Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

26. 03. 2024. 00:00 >> 19:08

Ditari 26.03.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Ka filluar aksioni për uljen e marzheve

Ka filluar aksioni për uljen e marzheve, kështu që nga sot në raftet e shitoreve me pakicë mund të gjenden më shumë se 500 artikuj me shenjën e kuqe, "çmim i kufizuar". Aksioni ka për qëllim që të zbusë ndikimin e inflacionit, i cili do të vazhdoje deri në fund të muajit maj. Javën e kaluar, qeveria mori vendim për të kufizuar marzhet në mbi 500 artikuj. Kryeministri Millojko Spajiq tha se kjo është përpjekje për të ndaluar inflacionin kurse ministri i zhvillimit ekonomik Nik Gjeloshaj tha më parë se tregtarët do të jenë të obliguar t'i shënjojnë produktet e përmendura. Ai tha se nga ky vendim do të përjashtohen marketet e vogla.

Takimi i liderëve të shumicës parlamentare për tejkalimin e krizës së krijuar

Liderët e shumicës parlamentare kanë mbajtur mbrëmë takim për tejkalimin e krizës së krijuar pas zgjedhjes së ushtruesit të detyrës të drejtorit të Drejtorisë së Policisë. Takimi u organizua nga kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq, ku morën pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi Demokratik Aleksa Beçiq dhe Boris Bogdanoviq, kreu i Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj si dhe kryeministri dhe kryetari i Evropa Tani, Millojko Spajiq. Siç njofton portali i Radio Televizionit të Mali të Zi, në takim nuk është arritur ndonjë zgjidhje për tejkalimin e krizës, por është dakorduar që dialogu mes liderëve të shumicës parlamentare të vazhdojë.

N.Hartman Mali i Zi po përparon sipas standardeve të Bashkimit Evropian

Me reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut, Mali i Zi po përparon sipas standardeve të Bashkimit Evropian, por po kontribuon në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, tha zëvendësdrejtori i Zyrës Rajonale të zyrës së UNDP-së për Evropën dhe bashkësinë e shteteve të pavarura, Nik Hartman. Hartman në takim me Ministren e punëve evropiane, Maida Gorçeviq, ka theksuar sinergjinë e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian me synimet e Agjendës 2030 dhe Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Kurse Gorçeviq theksoi se synimet e përpjekjeve të Qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë janë komplementare me ato nga Agjenda 2030.

Vanja Qaloviq- Markoviq - është vështirë të vlerësohet se kush në të vërtetë kontrollon  sektorin e sigurisë në Mal të Zi

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar- MANS, Vanja Qaloviq- Markoviq, thotë se është vështirë të vlerësohet se kush në të vërtetë kontrollon  sektorin e sigurisë në Mal të Zi dhe për këtë arsye nuk mund të thuhet se sa të sigurt janë qytetarët e Malit të Zi. Ajo thotë se me emërimin e Ushtruesit të detyrës së drejtorit të policisë është shkelur ligji, por siç thekson ajo, kjo shkelje do të jetë e vështirë të konfirmohet në gjykatë.

Jakov Millatoviq, ka shpallur zgjedhjet e parakohshme në Budva për 26 datën maj

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka shpallur zgjedhjet e parakohshme në Budva për 26 datën maj.Deputetët e Kuvendit Komunal të Budvës në seancën e djeshme kanë marrë vendim për shkurtimin e mandatit të parlamentit vendor.“Në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kam marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për këshilltarë në këshillin komunal të Budvës, të cilat do të mbahen të dielën, më 26 maj të këtij viti”, ka thënë Millatoviq në rrjetin social X. Ai tha se zgjedhjet i ka caktuar sa më shpejt që të jetë e mundur për të shmangur ndikimin negativ të momentit të ri politik në dinamikën ekonomike në komunën e Budvës, në kuadër të sezonit turistik veror.“U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të spektrit zgjedhor që të veprojnë me përgjegjësi dhe drejtësi në fushatën e ardhshme zgjedhore”, tha Millatoviq.

Vukoviq - Jam i sigurt se nuk do t'i shkelim parimet politike 

Jam i sigurt se nuk do t'i shkelim parimet politike dhe nuk do të jemi në anën e njëjtë me forcat që i mposhtëm më 30 gusht, tha kryetari i Kuvendit Komunal të Nikshiqit, Nemanja Vukoviq. Ai në programin e mëngjesit tha se në asnjë mënyrë nuk do të jetë me Partinë Demokratike të Socialisteve dhe se kjo do të thotë se nuk do të marrin vendime që mund të ndikojnë në rivitalizimin e tyre politik. Vukoviq theksoi se pushteti në Nikshiq është stabil dhe se kanë dëshmuar se kjo është parakusht për zhvillimin dhe përparimin e qytetit.

Institucionet dhe organizatat nga Mali i Zi arritën sukses të dukshëm në thirrjen e parë të Programit IPA

Institucionet dhe organizatat nga Mali i Zi arritën sukses të dukshëm në thirrjen e parë të Programit IPA Adriatik-Jonian (IPA ADRION), përmes të cilit 61 prej tyre do të mbështeten me rreth tetë milionë euro.Kjo u bë e ditur në takimin fillestar me partnerët e projektit të organizuar nga Ministria e Çështjeve Evropiane (MEP).“Partnerët malazezë arritën një rezultat të jashtëzakonshëm në thirrjen e parë, pasi atyre iu dha dyfishi i fondeve gjatë gjithë perspektivës së mëparshme të IPA II”, tha Milosh Markoviq, ushtrues i detyrës të Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë për Fondet Evropiane.Sipas tij, kjo është dëshmi e punës cilësore dhe kapacitetit të përdoruesve, të cilët kanë treguar përkushtim dhe njohje serioze në rajonin Adriatiko-Jonian. Ministria e Çeshtjeve Evropiane, si edhe më parë, do të jetë e disponueshme për të gjithë përdoruesit si mbështetje në realizimin e projekteve”, tha Markoviq.

Ende nuk është zgjidhur qiramarrësi për fabrikën e hekurit në Nikshiq

Ende nuk është zgjidhur qiramarrësi për fabrikën e hekurit në Nikshiq, sepse në thirrjen e parë, ofertuesit nuk kishin dokumentacion të plotë sa i përket garancive, ka bërë të ditur ndihmësdrejtori  financiar i Elektroekonomisë Miro Vraçar. Ai për Televizionin e Malit të Zi thotë se sot ose nesër do të shpallë thirrje të re publike, në përputhje me të gjitha elementet e thirrjes së mëparshme publike dhe do të zgjasë 15 ditë.

Prej sot benzina është shtrenjtuar për dy respektivisht tre cent

Prej sot benzina është shtrenjtuar për dy respektivisht tre cent, njoftoi Ministria e energjetikës, ndërsa çmimi i naftës ka mbet i pandryshuar. Kështu prej sot çmimi i eurosuper 95 dhe 98 është rritur tre dhe dy cent dhe kushtojnë  1.6 euro respektivisht 1.63 euro. Çmimi i Eurodizelit ka mbetur i pandryshuar në 1.48 euro, ndërsa çmimi i naftës për ngrohje është një cent më i lartë dhe tani kushton  1.44 euro.

Osmani kërkon drejtësi për vrasjen e 46 anëtarëve të familjes Berisha

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e familjes Berisha në Suharekë. Në 25-vjetorin e masakrës së familjes Berisha në Suharekë, ku u masakruan në pragun e shtëpisë 46 anëtarë të kësaj familjeje, presidentja Osmani ka thënë se dhimbja është edhe më e rëndë, pasi ende është i pazbardhur fati i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha. Osmani po ashtu tha se drejtësia për viktimat dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm. “25 vjet më parë, 46 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha. Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb", ka Osmani. Sipas Osmanit, në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtet asnjëherë. "Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm!”, thekson presidentja e Kosovës Osmani.

Hovenier për masakrën e Krushës: NATO reagoi për të ndaluar gjakderdhjen

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje dhe mundëson që faktet historike mos të kontestohen. Ai këto komente i bëri në 25 vjetorin e njërës prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë, asaj të Krushës së Madhe. “Ky muze do t’i ndihmojë të gjithë atyre që vijnë ta shohin atë, ta mësojnë atë që ne tanimë e dijmë, të mos harrohën  faktet të cilat janë historike dhe të pakontestueshme”, ka deklaruar Hovenier. “NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Aksionet e NATO-s kanë synim të shtyejnë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’i japin fund mizorive dhe krizës humanitare. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterrur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, ka thënë Hovenier.

Gërvalla: Rusia mbeti e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia ka mbetur e vetme në përpjekjen e saj për ta shtrembëruar të vërtetën, pasi i dështoi thirrja për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.Një ditë më parë, vetëm tre anëtarë votuan pro mbajtjes së seancës në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. Ministrja Gërvalla ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për të paraqitur faktet rreth krimeve të Serbisë. Ajo ka falënderuar shtetet partnere të Kosovës. “Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën, tha Donika Gervalla.

i Sigurimit i KB nuk arriti të pajtohet me kërkesën e Rusisë për të diskutuar 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk arriti të pajtohet me kërkesën e Rusisë për të diskutuar 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi si kundërpërgjigje për masakrat që po kryheshin në Kosovë. Tri vende anëtare, Rusia, Kina dhe Algjeria votuan në favor të nismës, ndërsa 12 shtete abstenuan.“Ne besojmë se tema është jashtëzakonisht e rëndësishme për rendin juridik ndërkombëtar, pasi bombardimi i Serbisë u vendos si precedent”, deklaroi ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq. Shefi i diplomacisë serbe akuzoi Kosovën për spastrim etnik.

Hoxha: Siguria në veri të vendit mbetet e brishtë

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023. Hoxha tha se situata e përgjithshme e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë, megjithatë në pjesën veriore të vendit mbetet e brishtë. “Vlen të veçohen disa prej rasteve dhe incidenteve kriminale gjatë vitit 2023 si sulmi ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kidnapimi i tre zyrtarëve policorë, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë”, tha ai. Ai përmendi edhe disa prej veprave më të rënda kriminale gjatë vitit 2023. “Kemi pasur rritje nga 21 në 29 raste të vrasjeve. Dhuna në familje, fatmirësisht ka pasur ulje gjatë këtij viti prej 10.77%”, deklaroi Hoxha.

Çfarë duhet të bëjnë Ukraina dhe Moldavia që të bëhen anëtare të BE-së?

Më herët gjatë marsit, Komisioni Evropian u dërgoi për miratim anëtarëve të Bashkimit Evropian të ashtuquajturën kornizë negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë. Dokumenti prej 19-faqeve, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, mbulon të dyja shtetet, rruga e të cilave në zgjerimin  e BE-së është e lidhur dhe aty po ashtu janë vendosur parimet bazike për bisedimet e anëtarësimit të BE-së. Një zyrtar ukrainas tha për Radion Evropa e Lirë se dokumenti ishte “shumë i gjerë”, duke shtuar se “deri më tani, ne nuk nga shkakton asnjë shqetësim pasi që  aty nuk ka diçka të mirë apo të keqe”. Ky duket të jetë një përshkrim i drejtë, pasi në esencë është korniza e njëjtë e negocimit që Komisioni Evropian shkroi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin  2020. Çështja kryesore tani është se kur 27 shtetet anëtare të BE-së, përmes unanimitetit, do të miratojnë kornizën. Në këtë drejtim, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut japin një pasqyrë më të mirë të situatës. Për Tiranën dhe Shkupin u desh dy vjet që korniza të miratohej, kryesisht sepse Bullgaria ngriti mospajtimet dypalëshe historike me Shkupin, mospajtime që në fakt nuk janë zgjidhur ende plotësisht. Prandaj, përderisa kornizat negociuese u ndryshuan nga shtetet anëtare të BE-së për të reflektuar shqetësimet e Sofjes dhe u miratuan në vitin 2022, kur edhe zyrtarisht nisën negociatat e anëtarësimit, as Shqipëria e as Maqedonia e Veriut ende nuk kanë një datë për hapjen e ndonjë prej 33 kapitujve të negocimit. Megjithatë për Ukrainën dhe Moldavinë ka shpresë në mesin e diplomatëve në Bruksel, me të cilët REL-i ka biseduar, se shtetet anëtare të BE-së do të japin dritën e gjelbër në fund të qershorit.

SHBA nuk kanë asnjë arsye të besojnë se Izraeli ka kryer akte gjenocidi në Gaza

Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë arsye të besojnë se Izraeli ka kryer akte gjenocidi në Gaza. Kështu ka deklaruar për mediat e huaja një zyrtar amerikan.Deklarata e tij erdhi si kundëpërgjigjie ndaj raportuesit special të Kombeve të Bashkuara i cili tha më herët se kishte baza të arsyeshme për ta dyshuar diçka të tillë. Në një raport të lëshuar të hënën,raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze tha se ka “baza të arsyeshme” për të besuar se Izraeli ka kryer disa “akte gjenocidi” kundër palestinezëve në Gaza.Ndërkohë ditën e djeshme, një delegacion izraelit, anulloi vizitën në SHBA pas miratimit të rezolutës së OKB-së për armëpushim në Rripin e Gazës.

Ushtria ruse ka sulmuar kryeqytetin e Ukrainës,Kiev dhe qytetin e dytë më të madh ukrainas, Harkiv

Ushtria ruse ka sulmuar kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, si dhe qytetin e dytë më të madh ukrainas, Harkiv, me dronë gjatë natës mes 25 dhe 26 marsit.Ushtria ukrainase deklaroi dje se i ka rrëzuar 12 dronë rusë të cilët ishin nisur drejt Kievit. Nuk është raportuar për viktima dhe nuk është e qartë nëse janë shkaktuar dëme. Në Harkiv, autoritetet rajonale thanë se së paku tetë dronë prodhim iranianë e sulmuan qytetin e dytë më të madh ukrainas, por se mbrojtja ajrore i rrëzoi ata.Cak i sulmeve ishin qyteti i portit të Detit të Zi, Odesa, si dhe Mikolaiv. Oleh Kiper, guvernator rajonal i Odesës, tha se gjatë ditës së djeshme më shumë se 300.000 banorë kanë mbetur pa rrymë.

Putini i fajëson islamistët radikalë për sulmin në Moskë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka  deklarua se sulmi terrorist në sallën e koncerteve, Crocus, në afërsi të Moskës, u krye nga islamistët radikalë. Duke folur gjatë një takimi me zyrtarët qeveritarë, Putini tha se vrasjet u kryen nga ekstremistët “ideologjia e të cilëve, bota islamike, ka shekuj që lufton”. Sipas zyrtarëve së paku 139 njerëz u vranë dhe më shumë se 180 të tjerë u plagosën gjatë sulmit në sallën e koncerteve, Crocus, në afërsi të Moskës. Putini nuk e përmendi Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për këtë sulm, por përsëri u përpoq t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën, pa dhënë asnjë dëshmi të vetme.

Në Baltimor te SHBA rrëzohet një urë

Një alarm është dhënë në orët e para të ditës së sotme në Baltimore të SHBA-së, kur një anije mallrash që mbante një kontejner goditi një nga këmbët e urës,duke sjellë si pasojë shembjen e saj.Ura që u shemb është Ura e Francis Scott Key ndërsa anija që u rrëzua, mbante një flamur Singapori. Sipas informacioneve të para, në momentin e shembjes së urës ndodheshin 3-4 automjete private dhe shtatë punëtorë. 20 qytetarë dyshohet të jenë mbytur pas shembjes së Urës Francis Scott Key në Baltimore të SHBA-së.“Ne jemi duke menaxhuar një incident me viktima masive”, tha Kevin Cartwright, drejtor i komunikimit të Departamentit të Zjarrfikësve të Qytetit Baltimore.

Për nesër parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e dobët deri e mesme e vende vende deri e fortë nga drejtimi i jugut. Temperaturat në orën 13: Budvë 18 gradë, Tivar 17, H.Novi 15,Ulqin 14,Podgoricë 13,Nikshiq e Andrievicë 10, Cetinë,Plevle,Kollashin,Beranë e Guci 10,Plluzhinë,Shavnik e Petnicë 8B.Pole 7 dhe në Zhablak 6 gradë.

                  Për nesër parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm dhe me reshje të mundshme të shiut, gjatë ditës me intervale më të gjata me diell kurse në mbrëmje reshje intensive. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 3 deri në 14 kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 23 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се