Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

02. 04. 2024. 00:00 >> 18:48

Ditari 02.04.2024

Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj

Ligjet zgjedhore të vjetruara, reforma të jetë gjithëpërfshirëse

Afati deri në të cilin planifikohet të zbatohet reforma zgjedhore është muaji dhjetor, u bë e ditur në mbledhjen e Këshillit parlamentar. Me këtë rast u theksua se reforma është parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropianë , disa ligje duhet të zgjerohen dhe disa të tjerë të ndryshohen plotësisht.

Deputeti i Lëvizjes Evropa Tani, Vasilie Çarapiq  theksoi se Bashkimi Evropianë dëshiron të ketë një demokrati funksionale, domethënë një shtet anëtarë që do të këtë legjislacion të mirë zgjedhor dhe nuk do të shkaktojë kokë dhimbje, kur bëhet fjalë për zgjedhjet. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve e kryetar i Këshillit, Nikolla Rakoçeviq tha se është e nevojshme të jepet një pasqyrë e kompetencave të grupeve të formuara, të përcaktohet përbërja e grupeve të punës dhe koordinatorët e secilit grup. Ana Neneziq nga Instituti Analitiko tha se ligjet zgjedhore janë të vjetruara, se është shumë e vështirë jo vetëm të organizohen zgjedhjet sot në Mal të Zi, por edhe të monitorohen dhe mbikëqyren ato. Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Tranzicion Demokratik, Dragan Koprivica, tha se është e qartë se disa gjëra disa gjëra kanë munguar, siç është Ligji për Presidentin. Nuk është e mundur të mos përfshihet në reformën zgjedhore, aq më tepër nëse kemi përvojën e raundit të dytë, pasi është absolutisht i parregulluar, shpjegoi ai dhe shtoi se është harruar të përmendet Kodi Penal.

Rakoceviq: Marrëveshja politike është shkelur në fillim dhe po shkelet në çdo hap

Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikolla Rakoçeviq, thotë se në Mal të Zi ka një krizë të rëndë pushteti. Ai tha për Radiotelevizionin e Malit të Zi se pa partitë që janë aktualisht në opozitë nuk ka stabilitet dhe progres në vend. Rakoçeviq theksoi se marrëveshja politike është shkelur në fillim dhe po shkelet në çdo hap, sepse secila nga partitë politike po tërheq për vete. Kanë vënë kolltukët në fokus të aktivitetit të tyre politik dhe natyrisht agjendën e ngushtë partiake. Prandaj ka krizë pushteti, krizë pushteti rreth sektorit të sigurisë, krizë pushteti që lidhet me çështjet e politikës tonë të jashtme. Sigurisht, një qeveri totalisht jofunksionale, një shumicë parlamentare jofunksionale dhe sigurisht, për fat të keq, mungesë progresi në rrugën evropiane të Malit të Zi që është prioritet, vlerësoi Rakoçeviq.

URA ka paraqitur në procedurë propozimin e Ligjit për prejardhjen e pronës

Lëvizja qytetare URA ka paraqitur kërkesë për miratimin në procedurë parlamentare të Ligjit për prejardhjen e pasurisë. Sipas kësaj zgjidhjeje ligjore, asnjë deputet aktual apo ish-deputet nuk mbrohet me imunitet nga hetimi i pasurisë së fituar, tha deputeti i kësaj partie, Millosh Konatar. Lideri i LQ URA-s, Dritan Abazoviq tha se “Kemi dorëzuar në procedurë parlamentare Ligjin për hetimin e origjinës së pronës. Pas një viti pritje dhe pas paralajmërimeve të shumta se deputetët do të mblidheshin dhe do të bënin një zgjidhje më të mirë ligjore, por pasi nuk ndolli asgjë, vendosëm që përsëri të propozojmë Ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, theksoi Abazoviq. Ai theksoi se nëse do të kishim një zgjidhje të tillë ligjore, pretendon se të paktën 25 milionë euro do të kishin përfunduar në arkën e shtetit dhe se kjo pronë mund të vihej në përdorim të qytetarëve sepse është fituar në mënyrë të paligjshme. “Qëllimi është të kontrollohet prona që dyshohet se është fituar ilegalisht në procedurë civile”, tha deputeti dhe Lideri i URA-së, Dritan Abazoviq. Ai ka theksuar se barrën e provës e ka ai që dyshohet se ka pasuri të paligjshme. “Fryma e ligjit është se në procedurën civile kontrollohet pasuria e personave për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se e kanë fituar në mënyrë të paligjshme dhe barra e provës i takon personit kundër të cilit zhvillohet procedimi“, theksoi Abazoviq. Ai përmendi se nuk është e vërtetë dilema se pasuria e fituar në vitet e 90-ta nuk mund të hetohet me këtë ligj.

Shefi i diplomacisë malazeze në takimin e ministrave të NATO-s në Bruksel

Shefi i diplomacisë malazeze, Filip Ivanoviq, do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, i cili do të mbahet në Bruksel gjatë dy ditëve të ardhshme.

Ministria e Punëve të Jashtme bëri të ditur se takimi po organizohet në prag të 75-vjetorit të themelimit të NATO-s.

“Ministrat e 32 vendeve anëtare do të shqyrtojnë çështje të shumta me rëndësi për sigurinë euroatlantike, si dhe hapat dhe prioritetet e mëtejshme për takimin e ardhshëm të liderëve në Uashington”, thuhet në deklaratë.

Thuhet se pjesëmarrja e Ivanoviqit është mundësi për afirmim shtesë të prioriteteve të Malit të Zi, si dhe konfirmim i përkushtimit ndaj politikave të Aleancës dhe përkushtimit të plotë për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara.

Ivanoviq, siç është paralajmëruar, do të bisedojë me zyrtarë të NATO-s dhe përfaqësues të vendeve anëtare në margjinat e takimit.

Krapoviq do të njihet me ofertën e kantiereve detare në Francë

Ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq nesër dhe pasnesër për vizitë punë në Francë. “Nesër ai do të takohet në Paris me kolegun e tij francez Sebastien Lecorny, me të cilin do të nënshkruajë një marrëveshje ndërqeveritare për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe do të diskutojë modalitetet e bashkëpunimit të mëtejshëm të mbrojtjes. Duke pasur parasysh planet për forcimin e kapaciteteve të Marina e Ushtrisë së Malit të Zi është planifikuar edhe një vizitë në kantierin detar Kership “në Konkarno, ku Ministri i Mbrojtjes do të njihet me ofertën e kantierit detar dhe dinamikën e ndërtimit të anijeve”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.Bëhet e ditur se para takimit me Lekornin, Krapoviq do të ketë takime të ndara me kryetarin e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri të Senatit, Sedrik Peren dhe kryetarin e Komisionit për Mbrojtje dhe Forca të Armatosura të Kuvendit Popullor, Tomas Gasiu.

Të premten, Spajiq do t'u përgjigjet pyetjeve të deputetëve

Të premten, kryeministri Millojko Spajiq do t'u përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare, në mbledhjen e veçantë të seancës së parë të rregullt të Kuvendit të këtij viti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviq do të pyesë Spajiqin nëse do të japë dorëheqjen nëse Gjykata Administrative konstaton se ai ka vepruar në mënyrë të paligjshme gjatë emërimit të ushtruesit të detyrës së drejtoreshës së Drejtorisë së Policisë, Aleksandra Radoviq.

Miodrag Lakoviq, deputet i Lëvizjes Evropa Tani, do të pyesë Spajiqin se si planifikon të mbrojë shoqërinë malazeze, sistemin zgjedhor dhe demokracinë nga aktivitetet subversive, të cilat u dëshmuan gjatë aferës Do Kwon.

Kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, është interesuar nëse ka plan për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare me Serbinë për shtetësinë e dyfishtë.

Ish-punëtorët e minierës së boksitit të Nikshiqit kërkojnë shlyerjen borxheve dhe lidhjen e stazhit të punës

Ish-punëtorët e minierës së boksitit të Nikshiqit protestuan sot në minierën Seoci, në Zhupë. Ata thonë se marrëveshja e punëtorëve është që, deri në shitjen e pasurisë së masës së falimentimit në Seoce dhe Shtit, të pezullohet eksploatimi i xehes. Ata kërkojnë shlyerjen e borxheve dhe lidhjen e stazhit të punës për 80 punëtorë. Marrëveshja e punëtorëve është që të mos punojnë Seoca. Vendimi për dëmin e shkaktuar në ndërtesën administrative ka marrë formë të prerë në favor të punëtorëve. Dëmi ka qenë 890 mijë euro. Drejtorët e falimentimit kanë shkaktuar dëm të qëllimshëm për t'i dhënë para kompanisë hungareze Vagon Impeks. Ky është korrupsion i pastër. Është përgjegjësi e autoriteteve shtetërore dhe mbi të gjitha drejtorisë së falimentimit që të kompensojnë dëmin e shkaktuar, tha përfaqësuesi i punëtorëve Rasho Çivoviq.

Kallëzim penal ndaj tre të miturve për dhunë nga bashkëmoshatarët

Tetëmbëdhjetë vjeçari A.R. nga Berani është lënduar rëndë sot kur është sulmuar në oborrin e shkollës së mesme të mjekësisë Dr. Branko Zogoviq në këtë qytet, mëson Portali RTMZ. Sipas informacioneve tona ai është sulmuar nga tre të mitur 17-vjeçarë. Policia thotë se 17 vjeçarët akuzohen për veprën penale të sjelljes së dhunshme. “Policët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në institucionin e lartpërmendur kanë konstatuar se A.R. ka lëndime në kokë, të cilin e kanë intervistuar dhe i njëjti është transportuar në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë për monitorim të gjendjes së tij dhe kryerjen e procedurave të mëtejshme mjekësore. Policia ka ndërmarrë veprime nga juridiksioni i tyre për zbardhjen e ngjarjes. Të miturit u identifikuan, u morën denoncime dhe u konstatua se kanë rezultuar pozitivë për lëndën narkotike marihuanë. Administrata e shkollës njoftoi Portalin RT Publikë se ky është incidenti i parë i këtij lloji në shkollën e përmendur.

Stano: Formimi i Asociacionit është kërkesë dhe obligim i kahershëm

Nëse Kosova nuk nis zbatimin e marrëveshjes që ka të bëjë më formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë kjo tregon se vendi nuk është i përkushtuar ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, porositi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Duke folur para gazetarëve në konferencë për media, zëdhënësi i BE-së nënvizoi se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është një kërkesë dhe obligim i kahershëm nga ana e Kosovës.

"Pra, duhet në të duhet të punohet urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë dhe në nivel të liderëve evropianë. Pra, nëse Kosova nuk arrin t'i realizojë këto, atëherë nuk do të shihet si një shenjë pozitive e vullnetit për të vazhduar në rrugën e normalizimit, e cila tani është e lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën e saj të anëtarësimit në BE", porositi zëdhënësi Stano. 

Duke iu referuar takimit të 4 prillit, zëdhënësi Stano nënvizoi se i njëjti do të jetë i fokusuar në gjetjen e zgjidhjes për çështjen e dinarit. 

"Kjo lidhet më së shumti me çështjet që janë diskutuar javën e kaluar dhe një javë më parë në Bruksel, përkatësisht kryesisht çështjen e implikimeve apo pasojave të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit", tha Peter Stano. 

Të enjten më 4 prill do të mbahet takimi në nivel të kryenegociatorëve, ku teme kyçe pritet të jetë gjetja e zgjidhjes për zbatimin e rregullores së BQK-së.

Është ky takimi i tretë brenda më pak se një muaji lidhur me këtë temë. Zyrtarët evropian shprehen optimistë se mund të gjendet zgjidhja gjatë takimit të 4 prillit.

Abazoviq: BE-ja duhet të jetë më konkrete në dialogun Kosovë - Serbi

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë qasjen në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai në një intervistë për ‘Euroactiv’ ka thënë se “BE-ja duhet të jetë më konkrete”.

“Nëse e kemi gjithmonë këtë lloj politike shumë të butë, do të flasim për të njëjtën gjë edhe pas 10 apo 20 vitesh. Kjo është një fatkeqësi sepse ne kemi humbur tashmë 20 vjet”, tha Abazoviq.

Ai ka shfaqur besimin se Kosova dhe Serbia "duan të shohin një marrëveshje përfundimtare” dhe “të tregojnë se ne nuk jemi më një rajon konflikti, por një rajon mirëkuptimi”.

Megjithatë, Abazoviq, ka pranuar se ajo nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur.

Ndërkaq, duke folur për votën kundër të Malit të Zi ndaj anëtarësimit të Kosovës në KiE, në Komisionin për  çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Abazoviq theksoi se ky zhvillim është një ‘realitet i ri’.

Abazoviq tha se vota kundër Kosovës në KiE do të ishte "e pamundur nën mandatin e tij”.

“Ne ishim shumë të qartë në politikën tonë të jashtme. Ajo ishte 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”, tha tutje ai.

Në lidhje me zgjerimin e BE-së, Abazoviq tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor është kyç.

"Nuk është diçka që është një favor për ne; por investim në sigurinë dhe të ardhmen e Evropës dhe të kujtdo që dëshiron ta shohë Evropën si një superfuqi – një Evropë e bashkuar me të gjitha vendet tona”, shtoi Abazoviq.

Aksidentohet një veturë me emigrantë në Shqipëri, 8 të vdekur

Tetë persona kanë vdekur sot herët kur një veturë e cila dyshohet se po bartte emigrantë doli nga rruga dhe ra buzë një lumi në jug të Shqipërisë, njoftoi Policia shqiptare.

Kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, Petrit Çano, tha se shoferi është shqiptar nga qyteti veriperëndimor, Shkodër, ndërsa emigrantët nga vende të treta që po përdornin Shqipërinë për të shkuar në vende të Bashkimit Evropian. “Nuk e dimë nga [cilat vende] vijnë, presim mjekët ligjorë nga Tirana për ekspertizën dhe do të duhet kohë për identifikimin. Pas identifikimit do të bashkëpunojmë me ambasadat përkatëse për kthimin e trupave në vendet e tyre”, tha Çano për media.

Aksidenti ndodhi rreth orës 4:00 në rrugën Këlcyrë-Përmet në jug të vendit.

Policia tha se drejtuesi i veturës, i cili po i bartte shtatë emigrantë të jashtëligjshëm, e humbi kontrollin mbi timonin dhe doli nga rruga duke rënë buzë lumit Vjosa.Policia tha se hasi një veturë që po udhëtonte me shpejtësi të madhe dhe se ajo i kishte shpërfillur urdhrat e oficerëve për t’u ndalur, duke vazhduar drejt Përmetit.

Oficerët e ndoqën deri në afërsi të vendit të ngjarjes veturën dhe se “kur nuk e kanë parë më mjetin që po ndiqnin, efektivët e policisë kanë inspektuar zonën dhe kanë parë shenjat e aksidentit të rëndë”, tha për media drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa.

Paraprakisht, Policia kishte thënë se shtatë emigrantët e paligjshëm së bashku me shoferin humbën jetën në vendin e ngjarjes.

Drejtues të policisë vendore, të policisë kufitare dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dolën në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Tre fëmijë plagosen në një sulm në një shkollë në Finlandë

Një fëmijë është vrarë dhe dy janë plagosur, të gjithë të moshës 12 vjeçare, gjatë një sulmi me armë zjarri në një shkollë fillore në Finlandë, njoftoi policia e këtij vendi. I dyshuari, një i mitur po ashtu, u arrestua nga policia. Të plagosurit janë dërguar në spital, tha një zëdhënës i Policisë për agjencinë e lajmeve Reuters. Sulmi ndodhi në shkollën fillore “Viertola” në Vanta, një rrethinë e kryeqytetit Helsinki. Kjo shkollë i ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë deri të e nënta, si dhe një staf prej 90 njerëzve, sipas autoriteteve lokale. Finlanda është përballur me incidente të tilla edhe në të kaluarën. Më 2007, Pekka-Eric Auvinen i vrau shtatë nxënës, infermieren e shkollës, drejtorin dhe veten me një pushkë dore në shkollën e mesme “Jokela”, afër Helsinkit. Një vit më vonë, më 2008, Matti Saari, një tjetër student, shtiu me armë në një shkollë profesionale në veriperëndim të Finlandës. Ai i vrau nëntë studentë, një anëtar të stafit të shkollës dhe pastaj veten. Finlanda e ka ashpërsuar ligjin për armëmbajtjen më 2010. Ajo e ndryshoi edhe moshën e lejuar për armëmbajtje, nga 18 në 20 vjeçe.

Vriten 7 punonjës humanitarë në një sulm ajror izraelit në Gaza

Qytetarë nga Australia, Britania dhe Polonia ishin në mesin e shtatë personave që punonin për organizatën World Central Kitchen të kuzhinierit të famshëm Jose Andres, të cilët u vranë në një sulm ajror izraelit në Gazën qendrore. Punonjësit, në mesin e të cilëve palestinezë dhe një me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe kanadeze, po udhëtonin me dy makina të blinduara me logon e WCK-së dhe një automjet tjetër, thuhet në një komunikatë të grupit. Pavarësisht bashkërendimit të lëvizjeve me Forcat Mbrojtëse të Izraelit, autokolona u godit ndërsa po dilte nga magazina e saj në Deir al-Balah, pasi shkarkoi më shumë se 100 tonë ndihma ushqimore humanitare të sjella në Gaza nga deti, thuhet në njoftim. "Ky nuk është vetëm një sulm kundër WCK-së, ky është një sulm ndaj organizatave humanitare që shfaqen në situatat më të rënda ku ushqimi përdoret si armë lufte", tha Erin Gore, shefi ekzekutiv i organizatës World Central Kitchen. “Kjo është e pafalshme”, tha ai. Ushtria izraelite tha se po kryente një hetim të plotë në nivelet më të larta, për të kuptuar rrethanat e atij që e quajti një incident tragjik.

Ukraina dhe Gaza në qendër të vizitës së Sekretarit Blinken në Evropë

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken do ta nisë turin e tij në Paris ku pritet të takohet me Presidentin Emanuel Macron dhe të bisedojë mbi mbështetjen për Ukrainën, shmangien e përshkallëzimit më gjerë të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës që kurse Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj fqinjit të saj dy vjet më pare. Blinken pritet të udhëtojë drejt Brukselit për takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtarë të NATO-s, ndërsa Aleanca shënon 75 vjetorin e saj. Gjatë qëndrimit në Bruksel, sekretari amerikan Blinken pritet të takohet me homologun ukrainas Dmytro Kuleba dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Nesër mot kryesisht i vranët

Në pjesët bregdetare mban mot kryesisht me diell, kurse në pjesët kontinentale me vranësira te pakta deri mesatare. Frynë erë kryesisht mesatare nga drejtimet jugperëndimore. Temperaturat e shënuara në orën 14: Podgoricë, Herceg Novi e Budvë 20, Tivar e Bijello Pole 19, Ulqin e Beranë 18, Plevle 17, Nikshiq, Rozhajë e Petnjicë16, Cetinë e Andrievicë 15, Kollashin e Plluzhinë 14, Shavnike e Guci 13 dhe në  Zhablak 9 gradë.  

Për nesër pritet mot me vranësira të pakta deri mesatare, pasdite dhe gjatë natës kryesisht i vranë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura e mëngjesit nga -2 deri në 9, kurse më e larta ditore nga 11 deri në 21 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се