Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

14. 11. 2017.   >>  16:09 0

Lajmet 14.11.2017

14.11.2017

 Miratohet buxheti për vitin e ardhshëm, tani në Parlament

Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e mbajtur dje të kryesuar nga kreu i ekzekutivit, Dushko Markoviq,  ka shqyrtuar dhe miratuar propozim ligjin e buxhetit për vitin 2018 dhe propozim projeksionin e treguesve fiskal makroekonomik, për periudhën 2017-2020.  Siç është kumtuar, me miratimin e këtyre dokumenteve, Qeveria ka projektuar rritje reale  ekonomike për këtë vit në shkallën 4 për qind, kurse në vitin 2018, 3 për qind. Ndërkaq, me propozim ligjin e miratuar është paraparë që buxheti i shtetit në vitin e ardhshëm të jetë 2 miliardë euro dhe është bazuar, para së gjithash, në rezultatet e shkëlqyera financiare dhe ekonomike të arritura gjatë këtij viti. Me propozim ligjin për buxhetin për vitin e ardhshëm është paraparë shuma e përgjithshme e të hyrave dhe të dalave në rreth 2 miliard euro, nevoja më e vogël e huazimit prej 295 milion euro si dhe shkallë më e ulët e deficit buxhetor, ka kumtuar Ministri i financave Darko Radunoviq.

Ai ka theksuar se teksti i propozuar të cilin e ka vërtetuar Qeveria, është reflektim i masave të politikës ekonomike drejtë forcimit të stabilitetit fiskal, përkrahjes së konkurrencës dhe zhvillimit si dhe shpërndarje më të drejtë të fondeve sociale. Nga shërbimi i qeverisë për marrëdhënie me opinionin është kumtuar se në mbledhje është vlerësuar se pushteti ekzekutiv është në ambient tejet të pa volitshëm në fillim të mandatit edhe përkundër sfidave të shumta ka treguar vendosmëri dhe aftësi   në realizimin e orientimeve dhe qëllimeve programore. Në mbledhje është kumtuar se propozimi i buxhetit për vitin e ardhshëm është i bazuar në parashikimet reale dhe garanton zhvillim të mëtejmë të ekonomisë, vazhdimin e projekteve kapitale dhe sigurinë sociale përmes vazhdimit të stabilizimit të financimeve publike gjë që duhet të rezultojë me kalimin nga deficiti në zonën e suficitit të buxhetit duke filluar prej vitit 2020.

 

Rritja e të ardhurave dhe përmirësimi i kontrollit të shpenzimeve janë përcaktues kyç të buxhetit 

Rritja e të ardhurave burimore, kontrolli i përmirësuar i shpenzimeve, zvogëlimi i deficitit buxhetor dhe nevoja më e vogël për  huazime janë përcaktimet kyçe të buxhetit të Malit të Zi për vitin e ardhshëm të cilat duhet të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit të financave publike, ka kumtuar nënkryetari i qeverisë Millutin Simoviq. Të ardhurat e projektuara burimore për vitin e ardhshëm janë më të larta 135.6 milion euro ose 9.9 për qind ka theksuar Simoviq në konferencën për gazetarët me rastin e miratimit të propozim ligjit të buxhetit për vitin e ardhshëm.

 

Nesër panel diskutimi për furnizimet publike

Ministria e financave do të organizojë nesër panel diskutimin për kapitullin negocues i cili ka të bëjë me furnizimet publike. Nga Ministria kanë sqaruar se qëllimi i panelit është rritja e shkallës së informimit të opinionit profesional dhe të gjerë për rëndësinë dhe përmbajtjen e procesit të bisedimeve me UE në fushën e furnizimeve publike si dhe për ndryshimet të cilat do të rezultojnë pas përfundimit të bisedimeve në punën e përditshme. Në panel do të marrin pjesë drejtori i drejtorisë për furnizimet publike dhe shefi i grupit punues për kapitullin pesë, Mersad Mujeviq dhe anëtari i komisionit shtetëror për kontrollin e procedurës të furnizimeve publike në Mal të Zi, Tomo Miliq.

 

Ballkani perëndimor në fokusin e kryesisë së ardhshme të Austrisë

Austria përkrah fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në UE dhe zgjerimin e Unionit me Shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo do të jetë prioritet i kryesisë me Këshillin e UE në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, ka kumtuar Zëvendësi i sekretarit federal të Austrisë për Evropën, integrimet dhe punët e jashtme Mihaill Linhart. Ai këtë e ka theksuar gjatë bisedimeve me Ministrin për punët evropiane të Malit të Zi, Aleksandar Andria Pejoviq.

Nga Ministria e punëve evropiane është kumtuar se Linhart ka vlerësuar se Mali i Zi ka shënuar rezultate të mira procesin bisedues dhe ka transmetuar mesazhe inkurajimi për vazhdim të suksesshëm të reformave. Ai ka shtuar se atmosfera e re në UE kur është fjala për zgjerim është shumë pozitive gjë që e vërtetojnë deklaratat e paradokohshme të disa zyrtareve dhe shteteve anëtare të UE.

 

Do të ndërtohet bulevardi, ura dhe mbikalimi

Kryebashkiaku o Podgoricës Sllavolub Stjepoviq ka kumtuar se kryeqyteti do të fitojë një bulevard modern i cili do të lidh rrugën magjistrale Podgoricë -Cetinë dhe Podgoricë –Petrovac. Njëkohësisht do të ndërtohet ura e re mbi lumin Moraça si dhe mbikalimi në zonën e Kombinatit të Aluminit dhe dy rrethrrotullime. Duke arsyetuar vendimin për huazime të kryeqytetit për realizimin e projekteve të rrugës, “Unaza jugperëndimore”, Stjepoviq në parlamentin e kryeqytetit ka theksuar se ky projekt kap vlerën e afro 22 milion euro. Ai ka përkujtuar se vlera e përgjithshme e investimit është rreth 22 milion euro prej të cilave kryeqyteti merr pjesë me 17 milion e 226 mijë euro, kurse pjesëmarrja e Qeverisë së Malit të Zi është 4 milion e gjysmë euro. Unaza është e gjatë diçka më tepër se 3 km e gjysmë dhe të do të gjenden dy objekte, Ura mbi lumin Moraça me gjatësi  150 metra dhe Mbikalimi në zonën e KAP me gjatësi 29.4 metra.

 

Të diplomuarit në Fakultetin juridik në pozitat kyçe

Në Fakultetin juridik do të krijohen kushtet për zhvillimin e proceseve gjyqësore gjë që studentëve do tu mundësojë pasqyrim të plotë dhe real në proceset gjyqësore si dhe kontakt të drejtë për drejtë me autorët e procedurës, ka theksuar dekani Vellimir Rakoçeviq. Ai ka përkujtuar se duke filluar prej këtij viti studimor, në Fakultetin juridik zbatohet modeli dominues evropian “tre plus dy plus tre”,  gjë që garanton arritjen e standardeve të cilësisë dhe përfshirjen e studentëve në procesin e mobilizimit.

 

Pretendimet e tjera për Demarkacionin, të dëmshme për shtetin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, e nënshkruar më 2015, është e qartë, e saktë, profesionalisht e argumentuar dhe e mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Këto komente presidenti Thaçi i ka bërë në konferencën me temën “NATO dhe dinamikat e shteteve të Ballkanit Perëndimor në kohën e sfidave të sigurisë globale". “Çdo pretendim tjetër është vetëm zhagitje, humbje kohë, e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe për të ardhmen euroatlantike", ka thënë presidenti Thaçi.

Përndryshe, deputetët e PDK-së kanë kritikuar dje drejtuesit e Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi se nuk kanë ofruar asgjë të re rreth Demarkacionit përderisa ata të AAK-së kanë kërkuar që Komisioni të mos ngutet me punën e tij.Analistët vlerësojnë se kjo është përçarja e parë e partnerëve të koalicionit qeverisës, shkruan sot gazeta e Prishtinës “Zeri”. 

 

Ushtria e Kosovës në partneritet me NATO-n

Udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore thonë se Kosova shumë shpejt do ta themelojë Ushtrinë e saj, në partneritet me NATO-n. Në konferencën rajonale të sigurisë, me temën, “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, liderët e institucioneve të Kosovës shtruan çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Ndërkaq, përfaqësuesit e NATO-s, ritheksuan rëndësinë që ka ruajtja e paqes në Ballkan, për paqen dhe stabilitetin në gjithë Evropën. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se rruga dhe koha deri te transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e ardhshme nuk është e largët. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se sfidat dhe kërcënimet e sigurisë i tejkalojnë kufijtë e shteteve.

Disa nga sfidat që Kosova i veçon, ka thënë kryeministri Haradinaj, janë terrorizimi global, ndërhyrja e Rusisë në Ballkan, kryesisht përmes luftës informative dhe krimit të organizuar ndërkombëtar. “E për tu përballur me këto sfida, duhen iniciativa të përbashkëta duke respektuar sovranitetin e secilit shtet në mënyrë reciproke”, ka thënë Haradinaj. Konferenca ndërkombëtare, “NATO dhe Ballkani Perëndimor”, kishte si qëllim diskutimet rreth paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit në periudhën e sfidave globale të sigurisë.

 

Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot debatohet për zhvillimet në Kosovë në periudhën tremujore, prej 16 korrikut e deri më 15 tetor të këtij viti. Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili do të shërbejë si bazë për diskutim të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, theksohet, pos tjerash, se lavdërohen “përpjekjet e institucioneve të Kosovës për ta mbajtur ambientin paqësor në periudhën e gjatë të paqartësisë politike pas zgjedhjeve legjislative më 11 qershor”. Në raport theksohet se një pjesë e rëndësishme e realizimit të synimeve është edhe “progresi i qëndrueshëm në normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. “Në dialogun politik Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, “kërkohet vendosmëri në përkushtim dhe pranimi se implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara në vitin 2013 shpeshherë është vonuar”. “Marrëveshjet e nivelit të lartë, ato të vjetrat dhe të rejat, kanë kuptim vetëm nëse mbështeten nga përkrahja me bazë të gjërë dhe aksion nga të dy palët”, thekson raporti.

 

Zaev shpreson për gjetje të zgjidhjes për kontestin me Greqinë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha mbrëmë se shpreson se Shkupi dhe Athina së shpejti mund ta gjejnë zgjidhjen për kontestin e gjatë me dekada lidhur me çështjen e emrit. Greqia argumenton se emri Maqedoni implikon pretendime territoriale ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër dhe për shkak të kësaj çështjeje, i ka bllokuar përpjekjet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zaev tha se shpreson se bisedimet për pranim në Bashkimin Evropian do të fillojnë vitin e ardhshëm. Takimi me palën greke në muajin nëntor, do të jetë i pari prej se Zoran Zaev është kryeministër i Maqedonisë.

 

Për djegien e Ambasadës së SHBA-ve me kusht u dënuan 4 vetë, 3 lirohen

Të akuzuarve për djegien e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd, në vitin 2008, pas protestës, Kosova është Serbi, sot u janë shqiptuar dënime me kusht në Gjykatën e Lartë në Beograd. Me dënim me burg prej gjashtë muajsh me kusht gjatë periudhës prej dy viteve, janë dënuar, Dejan Vuçkoviq, Dragan Marinkov dhe Marko Novitoviq. Me pesë muaj burg me kusht për dy vjet, është dënuar i akuzuari, Millan Tomas. Tre të akuzuar të tjerë janë liruar në mungesë të provave. Ky është vendimi i dytë i shkallës së parë në këtë rast, pasi vendimin e parë vitin e kaluar e ka anuluar një gjykatë e apelit duke kërkuar përsëritjen e procesit gjyqësor. Ata ishin të akuzuar meqë pas mitingut “Kosova është Serbi” para Kuvendit të Serbisë, në mënyrë të organizuar kanë arritur para Ambasadës amerikane dhe kanë hedhur gurë, gjëra të tjera dhe ia kanë vënë flakën ndërtesës së ambasadës. Nga zjarri i shkaktuar ka humbur jetën personi 20 vjeçar, Zoran Vujoviq, nga Novi Sadi. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Ende nuk ka pasur ndonjë reagim ndaj vendimit të sotëm të gjykatës serbe, por diplomatët amerikanë kanë kërkuar vazhdimisht nga Beogradi që të vërë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin mbi ambasadën amerikane.

 

Aksionet ruse e kanë “kërcënuar rendin botëror”

Përpjekjet e Rusisë për të shkaktuar përçarje në perëndim, nuk do të kenë sukses dhe ato tashmë kanë ndikuar që aleatët perëndimorë të punojnë së bashku për ta kundërshtuar përzierjen e Moskës, tha mbrëmë vonë në Londër, kryeministrja e Britanisë, Theresa May. May i ka cituar aksionet aktuale të Rusisë për të cilat ajo tha se “e kanë kërcënuar rendin ndërkombëtar”, duke filluar prej aneksimit ilegal të Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014 e deri te përpjekjet aktuale për shfrytëzimin “e informacionit si armë” nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe rrjedhjeve të informacioneve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. “Mbretëria e Bashkuar do të mbetet pakushte e përkushtuar për ruajtjen e sigurisë së Evropës”, tha Theresa May.

 

Numri i të vdekurve nga tërmeti është rritur

Mijëra njerëz e kanë kaluar edhe natën e dytë në tendat e improvizuara ose nën qiellin e hapur, derisa autoritetet konsiderojnë se nuk ka shpresa për gjetjen e të mbijetuarve eventualë, nga tërmeti i fuqishëm që e ka goditur rajonin afër kufirit Iran-Irak, nga i cili kanë humbur jetën më se 437 njerëz. Ministria e brendshme e Iranit tha dje se në provincën iraniane, Kermanshah, është raportuar për 407 persona të vdekur dhe afro 6,700 të tjerë të plagosur. Agjencitë perëndimore të lajmeve, Reuters dhe AFP, kanë raportuar sot në mëngjes se autoritetet e kanë ndalur pjesën më të madhe të operacioneve të shpëtimit duke thënë se vështirë se mund të gjenden të mbijetuar të tjerë nga tërmeti i pardjeshëm. Në Irak janë vrarë së paku 7 vetë, ndërsa 530 të tjerë janë plagosur, kanë thënë zyrtarët.

 

Nesër mot i vranët dhe më i ftohtë, në veri edhe me borë

Sot në Mal të Zi mban mot i vranët dhe vende vende me reshje të shiut, Frynë erë mesatare deri e fortë jugore dhe lindore. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Tivar e Budvë 15 gradë, Herceg Novi e Ulqin 14, Podgoricë 13, Cetinë 10, Nikshiq e Plavë 6, Plluzhinë, Bijello Pole e Beranë 5, Rozhaj 4, Plevle e Kollashin 3  dhe në Zhablak -2 gradë.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët, në viset qendrore dhe jugore me reshje të shiut, kurse në veri dhe viset e larta malore me borë dhe skllotë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë lindore dhe veri lindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -1 deri në 13, kurse më e larta e ditës prej 1 deri në 17 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se