Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

17. 07. 2017.   >>  19:20 0

Lajmet 17.07.2017

17.07.2017

Zjarret në territoret e Podgoricës janë nën kontroll, por jo edhe disa tjerë në bregdet

Në pjesën jugore dhe qendrore të Malit të Zi, zjarrfikësit po luftojnë me flakët e zjarrit, të cilat, për shkak edhe të erërave të forta po rrezikojnë shtëpitë dhe banorët. Për shkak të situatës së krijuar nga stuhia e zjarrit në Llushtica janë evakuuar qindra banorë, madje disa shtëpi edhe janë shkrumbuar plotësisht. Evakuimi i banorëve është bërë me ndihmën e Ushtrisë, Marinës dhe të Njësisë së lundrimit të Budvës. Vatra e zjarrit ka përfshirë edhe lokacionin Bigovo dhe Ponte. Edhe në komunën e Cetinës, Nikshiqit dhe Danillovgradit disa lokacioni janë përfshirë nga vatrat e zjarrit ku njësitet e zjarrfikësve të mbështetur edhe nga banorët po luftojnë me flakët. Kurse zjarret në territorin e kryeqytetit momentalisht janë nën kontroll, ka deklaruar komandanti i shërbimit të mbrojtjes Andrija Çagjenoviq, duke shtuar se të gjitha ekipet në gatishmëri, për shkak të erës së fortë. Çagjenoviq për agjencinë Mina ka theksuar se prej dje në mëngjes kanë pasur 70 intervenime, kurse prej fillimit të muajit korrik në territorin e kryeqytetit janë regjistruar 745 zjarre. Sipas fjalëve të tij, situata momentale është relativisht e qetë. Çagjenoviq ka theksuar se sot në Podgoricë frynë erë e fortë dhe është paralajmëruar përforcimi i tij. Kështu edhe sot zjarrfikësit janë në gjendje të gatishmërisë. Gjatë natës së brendshme ekipet e zjarrfikëseve kanë vepruar se në disa lokalitete me zjarr në rajonin bregdetar dhe qendror të Malit të Zi, ka kumtuar drejtoria për situatat e jashtëzakonshme. Theksohet se aktiv janë disa zjarre në pjesët jugore dhe qendrore të vendit. Përfaqësuesit e komunës së Herceg Novi u kanë bërë ftesë qytetarëve që të marrin pjesë në shuarjen e zjarrit në Llushticë. Të theksojmë se rreth 100 kampues dhe turistë janë evakuuar nga kepi Veslo afër Llushticës, kurse zjarre aktive akoma ka edhe në pjesët tjera të Malit të Zi me përjashtim të viseve veriore, është kumtuar nga drejtoria për situatat jashtëzakonshme të ministrisë për punë të brendshme.

Kërkohet angazhimi i kanaderëve

Kryetaret e komunave Herceg Novit, Kotorit dhe Tivatit kanë kërkuar nga kryeministri Dushko Markoviq dhe ministria për punë të brendshme e Malit të Zi për angazhimin urgjent të aviacionit në shuarjen e zjarrit në Llushticë. “Duke pasur parasysh situatën alarmuese, konsiderojmë se është e domosdoshme angazhimi urgjent i aviacionit në shuarjen e zjarrit dhe ju lusim që urgjentisht të ndërmerrni masa plotësuese dhe të kërkoni ndihmë nga shërbimet gjegjëse të vendeve për rreth”, thuhet në kërkesë. Në shuarjen e zjarrit, siç shkruan në portalin Vijesti, së bashku marrin pjesë forcat e shërbimeve nga Herceg Novit, Kotorrit, Tivatit dhe Budvës, banorë të shumtë dhe ndërmarrës të cilët me këtë stuhi po luftojnë pa ndërprerë. Shumica e banorëve dhe e turistëve nga rajoni i përfshirë me zjarr janë evakuuar.

Zjarre të shumta në zona të ndryshme të vendit

Këtë periudhë të vitit, në këto hapësira, rëndom e karakterizojnë temperatura të larta të cilat mjaft shpesh arrijnë deri në 40 gradë celsius. Moti i tillë shkakton telashe të shumta për banorët, në rrjedhën normale të jetës së përditshme sidomos në kryerjen e obligimeve të rregullta të domosdoshme edhe krahas kushteve të motit. Mirëpo ajo që duhet veçuar si dukuri mjaft të shpeshtë në këtë periudhë janë zjarret e shumta pothuajse në çdo pjesë të vendit. Kjo dukuri përveç dëmeve materiale, paraqet rrezik potencial edhe për jetën e banorëve pasi është e vështirë që njeriu të përballet me këtë dukuri respektivisht me shuarjen e zjarreve të cilët më së shpeshti janë të përmasave mjaft të mëdha. Në dhjetë ditët e fundit janë shkaktuar qindra zjarre në zona të ndryshme; në afërsi të lagjeve të banuara, përgjatë rrugëve dhe madje edhe në afërsi të zonave urbane. Shërbimet për mbrojtje dhe shpëtim janë treguar mjaft efikase në lokalizimin e zjarreve të tilla dhe për fat, deri më tani nuk kanë shkaktuar pasojat më të rënda. Prej dje ka shpërthyer një zjarr mjaft i madh edhe në malin Deçiq, në territorin e KU të Tuzit, i cili, sidomos gjatë natës, dukej mjaft i frikshëm pasi përfshinte sipërfaqe bukur të madhe të këtij mali, i cili pothuajse çdo vit përfshihet nga zjarri në gjithë sipërfaqen e tij. Edhe pse në këtë pjesë është i pabanueshëm, prapëseprapë, zjarri gjithherë shkakton dëme dhe është rrezik potencial për banorët përreth. Pasi këtyre ditëve është duke fryrë erë e fortë pothuajse në gjithë vendin, edhe shuarja e zjarreve është shumë më e vështirë pasi era e fortë e shpejton hapjen e tyre. Ajo që mund të pritet nga vet qytetarët është të jemi të vëmendshëm dhe që, së paku, me asnjë veprim të mos jemi shkaktar të zjarreve sepse pasojat gjithherë janë të përbashkëta.

 

Të forcohet bashkëpunimi ndërmjet EBA dhe Malit të Zi

Ministri i punëve të jashtme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) sheiku Abdullah bin Zajed bin Sulltan All Nahjan qëndron sot për vizitë zyrtare në Malit të Zi. Ai sot ka biseduar me Ministrin malazez për punë të jashtme Sërgjan Darmanoviq. “Dua të shpreh kënaqësinë për bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara, në veçanti për shkak të dhe vendosjes së linjës ajrore me Tivatin”, ka theksuar Darmanoviq pas takimit me All Nahjan. Mysafiri nga Emiratet ka falënderuar për mirëpritje dhe për përkushtimin e Malit të Zi drejt forcimit të marrëdhënieve me EBA. Siç është paralajmëruar nga Ministria e punëve të jashtme, ministri All Nahjan do të bisedoje edhe me kryeministrin Dushko Markoviq. Ministri arab u takua edhe me presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviq. Vujanoviq me këtë rast ka theksuar se “Mali i Zi dhe EBA zhvillojnë marrëdhënie përmbajtjesore dhe intensive në të gjitha fushat dhe për këtë bashkëpunim rëndësi të veçantë ka vendosja e linjës direkt ajrore ndërmjet dy vendeve”.

Kryetari i PE do të vizitoj nesër Malin e Zi

Ballkani perëndimor i takon Evropës dhe dyert e Unionit Evropian (UE) janë të hapura për të gjithë të cilët vendet e veta do ti ndryshojnë në të mirë jo vetëm në interes të anëtarësimit, por edhe në interesin e qytetareve, ka theksuar kryetari i Parlamentit Evropian (PE), Antonio Tajani. Ai prej nesër do të qëndrojë për vizitë në Mal të Zi. Tajani do të bisedojë me presidentin Filip Vujanoviq dhe me kryetarin e parlamentit Ivan Brajoviq. Tajani të mërkurë do të bisedojë me afaristet malazez në takimin të cilin e organizon Oda ekonomike e Malit të Zi. Ky takim do ti kushtohet mundësive për investime në Mal të Zi me theks të veçantë në infrastrukturë për ç’gjë do të flasin edhe përfaqësuesit e Bankës investuese evropiane dhe të Bankës evropiane për zhvillim dhe rindërtim. Në këtë takim, siç theksohet, do të marrin pjesë edhe ministrat e ekonomisë dhe të komunikacionit Dragica Sekuliq dhe Osman Nurkoviq si dhe kryetaret Odave ekonomike të shteteve të Ballkanit perëndimor.

Do të futet shërbimi vullnetar ushtarak

Këshilli ligjdhënës do të shqyrtojë nesër propozim ligjin për Ushtrinë e Malit të Zi me të cilin parashihet futja e shërbimit vullnetar ushtarak me armë. Propozim ligjin e ka vërtetuar Qeveria me 30 qershor dhe ka kërkuar që Parlamenti ta miratoje me procedurë të shkurtuar. Shërbimi ushtarak, siç theksohet, “është nder, e drejtë dhe detyrë e nënshtetasve të Malit të Zi që të marrin pjesë në përgatitjet për mbrojtje dhe të angazhohen vetëm në kushte të luftës ose të situatës të jashtëzakonshme, në pajtim me ligjin”.

Qeveria dhe sindikatat kanë qëndrime të ndryshme për investuesit

Qeveria ka arritur që të ruajë industrinë e aluminit dhe të çelikut me çrast Kombinati i Aluminit dhe Hekurana “ToshÇelik” në Nikshiq momentalisht i shlyejnë në rregull obligimet e veta, është kumtuar nga Ministria e ekonomisë, kurse sindikalistët konsiderojnë se të drejtat e punëtoreve janë rrezikuar në mënyrë drastike. Nga Ministria e ekonomisë është kumtuar se Qeveria gjatë mandateve të kaluar ka arritur të ruaj industrinë e aluminit dhe çelikut edhe përkundër kriteriumeve të pavolitshme në skenën globale si dhe mosgjeturisë të investuese të atëhershëm në situatën tillë.

Vuçiq në Uashington, në agjendë edhe rasti i vëllezërve Bytyçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhet në Uashington për vizitën e parë zyrtare prejse ka marrë detyrën e të parit të shtetit, në fund të muajit maj. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë bën të ditur se Vuçiq do të takojë nënpresidentin amerikan, Mike Pence, dhe zyrtarë të tjerë. Në prag të shkuarjes së Vuçiqit në SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve atje ka miratuar një rezolutë, e cila i kërkon Pentagonit raporte për bashkëpunimin ushtarak Rusi-Serbi. Pos Rusisë, në mesin e temave që do të diskutohen në takimet e Vuçiqit pritet të jetë edhe sulmi mbi ambasadën amerikane në Beograd, katër ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe vrasja e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova.

Presidenti Thaçi nuk e ka caktuar ende datën e konstituimit të Kuvendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka caktuar ende datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Këshilltari i presidentit,Ardian Arifaj tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit. "Ende nuk është vendosur se kur do të mbahet seanca konstituive. Kurdo që të merret vendimi, do t'ju njoftojmë", tha Adrian Arifaj, këshilltar politik i presidentit Thaçi. Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, afati ligjor për konstituimin e këtij institucioni vazhdon deri në javën e parë të muajit gusht. Me konstituimin e Kuvendit, bëhet verifikimi i mandateve dhe zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni, i cili do të propozohet nga koalicioni PAN, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma. Po ashtu, do të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, të cilët do të përbëjnë Kryesinë e re të këtij institucioni. Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga Presidenti i Kosovës. Pjesë e Qeverisë, sipas Kushtetutës, do të jenë edhe komunitetet pakicë, të cilat si tërësi përbëjnë 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve.

UE e palëkundur, Kosova ka edhe dy kritere për liberalizim

Bashkimi Evropian edhe një herë ka ripërsëritur se Kosovës i mbesin edhe dy kritere të papërmbushura për liberalizimin e vizave.Derisa nga krerët shtetëror kosovar luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është lënë kriter nën hije, ndërsa zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë përmendur plotësim e këtij kushti. Madje kryeministri në detyrë Isa Mustafa gjatë Samitit të Triestes, tha se Kosova ka përmbushur 94 nga 95 kriteret e kërkuara duke përmendur vetëm përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi si kriter të paplotësuar. Por në Bruksel thonë ndryshe. Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Migherini në një përgjigje përmes postës elektronike për “Ekonomia Online”, thotë se Kosova duhet të vazhdojë të tregojë rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë. Ajo përmendi takimin e presidentit Hashim Thaci me kreun e Komisionit Evropian, Jean Clode Juncker, ku u diskutua në lidhje me përmbushjen e këtij kriteri, duke porositur që punë në luftimin e krimi të të organizuar e korrupsionit duhet të vazhdojë. Sipas Kocijançiq, Komisioni është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë që liberalizimi i vizave ka për popullin e Kosovës, por kjo mbetet në dorën e institucioneve vendëse. Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rekomandimin formal për heqjen e vizave për Kosovën, por me dy kushte shtesë, demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit. Pasi që institucionet e Kosovës të plotësojnë këto kushtet Këshilli i Bashkimit Evropian, ku vendosin ministrat e brendshëm të vendeve anëtare me shumicë të kualifikuar duhet ti thotë po liberalizimit.

 

Maqedoni, opozita propozon 1 mijë amendamente për buxhetin

Opozita maqedonase ka propozuar një mijë amendamente ndaj propozimit të qeverisë për rishikimin e buxhetit. Kjo do të thotë se seancat e komisionit përkatës parlamentar dhe seanca plenare nuk do të mund të përmbyllnin në asnjë mënyrë debatet për ribalancin e buxhetit. Deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare janë ndarë në dhjetë grupe dhe secili nga kryetarët e grupeve ka të drejtë për ndërhyrje procedurale, fjalime dhe replika në parlament. Ribalancimi i buxhetit parasheh shkurtime të buxhetit për qeverinë që kishte planifikuar qeveria e kaluar dhe alokimin e fondeve për nevojat themelore të qytetarëve. Është planifikuar shkurtimi për 47 milionë euro nga buxheti shtetëror. Ndërkohë, gjatë një seance, ligjvënësit opozitarë i rekomanduan qeverisë së Zaevit që t’i përfundojë projektet e qeverisë së mëparshme dhe të ndjekë hapat e saj në zhvillimin e vendit. Shkurtimet më të mëdha në rishikimin e buxhetit janë parashikuar në fondet për Ministrinë e Brendshme, për çka një pjesë e kritikëve kanë kundërshtuar politikat e qeverisë për shkak të gjendjes së brishtë të sigurisë në vend, sipas tyre, ndërkohë që “kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk ka marrë fund dhe kufiri jugor i Maqedonisë mund të rrezikohet sërish”. Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se qeverisë do t’i duhet të hyjë në borxhe të reja për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale.

Sot nis rrethi formal i bisedimeve për Brexit-in

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian nisin sot në Bruksel rrethin formal të negociatave për kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja. Sekretari britanik i Brexit-it, David Davis, do të takojë homologun e BE-së, Michel Barnier, për katër ditë bisedime. Palët kanë më pak se dy vjet kohë për të vendosur kushtet, përpara se Britania të largohet – me ose pa marrëveshje – më 30 mars të vitit 2019. Në tryezë janë shumë çështje të vështira, përfshirë të drejtat e qytetarëve të BE-së në Britani dhe anasjelltas, pas Brexit-it. Janë rreth 3 milionë shtetas të BE-së në Britani dhe rreth 1.5 milion shtetas britanikë në 27 vendet e tjera të BE-së. Palët do të diskutojnë po ashtu koston e daljes së Britanisë nga blloku.

BE sanksionon 16 sirianë për sulme me armë kimike

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë vendosur sanksione ndaj 16 sirianëve të tjerë për rolin e dyshuar në sulmet me armë kimike kundër civilëve. Tetë nga 16 individët janë zyrtarë të lartë ushtarakë, ndërsa të tjerët janë shkencëtarë të përfshirë në përhapjen e armëve kimike, thanë zyrtarë të BE-së. Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit në 28 vendet e bllokut dhe tani aplikohen për 255 njerëz, për të cilët BE thotë se janë përgjegjës për "shtypje të dhunshme të popullsisë civile në Siri". Përveç individëve, edhe 67 subjekte siriane janë goditur me ngrirje asetesh. Të gjitha masat kufizuese të BE-së kundër Sirisë aktualisht janë në fuqi deri më 1 qershor, 2018.

 

Mbi 1,600 civilë të vrarë për gjashtë muaj në Afganistan

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje grupeve kryengritëse në Afganistan që të ndalojnë sulmet kundër civilëve. Mbi 5,000 civilë afganë janë vrarë ose plagosur në gjashtë muajt e parë të vitit 2017. Hetuesit e Kombeve të Bashkuara, në një deklaratë të lëshuar të hënën, thanë se së paku 1,662 civilë janë vrarë dhe 3,581 janë plagosur në luftën në Afganistan, në gjysmën e parë të vitit. Shifrat janë afërsisht të ngjashme me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. "Kostoja njerëzore e kësaj lufte të shëmtuar në Afganistan është shumë e lartë", tha Tadamichi Yamamoto, udhëheqës i Misionit Ndihmës të OKB-së në Afganistan.

Nesër mot me diell dhe diçka me i nxehtë

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë erë mesatare deri e fortë veriore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Herceg Novi 33 gradë, Ulqin 32, Podgoricë e Budvë 31, Tivar 30, Cetinë 25, Nikshiq 24, Plevle 22, Bijello Pole e Beranë 21, Kollashin 18 dhe në Zhablak e Rozhajë 15 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht me diell dhe diçka me i nxehtë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet veriore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 22, kurse më e larta e ditës prej 20 deri në 35 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se