Lajmet

04. 01. 2019.   >>  18:58 0

Lajmet 04.01.2019

04.01.2019

Suficiti i paraparë është tregues i shërimit

Ministria e financave, sipas skenarit makro- ekonomik, ka paraparë deri në vitin 2021 shkallën reale kumulative të rritjes së prodhimtarisë të përgjithshme vendore në Mal të Zi, 7.7 %,  dhe me këtë rast për këtë vit është paraparë shkallë e rritjes në nivelin vendor 2.8 për qind, ka kumtuar Ministri i financave, Darko Radunoviq. Ai për agjencinë Mina Bussines ka deklaruar se me rastin e projektimit për këtë vit duhet pasur parasysh disa paralajmërime jo të volitshme të cilat kanë të bëjnë me ngjarjet globale ekonomike në të cilat nuk mund të ndikojë Mali i Zi. "Në rend të parë kam parasysh parashikimet e ngecjes në rritjen ekonomike  brenda BE si dhe në ekonominë e përgjithshme botërore, përmes stabilizimit të çmimeve të naftës së papërpunuar në tregun botëror dhe rritjen e kamatave", ka shtuar Radunoviq. Sipas fjalëve të tij, këto parametra për Malin e Zi janë të rëndësishëm sidomos në rastin e menaxhimit të borxheve në botën e jashtme, por edhe nga aspekti i raportit të mundshëm restriktiv ndaj investimeve. Ai ka shtuar se Qeveria në raport me shpenzimin rrjedhës buxhetor, në këtë vit planifikon të realizojë suficit të ardhurave në shumë prej 197 milion euro. Ai ka përkujtuar se në vitin e kaluar kjo formë e suficitit ka qenë në shumën prej 140 milion euro. Ai ka theksuar se gjithnjë është prezentë disbalanci në shkëmbimin e jashtëm tregtarë, edhe pse është shënuar rritje e eksportit 8.6%. Kur është fjala për huazimet e Malit të Zi në këtë vit, Radunoviq ka theksuar se huazimet do të kapin shumën e 370 milion euro.

 

Në mungesë të racionalizimeve nuk mund të ketë rritje të ardhurave

"Rritje të domosdoshme të ardhurave në Mal të Zi nuk mund të ketë në mungesë të racionalizimeve në sektorin publikë dhe të racionalizimeve në administratën e politizuar shtetërore", ka vlerësuar deputeti i pavarur Aleksandar Damjanoviq duke shtuar se përparim ekonomik nuk mund të ketë pa një konsensus të gjerë politikë. "Në mungesë të racionalizimeve në sektorin publik, të racionalizimeve në administratën e politizuar shtetërore, nuk mund të ketë as rritje të domosdoshme të rrogave as në sektorin publik dhe as në atë privat, kurse fakti se gjatë disa viteve të kaluara borxhi publik është rritur mbi 1 miliardë euro derisa rrogat mesatare janë rritur minimalisht mjafton që të gjithë të mendohemi në cilin drejtim shkon ekonomia malazeze", ka theksuar Damjanoviq për agjencinë Mina. Ai konsideron se hapa të mëdhenj përpara ekonomik dhe reforma të domosdoshme nuk mund të ndodhin në mungesën e konsensusit të gjerë politikë. 

Gjatë kësaj jave më pakë të pa punësuar

Në Mal të Zi gjatë kësaj jave ka rreth 41.45 mijë të pa punësuar ose 0.9 % me pak krahasuar me javën paraprake, tregojnë të dhënat e Entit për punësim. Shkalla e papunësisë, sipas raportit të Entit për punësim ka rënë nga 18 % në vitin e kaluar në 17. 89%. Shkalla më e lartë e papunësisë 32.7 % ishte shënuar në korrik të vitit 2000, kurse shkalla më e ulët ka qenë në gusht të vitit 2009, 10.1%. Enti për punësim në vitin e kaluar ka evidentuar 15.33 mijë të papunësuar, kurse gjithsejtë janë shpallur 29.32 mijë vende të lira të punës. 

Veselin Vujoviq laureat i Kartës “Ivan Crnojeviq”

Hendbollisti i njohur malazez e trajner i hendbollit,  Veselin Vujoviq, është fitues i Kartës "Ivan Crnojeviq", të cilët  kryebashkiaku i Cetinës e ndan me rastin e 4 janarit, ditës së themelimit të këtij qyteti. Në solemnitetin e organizuar me këtë rast, kryebashkiaku Aleksandar Kashqellan ka theksuar se themelimi i Cetinës nuk është vetëm festë e banorëve të Cetinës por festë e tërë Malit të Zi.  Ai ka shtuar se kjo ditë është e veçantë edhe për shkak se individëve të cilët kanë kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e Cetinës u ndahet Karta "Ivan Crnojeviq", dhe sivjet këtyre fituesve u bashkangjitet Veselin Vujoviq, hendbollist dhe trajner i famshëm.

 

Veprojmë me shumë kujdes që Mali i Zi të jetë vend më i mirë për të jetuar

"Viti i kaluar ka qenë viti më i mirë prej themelimit të Socialdemokratëve, kurse shkak i rritjes konstante të kësaj partie ka qenë politika e qartë dhe dinjitoze", ka vlerësuar kryetari i kësaj partie, Ivan Brajoviq duke shtuar se maksimalisht do të mbetën të përkushtuar në realizimin e premtimeve dhënë qytetarëve të Malit të Zi. Ai në intervistën dhënë PR qendrës ka vlerësuar se viti 2018 në kuptimin politik për Socialdemokratët ka qenë viti më i suksesshëm deri tani. Ai ka theksuar se Socialdemokratët kanë treguar se kësaj partie, qytetarët mund ti besojnë, e cila, siç ka theksuar, nuk heq dorë nga synimet programore dhe se me kujdes vepron që Malin e Zi ta bëjnë një vend akoma më të mirë për jetën e të gjithë qytetarëve të tij. "Ata këtë e kanë hetuar andaj besimi në Socialdemokratët rritet çdo ditë e më tepër", konsideron Brajoviq. Duke folur për sfidat të cilat e presin Malin e Zi në vitin 2019, Brajoviq ka theksuar se forcimi ekonomik ka qenë detyrë parësore në vitet e mëparshme, por mbetet edhe parim për vitet e ardhshme.

 

Opozita  është më e përçarë se para bojkotit

Opozita e Malit të Zi sot është më e përçarë se para fillimit të bojkotimit të Parlamentit, ka vlerësuar Lëvizja qytetare- URA, duke theksuar se është koha që disa parti të jenë pjesë e historisë , sepse veprimtaria e tyre nuk kontribuon në ndryshimin e pushtetit. Anëtari i Këshillit kryesor të kësaj partie, Rade Millosheviq, ka folur për efektet e bojkotimit të Parlamentit pas më tepër se dy viteve. Ai ka shtuar se opozita ka përfituar nga bojkoti dhe për këtë ekzistojnë  tregues të mjaftueshëm. Sipas fjalëve të tij shembull është Partia Socialdemokratike dhe koalicioni i saj i pasuksesshëm në Podgoricë që të kalojë censusin dhe karshi tyre edhe dështimi i Frontit Demokratik i cili ka përjetuar rënie serioze të përkrahjes. 

Kryetarit të ri Budva i ka borxh 2.5 milion euro

Këshilltarit e Kuvendit komunal të Budvës kanë vërtetuar dorëheqjen e kryetarit të deritashëm të komunës, Dragan Krapoviq, nga Demokratët. Krapoviq ka theksuar se pozita dhe funksioni nuk janë gjëja më e rëndësishme por zhvillimi dhe progresi i Budvës. Krapoviq ka dhënë dorëheqje në pajtim me marrëveshjen e koalicionit të Demokratëve dhe Frontit Demokratik. Zgjedhjet e vitit 2016 kanë pasur mesazh të qartë se ndryshimet janë të domosdoshme dhe siç ka theksuar ai në këtë drejtim ka qenë plotësisht i përkushtuar. Në periudhën e kaluar dy vjeçare ka mbetur i pa zgjidhur një problem ndërmjet Demokratëve dhe Frontit Demokratik, i cili do të vijë në shprehje pasi që Ceroviq të marr postin e kryetarit të Budvës. Fjala është për borxhin e Komunës Budva më të vjetër se një decenie ndaj kompanisë "Carinvest"  e cila është pronë e kryetarit të ardhshëm Marko Bato Careviq. 

Fokusi do të jetë në çështjet socio ekonomike

"Mali i Zi Demokratik do të përqendrohet në situatën socio- ekonomike, situatë kjo e rëndë në të cilët gjendet shoqëria dhe do të ofrojë zgjidhje për daljen nga kriza", është vlerësuar gjatë takimit me anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie nga Tuzi. Në këtë takim, siç është kumtuar nga Demokratët, është hapur procedura brenda partiake e propozimit të kandidatëve për këshilltar në Kuvendin e Komunës së Tuzit për zgjedhjet të cilat do të mbahen në këtë komunë me 3 mars. Demokratët e Tuzit me formimin e Këshillave të shumtë vendor në territorin e kësaj komune e kanë rrumbullakuar formimin e infrastrukturës partiake, që ka për qëllim lidhje më të ngushta me votuesit, interesi i të cilëve është standardi më i lartë, e që është motiv i të gjithëve në Malin e Zi Demokratikë, thuhet në kumtesë. Në këtë takim është konstatuar edhe rritja konstante e përkrahjes të cilën Demokratët e kanë në Malësi. 

Veseli këmbëngul që s’ka shkëmbim territoresh

Kosova nuk ka pretendime për më tepër territor, por as nuk do të japë territor. Kështu është zotuar i pari i legjislativit të këtij vendi, Kadri Veseli. Thotë se vendit i nevojitet unitet për dialogun me Serbinë e që Presidenti ka rolin e tij kushtetues. Kritika ka adresuar për Bashkimin Evropian për mosliberalizimin e vizave për kosovarët, megjithatë thotë se BE mbetet partner i Kosovës në rrugën e saj perëndimore. Përgjegjësi politike ka kërkuar edhe nga dy partitë opozitare LDK e Vetëvendosje, duke thënë se nuk duhet të refuzojnë bashkëpunimin kur është në çështje interesi nacional. I pari i Kuvendit kosovar në një intervistë për fundvit për KosovaPress, ka ripërsëritur thirrjen për unitet, ndërsa ka ftuar Serbinë që të njohë shtetësinë e Kosovës.

 

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të vendit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë vit nuk është në interes të vendit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se viti 2019 nuk do të jetë i lehtë për Kosovën pasi do të përballet me procesin e dialogut me Serbinë dhe Gjykatën Speciale. Haradinaj ka thënë se partia të cilën e udhëheq, AAK-ja, kurrë nuk ka qenë më e fortë për zgjedhje të reja. “Si Aleancë besoj se kurrë punët më mirë për zgjedhje nuk i kemi pasur, por nuk e di sa është në interes të vendit shkuarja në zgjedhje të reja në proceset që është Kosova”, ka thënë Haradinaj. Haradinaj ka ftuar dy subjektet më të mëdha opozitare, LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që të bashkohen në procesin e dialogut, duke thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga ky proces. Kryeministri ka folur edhe për raportet që Qeveria ka krijuar me PSD-në. Ai ka treguar se do të kishte dëshirë ta përfshinte këtë subjekt politik në Qeveri por, sipas tij, zyrtarët e PSD-së ia kanë bërë të qartë se në këtë mandat nuk do të përfshihen në Qeveri.

 

Të gjykuarit për krime lufte nuk do të gjykohen sërish

Të ftuarit e parë nga Gjykata Speciale javën e ardhshme do të udhëtojnë për në Hagë. Christopher Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara, ka thënë për gazetën e Prishtinës, “Zëri” se nëse i thirruri nga Gjykata refuzon të dëshmojë ai ose ajo mund të burgoset. Anton Nrecaj, njohës i çështjeve të drejtësisë, për “Zërin” ka thënë që të ftuarit e Speciales në këtë fazë janë ftuar vetëm për intervistë deri kur prokurori special ngrit aktakuzë ndaj tyre. “Të gjithë personat e ftuar për t’u intervistuar nga prokurori special në këtë fazë të hetimeve janë vetëm të ftuar për intervistë. Statusi i tyre mund të ndryshojë vetëm atëherë kur prokurori special ngrit aktakuzat ndaj ndonjërit nga të ftuarit, ata mund të jenë në cilësinë e të akuzuarve ose edhe të dëshmitarit. Në drejtësi është “parimi i prezumimit” të pafajësisë derisa nuk ka aktgjykim të formës së presë”, ka thënë ai.  Ai ka theksuar se personat të cilët tashmë janë akuzuar për krime lufte nuk mund të gjykohen përsëri. Kurse Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke e komentuar aktivizimin e Gjykatës Speciale ditëve të fundit ka thënë për “Zërin” që ftesat e para është dashur të specifikohen se për çfarë janë, pasi një gjë e tillë është e rregulluar me ligjin mbi të cilin vepron kjo gjykatë. Ajo ka potencuar se viti 2019 do të shënojë edhe rritjen e intensifikimit të punës së Gjykatës Speciale. 

Beogradi dhe Prishtina, larg kompromisit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nuk sheh asnjë shenjë të arritjes së kompromisit me Kosovën, porse ai duhet të arrihet "nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian".

Duke folur për mediat serbe, Bërnabiq tha se Beogradi dhe Prishtina janë gjithnjë e më larg arritjes së kompromisit, para së gjithash për shkak të taksës 100% që Kosova u ka vënë importeve nga Serbia, si dhe për shkak të formimit të ushtrisë së Kosovës. "Unë mendoj se ne po largohemi nga kompromisi", tha Bërnabiq. Por, ajo shtoi se konflikti i ngrirë me Prishtinën nënkupton që Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Bërnabiq tha se "çështja e Kosovës duhet të zgjidhet" dhe se zgjidhja është "arritja e një kompromisi që do të garantonte paqe, stabilitet dhe jetë më të mirë për serbët në Kosovë". Ajo tha se Serbia është në "pozitë të shkëlqyeshme" sepse kryenegociator i saj është presidenti i shtetit, Aleksandër Vuçiq, por shtoi se Qeveria e Serbisë do të ndihmojë aq sa mundet. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

 

Bashkimi Evropian dhe liria e lëvizjes

Në Bashkimin Evropian po rriten presionet politike nga disa shtete anëtare për të rishikuar rregullat e lirisë së lëvizjes dhe për të filluar vendosjen e kufizimeve në mënyrë që të frenohet emigracioni, fenomen që ato e shohin si shkatërrimtar. Sfida e re nuk qëndron tek kriza e refugjatëve apo tek acarimi ndaj emigrantëve që lëvizin lehtësisht nëpër kontinent për të zgjedhur sipas dëshirës vendin se ku duan të banojnë. Ajo ka të bëjë me shqetësimin se migrimi ndërmjet vendeve të BE-së është duke shpopulluar më tej rajone dhe qytete me ekonomi të rrënuara, duke i dënuar ata me një të ardhme të zymtë dhe me braktisjen përgjithmonë. Muajin e kaluar, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, shtoi zërin e tij në mbështetje të idesë se lëvizja e lirë duhet të rishikohet. Blair, i cili po bën fushatë për mbajtjen e një referendumi të dytë nëse Britania duhet të largohet nga BE-ja, tha se një rishikim i idesë mund ta ndihmojë Britaninë të mbetet në bllokun e Brukselit nën kushte të reja anëtarësimi. 

Bolton udhëton në Izrael dhe Turqi për diskutime rreth Sirisë

Këshilltari për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Bolton tha se do të udhëtojë në Izrael dhe Turqi, për të diskutuar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe mënyrën sesi Uashingtoni dhe aleatët do të trajtojnë “sjelljen malinje” të Iranit në rajon. Përmes një postimi në Twitter, Bolton gjithashtu tha se do të diskutojë edhe për mënyrën sesi të parandalohet “rishfaqja” e grupit militant, Shteti Islamik në rajon. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 19 dhjetor, befasoi ligjvënësit amerikan dhe shumë udhëheqës ushtarak kur paralajmëroi tërheqjen e 2 mijë trupave amerikane nga Siria, të cilët po ndihmojnë milicinë kurde në luftimin e militantëve të Shtetit Islamik. Trump gjithashtu siguroi Ankaranë se do të ketë një “zonë amortizuese” brenda Sirisë për të mbrojtur dhe ndihmuar interesat e saja. Ankaraja e konsideron milicinë kurde si pjesë të Partisë Punëtore të Kurdistanit dhe është zotuar se do ta shkatërrojë atë. Izraeli ka shprehur shqetësime se tërheqja e SHBA-ve nga Siria do t’ia mundësonte Iranit të konsolidojë prezencën aty si dhe do të paraqiste rrezik për sigurinë. 

Kriza e buxhetit dhe mbyllja e qeverisë mbledh Trumpin me krerët e Kongresit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të takojë sot krerët e Kongresit për të diskutuar kërkesën e tij për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Takimi vjen në kohën kur qeveria amerikane është pjesërisht e mbyllur. Presidenti Trump po kërkon më shumë se 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit, ndërsa demokratët në Kongres kanë refuzuar të rrisin shpenzimet e kufirit përtej 1.3 miliardë dollarësh. Kjo ndalesë ka çuar në një mbyllje të pjesshme të qeverisë. Trump shkroi dje në Twitter “ndërtoni murin” përderisa Kongresistja e Kalifornisë, Nancy Pelosi, që u zgjodh sërish udhëheqëse e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, tha se “ne nuk do ta ndërtojmë murin”. Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, votoi për rihapjen e qeverisë federale dhe për të financuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare deri në muajin shkurt. Por, asnjëra nga masat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve nuk përfshinë 5 miliardë dollarët e kërkuar nga presidenti Donald Trump, për murin përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara, gjë që me siguri nuk do të miratohen në Senatin e kontrolluar nga republikanët dhe pothuajse me siguri do të përballen me veton e presidentit Trump. 

Nesër mot i ndryshueshëm

Në jug dhe bregdet sot mban mot me vranësira të ndryshueshme, kurse në veri kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të borës. Fryn erë mesatare  vende vende e fortë veriore dhe veri lindore. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Kotorr e Ulqin 6 gradë, Tivar e Herceg Novi 4, Podgoricë 3, Cetinë -1, Bijello Pole -2, Nikshiq -3, Beranë -5, Plevle e Plavë -6, Rozhajë e Kollashin - 7 dhe në Zhablak -12 gradë. Për nesër  në viset qendrore dhe jugore parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, kurse në veri kryesisht i vranët dhe në orët e pasdites dhe të mbrëmjes me reshje të përkohshme të borës. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, vende- vende deri e fortë nga drejtimet veriore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -16 deri në -1, kurse më e larta e ditës prej -7 deri në 8 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se