- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
14. 12. 2018.
17:47 >> 17:55
Lajmet 14.12.2018
14.12.2018
Kontribut i rëndësishëm i popujve pakicë
Zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë i kontribuojnë dukshëm pakicat nacionale, ka vlerësuar kryetari i Kuvendit Ivan Brajoviq duke shtuar se duhet forcuar bashkëpunimi parlamentar dhe të zhvillohet dialog intensiv politikë në nivelin më të lartë. Brajoviq, siç është kumtuar nga kabineti i tij, ka biseduar sot me ambasadorin e sapoemëruar të republikës së Shqipërisë në Mal të Zi Ridi Kurtezi. Theksohet se bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se Mali i Zi dhe Shqipëria zhvillojnë marrëdhënie të mira dhe kanë shprehur nevojën e forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit të gjithanshëm me akcent të veçantë në marrëdhëniet ekonomike. Kurtezi ka theksuar se veprimtaria e tij diplomatike para së gjithash do të jetë e përqendruar në forcimin e shfrytëzimit të potencialeve për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Theksohet se duke pasur parasysh se dy vendet fqinje ndajnë edhe resurse natyrore, është biseduar edhe për nevojën e përparimit të koordinimeve kur është fjala për mbrojtjen dhe valorizimin e tyre. Brajoviq edhe njëherë ka vërtetuar gatishmërinë e Malit të Zi që me përvojen e vetë ta ndihmojë Republikën e Shqipërisë në rrugën evropiane.
Kontraktohen dy IPA projekte me Shkodër
Podgorica dhe Shkodra do të përgatisin së bashku dy projekte me të cilat do të aplikojnë për mjete nga fondet e UE, IPA, për bashkëpunim ndërkufitar, u tha gjatë vizitës së delegacionit të kryeqytetit në krye me shefin e shërbimit për bashkëpunimin ndërkombëtarë Dragutin Drago Gjekoviq tek kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. Në projektin i cili nënkupton zhvillimin e kapaciteteve të shërbimeve të zjarrfikëseve në qytete, përveç Podgoricës dhe Shkodrës nga ana malazeze do të marrë pjesë edhe Danillovgradi. Projekti i dytë ka për qëllim zvogëlimin e papunësisë përmes rritjes së angazhimit të forcës punuese në sektorin e turizmit dhe këtu partner do të jenë vetëm Podgorica dhe Shkodra. Gjatë bisedës konstruktive me ekipin e krye bashkiakes Ademi në të cilin ishte edhe zëvendësi i saj, Arben Gjuraj, është konstatuar se territori dhe historia e përbashkët të cilën e ndajnë dy qytetet paraqesin më tepër se një bazë të mirë për bashkëpunim më të ngushtë dhe më përmbajtësor në të ardhmen. Shefi i shërbimit për bashkëpunimin ndërkombëtarë i kryeqytetit ka propozuar se fokusi në të ardhmen të jetë në fushën e kulturës, turizmit dhe mbrojtjen e mjedisit, në veçanti në rajonin e Liqenit të Shkodrës.
Sistematikisht të veprohet kundër ekstremizmit të dhunshëm
Radikalizmi i cili çon drejtë ekstremizmit të dhunshëm është njëri ndër kërcënimet më të mëdha globale pasojat e të cilës nuk e kanë anashkaluar as Malin e Zi, ka vlerësuar Ministri i punëve të brendshme Mevlludin Nuhoxhiq duke shtuar se është e domosdoshme të punohet në mënyrë sistematike në parandalimin dhe pengimin e kësaj dukurie. Ministria e punëve të brendshme dhe Qendra për Tranzicionin Demokratik në bashkëpunim me OSBE-në, e kanë prezantuar sot platformën nacionale për zhdukjen e ekstremizmit të dhunshëm me moton, “Së bashku kundër ekstremizmit të dhunshëm”. Siç ka theksuar Nuhoxhiq, duke pasur parasysh domethënien e plotë të nocionit radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, të cilat çojnë drejtë terrorizmit, është i domosdoshëm bashkëpunimi në të gjitha nivelet dhe një koordinim sistematik. Sipas fjalëve të tij radikalizmi i cili shkakton ekstremizmin e dhunshëm është njeri ndër kërcënimet më të mëdha globale.
Për institucionet shëndetësore në veri 1.34 milion euro
Kuvendi i Malit të Zi e ka vazhduar sot seancën e rregullt me pyetjet e deputetëve dhe anëtarët e Qeverisë. Vlera e përgjithshme e kontraktuar e pajisjeve të siguruara për nevojat e institucioneve shëndetësore në veriun e Malit të Zi është 1.34 milion euro, ka deklaruar Ministri i shëndetësisë, Kenan Hrapoviq. Ai këtë e ka thënë në Parlament duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit se sa mjete ka investuar Ministria e shëndetësisë dhe Fondi për shëndetësi në veri të Malit të Zi në periudhën 2017-2018. Në pajtim me ligjin për buxhetin e Malit të Zi për vitin 2017 është definuar huazimi për nevojat e institucioneve shëndetësore publike në veriun e Malit të Zi për blerjen e një akceleratori dhe të pajisjeve tjera medicinale në vlerë prej 11.8 milion euro që do të realizohet përmes një aranzhimin kreditorë në afat prej së paku 5 vjetësh. Pas shëndetësisë është folur për respektimin e ligjit kurse pas kritikave të Partisë Socialdemokratike se ligjet nuk respektohen gjithmonë, nga Ministria e administratës publike kanë pohuar se Ministrat në Qeveri janë të obliguar të punojnë sipas rregullave. Ministri i komunikacionit gjatë pyetjeve të deputetëve ka theksuar se Qeveria nuk ka hequr dorë nga ura “Verige” në gjirin e Bokës së Kotorit.
Rezultate historike të arritura në turizëm
Malin e Zi gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti e kanë vizituar 2.1 milion turistë ose 100 mijë më tepër se në tërë vitin e kaluar, ka kumtuar Ministri i zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Pavlle Radulloviq duke shtuar se në këtë fushë janë arritur rezultate historike. Kjo shifër është mbi 300 mijë më e lartë se gjatë tërë vitit 2016, ka theksuar Radulloviq me rastin e prezantimit të rezultateve të kësaj ministrie në Zhablak. Ai, duke vlerësuar rezultatet e punës nga fillimi i mandatit të Qeverisë, ka theksuar se është tejet i kënaqur me rezultatet e arritura në fushën e planifikimit të hapësirës dhe mbrojtjen e mjedisit kurse në turizëm, siç ka theksuar ai, janë shënuar rezultate historike. Prej fillimit të vitit e deri në fund të tetorit janë realizuar mbi 12.5 milion bujtje ose 550 mijë më tepër se gjatë tërë vitit të kaluar. Po ashtu, për herë të parë në histori, në hotelet malazeze kanë qëndruar mbi 1 milion turistë gjatë vetëm një viti ka theksuar Radulloviq.
Sektori bankar në Mal të Zi është stabilitet
Sektori bankar në Mal të Zi është stabil, është theksuar në mbledhjen e Këshillit drejtues të shoqatës së bankave të Malit të Zi. Drejtorët e këtyre Bankave në mbledhjen e djeshme kanë shqyrtuar situatën në sektorin bankar, pas futjes të administratës së përkohshme në dy banka, anëtare të shoqatës së bankave në “Atllas Bankën” dhe “IBM Bankën”. Me këtë është theksuar se sektori bankar në Mal të Zi është stabil. Shoqata e Bankave të Malit të Zi e përkrah Bankën Qendrore në përpjekje për gjetjen e zgjidhjeve për ruajtjen e “Atllas” dhe “IBM Bankës”, brenda afatit sa më të shkurtër, me qëllim që klientët e dy bankave të kenë sa më pakë dëme për shkak të bllokimit të përkohshëm të mjeteve disponuese.
Projekt për rritjen e punësimit të përsonave me invaliditet
Projekti me titull, “Së bashku pa barriera“, do të kontribuojë në rritjen e punësimit të personave me invaliditet përmes marrjes së njohurive dhe aftësive të reja në rritjen e pranisë së tyre në tregun e punës, është kumtuar me rastin e prezantimit të projektit. Realizimi i këtij projekti, të cilin e ka financuar Enti për punësim i Malit të Zi, kurse mjetet janë siguruar nga Fondi për rehabilitimin profesionist dhe punësimin e personave me invaliditet, ka filluar me 16 nëntor. Nga firma “Gold MNE” është kumtuar se vlera e projektit është 52.34 mijë euro nga të cilat enti siguron 49.72 mijë , kurse 2.6 mijë euro janë kontribut i dorëzueseve të projekteve.
Rroga minimale të jetë 50 për qind e rrogës mesatare
Rroga minimale, siç konsiderojnë përfaqësuesit e organizatave sindikale malazeze, do të duhej të jetë 50 për qind e rrogës mesatare, për ç'gjë do të debatojnë Këshilli social i cili e propozon lartësinë e saj. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së sindikatave Dushko Zarubica ka deklaruar se të gjithë partnerët social janë pajtuar se është e domosdoshme rritja e të ardhurave minimale. Këshilli social propozon vlerën e rrogës minimale kurse Qeveria vendos, ka theksuar Zarubica në konferencën për gazetarët lidhur me domosdoshmërinë e rritjes të rrogës minimale, të organizuar me Unionin e sindikatave të lira. Ai, duke folur për paralajmërimin e kryeministrit Dushko Markoviq se nuk do të ketë rritje të rrogave minimale, ka theksuar se në sindikatë nuk janë malicioz, por kjo është çështje e Këshillit social.
Arben Tagani shef i ri i DS të Ulqinit
Shefi i ri i departamentit të sigurisë të Ulqinit prej sot është Arben Tagani, i cili deri tani ishte i angazhuar në sektorin e policisë kufitare. Shefi i deritashëm i këtij departamenti Sead Gjozoviq, siç është kumtuar, do të angazhohet në punë dhe detyrime të tjera në kuadër të drejtorisë së policisë. Këto ndryshime kadrovike i ka miratuar Kolegiumi i Drejtorit të drejtorisë së policisë në pajtim me nevojat e shërbimit, thuhet në kumtesë.
Urime me rastin e ditës së komunës të Tuzit
Sot në Tuz u shënua 15 dhjetori dita e çlirimit të kësaj komune me ç'rast kryetari Abedin Axhoviq i dorëzoi shpërblimin e komunës laureatit të sivjetmë, Anton Vulaj, pronarë dhe themelues i kompanisë Kastellana. Kryeministri Dushko Markoviq e ka përgëzuar udhëheqjen e komunës dhe këshilltarët në Kuvendin e Tuzit me rastin e 15 dhjetorit, Ditës së komunës, dhe me rastin e festave të ardhshme të fundvitit. Ai ka theksuar se me një raport partneriteti me udhëheqjen e re do të punojë me përkushtim në krijimin e kushteve për progresin e Komunës përmes investimeve në infrastrukturën rrugore, komunale dhe shoqërore. Markoviq ka theksuar se i takon nder i veçantë që ditën e komunës ta urojë edhe në emër të Qeverisë gjatë mandatit të cilës janë krijuar parakushtet për statusin e pavarur të Komunës së Tuzit dhe ka shprehur dëshirën që qytetarët e kësaj komune këtë festë ta kremtojnë në ambientin e bashkëjetesës, të raporteve të mira fqinjësore dhe në harmoni tradicionale shumë etnike dhe shumë fetare. Tuzi ka infrastrukturë njerëzore, administrative dhe ekonomike që, duke ruajtur harmoninë shumë nacionale dhe shumë fetare të intensifikojë rritjen ekonomike në Malësi, ka kumtuar kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Ivan Brajoviq. Edhe ai ka uruar 15 dhjetorin, ditën e komunës së Tuzit duke shtuar se dëshira e kamotshme e banorëve të Malësisë dhe Tuzit që të fitojnë statusin e Komunës së pavarur është shnderruar në realitet. Brajoviq ka theksuar se beson që me një bashkëpunim permanent të administratës lokale dhe shtetërore, por edhe me vazhdimin e bashkëpunimit me kryeqytetin Podgorica, Tuzi me projektet ekzistuese, shumë shpejtë mund të krijojë një ambient të volitshëm afaristë për zhvillimin e bujqësisë dhe të ekonomisë.
Shporta shpenzuese në nëntor 640 euro
Vlera e shportës minimale konsumatore në muajin nëntor, sipas të dhënave preliminare të MONSTAT-it, ka qenë 640 euro ose 0.3 për qind më e lartë se në muajit tetor. Nga vlera e përgjithshme e shportës konsumatore minimale, shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike kanë qenë 261.3 euro ose 1 për qind më tepër se në muajin tetor, thuhet në kumtesë. Theksohet po ashtu se shpenzimet për shërbime dhe prodhimet ushqimore kanë qenë 378.7 euro ose 1 për qind më pak se në tetor. Shporta minimale konsumatore ka të bëjë me shpenzimet e një amvisërie që nënkupton ushqimin dhe prodhimet joushqimore si dhe shërbimet, me të cilët mundësohet të jetohet dhe anëtarët e familjes të jenë të aftë.
Aprovohet faza e dytë e digjitalizimit të RTMZ
Këshilli i Radio Televizionit të Malit të Zi ia ka dhënë sot pëlqimin drejtorit të përgjithshëm të kësaj shtëpie mediatike Bozhidar Shundiq, që të sjellë vendimin për zgjedhjen e ofertës më të volitshme dhe të shkruaj kontratën për fazën e dytë të digjitalizimit të servisit publik. Vlera e kontratës është 11 milion e 349 mijë euro, kurse mjetet janë dedikuar modernizimit të kapaciteteve të studiove në radio dhe në televizionin e Malit të Zi ka kumtuar shërbimi informim i servisit publik. Të përkujtojmë se në fazën e parë është modernizuar teknika mobile e televizionit, automjeti më i vogël për operime tani është në funksion, por me arritjen e automjetit më të madh, i cili pritet gjatë ditëve të ardhshme, Televizioni i Malit të Zi do të shndërrohet në lider rajonal dhe do të disponojë teknikën më moderne mobile.
Kosova formon Ushtrinë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve. Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Seanca ka filluar me një minutë heshtje për të nderuar, siç është thënë, “të gjithë ata që u vranë dhe sakrifikuan” duke dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Votimi është përcjellë me duartrokitje të gjata në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se me këtë votim po fillon një epokë e re për shtetin e Kosovës. Ai ka tërhequr vërejtjen se në pjesën për mysafirë në Kuvend, ishin të pranishëm edhe disa kadetë të FSK-së që po e prisnin këtë vendim. Vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës po përcillet me një atmosferë festive në Prishtinë. Sheshet e kryeqytetit janë mbushur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve tjera, të cilat Kosova i konsideron si vende që e kanë ndihmuar në vazhdimësi atë. Në seancën e Kuvendit kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.
Me themelimin e Ushtrisë, përmbyllet procesi i shtetndërtimit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se me miratimin e pakos ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, është përmbyllur procesi i shtetndërtimit. Sipas presidentit Thaçi, shoqëria dhe shteti i Kosovës ka dëshmuar se di të qëndrojë i bashkuar “për të mbrojtur interesat e popullit dhe shtetit tonë”. “Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fundvitit”, thotë Thaçi. Qeveria e Kosovë, përmes një deklarate rithekson qëndrimin për bashkëpunim me NATO-n në rrugëtimin e formimit të Ushtrisë. Qeveria e Kosovës vlerëson se e drejta e Kosovës për ushtri, një forcë multietnike e profesionale të ndërtuar sipas standardeve më të larta të NATO-s buron nga sakrifica dhe liria, nga e drejta e shtetit, nga sovrani, vullnetit qytetar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat pro-perëndimore në Kosovë dhe më gjerë. “Së bashku me aleatët, NATO-n do të jemi vetëm në shërbim të demokracisë, sigurisë, paqes dhe zhvillimit në Kosovë, rajon e kudo që kërkohet”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
BE-ja ka qëndrim të njëjtë me NATO-n për FSK-në
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor ka deklaruar që BE-ja e ndanë mendimin e njëjtë me NATO-n që mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë që të mbajë obligimet e veta që dalin nga Marrëveshja e Parë, që është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, ka theksuar Kocijançiq. Vendimi i Kuvendit të Kosovës që FSK-ja të ketë kapacitete ushtarake, nuk u mirëprit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Pas miratimit të tri ligjeve për ushtrinë në Kuvend, Stoltenberg u shpreh se ky vendim nuk vjen në një kohë “të përshtatshme”. Stoltenberg i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin deklaratat të cilat, siç ka thënë ai, mund të çojnë në përshkallëzim të situatës. Shefi i NATO-s ka thënë se Aleanca do të vazhdojë që përmes trupave të KFOR-it të ofrojë ambient të sigurt të Kosovë dhe të sigurojë stabilitet në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndryshim historik
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e ka quajtur historik transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. “Vendimi historik i krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dëshmon qartë që Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi të reja në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për të kontribuar vendosmërisht për paqen, stabilitetin e rajonit dhe fqinjësinë e mirë. Fryma euro-atlantike qëndron në themel të këtij ndryshimi historik”, shkruan Meta në reagimin e tij. Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka zgjedhur që të urojë përmes një fotoje, ku shfaqet presidenti Hashim Thaçi me uniformë ushtarake. Menjëherë pas vendimit historik të krijimit të ushtrisë së Kosovës, u publikua urimi i tij.
Sot është një ditë e vështirë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka reaguar për votimin e ushtrisë nga Kuvendi i Kosovës. “Sot nuk është dita kur kontribuohet për stabilitetin e rajonit”, tha Bërnabiq.Ajo e ka përshkruar ditën e sotme si një ditë të vështirë për Serbinë. “Sot është një ditë e vështirë për mua dhe besoj se pa një rajon stabil as Serbia nuk është stabile apo as edhe ndonjë shtet tjetër”, shtoi ajo. “Është më mirë të flasim për bashkëpunim se sa të krijojmë barriera”, tha kryeministrja e Serbisë. Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është duke i vizituar forcat speciale të ushtrisë së Serbisë në lokacione të ndryshme në vend. Mediat serbe raportojnë se komandanti suprem i ushtrisë serbe së shpejti do të marrë një vendim të rëndësishëm për gjendjen aktuale në Kosovë, pas formimit të ushtrisë, transmeton lajmi.net. Sipas burimeve të mediave serbe, ushtria e Serbisë i ka shfaqur gatishmëri të plotë Vuçiqit për të përmbushur çdo urdhër të tij, dhe se janë duke e monitoruar gjendjen në veri të Mitrovicës. Kurse Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, ka thënë se e ka informuar në detaje presidentin për situatën në Kosovë. Ai ka thënë se Vuçiqi është i shqetësuar me atë që po ndodh në Kosovë. Përndryshe, Serbia do të kërkojë të premten, mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të shkeljes më të egër të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, pas vendimit të Prishtinës për të formuar ushtrinë e Kosovës, ka thënë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq. “Ky është kërcënimi më i drejtpërdrejtë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe sigurisë së popullit serb që jeton në Kosovë” ka thënë Daçiq për agjencinë Tanjug.
BE nuk do të rinegociojë marrëveshjen për Brexit
Liderët e Bashkimit Evropian kanë thënë se marrëveshja për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja “nuk është e hapur për rinegociim”, pavarësisht kërkesave të kryeministres britanike, Theresa May. Ajo ka kërkuar siguri ligjore sa i përket kufirit me Irlandën Veriore, ashtu që t’i ndihmojë vetvetes për ta çuar përpara marrëveshjen në Parlamentin britanik, meqë ka shtyrë datën e votimit për këtë marëveshje ditë më parë. May ka thënë se marrëveshja “është në rrezik” nëse shqetësimet e deputetëve nuk diskutohen. Mirëpo presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka thënë se mund të ketë sqarime shtesë mirëpo jo rinegocim. Ai i ka bërë thirrje Britanisë të tregojë në mënyrë më të qartë se çfarë dëshiron, duke shtuar se ky Komision do të publikojë më 19 dhjetor informacione rreth përgatitjeve për Brexit pa marrëveshje. Marrëveshja e negociuar me BE-në duhet të mbështetet nga deputetët e shumicës në Parlamentin britanik, për të hyrë në fuqi.
Kryeministrja May vazhdon konsultimet me udhëheqësit e Këshillit Evropian
Kryeministrja britanike Theresa May vazhdoi takimet në Bruksel me udhëheqësit e Këshillit Evropian mbi daljen e planifikuar të Britanisë nga Bashkimi Evropian. Takimet zhvillohen pasi nuk kaloi një mocion mosbesimi në parlamentin britanik ndaj qeverisë së May. Një e treta e konservatorëve në dhomën e ulët të parlamentit britanik votuan dje kundër May, duke nxjerrë kështu në dukje pengesat me të cilat ajo përballet për kalimin në parlament të marrëveshjes Brexit, për të cilën ekzistojnë dyshime të mëdha. Më herët gjatë kësaj jave, zonja May vendosi të shtyjë votimin në parlament për marrëveshjen e daljes nga BE-ja, pasi u duk qartë që ligjvënësit do ta refuzonin. Një votim kundër marrëveshjes do ta detyronte Kryeministren May të largohej nga detyra, duke provokuar ndoshta edhe rënien e qeverisë konservatore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Edhe nesër mot pa ndryshime
Në jug dhe bregdet të Malit të Zi sot mbajti mot kryesisht me reshje të shiut, kurse në veri dhe viset e larta malore me skllotë dhe borë. Fryn erë e dobët, vende vende deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperaturat: në Tivar 15 gradë, Herceg Novi 12, Ulqin 7, Podgoricë 6, Cetinë e Plevle 2 dhe në Nikshiq, Kollashin e Zhablak 1 gradë.
Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të vranët në jug dhe bregdet me reshje të shiut, kurse në veri me skllotë dhe borë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë e drejtimeve të jugut. Pas dite dhe në orët e mbrëmjes nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -2 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej 2 deri në 14 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар