Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

26. 01. 2022. 00:00 >> 18:55

Ditari 26.01.2022

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj  

Një shumicë e qartë e qëndrueshme në parlament ose zgjedhjet

Në mënyrë që të përparojë drejt BE-së, Mali i Zi ka nevojë për një shumicë parlamentare pro-evropiane të qëndrueshme dhe të besueshme, tha për Radion e Malit të  Zi Vladimir Bilçik, kryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian në Këshillin parlamentar për stabilizim dhe asocim."Ka dy mënyra që Mali i Zi të kapërcejë krizën e pushtetit - të gjejë një shumicë të qartë, të qëndrueshme, pro-evropiane në Parlament, mandati i të cilit përfundon në 2024, ose nëse kjo nuk është e mundur, të caktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare," tha Bilçik.I pyetur nëse një qeveri e mundshme e pakicës mund të sjellë reformat e nevojshme për të bërë përparim në rrugën evropiane, Bilçik beson se, në fakt, qeveria aktuale në shumë raste ka qenë pakicë, sepse nuk ka pasur mbështetjen e shumicës në Parlament. Ai tha gjithashtu se Parlamenti Evropian është duke monitoruar nga afër zhvillimin e ngjarjeve në Mal të Zi, kështu që raportuesi Tonino Picula do të përgatisë draft raportin vetëm kur të qartësohet situata në vend. Ai po ashtu ka theksuar se fakti që ka funksionuar Këshilli Prokurorial është një lajm i mirë.

Do të organizojnë protesta nëse dikush bën marrëveshje me PDS-në

Fronti Demokratik  do të organizojë protesta për të mbrojtur vullnetin elektoral të qytetarëve, nëse një pjesë e shumicës ekzistuese parlamentare bëjnë ndonjë marrëveshje me Partinë Demokratike të Socialistëve , thuhet në aleancën politike. Kjo u bë e ditur pas takimit të krerëve të FD-, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, me kryetarin e Partisë Popullore Socialiste , Vladimir Jokoviq. FD tha se Mandiq dhe Knezeviq ritheksuan se është e nevojshme të respektohet dhe të ruhet vullneti elektoral i qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 30 gushtit 2020 dhe se vetëm brenda shumicës aktuale parlamentare mund të kërkohet një zgjidhje e re e qëndrueshme. “Kryetari i PSP-së përsëriti se kjo qeveri e ka rrëzuar vetveten dhe se nuk ka nevojë për një kundërshtar më të madh, dhe PSP do të bëjë gjithçka për të zgjedhur një qeveri të re brenda shumicës aktuale parlamentare dhe partive të pakicës me të cilat kanë nënshkruar Memorandum”, thuhet nëkumtesë.

Kontrata bazë, gati për nënshkrim

Marrëveshja bazë ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe është gati për nënshkrim, tha kryeministri Zdravko Krivokapiq. Ai tha se në seancën e sotme anëtarët e Qeverisë janë njoftuar për procesin e harmonizimit të përmbajtjes së Marrëveshjes Themelore ndërmjet Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe. "Qeveria ka miratuar informatën dhe ka shprehur gatishmërinë e saj absolute për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore sa më shpejt të jetë e mundur," tha Krivokapiq në Twitter. Sipas tij, procesi ka kaluar nëpër disa faza të harmonizimit. “Nga këndvështrimi i Qeverisë, kjo marrëveshje është plotësisht e gatshme për nënshkrim”, theksoi Krivokapiq.

Raduloviq prej sot qëndron për  vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Gjorgje Radulloviq, nga sot deri të shtunën do të zhvillojë vizitën e tij të parë pune në Maqedoninë e Veriut, me ftesë të homologut të tij maqedonas Bujar Osmani. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme , Radulloviq do të zhvillojë bisedime me presidentin e Maqedonisë, Steve Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi. Thuhet se takimet me zyrtarët maqedonas do të jenë konfirmim shtesë për marrëdhëniet e mira bilaterale mes Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Ministria e Jashtme tha se Raduloviq do të bisedojë edhe me përfaqësuesit e diasporës malazeze në Maqedoninë e Veriut për mënyrat se si vendi amë mund të kontribuojë në realizimin e planeve dhe aktiviteteve të tyre, me qëllim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor të Malit të Zi. 

Vendimi i KSHZ-së do t’i kontribuojë transparencës dhe përgjegjësisë më të madhe 

Vendimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor  për hapjen e seancave për publikun do të rezultojë transparencë dhe përgjegjësi më të madhe të këtij institucioni, që është një hap i domosdoshëm në arritjen e transparencës më të madhe të secilit organ zgjedhor, tha zëvendësshefja e Misionit të OSBE-së në Mal të Zi Grei Katrine Leirtroe. Sipas Misionit, Leirtroe e ka mirëpritur vendimin nga seanca e Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në pajtim me të cilin Komisioni do të ndryshojë Rregulloren e punës për të mundësuar transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave. Thuhet se ky ishte një rekomandim prioritar afatgjatë i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Ajo shtoi se Misioni i OSBE-së do të punojë së bashku me Komisionin në muajt e ardhshëm për të mundësuar transmetimin e seancave. 

Pesë të vdekur, 933 të infektuar

Nga pasojat e koronavirusit kanë vdekur pesë pacientë kurse 933 të tjerë kanë rezultuar pozitivë nga pasojat e këtij infeksioni, është kumtuar sot nga Instituti për shëndetin publik. Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë shëruar 1 mijë e 501 persona. Kurse siç është kumtuar, laboratorët e këtij instituti, gjatë ditës së djeshme, kanë analizuar 2 mijë e 637 mostra të dyshuar për koronavirus, kurse raste aktive janë 7999. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në Mal të Zi nga pasojat e koronavirusit kanë vdekur 2535 persona. Deri më tani numri i përgjithshëm i të prekurve me virus ka shkuar në 215 mij e 950 persona. 

Ministria e Financave nuk iu përgjigj thirrjes së sindikatës

Sindikata e Arsimit ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Financave për një takim lidhur me ndryshimin e Marrëveshjes Kolektive të Degës me qëllim të rritjes së koeficientit për paga, por ka një muaj që nuk ka marrë përgjigje, tha kryetari i kësaj dege të sindikatës  Radomir Bozhoviq. Bozhoviq tha për Vijesti se kanë marrë pëlqimin për fillimin e procedurave për ndryshimin e Marrëveshjes Kolektive nga Ministria e Arsimit, Kulturës, Shkencës dhe Sportit, por se duhet edhe qëndrimi i Ministrisë së Financave dhe Mirëqenies Sociale për mundësitë buxhetore për rritjen e pagave. Bozhoviq tha se pas nënshkrimit të kontratës së re kolektive për shëndetësi në dhjetor, pagat e punëtorëve me arsim të mesëm në shëndetësi janë barazuar me pagat e arsimtarëve në shkollat fillore dhe të mesme .Ai tha se nuk është kontestuese që punëtorët  në arsim me koeficientë më të ulët të pagave përmes programit “Evropa tani” është rritur nga 250 në 450 euro, ndërsa për mësimdhënësit nga 550 në 650.. 

Komuna e Tuzit ka llogaritur në mënyrë joligjore taksën për Plantacionet

Gjyqi Administrativ i Malit të Zi, sipas padisë së kompanisë “13. korriku-”, ka anuluar vendimin e Komunës së Tuzit për taksën e përcaktuar në pronë për vitin 2020, në vlerë të përgjithshme prej 624.378 euro. Siç theksojnë në njoftimin e Plantacioneve, prokurori në procedurën administrative kontestoi ligjshmërinë e vendimit të Komunës së Tuzit për shkak të shkeljes së rregullores së punës, fakteve të vërtetuara gabimisht dhe zbatimit jo korrekt të së drejtës materiale. Në përputhje me aktgjykimin, Gjykata Administrative urdhëroi Komunën e Tuzit që të nxjerrë një vendim të ri ligjor, i cili do të përcaktojë saktë shumën e tatimit në pronë për vitin 2020.

Agrobuxheti më i madh për fermerët në historinë e Malit të Zi 

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe ekonomisë së Ujërave Aleksandar Stijoviq shpalli Agrobuxhetin më të madh për fermerët në historinë e Malit të Zi, duke theksuar se përfitimet e Agrobuxhetit të ri do të ndjehen nga të gjithë prodhuesit bujqësorë dhe se rritjet janë veçanërisht të theksuara në sektorin e blegtorisë, duke përfshirë rritje të ndjeshme të premive të qumështit, rritje  pagesaave për sipërfaqe dhe rritje të premive për për gjedhë, dele dhe dhi, por edhe në të gjitha masat e tjera agrobuxhetore.Pas nënshkrimit të kontratave me fermerët nga veriu, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe  ekonomisë së Ujërave,  Aleksandar Stijoviq, nënshkroi marrëveshje për dhënien e mbështetjes për investime në përpunim në ferma në Fakultetin Bioteknik në Podgoricë, me prodhues bujqësor nga Podgorica, Cetina, Danillovgradi, Kollashini, Tivari, Tivati, Ulqini dhe Plluzhina.

Nesër ekspozitë me rastin e Ditës së Përkujtimit të Holokaustit 

Në Kuvendin e Malit të Zi nesër do të hapet ekspozita me vepra të piktorit akademik Nikolla Kovaçeviq, me rastin e shënimit të 27 janarit - Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Siç është bërë e ditur nga Kuvendi, ekspozitën do ta hapin kryetari i Kuvendit Aleksa Beçiq dhe kryetarja e Komunitetit Hebraik të Malit të Zi, Nina Ofner Bokan.Bëhet e ditur se Beçiq para hapjes së ekspozitës do të ketë një takim me Bokanin dhe Rabinin Suprem të Malit të Zi Lucian Mosha Preleviq. “Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i Komunitetit Hebraik do të ndezin në mënyrë simbolike gjashtë qirinj në kujtim të gjashtë milionë viktimave, dhe pastaj  një minutë heshtje për të gjitha viktimat e Holokaustit”, thuhet në deklaratë. Nga Kuvendi është kumtuar se Mali i Zi, duke respektuar këtë datë të rëndësishme, i bashkohet vendeve në mbarë botën të cilat këtë datë e shënojnë me një sërë ngjarjesh.

BE-ja konfirmon vizitën e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë dhe Serbi

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell konfirmoi se javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojë i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Gjatë një konference të përbashkët për media në Bruksel me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, Borrell tha se qëllimi i kësaj vizite do të jetë angazhimi për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Përgjegjësinë për ngecje në procesin e dialogut, Borrell e barti më shumë te zyrtarët në Prishtinë. “Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, tha Borrell. Borrell ka përsëritur thirrjen që të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tash në dialogun që e ndërmjetëson blloku evropian. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021.

SHBA-ja dhe Britania kërcënojnë me sanksione Putinin

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë paralajmëruar se nuk e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, nëse Rusia e pushton Ukrainën. “Ne do të sjellim legjislacion të ri, që regjimi ynë i sanksioneve të bëhet më i ashpër, në mënyrë që të jemi në gjendje të shënjestrojmë më shumë kompani dhe individë në Rusi. Ne do ta prezantojmë këtë legjislacion në ditët e ardhshme”, tha sot sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss. E pyetur për mundësinë e sanksionimit të Putinit, Truss i tha Sky News se “ne nuk e përjashtojmë asnjë mundësi”. Komentet e sekretares Truss janë të ngjashme me ato që presidenti amerikan, Joe Biden bëri më 25 janar. Biden tha se ai do ta shqyrtonte mundësinë e sanksioneve ndaj Putinit në rast të pushtimit të Ukrainës. Ky ishte një kërcënim i rrallë që erdhi në kohën kur SHBA-ja po dërgon pajisje ushtarake në Kiev dhe liderët perëndimorë po ndërmarrin hapa që synojnë të pengojnë një pushtim të mundshëm rus. Truss po ashtu tha se Britania po furnizonte Ukrainën me armë mbrojtëse. Presidenti Biden u ka  thënë dje  gazetarëve se nëse Rusia lëvizë në Ukrainë, ku besohet se në kufi me këtë shtet ka vendosur mbi 100,000 trupa, do të ishte “pushtimi më i madh që prej Luftës së Dytë Botërore” dhe se një gjë e tillë “do ta ndryshonte botën”. I pyetur nëse ai mund të sanksionojë drejtpërdrejtë Putinin, në përgjigje të një pushtimi të mundshëm, Biden tha “po, e shoh si mundësi”. Presidenti Biden më 24 janar është konsultuar me liderët evropianë lidhur me tensionet e shkaktuara pas grumbullimit të ushtrisë ruse, dhe Pentagoni ka njoftuar se do të vendosë në “gatishmëri të lartë” 8,500 trupa amerikane, me mundësi të dislokimit për të forcuar prezencën e NATO-s në rajon. Biden tha se nuk ka “asnjë qëllim” që të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë, por ai paralajmëroi Rusinë për sanksione të ashpra, nëse Moska urdhëron ndonjë sulm.

Franca dhe Gjermania paralajmërojnë Rusinë kundër pushtimit të Ukrainës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar Rusinë se do të paguajë “çmim shumë të lartë” nëse e sulmon Ukrainën, duke insistuar se Parisi është i bashkuar me Berlinin në qëndrimin se ka nevojë për shtensionim të situatës. Franca dhe Gjermania nuk do ta braktisin dialogun me Rusinë “por, nëse ndodh ndonjë sulm, do të ketë kundërpërgjigje dhe çmimi që do ta paguajë Rusia do të jetë shumë i lartë”, tha Macron më 25 janar në Berlin, gjatë një konference të përbashkët për media me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë ndërmarrë një sërë hapash për t’iu kundërvënë grumbullimit masiv të forcave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Vlerësohet se mbi 100,000 forca ruse janë përgjatë kufirit ukrainas dhe Perëndimi ka shprehur shqetësim se Moska mund të jetë duke u përgatitur për ta pushtuar Ukrainën.Kancelari Scholz tha se “është e nevojshme që të bëhet gjithçka që të sigurohet se situata të rrjedhë ndryshe nga ajo që kemi frikë sot”. “Prandaj ne presim hapa të qartë nga Rusia që do të kontribuojnë në uljen e tensioneve, dhe ne jemi pajtuar se çdo agresion ushtarak do të kishte pasoja serioze”, shtoi ai. Macron tha se më 28 janar do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin. Kjo bisedë, siç tha ai, do të jetë pjesë e dialogut me Rusinë dhe ofron mundësi të “qartësimit” të strategjisë së Moskës mbi Ukrainën. 

Diplomatët perëndimorë me kërkesa konkrete ndaj talibanëve

Diplomatët perëndimorë thanë se gjatë takimit me delegacionin e talibanëve në Norvegji kanë lidhur ndihmën humanitare me përmirësimin e të drejtave të njeriut në Afganistan. Një delegacion prej 15 anëtarësh i talibanëve mbajti diskutime me disa diplomatë perëndimorë dje, në ditën e fundit të udhëtimit të parë zyrtar të talibanëve në Evropë që prej se ky grup rimori pushtetin në muajin gusht. Sekretari norvegjez i Shtetit, Henrik Thune, tha për agjencinë e lajmeve NTB para takimit se diplomatët perëndimorë do të bëjnë “kërkesa konkrete” ndaj talibanëve “të cilat ne mund t’i verifikojmë nëse ata do t’i plotësojnë”. Në mesin e kërkesave u përfshi edhe mundësia e ndihmës së drejtpërdrejtë humanitare për popullin afgan, raportoi NTB. Norvegjia po ashtu ka bërë thirrje që të respektohen të drejtat e njeriut, veçmas ato të grave dhe minoriteteve, siç janë qasja në edukim dhe shërbime shëndetësore, e drejta e punës dhe liria e lëvizjes. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Afganistanin, Tomas Niklasson, tha në Twitter se ai kishte “theksuar nevojën që të ketë qasje në shkollën fillore dhe të mesme për djemtë dhe vajzat në mbarë vendin kur viti i ri shkollor të nisë në mars”. Niklasson e postoi këtë reagim në përgjigje të Ministrisë së Jashtme afgane që tha se Niklasson i kishte thënë delegacionit taliban se BE-ja do ta vazhdojë ndihmën humanitare dhe se ka bërë thirrje për mbajtjen e takimeve të reja. Zëdhënësi i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët, Abdul Qahar Balkhi, tha se ministri i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi, që ka udhëhequr delegacionin, “i ka falënderuar ata për mbështetjen dhe ka theksuar raportet pozitive dhe bashkëpunimin”. Situata humanitare në Afganistan është përkeqësuar që prej se talibanët rimorën pushtetin në gusht. 

Shoferi i autobusit shpallet fajtor për aksidentin në Bullgari

Shoferi i autobusit është shpallur fajtor për aksidentin e rëndë që ndodhi në Bullgari ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, me përkatësi etnike shqiptare. Prokurori bullgar, Borislav Sarafov ka thënë dje për agjencinë e lajmeve BGNES, se përgjegjës për tragjedinë e rëndë është shoferi i autobusit të agjencisë “Besa Trans”. “Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi, por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara”, ka deklaruar kreu i shërbimit hetimor kombëtar bullgar, Borislav Sarafov. Ai tha se tani vendimi duhet të ekzekutohet nga autoritetet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut dhe të njoftohen familjarët e viktimave, pasi ata kanë të drejtë të kontrollojnë materialet. Aksidenti ndodhi në orët e hershme të 23 nëntorit të vitit 2021, kur autobusi i agjencisë “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli, goditi një bankinë në autostradën Struma, pranë fshatit Bosnek, me ç’rast humbën jetën 45 persona, përfshirë edhe shoferin e autobusit, ndërsa shtatë të tjerë pësuan lëndime trupore. 

Përmbyset një anije në Florida, dyshohet për dhjetëra të zhdukur

Roja Bregdetare amerikane po kërkon 39 persona, që raportohet se janë zhdukur pas përmbysjes së një varke në brigjet e Floridës. Anija dyshohet se ishte përfshirë në aktivitete të kontrabandës me njerëz. Autoritetet thanë se morën informacion të martën se një person kishte shpëtuar një burrë i cili “po mbahej në një anije të përmbysur rreth 45 milje në lindje të Fort Pierce”. I mbijetuari tha se anija ishte nisur nga Bimini në Bahama të shtunën në mbrëmje, por ishte përballur me mot të keq para se të të përmbysej. “Sipas të mbijetuarit, asnjë prej personave në bordin e anijes nuk kishte jelek shpëtimi”, u tha në deklaratë. “Ekuipazhet ajrore dhe ekipet e tjera detare të Rojës Bregdetare po kërkojnë në mënyrë aktive për njerëz në ujë. Kjo dyshohet se ishte një sipërmarrje e kontrabandës me qenie njerëzore”, shtohet në deklaratën e postuar në Twitter. Autoritetet detare thanë se do të vazhdojë të kërkojë edhe gjatë natës për personat që konsiderohen të zhdukur. I mbijetuari i këtij incidenti është dërguar në spital dhe po trajtohet për dehidratim dhe ekspozim ndaj diellit, tha Roja Bregdetare. Kontrabandistët e qenieve njerëzore përdorin shpesh Bahamën – një grup i ishujve pranë brigjeve të Floridës – si një pikë për të transportuar njerëz, shumica prej të cilëve vijnë nga shtete të tjera të Karaibeve siç është Haiti dhe destinacion kanë Shtetet e Bashkuara. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim rreth 5,000 migrantë nga Haiti punojnë ilegalisht në Bahamas, por 20,000 deri në 50,000 e haitianëve qëndrojnë në këtë shtet në mënyrë të jashtëligjshme. Bimini është pika më e afërt e Bahamës me Floridën me një distancë prej 217 kilometrash.

Nesër mot i ndryshueshëm  

     Sot në jug dhe Bregdet mban mot kryesisht me diell, kurse në veri i vranët por i thatë. Frynë erë mesatare , vende vende deri e fortë nga drejtimet e veriut.

         Temperaturat: Budvë 13, H. Novi e Ulqin 11, Tivar 10, Podgoricë 9, Cetinë 6, Nikshiq 4, Shavnik 2, Plluzhinë 1, Kollashin e Guci -1, Rozhaj -2, Beranë -3 dhe në Plevle, Zhablak e Bjello Pole -5 g.

         Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej -10 deri në 3, kurse më e larta e ditës prej 0 deri në 12 g. c.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се