Žabljak
Umjereno oblačno
18.6 °C
Pljevlja
Umjereno oblačno
23.8 °C
Herceg Novi
Pretežno vedro
29.2 °C
Nikšić
Umjereno oblačno
25.4 °C
Cetinje
Vedro
26.4 °C
Bar
Vedro
26.8 °C
Podgorica
Malo oblačno
31.0 °C
Ulcinj
Vedro
27.6 °C
Kolašin
Umjereno oblačno
24.0 °C

Lajmet

06. 02. 2018.   >>  17:18 0

Lajmet 06.02.2018

06.02.2018

BE PËR SERBINË: MARRËVESHJE ME KOSOVËN, ME URGJENCË

Lidhur me zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes dokumentit të njohur “Strategjia për Zgjerim”,u bë e qartë për të gjitha vendet kriteret që duhen plotësuar për t’u anëtarësuar në BE.

Me rastin e Serbisë, në vend të viti 2019, që ishte në versionin e kaluar si afat që duhet plotësuar kriteret për sundimin e ligjit dhe marrëveshja me Kosovën, tani, në versionin e ri thuhet që marrëveshja obligative për normalizim të përhershëm me Kosovën të kryhet me urgjencë, njoftojnë mediat serbe. Ndërkaq për vendet tjera të rajonit si: Shqipëria, Maqedonia, do të mund të nisin bisedimet më 2019, ndërkohë që BeH mund të nisë bisedimet për në BE më 2023, transmeton RTK. Ndërsa për Kosovën në "Strategjinë për Zgjerim" u bë e ditur se përveç bisedimeve me Serbinë, "ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të përparojë në rrugën evropiane, varësisht nga rrethanat objektive që e lejojnë atë".

 

Han të premten në parlament

Komisari evropianë  për politikën fqinjësore dhe bisedimet për zgjerim Johanez Han do të flas të premten në mbledhjen e përbashkët të Këshillave parlamentarë për integrimet evropiane dhe të Këshillit për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mërgimtarët. Nga parlamenti është kumtuar se Han do të transmetojë mesazhet nga strategjia “perspektiva e besueshme e zgjerimit për Ballkanin perëndimor” e cila duhet të prezantohet sot në seancën plenare të parlamentit Evropianë në Strasbur.

Strategjia përmban  udhëzimet e përgjithshme për një proces më të shpejt të integrimit të gjitha shteteve të rajonit dhe datat më konkrete për vlerësimin e rezultateve . Në takim janë ftuar përfaqësuesit e klubeve të deputetëve, ministrat për punë të jashtme dhe punët evropiane në Qeverinë e Malit të Zi, si dhe përfaqësuesit e organizatave relevante jo qeveritare.

 

Anulohet vizita  e kryeministrit Markoviq në Prishtinë për shkak të mjegullës në aeroport

Vizita e paralajmëruar e kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq në Prishtinë ,nuk u realizua dhe u shty në afat të pa caktuar. Edhe pse ishte paralajmëruar për sot , sipas sqarimeve nga zyra e Qeverisë së Kosovës, për marrëdhënie me publikun është kumtuar se vizita është shtyrë për shkak të kushteve  të motit të lig në aeroportin ndërkombëtarë të Prishtinës.

Të rikujtojmë se mëngjesin e sotëm në Prishtinë gjithçka ishte gati për vizitën e kreut të ekzekutivit malazezë , edhe pse disa herë na njoftuan se do të ketë vonesa në agjendën e paraparë për shkak të mjegullës së dendur në aeroportin e Prishtinës. Përfaqësuesit e shumtë të mediave të pranishëm para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës ku pritej ardhja e delegacionit malazezë më në fund u njoftuan për anulimin definitiv të vizitës. Ne , lidhur me këtë u njoftuam edhe në Ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë , të cilët po ashtu ishin pjesë e delegacionit  në pritjen e kryeministrit Markoviq  në aeroport. Përkujtojmë po ashtu se mediat e këtushme e paralajmëruan me mjaftë interesim vizitën e delegacionit malazezë e po ashtu njëjtë njoftuan edhe për anulimin e sajë . Edhe pse në disa media është spekuluar  për mundësinë e vizitës në një perspektivë të afërt , zyrtarët qeveritarë paralajmërojnë se data e vizitës do të caktohet në komunikim të rregullt mes dy qeverive në ditët në vazhdim.  

përgatiti:Gjokë Dukaj,gazetar në RTMZ        

 

Te definohet modeli më i mirë i bashkëpunimit opozitarë

Opozita e Malit të Zi pas zgjedhjeve në Beranë dhe në Ulqin gjendet para sfidës që sinqerisht të fillojë definimin e modelit më të mirë të bashkëpunimit në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe të zgjedhjeve në kryeqytet, konsideron Lëvizja qytetare URA.

Nga kjo parti kanë theksuar se PDS edhe përkundër shkeljes flagrante të lirisë elementare të zgjedhjeve , nuk mund të përfitojë votues të ri. Ata konsiderojnë se rezultatet e zgjedhjeve në Beranë dhe në Ulqin kanë treguar se të gjithë ata të cilët përpiqen për ndryshimet demokratike pret betejë e vështirë, por e cila do të fitohet sepse , siç theksojnë, PDS dhe shërbëtorëve të saj nuk i shkon për dore që ti mposhtin qytetarët të cilët besojnë se Mali i Zi meriton të jetë shoqëri e lirë.

 

Besimi në agjencinë për pengimin e korrupsionit është vendimtar

BE ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Malit të Zi e cila nga Këshilli i Agjencisë për pengimin e korrupsionit ka kërkuar që të rishqyrtojë qëndrimet e Agjencisë të cilat kanë të bëjnë me konfliktin e interesave të anëtarëve të Këshillit të RTMZ . Të premten Qeveria i ka rekomanduar Këshillit të Agjencisë që të shqyrtojë veprimtarinë e kësaj Agjencie kur është fjala për vërtetimin e konfliktit të interesave të anëtarëve të RTMZ. Zëdhënësja e Komisionit evropianë ,Maja Kociançiq, ka deklaruar se liria e fjalës dhe e mediave është njëra ndër vlerat themelore të BE dhe element kyç i anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Kociançiq në deklaratën dhënë agjencisë Mina ka theksuar se BE përcjell me vëmendje vendimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me të gjitha rastet lidhur me anëtarët e Këshillit të RTMZ , përfshirë këtu edhe Nikolla Vukçeviqin.

 

Qeveria të zhbllokojë të gjitha kontratat me RTMZ

Grupi i 4 OJQ përshëndet marrëveshjen e përfaqësuesve të Qeverisë dhe të RTMZ për ofrimin e shërbimeve radio difuzive prej vitit 2018-2020, dhe kanë shtuar se Qeveria do të duhej ti zhbllokojë të gjitha kontratat të cilat ndikojnë në funksionimin e emetuesit publikë nacional. Qendra për zhvillimin e OJQ , Qendra për arsimimin qytetarë , Instituti Alternativa dhe Qendra për moritorim dhe hulumtim në reagimin e vetë kanë kumtuar se nuk është e saktë informata e Drejtorisë për media dhe e shërbimit për marrëdhënie me opinionin të Qeverisë se në tërësi është harmonizuar teksti i kontratës dhe është arrit  marrëveshja që dokumenti i harmonizuar në një procedurë të nënkuptuar ti dorëzohet Qeverisë brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm. Këto OJQ kanë sqaruar se vetëm Këshilli i RTMZ mund të jap  pëlqimin në tekstin e marrëveshjes dhe se çdo gjë e kontraktuar nuk ka rëndësi esenciale derisa të mos vërtetohet në trupat formale të RTMZ dhe Qeverisë së Malit të Zi.

 

Qytetarët të denoncojnë dhunën kundër fëmijëve

Ministria për të drejtat e njeriut dhe të pakicave u ka bërë apel qytetarëve  që në rast të çfarëdo informate për dhunën eventuale kundër fëmijëve të informojnë institucionet kompetente . Shoqëria malazeze duhet të reagojë në drejtim të mbrojtjes së plotë të fëmijëve nga çdo formë e dhunës ose e lënies anash  nga ana e prindërve ose e personave tjerë , ka kumtuar Ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave. Nga kabineti i ministrit Mehmed Zenka është kumtuar se dhuna kundër fëmijëve paraqet njërën prej formave më të rënda të shkeljes së drejtave njerëzore. Ministria përkujton se të gjithë fëmijët lindin të lirë dhe me të drejta themelore të cilat u takojnë të gjitha qenieve njerëzore. Për shkak të moshës së tyre fëmijët janë të varur nga ndihma e të rriturve . Lidhur me këtë theksojmë obligimin e të rriturve kur është fjala për mbrojtjen e fëmijëve gjegjësisht mbrojtja e dinjitetit të tyre.

 

Trefishohet numri  i fëmijëve të vaksinuar me vaksinën MMR

Në shtëpinë e shëndetit në Podgoricë numri i fëmijëve të vaksinuar me me vaksinën MMR është trefishuar krahasuar me fundin e vitit të kaluar , është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Ata kanë theksuar se shërbimi i pediatrisë ka vazhduar me vaksinimin plotësues të fëmijëve me qëllim të rritjes së përqindjes të fëmijëve të vaksinuar. Duke pasur fushatën intensive e cila po zgjat prej muajit gusht të vitit të kaluar, siç theksohet , pritet rritje edhe më e madhe e përqindjes të fëmijëve të vaksinuar dhe kjo do të ndikojë në përmirësimin e imunitetit kolektiv në Podgoricë dhe në Mal të Zi. Pas kontrollit sistematik , fëmijët do të vaksinohen edhe kundër paralizës së fëmijëve , tetanusit , hepatitit B , Ruebeoles si dhe me vaksinën kundër hepatitit A.

 

VESELI: PËR HERË TË PARË BE-JA E TRAJTON KOSOVËN SHTET TË PAVARUR

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka thënë se është lajm i mirë që për herë të parë vendet anëtare të BE-së e pranojnë dhe e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, përfshirë shtetet anëtare të BE-së që nuk na kanë njohur. Në një postim në Facebook, kreu i Kuvendit thotë se strategjia e Zgjerimit të Bashkimit Europian në parim tregon qartë perspektivën europiane të Kosovës.“Kemi merituar dhe kam pritur më shumë, por perspektiva jonë europiane është e pandalshme. Kosova do të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik, duke përmbushur të gjitha obligimet që ka”, ka shkruar Veseli ku ka postuar një fotografi me gjasë nga një takim me shefen e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova.

 

“Lutjet e Mëngjesit”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Washington. Gjatë qëndrimit atje, Thaçi, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë e “Lutjeve të Mëngjesit”, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues amerikanë dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse. Në këtë ceremoni do të marrë pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili po ashtu është nisur në këtë ngjarje.Pacolli pritet të zhvillojë disa takime me rendësi për fuqizimin e partneritetit në mes Kosovës dhe SHBA-ve. Kujtojmë se vizën për në SHBA, pas shumë peripecive, e siguroi edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, dhe, sipas zëdhënëses së Qeverisë, Donjeta Gashi, ai pritet të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

 

ZAEV ME MINISTRA PËR VIZITË ZYRTARE NË TURQI

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev papritmas ka kumtuar lajmin për udhëtimin e tij drejt Turqisë për një vizitë zyrtare, që pritet të jetë dy ditëshe. Sipas agjendës së planifikuar, vizita do të zhvillohet më 12 shkurt, ku bashkë me Zaev do të jenë edhe ministra të kabinetit të tij. Gjatë vizitës do të ketë takim me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, me kryeministrin Binali Jildirim, si dhe me kryetarin e Kuvendit të Turqisë, Ismail Kahraman.Kjo vizitë po ndodhë në kohën kur vendi po zhvillon bisedime për emrin me Greqinë, fqiu që ka krijuar raporte të acaruara me Ankaranë. Por edhe pas deklaratës së Erdogan se Turqia është në anën e Maqedonisë në procesin për zgjidhjen e emrit, dhe se sipas tij, Greqia në këtë rast nuk është e drejt. Erdogan gjithashtu ka thënë se Maqedonia është vend vëllazëror dhe gjithmonë do të jetë në anën e saj.

 

SHBA-ja, Rusia përplasen rreth Sirisë

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë përplasur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth dyshimeve se Qeveria e Sirisë ka përdorur sërish armët kimike në një zonë të kontrolluar nga rebelët. Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, e akuzoi Rusinë për bllokimin e hetimeve mbi përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ushtria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në provincën e Goutas Lindore. Sulmi ka ndodhur në fundjavë dhe Haley tha se Rusia i bllokon hetimet pavarësisht “dëshmive të dukshme për dhjetëra viktima”.“Rusia ka vonuar miratimin e deklaratës – dënimit të thjeshtë të vrasjes së fëmijëve sirianë me gaz klori”, tha Haley.“Ky Këshill ka qenë i zëshëm duke kërkuar fundin e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe ata ende vazhdojnë”, shtoi ajo. Rusia, e cila kryen operacione ushtarake në Siri, në mbështetje të Assadit, qysh në vitin 2015, i mohoi akuzat, duke i cilësuar si “shpifje”.

 

Presidenti i Polonisë do të nënshkruajë ligjin kontrovers për Holokaustin

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se do të nënshkruajë një ligj për Holokaustin, pavarësisht kundërshtimeve nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.Me ligjin e ri parashihen gjoba ose dënim me burg deri në tre vjet për përshkrimin e kampeve të Gjermanisë naziste në Poloni si "kampe polake të vdekjes".Edhe sugjerimet publike se populli ose shteti polak ka marrë pjesë në gjenocidin e kryer nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të dënohen. Qeveria e Polonisë thotë se ligji është i nevojshëm për të mbrojtur reputacionin e polakëve si viktima të agresionit nazist. Izraeli ka reaguar me shqetësim, duke thënë se ligji do të ndalojë deklarimet e vërteta për rolin e disa polakëve që kanë luajtur në krimet naziste.

 

Putin regjistrohet zyrtarisht si kandidat për president

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u regjistrua zyrtarisht kandidat për zgjedhjet presidenciale të 18 marsit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e regjistroi atë të martën, saktësisht dy muaj pasi Putin i ka bërë publike planet për të garuar për mandatin e katërt. Me vlerësime të larta dhe me kontroll në të gjitha nivelet e pushtetit, Putin pritet t'i fitojë zgjedhjet. Putin është zgjedhur për herë të parë president i Rusisë në vitin 2000, pasi presidenti Boris Yeltsin ka dhënë dorëheqje në ditën e fundit të vitit 1999 dhe e ka bërë atë ushtrues detyre. Putin është kandidati i tretë presidencial i regjistruar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi. Të tjerët që janë regjistruar deri më tani janë udhëheqësi i Partisë Liberale Demokratike të Rusisë, Vladimir Zhirinovsky, dhe kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin.

 

Edhe nesër mot i ngjashëm me të sotmin

Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot me vranësira të ndryshueshme dhe i thatë. Frynë erë e dobët deri mesatare  , vende vende e fortë jugore dhe lidnore.

Temperaturat: Tivar 14, Podgoricë, H. Novi e Ulqin 12, Budvë 11, Shavnik 9, Cetinë 8, Kollashin 7, Nikshiq, Rozhajë e Plluzhinë 6, Plavë e Beranë 5, dhe në Plevle, B. Pole e Zhablak  3 g.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe vende vende me reshje e bubullimë. Të reshura më të dendura priten në orët e pas ditës. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë jugore dhe lindore. Temperatura e mëngjesit prej  zero deri në 10, kurse më e larta e ditës prej 4 deri në 16 g. c. 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se