- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
10. 08. 2022.
00:00 >> 17:47
Ditari 10.08.2022
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Daka Davidoviq – nesër i vazhdojmë bisedimet
Biznesmeni Miodrag Daka Davidoviq tha sot se rundi i bisedimeve të reja me pronarët aktualë të Hekuranës në Nikshiq është caktuar për nesër pasdite. Ai pret që në këto bisedime të arrihet marrëveshja për blerjen e uzinës nga pronarët turq, ndërkohë që nga Qeveria ka vetëm tre kërkesa. Ti mundësohet prodhimi i energjisë elektrike për nevojat e fabrikës, t'ia kthejë liqenin e Liveroviqit si dhe Gurorja në Budosh, dhe se tani fatin e Hekuranës e kalon në Qeveri dhe ministritë gjegjëse. Ai më parë tha se qëllimi i tij është që të funksionojë kjo Uzinë dhe se i ka dhënë pronarit turk 72 orë për t'iu përgjigjur ofertës së tij, duke shtuar se qëllimi është të ndërtohet një fabrikë nga prodhimi i së cilës njerëzit do të jetojnë mirë dhe të kenë paga më të larta, por se në ndërkohë duhet të sigurohen dy gjeneratorë të rinj.
Kanë mbërritur helikopterët dhe ka nisur shuarja e zjarrit mbi Perast
Dy helikopterë të Ushtrisë së Malit të Zi kanë nisur shuarjen e zjarrit në kodrën mbi Perast, njofton Ministria e Mbrojtjes. Ata marrin ujë nga rezervuari në rivierën e Risanit. Zëvendëskomandanti i Shërbimit për Mbrojtje dhe Shpëtim të Kotorrit, Eduard Kovaçiq, ka thënë mëngjesin e sotëm për Radion e Malit të se zjarri akoma nuk është shuar por është nën kontroll në pjesën drejt qytetit të Perastit dhe nuk ka objekte të rrezikuara dhe as që do të ketë, pasi ka mjaft automjete zjarrfikëse dhe zjarrfikës,ka theksuar Kovaçiq. Në ndërkohë policia arrestoi 19 vjeçarin L.R. nga Herceg Novi i dyshuar për vënien e 10 zjarreve në territorin e këtij qyteti. Dyshohet se L.R. nga data 24 korrik deri më 8 gusht të këtij viti ka kryer vepra penale duke vënë zjarr dhjetë herë në territorin e Herceg Novit, duke i vënë flakën bimësisë së ulët dhe të lartë përgjatë rrugëve rajonale, si pasojë e të cilave ka pasur dëme të mëdha materiale. I dyshuari, siç shtojnë ata, me kallëzim penal për juridiksion të mëtutjeshëm do t'i dorëzohet prokurorit të shtetit në Prokurorinë themelore të Shtetit në Kotorr.
Nikoliq: Zgjedhjet e ardhshme janë dita “D” për Malin e Zi
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë dita “D” për Malin e Zi dhe rrjedhën e mëtejshme të zhvillimit të tij, deklaroi përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) Millosh Nikoliq, duke thënë se këtë e vërtetojnë komentet në tekstin autorial të kryetarit të kësaj partie, Millo Gjukanoviq. Sipas Nikoliqit, teksti i djeshëm autorial nga Gjukanoviq shkaktoi një stuhi komentesh nga adresa të ndryshme politike dhe mediatike.Siç tha ai, kanë shkëlqyer edhe individë të shumtë dhe ish konstituentë nga ish-koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi”.
Ai beson se blloku sovranist, pavarësisht modalitetit të performancës së tij, duhet të tregojë kohezion të qartë dhe bashkëpunim efektiv dhe qytetarët duhet ta kuptojnë se fati i Malit të Zi është në dorën e tyre dhe se fitoren nuk do ta sjellë askush, por ata vetë. “Në anën tjetër të spektrit politik, pothuajse nuk ka dallim – dhe reagimet e djeshme e dëshmuan këtë edhe një herë”, tha Nikoliq. Prandaj, theksoi ai, zgjedhjet e ardhshme do të jenë dita “D” për Malin e Zi dhe rrjedhën e mëtejshme të zhvillimit të tij.
Mugosha -“Futja e pensioneve sociale duhet të jetë prioritet”
Nënkryetari Socialdemokratëve, Boris Mugosha thotë se prioritet duhet të jetë rritja e shumës së asistencës materiale dhe futja e pensioneve sociale përmes reformës së nevojshme të sistemit të mbrojtjes sociale. Mugosha përkujtoi në studimin e Ju- En- Di- Pi-së, i cili tregoi se shkalla e rrezikut të varfërisë në Mal të Zi është 22.6%, duke shtuar se sipas këtij studimi, vetëm rreth 10% nga mjetet e sistemi aktual për mbrojtje sociale, i përfitojnë qytetarët materialisht të rrezikuar ose qytetarët e varfër. Kurse siç u kumtua nga Ministria për punë dhe kujdesin social, në qershor të këtij viti asistencë materiale kanë shfrytëzuar 6 mijë e 648 familje, përkatësisht 22 mijë e 481 anëtarë, të cilët janë në nevojë dhe për këtë shteti i ka paguar rreth 672 mijë euro. Sipas kësaj Ministrie, në vitin e ardhshëm pritet miratimi i Ligjit të ri për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, me qëllim të përmirësimit të kësaj fushe dhe përmirësimin e pozitës materiale të përfituesve të drejtave të mbrojtjes sociale.
“Qytetarët dhe administrata publike ta përdorin energjinë në mënyrë racionale”
Derisa qeveritë në të gjithë Europën tash disa muaj kanë marrë masa konkrete, në vendin tonë gjithçka është ende në nivelin e apelit për kursim të energjisë elektrike. Nga Ministria e Investimeve Kapitale nuk kemi mundur të mësojmë nëse dhe kur Këshilli Kombëtar i Energjisë i sapoformuar do të propozojë udhëzime për racionalizimin e konsumit në institucionet publike, sipas shembullit të vendeve evropiane.Vlerësimet se një krizë energjetike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë do të pasojë nga vjeshta, kanë alarmuar qeveritë në të gjithë Evropën, ndaj tash disa muaj ata futën masat e kursimit të energjisë për të ruajtur rezervat e gazit për dimër.Ndryshe nga vendet evropiane, Mali i Zi nuk ka ende udhëzime konkrete për kursimet në institucionet publike.Rekomandimet e këshillit priten edhe në kompaninë kombëtare të energjisë, nga e cila apelojnë sërish për konsum racional.Për të zbutur problemin energjetik me të cilin e gjithë bota do të përballet me siguri në vjeshtë, Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeroi para do kohe që çmimet e larta të energjisë elektrike t'u kalohen konsumatorëve për t'i inkurajuar ata të kursejnë.Siç thonë nga Elektroekonomia, ende nuk e kanë shqyrtuar këtë opsion pasi ,siç thonë ata, janë të vetëdijshëm se as paguesit e rregullt nuk do të mund t'i paguajnë faturat e rritura.
Gjeka dhe Sahiti të intensifikohet bashkëpunimi
Rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës në aspektin e shkëmbimit të studentëve, si dhe avancimi i mëtejmë i politikës së regjistrimit të studentëve nga Mali i Zi, ishte në fokus të bisedimeve të ministrit të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka me rektorin e Universitetit të Kosovës, Naser Sahiti. Në këtë takim u tha se Universiteti “Hasan Prishtina” është I interesuar për përmirësimin e bashkëpunimit me Universitetin e Malit të Zi, duke e konsideruar të rëndësishëm për të dy vendet. Po ashtu u bisedua edhe lidhur me kuotat e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi, e cila përfshin 58 studentë në 14 fakultete. Me këtë rast është rikujtuar se afati i dytë i regjistrimit fillon më 10 shtator të vitit rrjedhës.
Edhe këtë vit shkollor tekstet falas për të gjithë filloristët
Edhe këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit e Malit të Zi ka siguruar tekste shkollore falas për të gjithë nxënësit e institucioneve publike të arsimit fillor. “Instituti për Tekste dhe Mjete Mësimore ka filluar shpërndarjen e teksteve shkollore falas për nxënësit e shkollave fillore, sipas të dhënave për numrin e nxënësve të regjistruar, të marra nga Departamenti për Statistikë i këtij resori. Shpërndarja ka filluar me dorëzimin e teksteve në disa shkolla fillore, ndërsa shpresojnë se pas dorëzimit të tyre tek kujdestarët e klasave, procesi i shpërndarjes do të përfundojë deri në fillimin e vitit të ri shkollorë, njoftuan nga Ministria e Arsimit.
Kurti u bën thirrje serbëve të mos bien pre e dezinformatave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish deklaroi se një fushatë dezinformimi për vendimet e Qeverisë sa i përket targave dhe dokumenteve serbe, kishte për qëllim të nxiste frikë dhe të krijonte destabilitet. Ai u bëri thirrje serbëve që të mos bien pre e fushatave të tilla. Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot më 10 gusht, Kurti tha se vendimi për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia, është vendim që i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë. Por, zbatimi i këtij vendimi, së bashku me atë për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, u shty për 1 shtator, për shkak të ngritjes së barrikadave më 31 korrik dhe 1 gusht në veri të vendit. “Ajo[fushata e dezinformimit] ishte në shërbim të barrikadave. Në përbërje me individë të armatosur e me të kaluar kriminale, barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që të mbronin krimin e organizuar në veri të vendit”, tha Kurti. Ai tha se ka dëgjuar lajme të rreme që dokumentet serbe do të konfiskoheshin në kufijtë e Kosovës, por ai shtoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka pasur këtë qëllim. Sipas tij, dokumenti për hyrje-dalje është vetëm një dokument shtesë që u jepet të gjithë shtetasve serbë me të hyrë në Kosovë. “Askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme, ndërkaq rreziku prej tyre është shumë i madh. Po jetojmë në një epokë sfiduese andaj na duhet kujdes i shtuar. Sot dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”, tha Kurti.
Anija e parë me grurë nga Ukraina mbërrin në Shqipëri
Anija e parë e ngarkuar me mbi 6 mijë tonë grurë nga Ukraina, ka mbërritur në Portin e Durrësit mëngjesin e sotëm. Anija turke“Jaohar Ranim”ka udhëtuar për 12 ditë nga një port ukrainas drejt Shqipërisë. Gruri i ardhur është i destinuar për një kompani në Tiranë. Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për eksportet e grurit, nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara më 22 korrik. Sipas kësaj marrëveshjeje, anijeve të Ukrainës që eksportojnë grurë, misër dhe vaj, u sigurohet një korridor i sigurt, me Rusinë që është pajtuar të mos i shënjestrojë ato. Para fillimit të luftës dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina. Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po përballen me një krizë çmimesh pas lëkundjeve në treg për shkak të vështirësive me furnizim me naftë dhe gaz si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë dhe sanksioneve të vëna nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj Rusisë. Ndonëse shteti nuk ka varësi të drejtpërdrejtë nga gazi dhe nafta ruse, Shqipëria aktualisht nuk i përmbushë nevojat e saj energjetike, duke u detyruar që një sasi të konsiderueshme të energjisë ta importojë me çmime të larta nga bursat ndërkombëtare. Kjo gjendje e ka rënduar koston e jetesës në Shqipëri, një ndër shtetet me bruto prodhimin më të vogël në Evropë.
Përmbyset varka në brigjet greke, mbi 50 emigrantë të zhdukur
Autoritetet greke bënë të ditur sot se kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi pasi një varkë me dhjetëra emigrantë u mbyt gjatë natës. Në një deklaratë të rojës bregdetare për agjencinë e lajmeve AFP, rreth 50 persona janë shpallur të zhdukur pasi një varkë me emigrantë u mbyt pranë ishullit grek të Karpathosit në Detin Egje. Roja bregdetare tha sot se 29 persona, të gjithë burra, ishin shpëtuar në det, 61 kilometra në juglindje të Karpathosit, një ishull juglindor midis Rodosit dhe Kretës. Autoritetet greke janë vënë në kërkim të të zhdukurve pas mbytjes së anijes e cila u nis të martën në mbrëmje nga Turqia. Dy anije patrullimi të rojes bregdetare, një anije e marinës greke, një helikopter i forcave ajrore dhe të paktën tre anije që lundronin aty pranë po marrin pjesë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Rruga më e zakonshme detare për azilkërkuesit nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika ka qenë nga Turqia në ishujt e afërt grekë. Por me autoritetet greke që po shtojnë patrullimet në Egje dhe me lajmet se Turqia po deporton emigrantët pa i lejuar ata të aplikojnë për azil, shumë prej tyre tani janë duke u larguar nga ishujt grekë dhe po përpiqen të marrin rrugën më të gjatë dhe më të rrezikshme direkt për në Itali.
Greqia do të largohet nga korniza mbikëqyrëse ekonomike e BE-së
Greqia do të largohet më 20 gusht nga e ashtuquajtura kornizë “e mbikëqyrjes së shtuar” e Bashkimit Evropian, tha sot Ministria e Financave. Kjo lëvizje do t’i lejojë Athinës që të ketë liri më të madhe në krijimin e politikave ekonomike. Zhvillimet dhe politikat ekonomike të Greqisë janë monitoruar nga blloku, përmes kësaj kornize, që nga viti 2018, pasi Athina doli nga tri paketat ndërkombëtare të shpëtimit. Këto ndihma ishin në vlerë prej mbi 260 miliardë eurosh që Greqia mori nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në mes viteve 2010 dhe 2015. “Pas 12 vjetësh një kapitull i vështirë për shtetin tonë po mbyllet”, tha ministri grek i Financave, Christos Staikouras. “Greqia i rikthehet normalitetit evropian dhe nuk do të jetë më një përjashtim në Eurozonë”, shtoi ai. Staikouras tha se Athina ka përmbushur një sërë kriteresh dhe reformash dhe largimi nga korniza evropiane është konfirmuar përmes një letre nga zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis, dhe komisioneri për Ekonomi, Paolo Gentiloni. Qëkur ka dalë nga pakot e shpëtimit më 2018, Greqia është varur krejtësisht nga tregjet për financimin e nevojave të shtetit. Korniza mbikëqyrëse kishte për qëllim që Greqia të vazhdonte zbatimin e masave që do të parandalonin vështirësitë ekonomike, por edhe realizimin e reformave strukturore që kanë për synim rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Raportohet për 13 civilë të vrarë nga granatimet ruse në Ukrainë
Guvernatori i rajonit qendror ukrainas të Dnipropetrovskit, tha se 13 civilë janë vrarë në granatimet ruse gjatë natës në Nikopol dhe Maranets. Sipas guvernatorit, 11 persona janë plagosur, pesë prej të cilëve janë në gjendje serioze.Kreu i administratës shtetërore në rajonin e Dnipropetrovskit, Valentyn Reznichenko, tha se dy viktima, ndonëse u dërguan në spitalin e Maranetsit, vdiqën më vonë nga plagët e marra. Reznichenko e përshkroi skenën e sulmit në afërsi të lumit Dniepër.Kemi pasur një natë të tmerrshme, njëmbëdhjetë të vdekur, të gjithë njerëz paqësorë”, tha ai në një postim në Telegram. Më vonë ai njoftoi se numri i viktimave ka arritur në 13. Është e vështirë që t'i nxjerrim trupat nga rrënjojat”, shtoi ai. Zona ku ka ndodhur sulmi është rreth 20 kilometra në anën e kundër të lumit Dinepër nga centrali bërthamor i Zaporizhjas. Ky central është marrë nën kontrollin rus që në ditët e para të pushtimit që nisi më 24 shkurt. Por, granatimet në Maranets kanë qenë më të ashpra, teksa është dëmtuar një ndërtesë banimi 20-katëshe, shkolla, një konvikt dhe një qendër kulturore.
Rusët përqendrojnë ofensivën në jug, ukrainasit në verilindje
Po vazhdojnë spekulimet lidhur me shkakun e shpërthimeve të mëdha në aeroportin rus në Krime, ndërkaq raportimet në natën ndërmjet 9 dhe 10 gushtit sugjerojnë se trupat ruse janë përqendruar në rajonin jugor dhe ukrainasit kanë raportuar për përparime të vogla rreth Harkivit, në verilindje. Ndërkaq, sipas vlerësimeve ushtarake ukrainase dhe perëndimore thuhet se frontet e luftës po bëhen gjithnjë e më të palëkundura, teksa konflikti pesëmujor po vazhdon. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina gjatë kësaj periudhe kanë bërë përparime të kufizuara. Përmes një video-adresimi në orët e vona të 9 gushtit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shmangu çdo referencë specifike për mbi dhjetëra shpërthime, që raportohet se lanë të vrarë një person në aeroportin ushtarak në Krime. Por, ai u zotua se deri në fund të luftës, Ukraina do ta rimarrë Krimenë, gadishullin që Moska e aneksoi më 2014. “Kjo luftë ruse kundër Ukrainës dhe kundër të gjithë Evropës së lirë nisi në Krime dhe duhet të përfundojë me Krimenë – me çlirimin e saj”, tha Zelensky.
Bajden nënvizoi fuqizimin e NATO-s me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden nënvizoi fuqizimin e NATO-s me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në kushtet e ndryshimit të arkitekturës së sigurisë së Perëndimit, pas pushtimit rus të Ukrainës. “Në një kohë kur Rusia e Putinit ka tronditur paqen dhe sigurinë në Europë, fuqia e Aleancës dhe përkushtimi i SHBA-së ndaj NATO-s janë më të rëndësishme se kurrë”, deklaroi Bajden. Presidenti amerikan u bëri thirrje edhe vendeve të tjera anëtare të përfundojnë procesin e ratifikimit sa më parë të jetë e mundur.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të japin 89 milionë dollarë për të ndihmuar në pastrimin e minave tokësore
Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të japin 89 milionë dollarë për të ndihmuar në pastrimin e minave tokësore, pajisjeve shpërthyese të improvizuara dhe mjeteve të pashpërthyera të vendosura nga forcat ruse në Ukrainë. Për momentin, zyrtarët amerikanë shpresojnë që ndihma e re mund të përforcojë përpjekjet ekzistuese të Ukrainës për çminim. Departamenti i Shtetit tha se ekipet ukrainase kanë pastruar tashmë rreth 160 mijë mina dhe pajisje të tjera të pashpërthyera.
Angjella u prit me duartrokitje dhe fishekzjarre
Mbrëmë në Tuz është pritur me duartrokitje dhe fishekzjarre nënkampionia juniore e botës në taekwondo Angjella Berishaj.Fituesja e medaljes së argjendtë në Kampionatin Botëror të Juniorëve në Sofje të Bullgarisë, Angjella Berishaj, është pritur mbrëmë nga qytetarë të shumtë në ambientet e Komunës së Tuzit.“Ajo ka parakaluar nëpër tapetit të kuq me trajnerin dhe familjarët e saj, ndërsa kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, si dhe zyrtarë të tjerë të komunës, kanë bërë një pritje ceremoniale”, thuhet në kumtesën e Komunës së Tuzit. Gjeloshaj i dorëzoi kampiones së re një çek prej 5 mijë eurosh. “Për herë të parë Mali i Zi po shënon një fitore kaq historike dhe pikërisht këtë e bëri malësorja jonë Angjella, ndaj nuk kam çfarë të shtoj më shumë, përveçse jam krenar për të rinjtë tanë që po ngrisin lart emrin e komunës sonë çdo ditë e më shumë me arritjet e tyre dhe shpresoj që Angjella të jetë fituese edhe e Lojërave Olimpike”, tha Gjeloshaj.
Nesër mot i ndryshueshëm
Sot në jug dhe bregdet mban mot kryesisht me diell kurse në viset kontinentale kryesisht i vranët. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme.
Temperaturat: Podgoricë 36, Ulqin e Budvë 35, H. Novi 34, Tivar, Nikshiq e Cetinë 30, Beranë e Andrievicë 28, Guci 27, B.Pole e Shavnik 26, Kollashin e Plluzhinë 25, Rozhaj 24, Plevle 23 dhe në Zhablak 18 g.
Meteorologët për nesër parashohin mot kryesisht me diell, deri me vranësira të ndryshueshme, por pa të reshura. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme, paradite mesatare deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 12 deri në 26, kurse më e larta e ditës, prej 20 deri në 34 gradë celsius.
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Коментари0
Остави коментар