Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

07. 02. 2023. 00:00 >> 17:33

Ditari 07.02.2023

Përgatiti, Gj. Dukaj

Këshilli, ka përzgjedhur katër kandidatë për Gjykatën Kushtetuese 

Këshilli Kushtetues i Kuvendit, ka propozuar sot, katër kandidatë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët do t’i propozohen Kuvendit për votim. Përkrahjen për kandidim e kanë marrë; Snezhana Armenko, Momirka Teshiq, Dragana Gjuranoviq dhe Faruk Resulbegoviq. Përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës arritën pajtimin edhe për kandidatin e katërt për gjykatës, në bazë të thirrjes publike të 25 dhjetorit. Vendimin përfundimtar e ka Kuvendi i Malit të Zi, me dy të tretat në një votim të parë, përkatësisht me tri të pestat në një votim të dytë. Mbledhja e kuvendit, në të cilën do të zgjedhën gjykatësit, do të mbahet më 27 shkurt.

 Në votimin e fundit në Parlament, askush nga kandidatët e propozuar për gjykatës të Gjykatës kushtetuese, nuk e ka marrë shumicën e nevojshme as në rrethin e parë as në rrethin e dytë të votimit. Gjykata kushtetuese nuk ka kuorum për vendimmarrje prej shtatorit të vitit të kaluar.

“E mirëpresim listën e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”

Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, përshëndeti vendimin e Këshillit  Kushtetues për të propozuar një listë prej katër kandidatësh për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Popa, përmes një postimi në Twitter, i ka bërë thirrje Kuvendit të Malit të Zi që të thërrasë sa më parë seancën plenare, në mënyrë që urgjentisht të përfundojë procedura për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

"Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale, është thelbësore për të siguruar qasje në drejtësi dhe respektimin e të drejtave themelore të gjithë qytetarëve. Për hir të përparimit në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të gjithë aktorët politikë në Mal të Zi, duhet të mbështesin stabilitetin dhe funksionalitetin e institucioneve demokratike dhe funksionimin e duhur të shtetit të së drejtës”, tha Popa, në Twitter.

Presidenti Gjukanoviq, bisedoi me V.Osmani, presidente e Kosovës

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka pritur sot në Podgoricë me nderime të larta shtetërore, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu. Po sot Presidenti i Malit të Zi dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, do të marrin pjesë në panelin presidencial "Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor: Sfidat për paqen dhe stabilitetin në dritën e krizës rajonale dhe globale", organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi, raporton RTKlive. "Në vazhdim të vizitës, presidenti Gjukanoviq, do të shtrojë një darkë zyrtare në Podgoricë për nder të mysafires, ku do të marrin pjesë liderët e partive politike shqiptare në Mal të Zi", njofton Zyra e Presidencës së Malit të Zi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka deklaruar se integrimi i plotë i Malit të Zi dhe Kosovës në strukturat euroatlantike është i domosdoshëm dhe vendimtar për stabilitetin dhe përparimin e gjithë Ballkanit Perëndimor.

“NATO është qëllimi ynë strategjik, vendet tona vazhdojnë të jenë të fokusuara në një rrugë të qartë drejt BE-së. Integrimi i plotë i Malit të Zi dhe Kosovës në strukturat euroatlantike nuk është opsion, por domosdoshmëri”, tha Osmani Sadriu.

Ajo, po qëndron në Podgoricë me ftesë të homologut të sajë ndërsa do të takojë edhe kryeministrin e Malit të Zi. Ndërkaq, në ditën e dytë të vizitës, Presidentja e Republikës së Kosovës do të vizitojë komunën e Tuzit dhe të Ulqinit.

Gjukanoviq; “Ne ende po negociojmë për kandidatin presidencial” 

Aleanca opozitare po diskuton nëse kandidati në zgjedhjet presidenciale do të jetë partiak apo jopartiak, tha presidenti i Malit të Zi e lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, dhe paralajmëroi se së shpejti do të dalin me propozimin e kandidatit, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadria, kur u pyet se kur mund të pritet emri i kandidatit për president i PDS-së dhe nëse do të kandidojë ai.

"Ka ende kohë. Fakti që ende nuk e kemi shpallur emrin e kandidatit nuk do të thotë se nuk po punojmë shumë në përcaktimin e tij", tha Gjukanoviq.

Ai tha se si përfaqësues të politikës serioze, përpiqen të shikojnë të gjitha aspektet politike dhe më pas të dalin me një kandidat që besojnë se mund t'i fitojë zgjedhjet.

Kemi kandidatë të tillë si partiakë ashtu edhe mbipartiak. Ne po flasim brenda opozitës dhe jam i bindur se do të arrijmë një apo më shumë kandidatë që do të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale”, tha Gjukanoviq.

Abazoviq, në organet që punojnë në Ligjin për konfiskimin e pasurisë

Qeveria sot në një seancë telefonike, me pëlqimin e shumicës së anëtarëve, miratoi amendamentin e Konkluzionit të Qeverisë të datës 2 shkurt 2023, me të cilin kryeministri, Dritan Abazoviq, emërohet përfaqësues i Qeverisë në trupat punues gjatë punohet për projektligjin për konfiskimin e pasurisë të përfituarë nga veprimtaria kriminale.

Siç thuhet në konkluzion, si përfaqësues të Qeverisë janë emëruar ministri i drejtësisë, Marko Kovaç dhe kryeministri, Dritan Abazoviq, të cilët do të marrin pjesë në punën e Kuvendit dhe të trupave punues gjatë shqyrtimit të propozimit të këtij ligji.

Deri më tani, përveç Kovaçit, në Kuvend dhe në trupat punues që kanë shqyrtuar propozimin e ligjit të lartpërmendur, është emëruar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Bashkëpunim Gjyqësor Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, Branimir Janjeviq.

Këshilli, publikon listën e kandidatëve për anëtar të Këshillit gjyqësor

Këshilli i Kuvendit për Sistem politik, legjislaturë dhe administratë, ka publikuar sot listën e kandidatëve të paraqitur për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit gjyqësor, të cilët janë nga radhët e juristëve të njohur. Thirrja publike për zgjedhjen e tyre është shpallur më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Deputetët e kuvendit të Malit të Zi, kanë zgjedhur në shtator, Radoje Koraqi, anëtar të Këshillit gjyqësor, kurse kandidatët e tjerë të propozuar nuk kanë marrë përkrahjen e nevojshme.

Do të vazhdojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së 44-të

Përfaqësuesit e shumicës aktuale parlamentare, do të bisedojnë ditëve të ardhshme mbi mundësinë e vazhdimit të bisedimeve për formimin e Qeverisë së 44-të. Ky informacion, është konfirmuar nga Parlamenti për Portalin e Transmetuesit publik. Kuvendi i Malit të Zi, në bazë të ligjit mbi presidentin, ia ka dhënë mandatin Miodrag Lekiqit, për formimin e Qeverisë së re.

Është biseduar në fillim të janarit, por asgjë nuk u dakordua, kurse Lekiq, pati deklaruar se nuk do të ketë qeveri të re por, megjithatë, ai ende nuk e ka kthyer mandatin.

Krivokapiq; Milica Pejanoviq Gjurishiq, kandidate e dëshiruar në zgjedhje

Kryetari i nderit i Partisë Socialdemokratike, Ranko Krivokapiq, thotë se do të dëshironte ta shohë, Milica Pejanoviq- Gjurishiqi, kandidate të opozitës së bashkuar në zgjedhjet presidenciale të 19 marsit. Ai, theksoi se konsultimet me Partinë Demokratike të Socialistëve, janë duke u zhvilluar dhe do të dëshironin të kenë një kandidat jashtë-partiak. Nëse nuk arrihet marrëveshja, Partia Socialdemokratike, do të ketë kandidatin e vet, deklaroi Krivokapiq.

Ka shkuar në mbi 5 mijë të vdekur numri i viktimave nga tërmeti në Turqi

Ka shkuar në mbi 5 mijë numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Turqi e Siri, ndërsa operacioni i kërkim shpëtimit, ka vazhduar gjatë gjithë natës. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, bëri me dije Shërbimi Gjeologjik amerikan. Në Turqi, raportohet për 3 mijë e 419 të vdekur dhe mbi 11 mijë të plagosur, ndërkohë, në Siri, 1 mijë e 602 persona kanë vdekur dhe 1 mijë e 280 janë plagosur. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ftohta dhe nga afër 200 dridhje pasuese të tokës, që kanë bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme. Në provincën Hajat, zyrtarët thanë se 1 mijë e 500 ndërtesa janë shkatërruar dhe shumë persona raportohet se kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, pa ndihmë dhe pa ekipe të kërkim-shpëtimit.

Në Turqi, arrijnë ekipe të  kërkim-shpëtimit nga e mbarë bota

Në Turqi, janë shpallur shtatë ditë zie, kurse ekipet e shpëtimit nga e gjithë Evropa po vijnë në ndihmë. Shtetet në mbarë botën kanë thënë se do të dërgojnë ekipe për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, por deri më tani vetëm pak ekipe kanë arritur në vendngjarje. Njëzet e shtatë ekipe të kërkim-shpëtimit janë mobilizuar për të kërkuar për të mbijetuar në Turqi, tha komisionari evropian për Kriza, Janez Lenarçiq. “Solidariteti i BE-së është në nivelin më të mirë”, shkroi ai në Twitter. Njësitë janë nga 19 shtete evropiane, përfshirë edhe dy shtete që nuk janë pjesë e BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi. Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Barish Kalkavan, është mirënjohës që Mali i Zi, ofroi menjëherë ndihmë dhe që në momentin e parë ishte me popullin turk në këtë tragjedi. I ftuar në programin e Mëngjesit të Televizionit të Malit të Zi, Kalkavan tha se ekipi malazez i shpëtimtarëve duhet të niset për në Turqi sonte në Adana, ku është formuar shtabi i krizës dhe nga ku, nëse është e nevojshme, do të dërgohen në zonat e rrezikuara.

A.Vuçiq; Bisedë e hapur me M.Lajçak, në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka pasur një “bisedë të hapur dhe miqësore” me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kështu shkroi ai në rrjetin social Instagram, pas takimit që pati më 6 shkurt në Beograd me emisarin evropian.

Para takimit, Vuçiq postoi një video-mesazh në Instagram, në të cilin tha se do të “vazhdojë të mbrojë Serbinë” dhe se Perëndimi “mund të ëndërrojë për njohjen reciproke” të Beogradit ndaj Prishtinës.

Paraprakisht mediat në Beograd kanë njoftuar se Vuçiqi në mbledhjen e sotme të Partisë Progresive serbe ka thënë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme si kandidat për kryeministër dhe se “nuk do t'i dorëzohet shantazheve të Perëndimit, Partisë Socialiste të Serbisë (të Ivica Daçiqit) dhe djathtistëve të rrejshëm”.

Lajçak shkoi në Beograd, pasi takoi në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin tha se ka diskutuar "gjithçka" që lidhet me dialogun, por se diskutimi ka qenë i përqendruar te propozimi evropian.

Forcat ruse, vazhdojnë sulmet në lindje të Ukrainës 

Forcat pushtuese ruse po vazhdojnë sulmet përgjatë vijës së frontit në lindje të Ukrainës, tha ushtria e Kievit më 7 shkurt, teksa zyrtarët ukrainas kanë vazhduar të paralajmërojnë se Moska po përgatitet për një ofensivë të re në këtë rajon.

Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ruse ka kryer gjashtë sulme me raketa dhe 24 sulme ajrore, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. Shtabi po ashtu tha se ka pasur 75 sulme me artileri, përfshirë një ndaj një objektivi civil në rajonet lindore dhe juglindore të Harkivit, Donjeckut, Dnipropetrovskit dhe Hersonit. Ushtria shtoi se ka pasur një numër të paspecifikuar të viktimave në mesin e civilëve.

Gjatë 24 orëve të fundit, 1.030 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë, pretendoi ushtria ukrainase më 7 shkurt, edhe pse shifra të tilla është e pamundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Nesër, mot i ngjashëm

Në viset jugore dhe qendrore, mban mot kryesisht me diell, kurse në veri me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët, vende – vende, me të reshura të përkohshme të borës. Frynë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve veriore.

Temperatura në orën 13; Budvë 9 gradë, Herceg Novi 8, Tivar 7, Ulqin e Petrovac 6, Podgoricë 4, Cetinë 0, Nikshiq -1, Bjello Pole e Shavnik -3, Plevlë, Beranë, Plluzhinë e Andrijevicë -4, Kollashin, Rozhajë e Guci -5 dhe në Zhablak -10 gradë.   

Meteorologët, parashohin se nesër, në viset jugore dhe qendrore pritet mot kryesisht me diell,  kurse në veri me vranësira mesatare deri krejt i vranët, paradite vende-vende me reshje të dobëta të borës. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve veriore.

Temperatura e mëngjesit prej -15 deri në 0, kurse më e larta e ditës prej -8 deri në 8 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се