Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

12. 02. 2025. 00:00 >> 18:40

Ditari 12.02.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Ish-presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq ka shkelur Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit duke mos deklaruar shumën prej 16.74 mijë euro në vitin 2019

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se ish-presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq ka shkelur Ligjin për shkak se nuk ka deklaruar shumën prej 16 mijë e 741 euro në vitin 2019. Kjo është hera e parë që Gjukanoviq dënohet që nga themelimi i kësaj Agjencie. Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar- MANS ka iniciuar procedurën në vitin 2019. Mirëpo, kreu i atëhershëm i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit e refuzoi kërkesën si të pabazë. Pas kësaj, MANS ka paraqitur padi në Gjykatën Administrative, e cila ka urdhëruar Agjencinë që të eliminojë mangësitë e këtij aktgjykimi dhe të zbatojë procedurën.

 

Anëtari i klanit kriminal të Shkalarit, Millovan Sekulloviq, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit

Anëtari i klanit kriminal të Shkalarit, Millovan Sekuloviq, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit nën dyshimin se ka lidhje me vrasjen e shtetasve serbë Filip Marjanoviq dhe Vukashin Goshoviq në vendbanimin Jelenik të Danillovgradit, në vitin 2019. Policia është në kërkim të Ivan Çarapiqit. Më parë ishin arrestuar Goran Millashinoviq dhe Millan Brajoviq, i njohur me nofkën Fitili. Oficerët e Departamentit të Policisë Speciale, pas arrestimit të të dyshuarit, janë duke kontrolluar disa banesa dhe shtëpi në disa lokacione në Mal të Zi. 

 

Grupi joformal i studentëve “Ku nesër,, do të organizojë bllokadë për disa orë para ndërtesës së Qeverisë në Podgoricë

Këshilli i Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë malazeze ka përkrahur grupin joformal të studentëve “Kamo Sjutra”, i cili për shkak të tragjedisë në Cetinë kërkon shkarkimin e ministrit të Brendshëm Danillo Sharanoviq dhe zëvendëskryeministrit Aleksa Beçiq. Ata besojnë se përgjegjësia sociale dhe institucionale pas vrasjes së dytë masive në Cetinë në vetëm dy vjet e gjysmë, është çështja më e rëndësishme në vend. Grupi joformal studentor “Kamo Sjutra”, nesër do të organizojë për disa orë bllokadën e  rrugës para ndërtesës së Qeverisë në Podgoricë. Studentët u bënë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet e Malit të Zi që të mbajnë bllokadë të përbashkët nga ora 11 deri në 17 e 26 minuta.

 

Alternativa e Malit të Zi u bëri thirrje qytetarëve, pas një sondazhi në rrjetet sociale, që nga java e ardhshme të mos blerje në ambientet e Volit

Alternativa Mali i Zi u bëri thirrje qytetarëve, në bazë të një sondazhi të bërë në rrjetin Facebook, që nga fillimi i javës së ardhshme të mos hyjnë më në objektet e kompanisë “Voli”, nëse ky zinxhir i shitjes me pakicë, nuk i zbret çmimet e produkteve deri në fund të kësaj jave.

"Ne do t'u japim afat deri të premten për zbritjen e çmimeve, e nëse kjo nuk ndodh, të hënën do të fillojë bojkoti i të gjitha shitoreve të zinxhirit Voli, i cili fillimisht do të zgjasë një javë", tha Sandra Gaçeviq, koordinatore e kësaj organizate. Përndryshe kompania ‘Voli’ i ka bërë thirrje qeverisë që të ulë tarifat, të cilat, sipas tyre, duhet të jenë në nivelin e vendeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që edhe në Mal të Zi të ketë hapësirë ​​për zbritjen e çmimeve.

 

Miratohet njëzëri propozimi për hapjen e hetimit parlamentar dhe formimin e Këshillit Hetimor, lidhur me vrasjet me motive politike

Këshilli për Sistemin Politik, Gjyqësor dhe Administrativ miratoi njëzëri propozimin për hapjen e hetimit parlamentar dhe formimin e Këshillit Hetimor, lidhur me vrasjet me motive politike që nga futja e sistemit shumëpartiak, si dhe mbi sulmet ndaj gazetarëve dhe intelektualëve të tjerë të lirë. Përfaqësuesi i propozuesit, Dejan Gjuroviq, tha se në 30 vitet e fundit nuk janë zbardhur vrasjet politike, rrahjet e intelektualëve, qytetarëve si dhe aktivitetet e grupeve të njohura si “treshet e zeza”. Ai theksoi se është thelbësore që Kuvendi të grumbullojë informata dhe fakte që do të trajtohen nga Këshilli Hetimor. Me këtë hetim parlamentar, shtoi ai, Kuvendi do të japë një kontribut të madh në mbrojtjen e lirisë së qytetarëve, deputetëve, gazetarëve, gjë që do të ishte një mbështetje për bartësit e fjalës publike. 

 

Pa masë paraburgimi për I.Sh. nga Plluzhina

Të dyshuarës për vrasjen e foshnjës, 28-vjeçares me inicialet I.Sh. nga Plluzhina, pas marrjes në pyetje në prokurori nuk i është caktuar masa e paraburgimit dhe ajo do të mbrohet nga liria në procedurën e mëtejshme. Një punëtor i ndërmarrjes publike “Pastrimet” të Podgoricës e gjeti një kufomë bebeje të shtunën në mëngjes, në lagjen e Podgoricës në Bllokun 9 teksa po pastronte një kosh mbeturinash. Ai ka njoftuar menjëherë policinë. Policia shpejt e ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarën I.Sh., e cila dyshohet për vrasjen e fëmijës së porsalindur të saj.

 

Mali i Zi duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët

Mali i Zi duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me Kroacinë është një hap i mirë, tha Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar. Ai theksoi se kemi nevojë për njëri-tjetrin ndërsa çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen me takime mes krerëve të shteteve dhe diplomatëve. Camaj në programin e mëngjesit në Televizionin tonë ka thënë se ajo që nuk është zgjidhur në të kaluarën dhe nëse janë bërë gabime në të tashmen, duhet të rregullohet, sepse rruga jonë e përbashkët është Evropa. “Unë llogaris në faktin që, pavarësisht se disa gjëra janë të paqarta apo të pazgjidhura plotësisht, fqinjët tanë nuk do të jenë pengesë që Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së, natyrisht nëse i përmbush të gjitha detyrat”, tha Camaj. 

 

Valentina Pavliçiq, ka kërkuar nga përfaqësuesit e ekzekutivit që të miratojnë një zgjidhje të përkohshme për rritjen e pagave të gjyqtarëve

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Valentina Pavliçiq, ka kërkuar nga përfaqësuesit e ekzekutivit që të miratojnë një zgjidhje të përkohshme për rritjen e pagave të gjyqtarëve, derisa të miratohet dhe të hyjë në fuqi ligji i posaçëm që rregullon këtë çështje.

Këtë e ka thënë Pavliçiq në një letër drejtuar kryeministrit Millojko Spajiq, zëvendëskryeministrit Momo Koprivica, ministrit të Drejtësisë Bojan Bozhoviq dhe ministrit të Financave Novica Vukoviq. Ajo theksoi se Mali i Zi është i detyruar të miratojë një ligj që do të rregullojë në mënyrë adekuate çështjen e pagave të gjyqtarëve, bazuar në rregulloret dhe standardet e miratuara ndërkombëtare, si dhe legjislacionin kombëtar dhe dokumentet strategjike. Pavliçiq theksoi se legjislacioni është ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe për të siguruar një rrugë më të shpejtë integruese për Malin e Zi në Bashkimin Evropian (BE).

“Qëllimi i këtyre normave dhe detyrimeve pozitive të lidhura me to, është gjithmonë i njëjtë – ruajtja e pavarësisë dhe autonomisë së gjykatave dhe gjyqtarëve”, ka thënë Pavliçiq në letër.

 

URA - përsëri po aktualizohet tema e Zonës së Lirë të Portit të Tivarit

Duke qenë se përsëri po aktualizohet tema e Zonës së Lirë të Portit të Tivarit dhe për atë se kush punoi në drejtimin për marrjen e masave për parandalimin e magazinimit të produkteve të duhanit pas tre dekadash, që ishte pikënisja e kontrabandës së cigareve, po dëgjojmë edhe një herë dezinformata nga zyrtarë të qeverisë Spajiq, kumtuan nga Lëvizja Qytetare URA. “Ne përshëndesim përpjekjet e qeverisë për të vazhduar punën për të luftuar kontrabandën e cigareve, por jo në mungesë të rezultateve të veta të përpiqet, në mënyrën e njohur, të marrë meritat e huaja dhe të dezinformojë opinionin”, thanë nga URA.

 

Qytetarët e Malit të Zi vazhdojnë të kthejnë vullnetarisht armët

Qytetarët e Malit të Zi kanë kthyer dje vullnetarisht 72 armë zjarri dhe 2110 copë municion, dy granata dore dhe pjesë tjera  armësh, njofton Drejtoria e Policisë.

Mësohet se armët janë kthyer në kuadër të fushatës “Respekto jetën, kthe armët”, të cilën Drejtoria e Policisë e zbaton prej shumë vitesh. Policia tha se qytetarët në Podgoricë, Danillovgrad dhe Cetinë kanë dorëzuar vullnetarisht 47 armë, nga të cilat 23 pistoleta dhe 24 pushkë, 1550 copë municion të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm dhe një granatë dore.

Qytetarët në Tivar, Kotor, Herceg Novi dhe Tivat, kanë kthyer vullnetarisht 11 armë zjarri, duke përfshirë tre pushkë dhe tetë pistoleta, 377 fishekë, një granatë dore dhe pjesë tjera armësh. “Gjithsej tetë armë zjarri janë dorëzuar vullnetarisht në Bijelo Polje, Berane dhe Mojkovac, nga të cilat katër pushkë dhe katër pistoleta, 100 fishekë dhe pjesë tjera armësh”, thuhet në deklaratë.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ngulur këmbë se integriteti i votës nuk është cenuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ngulur këmbë se integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, do të jenë të sakta, pavarësisht dyshimeve të ngritura pas vonesave gjatë numërimit të votave. Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nisi me një ditë vonesë më 11 shkurt vetëm në katër komuna, ndërsa në 34 komunat e mbetura pritet të nisë sot, sipas KQZ-së. Kjo mund ta vonojë shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi pas numërimit të këtyre votave dhe verifikimit të votave për subjektet politike, duhet të numërohen edhe votat jashtë Kosovës, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.Në një njoftim për media, KQZ-ja tha se derisa numërimi i votave të kandidatëve për deputetë vazhdoi pa telashe në Lipjan, Obiliq dhe Partesh, në Prishtinë janë paraqitur probleme “të herëpashershme”.

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, janë paraqitur  sot në Gjykatën e Posaçme

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortja e tij, janë paraqitur mëngjesin e së mërkurës në Gjykatën e Posaçme, në një seancë ku gjykatësi pritet të vendosë për masat e sigurisë kundër tyre në një rast të dyshuar korrupsioni dhe ryshfeti. Veliaj, një figurë e rëndësishme e partisë në pushtet në Shqipëri, Partia Socialiste, u arrestua të hënën dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ka kërkuar që ai të mbahet në paraburgim. Ai akuzohet për korrupsion që përfshin të paktën 1.1 milion euro fonde publike, duke u dhënë para publike bizneseve të cilat në këmbim i jepnin familjes së tij fitime të paligjshme. Ndërkohë, prokurorët kërkuan që bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, të mbahet në arrest shtëpiak si e dyshuar për korrupsion pasiv, shpëlarje parash dhe për mosdeklarim të të ardhurave. Fillimisht, seanca ishte ndërprerë për një periudhë kohore, pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjen dhe më pas të shprehin pretendimet e tyre kundër SPAK-ut.

 

Zelensky: Ne do ta shkëmbejmë një territor për një territor tjetër

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se synon ta ofrojë tokën ruse që forcat ukrainase e kanë kapur në rajonin Kursk të Rusisë në këmbim të territorit të pushtuar nga Rusia, nëse Ukraina dhe Rusia ulen për të biseduar për përfundimin e luftës.“Ne do ta shkëmbejmë një territor për një territor tjetër”, tha Zelensky në një intervistë për gazetën britanike Guardian. Megjithatë, ai shtoi se nuk e di se cilin territor do ta kërkonte Kievi nga Moska në këmbim të pjesës së rajonit të Kurskut.  Në të kaluarën, Zelensky kishte hedhur poshtë mundësinë e dorëzimit të territorit të pushtuar nga Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022. Zelensky, i cili do të takohet me nënpresidentin amerikan JD Vance dhe zyrtarë të tjerë amerikanë më 14 shkurt në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është i gatshëm për bisedime serioze.

 

Netanyahu kërcënon me fundin e armëpushimit nëse Hamasi nuk i liron të gjitha pengjet

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar me fundin e armëpushimit në Gazë nëse Hamasi nuk i liron pengjet deri të shtunën. Trump mbështet qëndrimin e tij dhe propozon ndryshime të mëdha për Gazën. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se, nëse Hamas nuk liron pengjet izraelite deri të shtunën në mesditë, armëpushimi në Gaza do të përfundojë dhe ushtria izraelite do të rinisë luftimet për të ‘shkatërruar përfundimisht’ Hamasin.Hamas njoftoi të hënën se nuk do të lirojë tre pengje izraelite, siç ishte planifikuar, duke akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit. Deri më tani, janë liruar 16 pengje izraelite dhe pesë tajlandezë, ndërsa 17 të tjerë mbeten në duart e Hamasi. Izraeli thotë se tetë prej tyre janë të vdekur. Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk beson që Hamas do të përmbushë afatin e së shtunës dhe ka paralajmëruar se ‘nëse nuk i lirojnë pengjet, të gjitha opsionet do të jenë të hapura’. Trump priti në Shtëpinë e Bardhë Mbretin e Jordanisë, Abdullah, i cili njoftoi se vendi i tij do të marrë 2,000 fëmijë të sëmurë nga Gaza për trajtim mjekësor.

 

Tarifat e SHBA nuk do të mbeten pa përgjigje 

Tarifat e SHBA-së për çelikun dhe aluminin "nuk do të mbeten pa përgjigje", u zotua të martën shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, duke shtuar se ato do të shkaktojnë kundërmasa të ashpra nga blloku 27-vendesh. Kjo do të thotë që industritë ikonike të SHBA-së si: burbon, xhinse dhe motoçikleta, duhet të kenë kujdes.“BE do të veprojë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike”, tha Von der Leyen, si reagim ndaj deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave për çelikun dhe aluminin, të hënën, raporton AP.“Tarifat janë taksa të këqija për biznesin, më keq për konsumatorët”, tha Von der Leyen. “Tarifat e pajustifikuara ndaj BE-së nuk do të mbeten pa përgjigje – ato do të shkaktojnë kundërmasa të forta dhe proporcionale”.Ndërsa kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i cili mban presidencën e BE-së lidhur me këtë çështje tha se është e rëndësishme që të gjithë vendet e bllokut të qëndrojnë së bashku. “Kohët e vështira kërkojnë një solidaritet të tillë të plotë”, u shpreh ai.

 

Moska, liron mësuesin amerikan të dënuar me 14 vjet burgim  

Një mësues amerikan, i cili po e vuante një dënim me burgim 14-vjeçar për posedim të marihuanës, është liruar në një marrëveshje këmbimi, tha Shtëpia e Bardhë të martën. Marc Fogel ishte arrestuar nga policia ruse në vitin 2021 më të mbërritur në Moskë, nën akuzat se posedonte marihuanë mjekësore, dhe u dënua një vit më vonë. Fogel kishte thënë se marihuana i ishte përshkruar pas një operacioni në shpinë. Fogel, i cili dha mësim në Shkollën Anglo-Amerikane në kryeqytetin rus pas një periudhe në Ambasadën amerikane, ishte anashkaluar në këmbimet e mëparshme të të burgosurve midis SHBA-së dhe Rusisë. Shtëpia e Bardhë nuk tregoi se kë e ka liruar në këmbim të Fogelit. Në gusht të vitit 2024, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera realizuan këmbimin më të madh të të burgosurve që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke liruar 16 persona, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva.

 

Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i vranët dhe me reshje të përkohshme të shiut. Fryn erë e dobët nga drejtimet e ndryshe. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Budvë 12 gradë, Tivar 11, Ulqin e Herceg Novi 10, Podgoricë 9, Cetinë e Nikshiq 6, Beranë 5, Guci, Kollashin, Bijello Pole e Zhablak 5, Plevle 3 dhe në Rozhajë 2 gradë. Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët dhe me reshje të përkohshme shiu. Në veri me periudha të gjata të motit të thatë, ndërsa në viset malore mund të ketë reshje të dobëta skllote dhe bore. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, në viset veriore dhe jugore herë pas here deri e fortë nga drejtimi i jugut dhe lindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 0 deri në 10, kurse më e larta ditore nga 3 deri në 14 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се