Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

27. 01. 2022. 00:00   >>  18:21

Ditari 27.01.2022

Ditarin  e përgatiti, Senad Gilaj  

Mali i Zi ka nevojë për stabilitet dhe kohezion të brendshëm

Mali i Zi ka nevojë për stabilitet dhe kohezion të brendshëm, sepse vetëm i qëndrueshëm mund të bëjë një hap drejt Bashkimit Evropian (BE), tha kryetari i Kuvendit Aleksa Beçiq. Ai gjatë një takimi me të dërguarin special të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stjuart Piç, tha se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje e drejtë për qytetarët. Beçiç përsëriti se kursi i politikës së jashtme të Malit të Zi mbështetet tërësisht në agjendën evropiane dhe evroatlantike, si dhe në forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ai vlerësoi se emërimi i Piç, i cili siç tha, karakterizohet me përvojë të pasur diplomatike, ushtarake dhe jetësore, do të jetë një garantues shtesë i praktikës së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Piç theksoi se Britania e Madhe është një mik i Malit të Zi dhe se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Piç është takuar edhe me kryeministrin Zdravko Krivokapiq. Me këtë rast ai theksoi se Britania e Madhe mbështet dhe mirëpret fuqishëm vlerat demokratike në Mal të Zi, por edhe tranzicionin e pushtetit, i cili, siç tha ai, aktualisht është pjesë e atyre vlerave.

Mali i Zi është më i avancuari në procesin e integrimit në BE, por reforma duhet të forcohet

Integrimi evropian mbetet një shtytës kryesor i reformave në shoqërinë malazeze dhe një ind lidhës drejt dialogut dhe konsensusit të të gjithë aktorëve të saj, tha kryenegociatorja për negociatat me BE-në, Zorka Kordiq në takimin e njëmbëdhjetë të Komitetit të Stabilizim- Asociimit midis Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian (BE). Siç tha ajo, Mali i Zi me mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, mbetet i përkushtuar për zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit, në përputhje me pritjet e qytetarëve që mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në BE. Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Stabilizim Asociimit, e cila u mbajt online, për shkak të pandemisë së koronavirusit, u diskutuan aktivitetet dhe rezultatet në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe shtatë nënkomisione sektoriale dhe Grupin e Punës për Reformën e Administratës Publike. Takimin e hapi ushtruesja e detyrës të Drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Zgjerim, Mishell Matella dhe kryenegociatorja për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, Zorka Kordiq. “Mali i Zi mbetet vendi më përparimtar në procesin e integrimeve evropiane, por aktivitetet reformuese duhet përforcuar në periudhën e ardhshme, me fokus të veçantë në përparimin në sundimin e ligjit në përputhje me kornizën negociuese dhe metodologjinë e re zyrtare, formalisht të miratuar edhe nga Mali i Zi", tha shefi i njësisë për Malin e Zi dhe Serbinë në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Majkëll Miller.

Unë nuk kam parë asnjë version të Marrëveshjes Bazë

Kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiq, ka thënë se deri tani nuk ka parë asnjë version të Marrëveshjes Bazë me Kishën Ortodokse Serbe duke shtuar se për të është e pranueshme çdo gjë që do të dakordohen Qeveria me palën tjetër. “Qëndroj pas asaj që kam thënë edhe më herët, se kjo është në kompetenca të pushtetit ekzekutiv”, tha Beçiq. Përndryshe, kryetari i DEMOS-it, Miodrag Lekiq deklaroi sot se Shteti duhet të jetë më serioz në raport me Kishën, por as Kisha nuk duhet të jap deklarata politike. Lekiq tha se tema e Marrëveshjes Bazë me Kishën Ortodokse Serbe ka zgjatur gjatë gjithë mandatit të qeverisë aktuale, me mistere, fluturime për në Beograd, shpjegime të pamjaftueshme dhe pa transparencë. Sipas tij, tani po paguhet fatura e joseriozitetit dhe jotransparencës. Ndërkohë, siç njoftuan nga Fronti demokratik (FD), liderët e kësaj aleance politike, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, kanë biseduar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për situatën aktuale në rajon dhe kanë vlerësuar se paqja dhe stabiliteti në Ballkan nuk kanë çmim.

KOS nuk donë ta nënshkruaj Marrëveshjen me këtë Qeveri

Kisha Ortodokse Serbe nuk donë ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë me Qeverinë aktuale të Malit të Zi, sepse është e bindur se kjo Qeveri do të bie, tha sot Patriarku i kësaj Kishe, Porfirije. Nga Patrikana kumtuan se zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq i tha Patriarkut Porfirie  se është i gatshëm ta nënshkruaj Marrëveshjen Bazë dhe se ajo duhet të harmonizohet plotësisht për interesat e të dy palëve. Kurse kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq deklaroi për Radio Televizionin e Malit të Zi se ka bërë gjithçka që ka qenë në mundësinë e  tij për Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe, por dyshon se ai do ta nënshkruajë atë. Ai tha se nuk ka ndryshime thelbësore në Marrëveshje lidhur me draftin e dërguar Patrikanës më 21 korrik.

Qeveria e pakicës nuk po e kthen PDS-në në pushtet

Deputetja e Lëvizjes Qytetare URA, Bozhena Jellushiq, tha se është e pamundur dhe se nuk duhet pasur frikë se Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) do të kthehet në pushtet përmes modelit të Qeverisë së pakicës të propozuar nga koalicioni “Bardh e Zi”. Ajo theksoi se koncepti u është dërguar të gjithë deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi dhe përsëriti se ata vërtet janë të vendosur që në qeverinë potenciale të pakicës të mos jetë PDS. Gjatë prezantimit të këtij modeli, kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq, tha se përveç PDS-së, përjashton edhe pjesëmarrjen e Frontit Demokratik. Ndërkohë që partitë në pushtet po negociojnë për zgjidhjen e krizës politike, opozita thotë se kjo qeveri e ka përfunduar misionin e saj. Ata besojnë se një qeveri e pakicës mund të jetë një zgjidhje e mirë kalimtare, por ende nuk janë deklaruar nëse do të jetë pjesë e saj. Më herët kanë thënë se ata do të jenë partia më e fortë në 14 muajt e ardhshëm, e cila do të vendosë për pushtet.

Maja Vukiqeviq u zgjodh nënkryetare e APKE-së

Anëtarja e Klubit të Grave të Parlamentit të Malit të Zi, Maja Vukiqeviq, u zgjodh nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE). Vukiqeviq u zgjodh nënkryetare në bazë të propozimit fillestar të delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Siç theksohet në njoftimin e Kuvendit të Malit të Zi, Klubi i grave shpreh kënaqësinë, sepse anëtarja e këtij Klubit u gjend në një pozitë kaq të rëndësishme dhe i uron suksese në punën e saj gjatë mandatit të ardhshëm.

Idealet e tolerancës do të mundin gjithmonë nxitjen e urrejtjes dhe dhunës

Në Kuvendin e Malit të Zi sot u hap ekspozita me vepra të piktorit akademik Nikolla Kovaçeviq, me rastin e shënimit të 27 janarit - Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Siç u kumtua nga Kuvendi, ekspozitën e hapën kryetari i Kuvendit Aleksa Beçiq dhe kryetarja e Komunitetit Hebraik të Malit të Zi, Nina Ofner Bokan. Nga Kuvendi është kumtuar se Mali i Zi, duke respektuar këtë datë të rëndësishme, i bashkohet vendeve në mbarë botën të cilat këtë datë e shënojnë me një sërë ngjarjesh. Idealet e tolerancës, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, dallimeve civilizuese, kulturore dhe historike, gjithmonë do të jenë mbi përpjekjet për të ringjallur të kaluarën dhe për të nxitur urrejtje dhe dhunë, tha presidenti malazez Millo Gjukanoviq. Gjukanoviq deklaroi në Twitter se edhe këtë vit po i bashkohet fushatës së Shoqatës Evropiane të Hebrenjve, duke ndezur simbolikisht një qiri në kujtim të viktimave të Holokaustit."Përmes veprimeve tona të vendosura, ne po transmetojmë një mesazh të qartë për brezat e ardhshëm, Holokausti - Kurrë më", tha Gjukanoviq.

Një grua ka humbur jetën si pasojë e dhunës në familje

Njëzet e shtatë vjeçarja nga Tivari, N.Z. ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike të Malit të Zi nga plagët e marra nga dhuna në familje që i është shkaktuar nga bashkëshorti i saj i pamartuar, tridhjetë e tre vjeçari D.N. nga Bosnjë Hercegovina, u kumtua nga Drejtoria e Policisë. Klubi i grave deputete në Kuvendit të Malit të Zi bën apel që i dyshuari për dhunë në familje, të dënohet në formën më të rëndë. Ato kërkojnë nga institucionet e sistemit dhe shoqërisë që t'i përgjigjen dhunës me vëmendje të veçantë dhe në mënyrë adekuate, përmes mekanizmave legjislativ dhe institucional. Edhe ekipi i Forumit LGBT, “Progres” dënoi ashpër rastin e ri të dhunës ndaj gruas në Tivar dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente që t'i qasen kësaj dhe rasteve të tjera të dhunës në familje me kujdesin maksimal të mundshëm dhe të zbatojnë politikë më të ashpër ndëshkuese.

Shkëmbimi i jashtë tregtar në vitin e kaluar arriti në 2.94 miliardë euro

Sipas të dhënave paraprake nga Monstat-i, totali i tregtisë së jashtme të Malit të Zi vitin e kaluar arriti në 2,94 miliardë euro, që është 19% më shumë se në vitin 2020. Monstat bëri të ditur se mallrat e eksportuara kapin vlerën prej 437 milionë euro, që është 19,4 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar. Nga ana tjetër importet janë rritë për 19 për qind, respektivisht në 2.5 miliardë euro. Sipas të dhënave të kësaj Agjencie, partnerët më të mëdhenj të tregtisë së jashtme në eksporte ishin Serbia me 107.3 milionë euro, Zvicra me 50.7 milionë euro dhe Bosnja e Hercegovina me 33.4 milionë euro. Kurse partnerët më të mëdhenj të tregtisë së jashtme në importe ishin Serbia me 500.8 milionë euro, Kina 245.2 milionë euro dhe Gjermania 231.2 milionë euro. Shkëmbimi i jashtëm më i lartë tregtar ishte me nënshkruesit e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, me vendet e CEFTA-s, dhe me Bashkimin Evropian (BE). 

Sistemi shëndetësor ka një ndjeshmëri të veçantë ndaj shëndetit të gruas

Sistemi shëndetësor ka një senzibilitet të veçantë sa i përket kujdesit për shëndetin e grave, sepse ato ishin dhe mbeten bartëset kryesore të familjes dhe e gjithë shoqërisë, tha ministrja e Shëndetësisë Jellena- Boroviniq Bojoviq. Në takimin edukativ me temën e vaksinimit kundër virusit HPV në Mal të Zi, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe revista mjekësore “Medical”, ajo kujtoi se edhe dy vjet pas marrjes së vendimit, vaksinimi kundër këtij virusi nuk ka filluar.  Boroviniq- Bojoviq bëri të ditur se sistemi shëndetësor në koordinim me Institut do të kryejë të gjitha aktivitetet e nevojshme për fillimin e imunizimit. 

Vaksina “Moderna” në të gjitha pikat e vaksinimit në Podgoricë

Vaksina “Moderna” është në dispozicion në të gjitha pikat e vaksinimit në kryeqytet, ndërsa në ditët e ardhshme do të jetë edhe në komunat tjera, njoftuan nga Qendra Shëndetësore në Podgoricë. Drejtori i kësaj Qendre, Danillo Jokiq, tha se falë përpjekjeve të autoriteteve shëndetësore për të siguruar këtë vaksinë specifike, aktualisht kemi tre lloje të vaksinave në dispozicion të qytetarëve. Jokiq përsëri u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të imunizohen dhe në këtë mënyrë të mbrojnë veten dhe të afërmit e tyre. Ai përkujtoi se tani edhe “Moderna”, krahas vaksinës “Pfizer”, të cilën qytetarët  mund ta zgjedhin në të gjitha pikat e vaksinimit, përfaqëson një gjeneratë të re të vaksinave të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Bashkimi Evropian.

Gjashtë të vdekur, 906 të infektuar

Nga pasojat e koronavirusit kanë vdekur 6 pacientë kurse 906 të tjerë kanë rezultuar pozitivë nga pasojat e këtij infeksioni, është kumtuar sot nga Instituti për Shëndetin Publik (ISHP). Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë shëruar 1 mijë e 525 persona, kurse siç është kumtuar, laboratorët e këtij instituti, gjatë ditës së djeshme, kanë analizuar 2 mijë e 708 mostra të dyshuar për koronavirus. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në Mal të Zi nga pasojat e koronavirusit deri tani kanë vdekur 2 mijë e 541 persona, kurse raste aktive janë 7 mijë e 374 pacientë. Ndërkaq, në Qendrën Klinike të Malit të Zi 43 pacientë të infektuar me koronavirus janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkohëq siç njoftohet nga ky institucion, në Qendrën Klinike janë duke marr trajtim 139 pacientë të prekur nga Covidi. Me dozën e parë kundër koronavirusit janë imunizuar 62.7 përqind të banorëve të moshës madhore dhe janë rivaksinuar 60.7 përqind, respektivisht nga numri i përgjithshëm i popullsisë, 46,2 dhe 44,7 përqind. Të theksojmë se dozën e tretë të vaksinës e kanë marr mbi 88 mijë qytetarë.

Muzikantët mund të punojnë deri në orën 23:00

Muzikantët në Mal të Zi prej sot do të mund të punojnë deri në orën 23, por me kusht që të posedojnë kovid certifikatë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Nga ky dikaster njoftuan se kanë vendosur kështu në bazë të propozimit të Institutit për Shëndetin Publik dhe me pajtim të Qeverisë, që të liberalizohen masat në luftën kundër pandemisë së koronavirusit. “Paralelisht me trendin e rënies së numrit të pacientëve me Covid, lejohet realizimi i një programi muzikor deri në orën 23 me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe muzikantëve, me detyrim që ata të kenë një nga provat nga certifikata e COVID-it”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Vaksinat përforcuese mund t'i ulin hospitalizimet deri në 800 mijë në BE

Agjencia e Shëndetit Publik e Bashkimit Evropian (BE), thotë se vaksinat përforcuese kundër koronavirusit mund të zvogëlojnë për gjysmë milioni numrin e të hospitalizuarve si pasojë e COVID-19 në Evropë, edhe pse varianti jashtëzakonisht ngjitës, Omicron, vazhdon të përhapet në të gjithë globin. “Marrja e një doze përforcuese mund të zvogëlojë shtrimet e ardhshme në spitalet e Evropës prej 500 mijë deri në 800 mijë pacientë”, tha më 27 janar Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC). “Marrja e vaksinës përforcuese nga të gjithë individët e vaksinuar më parë, mund të zvogëlojë pranimet në spitale me 300 mijë deri në 500 mijë”, shtoi ECDC-ja. 

Kundërshtimet e opozitës janë me tendencë politike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me masat e reja që Qeveria ka aprovuar kundër COVID-19, synohet që të ngadalësohet rritja e numrit të rasteve me koronavirus. Ai tha se për shkak të vaksinimit, numri i të hospitalizuarve është i ulët, por theksoi se numri i rasteve të reja nuk mund të ndalet. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë se kundërshtimet e opozitës lidhur me menaxhimin e pandemisë me COVID-19 janë me tendencë politike. Kollçaku derisa i ka reaguar deputetit të LDK-së, Armend Zemaj për fjalimin e tij, ka thënë se ata që sot po kritikojnë kur ishin në pushtet nuk ishin të interesuar për shëndetin publik por sipas saj vetëm përfitimet politike. Edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Qeverinë Kurti se ka tentuar të paraqesë shifra të rrejshme të rasteve me koronavirus dhe njëherësh ka kërkuar rishikim të masave në fuqi antiCOVID-19. Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka thënë qeveria nuk duhet të marrë masa më të ashpra në parandalimin e përhapjes së Covid-19 por të veproj me sanksione për mosrespektimin e masave standarde.  “Ju rekomandoj që vaksinimin ta bëni obligativ në veçanti për institucionet publike, gjë që e kanë bërë shumë vende të bashkësisë evropiane dhe shumë vende të rajonit tonë, nga sot edhe Shqipëria”, ka thënë Dreshaj.

Dështon edhe në rundin e katërt zgjedhja e presidentit në Itali

Rundi i katërt i votimit për zgjedhjen e presidentit të ri italian shkoi edhe sot drejt dështimit pasi blloqet kryesore politike vendosën të mos paraqesin asnjë kandidat ndërsa përpiqeshin të binin dakord për një figurë të pranueshme për president. Megjithatë, të dy palët treguan se donin të shpejtonin konsultimet dhe ish-kryeministri Matteo Renzi parashikoi se një marrëveshje do të arrihet deri të premten. Gara për presidencën është e hapur dhe as blloku i qendrës së djathtë dhe as blloku i qendrës së majtë nuk kanë vota të mjaftueshme në parlament për të shtyrë kandidatin e tyre, që do të thotë se nevojitet një lloj marrëveshje kompromisi. Tre rundet e para të votimit dolën në bllokim, ku askush nuk fitoi shumicën e kërkuar prej dy të tretave. Nga rundi i katërt e më tej, një fituesi ka nevojë vetëm për një shumicë absolute. 

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, në krah të SHBA-së për Ukrainën

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shprehin mbështetje për Ukrainën, në kohën kur tensionet ndërmjet këtij shteti dhe Rusisë kanë arritur kulmin. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë më parë përmes një postimi në Facebook , se i bashkohet shqetësimit të partnerëve të NATO-s për rritjen e numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën, duke theksuar se “kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”. Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision. Edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka thënë se ky vend mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ajo ka thënë se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do t'i ndjekë vendimet e aleancës, duke mos përjashtuar përfshirjen në konflikt.

Diplomacia, rruga e vetme për zgjidhje të krizës midis Ukrainës dhe Rusisë

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara për të refuzuar kërkesat e sigurisë të Rusisë. Borrell i ka bërë thirrje Rusisë që të pranojë rrugën diplomatike, pasi tha se është e vetmja mënyrë për zgjidhje afatgjate të krizës ndërmjet Moskës dhe Kievit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një letre, ka njoftuar se nuk ka pranuar kërkesat e sigurisë së Rusisë, ku përfshihej edhe mospranimi i Ukrainës në NATO. Ndërkohë, siç u kumtua nga Moska, Rusia tha se do të analizojë përgjigjen amerikane, që është dorëzuar në koordinim me aleancën ushtarake të NATO-s. Kurse Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se grumbullimi i trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, po rritet çdo ditë, teksa shqetësimet janë rritur se ky grumbullim ushtarak është përgatitje për një pushtim të Ukrainës nga Rusia. 

SHBA u bëjnë thirrje amerikanëve që të largohen nga Ukraina

Ambasada amerikane në Kiev u ka bërë thirrje amerikanëve në Ukrainë që ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga vendi, duke pasur parasysh situatën e “paparashikueshme”. Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë janë rritur pasi kjo e fundit ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit, duke e rrethuar Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu. Më herët gjatë javës, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të tërheqë një pjesë të stafit të ambasadës në Kiev dhe familjarët e tyre. Rusia mohon se po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por ka vendosur mbi 100,000 trupa në kufi me këtë shtet. Sipas inteligjencës perëndimore, pranë kufirit me Ukrainën, Rusia ka kryer një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimet se po përgatitet për një sulm ndaj Ukrainës. 

Nesër vransim gradual i motit

Në Mal të Zi sot mbajti mot me vranësira të ndryshueshme, por kryesisht i thatë. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Budvë 13 gradë, Tivar e Ulqin 12, Herceg Novi 11, Podgoricë 9, Cetinë 8, Nikshiq 6, Bijello Pole 5, Beranë, Kollashin e Rozhajë 4, Plevle 3 dhe në Zhablak e Guci 2 gradë.

Për nesër paradite pritet vransim gradual i motit, kurse në orët e pasditës dhe gjatë natës edhe me reshje të dobëta të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -11 deri në 4, kurse më e larta e ditës prej 1 deri në 11 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се