Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

11. 04. 2024. 00:00 >> 17:28

Ditari 11.04.2024

Përgatiti, Gj. Dukaj

Banka Botërore, publikoi rritjen ekonomike në Mal të Zi prej 3,4% për këtë vit

Ekonomia malazeze do të rritet me 3,4 për qind këtë vit, ndërsa 2,8 për qind vitin e ardhshëm, vlerësuan nga Banka Botërore dhe kanë porositur është e domosdoshme rritje e mëtejme për të arritur konvergjencë më të shpejtë me Bashkimin Evropian.

Ekonomisti i Bankës Botërore për Malin e Zi, Millan Llakiqeviq, tha se arritja ekonomike në Mal të Zi ishte më e larta në rajon.

Ai tha se shkalla më e lartë e rritjes ekonomike në Mal të Zi vitin e kaluar ishte gjashtë për qind dhe se rritja është nxitur nga rritja e konsumit privat, fuqizimi i turizmit i mbështetur nga fluksi i të huajve.

“Aktiviteti i fuqishëm ekonomik është reflektuar në tregun e punës, me punësimin që ka arritur nivelin më të lartë historik”. Nga viti 2021 deri në vitin e kaluar, mund të shihet përparim i vazhdueshëm dhe i fuqishëm. Shkalla e aktivitetit prej 64 për qind e qytetarëve mbi 15 vjeç është shkalla më e lartë e aktivitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Llakiqeviq.

Ai tha se ky trend ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të këtij viti dhe se një rritje e dukshme  e punësimit vërehet në të gjithë sektorët.

Zyrtari operativ i Bankës Botërore, Denis Mesihoviq, tha se aktiviteti ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të rritet për 3.2 për qind këtë vit, që është një rritje prej 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me raportin e mëparshëm. Një rritje e mëtejshme në 3.5 për qind pritet në vitin e ardhshëm.

Siç thuhet në raport, Plani i ri i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor ofron një mundësi për të stimuluar rritjen ekonomike përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht në ekonominë e gjelbër.

 

"Greqia do të angazhohet fuqishëm për përshpejtimin e integrimit të Malit të Zi në BE"

Greqinë dhe Malin e Zi i lidh miqësia e sinqertë dhe kryeministri Kiryjakos Mitsotakis më siguroi se në periudhën e ardhshme Greqia do të angazhohet fuqishëm për përshpejtimin e integrimit të Malit të Zi në BE, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Millatoviq në rrjetin social X, ka njoftuar se ishte në një fluturim nga Athina për në Vilnius së bashku me kryeministrin grek Kyriakis Mitsotakis, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e 9-të të Nismës së Tre Deteve.

"Në bisedën kuptimplote u fol për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor midis Malit të Zi dhe Greqisë. Faleminderit për mikpritjen në fluturim!", tha ai në rrjetin social X.

Millatoviq tha se biseda do të vazhdojë së shpejti në Mal të Zi.

 

Prioritet i politikës së përgjegjshme është mirëqenia e të gjithë qytetarëve

Në udhëheqjen e shtetit me përgjegjësi dhe përkushtim, dihen prioritetet kurse mirëqenia e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi është shumë më përpara se dëshirat individuale të deputetëve për vetëpromovim dhe vendosjen e interesave vetiake para atyre shtetërore, kanë porositur nga Qeveria e Malit të Zi.

Nga Qeveria, po ashtu, kanë njoftuar se Spajiq nuk do të marrë pjesë në orën e kryeministrit më 30 prill, për shkak të vizitës së tij zyrtare në Gjermani, e cila ishte paralajmëruar në fillim të marsit.

“Gjatë vizitës, kryeministri Spajiq do të takohet me kancelarin Olaf Sholc, i cili është i një rëndësie të veçantë në kuadër të integrimit në BE dhe marrjes së IBAR-it. Gjermania është një nga aleatët kyç në rrugën drejt BE-së, kështu që kryeministri do të flasë edhe me përfaqësues të Bundestagut, të ekonomisë gjermane dhe do të zhvillojnë takime të tjera të shumta, të cilat do të forcojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve”, deklaruan nga Qeveria.

Deputeti i URA-s, Millosh Konatar, ka thënë mëngjesin e sotëm se kryeministri Millojko Spajiq i shmanget ardhjes në Parlamentin e Malit të Zi, sepse, siç tha ai, nuk dëshiron të përballet me deputetin Dritan Abazoviq.

 

A.Mandiq;”Pajtimi në Mal të Zi është i domosdoshëm”  

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq është i vetmi përfaqësues zyrtar i serbëve që mban pozitë të lartë shtetërore. Por, siç tha ai në një intervistë për “Blic”, jo për shumë kohë sepse së shpejti pritet rikonstruksioni i Qeverisë, e cila do të përfshijë më shumë përfaqësues të serbëve në Mal të Zi.

“Prioriteti është sigurisht një jetë më e mirë për qytetarët e Malit të Zi dhe Serbisë dhe këtë mund ta arrijmë vetëm përmes forcimit të ekonomisë. Ka një sërë projektesh që janë me interes të ndërsjellë për dy të vendet, në radhë të parë ndërtimi i autostradës Beograd- Tivar, si dhe rindërtimi i hekurudhës në të njëjtën linjë.

Krahas këtyre projekteve të mëdha infrastrukturore, forcimi i bashkëpunimit në sektorin e energjisë dhe në fushën e turizmit është diçka që është gjithashtu në krye të prioriteteve”, thotë Mandiq.

 

Tërhiqet nga procedura Propozim për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese

Për shkak të interesimit të madh të shkaktuar nga Propozimi për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kryetari i klubit parlamentar të Demokracisë së Re Serbe (NSD), Sllaven Radunoviq, njoftoi opinionin se do ta tërheqë atë nga procedura, pasi nuk ka marrë përkrahjen e duhur nga Komisioni Ligjdhënës.

“Si shumicë parlamentare jemi pajtuar që të njëjtin problem jemi munduar ta zgjidhim me ndryshimin e ligjit ekzistues, të rregulluar në mënyrë alternative, i cili do të jetë plotësisht i harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet dhe si i tillë i pranueshëm si për shumicën e kolegëve nga Parlamenti ashtu dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Radunoviq.

 

Sipas tij, në këtë mënyrë dëshmojnë se si një Qeveri e përgjegjshme respektojnë shkronjën e ligjit, “për dallim nga regjimi i mëparshëm i cili shfrytëzonte Parlamentin për të imponuar idetë e tij absolutiste”, ka thënë Radunoviq.

 

Mali i Zi kontribuon në pozicionin ushtarak të NATO-s

Mali i Zi kontribuon në pozicionin politiko-ushtarak të Aleancës së NATO-s, duke përfshirë edhe qëndrimin lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Federata Ruse, si sfida më e madhe me të cilën është përballur organizata në dekadat e fundit.

Kështu u vlerësua në takimin e ministrit të Mbrojtjes Dragan Krapoviq, me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Inteligjencës dhe Sigurisë, Scott Bray, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Mal të Zi.

Në takim u vlerësua se lufta në Ukrainë ka ndryshuar tërësisht strukturën e sigurisë në kontinentin evropian.

“Është e nevojshme të forcohet uniteti i aleatëve në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të ndikimit malinj rus”, thuhet në njoftim.

Krapoviq, dhe Brej, arritën në përfundimin se situata aktuale politike dhe e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është e qëndrueshme, pavarësisht ekzistencës së disa temave konstante dhe të vazhdueshme të potencialit destabilizues.

 

Freedom House: Mali i Zi mes demokracisë dhe autokracisë

Në raportin e Fridom Hause, Mali i Zi klasifikohet si një regjim hibrid, i cili është midis demokratik dhe autokratik. Raporti përfshin 29 vende dhe Mali i Zi mori 46 nga 100 pikë të mundshme. Në raport, ndër të tjera, theksohet se institucionet nuk po funksionojnë siç duhet, dhe se disa komuna po përballen me pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve. Indeksi i qeverisjes demokratike lokale në Mal të Zi u reduktua nga 4.25 në 4, siç thuhet në raport, për shkak të politizimit dhe funksionimit të dobët të shumë komunave, si dhe sfidave në vitin e kaluar, duke përfshirë pengimin e zgjedhjeve dhe seancave të kuvendeve lokale. Në raport thuhet se si rezultat, indeksi i demokracisë malazeze ra nga 3.79 në 3.75.

 

Fillon sezoni i lundrimit në portin e Tivarit

Mega kryqëzori “San Princes”, i kompanisë amerikane Princes Kruises, lundroi mëngjesin e sotëm në portin e Tivarit,  me 4 mije e 170 turistë dhe 1 mijë e 620 anëtarë të ekuipazhit. Lundrimi i Kruiserit, shënoi zyrtarisht fillimin e sezonit të lundrimit të këtij viti në Tivar. Agjenti i Agjencisë portuale Boka Adriatika, Jovan Moriq, tha se San Princes është anija më e madhe turistike që deri më tani ka lundruar në ujërat e Malit të Zi, dhe se tetë lundrime të saj janë planifikuar për në portin e Tivarit. San Princes është një anije e re prej 177 mijë tonësh, me gjatësi 345 metra. Kapaciteti i anijes është 4 mijë e 300 pasagjerë, për komoditetin e të cilëve kujdesen 1 mijë e 150 anëtarë të ekuipazhit.

 

Protestuesit përleshen me policinë para Bashkisë së Tiranës

Në protestën e thirrur në Tiranë nga partitë opozitare, protestuesit u përleshën me policinë para bashkisë së kryeqytetit shqiptar. Protestuesit hodhën flakadanë dhe koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së bashkisë së Tiranës.

Protesta e 11 prillit u thirr nga Rithemelimi, grupimi më i madh i deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë brenda Partisë Demokratike, dhe Partia e Lirisë e ish-presidentit, Ilir Meta.

Përfaqësuesit e këtyre dy partive opozitare po kërkojnë largimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, dhe përballjen e tij me drejtësinë. Kjo është protesta e dytë që u mbajt brenda disa ditësh para bashkisë së Tiranës. Protestat u thirrën pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve bashkiakë nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tenderë.

 

QUINT-i; Bojkotimi i zgjedhjeve nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët në veri

Përfaqësuesit e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian në Kosovë kanë thënë të mërkurën se ndjejnë keqardhje për deklaratat e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - dhe disa figurave të tjera politike serbe në Kosovë për tërheqje prej procesit zgjedhor që do të zhvillohet më 21 prill në komunat veriore të Kosovës për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë.

QUINT-it përbëhet prej Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Në reagim është thënë se edhe ndonëse zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar nuk kanë ofruar zgjidhje politike afatgjatë, “bojkotimi i votimit më 21 prill, nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri”.

 

Presidenti J. Biden i premton Izraelit mbështetje pas kërcënimeve nga Irani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka premtuar Izraelit mbështetje të “palëkundshme” amerikane, pas paralajmërimeve të vazhdueshme se Teherani mund të hakmerret për një sulm nga i cili u vranë dy gjeneralë të lartë iranianë.

Biden, paralajmëroi se Irani po kërcënon ta kryejë një “sulm të madh”, pas një sulmi kundër konsullatës iraniane në Siri para 10 ditëve, për të cilin Teherani e fajëson Izraelin.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbrojtur sigurinë e Izraelit”, tha Biden.

Të mërkurën, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se sulmi i Izraelit në Damask ishte i barasvlefshëm me një sulm kundër vetë Iranit.

 

Vriten tre djem të liderit politik të Hamasit

Tre djem të liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë vrarë nga një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës, ditën e djeshme. Vrasja e tyre rrezikon të ndikojë në bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për armëpushim në Gazë, të cilat filluan të shënojnë përparim në ditët e fundit, pavarësisht se mes palëve ka ende mjaft dallime në çështjet kryesore.  

Nderkohe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se beson se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po bën “gabim” në mënyrën se si po e trajton Gazën. Ai nder te tjera  tha se Gaza duhet të ketë “qasje të plotë në të gjitha ushqimet dhe barnat” në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme.

 

Sulme intensive ruse ndaj infrastrukturës

Qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa rrymë si pasojë e një vale të re sulmesh të mëdha ajrore që Rusia e kreu ndaj infrastrukturës së Ukrainës, duke e nxitur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, t’i lutet përsëri Perëndimit që t’ia japë Kievit sistemet kundërajrore për të cilët ka aq shumë nevojë. “Deri tani, nuk ka viktima. Informatat janë duke u përditësuar. Ne jemi duke i rregulluar prishjet në rrjetin energjetik”, tha shefi i administratës ushtarake në Harkiv, Oleh Siniehubov.

 

Nesër, mot kryesisht me diell

Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell, vende - vende me vranësira të pakta. Frynë erë e lehtë deri emesme e drejtimeve veriore.

Temperatura në orën 14; Ulqin 29 gradë, Podgoricë 28, Berane, Nikshiq e Bjello Pole 25, Tivar, Cetinë e Budvë 24, Plevlë, Herceg Novi, Andrijevicë e Rozhajë 23, Shavnik e Guci 22, Kollashin, Plluzhinë e Petnjicë 21 dhe në Zhablak 17 gradë.  

Meteorologët parashohin se nesër në viset jugore do të mbaj mot kryesisht me diell, kurse në veri me vranësira të ndryshueshme me intervale me diell por kryesisht i thatë. Do të fryjë erë e lehtë, vende-vende e mesme deri e fortë  veriore dhe verilindore. Temperatura e mëngjesit nga 4 deri në 16, kurse më e lartë ditore prej 17 deri në 29 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се