- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
13. 06. 2022.
00:00 >> 18:04
Ditari 13.06.2022
Ditarin e përgatiti Violeta Gjokaj
Sot u mbajt mbledhja e Këshillit për Sigurinë Nacionale
Sot u mbajt mbledhja e parë e Këshillit për Sigurinë Kombëtare, e kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviq, njoftoi Qeveria e Malit të Zi. Në seancë ishin të ftuar edhe ushtruesja e detyrës së kryetares së Prokurorisë së Lartë të Shtetit, Maja Jovanoviq, kryeprokurori special Vlladimir Novoviq, ministri pa portofol Zoran Milaniq dhe drejtori i Drejtorisë së policisë Zoran Brgjanin. “Në rendin e ditës ishte miratimi i prioriteteve kombëtare në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar për periudhën prej vitit 2022 deri në vitin 2025 .Siç njofton agjencia Mina, në këtë mbledhje Rashko Konjeviq, nënkryetari i Qeverisë për sistemin politik dhe politikën e brendshme, ministër i mbrojtjes e anëtarë i Këshillit për sigurinë nacionale u zgjodh koordinues për punën e zyrës për koordinimin operacional. Ndërkaq, Sergej Sekulloviq, këshilltar i kryeministrit për politikë të brendshme dhe sistemin politik u zgjodh koordinator për hartimin dhe zbatimin e strategjisë nacionale për luftën kundër kriminalitetit të organizuar trans nacional.
Është formuar trupi punues për përgatitjen e ligjit për Qeverinë
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Rashko Konjeviq nënshkroi vendimin për themelimin e trupit punues për përgatitjen e projektligjit për Qeverinë. "Pas një viti e gjysmë premtimesh boshe të qeverisë së mëparshme, ne po fillojmë punën konkrete për këtë tekst të rëndësishëm ligjor," njoftoi Konjeviq në Twitter. Ai shtoi se takimi i parë punues është caktuar për të premten. Koordinatore e Trupit Punues është Enesa Hasanagiq- Katana nga Ministria e Administratës Publike. Në vendimin e publikuar nga Konjeviq thuhet se detyra e trupit punues është që deri në fund të qershorit të përgatisë dhe dorëzojë në Qeveri draft projektligjin, më së voni deri më 15 tetor.
Rau nesër për vizitë në Mal të Zi
Kryesuesi i OSBE-së e ministër i punëve të jashtme të Polonisë, Zbigniev Rau do të vizitojnë nesër Malin e Zi, është kumtuar nga kjo organizatë. Rau do të takohet me presidentin Millo Gjukanoviq, kryeministrin Dritan Abazoviq dhe ministrin e jashtëm Ranko Krivokapiq.“Pas vizitës në Malin e Zi, Rau do të udhëtojë në Shqipëri, kurse më pas në Maqedoninë e Veriut, ku do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë”, është kumtuar nga OSBE. Thuhet se Rau do të marrë pjesë në konferencën “Forumi i Prespës për Dialog”, e cila do të fokusohet në rolin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne të sigurisë në Evropë dhe situatën në Ukrainë."Rau do të takohet gjithashtu edhe me operacionet e OSBE në terren në secilin prej këtyre tri shteteve," thuhet në deklaratë.
Maroviq: Qeveria është e vendosur të intensifikojë reformat
Pas dhjetë vitesh të bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE), Qeveria e Malit të Zi është e vendosur të intensifikojë zbatimin e reformave dhe të përfundojë punën për arritjen e gatishmërisë së brendshme për anëtarësim, tha zëvendëskryeministrja e ministre për çështjet Evropiane, Jovana Maroviq. Në një bisedë me ambasadorin e Bosnjë-Hercegovinës (BH) Branimir Jukiq, Maroviq theksoi se tashmë ka progres në fushën e gjyqësorit në Mal të Zi, por se reformat thelbësore sapo do të vijnë ende. Siç është kumtuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, ajo deklaroi se Mali i Zi mbështet BH në procesin e anëtarësimit në BE. Sipas Maroviq, përfaqësuesit e strukturës negociuese malazeze me kënaqësi do të ndajnë përvojën e grumbulluar, shumëvjeçare nga negociatat me kolegët nga institucionet e BH, duke pritur me padurim çdo hap përpara dhe të vendeve tjera të rajonit në rrugën evropiane. Jukiq tha se shpreson që Mali i Zi të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të anëtarësohet në BE dhe kështu të jetë një nxitje për vendet e tjera të rajonit.
Do të ruhemi nga mungesa e ushqimit përmes importit nga Serbia
Mali i Zi është i varur nga importi kur bëhet fjalë për produktet bujqësore dhe do t'i kërkojë qeverisë serbe të prokurojë ushqime bazë në gjashtë muajt e ardhshëm për të shmangur mungesat e mundshme të tregut, tha për Radion e Malit të Zi zëvendëskryeministri e ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Vlladimir Jokoviq. “Ne importojmë mallra nga Serbia për gati gjysmë miliardë euro dhe e di që ekziston vullneti në këtë vend fqinj për të rezervuar produkte ushqimore bazë për Malin e Zi në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha Jokoviq. Kjo do të jetë një nga temat e bisedës mes kryeministrit Dritan Abazoviq dhe presidentit të Serbisë me rastin e vizitës së ardhshme, me qëllim të mbrojtjes së popullatës vendase. Qeveria po shqyrton edhe mundësinë e riformimit të rezervave të mallërave, theksoi Jokoviq. Kriza në tregun e produkteve bujqësore dhe të energjisë mund të zgjasë dhe fermerët vendas duhet të prodhojnë më shumë me mbështetjen më të madhe nga shteti.
Llazareviq mori detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UMZ
Gjenerali i brigadës Zoran Llazareviq mori sot detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi (UMZ) në një ceremoni në kazermën Millovan Sharanoviq në Danillovgrad, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Llazareviq pasoi gjeneralin e brigadës Millutin Gjuroviq. Nga kjo Ministri theksohet se Llazareviqit i është dorëzuar detyra nga Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Mësohet se ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq, u ka uruar Gjuroviq dhe Llazareviq shumë sukses në detyrat e tyre të reja. Siç është paralajmëruar, Gjuroviq do të ketë një angazhim ushtarako-diplomatik. Konjeviq tha se Llazareviq për këtë post është rekomanduar nga tridhjetë vjet përvojë oficeri, si dhe rezultatet që ka arritur në të gjitha detyrat që i ka ushtruar.
“PSP, PDS dhe URA planifikojnë shtyrjen e zgjedhjeve lokale për në pranverë”
Kryetari i Malit të Zi të vërtetë, Marko Millaçiq, në emisionin Link të Radios së Malit të Zi, tha se plani i Partisë Socialiste Popullore,(PSP), Partisë Demokratike të Socialistëve,(PDS) dhe URA është shtyrja e zgjedhjeve lokale të parapara për në tetor të këtij viti të mbahen në pranverë të vitit 2023.
Ai tha se PDS-ja po e zvarrit qëllimisht zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi një tjetër gjyqtar do të largohet nga Gjykata Kushtetuese në shtator dhe një Gjykatë Kushtetuese e paplotë do të jetë vetëm alibi për një shtyrje të re të zgjedhjeve. Duke folur për Qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, Millaçiq tha se ajo ishte një arritje historike. “Prandaj duhej bërë gjithçka për të ruajtur vullnetin elektoral të qytetarëve, gjithçka që ndodhi më pas ishte grabitje e thjeshtë. Ai përsëriti se kjo është një shumicë parlamentare e paligjshme, jo legjitime dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe se “detyra jonë është ta ekspozojmë atë në çdo hap”. Millaçiq tha se në fuqi është qeveria e PDS dhe megjithëse nuk janë të pranishëm në qeveri, ata janë ende aty "me të gjitha forcat e veta", theksoi Millaçiq.
Pensionistët protestuan kundër pensioneve të ulëta
Pensionistët nga Podgorica dhe Bijello Pola protestuan kundër, siç theksuan ata, pensioneve të ulëta dhe standardit të ulët të jetesës. Siç është kumtuar, pensionistët nga veriu në shenjë pakënaqësie kanë bllokuar për një orë një pjesë të autostradës për në Podgoricë. Momo Joksimoviq, anëtar i Këshillit Organizativ të protestës së pensionistëve dhe invalidëve në Podgoricë, më herët ka deklaruar se pensionistët jetojnë në uri, mjerim dhe varfëri. "Vdekshmëria më e lartë në botë është në Mal të Zi, me çdo të katërtën vetëvrasje të kryer nga një pensionist. Pensionistët i kanë merituar pensionet e veta. Ata duhet ta jetojnë me nder dhe dinjitet pleqërinë e tyre. Mirëpo ata jetojnë të turpëruar, në uri, në mjerim dhe me mbrojtje të keqe shëndetësore ” , theksoi Joksimoviq.
Nuk do të lëvizim derisa të na paguhen rrogat
Ish-punëtorët e minierës së boksitit kanë bllokuar transportimin dhe dërgimin e xehes në magazinë në vendin e quajtur Graçanicë. Ata theksojnë se do të qëndrojnë para portës së kompanisë “Uniprom-metal” deri në pagimin e 15 rrogave të prapambetura, të cilat u janë borxh prej vitit 2014. Rreth 260 ish-punëtorë të boksitit janë në pritje të shlyerjes së 6 deri në 7 mijë euro borxh, ndërsa pretendimet e tyre, sipas vendimit të Gjykatës Ekonomike, thuhet se kanë hyrë në vijën e parë të pagesës. Ata theksojnë se edhe kryeministri Dritan Abazoviq u ka premtuar pagesën e pagave nga shitja e ndërtesës administrative një vit më parë.“Objekti është shitur për 872 mijë euro dhe kjo nuk na intereson. Na interesojnë vetëm paratë për 15 rrogat tona. Ne nuk do të lëvizim dhe asnjë vagon me xehe nuk do të rrëshqasë mbi binarë si dhe asnjë kamion ”, tha ish-punëtori i minierës së Boksit, Vitomir Krullanoviq.
Edhe nesër bllokim i rrugës, pasagjerët duhet të shkojnë më herët në aeroport
Ish-punëtorët e Montenegro Airlines (MA) nesër në orën 13 do të bllokojnë sërish rrugën për në aeroportin e Podgoricës, kësaj radhe për një orë.
“Qëllimi i tubimit është rikujtimi i kërkesave që kanë të bëjnë me lidhjen e stazhit të punës dhe pagesën e pagave të papaguara dhe të kompensimeve”, thuhet në kumtesën e ish-punëtorëve. Ata u bënë ftesë të gjithë ish-punëtorëve të vijnë dhe t'i bashkohen bllokadës. Për shkak të bllokadës, Aeroporti i ftoi të gjithë pasagjerët që kanë fluturimin nga Podgorica të martën rreth orës 13:00 që të mbërrijnë më herët në aeroport.
Rama do të vizitojë Ukrainën bashkë me Abazoviqin dhe Kovaçevskin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të vizitojë Ukrainën së bashku me kryeministrat e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me ftesë të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Lajmi u bë publik nga gazeta malazeze “Vijesti” ku u konfirmua se Rama dhe Kovaçeski kanë pranuar idenë e Kryeministrit Abazoviq për të shkuar të tre në Ukrainë, në mënyrë që të “dërgojnë një mesazh më të fortë dhe të përbashkuar nga Ballkani Perëndimor”.
Mbetet vetëm që tre liderët të bien dakord për datën e vizitës.
Në një bisedë me Zelenskin, Abazoviq theksoi se Mali i Zi ka ofruar mbështetje të hapur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës që në fillim.
“Ai theksoi se vlerat evropiane të lirisë dhe e drejta për zgjedhjen e dikujt mbrohen sot jashtë kufijve të Bashkimit Evropian dhe se Mali i Zi mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Pas nisjes së luftës, Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës i kanë vizituar liderë të ndryshëm botërorë për të shprehur mbështetjen në luftën kundër Rusisë.
Kryediplomati austriak nesër në Kosovë, takon Osmanin, Kurtin dhe Gërvallen
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, nesër ( e martë) do të vizitojë Kosovën. Ai do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
"Temë e diskutimit do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, lufta dhe agresioni rus në Ukrainë si dhe impakti i kësaj lufte në Ballkanin Perëndimor, ka theksuar për RTKlive zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, zonja Gabriele Juen.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, zonja Gabriele Juen, theksoi gjithashtu se në agjendë janë edhe një takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Prishtinë si dhe ushtarët e Austrisë, që shërbejnë në kontingjentin e KFOR-it në Kosovë.
“Temë e takimeve do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, lufta dhe agresioni rus në Ukrainë si dhe impakti i kësaj lufte në Ballkanin Perëndimor” tha për RTKlive zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Gbariele Juen.
Austria është angazhuar vazhdimisht për proceset euro-integruese të vendeve të Ballkanit dhe i ka inkurajuar vazhdimisht ato.
Hill: Serbia të mendojë nëse “pozicioni neutral” është i qëndrueshëm
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, sot, deklaroi se Serbia duhet të mendojë se ku qëndron e ardhmja e saj dhe nëse “ky pozicion neutral” i Beogradit zyrtar është i qëndrueshëm.
Ai tha se në këtë mënyrë, Serbia duhet të marr vendimin e vet.
Hill u tha gazetarëve në Beograd se ajo që ndodhi në Ukrainë “është sulm brutal ndaj atij vendi dhe vazhdimi i vrasjes së civilëve, është diçka krejtësisht e papranueshme në këtë shekull”.
Ai shtoi se një zhvillim i tillë nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bota ka ndryshuar që nga shkurti dhe se ne të gjithë duhet të mendojmë sërish se ku jemi, cili është pozicioni ynë dhe ku duam të jemi në të ardhmen”, tha ai.
I pyetur se cili duhet të jetë prioriteti (për Serbinë) në këtë moment – vendosja e sanksioneve kundër Rusisë apo normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, Hill u përgjigj se këto janë çështje për autoritetet serbe.
Zelensky: Ukrainasit po luftojnë për secilin metër të Severodonjeckut
Forcat ukrainase dhe ato ruse janë duke luftuar ashpër për të fituar kontrollin e Severodonjeckut, qytet në lindje të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se mbrojtësit e këtij shteti janë duke luftuar për “secilin metër” të qytetit, ndonëse rusët kanë shkatërruar një urë kyçe, duke pamundësuar ikjen potenciale të civilëve nga zonat e luftës.
“Qëllimi kyç i pushtuesve nuk ka ndryshuar. Ata janë duke rritur presionin në Severodonjeck, atje ka luftime të ashpra – për secilin metër”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij të dielën vonë, duke shtuar se ushtria ruse është duke shtuar rezervat në Donbas.
Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Hayday, ka thënë më 12 qershor se forcat ruse kanë shkatërruar urën e dytë që lidh Severodonjeckun me qytetin Lisiçansk.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 13 qershor se operacionet e kalimit të lumit “ka mundësi të jenë në mesin e faktorëve vendimtarë për luftën”.
Inteligjenca britanike ka thënë se Rusia është duke u përballur me vështirësi që të demonstrojë “koordinim kompleks, i cili është i nevojshëm për të kryer kalime të suksesshme rreth lumit, teksa vazhdojnë luftimet”.
Pavarësisht rritjes së presionit, Zelensky ka thënë se forcat ukrainase janë duke penguar trupat ushtarake ruse nga marrja e Donbasit.
Rritja e së majtës rrezikon shumicën e Macronit në Parlament
Aleanca e qendrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, rrezikon të mos fitojë shumicën, pas rundit të parë të zgjedhjeve parlamentare të së dielës.
Në këtë proces zgjedhor është vërejtur rritje për koalicionin e krahut të majtë.
Aleanca “Së bashku” e Macronit ka garuar me grupin NUPES të së majtës në rundin e parë të zgjedhjeve.
Macron ka fituar mandatin e dytë presidencial në prill të këtij viti dhe këto zgjedhje parlamentare janë parë si testi i parë për të.
Aleanca e Macronit ka fituar 25.75 për qind të votës së përgjithshme, në krahasim me NUPES që ka fituar 25.66 për qind të votave.
Duke marrë parasysh këto shifra, katër kompani të sondazheve kanë parashikuar që aleanca e Macronit mund të fitojë në rundin e dytë të zgjedhjeve të dielën e ardhshme, ndonëse rrezikon shumicën, por shihet si grupi më i madh.
“Ne kemi një javë për t’u mobilizuar”, ka thënë kryeministrja franceze, Elizabeth Borne para gazetarëve.
“Një javë për të bindur, një javë për të siguruar një shumicë të fuqishme”.
Sipas saj, aleanca e Macronit është grupi i vetëm politik që mund të sigurojë shumicën.
Nëse ky koalicion nuk fiton shumicën, pritet që Macron të sfidohet nga partitë e krahut të djathtë teksa çon përpara projektligjet dhe agjendën e tij.
Nesër mot i ndryshueshëm
Sot në pjesën më të madhe të Malit të Zi mban mot kryesisht me diell dhe i thatë. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperaturat: Podgoricë 32, H. Novi e Budvë 31, Ulqin 30, Tivar 28, Nikshiq e Cetinë 27, B. Pole e Shavnik 26, Kollashin e Plluzhinë 25 , Beranë e Plevle 24, Guci 22, Zhablak 21 dhe në Rozhajë 20 g.
Për nesër paradite në viset jugore dhe qendrore parashihet të mbajë mot kryesisht me diell, kurse pasdite vransim gradual dhe vende- vende me reshje të mundshme të shiut e bubullimë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, vende- vende deri e fortë veriore. Temperatura e mëngjesit prej 9 deri në 23, kurse më e larta e ditës prej 19 deri në 33 g. c.
Коментари0
Остави коментар