Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

01. 05. 2024. 00:00 >> 18:52

Ditari 01.05.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Sot më 1 Maj në Podgoricë u organizua manifestim publik në Sheshin e Pavarësisë

Sot është 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Nga Bashkimi i Sindikatave të Lira kanë bërë me dije se punëtorët e presin këtë festë në kushte jo dinjitoze dhe se problemet kryesore janë ende puna në të zezë, puna jashtë orarit e papaguar, pasiguria e kontratës së punës. Në vend të shëtitjes tradicionale Bashkimi i sindikatave të lira organizoi një  manifestim publik në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë, me sloganin 1 Maji, dita e rezistencës dhe jo e pushimit. Ata paraqitën dy rezoluta duke theksuar se presin që Kuvendi t'i mbrojë kolektivët nga privatizimi dhe të sigurojë që e drejta për banesë të trajtohet si e drejtë themelore e njeriut.

Spajiq - Pas nesh janë rezultate të denja

Pas nesh janë rezultate të denja për 1 Majin, ka thënë ndër të tjera kryeministri Millojko Spajiq në urimin me rastin e 1 Majit. Ai thotë se Qeveria me zbatimin e reformave të deritanishme ka dëshmuar se Mali i Zi ka potencial për t'iu bashkuar familjes së shteteve të përparuara evropiane. Duke zbatuar reformat gjithëpërfshirëse shoqërore të cilat fokusohen, para së gjithash, në dinjitetin dhe pozitën materiale të të gjithë qytetarëve, duke afirmuar dialogun social, shtetin e së drejtës dhe mundësitë e barabarta, po përpiqemi të këmbejmë me qytetarët të drejtat, shqetësimet dhe idealet jetësore, thuhet në urimin e kryeministrit. Kryeministri Spajiq thekson se masat dhe iniciativat që na presin me qëllim të realizimit të ëndrrës evropiane, do të sjellin përfitime për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.

Kolegji i Gjykatës së Lartë konfirmoi masën e paraburgimit për Dushko Knezheviqin

Pas seancës dëgjimore, Kolegji i Gjykatës së Lartë konfirmoi masën e paraburgimit për Dushko Knezheviqin, për shkak të rrezikut të arratisjes. Avokati i tij, Zdravko Gjukanoviq, paralajmëroi ankesë kundër vendimit për paraburgim dhe theksoi se kanë kërkuar mbrojtje nga policia pasi, siç tha ai, siguria e Knezheviqit është në rrezik. Knezheviq akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës në biznes. Knezheviq është marrë në pyetje mbrëmë në Gjykatën e Lartë nga prokurorja speciale Tanja Çollan- Deretiq, në prani të avokatit, Drazhen Medojeviq, kurse më pas është bashkëngjitur edhe avokati i dytë mbrojtës Zdravko Gjukanoviq.

Lufta kundër të gjitha llojeve të krimit është vendimtare për rrugën evropiane të Malit të Zi

Lufta kundër të gjitha llojeve të krimit është vendimtare për rrugën evropiane të Malit të Zi, është vlerësuar në takimin e kryeprokurorit shtetëror Millorad Markoviq me ambasadorin e Austrisë në Podgoricë, Karl Muller. Nga Kryeprokuroria Shtetërore është bërë me dije se në takim u njoftua se përkundër sfidave të shumta me të cilat ballafaqohet gjyqësori në Mal të Zi, Prokuroria Shtetërore  jep një kontribut të madh në zbatimin e matësve të përkohshëm nga kapitujt 23 dhe 24 me qëllim të përmirësimit të sundimit të ligjit. Markoviq tha se reforma e ardhshme e e organizatës së prokurorisë shtetërore do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit dhe në rritjen e përgjegjësisë së prokurorëve shtetërorë. Ambasadori Muller tha se ky është një moment vendimtar për Malin e Zi. Ambasada austriake njeh dhe mirëpret të gjitha përpjekjet e organizatës së prokurorëve shtetërorë për të arritur përparim në fushën e sundimit të ligjit, tha Mueller.

Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë kanë kontrolluar dje objekte të përdorura nga anëtarë të grupeve të organizuara kriminale

Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë kanë kontrolluar dje objekte të përdorura nga anëtarë të grupeve të organizuara kriminale, si dhe të personave me precedent penal dhe të ndërlidhur, në disa lokacione në territorin e komunave të Tivarit, Ulqinit dhe Tivatit, njoftoi Drejtoria e Policisë. Sipas njoftimit, në këtë aksion janë arrestuar dy persona, ndërsa për shkak të sasisë së vogël të marihuanës janë privuar nga liria tre të tjerë, të cilët do të përballen me kundërvajtje.

Shtetasi serb me inicialet M.T privohet nga liria

Shtetasi serb me inicialet M.T., për të cilin është lëshuar urdhër-arrest për veprën penale mashtrim në kohë të zgjatur është privuar nga liria dje në Podgoricë, njoftoi Drejtoria e Policisë. Ai kërkohet në nivel ndërkombëtar dhe është lëshuar një urdhër nga Interpoli i Beogradit. M.T. do të paraqitet para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, për të caktuar masën e paraburgimit të ekstradimit, njoftoi policia.

DASH i zhgënjyer me propozimet për qeverinë e re të Serbisë, Vuçiq thotë se atë "e zgjedhin qytetarët"

Zgjedhja e Aleksandar Vulinit dhe Nenad Popoviqit si pjesë e qeverisë së re të Serbisë nuk është mirëpritur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Këta dy emra janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA për lidhjet e tyre me Rusinë.  Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh i zhgënjyer për Radion Evropa e Lirë, ndërsa shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i mirënjohur. Për reagimin e DASH-it u shpreh i palumtur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se qeveria e Serbisë është e zgjedhur nga qytetarët dhe se “SHBA-ja nuk luan asnjë rol në vendimet mbi përbërjen e Qeverisë. Sot pritet që në Kuvendin e Serbisë të miratohet përbërja e qeverisë së re ku do të ketë 25 ministri dhe 5 ministra pa portofol. Nenad Popoviq, i cili është propozuar për ministër pa portofol, është i sanksionuar nga SHBA-ja që nga nëntori i vitit 2023, ndërsa sanksionet ndaj Aleksander Vulinit, i cili do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit,  u vendosën në korrik të vitit 2023.

Punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

Punëtorë e aktivistë e kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Prishtinë me kërkesa për përmirësim të kushteve të punës. Në marshin e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), pjesëmarrësit u nisën drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë me pankarta të shumta. “Duam dialog për realizimin e kërkesave tona”, “Kërkojmë të ngrihet vlera e koeficientit” dhe “Qeveri, realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale” ishin disa nga mesazhet të shfaqura nëpër pankarta. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, paralajmëroi se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës, ata do të shqyrtojnë kryerjen e "veprimeve sindikale" si në të kaluarën kur punëtorët e arsimit kanë bërë greva. “I drejtohem Qeverisë me lutjen që të veprojë e të mos na përsëritet viti 2022 kur filluam me protesta modeste e pastaj me protesta massive. E, shkaku i heshtjes së tyre, u detyruam të bëjmë veprime sindikale që asnjëherë nuk i kemi dashur”, tha Jashari. Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro. Vitin e kaluar, vlera e koeficientit ishte 105 euro, por aktivistë të shumtë kanë kërkuar që kjo vlerë të rritet më shumë për shkak të rritjes së çmimeve.

“Me pagat që marrim mezi arrijmë ta mbyllim muajin” – Punëtorët protestojnë në Shkup

Organizatat sindikaliste në Maqedoninë e Veriut, kanë protestuar para qeverisë në Shkup, për rritjen e pagave të punëtorëve dhe kushte më të mira në punë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.Për herë të parë, me moton “Ne punëtorët”, në protestë janë bashkuar dy organizatat më të mëdha, Lidhja e Sindikatave dhe Konfederata e Organizatave Sindikale.Këto dy organizata kërkuan nga qeveria rritjen e pagës minimale në 450 euro, mbulimin e shpenzimeve për transport, ushqim dhe marrëveshjet kolektive që garantojnë të drejtat e tjera në punë.“Pa plotësimin e standardeve minimale të Bashkimit Evropian ne nuk mundemi asnjëherë të bëhemi pjesë e unionit evropian. Me pagat që marrim mezi po arrijmë të mbyllim muajin. Varfëria ka hyrë në shtëpinë e çdo punëtori”, ka deklaruar Angel Stojkovski, punonjës në industrinë e tekstilit në protestën e 1 majit të mbajtur në Shkup. Protestuesit thonë se është momenti i fundit që institucionet të ndërgjegjësohen pasi vendi do të mbetet pa punëtorë nëse vazhdojnë të nëpërkëmben nga shteti.“Kemi dalur që të kërkojmë të drejtat tonë, të solidarizohemi me të gjitha degët e industrisë, me të gjithë punëtorët dhe të përçojmë porosinë tek qeveria aktuale dhe ajo që do të vijë që të mos luajë me të drejtat e punëtorëve pasi ata janë shtylla e këtij vendi”, ka deklaruar Ivan Peshevski, nga sektori i ndërtimtarisë. Drejtuesit e sindikatave, në veçanti, iu drejtuan partive që do të formojnë qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare, më 8 mars, me kërkesën që në 100 ditët e para të punës së saj të plotësojnë kërkesat bazë.

Blinken u thotë Izraelit dhe Hamasit se “ka ardhur koha” për armëpushim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, takoi liderët izraelitë më 1 maj, gjatë vizitës së tij në Izrael, dhe i tha presidentit të vendit se “ka ardhur koha” për një marrëveshje armëpushimi në luftën në Gazë. Kjo është vizita e shtatë e Blinkenit që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në muajin tetor. Ai po përpiqet të arrijë një marrëveshje armëpushimi, që do të lironte pengjet e mbajtura nga militantët e Hamasit në këmbim të ndalimit të luftimeve. Të burgosurit palestinezë gjithashtu pritet të lirohen si pjesë e marrëveshjes. Blinken ka fajësuar Hamasin për çdo vonesë në arritjen e një marrëveshjeje. “Ne jemi të vendosur të arrijmë një armëpushim që sjell pengjet në shtëpi dhe ta arrijmë atë tani, dhe arsyeja e vetme që kjo nuk do të arrihej është për shkak të Hamasit”, tha ai. Blinken vizitoi udhëheqësit kryesorë rajonalë në Arabinë Saudite dhe Jordani përpara se të mbërrinte në Izrael. Ai u takua me presidentin izraelit, Isaac Herzog, dhe do të takohet më vonë me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ai do të takohet edhe me familjet e pengjeve si dhe do të vizitojë një port izraelit ku po lejohet hyrja e ndihmave humanitare që dërgohën në Gazë.

Guterres i bën thirrje Izraelit të mos kryejë ofensivë në Rafah

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje Izraelit që të mos e pushtojë qytetin jugor të Gazës, Rafahun. Kjo thirrje e Guterres erdhi pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do ta pushtojë Rafahun pavarësisht nëse arrihet ose jo një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve. “Një operacion ushtarak në Rafah do të ishte një përshkallëzim i padurueshëm, duke vrarë mijëra civilë të tjerë dhe duke detyruar qindra mijëra të tjerë të largohen”, tha Guterres për gazetarët. Një operacion i tillë, “do të kishte ndikim shkatërrues ndaj palestinezëve në Gazë, me pasoja serioze në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në mbarë rajonin”, tha Guterres.

Të paktën 24 persona kanë humbur jetën nga shembja e autostradës në Guangdong

Të paktën 24 persona kanë humbur jetën nga shembja e autostradës në provincën jugore të Kinës Guangdong. Televizioni publik kinez raportoi se një segment prej 17.9 metrash në rrugën mes qytetit Meizhu dhe njësisë Dabu u shemb rreth orës 2:10 të mëngjesit, duke zënë 18 mjete që po qarkullonin në atë kohë. "19 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 30 po marrin ndihmë urgjente në spital," raportoi CCTV, duke sqaruar se të shtruarit nuk janë në rrezik për jetën. Javët e fundit rajoni i Guangdongut është goditur nga kushte meteorologjike ekstreme me shira të rrëmbyer, përmbytje dhe një tornado, që ka shkaktuar edhe 5 viktima në qendrën industriale të Kinës.

Greqia shton kapacitetet për të luftuar zjarret masive

Këtë vit, Greqia po e dyfishon numrin e zjarrfikësve në njësitë e specializuara, duke e rritur atë në 1.300, si dhe po miraton përdorimin e taktikave të SHBA-së në luftimin e zjarreve masive. Anëtarët e njësive të reja të specializuara në Greqi përfshijnë ekspertë të pylltarisë dhe zjarrfikës me aftësi të ndryshme, që po zhvillojnë trajnime me homologët e tyre në Francë, Spanjë dhe SHBA. Sezoni i zjarreve në Greqi fillon zyrtarisht më 1 maj, por dhjetëra zjarre tashmë janë shuar gjatë muajve të fundit pasi temperaturat filluan të arrijnë deri në 30 gradë Celsius në fund të marsit – dukshëm më të larta sesa në të njëjtën periudhe të viteve të kaluara. E financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, Greqia ka nisur një program 2.1 miliardë eurosh për të përmirësuar kapacitetin e saj të reagimit ndaj katastrofave, duke porositur avionë të rinj që hedhin ujë, dronë, kamionë, objekte trajnimi dhe një rrjet sensorësh të drejtuar nga inteligjenca artificiale që zbulojnë shenjat e hershme të tymit dhe përmbytjeve. Por, pajisjet e reja nuk do të fillojnë të vijnë deri në vitin 2025. Ndërkohë, autoritetet greke po dyfishojnë numrin e trajnimeve për metodat e reja të shuarjes së zjarreve, në prag të atij që pritet të jetë një tjetër sezon i vështirë këtë vit.

Dhjetëra studentë arrestohen në SHBA gjatë protestave propalestineze

Dy grupe të ndryshme të protestuesve, pro-palestinezë dhe pro-izraelit, janë përplasur sot përsëri me grushte, shkopinj e shqelma  në kampusin e Universitetit të Kalifornisë, në Los Anxhelos (UCLA). Pas disa orësh përleshjesh midis këtyre dy grupeve, policia ndërhyri për t’i ndarë grupet dhe për të shuar dhunën. Vetëm disa orë më parë, policia kishte ndërhyrë edhe në një tjetër kampus universitar në SHBA, për t’i shpërndarë protestuesit pro-palestinezë që ishin izoluar brenda një ndërtese në Universitetin e Kolumbias. Policia ka qenë më aktive nëpër kampuset në të gjithë SHBA gjatë dy javëve të fundit, pas protestave që u bënin thirrje universiteteve të ndalojnë së bëri biznes me Izraelin ose kompanitë që mbështesin luftën në Gazë. Ka pasur konfrontime dhe më shumë se 1.000 arrestime të studentëve protestues. Përleshjet në UCLA u zhvilluan rreth një kampi të ngritur nga protestuesit pro-palestinezë, të cilët vendosën barrikada, ndërsa kundërprotestuesit u përpoqën t'i rrëzonin ato.

Për nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe i paqëndrueshëm

Për nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe i paqëndrueshëm, me reshje përkohshme shiu, rrebeshe e bubullima. Gjatë ditës me periudha të gjata me diell, ndërkaq reshje më intensive gjatë natës midis të enjtes dhe të premtes dhe në orët e hershme të mëngjesit. Do të fryjë erëa herë pas here mesatare deri e fortë nga jugu. Temperatura e mëngjesit nga 6 deri në 17, kurse më e lartë ditore prej 13 deri në 24 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се