euro dhe do të kërkohen më shumë dokumente. Koha e përpunimit do të jetë gjithashtu më e gjatë dhe do të ketë kufizime për vizat me shumë hyrje.
Shtrëngimi i rregullave mund të çojë në refuzimin e aplikimeve për viza dhe madje edhe anulimin e vizave aktuale. Udhëzimet e BE-së u ofrojnë shteteve kompetenca të gjera si dhe një bazë për një shqyrtim më të detajuar të aplikimeve.
Në të njëjtën kohë, BE-ja mbetet e hapur për aplikantët që udhëtojnë për arsye emergjente, në veçanti anëtarët e familjeve të qytetarëve të BE-së, gazetarët, disidentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Vendet mund të ulin ose të heqin plotësisht tarifat e vizave për anëtarët e këtyre grupeve.
Acarohen raportet mes Turqisë dhe Greqisë
Turqia dhe Greqia japin informacione të kundërta për të shtënat kundër një anijeje turke në zonën kufitare. Këto të shtëna kanë tensionuar edhe më shumë gjendjen mes tyre.
Sipas informacioneve nga Greqia, roja bregdetare greke ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijes turke, për shkak se kjo anije po lëvizte në zonat ujore greke pranë ujdhesës Lesbos.
Kapiteni i anijes "Anatolian” kishte refuzuar më parë kërkesën e autoriteteve greke për kontrollin e anijes. Anija më pas lundroi në ujërat e afërta turke, kumtoi Qendra e rojeve bregdetare greke të dielën në mëngjes. Rojet bregdetare turke u informuan për incidentin, i cili ndodhi të shtunën nga mesdita, kumtuan autoritetet greke.
Versioni turk i ngjarjeve është i ndryshëm: Të shtunën, media turke, duke cituar një pjesëtar të rojës bregdetare turke, raportoi se drejt anijes "Anatolian" është qëlluar njëmbëdhjetë milje detare larg ishullit turk Bozcaada, në ujërat ndërkombëtare. Autoritetet turke thonë se dy anijet greke të përfshira në këtë incident nuk i kanë respektuar ligjet ndërkombëtare.
Sipas televizionit shtetëror turk TRT, anijet greke janë larguar nga vendi i ngjarjes kur rojet bregdetare turke kanë mbërritur atje. Roja bregdetare turke shoqëroi "Anadolianin”, i cili lundronte nën flamurin e Komorës. Zyra e prokurorit vendor ka nisur hetime, njofton Anadolu News Agency.
Marrëdhëniet mes dy partnerëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, janë në një pikë të ulët për shkak të konflikteve të shumta. Të dy vendet akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të hapësirës ajrore. Turqia është e zemëruar edhe për militarizimin e ishujve grekë në Egjeun lindor. Përveç kësaj, ka mosmarrëveshje të përsëritura edhe për shkak të shpimeve nga autoritetet turke në kërkim të gazit në Mesdhe.
Nesër mot kryesisht me diell
Sot në viset jugore dhe qendrore mban mot kryesisht me diell, kurse në veri i vranët, por i thatë. Fryn erë mesatare, vende-vende deri e fortë verilindore dhe perëndimore.
Temperaturat: H. Novi e Budvë 29, Podgoricë, Tivar e Ulqin 27, Cetinë 23, Nikshiq 21, B. Pole, Shavnik e Plluzhinë 19, Plevle e Beranë e Guci 18, Kollashin e Rozhajë 17 dhe në Zhablak 12 g.
Meteorologët edhe për nesër parashohin të mbajë mot kryesisht me diell. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 4 deri në 18, kurse më e larta e ditës prej 17 deri në 29 g. c.
Коментари0
Остави коментар