Lajmet

Povećaj veličinu slova Vrati na prvobitnu veličinu slova Samnji veličinu slova štampaj štampaj
 

Pošalji prijatelju

16. 06. 2017.   >>  16:28 0

Lajmet 16.06.2017

16.06.2017

Më 20 qershor hapja e dy kapitujve të ri

Mali i Zi në konferencën ndërqeveritare e cila do të mbahet më 20 qershor, në Luksemburg, do të hapi negociatat edhe në dy kapituj të tjerë; 21- Liria e lëvizjes së mallrave dhe 22- Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve të strukturuar.

Po ashtu, siç është paralajmëruar do të mbyllet përkohësisht kapitulli 30- marrëdhëniet e jashtme. Delegacionin shtetëror të Malit të Zi, në konferencën ndërqeveritare në nivelin ministror,  do ta kryesojë ministri për çështjet evropiane Aleksandar Andrija Pejoviq. Mbajtja e konferencës ndërqeveritare vërteton se pas hapjes së negociatave në 26 kapituj dhe mbylljes së përkohshme të dy kapitujve, procesi negociator është duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë, si në pjesën e hapjes së kapitujve tjerë të negociatave po ashtu edhe nga këndvështrimi i hyrjes në fazën e re e cila nënkupton punën në plotësimin e kushteve për mbylljen e kapitujve, duke përmbyllur proceset reformuese dhe finalizimin e procesit të bashkëngjitjes, kanë kumtuar nga Ministria për çështjet evropiane. 

 

Plotësohen kriteret, krijohen kushtet për kapitullin 17

Mali i Zi i ka plotësuar kriteret kryesore, ka miratuar Strategjinë e konsolidimit fiskal deri në vitin 2020 dhe ka krijuar kushtet që deri në vitin e ardhshëm të hap  kapitullin e ri për bisedime  me UE, kapitullin 17- unioni monetar dhe ekonomik, vlerësoi shefi i delegacionit të UE në Mal të Zi, Aivo Orav në debatin publik në Këshillin për integrimet evropiane, duke shprehur shqetësim vetëm për shkak të deficitit dhe buxhetit publik.

Orav poashtu tërhoqi vërejtjen në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë së tregut dhe rritjen e konkurrencës, si parakusht për sigurimin e ambientit më të mirë afarist.  Nga Banka Qendrore u kumtua se për shkak të sigurimit të pavarësisë së plotë të këtij institucioni, do të duhej që të ndryshojë Kushtetutën. Kjo duhet të bëhet për shkak të, siç tha këshilltarja e zëvendës guvernatorit, Milica Kilibarada, sjelljes së një pako ligjesh për Bankat, për definimin e pozitës së bankës Qendrore, me insistim të Komisionit Evropian, sikur edhe në vendet e rajonit.

 

Të ndërmerren masat për stabilizimin e financave publike

Është e domosdoshme të ndërmerren masa në drejtim të stabilizimit të financave publike dhe përforcimin e ekonomisë reale, në kohën e rritjes së ndjeshme të kamatave në nivelin global, ka deklaruar Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, Radoje Zhugiq në hapjen e Samitit rajonal në Budvë.

Ai në samitin e guvernatorëve, të ministrave të financave dhe drejtorëve të drejtorive tatimore të rajonit ka thënë se  rritja e ndjeshme e përqindjeve të kamatave në të ardhmen, mund të shprehet në çmimin e borxheve të vendeve të rajonit. Të rikujtojmë se ky Samit, i cili këtë vit mbahet në temën, Stabiliteti financiar i rajonit në rrethana të reja globale, ka tubuar guvernatorët, ministrat e financave dhe drejtorët e drejtorive tatimore të rajonit, si dhe një numër të madh të ekspertëve nga fusha e politikës monetare e fiskale, e poashtu edhe një numër të përfaqësuesve afarist. Këtë samit e organizon e përjavshmja beogradase, NIN, nën patronatin institucional të Ministrisë së financave.

 

Gjukanoviq, propozon ndryshime të rëndësishme  në strukturën organizative

Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), Millo Gjukanoviq, në mbledhjen e Këshillit ekzekutiv të kësaj partie, të mbajtur fundjavën e kaluar, ka propozuar ndryshime të rëndësishme në strukturën organizative të partisë. Siç njofton e përditshmja “Pobjeda”, sipas propozimit të Gjukanoviqit, numri i koordinatorëve të Kryesisë, nga 17 sa numëron aktualisht, do të rritet në 28, kurse risia kyçe do të jetë formimi i trupave  koordinues të cilët do të ishin përgjegjës për fushatën partiake, në komunat ku do të mbahen zgjedhjet vendore. Siç thuhet, vlerësimi i udhëheqjes partiake është se përvoja nga zgjedhjet e paradokohshme në  Herceg Novi, ku PDS  nuk ka arritur rezultatin e dëshiruar, si dhe në disa komuna tjera, ka dëshmuar nevojën për  rifreskim kadrovik, andaj është vendosur për përforcimin e infrastrukturës partiake.  Sipas burimeve të besueshme të kësaj gazete,  në kryesinë e PDS, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme lokale por edhe atyre presidenciale, kanë planifikuar themelimin e media qendrës ngjashëm siç veprojnë partitë e mëdha evropiane.

 

Sot, mbledhja e Këshillit qendror të PSP

Partia Socialiste Popullore (PSP) ka paralajmëruar për sot mbledhjen elektronike  të Këshillit qendror, në të cilën do të konstatohet dorëheqja e kryetarit të kësaj partie, Srgjan Miliq, pastaj të nënkryetarit, Veselin Bakiq dhe tre anëtarëve tjerë të Këshillit qendror. Përveç kësaj këshilli kryesor, do të deklarohet edhe për tri pika tjera të rendit të ditës, propozim vendimi për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin qendror, propozim vendimi për vazhdimin e mandatit të këshillave komunale në kryeqytet, dhe në Cetinë,  dhe  propozim vendimi për emërimi i kryesuesit dhe zëvendësit të tij.  Siç shkruan e përditshmja “Dnevne novine”, në PSP, konsiderojnë se vendimi për mbajtjen e mbledhjes elektronike, është i papranueshëm, sepse  siç njofton bashkëbiseduesi i kësaj gazete, anëtar i Këshillit qendror, është e papranueshme që këshillave komunale tu vazhdohet mandati në mënyrë elektronike.

 

Policia njofton se incidenti  nuk kishte motive politike 

Rrahja mes pesë  vetëve në rrugën Njegosheva, në Podgoricë, nuk ishte e motivuar politikisht,  kanë kumtuar nga drejtoria e policisë, duke u bazuar në  aktivitetet  e kryera policore dhe vërtetimit të fakteve lidhur me këtë ngjarje.  Të rikujtojmë se pas këtij incidenti, policia ka arrestuar  DZ (24 vjeç), G.Ç. (34),

Gj.Sh. (31), D.G.(43) dhe G.N, të cilët morën pjesë në këtë rrahje. Nga policia po ashtu, kanë  njoftuar se është duke u vepruar në zbardhjen e rastit dhe kanë lutur që incidenti të mos politizohet. Konflikti mes këtyre personave, pjesërisht është vazhduar edhe në oborrin e qendrës klinike, thuhet  nga policia dhe njëkohësisht, njoftojnë se lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i cili do të  deklarohet  për kualifikimin e mëtejmë  të këtij incidenti.

 

Roli amerikan, i nevojshëm për stabilitetin dhe zmbrapsjen e ndikimit rus në Ballkan

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit deklaroi para dy ditësh se Ballkani Perëndimor përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990. Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee foli në një seancë për rajonin në Senat, ku senatorë dhe ekspertë bënë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për të zmbrapsur ndikimin rus dhe për të shmangur përshkallëzimin e krizave, si edhe për të mbështetur reformat dhe stabilitetin.

Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Zyrtari i Departamentit të Shtetit, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri si dhe nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Vuçiq, ka nominuar  për kryeministre të Serbisë A. Bërnabiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka nominuar për kryeministre të Serbisë, Ana Bërnabiq, pjesëtare të komunitetit LGBT. Bërnabiq po ashtu do të jetë gruaja e parë kryeministre në Serbi. "Vendosa të propozoj Ana Bërnabiq si kryeministre në parlamentin e Serbisë," u ka thënë gazetarëve presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Zgjedhja e Bërnabiq duhet të kalojë për miratim zyrtar javën e ardhshme në parlamentin e Serbisë. Vuçiq e quajti këtë vendim si " vështirë të arritur por në interes të Serbisë dhe qytetarëve të saj". Bërnabiq është aktualisht ministre e Administratës publike dhe Pushtetit lokal në Serbi.

 

Kemi arritur qëllimin primar, të gatshëm për bisedime

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq ka thënë se me marrjen e dhjetë vendeve në Parlamentin e Kosovës është realizuar qëllimi primar i Listës Serbe, pasi që është siguruar numri i deputetëve për bllokimin e iniciativave politike, të cilat sipas tij do të shkonin në dëm të popullit serb në Kosovë. “Natyrisht, ne do të donim që për bashkëbisedues të kemi partitë politike të moderuara, të cilët nuk krijojnë identitetin e tyre politik në armiqësi ndaj Serbisë dhe popullit serb, dhe shpresojmë që skena politike shqiptare të zhvillohet në këtë drejtim”, ka thënë ai për Blic. Ai ka thënë se Lista Serbe angazhohet për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd, përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, si dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në Kosovë.

 

Lidhur me kërkesën e Kosovës, Interpoli deklarohet në muajin shtator

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka marrë një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock, lidhur me aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Po ashtu, në këtë letër, ministri Hyseni njoftohet se këshilltari ndërkombëtar Hans Corell, i cili ishte emëruar për të udhëhequr një studim rreth procesit të anëtarësimit në INTERPOL, ka finalizuar punën e tij dhe raportin ia ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv. “Jam i lumtur të ju njoftoj se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në takimin e fundit në Lyon të Francës nga 31 maj – 2 qershor 2017 ka vendosur ta përfshijë aplikimin për anëtarësim në INTERPOL të Republikës së Kosovës në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të 86-të e cila do të mbahet në Pekin të Kinës nga 26-29 shtator 2017”, thuhet midis tjerash në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm, Jurgen Stock, drejtuar ministrit Hyseni.

 

Nesër seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë është thirrur për nesër në një sesion të jashtëzakonshëm nga kryeparlamentari Ilir Meta për të votuar kandidatët e institucioneve që do të bëjnë rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Institucionet e rivlerësimit janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë. Është parashikuar që nesër parlamenti të zhvillojë dy seanca plenare. Përzgjedhja e kandidatëve të këtyre dy organeve bashkë, me kandidatët e përzgjedhur të Kolegjit të Apelimit dy ditë më parë, më pas do t’í kalojnë për votim seancës plenare. Një tjetër pikë për votim në rendin e ditës së séancës të së shtunës është dhe betimi i Avokatit të ri të Popullit, Erinda Ballanca, e zgjedhur nga parlamenti, pak javë më parë, me propozim të opozitës.

 

Arrin në 30 numri i viktimave nga zjarri, në Londër

Numri i viktimave nga zjarri në ndërtesën shumëkatëshe në Londër është ngritur në 30, ndërsa ky numër mund të jetë edhe më i lartë, njoftoi sot policia britanike. “Për fat të keq, mund të konfirmoj se numri i viktimave është 30”, tha komandanti i policisë londineze, Stuart Cundy. Sipas Cundy 24 persona janë ende në spital, 12 prej tyre në gjendje kritike. Policia tashmë ka nisur hetimet për incidentin e 14 qershorit. Ndërkohë, janë zbuluar  mesazhet e  fundit  të cilët personat e bllokuar brenda ndërtesës në Londër u kanë dërguar  familjeve kur e kuptuan se do të ishte thuajse e pamundur të mbijetonin. Disa janë lutur për shpëtim, ndërsa tymi dhe flakët pushtonin dhomat e tyre, ndërsa të tjerë thjesht kanë thënë “Lamtumirë”.

 

Sulm vetëvrasës në një xhami, në Kabul

Një sulmues vetëvrasës ka vrarë të paktën tre persona dhe ka plagosur pesë të tjerë gjatë sulmit në një xhami në kryeqytetin afgan, Kabul, kanë njoftuar zyrtarët e sigurisë. Sulmuesi ishte përpjekur të hynte në xhami por u bllokua nga policia, duke nisur një betejën me armë, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Najib Danish. Sulmuesi më pas është futur në një kuzhinë para se të shpërthente bombën.

Grupi ekstremist Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Sulmi erdhi pasi xhamitë rreth qytetit ishin të mbushura me njerëz, të cilët ishin mbledhur për një festë fetare në kuadër të muajit të Ramazanit.

 

Mediat paralajmërojnë dërgimin e 4000 trupave shtesë në Afganistan

Zyrtarë të administratës amerikane kanë thënë se Pentagoni do të dërgojë 4,000 trupa shtesë në Afganistan, duke shpresuar t'i jap fund bllokadës në luftën 16 vjeçare. Sipas Associated Press, zyrtarë të paidentifikuar kanë thënë se ky vendim mund të bëhet publik gjatë javës së ardhshme. Pjesa më e madhe e forcave shtesë do të trajnojnë dhe këshillojnë trupat afgane, ka thënë një zyrtar, ndërsa një numër më i vogël do të caktohet në operacionet kundër terrorizmit ndaj grupit taliban dhe të atij të Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i Pentagonit ka deklaruar se ende asnjë vendim nuk është marrë. Mattis u ka thënë ligjvënësve të SHBA-ve më 15 qershor, se presidenti Donald Trump i ka dhënë atij autoritetin për të vendosur shtimin e trupave ushtarake në Afganistan.

 

Zyrtarët nga Moska, pohojnë se Baghdadi , mund të jetë vrarë muajin e kaluar në Siri 

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se lideri i grupit ekstremist Shteti Islamik, Abu Bakr-al Baghdadi, mund të jetë vrarë gjatë një sulmi ajror rus në Siri gjatë muajit të kaluar. Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar ministrinë të ketë thënë se kanë përdorur kanale të ndryshme për të konfirmuar informacionin sipas të cilit, al-Baghdadi ishte vrarë gjatë sulmit ajror në Raka, më 28 maj. Gjatë këtij sulmi janë vrarë rreth 330 persona, duke përfshirë disa pjesëtarë të grupit ekstremist Shteti Islamik. Ky sulm kishte shënjestruar një takim të militantëve të Shtetit Islamik, të cilët ishin duke diskutuar rreth bazës së tyre Raka, vend në të cilin grupi ekstremist është në presion nga sulmet e forcave siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht me diell, përveç në veri ku po mban mot me vranësira mesatare. Fryn erë e dobët deri mesatare jugperëndimore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 33 gradë, Herceg Novi 31, Budvë 29, Tivar, Ulqin e Cetinë 28, Nikshiq, Kollashin, Beranë, Bijello Pole e Plavë 27, Plevle 26, Rozhajë 25 dhe në Zhablak 21 gradë.

Meteorologët parashohin që nesër paradite në jug dhe pjesët qendrore të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme. Vende vende janë të mundshme edhe të reshura të dobëta. Në orët e pasdites parashihet kthjellim  gradual dhe kryesisht me diell. Ndërkaq në veri do të mbajë mot me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët dhe me të reshura të përkohshme të shiut, më të shpeshta pasdite. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë veriore, në jug e drejtimeve të ndryshme. Temperatura  e mëngjesit do të jetë prej 10 deri në 22, kurse më e larta e ditës prej 16 deri në 31 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se