- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
28. 11. 2016.
17:22 >> 17:30
Lajmet 28.11.2016
28.11.2016
Zgjedhet Qeveria e re, kryeministër Dushko Markoviq
Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, sot me 42 vota pro, u zgjodh Qeveria e re e Malit të Zi, e 41- ta me rrallë. Në fillim të mbledhjes, mandatori Dushko Markoviq, tani kryeministër, e paraqiti programin e veprimtarisë dhe qëllimeve të tij në mandatin 4 vjeçar, dhe njëkohësisht dhe propozoi kabinetin e tij i cili do ta përbëjnë katër nënkryetar, një ministër pa portofol dhe 19 ministra. Në Qeverinë e re do të jenë përfaqësuesit Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Boshnjake, Socialdemokratëve, Koalicionit të Partive Shqiptare dhe Iniciativës Qytetare Kroate. Ministri i deritashëm i arsimit, Predrag Boshkoviq, në Qeverinë e re do ta kryejë funksionin e Ministrit të mbrojtjes, ndërsa shefi i ri i diplomacisë malazeze do të jetë ish ambasadori i Malit të Zi në Uashington, Sërgjan Darmanoviq. Zoran Pazhin është ministër i drejtësisë dhe njëherësh nënkryetar i Qeverisë për sistemin politik, për politikë të jashtme dhe të brendshme, si edhe Millutin Simoviq, poashtu nënkryetar për politikën ekonomike dhe sistemin financiar, i cili do ta mbulojë edhe resorin e bujqësisë. Nënkryetar të Qeverisë për zhvillimin rajonal do të jenë edhe Rafet Husoviq dhe Marija Vuçinoviq, e cila do të jetë edhe ministre pa portofol. Mevludin Nuhoxhiq është ministër i ri i punëve të brendshme ndërsa Dragica Sekulliq do ta udhëheq resorin e ekonomisë. Në krye të ministrisë së financave do të jetë Darko Radunoviq, kurse të ministrisë së arsimit, Damir Shehoviq, të shëndetësisë Kenan Hrapoviq, komunikacionit Osman Nurkoviq, punës dhe kujdesit social Kemall Purishiq, ndërsa resorin e të drejtave të njeriut dhe pakicave, Mehmet Zenka. Andrija Pejoviq do të jetë ministër i integrimeve evropiane, Suzana Pribilloviq do ta udhëheq resorin e legjislaturën publike, kurse Nikolla Janoviq do të jetë ministri i ri i sportit. Ministër i kulturës është Janko Lumoviq, i shkencës Sanja Damjanoviq kurse i turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, Pavlle Radulloviq. Para mbledhjes së parlamentit është mbajtur mbledhja e Këshillit Qendror të Partisë Demokratike të Socialistëve, në të cilën janë verifikuar propozimet për anëtarët e Qeverisë nga kjo parti. Opozita nuk merr pjesë në mbledhje të parlamentit derisa ngjarjet në ditën e zgjedhjeve, më 16 tetor nuk marrin epilog gjyqësor.
Bojkoti nuk ka arsyetim
Anëtarësimi në NATO dhe Unionin Evropian janë prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Qeverisë së re, deklaroi sot në Kuvend, kryeministri i ri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Ai tha se bojkoti im opozitës dhe mospranimi i rezultateve zgjedhore nuk ka arsyetim kushtetues. Markoviq kumtoi se anëtarësimi në NATO dhe UE do të jenë prioritet kryesore edhe të Qeverisë së re si edhe avancimi i marrëdhënieve në rajon. “Ky është orientimi ynë si politik ashtu edhe civilizues. Mund të jemi krenar për rezultatet në të dy këto procese, gjë që pasqyrohet edhe në jetën e përditshme të qytetarëve”. Siç tha Markoviq, të gjitha ngjarjet në skenën ndërkombëtare dhe rajonale e vërtetojnë vendimin e drejtë se Mali i Zi duhet të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike. Ai ka kumtuar se qëllimi Qeverisë së re do të jetë që deri në fund të vitit 2019, ti mbyllë të gjitha kapitujt negociua me Unionin Evropian. Ai poashtu theksoi se qëllimi kryesorë i politikës ekonomike i Qeverisë së tij do të jetë definimi i formulës për realizimin e rritjes dinamike dhe të qëndrueshëm në shkallë prej 3,5 deri në 4 % në vit, gjë që do të sjellë të ardhura më të larta dhe punësime të reja. Sipas fjalëve të tij, Qeveria duhet të sigurojë që shpenzimet rrjedhëse të financohen nga burimet e veta, pa huazime të reja.
Kriporja, Komuna e Tuzit, simbolet...
Koalicioni “Shqiptarët të Vendosur” në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar në Qeveri do të përfaqësoje Ministrinë për të drejtat e njeriut dhe të popujve pakicë, kurse sipas marrëveshjes, në Kuvendin e Malit te Zi ditë me pare si nënkryetar i Kuvendit është emëruar deputeti Genci Nimanbegu. Përveç dy posteve kryesore, koalicioni do të ketë hapësire kadrovike në pushtetin e ardhshëm në masën prej 3,5 % , kështu që mbetet në periudhën e ardhshme të bëhet përzgjedhja e kuadrove reprezentues në nivel shtetëror. Kuvendi i Malit të Zi, në seancën e rregullt të pranverës, e cila do të fillojë me 1 mars të vitit të ardhshëm do të duhej të miratojë ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për qeverisjen lokale, me të cilat ndryshime dhe plotësime, Tuzi do të fitojë statusin e Komunës së plotë, parashihet me marrëveshjen paszgjedhore të cilën dje e nënshkruan Partia Demokratike e Socialistëve dhe Koalicioni i partive Shqiptare, “Shqiptarët e vendosur”. Afati për realizimin e kësaj kërkese është 31 maji i vitit të ardhshëm. Me marrëveshje poashtu parashihet që të sigurohet implementimi i dispozitave ligjore për kthimin e ullishtës së Valdanosit ish pronarëve, që të ndalohet çfarëdo ndërtimi dhe Valldanosi të hiqet nga zona e të mirave detare. Afati për realizimin e kësaj pike është qershori i vitit 2017. Marrëveshja parasheh edhe miratimin e ligjit të ri për të mirat detare, duke respektuar edhe kërkesat dhe rekomandimet e Komunës së Ulqinit, respektivisht përcaktimin e kufijve të ndërhyrjes si në komunat tjera bregdetare të Malit të Zi, ndërsa linja e përfshirjes së lumit Buna të përfshijë vetëm grykën e këtij lumi. Afati për realizimin e kësaj pike parashihet të jetë 12 muaj nga formimi i Qeverisë së re. Poashtu me këtë marrëveshje parashihet edhe ndryshimi i disa pjesëve të Ligjit zgjedhor, që ka të bëjë me sigurimin e mandatave të garantuara për Shqiptarët, ndërsa afati do të jetë në kontinuitet që nga formimi i Qeverisë. Me marrëveshjen e re paszgjedhore mes PDS dhe Koalicionit shqiptar parashihet edhe përdormi i lirë dhe pa pengesa e simboleve nacionale shqiptare si dhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për rendin dhe qetësinë publike, pikë kjo e cila poashtu parashihet që të realizohet 12 muaj që nga formimi i Qeverisë. Me marrëveshje parashihet edhe sigurimi i prodhimtarisë në Kriporen e Ulqinit dhe shpallja e kësaj zone të mbrojtur natyrore, sigurimi i valorizimit turistik, pa ndërtimin e objekteve të banimit apo akomodimit. Afati i realizimit të kësaj pike të marrëveshjes është në vazhdimësi që nga formimi i Qeverisë së re. Me marrëveshje parashihen edhe disa pika tjera si Parku Nacional, Liqeni i Shkodrës, trajtim të barabartë, pastaj rishikimi i disa kontratave privatizuese në fushën e turizmit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore për shqiptarët në Mal të Zi, decentralizimi i pushtetit, plani hapësinorë i Komunës së Ulqinit, legjislacioni i territorit për gjueti dhe përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucionet dhe administratën shtetërore. Nënshkrues të kësaj marrëveshje janë liderët e partive shqiptare të Koalicionit “Shqiptarët e Vendosur”, Nazif Cungu, Mehmet Zenka dhe Gjergj Camaj, të Partisë Boshnjake, Iniciativës Qytetare Kroate si dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve.
Të intensifikohet veprimtaria politike
DEMOS duhet ta intensifikojë veprimtarinë politike dhe organizative në periudhën e ardhshme, në kontekstin e krizës gjithnjë e më të thellë në shtet dhe tentimit të formimit të Qeverinë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të parregullta parlamentare, është kumtuar nga kjo parti. Këshilli kryesorë i kësaj partie është njoftuar dhe i ka analizuar informatat e shumta për zgjedhjet e kaluara, të cilat më parë i kanë shqyrtuar Kryesia dhe Këshilli ekzekutiv i kësaj partie. Poashtu është konstatuar, siç thuhet, që DEMOS pas një viti e gjysmë ekzistence, e tani me institucionalizimin pas rezultateve zgjedhore, është duke realizuar kushtet për punën e mëtejme të të gjitha segmenteve të veprimtarisë së vet. Në mbledhjen e Këshillit kryesorë të kësaj partie sot është analizuar raporti për shkeljen e të drejtave zgjedhore dhe të lirive qytetare në zgjedhjet e 16 tetorit si dhe raporti financiar i Koalicionit “Kluç- Çelësi”, i cili i është dorëzuar Agjencisë për pengimin e korrupsionit.
Raporti u dërgohet ambasadave
Kryesia e Frontit Demokratik u ka dërguar sot të gjitha ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare me seli në Mal të Zi raportin mbi parregullsitë zgjedhore të grumbulluara në ditën dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare. Në letrën përcjellëse, siç thuhet në kumtesë, është theksuar se pas 24 tetorit të vitit 2015, Fronti Demokratik është profiluar qartë si grupacion i fuqishëm opozitar i cili nuk dëshiron kurrfarë bisedimesh dhe aranzhimesh me Partinë Demokratike të Socialistëve të kriminalizuar dhe se është bërë mjet i presioneve dhe lojërave të ndyra politike të shtetit. “E drejta në zgjedhje të lira dhe demokratike është e drejtë fundamentale politike evropiane, prandaj apelojmë që t'na ndihmoni që këto standarde të diskutueshme me sukses ti implementojmë edhe në shtetin tonë në të cilin nuk është ndryshuar pushteti në mënyrë demokratike tani e 70 vjet më parë. Ngjarjet e fundit që i kemi cekur në këtë raport pa dyshim e çojnë Malin e Zi në diktaturë”, thuhet në letër.
Lejet për objektet joformale në dy faza
Zbatimi i ligjit për rregullimin dhe legalizimin e objekteve joformale do të fillojë prej 1 marsi të vitit të ardhshëm. Me këtë ligj definohen të gjitha kushtet dhe mënyra e rregullimit dhe legalizimit ë objekteve joformale ku hyjnë objektet banesore, afariste dhe ato të kombinuara, afaristo- banesore, respektivisht pjesët e objekteve të rikonstruuara në të cilin janë kryer punimet ndërtimore në më së paku një etazh, e të ndërtuara pa leje ndërtimore ose kundër lejes së dhënë për ndërtim apo rikonstruim. Procedura, siç deklaroi drejtori i përgjithshëm i drejtorisë për zhvillimin e banimit, Marko Çanoviq, përbëhet nga dy fazat kryesore, dhe ato janë, legalizimi dhe rregullimi. Pronari i objektit, sipas fjalëve të tij, pas fazës së parë e fiton vendimin për legalizim, e pastaj hyn në rregullimin e legalizimit të objektit dhe përfundimit të të gjithë procesit, ndryshimin e ambientit.
Manifestime të organizuara nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve me rastin e 28 nëntorit
Sot shënohet 28 nëntori, dita e Flamurit shqiptar e njëkohësisht edhe dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Në këtë datë historike për popullin shqiptar, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi ka organizuar këto ditë një sërë aktivitetesh kulturore. Në kuadër të manifestimeve për nderë të 28 nëntorit, ditës së Flamurit, Këshilli nacional në Plavë organizoi një manifestim kulturorë, me bashkëorganizim të “Alpeve Shqiptare” dhe shoqatës, “Maja e Krajfilit”. Këshilli nacional manifestime të tilla sonte organizon edhe në Ulqin dhe Tuz. Në Tuz do të mbahet programi festiv”Të bashkuar rreth Flamurit” i cili mbahet ne Qendrën kulturore informative “Malësia” kurse në Ulqin u zhvillua “Maratona e pavarësisë Ulqin-Shkodër”, pastaj ekspozita e piktorëve “Shkodër-Malësi-Ulqin” kurse në Qendrën për Kulturë do të mbahet koncerti festiv “Me këngë ndër shekuj” i orkestrës së Akademisë së Arteve të Tiranës. Edhe ambasada e Shqipërisë në Podgoricë para disa ditëve organizoi pritje zyrtare me rastin e ditës së pavarësisë, ku të ftuar ishin përfaqësues zyrtarë më të lartë shtetërorë dhe përfaqësues diplomatik të huaj në Mal të Zi dhe të komunitetit shqiptar në këtë vend. Ambasadori Ernal Filo mbajti një fjalim ku evidentoi rëndësinë e kësaj date historike dhe njëkohësisht vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe përcjelli mesazhin për shqiptarët në Mal të Zi dhe përfaqësuesit e tyre politik.
Shqiptarët e festojnë Ditën e Flamurit
Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e vende të tjera në Ballkan dhe në botë, sot e festojnë Ditën e Flamurit. Kjo ditë shënohet për nder të 28 Nëntorit 1912, kur në Vlorë është shpallur Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë. Në Shqipëri dhe në Kosovë janë paralajmëruar manifestime të ndryshme. Aktualisht, Shqipëria në këtë ditë të rëndësishme të historisë së saj, është antare e NATO-s dhe kandidate për pranim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova dhe BE-ja, javën e kaluar, e kanë mbajtur takimin e parë të Këshillit për Stabilizim-Asocim. Me rastin e festave të 28 -29 Nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë organizon ditët e dyerve të hapura, pranë Sallës së Seancave Plenare.
Kryebashkiakët shqiptarë të rajonit me platformë bashkëpunimi
U konkretizua nisma e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për krijimin e rrjetit të kryetarëve të bashkive dhe komunave që drejtohen nga shqiptarët në rajon. Bashkia e Tiranës, Komuna e Prishtinës, e Tetovës, e Ulqinit dhe ajo e Preshevës mbajtën në Tiranë takimin e parë zyrtar të Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare të Rajonit. Takimi u hap nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mbajti fjalën e mirëseardhjes dhe vuri në dukje se është në detyrimin e kryetarëve të bashkive dhe komunave që t’i përgjigjen pritshmërive të qytetarëve që drejtojnë për mundësi më të mira jetese. Ndaj, theksoi ai, Unioni i Bashkive Shqiptare ka për qëllim të krijojë klimën dhe mekanizmat e duhura të bashkëpunimit mes qyteteve shqiptare në rajon. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha gjatë takimit me kryebashkiakët shqiptarë nga rajoni se në fund të takimit të tyre do të hartohet një platformë bashkëpunimi. Temat e bisedimeve ishin urbanistika, tema e dytë ishte çështjet e mjedisit, tema tjetër kultura, e katërta kishte të bënte me inovacionin, teknologjinë dhe e fundit format e reja të financimit. Në takim morën pjesë kryebashkiakët- kryetarët e komunave nga Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva. “Qytetet tona përballen me sfida shumë të ngjashme dhe sa herë vizitoj kolegët, kuptoj se thuajse identike i kemi sfidat tona. Sipërmarrja private, bizneset kanë qenë shumë më paraprijës se sa ne. Të marrim një shembull të thjeshtë, se si ky bashkëpunim na ndihmon të gjithëve”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Serbia dëshiron në BE, por Kosovën nuk mund ta pranojmë
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka thënë se Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ekzistojnë dy kushte të cilat nuk mund t’i përmbushë, siç është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe të jetë në raporte jo të mira me vendet me të cilat BE është në konflikt. Presidenti serb ka thënë se NATO kishte sulmuar Serbinë pa të drejtë derisa ka konfirmuar se populli serb nuk e dëshiron anëtarësimin në Aleancën Veri Atlantike. “Kemi qenë të sulmuar e bombarduar nga NATO më 1999, pa arsye. Kjo ka pasur pasoja të mëdha, në ekonominë tonë, por edhe në qëndrimin e qytetarëve tanë ndaj NATO-s. I sigurt flas në emër të shumicës së qytetarëve kur them se Serbia kurrë nuk do të jetë në NATO”, ka thënë Nikoliq në një intervistë për Al Jazzera. Nikoliq në temën e Dialogut Prishtinë-Beograd ka thënë se Serbia dëshiron paqe dhe siguri për serbët në Kosovë. “Brukseli dhe Prishtina e përdorin për të promovuar dhe forcuar pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar Nikoliq.
Nesër në Bruksel fillon rundi i ri i bisedimeve
Nesër, në Bruksel fillojnë bisedimet trepalëshe në kuadër të dialogut të Brukselit. Në këto bisedime që do të zgjasin dy ditë, në agjendë do të jenë çështjet e drejtësisë dhe kodit shtetëror telefonik për Kosovën. Në këto takime të dy shtetet do të raportojnë për progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve për zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve. Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit ka arritur në Bruksel, ku sot do të zhvilloj takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian me qëllim që të bëhet një vlerësim për rrjedhat dhe rezultatet e dialogut gjatë këtij viti i cili po i afrohet fundit, si dhe për përcaktimin e dinamikave për përmbylljen e procesit zbatues për marrëveshjen për drejtësinë dhe për kodin telefonik shtetëror për të cilën tashmë është përcaktuar se më 15 dhjetor, Kosova do ta merr kodin vet telefonik nga ITU. “Në këtë rund të bisedimeve nuk do të bisedohet për çështjen e Asociacionit dhe për këtë çështje nuk është biseduar as në rundet e kaluara ashtu siç ju kemi njoftuar. Ju bëjmë me dije se lajmet e lansuara nga pala tjetër se gjoja do të bisedohet për këtë temë janë të pasakta”, ka thënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Takohen Merkel dhe Rama
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të qeverisë gjermane, kancelarja gjermane Angela Merkel priti sot në një takim kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama. Rama dhe Merkel diskutojnë mbi marrëdhëniet bilaterale, çështjet politike të rajonit të Ballkanit, si edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë këtyre 3 viteve, kryeministri Rama ka patur takime intensive me kancelaren Merkel, iniciuesen e “Procesit të Berlinit” për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në vizitën e tij në Berlin, mësohet se kryeministri Rama shoqërohet nga ministrja e integrimit Klajda Gjosha dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Shefi i qeverisë shqiptare, është pritur me një ceremoni zyrtare në Aeroportin Tegel të Berlinit. Disa ditë më parë, një deputet gjerman i grupit parlamentar të Merkel foli me tone kritike për qeverinë shqiptare. Ai theksoi se lufta ndaj drogës nuk është e mjaftueshme që Shqipërisë t’i çelen negociatat për anëtarësim në BE.
E ardhmja evropiane e Shqipërisë, një amanet që do e çojmë përpara
Teksti final i Komisionit Evropian edhe sikur të ketë 20 kushte të reja, nuk do të ketë asnjë lidhje me fletërrufetë e Partisë Demokratike dhe deputetët që flasin në titull personal që nuk kanë mandat nga askush”, deklaroi kryeministri i Shqipëris Edi Rama. Në rubrikën “Komunikimi i Javës” në rrjetin social Facebook, shefi i qeverisë shqiptare u ndal tek deklarata e pak ditëve më parë në Tiranë të deputetit gjerman Gunther Krichbaum lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kreu i ekzekutivit shqiptar nënvizoi se pa u zbatuar Vettingu, nuk do të ketë hapje të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ndërsa tha se ky nuk është momenti që ndërkombëtarët të shprehen për kushtet e Shqipërisë. Kryeministri theksoi se e ardhmja evropiane e Shqipërisë është një amanet që me çdo kusht do të realizohet në sajë të reformave që do të ndërmerren. ‘’Shqipëria Evropiane nuk është një ëndërr me sy hapur e këtij vendi, por është një amanet që ne do e çojmë përpara me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në sajë të reformave që do të ndërmarrim’’, përfundoi kryeministri Rama.
François Fillon, kandidati presidencial i konservatorëve
Ish kryeministri François Fillon, doli fitues në zgjedhjet paraprake të konservatorëve francezë, duke mundur kundërshtarin e tij të moderuar Alain Juppe. Në zgjedhjet e para paraprake të stilit amerikan të republikanëve francezë, François Fillon, 62 vjeçar, fitoi 68 për qind të votave kundër 71 vjeçarit, Alain Juppe, po ashtu ish kryeministër, i cili mblodhi vetëm 32 për qind të votave. Alain Juppe e pranoi humbjen duke përgëzuar rivalin François Fillon për "fitoren e tij të gjerë". Ai bëri thirrje për bashkim dhe qetësi pas një fushate jashtëzakonisht të ashpër gjatë së cilës ai e akuzoi Fillon për mbështetje ndaj të djathtës ekstreme kundër emigrantëve dhe kundër islamit. Me interes po ndiqet edhe gara e përfaqësueses së të djathtës së skajshme, Marine Le Pen, kritikat e së cilës për imigracionin dhe myslimanët, kanë bërë jehonë tek shumë votues. Presidenti socialist, Francois Hollande pritet të njoftojë në javët në vazhdim nëse do të kërkojë të rizgjidhet. Rënia e thellë e popullaritetit të tij e ka dobësuar pozicionin e të majtëve në Francë. Zgjedhjet presidenciale franceze po shihen si një sprovë e rëndësishme për partitë kryesore tradicionale politike, pas suksesit të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara dhe Brexit-it.
Forcat qeveritare vazhdojnë avancimin në lindje të Alepos
Nga Siria raportohet se forcat qeveritare kanë bërë avancime të shpejta në pjesën lindore të qytetit Alepo, që janë nën kontroll të kryengritësve, duke i detyruar mijëra civilë që të largohen. Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren, ka njoftuar se forcat lojale të presidentit ë Sirisë, Bashar al-Assad, e kanë marrë kontrollin në lagjet Jabal Badro dhe Baden, që janë në afërsi të rajonit Masaken Hanano. Observatori njoftoi se afro 10 mijë civilë janë larguar nga pjesa lindore e shkatërruar e qytetit Alepo, duke lëvizur në drejtim të rajoneve që janë nën kontroll të qeverisë dhe në lagjet e kontrolluara nga kurdët në Sheik Maksoud. Njëherësh, dje patën vazhduar luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve në lagjet Sakhur dhe Al-Haidarijah. Përndryshe, për shkak të vazhdimit të luftimeve në gjithë Sirinë, numri i fëmijëve që jetojnë nën rrethim ka arritur në afro 500 mijë, ka njoftuar Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë- UNICEF. Zyrtarë të lartë të kësaj agjencie thonë se këta fëmijë jetojnë në 16 territore të rrethuara në gjithë Sirinë dhe “janë pothuajse tërërisht të izoluar nga ndihma humanitare dhe shërbimet themelore”.
Sulme ajrore izraelite në Siri
Ushtria e Izraelit thotë se e ka ndërmarrë një sulm ajror në Siri, kundër një ndërtese që përdoret nga militantët e Shtetit Islamik, për t’i sulmuar forcat izraelite. Sulmi është ndërmarrë gjatë natës dhe në shënjestër të tij ishte një ndërtesë e braktisur e Kombeve të Bashkuara, për të cilën Izraeli thotë se shfrytëzohet si bazë nga militantët. Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për viktima eventuale nga ky sulm ajror, raporton AP nga Jerusalemi. Një grup i militantëve të ndërlidhur me ekstremistët e Shteti Islamik, dje ka hapur zjarr kundër një patrulle izraelite në pjesën e Izraelit të Rrafshnaltës së Golanit. Aeroplanët izraelitë janë përgjigjur menjëherë, duke i vrarë katër militantë nëpërmjet të një sulmi ajror. Ndër ushtarët izraelitë nuk ka pasur viktima. Raportohet se kjo ishte një përpjekje e rrallë të militantëve të ndërlidhur me Shtetin Islamik, që t’i sulmojnë forcat izraelite.
Jubileu i RTMZ, rritet popullariteti dhe besueshmëria
Shtëpia jonë mediatike, servisi publik Radio dhe Televizioni i Malit të Zi, dje shënoi jubileun e veçantë, 72 vjet të Radios dhe 52 vite të Televizionit. Gjatë traditës së gjatë dhe në kohë të vështira e deri në ditët e sotme si Radio ashtu edhe Televizioni, nën mbikëqyrje të përhershme dhe shpesh nën kritikë të opinionit dhe publikut, me sukses përcjellë jetën ekonomike, politike dhe kulturore të Malit të Zi. Njëkohësisht të dy mediat, Radio dhe Televizioni, kanë arritur që të zhvillojnë dhe përcjellin trendet bashkëkohore. Sot pranë RT të MZ ekziston edhe Portali i RTMZ-së, i cili për afro katër vite, sa ekziston, ka arritur që të fitojë besimin e numrit të madh të vizitorëve përmes rrjeteve të ndryshme sociale dhe internetit. Radio dhe Televizionin e presin në periudhë të ardhshme digjitalizimi, si një nga hapat vendimtar në zhvillimin e deritashëm. Por pa marrë parasysh në të gjitha këto, servisi publik, përmes Radios, Televizionit dhe Portalit, është një nga mediat me më ndikim në Mal të Zi, me rritje konstante të popullaritetit dhe besueshmërisë. Servisi publik i suksesshëm profesional dhe financiarisht i qëndrueshëm është masë e lirisë dhe emancipimit të shoqërisë malazeze, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit, Rade Vojvodiq. Servisin publik si modern i digjitalizuar, dhe sistem profesional i cili teknikisht dhe kuadrovikisht është i aftësuar të përcjellë mesazhe objektive dhe të arsyeshme, deklaroi Vojvodiq me rastin e ndarjes së shpërblimeve vjetore të punësuara në këtë medium. Ndryshe, sot gazetari i redaksisë në shqip i Radios së Malit të Zi, respektivisht kolegu ynë Gjokë Dukaj, mori shpërblimin vjetor për gazetari të cilin e ndau shtëpia jonë me rastin e përvjetorit të Radio dhe Televizionit të Malit të Zi. Sipas vendimit të Komisionit, shpërblimi i gazetarit të ri më të mirë i takoi Igor Pejoviq. Çmimi vjetor i gazetarisë i takoi Gjokë Dukajt, nga Radioja dhe Jelena Otasheviq nga Televizioni. Shpërblimi për veprimtari jetësore u takoi gazetarëve, Zorica Kumburoviq, nga Radio dhe Millan Shqekiq nga Televizioni. Bojan Popoviq u shpërblye me çmimin, “Husein Bato Dukaj”, për arritjet në produksionin realizues, kurse për xhirimet e produksionit u shpërblye Ivan Sekuliq. Për arritjet tekniko- teknologjike, çmimi i sivjetmë ju nda Millanka Kasalicës, kurse çmimi special për kontributin në kualitetin e programit të Radio dhe Televizionit të Malit të Zi, ju nda Lidija Nikçeviq. Për merita të veçanta dhe kontributin e veçantë në afirmimin e Radio dhe Televizionit të Malit të Zi u shpërblyen Goran Pajoviq, Pavlle Radonjiq dhe Goran Bukiliq.
Nesër mot kryesisht i kthjellët, shumë i ftohtë
Sot në Mal të Zi mbajti mot i ndryshueshëm, kryesisht me vranësira lokale, në veri deri krejt i vranët. Frynë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve të veriut dhe verilindjes. Temperaturat në ora 13: në Budvë 18 gradë, Herceg Novi 17, Tivar 15, Podgoricë e Ulqin 13, Cetinë 9, Nikshiq 8, Bijello Pole 5, Beranë e Plavë 4, Rozhajë, Plevle e Kollashin 2 dhe në Zhablak -3 gradë.
Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot kryesisht të kthjellët dhe të ftohtë të përcjellë me erë të fortë të drejtimeve të veriut dhe verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -10 deri në 6, kurse më e larta e ditës prej -8 deri në 8 gradë celisus.
Коментари0
Остави коментар