Lajmet

09. 01. 2019.   >>  17:56 0

Lajmet 09.01.2019

09.01.2019

Borë edhe në Podgoricë, të gjitha shërbimet e qytetit në terren

Ekipet e ndërmarrjeve të kryeqytetit por edhe të qyteteve tjera në vend, prej mbrëmë në mesnatë janë në terren për të pastruar borën dhe kanë derdhur kripë të përzier me rërë në drejtimet kryesore rrugore, pastaj nëpër bulevarde dhe akset kryesore urbane, është kumtuar nga kryeqyteti. Ata poashtu kanë njoftuar se të gjitha kapacitetet ekzistuese në kryeqytet janë në funksion në mënyrë që të mos ketë probleme më të mëdha në funksionimin e komunikacionit. Ekipet e ndërmarrjeve të kryeqytetit kanë pastruar rrugët drejt institucioneve më të rëndësishme, kurse në prioritetet e tyre ishin Institucionet shëndetësore, pastaj ato parashkollore e të tjera, thuhet në kumtesë. Nga kryeqyteti njoftojnë se pastruesit e borës janë në terren, fillimisht në rrugët kryesore, e më pas edhe në drejtimet tjera përreth. Sot në mëngjes më së tepërmi borë ka rënë në Zhablak, 47 cm, kurse në Podgoricë sot në mëngjes ka pasur 7 cm borë. Në Kollashin 32 cm, në Plevle 28 dhe në Shavnik 26 cm borë. Trashësia e reshjeve të borës në Rozhajë sot në mëngjes ishte 23 cm, në Plavë 22, në Nikshiq 18, në Beranë 11 kurse edhe në qytetin më jugorë, në Ulqin në ora 7 të mëngjesit kishte 1 cm borë.

 

Mbyllet për komunikacion aeroporti në Podgoricë

Aeroporti në Podgoricë sot paradite ishte i mbyllur për komunikacion për shkak të reshjeve të borës. Ekipet e aeroporteve të Malit të Zi dhe të Ushtrisë gjatë natës dhe mëngjesit kanë pastruar pistën si dhe sipërfaqet manovruese, mirëpo reshjet e pandërprera gjatë paradites përsëri kanë krijuar vështirësi të cilat pengojnë komunikacion të sigurt, është kumtuar nga aviokompania. Siç theksohet, të gjitha ekipet akoma janë në terren dhe po bëjnë ç'është e mundur që komunikacioni të normalizohet sa më parë. Zëdhënësja e aeroportit Milica Babiq ka deklaruar për agjencinë Mina se fluturimi në linjën Beograd- Podgoricë, të cilin e realizon "Air Serbia", është drejtuar në aeroportin e Tivatit. Fluturimet tjera, siç ka sqaruar ajo, akoma janë në pritje.

 

Rrugët me lagështi dhe rrëshqitëse, në disa akse rrugore ndalohet komunikacioni për kamionët me peshë më të madhe se 5 tonë

Në Mal të Zi nga mëngjesi i sotëm komunikacioni po zhvillohet nëpër rrugë me lagështi dhe rrëshqitëse, kanë kumtuar nga Lidhja Automoto e Malit të Zi. Ata kanë tërhequr vërejtjen se përgjatë lumenjve dhe kalimit përgjatë maleve mund të ketë rrëshqitje të dheut ose gurëve. Ata kanë theksuar se në rrugët në pjesët qendrore dhe veriore janë të mbuluara me borë, vende vend e me ngrica, kurse është vështirësuar dukshmëria në rrugë. Pajisja dimërore është e obligueshme deri me 31 mars, në të gjitha akset rrugore ku ajo është shënuar me sinjalizim përkatës, pavarësisht kushteve të motit. Poashtu u është tërhequr vërejta vozitësve se pajisja dimërore është e obligueshme në të gjitha rrugët ku ekzistojnë kushte dimërore të motit, siç janë bora, akulli dhe ngricat. Përndryshe, Komunikacioni për të gjitha automjetet që bartin më shumë se 5 tonë është ndaluar në drejtimet rrugore Podgoricë- Cetinë, Nikshiq- Plluzhinë, Nikshiq- Shavnik dhe Nikshiq- Villusi, është kumtuar nga Lidhja Automoto e Malit të Zi. Për shkak të rikonstruimit të rrugës magjistrale, Ulqin- Krythë, komunikacioni në këtë aks rrugorë do të ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve prej orës 12 deri në ora 14,30 si dhe deri në ora 15,30 minuta.

 

Ndalohen vizitat të sëmurëve në Qendrën Klinike Spitalore të Malit të Zi

për shkak të numrit të madh të sëmurëve nga gripi në territorin e Malit të Zi, prej sot janë ndaluar vizitat të sëmurëve në Qendrën klinike në Podgoricë. Informacionet për gjendjen shëndetësore të pacientëve anëtarët e familjes së ngushtë mund ti marrin përmes telefonave të kësaj qendre klinike, në repartet përkatëse, çdo ditë prej orës 14 deri në orën 15. Ndalimi i vizitave do të jetë në fuqi deri te përmirësimi i gjendjes epidemiologjike, thuhet në kumtesë. Nga kjo Qendër janë lutur qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim që tu përmbahen këshillave nga Qendra Klinike, me qëllim të zvogëlimit të sëmurëve nga gripi.

 

Spitali i fëmijëve do të fitojë pediatret dhe anesteziologët

Instituti për sëmundjet e fëmijëve në katër muajt e ardhshëm do të këtë kuadrin e formuar plotësisht, ka deklaruar drejtori i këtij institucioni shëndetësorë, Sasha Radoviq dhe ka shtuar se, edhe pse kapacitetet hapësinore tani i përmbushin të gjitha nevojat, në perspektivë do të jetë Spitali i ri për fëmijë. Radoviq, i cili funksionin e drejtorit e ka marrë në muajin shtatorë të vitit të kaluar, ka thënë për agjencinë Mina se Instituti për sëmundjet e fëmijëve është Spital reprezentativ me traditë të gjatë dhe me koncepcion të mirë, dhe se ekziston rend i vërtetuar i cili me ardhjen e kujtdo nuk mund të ndryshojë. "Instituti për sëmundjet e fëmijëve është marrë në gjendje të mirë, me planifikim të mirë kadrovik në periudhën e kaluar, me ide se çka do të mund të bëhet në të ardhmen", ka thënë Radoviq dhe ka shtuar se është mirë që në një afat të caktuar të të ndërrohen njerëzit të cilët udhëheqin me Institucionet shëndetësore.

 

Do të bëjnë tre revizione të suksesit

Institucioni Revizor i Shtetit këtë vit do të bëjë tre revizione të suksesit në lëmin e mbrojtjes së mjedisit jetësorë, organizimit të lojërave të fatit dhe marrëdhënieve të punës, ka paralajmëruar anëtari i Senatit të këtij Institucioni, Branisllav Radulloviq. Ai në intervistën dhënë gazetës "Dan" ka njoftuar se kolegët e tij nga sektori V do të kryejnë revizionin kontrollues të ndërmarrjes publike, Ujësjellësi rajonal i bregdetit të Malit të Zi. Radulloviq ka rikujtuar që Senati i Institucionit Revizor të Shtetit në muajin dhjetorë ka miratuar planin vjetor të revizionit për këtë vit, i cili paraqet sekret afarist deri në momentin kur do të sjellët vendimi për kryerjen e revizionit dhe subjekti i kontrolluar të mos informohet për fillimin e tij.

 

Bojkoti i parlamentit ka dhënë rezultate politike

Asnjë aksion i opozitës nuk ka dhënë rezultat aq të mirë dhe te dobishëm politik sikur bojkotimi i Parlamentit, kanë vlerësuar nga Mali i Zi Demokratik dhe kanë theksuar se opozita në të gjitha fushat në atë periudhë ka arritur profit politik. Sekretari i përgjithshëm i Demokratëve, Boris Bogdanoviq ka folur për efektet e bojkotit të Kuvendit pas dy viteve dhe ka thënë se ky është deri tani i vetmi aksioni i opozitës të cilin pushteti nuk ka arritur ta zhvlerësojë. Opozita në Mal të Zi duhet të bashkëpunojë në mënyrë strategjike në baza parimore dhe të qarta, e jo në mënyrë stihike, sot për nesër, siç propozojnë kolegët nga Fronti Demokratik, ka deklaruar nënkryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar. Ai ka thënë se URA nuk do të marrë pjesë në simulimin e demokracisë dhe në shfaqje e cila nuk do të sjellë reforma të domosdoshme zgjedhore.

Prej mesnate, derivatet më lirë

Çmimi i të gjitha llojeve të derivateve në Mal të Zi nga mesnata do të jenë më të lira prej 4 deri në 6 cent, është njoftuar nga Ministria e ekonomisë. Kështu, një litër eurodizel dhe eurosuper 98 do të lirohen nga 5 cent, dhe do të kushtojnë 1,15 respektivisht 1,23 euro. Çmimi i eurosuper 95 nga mesnata do të jetë më i lirë 4 cent dhe do të kushtojë 1,2 euro.

 

Nëse na njeh Serbia, sot e heqim taksën

Kryeministri i Kosovë, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në një vizitë pune tek ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Pas takimit, të dy kanë mbajtur një konferencë për media, raporton lajmi.net. Aty Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e heqjes së taksës, si dhe deklaratat e presidentit Thaçi lidhur me këtë. “Taksa është vendim i Qeverisë dhe është një vendim legjitim,për të cilin janë informuar të gjitha Qeveritë e vendeve tjera. Nëse na njeh Serbia sot e heqim”, ka thënë ai. Tutje, Haradinaj ka folur edhe për grevën e minatorëve të Trepçës për të cilën ka thënë se kërkesat e punëtorëve janë të drejta dhe se kjo punë do të rregullohet. “Trepca ka qenë peng i Kosovës dhe situatës politike. Mendoj që jemi afër ta zhbllokojmë komplet këtë peng. Mendoj që do ta gjejmë zgjidhjen bashkë sepse minatorët kanë të drejtë në kërkesat e tyre”, ka thënë ai.

 

Haradinaj takon shefat e grupeve parlamentare të koalicionit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim shefat e Grupeve Parlamentare të PDK-së, AAK-së dhe Nismës. Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se në takim u diskutua për intensifikimin e angazhimeve të Qeverisë. "Përmbushja e agjendës legjislative për vitin 2019 është një nga prioritetet e Qeverisë dhe në këtë frymë, sot prita në takim shefat e grupeve parlamentare të partive të koalicionit qeverisës Memli Krasniqin nga PDK, Ahmet Isufin nga AAK dhe Bilall Sherifin nga Nisma", shkroi Haradinaj duke shtuar se Kosova ka nevojë për një dinamikë të re të bashkërendimit të punëve Qeveri – Kuvend dhe ky takim është në funksion të intensifikimit të angazhimeve për ta përmbyllur agjendën legjislative, pjesë e detyrimeve për integrim euro-atlantik, ka thënë kryeministri kosovar.

 

Para nisjes për në Hagë flasin të ftuarit e Speciales

Sabajdin Cena, ish-epror i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, është njoftuar dje se të hënën e ardhshme duhet të udhëtojë për në Hagë. Ndonëse ende nuk e di se çfarë statusi do ta ketë, ai thotë për se më shumë preferon të jetë i akuzuar sesa dëshmitar i Speciales. Edhe ish-kreu i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ka folur për ftesën që i është bërë nga ky institucion i drejtësisë, shkruan gazeta “Zëri”. Sabajdin Cenajn, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën e Pashtrikut, dje pasdite e kanë njoftuar nëpërmjet telefonit se të hënën e ardhshme, përkatësisht më 14 janar 2019, do të duhej të udhëtojë për në Hagë pas një ftese që ka marrë nga Gjykata Speciale. Pak ditë para nisjes për në Hagë Cena ka thënë për këtë të përditshme, se ende nuk e di nëse do të jetë i akuzuar ose dëshmitar i kësaj Gjykate.

Parlamenti do të fillojë debatin për ndryshimin e emrit

Ligjvënësit në Maqedoni filluan sot debatin në Parlament për ndryshimin e emrit që do t’i jepte fund mosmarrëveshjes me Greqinë. Kryeministri Zoran Zaev ka mbështetur ndryshimin e emrit të vendit në Republikën e Maqedonisë Veriore dhe po përpiqet për miratimin e propozimit në debatin e planifikuar për sot. Megjithatë ai nuk e ka shumicën prej 120 deputetëve të Parlamentit. Kjo do të thotë, se atij i duhen edhe votat e deputetëve të partisë opozitare VMRO-DPMNE për të kaluar propozimin. Kështu ndodhi edhe në nëntor kur filloi procesi i ndryshimit të emrit. Nëse parlamenti e voton ndryshimin e emrit, Greqia ka premtuar se do të ndalë bllokimin e përpjekjeve të Shkupit për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Por, edhe nëse Maqedonia e voton propozimin, ai duhet të miratohet edhe nga parlamenti grek.

Acari përfshinë Evropën, 13 persona të vdekur

Vala e të ftohtit që ka përfshirë Evropën ka shkaktuar vdekjen e 13 njerëzve shumica e tyre të zënë nga ortekët në zonat malore. Qindra njerëz janë bllokuar në zona malore dhe shumë fluturime janë vonuar ose anuluar për shkak të erërave të forta. Në Norvegji, përpjekjet për të gjetur tre skijator që i zuri orteku, janë ndalur për shkak të borës së madhe. Policia rumune të martën gjeti trupin e një personi në një parking të qytetit jugor të Sllatinës, pasi gruaja e tij njoftoi se ai nuk u kthye në shtëpi nga puna një ditë më parë. Temperatura në Rumani ka rënë në minus 24 gradë celsius. Në pjesën jugore dhe lindore të Gjermanisë njerëzit janë duke u përgatitur për më shumë borë, ndërsa qyteti verior i banorëve të Hamburgut është duke u përgatitur për një valë të baticës së shkaktuara nga goditjet e erës, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

 

Pompeo realizon vizitë të papritur në Irak

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka vizituar Irakun më 9 janar, në një vizitë të papritur, me ç’rast është takuar me trupat amerikane dhe liderët irakianë, duke diskutuar me po ata planin e tërheqjes së trupave të Shteteve të Bashkuara nga Siria. Pompeo po ashtu ka paralajmëruar gjatë vizitës së tij se Irani vazhdon të jetë kërcënim për sigurinë në Lindje të Mesme. Vizita e tij ka ndodhur në ditën e dytë të turneut të tij në nëntë shtete arabe. Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar më 19 dhjetor të vitit të kaluar fitore kundër grupit militant, Shteti Islamik (IS) në Siri dhe ka bërë njoftimin e papritur për tërheqje të plotë të trupave prej vendit të shkatërruar nga lufta. Në këtë vend forcat amerikane kanë mbështetur sirianët arabë dhe ata kurdë në luftën kundër IS-it nga viti 2015. Siria ndërkohë është përballur me luftë shtatëvjeçare. Rusia dhe Irani kanë përkrahur presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur palë të ndryshme kundër qeverisë.

 

Pa shenja kompromisi rreth rihapjes së qeverisë amerikane

Presidenti, Donald Trump dhe udhëheqësit demokrat të Kongresit, e bënë të qartë në paraqitjet e tyre të djeshme televizive, se ndërsa secila palë mbështet përpjekjet për sigurinë kufitare, mbeten ende shumë larg në qëndrimet rreth shkallës dhe kostos së atyre masave. Bllokada ka mbyllur një të katërtën e qeverisë federale që nga 22 dhjetori. Presidenti Trump tha në fjalimin e tij në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, se u takon demokratëve “të kalojnë ligjin për buxhetin dhe të rihapin qeverinë”. Ai tha se çështja mund të zgjidhet në një takim të shpejtë dhe se ka ftuar për bisedime udhëheqësit e Kongresit. Presidenti Trump tha në fjalimin e tij se mosngritja e murit po rrezikon amerikanët që të jenë viktima të dhunës në duart e atyre që po hyjnë në vend në rrugë të paligjshme dhe i rrezikon ata duke lejuar hyrjen e sasive të mëdha të narkotikëve të paligjshëm. Derisa bllokada vazhdon, rreth 800 mijë punonjës federal janë dërguar në shtëpi ose punojnë pa pagesë.

Edhe nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mbajti mot i vranët, në viset kontinentale dhe veriore me reshje të dobëta të borës, kurse në bregdet me reshje të shiut. Fryn erë e dobët e drejtimeve të ndryshme, në bregdet vende vende deri mesatare nga drejtimet verilindore. Temperaturat e shënuara në orën 13 ishin: në Herceg Novi e Tivar 6 gradë, Ulqin 2, Podgoricë 1, Cetinë -1, Nikshiq, Kollashin, Bijello Pole, Beranë e Plavë -2 dhe në Zhablak e Rozhajë -3 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë se në viset jugore do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, në bregdet me reshje të mundshme të shiut, kurse në viset tjera edhe me reshje të mundshme të skllotës dhe borës. Në veri kryesisht i vranët, kohë pas kohe me reshje të dobëta deri mesatare të borës. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet veriore dhe verilindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -8 deri në 4, kurse më e larta e ditës prej -5 deri në 8 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se