Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

07. 05. 2024. 00:00 >> 17:43

Ditari 07.05.2024

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

BE miraton Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, që nënkupton instrumentin e ri financiar në vlerë prej 6 miliardë eurosh për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Miratimi nga Këshilli i Bashkimit Evropian erdhi pas miratimit të para dy javëve nga Parlamenti Evropian. 

Siç thuhet në një njoftim për shtyp, Plani i Rritjes do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian.

Siç është raportuar më herët në mesin e kritereve për të përfituar janë ato bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

Ndërkaq, po ashtu ka edhe kritere të natyrës politike.

Për Kosovën dhe Serbinë parakusht do të jetë angazhimi në dialog dhe normalizimi i raporteve.

Kuvendi: Dërgimi i pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në misionin e Kombeve të Bashkuara në Qipro

Në Kuvendin e Malit të Zi sot u debatuan për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në misionin e Kombeve të Bashkuara në Qipro, si dhe në misionin e Aleancës së Atlantikut të Veriut Si Gardian. Ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, tha se dislokimi i ushtarëve paraqet kontributin e Malit të Zi për sigurinë e përgjithshme dhe përpjekjet për përmirësimin e reputacionit të vendit tonë në bashkësinë ndërkombëtare. Për këtë diskutuan veçanërisht deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve dhe të koalicionit Për të Ardhmen e Malit të Zi. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve Andria Nikoliq tha se për dërgimin e ushtarëve të Malit të Zi në misionin e NATO-s duhet të vendosin ata që në programin e tyre partiak mbështesin tërheqjen e Malit të Zi nga NATO-ja, që janë përbërësit e Qeverisë së Mal të Zi sot. Ai theksoi se është një kënaqësi e madhe kur partitë politike që ishin kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO flasin për avantazhet e anëtarësimit në këtë sistem të sigurisë kolektive. Kreu i klubit parlamentar të Demokracisë së Re Serbe, Sllaven Radunoviq, i tha Nikoliqit se politika e vetme që kultivojnë është politika e krijimit të përçarjeve në Mal të Zi. Ju i përvetësuat vlerat perëndimore vetëm për qëllime personale, tha ai duke shtuar se tani e gjithë BE-ja e dëshiron këtë lloj Mali të Zi në Bashkimin Evropian.

“Qeveria po sulmohet nga ata që duan të përfitojnë nga çështjet tragjike të së kaluarës”

Nëse ekziston një pajtueshmëri që për krimet e gjenocidit nuk janë përgjegjëse kombet, por individët, siç thuhet në aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare, atëherë është shqetësuese që disa organizata dhe individë nga vendi dhe rajoni kundërshtojnë synimet e Qeverisë së Malit të Zi për të specifikuar qartë përgjegjësinë dhe për të afirmuar marrëveshjen e Dejtonit, tha Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Evropa Tani e nënkryetari i Kuvendit, Boris Pejoviq. Sipas tij, ata propagandues që duan t'ua ngarkojnë përgjegjësinë anëtarëve të kësaj qeverie për ngjarjet tragjike në Srebrenicë para gati 30 viteve, po e bëjnë këtë për të maskuar gjurmët e luftës dhe rolin e regjimit të mëparshëm, i cili ishte i përfshirë drejtpërdrejt në tmerret e luftës në vitet e 1990-ta. “Pasi qeveria aktuale, në bashkëpunim me parlamentin, dha rezultate konkrete në shumë fusha dhe hapi rrugën për përparimin e mëtejshëm të vendit tonë drejt BE-së, ka një përpjekje të tanishme për të kritikuar qeverinë e suksesshme dhe evropiane për të ndihmuar ata faktorë që duan të përfitojnë nga çështjet tragjike të së kaluarës.

Knezheviq: Votimi për Rezolutën për Srebrenicën do të ishte një veprim katastrofik

Votimi për Rezolutën për Srebrenicën do të ishte një veprim katastrofik për Malin e Zi, tha presidenti i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq

Në programin e mëngjesit të Radio Televizionit të Republika Srpska (RTRS), ai tha se Mali i Zi duhet të votojë kundër rezolutës.

“Në rastin e miratimit të një rezolute të tillë, edhe Mali i Zi pajtohet dhe pranon që është shtet gjenocidal, së bashku me Serbinë dhe Republikën Srpska, pasi ne kemi qenë në një shtet të përbashkët në atë periudhë, në vitin 1995”, tha Knezheviq.

Sipas tij, Mali i Zi në asnjë mënyrë nuk do të shmangte përgjegjësinë e tij nëse do të votonte pro rezolutës.

Avokatit të Popullit ka shënuar progres në krahasim me vitet e kaluara

Rastet e torturës policore janë regjistruar si vitin e kaluar ashtu edhe këtë vit, tha Zëvendës avokatja e popullit, Mirjana Radoviq. Është diçka, nuk mund të them e pritshme, por askush nga ne nuk ka iluzionin se do të vendosim një sistem në të cilin nuk do të ndodhin kurrë asnjë shkelje e ligjit apo abuzim, tha Radoviq. Ajo po-ashtu tha se institucioni i Avokatit të Popullit ka shënuar progres në krahasim me vitet e kaluara në kuptimin që, siç tha ajo, akuzat po shqyrtohen më shpejt. Megjithatë, dalëngadalë po vërejmë se po piqet vetëdija se çdo veprim i kundërligjshëm, domethënë tejkalim i kompetencave, duhet të raportohet dhe nuk duhet të fshihet, dhe mund ta lavdërojmë këtë. Kemi pasur disa shembuj ku Drejtoria e Policisë ka filluar t'i përpunojë këto akuza pa vonesë, dhe ky është një hap i madh përpara, tha Radoviq.

Vendimi i Gjykatës Evropiane për aplikacionin Sky është i detyrueshëm për të gjithë

Aktgjykimi i Gjykatës Evropiane në lidhje me aplikacionin Sky paraqet një pozicion ligjor parimor dhe do të jetë i detyrueshëm për të gjitha vendet ku ekziston aplikacioni Sky në kuptimin penalo-juridik, tha kryetari i Odës së Avokatëve, Danillo Miqoviq.

Miqoviq sot ishte në një tubim para Gjykatës së Lartë në Podgoricë, ku u takua me kolegët e tij pikërisht për të treguar detajet e vendimit, ku thuhet qartë se mesazhet e koduara, të cilat janë përgjuar nga një shtet tjetër.

Avokatët e mbledhur sot thanë se ato korrespondenca nuk mund të përdoren si provë dhe se organet gjyqësore malazeze duhet të veprojnë në përputhje me atë vendim.

Pas tre fëmijëve, gjendet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit në ujërat e Bunës

Është gjetur trupi i pajetë i 39-vjeçares, Alma Arrazi, e cila u hodhë në ujërat e lumit Buna së bashku me tre fëmijët e mitur.

Gjetja e trupit të nënës përmbyll në këtë mënyrë operacionet e kërkimit për gjetjen e katër trupave të tragjedisë në Shkodër.

Trupi i 39-vjeçares u gjet në afërsi të fshatit Oblik, në një distancë jo shumë të largët nga trupi i djalit 3-vjeçar, i cili u gjet mëngjesin e kësaj të marte.

Ngjarja e rëndë u zbulua të dielën, kur një peshkatar në fshatin Dragjat, gjeti trupin e vajzës së madhe të familje, të moshës 9-vjeçare

Më pas, polumbarët e RENEA-s dhe forcat e ushtrisë nisën kërkimet përgjatë shtratit të lumit, ku të hënën u gjet edhe fëmija i dytë, një vajzë e moshës 8-vjeçare.

Osmani: Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së e Kosovës simbolizon progresin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit ShBA-Afrikë, gjatë vizitës zyrtare në Teksas të ShBA-së, në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka prezantuar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës, duke potencuar sukseset në të cilat ShBA-ja ka luajtur rol vendimtar.

Me pjesëmarrjen e presidentit George W. Bush dhe në prani të liderëve afrikanë, u diskutua për sukseset 20-vjeçare të punës transformuese të MCC-së.

Siç ka njoftuar Presidenca, në sesionin special të moderuar nga senatori republikan Mike Johanns, presidentja Osmani, ndër të tjera, foli për partneritetin e jashtëzakonshëm me ShBA-në, me ç’rast potencoi në veçanti bashkëpunimin e suksesshëm me MCC-në.

“Presidentja Osmani bëri një falënderim të posaçëm për partneritetin e shkëlqyeshëm me MCC-në, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për lidershipin e Presidentit Bush, trashëgimia e të cilit, sipas saj, po reflektohet më së miri sot nëpërmjet punës së MCC-së", thuhet në komunikatë.

“SHBA-të kanë luajtur rol përcaktues në procesin e pavarësimit të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së dhe Kosovës simbolizon progresin, ambicien dhe vizionin e përbashkët për demokraci dhe të ardhme të qëndrueshme”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas presidentes Osmani, ky partneritet është dëshmi e marrëdhënieve strategjike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesore në procesin e reformave të shumta, me theks të veçantë në drejtësi dhe sundim të ligjit.

Pse Serbia dhe Hungaria janë të rëndësishme për Xi Jinpingun?

Xi Jinping viziton Serbinë për herë të dytë në më pak se dhjetë vjet.

Krahas Parisit dhe Budapestit, Beogradi është një nga ndalesat e presidentit kinez në turneun evropian.

Kjo është vizita e parë e Xisë në Evropë në pesë vjet.

Në Beograd qëndron sot dhe nesër, kur shënohet edhe 25-vjetori i bombardimit të NATO-s në Ambasadën e Kinës.

Në Pekin, vizita në Serbi u përshkrua si forcim shtesë i “miqësisë së çeliktë” mes dy vendeve, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti Xinë “mik të madh” të Serbisë.

Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Vjenës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kina po përpiqet që, në çdo mënyrë të mundshme, të gjejë një rrugë drejt tregut evropian dhe të forcojë ndikimin e saj në Evropë.

“Kina sheh në Hungari dhe në Serbi dy partnerët më të rëndësishëm në Evropë, një lloj dere që hap shtegun për një treg më të gjerë evropian, si dhe për disa investime strategjike”, thotë ai.

Si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia po i forcon marrëdhëniet e saj me Kinën, me të cilën bashkëpunon kryesisht në fushën e infrastrukturës.

Beogradi, gjithashtu, llogarit në mbështetjen politike të Kinës, sa u përket çështjeve që i konsideron me rëndësi jetike kombëtare, siç është Kosova.

Ushtria izraelite merr nën kontroll kufirin në Rafah

Ushtria izraelite tha të martën se ka marrë kontrollin e pikëkalimit kufitar në Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, pjesë kjo e cila ka qenë jetike për dërgimin e ndihmave dhe daljen e njerëzve të plagosur nga lufta në Gazë. Ushtria tha se forcat po skanonin zonën në mëngjes pasi nisën një operacion tokësor dhe ajror në një pjesë të Rafahut lindor të hënën mbrëma, mes përpjekjeve diplomatike jashtë vendit për të arritur një armëpushim të ri.Autoriteti i Kalimeve të Gazës tha në një deklaratë se marrja e kontrollit nga Izraeli ishte një "dënim me vdekje" kundër banorëve të Gazës, veçanërisht të sëmurëve dhe të plagosurve.Gjatë gjithë luftës shtatëmujore, Rafahu - i vetmi vendkalim që nuk drejtohet nga Izraeli - ka qenë linja kryesore e shpëtimit të popullatës palestineze prej 2.3 milionësh të Gazës, duke lejuar futjen e furnizimeve humanitare në Gazë dhe transportin e pacientëve jashtë saj mes mungesave të rënda dhe shkatërrimit të objekteve të kujdesit shëndetësor.

Dërgimi i raketave drejt Ukrainës u miratua nga sekretari i Jashtëm britanik Cameron

Moska paralajmëroi dje se do të godasë objektiva ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe gjetiu, nëse forcat ukrainase godasin Rusinë me raketat me rreze të gjatë të furnizuara nga Britania. Dërgimi i këtyre raketave drejt Ukrainës u miratua nga sekretari i Jashtëm britanik David Cameron. Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, sekretari Cameron tha se forcat ukrainase do të mund të përdorin raketat britanike me rreze të gjatë për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë. Cameron tha gjithashtu se Londra nuk ka vendosur parakushte për mënyrën se si do t’i përdorin forcat ukrainase armatimet e dhëna nga Britania. Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi nëpërmjet një deklarate se ka thirrur në takim ambasadorin britanik në Moskë, Nigel Casey dhe e paralajmëroi atë se nëse forcat ukrainase përdorin për të goditur Rusinë  me armatime të furnizuara nga Britania, Moska mund të kundërpërgjigjet ndaj “çdo objekti ushtarak britanik dhe paisjeve në territorin ukrainas apo më gjerë”.

Gjenerali Ryder e ka vlerësuar si "retorikë të papërgjegjshme" planin e Rusinë për të zhvilluar stërvitje bërthamore në afërsi të kufirit me Ukrainën

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së , gjenerali Pat Ryder e ka vlerësuar si "retorikë të papërgjegjshme" planin e Rusinë për të zhvilluar stërvitje bërthamore në afërsi të kufirit me Ukrainën. Duke folur për mediat pasi Rusia njoftoi se po zhvillon stërvitje të armës bërthamore në afërsi të Ukrainës, Ryder tha se "Ky është një shembull i retorikës së papërgjegjshme që kemi dëgjuar në të kaluarën nga Rusia. Presidentit rus, Vladimir Putin ka deklaruar se një stërvitje ushtarake që përfshin armë bërthamore jostrategjike do të mbahet në vend si përgjigje ndaj "provokimeve dhe kërcënimeve" të Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së.

Nga përmbytjet në Brazil është rritur në 84, ndërsa numri i të zhdukurve në 111

Numri i viktimave nga përmbytjet e shkaktuara si pasojë e shirave të dendur në Brazil është rritur në 84 ndërsa numri i të zhdukurve në 111.Në deklaratë thuhet se në operacionet e kërkim-shpëtimit kanë punuar 14.500 anëtarë të personelit, të mbështetur nga forcat e armatosura dhe se 25 persona janë shpëtuar nga zonat e fatkeqësisë me ndihmën e 30 avionëve dhe 182 varkave. Ndërsa mbi 840 mijë njerëz u prekën negativisht nga përmbytjet dhe dëmet materiale, rreth 122 mijë njerëz u detyruan të largohen nga banesat e tyre. Sipas mediave lokale, më shumë se një milion njerëz kanë vështirësi serioze për të siguruar nevojat bazë dhe shërbimet e energjisë elektrike dhe të internetit në 98 qytete.

Nesër mot i ndryshueshëm, vende-vende me reshje të shiut

Sot në Mal të Zi mban mot me vranësira të pakta deri mesatare. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat e shënuara në orën 14: Bijello Pole 25 gradë, Podgoricë e Beranë 24, Rozhajë 23, Tivar, Andrievicë e Shavnik 22, Ulqin, Plevle , Plluzhinë e Petnjicë 21, Cetinë, Nikshiq e Kollashin 20, Guci 19 dhe në Zhablak 16 gradë. Për nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme me intervale me diell, por vende-vende edhe reshje shiu ose rrebeshe të shkurtra të shoqëruara me bubullima, kryesisht në rajonet veriore dhe pjesën malore të Bokës. Në mëngjes në veri nëpër lugina me mjegull. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme, gjatë natës vende-vende mesatare deri e fortë nga veriu. Temperatura e mëngjesit nga 6 deri në 17, kurse më e lartë ditore prej 17 deri në 27 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се