- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
16. 05. 2025.
00:00 >> 17:12
Ditari 16.05.2025
Përgatiti, Gj. Dukaj
J.Millatoviq; Rast i mirë për të promovuar Malin e Zi
Samiti i bashkësisë politike evropiane në Tiranë është një mundësi e mirë për të promovuar Malin e Zi, përpara 50 udhëheqësve evropianë, si vendi kandidat më i përparuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), tha Presidenti malazez, Jakov Millatoviq.
Ai u tha gazetarëve para fillimit të Samitit se ky takim mbahet për herë të parë në njërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo është një platformë jashtëzakonisht e rëndësishme, veçanërisht për vendet që nuk janë anëtare të BE-së, kështu që sot është një mundësi për të punuar më tej në atë që është një Evropë më e fortë në një bisedë të hapur me shtetet anëtare të Unionit”, tha Millatoviq.
Ai deklaroi se tema e Samitit është "Evropa e Re në një botë të re" dhe se kjo do të thotë si ta bëjmë Evropën edhe më të fortë.
“Sot është një mundësi e mirë për të promovuar Malin e Zi si vendi kandidat më i përparuar për anëtarësim para 50 udhëheqësve nga kontinenti evropian”, tha presidenti i Millatoviq.
I pyetur nga një gazetar kroat nëse ka ndonjë problem me monedhën në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Millatoviq, u përgjigj se Mali i Zi e përdor euron tashmë një kohë të gjatë.
“Është gjithashtu pjesë e një kapitulli negociues që kemi me BE-në, por sigurisht që është një nga sfidat më të vogla në rrugën tonë evropiane”, u përgjigj Millatoviq.
I pyetur nëse ka ndonjë informacion të ri në lidhje me marrëveshjen midis Ukrainës dhe Malit të Zi, presidenti ka përsëritur se ajo është "në anën e Qeverisë".
Vazhdon mbledhja e Këshillit për mbrojtje dhe siguri
Mbledhja Këshillit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, e cila filloi sot ne mëngjes në "dhomën e shurdhët", u ndërpre për shkak të kolegjiumit të thirrur nga Kryetari i Parlamentit Andrija Mandiq. Pas kësaj, pritet vazhdimi i seancës në të njëjtin ambient, respektivisht në dhomën për shqyrtimin e materialeve të klasifikuara.
Siç mësojmë, pjesa e mbledhjes që do të jetë e hapur për publikun pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Kryetari i këtij trupi punues, Miodrag Llaković, kërkoi nga shërbimet e sigurisë informacion mbi trajtimin e tragjedive që ndodhën në Cetinë, në janar të këtij viti dhe muajin gusht më 2022, në të cilat humbën jetën më shumë se 20 persona.
Në rendin e ditës, u propozua të diskutohej procedura për punësimin e pjesëtarëve të policisë dhe të MPB-së.
Prokuroria speciale do të apelojë kundër lirimit nga akuzat në rastin " Banesat"
Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Shtetit do të apelojë kundër vendimit për lirim nga akuzat të Gjykatës së Lartë të Podgoricës në rastin "Banesat", konfirmoi për Portalin tonë, zëdhënësi i kësaj prokurorie, Vukas Radonjiq.
“Zyra e Prokurorit special të shtetit, do të paraqesë ankesë kundër vendimit të shkallës së parë sepse besojmë se është i paligjshëm dhe i parregullt, bazuar në shkelje të rëndësishme të dispozitave të procedurës penale dhe në situatën faktike të vërtetuar gabimisht dhe në mënyrë të pasaktë”, tha Radonjiq për Portalin RTMZ.
Ish-zyrtarët e PDS-së dhe socialdemokratëve; Predrag Boshkoviq, Dragica Sekuliq, Suzana Pribilloviq, Ivan Brajoviq, Damir Shehoviq, Budimir Shegrt, Sanja Vlahoviq, Suad Numanoviq, Osman Nurkoviq, pastaj Drazhen Miliçkoviq, Jelena Radonjiq dhe Dhe Aleksanadar Joviqeviq, u liruan sot nga akuza se si anëtarë të Komisionit për Çështje Banesore të Qeverisë së Malit të Zi kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Vendimi u shpall sot në Gjykatën e Lartë në Podgoricë nga gjyqtarja Vesna Kovaçeviq.
Aktakuza e prokurorit special Vukas Radonjiq, i ngarkon se kanë dëmtuar buxhetin e Malit të Zi në vlerë prej 2.6 milionë eurosh.
Dy kapituj negociues i janë dërguar Komisionit Evropian për shqyrtim
Bashkimi Evropian i pagoi Malit të Zi pothuajse 27 milionë euro nga Plani i Rritjes. Me këtë rast, e ftuar në Ditarin e TVMZ, Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, ka shpjeguar se për çfarë qëllimesh do të përdoren paratë dhe kur priten hyrje të reja.
Ne presim 383 milionë euro nëse i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Prej tyre, 110 milionë janë grante të pakthyeshme, dhe pjesa tjetër do të jetë përmes kredive dhe huave të favorshme.
Ne tashmë i kemi dërguar dy kapituj negociues Komisionit Evropian për shqyrtim. Se a do të jenë një apo dy në konferencë varet nga Komisioni Evropian.
Plani ynë është që ta përfundojmë procesin në kuptimin teknik të mbylljes së kapitullit deri në fund të vitit 2026.
Komisioneri i lartë i OKB për të drejtat e njeriut V.Turk, do të vizitojë Malin e Zi
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Mal të Zi, të hënën, më 19 maj.
“Komisioneri i Lartë do të takohet me Presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviq, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Ervin Ibrahimoviq, Mbrojtësin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Sinisha Bjekoviq, përfaqësues të Parlamentit të Malit të Zi si dhe zyrtarë të tjerë malazezë, njoftoi organizata e OKB-së.
Turk do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe misioneve diplomatike, si dhe me Ekipin e OKB-së në vend.
Në fund të vizitës, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të flasë për median.
Vizita e Turk, në Mal të Zi është pjesë e një vizite rajonale, gjatë së cilës ai do të vizitojë edhe Serbinë.
Mandiq, gradualisht po merr udhëheqjen e politikës e jashtme të vendit
Politika pro-ruse e Andrija Mandiq, përveç forcimit intensiv të pozicioneve të tij në Qeveri dhe imponimit të një axhende çetnike-revizioniste, gradualisht po e merr përsipër politikën e jashtme të shtetit, tha kryetari i Partisë Socialdemokrate dhe një nga udhëheqësit e Aleancës Evropiane, Ivan Vujoviq.
“Reagimi i Mandiqit ndaj interpretimit se Mali i Zi, votoi në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare tregon se qëllimi i ish Frontit Demokratik, është të shkatërrojë politikën e qartë të Malit të Zi ndaj Kosovës dhe në këtë mënyrë të sabotojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale”, ka thënë Vujoviq.
Demokratët propozojnë Ligjin e ri për zhbllokimin e procesit zgjedhor
Klubi i deputetëve të Demokratëve, do ta dorëzojë në procedurën parlamentare Propozimin e Ligjit për ndryshimet në ligjin për listën e votuesve, me qëllim zhbllokimin e procesit zgjedhor në komunën e Shavnikut, njoftoi Klubi i Demokratëve të Deputetëve.
Me këtë zgjidhje ligjore, demokratët duan të kontribuojnë në respektimin e plotë të vullnetit zgjedhor të qytetarëve dhe në ruajtjen e integritetit të sistemit zgjedhor, të gjitha me qëllim sigurimin e zbatimit ligjor të procesit zgjedhor në rizgjedhje, d.m.th. që vetëm votuesit që kanë të drejtë vote në bashkinë ku mbahen zgjedhjet mund të votojnë në ato zgjedhje.
Ne i ftojmë të gjitha klubet parlamentare ta mbështesin këtë propozim dhe kështu të tregojnë gatishmërinë e tyre që më në fund të zhvillohen zgjedhjet në këtë komunë në mënyrë të ligjshme.
Tirana, mirëpret Samitin e Komunitetit Politik Evropian
Kryeqyteti shqiptar është sot në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, teksa mirëpret Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (KPE), një platformë gjithëpërfshirëse që mbledh 47 liderë shtetesh e qeverish
Samiti zhvillohet nën temën: “Evropa e Re në një Botë të Re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i Përbashkët”, duke reflektuar sfidat e kohës si lufta në Ukrainë, siguria në kontinent dhe sfidat e përbashkëta demokratike dhe ekonomike.
Në qendër të diskutimeve janë: Siguria evropiane dhe mbështetja për Ukrainën, Mbrojtja demokratike dhe reagimi ndaj kërcënimeve hibride, Inovacioni, investimet dhe konkurrenca, migracioni, lëvizshmëria e fuqisë punëtore dhe rinisë.
Samiti përfshin seanca plenare, tryeza të rrumbullakëta tematike dhe takime bilaterale. Krahas liderëve të BE-së, të pranishëm janë edhe drejtuesit e NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. Kosovën në këtë samit e përfaqëson pesidentja Osmani, si shtet i barabartë me të gjithë pjesëmarrësit. Kjo ngjarje shënon një moment historik për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar rolin e shtuar strategjik të Tiranës dhe përkushtimin e vendeve të rajonit për integrim dhe bashkëpunim të thelluar me Evropën.
Osmani, kërkon më shumë balancë në trajtimin e BE-së ndaj Kosovës e Serbisë
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se do të kërkojë balancë dhe barazi në trajtimin e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka potencuar se më shumë po hapet dera e integrimit evropian ndaj Serbisë, që ka raporte të ngushta me Rusinë, sesa ndaj Kosovës që sheh BE-në si opsionin e vetëm.
“Kam më shumë pritshmëri për sa i përket një lloj balanci nga ana e BE-së sepse siç e dini, Kosova është nën masa, Serbia nuk është. Kjo e prish balancin në tryezën e dialogut. Kam më shumë shpresë që edhe nga zonja Callas edhe nga përfaqësuesi i ri për dialogun, do të shtyhet më shumë përpara heqja e masave dhe trajtimi i barabartë i palëve”, ka thënë ajo para mediave në Tiranë.
Osmani ka përmendur pjesëmarrjen e Serbisë në paradën ushtarake të Moskës, duke thënë se ky shtet nuk ka marrë asnjë sanksion në këtë drejtim.
Rutte, paralajmëron diskutimin e dialogut Kosovë – Serbi, në Tiranë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë para mediave kosovare se dialogu Kosovë-Serbi dhe situata në Ballkanin Perëndimor, “me patjetër do të jetë temë e diskutimit në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë”.
Rutte foli edhe për dërgimin e delegacionit të nivelit të ulët nga ana e Vladimir Putinit, në bisedimet për paqe Rusi-Ukrainë.
“Putini bërë gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët, ndërkohë që është shumë e mirë që ukrainasit kanë ardhur në tryezë dhe kanë dërguar një delegacion mjaft të prirur për të negociuar për paqen”, ka theksuar Rutte, para nisjes së Samitit të Komitetit Politik në Tiranë.
Kallas, javën tjetër vjen në Kosovë
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka konfirmuar sot në Tiranë se javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën.
Ajo shtoi se për këtë vizitë kanë diskutuar në darkën e mbrëmshme joformale që u organizua me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku ishte e pranishme edhe presidentja Vjosa Osmani.
Kallas po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.
Ajo u pyet për pritshmëritë e saj për dialogun Kosovë-Serbi, teksa theksoi: “Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesin e ri dhe presim normalizimin e marrëdhënieve sigurisht”, tha shkurt Kallas.
Ndërkaq, të mërkurën pas takimit të Këshillit për Punë të Jashtme në Luksemburg, Kallas tha në një konferencë për media se do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë. “Sa u përket Serbisë dhe Kosovës, është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve të tyre është i rëndësisë më të madhe. Për këtë arsye duhet të vazhdojë dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo.
Teherani në ankth pas takimit të presidentit Tramp, me liderin Sirian
Takimi historik i presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, në kryeqytetin saudit, Riad, nuk është pritur mirë nga mediat konservatore në Iran.
Ndërsa mediat më të moderuara u mjaftuan me raportime të drejtpërdrejta për takimin, ato konservatore – të shqetësuara nga largimi i papritur i Sirisë nga orbita e Teheranit – kritikuan Trumpin për takimin me ish-kryengritësin që tani është bërë president.
Ky reagim tregon shqetësimin në rritje në Teheran për humbjen e Sirisë, një pjesë kyç e strategjisë rajonale të Iranit.
Pas rënies së Bashar al-Assadit në fund të vitit të kaluar, udhëheqja e re siriane ka vepruar shpejt për t’u shkëputur nga Irani, duke kërkuar aleanca të reja me fqinjët arabë dhe duke u afruar me Perëndimin për të hequr sanksionet.
Kjo situatë vjen ndërkohë që Irani është i përfshirë në negociata të ndjeshme bërthamore me Shtetet e Bashkuara, ku koha dhe ndikimi duket se po i rrëshqasin nga duart.
Vetëm një takim midis Tramp dhe Putin, mund të sjellë rezultate
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e bëri të qartë pak para bisedimeve të planifikuara midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Turqi për një armëpushim, se vetëm një takim midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, mund të sjellë rezultat.
Ai nuk e di se kur ose ku do të ndodhë kjo "por kjo është e vetmja mundësi tani për tani", tha Rubio për Fox News.
"Nga gjithçka që dimë pas muajsh pune, asgjë nuk do të ndodhë derisa presidenti Trump të ulet me Vladimir Putinin dhe t'i vendosë gjërat në tryezë", tha ai.
Trump kishte bërë më parë deklarata të ngjashme dhe kishte lënë të hapur mundësinë e një fluturimi drejt Turqisë për bisedime mbi Ukrainën në një kohë të shkurtër. "Nëse ndodh diçka, do të shkoj të premten nëse është e përshtatshme", kishte thënë Trump.
Nesër, mot i ndryshueshëm
Në Mal të Zi mban mot i vranët dhe, në pjesën më të madhe të vendit, i thatë. Frynë erë mesatare deri e fortë e drejtimeve veriore.
Temperaturat në orën14; Herceg Novi 21 gradë, Tivar, Ulqin e Budvë 19, Podgoricë 16, Cetinë 13, Nikshiq 12, Shavnik 9, Bjello Pole e Plluzhinë 8, Beran, Kollashin e Plevle 7, Rozhajë e Guci 6, Andrijevicë 5 dhe në Petnjicë 2 gradë.
Meteorologët parashohin se nesër do të mbaj mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, vende – vende janë të mundshme të reshura kalimtare kurse në viset e larta malore në veri të vendit, janë të mundshme të reshura të dobëta të borës.
Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme e drejitmeve veriore dhe verilindore.
Temperatura e mëngjesit prej -2 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej 10 deri në 22 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар