Žabljak
Oblačno
-4.2 °C
Pljevlja
Oblačno
-0.9 °C
Herceg Novi
Oblačno
10.3 °C
Nikšić
Pretežno oblačno
3.8 °C
Cetinje
Pretežno oblačno
9.1 °C
Bar
Umjereno oblačno
12.2 °C
Podgorica
Pretežno oblačno
10.0 °C
Ulcinj
Umjereno oblačno
9.5 °C
Kolašin
Oblačno
-0.8 °C

Lajmet

29. 06. 2018.   >>  17:12 0

Lajmet 29.06.2018

29.06.2018

Malin e Zi askush nuk mund ta largojë nga rruga e UE

Presidenti Millo Gjukanoviq ka deklaruar se Mali i Zi nuk heq dorë nga Bashkimi Evropian. Ai në hapjen e Konferencës “Konventa rajonale mbi integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor” ka thënë se ka mësuar ta dojë Ballkanin, pa nevojë që me të të krenohet ose turpërohet. Në këtë citat, siç ka shtuar, është i gjithë thelbi. "Për këtë arsye të gjitha fuqitë e veta i orientojmë drejt integrimeve evropiane dhe se ky është ambienti ynë i natyrshëm. Është e rëndësishme prania e sektorit civil në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë. Me miratimin e shumë ideve që kanë ardhur nga sektori civil kemi treguar se jemi të hapur për bashkëpunim", ka thënë Gjukanoviq. Presidenti ka thënë se "as në Mal të Zi nuk kemi mirëkuptim për disa organizata joqeveritare që veprojnë si organizata  parapolitike". "Në Podgoricë, sikurse edhe në Berlin apo në Lubjanë, ose në çdo qytet tjetër në Bashkimin Evropian pushteti fitohet në zgjedhje. Por për dialog dhe bashkëpunim dyert tona janë gjithmonë të hapura”, ka thënë presidenti Gjukanoviq. Siç ka shtuar ai, ka ardhur koha që me seriozitet ta gjejmë zgjidhjen për çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, se ku do të shkojmë nga këtu, që është edhe temë e konferencës së sotme. Duke përshëndetur datën e kushtëzuar të hapjes së bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë, Gjukanoviq ka thënë se do të ishte shumë më mirë nëse këto bisedime do të fillonin sot. E dimë këtë nga përvoja jonë, ka thënë presidenti Gjukanoviq.

Mjetet shtesë të UE për barazinë e reformave në rajon

Mjetet shtesë të UE do të rezultojnë ne barazinë e cilësisë së ndërmarrjes së reformave në Ballkanin perëndimorë në lëmitë kyçe, në mesin e të cilave janë sundimi i ligjit, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe siguria dhe migracioni, është vlerësuar në takimin koordinues të programit për shfrytëzimin e këtyre mjeteve, të programit IPA që u mbajt në Shkup. Siç është kumtuar nga Qeveria e Malit të Zi, në mbledhjen që u mbajt para dy ditësh, kanë marrë pjesë përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit perëndimorë, Turqisë dhe UE, kurse në emër të Malit të Zi, përfaqësuesit e zyrës për integrimet evropiane. “Pjesëmarrësit e takimit kanë biseduar për aksionet të cilat janë propozuar për financimin në kuadër të programit IPA, për vitin e ardhshëm dhe për vitin 2020, për të cilin UE ka ndarë diçka më shumë se 740 milion euro”, thuhet në kumtesë.

Kuvendi debaton për raportin e Këshillit Gjyqësor

Në Kuvendin e Malit të Zi sot deputetet debatuan për raportin e Këshillit Gjyqësorë. Kryeprokurori i lartë i shtetit, Ivica Stankoviq tërhoqi vërejtjen se është bërë përparim në punën e organeve gjyqësore, ndërkohë që nga Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) këtë e përshëndet dhe rekomandojnë bashkëpunim ndërkombëtar me qëllim sa më të mirë të pengimit të kriminalitetit të organizuar. Nga ana e deputetëve të Frontit Demokratik (FD) akuzojnë se Gjyqësori është drejtuar kundër kësaj lëvizjeje, prandaj ju drejtuan prokurorit special, Millivoje Katniq që të sqarojë këtë dhe nëse ka leje ta fillojë procesin gjyqësorë kundër presidentit të shtetit Millo Gjukanoviq. Ata poashtu thonë se disa herë e kanë përsëritur këtë, mirëpo Katniq nuk u është përgjigjur, duke shtuar se Katniq e kanë pyetur edhe lidhur me rastin, e grushtetit në tentim në vitin 2016. Katniq ndaj këtyre thirrjeve sot në Kuvend tha se një herë e u ka sqaruar këtë deputetëve të FD-së, dhe nuk e ka ndërmend ta përsëris të njëjtën gjë për të disatën herë. Në Kuvend sot poashtu u bë fjalë edhe për moszbardhjen e rasteve të krimeve të luftës, pastaj për punën e prokurorisë dhe rastet e fundit të vrasjeve në Mal të Zi. Kuvendi e vazhdon polemikën për këtë temë. 

Refuzohet kërkesa për heqjen e paraburgimit

Në vazhdimin e procesit gjyqësor për tentim terrorizmin në ditën e zgjedhjeve të vitit 2016, gjykata ka refuzuar kërkesën për heqjen e paraburgimit për të akuzuarit. Mbrojtja ka kërkuar heqjen e paraburgimit për Bratisllav Dikiq, Srbolub Gjorgjeviq dhe Dushan Maksiq, gjë që e ka refuzuar Gjykata e lartë. Procesi gjyqësor do të vazhdojë më 6 korrik.

Fillon zbatimi i ligjit të ri për administratorët shtetërorë

Ligji i ri për zyrtarët e administratës shtetërore, me të cilin avancohen edhe më shumë korniza normative për sistemin zyrtar, do të fillojë të zbatohet nga kjo e diel.  Nga Ministria e administratës publike është kumtuar se me Ligjin e ri do të krijohen kushtet për drejtim më kualitativ të resurseve njerëzore dhe punësim, avancim sipas sistemit të merituar, forcimit të profesionalizimit, përgjegjësisë dhe efikasitetit në nivel lokal dhe atë shtetërorë. “Me zgjidhjet e reja ligjore futen disa risi, shkurtohen dhe thjeshtësohen procedurat e punësimit, avancohen procedurat interne të transferit të kuadrove ndërmjet dhe brenda administratës publike shtetërore”, thuhet mes tjerash në kumtesë nga kjo Ministri.

Sindikata kërkon shkarkimin e Hrapoviqit

Sindikata e mjekëve ka kërkuar shkarkimin urgjent të Ministrit të Shëndetësisë Kenan Hrapoviq për shkak të, siç kanë theksuar, borxhit të sistemit shëndetësor që momentalisht kap shumën rreth 32 milionë euro. “Borxhi për medikamente është rritur në rreth 10 milionë euro. Ministri Kenan Hrapoviq është në krye të resorit të Ministrisë së shëndetësisë tash dy vjet e gjysmë", theksohet web faqen “Facebook”,  të sindikatës së mjekësisë. Ata  rikujtojnë se disa herë kanë shtruar pyetjen nëse borxhi 70 milionë euro i Fondit për sigurim shëndetësor është rekomandim për Hrapoviqin që të emërohet Ministër i shëndetësisë. "Duke u thirrur në premtimet e kryeministrit Dushko Markoviq, që i ka  dhënë në vitin 2016 me rastin e konstituimit të Qeverisë, se do të jetë shumë kritik, objektiv në vlerësimin e punës së Ministrave në Qeverinë e tij, kërkojmë shkarkim urgjent të Ministrit Hrapoviq", thuhet në ueb faqen e Sindikatës së mjekësisë.

Nevoja për rregullimin preciz të procedurave të caktuara

Komisioni shtetëror zgjedhorë është pajtuar me propozimin e Komisionit vëzhgues të OEBS/ODIHIR-it, se është e nevojshme që në formë më precize të rregullohen procedurat e caktuara, ka kumtuar kryetari i Komisionit, Budimir Sharanoviq. Ai, në pyetjen që të komentojë vlerësimet e përgjithshme të Raportit final të Misionit vëzhgues për mënyrën e realizimit të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, ka thënë se në Komisionin shtetëror zgjedhor janë plotësisht të pajtimit me propozimin e Misionit, se është e nevojshme që në mënyrë më të hollësishme të rregullohen procedurat e caktuara, siç është procedura e verifikimit të nënshkrimeve të mbështetjeve të kandidatëve për president. “Procedura ekzistuese e grumbullimit të nënshkrimeve dhe pamundësia e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve të verifikojë autenticitetin e nënshkrimit, lënë hapësirë për dyshime se në raste të caktuara ka pasur keqpërdorime”, ka thënë Sharanoviq për agjencinë Mina.

Pushteti ekzekutiv në Mal të Zi është më i hapuri në rajon

“Pushteti ekzekutiv në Mal të Zi është më transparenti në rajon, mirëpo edhe ai përputhet në trendin negativ rajonal”, ka treguar monitorimi i Qendrës për Tranzicionin Demokratik- CDT. Hulumtimi për transparencën e pushtetit ekzekutiv në Mal të Zi, është realizuar nga muaji Janar deri në muajin Mars të këtij viti, kurse në bazë të rezultateve janë bërë një varg rekomandimesh dhe orientime për përmirësimin e transparencës së institucioneve shtetërore. “Pushteti ekzekutiv në Mal të Zi, sipas vlerësimeve të sivjetme, është ndër më të hapurit në rajon, me gjithsejtë 55% të kritereve të plotësuara lidhur me transparencën e institucioneve, gjë që është më shumë se sa përqindja rajonale, e që është 43%”, thuhet në këtë hulumtim të CDT-së.  

Thaçi fton opozitën të bëhet pjesë e dialogut të Brukselit 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar sot Qeverinë e Kosovës për takimin e zhvilluar në Bruksel, më 24 qershor, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai përsëriti se procesi i dialogut është në fazën finale, andaj edhe ftoi të gjithë përfaqësuesit politik, përfshi edhe opozitën, që të marrin pjesë në dialog. “Unë e kam shprehur gatishmërinë të raportoj para Kuvendit sa herë të kërkohet nga kryetari apo ndërkombëtarët. Shpresoj se koalicioni parlamentar me pozitë e opozitë të arrij të kuptoj modalitetet e përfshirjes në këtë proces. Prandaj, ky proces nuk mund të ndalet për shumë arsye”, theksoi Thaçi. Ai tha se palët në dialog, duhet të punojnë për marrëveshje përfundimtare e jo edhe për një marrëveshje tjetër, në mënyrë që në fund të përmbyllet me njohje të plotë reciproke.

Ky vit është vendimtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës

SHBA dëshirojnë që Beogradi dhe Prishtina zyrtare të arrijnë deri te kompromisi, kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës e që brenda këtij viti duket të jetë vendimtar për zgjidhjen e saj, nëse Serbia dëshiron integrim në BE, deklaroi ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott. Në pyetjen se çfarë përfiton Serbia, nëse mund të fitojë, ambasadori Scott deklaroi se sa i përket asaj se çfarë përfiton Serbia e çfarë Kosova, kjo në të vërtetë është pjesë e kompromisit dhe dialogut, njoftojnë mediet serbe. ”Ne vetëm duam të inkurajojmë palët që t’i shpejtojnë konsultimet, të jenë të hapura për secilin propozim, të arrijnë deri aty sa të arrihet marrëveshja në mes të Kosovës e Serbisë, ne do të jemi të gatshëm të shikojmë pozitivisht, pavarësisht se cila marrëveshje mund të jetë e pranueshme për të dyja palët”, deklaroi ambasadori Scott, transmeton RTK. Ambasadori Scott shtoi se dialogu tani po  hyn në fazën intensive dhe takimi i javës së kaluar i të dy liderëve, Thaçi- Vuçiq, ishte pozitiv. Më tej, ambasadori Scott mendon se dialogu duhet përshpejtuar që të mund të arrihet deri te zgjidhja e përhershme në mes të dy vendeve.

Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme

“E gjithë perspektiva  e rajonit tonë është një fjalë. Ashtu sikurse vendet tjera edhe Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli. Duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n, kryeministri kosovar tha se Kosova i gëzohet ardhjes së kryetarit të Asamblesë Parlamentare, ku edhe Kosova ka statusin e vëzhguesit.  Në takim, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe asnjëherë nuk do ta harrojë ndihmën që NATO ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Kryeministri i Kosovës theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s në garantimin e paqes dhe të sigurisë dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse të KFOR-it si një partner të rëndësishëm në Kosovë. Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Forca e Sigurisë së Kosovës e mbështetur nga NATO,  në çdo periudhë të ndërtimit të saj, ka përmbushur kapacitet operative drejt transformimit në Forcën e Armatosur, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Ndërkaq,  kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli tha se NATO dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO. 

Maqedonia në NATO, pas zbatimit të marrëveshjes për emrin

Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s, pas zbatimit të marrëveshjes për emrin me Greqinë. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Kreu i Aleancës tha se beson që në samitin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik, liderët e vendeve anëtare do t’i bëjnë ftesë Maqedonisë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. “Marrëveshja për emrin paraqet shembull për të tjerët për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit. Pres që në samitin pas dy javësh, të ftoheni në negociata për anëtarësim, ndërsa pas finalizimit të marrëveshjes, të bëheni anëtare të NATO-s. Pa e finalizuar marrëveshjen, nuk mund ta bëni këtë. Dera e NATO-s është e hapur, mos e humbni këtë mundësi”, ka deklaruar Stoltenberg. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u ka bërë thirrje qytetarëve t’i japin mbështetje “të ardhmes evropiane të Maqedonisë” ndërsa ka folur për punën që ka bërë qeveria në zgjidhjen e kontesteve me shtetet fqinje.

Liderët e BE-së arrijnë marrëveshje për migrantët

Liderët e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për migrimin, pas gati 10 orësh negociata në një samit në Bruksel. Italia, pika hyrëse për mijëra migrantë, kryesisht nga Afrika, ka kërcënuar me vënie të vetos ndaj të gjitha përfundimeve të grupit, nëse nuk i ofrohet ndihmë për këtë çështje. Bisedimet kanë vazhduar deri në orët e para të ditës së sotme, para se të arrihej një kompromis. Liderët kanë thënë se qendrat e reja për migrantët duhet të krijohen në shtetet e BE-së, në baza vullnetare. Këto qendra do të verifikonin se cilët migrantë janë refugjatë dhe kush është "migrant i paligjshëm, që duhet të kthehet", thuhet në dokument. Në një komunikatë të përbashkët po ashtu përmendet kufizimi i lëvizjeve të azilkërkuesve brenda vendeve të BE-së. "Pas këtij samiti evropian, Evropa është më e përgjegjshme dhe ofron më shumë solidaritet", ka thënë kryeministri italian, Giuseppe Conte. Aktualisht blloku është thellësisht i ndarë për çështjen e migrimit, pasi disa shtete evropiane janë duke kundërshtuar skemën e BE-së për rivendosjen e 160,000 refugjatëve nga kampet e stërmbushura në Greqi dhe Itali.

BE rrezikon sigurinë e qytetarëve

Qytetarët mund të jenë më të pak të sigurt, nëse Mbretëria e Bashkuar duhet të largohet nga marrëveshjet kyçe policore, pas BREXIT-it, ka thënë kryeministrja britanike, Theresa May. Britania e Madhe ka thënë se Bashkimi Evropian është duke bllokuar marrëveshjet për ndjekje të terroristëve dhe ndarje të informacionit pasi marsit të vitit 2019. BE-ja në anën tjetër ka deklaruar se në momentin kur Britania e Madhe të bëhet “palë e tretë”, nuk mund të ketë qasje në iniciativat policore. Kryeministrja britanike, u ka bërë thirrje liderëve të “konsiderojnë se çfarë është në interesin më të mirë të qytetarëve tanë dhe tuaj”. Duke folur në samitin që po mbahet në Bruksel, May ka thënë se largimi i Britanisë nga skema e zbatimit të ligjit, do të nënkuptonte se do të zvogëlohej aftësia për të luftuar terrorizmin.

BE-ja vazhdon sërish sanksionet kundër Rusisë

Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar për të vazhduar sanksionet ekonomike të bllokut ndaj Rusisë, për ta ndëshkuar këtë të fundit për agresionin e saj në Ukrainë. Drita e gjelbër për sanksione për gjashtë muajt e ardhshëm është dhënë në samitin e BE-së, që u mbajt në Bruksel. Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, u kanë bërë thirrje liderëve të pajtohen për sanksionet, pasi kanë dhënë detaje sa është zbatuar marrëveshja e Minskut. Pavarësisht përpjekjeve për të arritur një armëpushim afatgjatë në Ukrainë, pakti i arritur në kryeqytetin bjellorus nuk është zbatuar asnjëherë plotësisht nga të dy palët. Sanksionet, të cilat kryesisht godasin sektorin bankar dhe atë të energjisë në Rusi, janë vënë fillimisht në verën e vitit 2014, pasi Rusia ka ankesuar Krimenë dhe ka mbështetur separatistët në konfliktin në lindje të Ukrainës. Nga viti 2014, sanksionet janë zgjatur çdo gjashtë muaj.

Trump-Putin do të takohen në Finlandë më 16 korrik

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin do të takohen në Helsinki të Finlandës më 16 korrik, u njoftua nga Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini. Planet u finalizuan nga këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA, John Bolton, i cili mbajti takime të shumta në Moskë, duke përfshirë edhe një me Presidentin Putin. Takimi i pritshëm mes dy presidentëve sinjalizon një afrim në rritje mes SHBA dhe Rusisë. Shtëpia e Bardhë kumtoi se presidenti Trump dhe presidenti Putin do të diskutojnë "një sërë çështjesh të sigurisë kombëtare". Kremlini tha se të dy udhëheqësit do të flasin për "gjendjen aktuale dhe perspektivat për zhvillimin e marrëdhënieve ruso- amerikane".

Edhe nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi po mban mot i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të shiut. fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan; në Ulqin 25 gradë, Podgoricë, Herceg Novi e Budvë 22, Cetinë 21, Tivar 20, Bijello Pole e Beranë 19, Nikshiq e Plavë 18, Rozhajë 17, Kollashin 16, Plevle 15 dhe në Zhablak 13 gradë.
Për nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme, me intervale të gjata me diell, por  vende vende, kryesisht në viset kontinentale edhe me reshje të  përkohshme të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 20, kurse më e larta e ditës prej 18 deri në 30 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se