Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

18. 10. 2017.   >>  17:00 0

Lajmet 18.10.2017

18.10.2017

Vendimi paraqet urdhëruesin, mbroja paralajmëron ankesë

Deputeti i Frontit Demokratik (FD), Millan Knezheviq deklaroi sot se vendimi gjyqësor, sipas të cilit është dënuar me 7 muaj burg sepse me 17 tetor të vitit 2015 e sulmoi fizikisht policin Milan Markoviq para Kuvendit të Malit të Zi, tregon qartë se kush ishin urdhëruesit e shpërndarjes së protestës. “Vendimi i sotëm gjyqësor për rezistencën jo të dhunshme nga shpërndarja e protestave tona paqësore në Bulevardin e Shën Pjetrit të Cetinës, tregon shumë qartë se kush ishin urdhëruesit e shkatërrimit të këtyre protestave dhe se ata ia diktuan gjyqtarit Gjukoviq këtë vendim gjyqësor”, tha Knezheviq. Ai thotë se një vendim i tillë nuk do ta lëkund, sepse, siç tha ai do ta vazhdojë luftën e tij politike dhe juridike jo vetëm për këtë rast por edhe për raste tjera që janë të njohura për opinionin publik malazez, tha Knezheviq.

Aksionet e policisë, të suksesshme

Ministri i punëve të brendshme Mevludin Nuhoxhiq, ka vlerësuar se aksionet e deritashme në luftën kundër kriminalitetit të organizuar janë të suksesshme. “Policia, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera shtetërore, do të bëjë luftë edhe më të fortë dhe më të fuqishme kundër kriminalitetit të organizuar”, ka thënë Ministri i brendshëm. Gjatë këtij muaji, policia ka bërë disa aksione në bregdet, gjatë të cilave prej të ashtuquajturve pjesëtarët e klaneve kriminale janë marrë armatime, para, automobila, dokumente. Në këto aksione janë shoqëruar edhe disa persona. “Aksionet e fundit të policisë tregojnë për efikasitetin dhe vendosmërinë e shtetit dhe Drejtorisë së policisë kundër kriminalitetit të organizuar. Këto aktivitete do vazhdojnë edhe me fuqi, vendosmëri dhe intensitet më të madh, natyrisht në bashkëpunim edhe me institucionet tjera shtetërore, prandaj mendoj se do të kenë efektin e vet të plotë”, ka thënë Nuhoxhiq. 

Vendkalimi kufitar më modern deri në fund të vitit

Vendkalimi kufitar “Bozhaj”, ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, do të rikonstruohet dhe modernizohet deri në fund të vitit, paralajmëroi Ministri për punë të brendshme, Mevlludin Nuhoxhiq. Për rikonstruimin e këtij vendkalimi kufitar, UE ka siguruar një milion euro. Nuhoxhiq dhe drejtoresha për Ballkanin perëndimor në Drejtorinë e përgjithshme për politikën fqinjësore dhe bisedimet për zgjerim, Henoveva Ruiz Kalavera, vizituan sot punimet në këtë vendkalim kufitar i cili financohet me mjete të UE. Ministri malazez e falënderoi UE që përmes disa projekteve po ndihmon në përmirësimin e infrastrukturës në vendkalimet kufitare. “Ndërtimi i vendkalimit të përbashkët kufitar është me një rëndësi shumë të madhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve edhe ashtu të mira me Shqipërinë, por paraqet edhe kontribut në afrimin me UE” deklaroi Nuhoxhiq. Punimet në modernizimin e këtij vendkalimit kufitar në Bozhaj janë të ndara në tre pjesë; ndërtimi i objektit, të shpedicionit dhe sanimi i grykës kritike. Sipas fjalëve të Nuhoxhiq, deri tani kanë përfunduar rreth 80 përqind të punëve, ndërkohë që administrimi kualitativ i kufirit, sipas fjalëve të ministrit, është një nga projektet më të rëndësishëm dhe më të kërkueshëm.

Nesër mbledhja e parë e Grupit punues

Mbledhja e parë e Grupit punues i cili do të analizojë zbatimin e legjislaturës zgjedhore, do të shqyrtojë dhe propozojë mënyrën e implementimit të rekomandimeve të OSBE-së, do të mbahet nesër në parlamentin e Malit të Zi. Këtë grup punues e formoi Kolegiumi i kryetarit të Kuvendit, në të cilin gjenden vetëm përfaqësuesit e Koalicionit në pushtet ndërsa mungojnë ata të opozitës. Grupi punues në bazë të Raportit përfundimtarë të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR  për zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 16 tetor në vitin e kaluar, do të shqyrtojë dhe propozoj mënyrën e implementimit të rekomandimeve nga ky Raport. Me grupin punues kryeson deputetja Marta Shqepanoviq ndërsa anëtarë janë edhe Miodrag Vukoviq, Predrag Sekuliq, Zhelko Aprcoviq, Jovanka Llalliçiq, Millosh Nikoliq, Daniell Zhivkoviq, Miqo Orllandiq dhe Genc Nimanbegu. Parashihet që ky grup punues të shfrytëzojë njohurit e ekspertëve të OSBE-së dhe të organizatave tjera relevante ndërkombëtare.

OSBE  të jetë i kujdesshëm gjatë bisedimeve me Brajoviq

Partia Socialiste Popullore (PSP) i ftoi përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së që të jenë të kujdesshëm gjatë vazhdimit të bisedimeve me kryetarin e Parlamentit Ivan Brajoviq, sepse, siç thanë ata, partia e tij është shembull i punësimit partiak. “Partia në krye të të cilës është Brajoviq është shembull i shpenzimit joligjor të mjeteve buxhetore dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore për qëllime parazgjedhore”, kumtuan nga PSP. Siç theksojnë ata, kur PSP të jetë pjesë e pushtetit të ri, do të përpiqen që ti zbulojnë të gjitha keqpërdorimet e partive satelitore si edhe të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) ndërsa u rekomanduan Socialdemokratëve që të ndërpresin praktikën e manipulimeve.

E keqja më e madhe është se ata kërkojnë shpëtim jashtë Malit të Zi

Qëndrimi i opozitës qytetare se nuk do të bisedojnë me partinë në pushtet pa ndërmjetësimin e OSBE-së, është manipulim i ri i këtyre partive opozitare, vlerëson deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), Miodrag Vukoviq. Pas takimit të “liderëve të opozitës qytetare”, kryetari i Partisë Socialiste Popullore (PSP), Vlladimir Jokoviq deklaroi se këto parti nuk do të bisedojnë drejtpërdrejtë me PDS pa ndërmjetësim të OSBE-së. Vukoviq thotë se “gjëja më e keqe nga e gjitha është tentimi i tyre që shpëtimin ta kërkojnë jashtë Malit të Zi në manipulimin e tyre enormë, se për dialog nevojitet që dikush tjetër të jetë mediator”.

Është e qartë de dialog do të ketë

“Sulmet e ndërsjella të liderëve të opozitës, e cila as pas një viti të zgjedhjeve parlamentare nuk ka strategji të përbashkët, dëmton situatën politike, edhe ashtu të vështirë në vend”, vlerësoi Drejtori programor i Aleancës qytetare Boris Raoniq. “Edhe pse e kanë të qartë se vetë nuk mund të fitojnë 51 për qind të mandatave dhe se janë në dijeni se ku realisht mund ta arrijnë qëllimin, ata vazhdojnë që të insistojnë në sulme jo serioze të ndërsjella” konsideron Raoniq. Si fakt interesant ai thekson se figurat e rëndësishme në skenën politike vendore, retorikën e ashpër e zbusin vetëm pas takimit me bashkësinë ndërkombëtare, e pastaj ftojnë në dialog dhe në mes të rreshtave ofrojnë lëshime. “Deri te dialogu do të vijë, kjo është e qartë, por ky nuk do të jetë dialog por bisedime klasike”, deklaroi Raoniq.

Nuk duhet të hapet Kapitulli i 27 derisa të mos mbrohet Kriporja

Gjendja në kriporen e Ulqinit është gjithnjë më rëndë, ndërsa Qeveria me vullnetin shumë të vogël të vetë politik mund ta mbrojë, vlerësoi ish ambasadorja e Gjermanisë në Podgoricë, Gudrun Shtajnaker e cila thotë se nuk duhet të hapet Kapitulli 27 derisa të mos mbrohet ky rajon. Shtajnaker, e cila është edhe themeluese e shoqatës dr. Martin Schneider Jacoby, në konferencën për media të “Koalicionit 27”, të cilin e përbëjnë 20 organizata joqeveritare ekologjike, tha se kriporja e Ulqinit në Evropë dhe jashtë saj, është e njohur si vend i veçantë i biodiversitetit. Ajo konsideron se Qeveria ka bërë shumë pak që ta mbrojë këtë rajon.

Kontrata do të ketë benefite të rëndësishme për ekonomin malazeze

Nënshkrimi i pjesës së dytë të kontratës financiare mes Fondit për investim dhe zhvillim dhe Bankës evropiane për investim, në shumë prej 50 milion euro, sipas fjalëve të përfaqësuesve të tyre, do të ketë benefite të rëndësishme për ekonominë malazeze e posaçërisht në luftën kundër papunësisë së të rinjve. Shefi i zyrës për Ballkanin perëndimor të Bankës evropiane, Matteo Rivellini, tha se me kontratë duan që të luftojnë një nga aspektet negative që ekziston në Mal të Zi, e kjo është shkalla e lartë e papunësisë e theksuar tekë të rinjtë. Pjesa e parë e kontratës financiare me Bankën evropiane për investim është nënshkruar me 20 mars dhe është realizuar në tërësi. 

“UE e gatshme të ndihmojë Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz”

Shefja e Zyrës së UE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka deklaruar se trafikimi me qenie njerëzore është një industri miliardëshe që prek shoqëritë në mbarë botën. “BE dëshiron të ndihmojë Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz duke ndarë me Kosovën përvojën dhe ekspertizat me mjete të ndryshme. UE ka financuar një projekt 1 milion ku ofron trajnime për policët prokurorët, gjyqtarët për luftimin e trafikimit me njerëz. Çrrënjosja e trafikimit është proces i rëndë ku duhet të kalojë nëpër disa faza si baza gjinore, luftimi i varfërisë, e veprime tjera”, u shpreh Apostolova.  Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur rreth luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore. Ai ka thënë se parandalimi i këtij krimi duhet të bëhet duke përdorur të gjitha mjetet ligjore. “Së bashku, Kosova dhe UE, e vërtetojmë përkushtimin për luftimin e këtij lloji të krimit, pikërisht në ditën e kundër trafikimit me qenie njerëzore”, tha Haradinaj. Sipas tij, që kjo të ketë sukses, duhet të ketë bashkëpunim profesional me të gjitha institucione, organizatat joqeveritare, si dhe bashkëpunim me vendet fqinje dhe vendet e UE.

Shtyhen tri seanca të gjykimit të Fatmir Limajt

Tri seanca të gjykimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës Fatmir Limaj për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre janë anuluar. Lajmin për anulim të tri seancave që ishin paraparë për tri ditë rresht e konfirmoi Sevdali Zejnullahu, avokati i Shpëtim Telakut, të akuzuarit tjetër të këtij procesi gjyqësor. Zejnullahu tha se ka pranuar e-mail nga gjykata në të cilin thuhej se shqyrtimi gjyqësor që parashihej të mbahej në datat 18, 19 dhe 20 tetor është anuluar, pa dhënë ndonjë arsye. Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka. Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Jabllanoviq paralajmëron publikimin e disa dëshmive për Listën Serbe

Raportimi për rrahjen e disa aktivistëve të Listës Serbe dje në Leposaviq, i ka hedhur poshtë ish-ministri, njëherësh kryetari i Partisë Serbe të Kosovës (PKS), Aleksandër Jabllanoviq. Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se PKS-ja dënon me forcë gjuhën e urrejtjes si dhe metodat e kërcënimeve e shantazheve të përdorura nga “Lista Srpska”. Sipas tij, planin i partisë së Goran Rakiqit është që ta bëjë veriun e Mitrovicës “strehë për kriminelët”. Jabllanoviq ka paralajmëruar se do t’i dërgojë disa dëshmi të gjitha partive politike në Kuvendin e Serbisë për veprimtarin kriminale të “Srpskas” në Kosovë. Ndryshe, dje në media është raportuar se aktivistes e Listës Serbe janë rrahur në Leposaviq derisa futeshin në selinë e tyre të zgjedhjeve. 

Gjithçka gati për ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë

Zgjedhjet lokale kosovare, të 22 tetorit janë afruar ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  (KQZ) është duke i bërë të gjitha përgatitjet. Zëdhënësi i Komisionit Qendror  të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka thënë se tashmë janë përmbyllur pothuajse të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve. “Materialet sensitive dhe jo sensitive do të shpërndahen sipas planifikimeve në Planin Operacional”, ka thënë Elezi. Ai ka shtuar se KQZ sot do të mbajë një mbledhje ku pritet të përcaktohen oraret e daljes në konferenca për media si dhe do të miratohet mënyra e raportimit elektronik të rezultateve preliminare në ditën e zgjedhjeve. Partitë së bashku me kandidatët për kryetarë të komunave kanë edhe dy ditë kohë për t’i shpalosur programet e tyre qeverisëse. Fushata mbyllet të premten ndërsa të shtunën ka heshtje parazgjedhore.

Rama, përgjegjës kryesorë i krimit në Qeveri, thotë opozita

Opozita kërkon largimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit me Qeverinë, krijimin e një qeverie të antimafias dhe reformës zgjedhore me mandat të përcaktuar që të çojë vendin drejt zgjedhjeve për të rivendosur legjitimitetin. Qëndrimin e përbashkët Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e mbajtën edhe përpara mediave, pas takimit me partitë opozitare parlamentare dhe jo parlamentare, që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta. Opozita, e cila shpalli sot krijimin e Frontit të Bashkuar Opozitar kundër krimit, shpreh gjithashtu mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi, për të siguruar dekriminalizimin e politikes dhe ndëshkimin e drejtuesve të lartë të shtetit të implikuar në afera korruptive, pasuruar në mënyrë të paligjshme, të lidhur me krimin e narkotrafiqet. Opozita i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjentisht hetimin për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane dhe të tjerë, të kryejë të gjithë veprimet e nevojshme për të vënë para drejtësisë të gjithë individët e implikuar në trafikun e drogës dhe të armëve. Gjithashtu, të hetojë edhe lidhjet e ministrave të tjerë të kësaj Qeverie me trafiqet dhe implikimin e tyre në bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës më 25 qershor. “Fronti i Bashkuar Opozitar kërkon largimin e Kryeministrit Rama, përfitues i drejtpërdrejt nga krimi dhe ministrat e tij të lidhur me krimin, si dhe krijimin e një qeverie antimafia”.

SHBA mbështesin Greqinë të rimëkëmbet nga kriza

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbështesin Greqinë, ndërsa ky vend rimëkëmbet nga kriza ekonomike. Presidenti Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin grek Alexis Tsipras. Pas takimit, të dy udhëheqësit mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Trump tha në konferencën e shtypit se të dy krerët diskutuan mbi mbrojtjen, energjinë, ekonominë dhe tregtinë. Trump vlerësoi Greqinë për shpenzimet e saj në fushën e mbrojtjes si anëtare e NATO-s dhe tha se Shtetet e Bashkuara mund t’i shesin Athinës avionë luftarakë F-16, me një vlerë prej 2.4 miliardë dollarësh, një veprim që sipas Presidentit do të krijonte mijëra vende pune në Shtetet e Bashkuara. Nga ana e tij, Kryeministri Tsipras tha se vendi i tij ka bërë përparime ekonomike, dhe se bashkëpunimi i Greqisë me Shtetet e Bashkuara po bëhet “gjithnjë e më i rëndësishëm”.

Spanja kërcënohet me pezullim autonomie në Kataloni

Spanja do të pezullojë autonominë e Katalonjës nëse udhëheqësi i rajonit nuk heq dorë nga përpjekjet për pavarësi, tha të mërkurën zëvendëskryeministrja e vendit. Nëse udhëheqësi separatist Carles Puigdemont, nuk siguron një përgjigje të kënaqshme deri në ora 08:00 të enjten, ai do të provokojë zbatimin e nenit 155 të kushtetutës, ka thënë Soraya Saenz de Santamaria. Kjo dispozitë e kushtetutës që nuk është përdorur asnjëherë më parë, do t'i hapte rrugë Madridit që të vendos sundim direkt mbi rajonin gjysmë autonom. Përdorimi i kësaj dispozite mund të ndikojë në përshkallëzim të krizës politike më të rëndë që është përballur Spanja në dekada. Katalonja ka mbajtur referendumin për pavarësi nga Spanja më 1 tetor. Lideri katalanas, Puigdemont i hapi rrugë pavarësisë pasi 90 përqind e atyre që morën pjesë në referendum, votuan pro pavarësisë.

Dorëhiqet ministrja e Brendshme e Portugalisë, pas zjarreve vdekjeprurëse

Ministrja e Brendshme e Portugalisë, Constanca Urbano de Sousa, ka dhënë dorëheqje të mërkurën, pas zjarreve që vranë më shumë se njëqind njerëz gjatë muajve të fundit. Ministria e Brendshme është përgjegjëse për zjarrfikësit, policinë dhe agjencinë e mbrojtjes civile, që janë përballur me kritika pas zjarreve. "Nuk kisha kushte politike dhe personale për të vazhduar në postin tim", ka thënë në letrën e saj të dorëheqjes ministrja Sousa. Kryeministri Antonio Costa, ka thënë përmes një kumtese se ai ka pranuar dorëheqjen e ministres. Qindra zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Portugalinë veriore dhe qendrore që nga e diela, pas verës më të thatë në gati 90 vjet, duke vrarë të paktën 41 vetë. Zjarret e këtij viti kanë djegur në total 350,000 hektarë tokë.

Bie Raka, kryeqyteti i Shtetit Islamik

Forcat Demokratike Siriane (FDS)  të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, njoftuan se kanë marrë nën kontroll pjesët e mbetura të Rakës, që shërbente si kryeqytet i Shtetit Islamik. Një zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane, të përbëra nga luftëtarë kurdë dhe arabë, u tha gazetarëve se luftimet në Raka kanë përfunduar. Organizata Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, me seli në Britani, po ashtu njoftoi se Raka është çliruar. Luftëtarët e FDS-së sulmuan një stadium, që ishte baza e fundit e Shtetit Islamik në qytet, pasi kishin marrë më parë nën kontroll një spital, që po ashtu, shërbente si komandë e Shtetit Islamik. Ofensiva për dëbimin e Shtetit Islamik nga Raka filloi në qershor dhe u mbështet me sulme ajrore nga koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara. Shteti Islamik vazhdon të kontrollojë rajonet përreth Deir el-Zour-it dhe zona të tjera më në jug në luginës së lumit Eufrat.

Edhe nesër mot i ngjashëm

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët deri me vranësira të pakta. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut.

Temperaturat e shënuara në orën 14 ishin: në Podgoricë 27 gradë, Ulqin, Tivar e Budvë 24, Cetinë, Nikshiq, Plevle e Beranë 23, Kollashin e Bijello Pole 22, Plavë 21, dhe në Zhablak 19 gradë.

Edhe për nesër meteorologët paralajmërojnë mot kryesisht të kthjellët, deri me vranësira të pakta. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 2 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 18 deri në 27 gradë celsius.

 

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se