Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

06. 02. 2023. 00:00   >>  18:30

Ditari 06.02.2023

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Mbi dy mijë e 300 të vdekur dhe mbi 6 mijë të lënduar nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 shkallë goditi sot herët në mëngjes Turqinë dhe Sirinë veriore, e që sipas informacioneve të fundit, ka shkaktuar më shumë se 1 mijë e 500 të vdekur dhe me mijëra të plagosur. Përpos viktimave, shkaktoi edhe dëme të mëdha materiale, respektivisht qytetet të tëra të shkatërruara plotësisht. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha në një konferencë për shtyp se Turqia regjistroi të paktën 1.400 të vdekur, me rreth 5,400 të plagosur. Ai tha se nuk mund të parashikonte se sa do të rriten këta numra ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, dhe se të paktën 2,800 ndërtesa janë shembur. Zyrtarët sirianë të shëndetësisë thanë se të paktën 830 njerëz u vranë në zonat e kontrolluara nga qeveria, ndërsa punonjësit e shpëtimit thanë se të paktën 300 të tjerë vdiqën në zonat e kontrolluara nga kryengritësit. Qeveria turke shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare. Epiqendra e tërmetit ishte afër Gaziantepit, një qendër kryesore pranë kufirit Turqi-Siri. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, dridhjet u ndjenë edhe në Liban, Egjipt dhe Qipro. Kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviq, në emër të Kuvendit të Malit të Zi dhe në emër të saj, shprehu ngushëllimet më të thella për familjet e të vdekurve nga tërmeti në Turqi, ndërsa të lënduarve u uroi shërim të shpejtë. Kurse kryeministri Dritan Abazoviq duke shprehur keqardhje për gjendjen e rëndë në Turqi, tha se “Mali i Zi është i gatshëm të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme dhe të mundshme për miqtë tonë. Ndajmë dhimbjen dhe ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, u shpreh kryeministri i Malit të Zi. Telegram ngushëllimi popullit të Turqisë dhe presidentit Erdogan i dërgoi edhe reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejziq.

Paralajmërohet mbështetje ndërkombëtare për zonat e prekura nga tërmeti

Presidenti Millo Gjukanoviq tha se Mali i Zi është me mendjet e familjeve të viktimave dhe mijëra të plagosurve nga tërmeti katastrofik që goditi Turqinë. Ai përmes rrjetit, Twitter i shprehu ngushëllimet më të thella presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan për viktimat e shkaktuara nga tërmeti. Nga tërmeti në Turqi, sipas informatave që aktualisht disponon Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka asnjë shtetas malazez të vdekur apo të lënduar. Ndërsa nga ambasada në Ankara dhe Konsullata e përgjithshme në Stamboll, u njoftuam se janë duke përcjellë situatën dhe janë në kontakt me shtetasit të cilët janë paraqitur për qëndrim në këtë vend. Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë thanë se janë të gatshme të mbështesin Turqinë, për t’u përballur me pasojat e tërmetit. Kryeministri shqiptar Edi Rama, duke shprehur ngushëllimet për humbjen jetëve tha se “një mision shpëtimi do të niset sot për në Turqi”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “Kosova është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës”. Kryeministri Albin Kurti, tha po ashtu se Kosova është e gatshme të ndihmojë në këtë kohë të vështirë. Edhe këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden udhëzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë federalë "të vlerësojnë mundësitë e reagimit amerikan për të ndihmuar më të prekurit". Bashkimi Evropian tha se po dërgon ekipe shpëtimi në rajon, me njësitë nga Holanda dhe Rumania. Komisioni Evropian ka njoftuar se me kërkesë të Turqisë, pas tërmetit të rëndë që ka goditur vendin, ka aktivizuar mekanizmat emergjentë të unionit për mbrojtje civile. Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se qeveritë e tyre janë të gatshme për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

Do të mbajnë seancë konsultative për ndryshimet në Ligjin për prejardhjen e pasurisë

Këshilli parlamentar për Sistemin Politik, Gjyqësor dhe Administratë do të mbajë mbledhje konsultative lidhur me Propozimin për ndryshimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar me veprimtari kriminale. Në seancën konsultative do të ftohen, siç thuhet në njoftim nga ky Këshill, ministri i Drejtësisë Marko Kovaç, përfaqësuesi i Prokurorisë Speciale të Shtetit, mbrojtësi i pronës dhe interesave juridike të Malit të Zi, përfaqësuesi i Agjencisë për Pengimin e Korrupsionit, përfaqësuesja e Malit të Zi para gjykatës në Strasburg, Valentina Pavlliçiq, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, Boris Mariq, ekspertë të pavarur, përfaqësues të shoqatës së juristëve, Ministrisë së Financave dhe të Organizatave Joqeveritare, MANS dhe Aksionit për të Drejtat e Njeriut. Ky Këshill ka lënë mundësinë që edhe organizatat e tjera joqeveritare dhe individë të kërkojnë të marrin pjesë në këtë takim. Kryetari i Këshillit Momo Koprivica njoftoi se qëllimi i seancës është që të gjithë pjesëmarrësit të marrin më shumë informacion rreth këtij akti. “Duhet të përpiqemi që të vendosim mekanizmat më efektivë që askush të mos përfitojë nga padrejtësia”, tha Koprivica.

Këshilli Kushtetues nesër për gjyqtarët e Gjyqit Kushtetues

Këshilli Kushtetues i Parlamentit të Malit të Zi do të përcaktojë nesër propozimin për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të thirrjes publike. Kryetarja e Kuvendit Danijella Gjuroviq tha javën e kaluar se anëtarët e Kolegjiumit të Kuvendit dhe Komisionit Kushtetues arritën marrëveshjen për zgjedhjen e tre kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ajo tha më parë se deri në mbledhjen e Komisionit Kushtetues do të bëhen përpjekje maksimale për arritjen e marrëveshjes dhe shumicës së nevojshme për zgjedhjen edhe të kandidatit të katërt. Partitë politike pritet që sot të bien dakord për zgjedhjen e kandidatit të katërt për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, e cili vjen nga radhët e popujve të pakicave. Tri kandidatet, Snezhana Armenko, Momirka Teshiq dhe Dragana Gjuranoviq morën mbështetje javën e kaluar. Vendimin përfundimtar e merr parlamenti malazez me dy të tretat, ose tre të pestat e votave të deputetëve. Në votimin e fundit në Kuvend, asnjëri nga katër kandidatët e propozuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk mori shumicën e kërkuar, as në rundin e parë dhe as në rundin e dytë të votimit. Gjykata Kushtetuese, nga gjithsej shtatë, ka vetëm tre gjyqtarë dhe që nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka kuorum për vendimmarrje. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Parlamenti i Malit të Zi me mandat 12 vjeçarë.

As Markoviq as Joviqeviq nuk u zgjodhën ushtrues detyre të Prokurorit të Lartë të Shtetit (PLSH)

Asnjëri nga dy kandidatët për ushtrues detyre të Prokurorit të Lartë të Shtetit nuk mori votat e nevojshme në mbledhjen e Këshillit Prokurorial. Kandidatët për kryeprokuror të lartë ishin Millorad Markoviq, magjistër i shkencave juridike dhe prokurorja speciale e anëtarja e Këshillit Prokurorial, Sanja Joviqeviq. Pesë anëtarë të Këshillit votuan për Markoviq, dy ishin kundër dhe dy abstenuan, kurse dy anëtarë të Këshillit votuan për Joviqeviq, ndërsa shtatë abstenuan. Fakti që prokurorja speciale, Sanja Joviqeviq ka konkurruar për këtë postë nga pozita e Këshillit Prokurorial, ishte kontestuese për anëtarët e Këshillit që nuk e mbështetën. Kandidati Markoviq u kritikua nga disa anëtarë se asnjëherë nuk ka punuar në Prokurorinë e Shtetit. Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial mori pjesë edhe prokurori Nikolla Samarxhiq. Përndryshe, në fillim të mbledhjes u konstatua se ushtrueses së detyrës së Prokurores së Përgjithshme të Shtetit, Maja Jovanoviq, dje i ka skaduar mandati dhe nuk mund të rizgjidhet pasi qeveria ka tërhequr propozimin e ligjit për prokurorinë e shtetit, që parashikonte mandat të pakufizuar për ushtruesen e detyrës së prokurores së përgjithshme. Kujtojmë se qeveria e tërhoqi propozimin pasi nuk mori dritën e gjelbër në Këshillin legjislativ.

Vjosa Osmani dy ditë për vizitë në Mal të Zi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, me ftesë të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nesër dhe pasnesër do të zhvillojë vizitë zyrtare në Mal të Zi. Presidenten e Kosovës nesër do ta presë presidenti Millo Gjukanoviq në vilën “Gorica”. Siç bëjnë me dije nga zyra e presidentit të vendit, pas takimit sy në sy, do të vazhdojnë takimet me delegacionet e dy vende, ndërsa pas Gjukanoviq dhe Osmani- Sadriu do të japin deklarata për gazetarë. Nesër Gjukanoviq dhe Osmani- Sadriu, siç thonë në njoftim nga kabineti i Malit të Zi, do të marrin pjesë në panelin presidencial, "Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor: sfidat për paqen dhe stabilitetin në dritën e krizës rajonale dhe globale", të organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi. Gjukanoviq do të shtrojë edhe një darkë zyrtare në Podgoricë për nder të mysafires, ku do të marrin pjesë edhe liderët e partive politike shqiptare në Mal të Zi. Në ditën e dytë të vizitës, presidentja e Kosovës do të vizitojë komunat e Tuzit dhe të Ulqinit.

"Mbështetja për Mandiqin, për të rrëzuar PDS-në nga froni edhe nga kjo pozitë e rëndësishme"

Lideri i “Malit të Zi të Drejtë”, Marko Millaçiq, deklaroi sot në “Link”, të Radios së Malit të Zi se do ta përkrahin Andrija Mandiq si kandidat për president të Malit të Zi, sepse konsiderojnë se nevojitet unifikimi i partive me programe të ngjashme për të rrëzuar Partinë Demokratike të Socialistëve edhe nga kjo pozitë shumë e rëndësishme. Ai supozon se do të ketë rund të dytë dhe kushdo që të jetë kandidat i PDS-së, do të humb nga kandidati i pozitës aktuale. Kurse nga Fronti Demokratik (FD) thonë se janë të gatshëm t'i përgjigjen çdo lloj pengese nga Partia Demokratike e Socialistëve duke shtuar se nëse është e nevojshme, për zgjedhjet presidenciale do t'i dorëzojnë për kandidatin e tyre, Andrija Mandiq, edhe 100 mijë nënshkrime mbështetjeje. Të përkujtojmë se Komisioni Shtetërorë Zgjedhorë ka sjellë vendim që  propozimi i kandidaturës së Mandiqit për president të Malit të Zi, duhet të përpunohet. Nga ana tjetër, Këshilli komunal i Demokratëve në Ulqin e mbështeti vendimin e kryesisë që kjo parti ta kenë kandidatin e vet për president të Malit të Zi. Përndryshe, drejtoresha e Rrjetit për afirmimin e sektorit joqeveritar (MANS), Vanja Qalloviq- Markoviq, thotë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë test në bazë të të cilit partitë në pushtet do të vendosin nëse do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. “Mendoj se zgjedhjet e ardhshme do të jenë shumë interesante, kurse ato po shtyhen sepse të gjithë kanë frikë nga rezultatet dhe se ne si qytetarë jemi të zhgënjyer nga ajo se çka kjo Qeveri kanë bërë në dy vitet e fundit”, tha Qalloviq- Markoviq.

PDS, UDSH, PB dhe SD së bashku për zgjedhjet e 5 marsit

Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Boshnjake (PB) dhe Socialdemokratët (SD) mbrëmë nënshkruan marrëveshjen parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Tuz, të cilat do të mbahen me 5 mars. Në kumtesën e përbashkët të këtyre partive thuhet se marrëveshja për formimin e koalicionit është arritur në bazë të vlerave të përbashkëta të shoqërisë qytetare, multietnike dhe të hapur. Gjithashtu në këtë njoftim thuhet se Tuzi gjithherë kanë qenë shembull dhe model se vlerat e tilla nuk kanë alternativë dhe se do të qëndrojnë gjithmonë ti mbrojnë ato. Ata theksuan se janë të bindur se qytetarët e Tuzit e kuptojnë qartë këtë dhe se kësaj herë do ta mbështesin fuqishëm koalicionin qytetar. “Koalicion që edhe një herë ka konfirmuar se është i hapur dhe i gatshëm për të bashkëpunuar me të gjithë ata që trashëgojnë vlera të tilla dhe që bashkë do ta formojnë pushtetin e ri lokal në Tuz”, thonë nga koalicioni, PDS, SD, PB dhe UDSH. Kurse siç njofton portali, malësia.org, rreth këtij koalicioni kishte kundërshtime nga disa anëtarë të lartë të UDSH-së, ndërsa ka mundësi që disa nga ata të dalin me një listë tjetër.

Punëtorët hoqën dorë nga protesta, nisin bisedimet me EEMZ

Ish-punëtorët e “Hekuranës” së Nikshiqit kanë hequr dorë nga protesta e paralajmëruar për nesër para ndërtesës së Elektroekonomisë së Malit të Zi (EEMZ), me arsyetim se kanë filluar bisedimet me drejtorinë e kompanisë për zgjidhjen e statusit të tyre, për të cilin janë angazhuar para nëntë muajsh me protesta të herë pas hershme. Njoftimi se ish punëtorët do ta zhvendosin nesër protestën nga çatia e fabrikës para godinës së EEMZ-së, ka rezultuar me fillimin e bisedimeve me përfaqësuesit e kësaj kompanie, e cila bleu fabrikën nga firma turke “Tosyali”. Përfaqësuesi i punëtorëve, Ivan Vujoviq, ka thënë për Radion e Malin e Zi se takimi është caktuar për sot pasdite, ku presin përgjigje më konkrete për fillimin e prodhimit dhe numrin e punëtorëve të punësuar, shkruan portali RTMZ-së. Dhjetë ditë më parë protestuesit kanë penguar ish-pronarin ti nxjerrë veglat dhe pjesët e këmbimi të papërshtatshme për funksionimin e fabrikës, ku sipas planit do të ndërtohen struktura dhe nënstruktura. Për të zgjidhur problemin, Elektroekonomia e Malit të Zi tregoi gatishmërinë për ta blerë materialin kontestues nga ish-pronari.

Lajçak në Kosovë dhe Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, qëndron sot në Prishtinë dhe në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Kryeministri i Kosovës dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi po zhvillojnë një takim në Prishtinë, ndërsa, siç njoftojnë mediat kosovare, sot vonë pas dite në Beograd pritet të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Kurti kërkon që Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Prishtinës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë. Kurti, gjatë një interviste për Associated Press, tha se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit. Kryeministri kosovar tha se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë. Përndryshe Kurti zhvilloi një takim me ambasadorët e shteteve të Qunitit (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë), por edhe disa ambasadorë të tjerë të akredituar në Kosovë.

Norvegjia me ndihmë për Ukrainën në vlerë prej 7 miliardë dollarësh

Kryeministri i Norvegjisë ka propozuar që shteti i tij, një prej eksportuesve më të mëdhenj të karburanteve, t’i ofrojë ndihmë Ukrainës në vlerë prej 7.3 miliardë dollarësh në një periudhë pesëvjeçare. “Ne synojmë të arrijmë një marrëveshje të unifikuar për këtë temë në Parlament”, tha për gazetarët kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, pas takimit me liderët e opozitës. Ky shtet nordik ka përjetuar rritje rekorde të të ardhurave pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, pasi sasia e gazit e shitur në Evropë u rrit vitin e kaluar. Partia kryesore opozitare, Partia Konservatore, pritet të mbështesë planin, për të cilin do të negociojë në javët e ardhshme.

Rusia thotë se ka biseduar me SHBA-në për traktatin e armëve bërthamore

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha se ka diskutuar për traktatin e kontrollit të armëve bërthamore, me ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara, Lynne Tracy. Ai tha diskutimi për traktatin New START është zhvilluar javën e kaluar, raportoi agjencia e lajmeve ruse, interax. Ryabkov shtoi se Rusia është e përkushtuar ndaj traktatit, por nuk dha asnjë datë se kur mund të mbahet rundi i ri i bisedimeve, duke u thirrur në konfliktin në Ukrainë. Bisedimet midis Moskës dhe Uashingtonit për traktatin New START ishin paraparë që të mbaheshin nëntorin e kaluar, por u pezulluan në momentin e fundit.

Edhe për nesër meteorologët paralajmërojnë mot pa ndryshime, të ftoftë

Në jug dhe pjesët qendrore të Malit të Zi sot mbajti mot me vranësira të ndryshueshme deri i kthjellët, kurse në veri i vranët, vende vende me stuhi.  Frynë erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e veriut. Temperaturat në orë  13 u shënuan: në Budvë 7 gradë, Herceg Novi 6, Tivar e Ulqin 4, Podgoricë 3, në Cetinë 0 gradë, Bijello Pole e Rozhajë -2, Beranë -3, Nikshiq -4, Plevle -5, Guci -6, Kollashin -7 dhe në Zhablak -11 gradë. Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot kryesisht të kthjellët, në veri me vranësira të pakta por kryesisht i thatë. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve të veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -15 deri në 1, kurse më e larta e ditës prej -6 deri në 8 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се