Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

20. 10. 2017.   >>  17:08 0

Lajmet 20.10.2017

20.10.2017

Mali i Zi anëtari i radhës në UE

Reformat të cilat Mali i Zi i ka realizuar me sukses mund të shërbejnë si shembull dhe model për vendet tjera, deklaroi ish kryeministri i Portugalisë, e kryetar aktual i Komisionit Evropian Hose Manuell Barroso.  Kryeministri i Mait të Zi Dushko Markoviq u takua sot me Barroson në “Global Citizen Forum 2017” i cili po mbahet në Shën Stefan.

Barroso, siç u kumtua nga Qeveria, e uroi kryeministrin malazez për reformat kualitative dhe gjithëpërfshirëse e posaçërisht në procesin e suksesshëm të integrimeve evropiane duke shtuar se nuk ka dilemë se Mali i Zi do të jetë anëtari e radhës e UE. “Reformat të cilat Mali i Zi i ka realizuar jo vetëm se janë të suksesshme por mund të jenë shembull dhe model për vendet tjera”, tha Barroso. Markoviq e informoi Barroson për rezultate e qeverisë në planin e brendshëm dhe të jashtëm si dhe për planet strategjike që kanë të bëjnë me investimet, reformat dhe integrimet për përmirësimin e jetës së qytetareve.

 

I dukshëm avancimi në sundimin e ligjit

Mali i Zi ka realizuar përparim të dukshëm në avancimin e sundimit të ligjit, vlerësuan përfaqësuesit e vendeve anëtare të UE në bisedimet me ministrin malazez për punët  evropiane, Aleksandar Andrija Pejoviq. Pejoviq sot në Bruksel bisedoi me përfaqësuesit e vendeve anëtare të UE në Këshillin për zgjerim, Komisionin evropian dhe të Drejtorisë për punë të jashtme të Unionit. Siç u kumtua nga ministria për punët evropiane, përfaqësuesit e vendeve anëtare të UE shprehën besimin se përparimi i realizuar në reforma do të mundësojë hapjen e Kapitujve të ri në bisedime me UE deri në fund të këtij viti. Pejoviq, i njoftoi bashkëbiseduesit me gjendjen në lëmin e sundimit të ligjit si dhe të gjyqeve, për realizimin e legjislaturës gjyqësore, suksesin e arritur në lëmin e zgjedhjeve, promovimin dhe evaluimit të punës së gjyqtareve dhe prokurorëve.

 

Për forcim të bashkëpunimit të Malit të Zi dhe Francës

Senatorja e Francës Elen Konvej-Mure deklaroi sot se vendi i saj do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në UE, si nga niveli politik ashtu edhe nga ai i ekspertëve. Senatorja franceze sot në Podgoricë u takua me ministrin për punë të jashtme Sërgjan Darmanoviq. “Franca do të vazhdojë të kontribuojë në rrugën e Malit të Zi drejt Unionit Evropian nga pikëpamja politike dhe e eksperteve”, ka deklaruar anëtarja e Senatit francez, Elen Konvej-Mure. 

Senatorja, gjatë bisedimeve edhe me nënkryetarin e Qeverisë, Zoran Pazhin, i ka vlerësuar të rëndësishme aktivitetet që bëjnë dy vendet në drejtim të promovimit të gjuhës franceze, duke pasur parasysh statusin e Malit të Zi në organizatën ndërkombëtare të Frankofonisë. Nënkryetari i Qeverisë Zoran Pazhin e ka falënderuar për përkrahjen e Francës gjatë procesit të anëtarësimit në Aleancën e NATO-s, duke shprehur pritjen se Franca do të vazhdojë të identifikojë përparimin e vendit tonë edhe në proceset e integrimeve evropiane. Me Konvej-Mure bisedoi sot edhe kryetari i kuvendit të Malit të Zi Ivan Brajoviq, i cili bashkëbiseduesen e njoftoi me situatën aktuale politike dhe ekonomike si dhe me përparimet e realizuara në lëmin e integrimeve evropiane.

 

Duke ruajtur Kushtetutën ruajmë identitetin

Kryetari i Parlamentit Ivan Brajoviq në mbledhjen solemne të Kuvendit të Malit të Zi, në Cetinë, me rastin e dhjetëvjetorit të sjelljes së Kushtetutës, ka deklaruar se Kushtetuta është mbrojtëse e qytetarit dhe shtetit të vet.  Duke ruajtur Kushtetutën ruajmë edhe vetën, të afërmit tanë, identitetin dhe kulturën tonë. Pa kushtetutë jemi pa drejtësi, pa drejtësi jemi pa dinjitet, pa dinjitet jemi pa identitet, ka thënë Brajoviq. Ai ka rikujtuar Kushtetutën e parë e Malit të Zi në fillimin e shekullit të kaluar dhe atë që është sjellë pas Luftës së Dytë Botërore, si përparime të zhvillimit të kushtetutshmërisë në Mal të Zi, kurse më pastaj ka përmendur disa nene të kushtetutës, jubileu i të cilës shënohet sot. Për të parën herë formalisht është futur gjuha malazeze që ka rëndësi të jashtëzakonshme për identitetin dhe simbolet e Malit të Zi, ka vlerësuar Brajoviq, duke shtuar se liria dhe pavarësia e Malit të Zi janë diçka që nuk guxohet të vihen në pikëpyetje.  Në mbledhjen solemne kanë folur edhe ish kryetari i gjykatës kushtetuese, Mlladen Vukçeviq, dhe një nga anëtarët e Këshillit kushtetues të Kuvendit kushtetues, Miodrag Vukoviq. Vukçeviq ka vlerësuar se kushtetuta gjatë dekadës së fundit është treguar si bazë e mirë për të drejtën ndërkombëtare dhe për ligje që bazohen në trashëgiminë juridike evropiane. Nuk është para kohe që të zhvillohet dialogu mbi kushtetutën, sepse ky është dialog mbi demokratizimin e shoqërisë malazeze ka thënë Vukçeviq, kurse Vukoviq ka rikujtuar se para dhjetë vjetësh është bërë zgjedhja midis konceptit qytetar dhe nacional. Duhet ta zhvillojmë shoqërinë qytetare me kapacitete të plota, duke punuar për realizimin e asaj që ka mbetur, dhe ka mbetur mjaft, ka vlerësuar Vukoviq.

 

Do të doja që FD të kthehet në parlament

Kryetari i Kuvendit Ivan Brajoviq ka përshëndetur vendimin e deputetëve të Frontit Demokratik (FD) që të marrin pjesë në orën e kryeministrit, javën e ardhshme. Brajoviq ka thënë se, në ndërkohë, mund ta kuptojë se kthimi i Frontit Demokratik në Kuvend, në kuadër të Orës së kryeministrit, mund të ketë domethënien e ndërprerjes së përhershme të bojkotit të tyre të mbledhjeve të Kuvendit. Të rikujtojmë se një nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, ka kumtuar dje se në orën e kryeministrit të mërkurën e ardhshme, nga kryeministri Markoviq do të kërkojë përgjigje në pyetjet lidhur me vazhdimin e përndjekjes së Frontit Demokratik.

 

Filloi kontrolli në prag të zgjedhjeve lokale

Agjencia për pengimin e korrupsionit ka filluar kontrollin e financimit të fushatës zgjedhore dhe respektimin e ligjit në prag të zgjedhjeve lokale të caktuara për me 26 nëntor të këtij viti.

Agjencia ka filluar të ndërmarrë aktivitete në terren, me qëllim të kontrollit detaj dhe gjithëpërfshirës të financimit të fushatës zgjedhore dhe mbikëqyrjen e respektimit e dispozitave ligjore për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në Cetinë, dhe komunat Mojkovac, Petnjicë dhe Tuz, komunë në kuadër të kryeqytetit. Ajktiviteti i parë në terren me qëllim të mbikëqyrjes për respektimin e dispozitave ligjore për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore, Agjencia e ka ndërmarrë në QKI “Malësia”, kurse kontrolli i ardhshëm është caktuar në lokalet e Komunës së Tuzit, si komunë në kuadër të kryeqytetit.

 

E ftuan Qeverinë për pagesën e kompensimeve

Ekipi bashkëbisedues i ish punëtorëve pensionit të Kombinatit të Aluminit në Podgoricë (KAP), e ka ftuar Qeverinë që menjëherë tu paguajë kompensimet që u takojnë, duke pasur parasysh vendimin e gjyqit të shkallës së parë, të Gjyqit themelor, të sjellur në favor të të ish punësuarve të KAP-it.  “Poashtu, kërkojmë që të përfundojë agonia e mëtejme e punëtorëve dhe Qeveria të heqë dorë nga procesuimi i ankesave dhe prolongimit të mëtejmë të vendimit gjyqësorë, sepse kjo do të shkaktonte shtim të ngarkesës financiare për shtetin dhe qytetarët, në bazë të shpenzimeve gjyqësore të pagesës edhe të kamatave”, ka thënë një nga ish punëtorët e kësaj kompanie për agjencinë Mina Bussines. Ai ka theksuar se kërkojnë takim urgjent me kryeministrin Dushko Markoviq, me qëllim të arritjes së marrëveshjes dhe plotësimit të kërkesave të tyre.

 

Ka mundësi të përhapet fruthi edhe në Mal të Zi

Ekziston mundësi reale që epidemia e fruthit të përhapet edhe në Malin e Zi, ka tërhequr vërejtjen drejtori i Instituti për shëndetin publik, Boban Mugosha. Përfshirja e fëmijëve në imunizim ka rënë nga 95 në 65 për qind, kurse Mugosha apelon tek prindërit që të kryejnë vaksinimin e fëmijëve. Epidemia e fruthit, pas Rumanisë, Austrisë dhe Maqedonisë, ka arritur deri në Kosovë. Viktima e parë në Kosovë është një fëmijë i pavaksinuar, kurse në Rumani ka pasur rreth 40 raste vdekjesh. Fruthi para futjes së vaksinimit, siç kanë thënë më parë nga instituti për shëndet publik, ka qenë përgjegjës për vdekjen e më shumë se 2 milionë e gjysmë  fëmijë gjithandej nëpër botë, kurse prej futjes së vaksinës sot ky numër në nivel vjetor është 134 mijë. Mugosha thotë se fushata negative kundër vaksinës MMR, që bazohet në deklarata të njerëzve jokompetentë se vaksina shkakton autizëm, ka sjellë rënien e imunizimit. Për këtë arsye apeloj tek prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët, ka thënë Mugosha, duke shtuar se më mirë të dëgjohen ekspertët e kësaj fushe. Ai thotë se gjatë dhjetë viteve të fundit janë regjistruar 32 raste të fruthit në Mal të Zi. Që të shpallet epidemia duhet të kemi disa raste të lidhura. E nëse kjo ndodhë nuk do të hezitojmë që ta shpallim, ka thënë Mugosha.

 

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, javën e ardhshme

Zyra e Presidentit të Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se të martën e javës së ardhshme do të bëhet dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga pjesa veriore e Kosovës. “Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të bëhet të martën, më 24 tetor 2017”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës. Në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës, gjithashtu është thënë se me aktin e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga veriu i Kosovës, bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi, që ishte arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

Thaçi priti sot shefin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Alojz Peterle, me të cilin bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë këtë të diel. Thaçi falënderoi për gatishmërinë e BE-së për të monitoruar zgjedhjet lokale, për të cilat Presidenti është shprehur i bindur se do të zhvillohen në një frymë demokratike. Nga ana tjetër, shefi i Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Alojz Peterle ka theksuar se vëzhguesit e BE-së do të jenë të shpërndarë në të gjithë Kosovën, për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale. Presidenti Thaçi iu ka dhënë mbështetje të plotë vëzhguesve të BE-së për punën e tyre në monitorimin e këtyre zgjedhjeve.

 

Kosova duhet të ndryshojë

Ambasadori amerikan Greg Delawie, në një intervistë për RTV Kim ka folur për zgjedhjet lokale në Kosove, duke thënë që është i shqetësuar për presionin në veri të vendit.  Ai ka thënë që do të donte të shihte më shumë konkurrencë të kandidatëve nga komuniteti pakicë në Kosovë. Përkundër gjithçkaje, ai pret që të dielën të kemi zgjedhje të ndershme. “E di që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me ndihmën e OSBE-së në ditën e zgjedhjeve do të punojnë shumë për të siguruar zbatimin e të gjitha ligjeve dhe rregulloreve” ka thënë Delawie. Delawie ka folur edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, për të cilin tha se buron nga pakoja e Ahtisarin dhe se e mbështet, si dhe për transformimin e FSK-se me ç’rast tha që “fuqimisht e përkrah këtë ndryshim”. Përndryshe, sot në mesnatë përmbyllet fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 22 tetor. Tashmë nga mekanizmat që e përcjellin këtë fushatë është gjithçka gati ku më shumë se 200 kandidatë garojnë për kryetarë komunash.

 

 

Po presim Qeverinë e Kosovës të na lejojë investimet

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, i cili përfaqëson Kompaninë “Envidity”, ka deklaruar se është në pritje të vendimit të institucioneve të Kosovës për lejimin e investimeve në fushën e në fushën e mineraleve energjetike . Komentet e tij, Clark i ka bërë për Radion Evropa e Lirë gjatë qëndrimit në Mal të Zi, ku ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga Forumi Global i Qytetarëve. Ai ka thënë se në Kosovë janë kryer disa punë fillestare sa u përket investimeve në fushën e burimeve të qymyrit, por nuk ka ende vendim të institucioneve. “Kemi bërë disa investime në Rumani, kam qenë në Bullgari kemi biseduar me njerëzit atje për disa punë e po kërkojmë një mundësi për investime edhe ne Mal të Zi, po ashtu”, ka deklaruar ai.Në fund të shtatorit të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës pati shtyrë miratimin e kërkesës së Qeverisë së Kosovës për ta pajisur me licencë Kompaninë “Envidity Energy Kosova”, për hulumtimin e mineraleve energjetike në Kosovë.

 

Prokuroria kërkon arrestimin e Tahirit

Në Shqipëri Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga parlamenti autorizim për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, ish ministër i Brendshëm, si dhe autorizimin për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës”. Sipas Prokurorisë kërkesa bazohet në të dhënat e përftuara nga hetimet që ajo vetë ka kryer së bashku me autoritetet italiane, lidhur me organizatën italo-shqiptare që kryente trafik të lëndëve narkotike, ku janë të përfshirë dhe dy vëllezërit Habilaj, të afërm të Sajmir Tahirit, emri i të cilit përmendet disa herë në përgjimet e bisedave të tyre.  Kërkesa e Prokurorisë shqiptare pason goditjen në Itali tre ditë më parë të grupit kriminal italo-shqiptar, ku bënin pjesë dy vëllezërit Habilaj. Vëllezërit Habilaj rezultojnë të kenë lidhje faresfisnore me ish ministrin Tahirin.  Tahiri shpjegoi dy ditë më parë se Habilajt ishin kushërinj të tij “të gradës së dhjetë” dhe se kishin abuzuar duke përmendur emrin e tij, ndërsa tha se përveç rastit të shitjes së autoveturës së tij, ai nuk ka patur dhe nuk ka me ta “asnjë raport, aq më pak të paligjshëm”. Ish ministri deklaroi se do të kërkonte nga Prokuroria një hetim të plotë ndaj tij dhe punës së tij.

 

Sinjalet pozitive të kancelares gjermane për bisedimet e BREX-it

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një takim të nivelit të lartë të UE-së, ka mbështetur dukshëm kryeministren, Theresa May, dhe ka thënë se, bisedimet për Brexit po shkonin përpara dhe se nuk ka gjasa të ndërpriten. "Ndryshe nga siç është paraqitur në shtypin britanik, përshtypja ime është që këto bisedime po ecin përpara hap pas hapi", tha Merkel në një konferencë ,duke hedhur poshtë sugjerimet "absurde", siç tha ajo, që bisedimet duhet të ndërpriten. "Unë nuk kam asnjë dyshim se nëse jemi të gjithë të fokusuar ... mund të kemi rezultate më të mira. Nga ana ime nuk ka indikacione se këto bisedime nuk do të jenë të suksesshme", tha ajo. Unioni Evropian, po kërkon një përkushtim të qartë të Britanisë ndaj obligimeve financire për dalje nga UE.

 

Fletarrest për 110 të dyshuar për orkestrimin e puçit në Turqi

Autoritetet turke kanë lëshuar fletarrestet për 110 vetë nga një kompani, e dyshuar se ka lidhje me klerikun e SHBA-së, të cilin Ankaraja thotë se orkestroi puçin e vitit të kaluar, njofton agjensia e lajmeve Dogan. Agjencia raportoi se operacioni i policisë për të kapur të dyshuarit, të cilët ishin menaxherë, partnerë dhe punonjës të grupit botues Kaynak Holding ishte i fokusuar në Stamboll, por u përhap edhe në 24 krahina.

 

BE-ja kundërshton projektin rus të gazit në Gjermani

Disa udhëheqës të Bashkimit Evropian kanë kundërshtuar planin e Rusisë për të ndërtuar një tubacion të gazit në Gjermani, gjatë diskutimeve në një samit në Bruksel. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se blloku ishte i ndarë në këtë çështje dhe nuk ndërmori asnjë veprim. Diplomatët e BE-së thanë se krerët e Polonisë, Lituanisë, Danimarkës dhe Letonisë, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth tubacionit “Nord Stream 2”,i cili parashikohet të kalojë nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik. Vendet e Europës Lindore dhe të Detit Baltik kanë shprehur shqetësimin se projekti do të forconte shtrirjen e Moskës duke rritur mbështetjen evropiane në gazin natyror rus. Debati i BE-së mbi projektin diskutabil erdhi pasi presidenti rus, Vladimir Putin, u ankua për sanksionet e miratuara kohët e fundit nga SHBA, të cilat kërkojnë ndëshkime për kompanitë evropiane që marrin pjesë në projektn “Nord Stream 2” dhe projekte të tjera ruse të energjisë në Evropë.

 

Lavrov skeptik rreth bisedimeve për siguri me SHBA-në

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se bota nuk duhet të presë "rezultate të konsiderueshme në të ardhmen " nga bisedimet strategjike të stabilitetit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në fjalimin e tij në konferencë në Moskë, Lavrov po ashtu përshkroi situatën rreth Traktatit të Forcave Bërthamore të Mesme (INF) si një "bllokim", në të cilin Uashingtoni po "refuzon të sqarojë" pretendimet e tyre se Rusia ka shkelur traktatin. Ai tha se Moska kishte shqetësimet e veta në lidhje me shkeljet e mundshme të SHBA-së dhe akuzoi Uashingtonin se po " heshtë" në lidhje me "pandershmërinë" e vet. Komentet e Lavrov vijnë një ditë pas komenteve të ngjashme të bëra nga Presidenti rus, Vladimir Putin, në qytetin turistik të Soçit në Detin e Zi. Lavrov tha gjithashtu se Rusia ishte "skeptike" për dobinë e bisedimeve të mëtejshme dypalëshe me Shtetet e Bashkuara në formatin e Traktatit të Reduktimit të Armëve Strategjike (START).

 

Përleshjet e ushtrisë irakiane dhe forcave kurde

Ushtria e qeverisë irakiane u përleshën me luftëtarët kurdë Peshmerga. Përplasja e sotme në afërsi të qytetit Altun Kupri, në pjesën më veriore të provincës Kirkuk, ndodhi në një autostradë kryesore rreth 50 kilometra në jug të Irbilit, kryeqytetit të rajonit autonom kurd të Irakut. Luftimet erdhën tre javë pasi rajoni kurd mbajti një referendum të pavarësisë që Bagdadi e ka shpallur të paligjshëm. Votuesit në rajonin autonom kurd dhe zonat e diskutueshme kurde, mbështetën ndarjen nga Irani në votimin e 25 shtatorit. Kryeministri Haidar al-Abadi, thotë se forcat irakiane po lëvizin në zonat problematike të Irakut në veri, në mënyrë që të "mbrojnë unitetin" e vendit. Sipas Bagdadit, luftëtarët Peshmerga po tërhiqen nga pjesë të tjera të Irakut, në ditët e fundit përpara mbërritjes së trupave qeveritare.

 

“Koha Javore”- numri i ri

Doli nga shtypi numri i ri i të përjavshmes “Koha Javore” ku përveç ngjarjeve më të rëndësishme të javës që po lëmë pas mund të lexoni: Në rubrikën opinione dhe vështrime: artikullin e Qani Osmanit “Partitë politike dhe fraksionet”, Frank Shkrelit “Ideologjia që shënoi krime të tmerrshme”, Toni Ujkajt “Mungesa e tregjeve të jashtme ndëshkon prodhuesit vendas”. Në kulturë Nikollë Berishaj sjellë shkrimin “Elbasanishtja si model i duhur për gjuhën e njënjëshme letrare shqipe”, Bajram Sefaj “Poeti i dy popujve fqinj”, Ron Salaj “Kultura në një krizë shoqërore”, Asllan Bisha “Zëri i detit, zëri i Hajro Ulqinakut”, Zija Vukaj “Maska si ligj i ri i shoqërisë së sotme”, Ismail Doda, përmbledhje me peshë në historinë e folkloristikës shqiptare”. Ky numër i kohës boton edhe vazhdimin e pestë të fejtonit të Nail Dragës “Vendimet arbitrare të fuqive të mëdha”, si dhe artikuj të tjerë.

 

Edhe nesër mot kryesisht i kthjellët

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i kthjellët. Temperaturat në orën 14 u shënuan: Podgoricë e Ulqin 24 gradë, Tivar 23, Herceg Novi e Plevle 22, Kollashin 21, Nikshiq 20, Cetinë 19 dhe në Zhablak 18 gradë. Për nesër pritet mot kryesisht i kthjellët, ose me vranësira të pakta deri mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 1 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 17 deri në 25 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se