Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

22. 03. 2024. 00:00 >> 18:40

Ditari 22.03.2024

Përgatiti, Gj. Dukaj

8 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në BE

Të dhënat e CEDEM-it treguan se 78 për qind e qytetarëve malazezë mbështesin anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Kjo është, siç raportohet, përqindja më e lartë në këtë çështje që kur janë bërë matjet.

Ndërkohë, 11 për qind e qytetarëve janë kundër hyrjes së Malit të Zi në BE dhe po aq qytetarë nuk kanë qëndrim për këtë çështje. Ndërkaq, 19.5 për qind e qytetarëve besojnë se Mali i Zi duhet të mbështetet plotësisht tek Bashkimi Evropian në politikën e tij të jashtme.

Drejtoresha e Qendrës për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, Milena Beshiq, tha se 34.6 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë se Mali i Zi është në rrugën e duhur.

“Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin javën e ardhshme, Lëvizja Evropa Tani do të merrte më së shumti vota, 26.3, për qind, e ndjekur nga PDS, me 26 për qind. Demokracia e Re Serbe do të merrte 11.3 për qind, Mali i Zi Demokratik 10 për qind, Partia Boshnjake 5.3 për qind dhe Lëvizja qytetare URA 3.4 për qind, "tha Beshiq, duke shtuar se të dhënat i referohen një pjesëmarrjeje të mundshme prej 74.1 për qind.

"Presidenti i Malit të Zi, gëzon besimin e 45,3 për qind të qytetarëve, ndërsa Qeveria e Malit të Zi 41,8 për qind. Ndërkaq, 40,1 për qind e qytetarëve të anketuar kanë besim në Parlament", tha Beshiq.

Edhe pse notën mesatare më të lartë e ka shënuar Millatoviq, Spajiq ka marrë rritjen më të madhe dhe numrin më të lartë të pesësheve, pra notat më të mira.

Opozita kërkon caktimin e orës së kryeministrit

Në seancën e sotme të Kuvendit të Malit të Zi, deputeti Milosh Konatar, i kërkoi kryetarit të Kuvendit të caktojë orën e kryeministrit.

“Jemi sërish në situatën e dhjetorit të vitit të kaluar, që kryeministri refuzon të vijë në orën e kryeministrit”, tha Konatar.

Ai ka theksuar se caktimi i seancës ku kryeministri do t'u përgjigjet pyetjeve është obligim i Kuvendit. “Kryeministri dhe ministrat mund të mos vijnë, por duhet të caktojmë një seancë kushtuar orës së kryeministrit dhe këtë duhet ta dimë sot”, tha ai dhe vuri në dukje se nëse nuk bëhet sot, do të thotë se ky detyrim është duke u shmangur.

Nënkryetari i Kuvendit, Boris Pejoviq, thotë se nuk është shkelur asnjë afat dhe se do të dihet gjatë ditës se kur do të caktohet ora e kryeministrit.

Deputeti Slaven Radunoviq, ndërkohë theksoi se ora e kryeministrit është obligim dhe se deri më tani ka qenë “ngërç i kohës” për të caktuar seancën.

“Të gjithë duhet të jemi pro mbajtjes së orës së kryeministrit, nëse nuk ka marrëveshje në kolegjium do të bartet përgjegjësia politike”, tha ai.

Deputeti Andrija Nikoliq, thotë se deputetët nuk e dinë nëse do të mbahet e ora e kryeministrit. “Po hyjmë në shkelje të mundshme të afateve për të cilat na obligon Rregullorja. Janë 72 orë e 48 orë, ju ftoj të mos prisni përgjigje nga Qeveria, por të respektoni obligimet kushtetuese dhe operacionale dhe nëse Qeveria, nuk dëshiron të vijë në Kuvend, le të mos vijë, duke dërguar mesazh”, tha ai.

Ruajtja e thesareve natyrore duhet të jetë imperativ për të gjithë faktorët socialë në vend

Mbrojtja e mjedisit dhe ruajtja e thesareve natyrore të vendit tonë duhet të jetë imperativ për të gjithë faktorët socialë në vend, për t'ua lënë brezave të ardhshëm një Mal të Zi të shëndetshëm dhe të pasur, u tha në takimin e presidentit, Jakov Millatoviq dhe aktivistëve të mjedisit, të mbajtur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ujit dhe Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve.

Presidenti Millatoviq, siç thuhet në njoftim, ka theksuar se çështjet e mbrojtjes së mjedisit janë një nga prioritetet e veprimeve të tij, duke shtuar se edhe pse shteti e shpreh vetëdijen për mjedisin, resurset natyrore dhe kulturore përmes përcaktimit të tij kushtetues, shoqëria jonë në dekadat e kaluara nuk e ka pasqyruar një imazh të tillë.

“Përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e mjedisit dhe aktivistëve ekologjikë shprehën kënaqësinë e tyre që për herë të parë takohen me presidentin e vendit, për ta njohur me sfidat me të cilat përballen në punën e tyre dhe për të prezantuar qëllimet e ardhshme kyçe të aktiviteteve të tyre. Në fund, Millatoviq, u tha atyre se në institucionin e Presidentit do të kenë partner dhe mbështetje për të gjitha iniciativat e mira që do të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e burimeve tona natyrore", thuhet në njoftim.

Spajiq: Një ditë e rëndësishme për rajonin

Kryeministri Millojko Spajiq, dërgoi urimet e tij për vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Ne e përgëzojmë Bosnjë Hercegovinën dhe i urojmë suksese në procesin e negociatave. Kjo është një ditë e rëndësishme si për rajonin ashtu edhe për politikën e zgjerimit dhe më e rëndësishmja për qytetarët e Bosnjë Hercegovinës. Mali i Zi, qëndron fuqishëm me të gjithë fqinjët e tij në rrugën drejt të ardhmes sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian”, ka shkruar kryeministri në rrjetin “X”.

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto, shprehu mirënjohjen e saj për urimet, e cila duhet të vizitojë Malin e Zi gjatë muajit të ardhshëm.

“Po zvogëlojmë inflacionin përmes çmimeve më të ulëta për mbi 500 artikuj”

Vendimi i qeverisë për të kufizuar marzhet jo vetëm që ndalon rritjen, por do të çojë edhe në uljen e çmimeve të më shumë se 500 artikujve, tha Millosh Pizhurica, deputet i Lëvizjes Evropa Tani dhe shtoi se është treguar kujdes për prodhuesit vendas.

Ai tha se inflacioni është i importuar dhe me karakter global, por do të kemi ulje të presionit të inflacionit ndaj qytetarëve përmes uljes së çmimeve të produkteve bazë dhe standardit më të mirë të jetesës.

“Është shumë e rëndësishme që të kujdesemi për prodhuesit tanë, të cilët janë të përfshirë, në mënyrë që konsumatorët të drejtohen në produktin vendor, i cili po bëhet më konkurrues dhe po promovohet edhe më shumë”, thuhet në njoftim nga deputeti, Pizhurica.

Ai tha se të gjitha aktivitetet e tyre janë mbështetur nga Oda Ekonomike dhe janë rezultat i marrëveshjeve me biznesmenë, gjë që konfirmon edhe njëherë transparencën në punë dhe hapjen ndaj marrëveshjeve me të gjithë faktorët ekonomikë.

Përvoja ime më rekomandoi për anëtarësim në Bord

Anëtari i bordit të drejtorëve të Fondit për Zhvillimin e Investimeve, Predrag Drecun, tha se punon si ekonomist që nga viti 2002, dhe se ka përvojë të vlefshme që e rekomandoi për anëtarësim në këtë organ.  Ai thotë se e ka përkrahur kryeministrin Millojko Spajiq, gjatë zbatimit të programit Evropa tani 1, dhe thekson se ai ka mbështetjen e tij edhe në zbatimin e programit Evropa tani 2. Drecun, beson se vendimi i djeshëm për kufizimin e marzheve në mbi 500 artikuj do të zgjatet edhe pas dy muajve që është përcaktuar tani.

“Politikisht nuk rreshtohem me asnjë palë, por si ekonomist kam njohur diçka në hapat e ministrit të atëhershëm të financave, Millojko Spajiq, që është edhe alter-egoja ime në politikë. Kam njohur,  në fakt në programin e tij politik një program ekonomik dhe fillova të jap mbështetjen time dhe madje njoha disa nga idetë e mia që u përfshinë në programin Evropa tani 2”, thotë Drecun.

"Disa ditë më parë, i dërguari special Gabriel Escobar tha të njëjtën gjë. Kjo nuk është mbështetje politike, është mbështetje për përmirësimin e standardit të qytetarëve. Njerëzit në lëvizjen Evropa tani, e njohën mbështetjen time dhe ne patëm bashkëpunim të madh", theksoi ai.

Në Strasburg për raportin për komunat malazeze

Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës, javën e ardhshme do të mbajë seancë plenare në Strasburg, ku ndër të tjera do të shqyrtohet edhe raporti për monitorimin e zbatimit të Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale në Mal të Zi.

Debati për raportin është caktuar për të mërkurën, më 27 mars, pas së cilës do të votohet projekt-rekomandimi.

Siç thuhet në faqen e internetit të Këshillit të Evropës, ky raport vjen pas vizitës së tretë monitoruese në Mal të Zi, që kur vendi ratifikoi Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale në vitin 2008. “Raporti pranon nxitjen e nismave strategjike që synojnë reformën e administratës publike, me fokus të deklaruar në decentralizimin dhe dixhitalizimin, që është shembull i nismave si Strategjia e Reformës së Administratës Publike 2022-2026.

Raporti, po ashtu, përshëndet  praktikën pozitive të përdorimit të gjuhëve të pakicave në kryerjen e funksioneve publike lokale në komunat në të cilat shumica e popullsisë i përket pakicave etnike, si dhe e drejta e Bashkësive të Komunave të Malit të Zi për t'iu drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në tekst.

Megjithatë, raportuesit shprehin shqetësimin për trendin e përgjithshëm të centralizimit të përgjegjësive vendore, duke përfshirë fushën e planifikimit hapësinor dhe autonominë e kufizuar financiare në nivel lokal.

Dhjetëra mijëra  euro të ndara në mënyrë të jashtëligjshme

Sipas procesverbalit të Inspeksionit Buxhetor që është publikuar në webfaqen e Ministrisë së Financave, drejtoresha e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Jelena Peroviq, vitin e kaluar i ka shpërndarë vetes dhe një pjese të punëtorëve, dhjetëra mijëra euro në kundërshtim me rregulloret. Peroviq i ka shkruar vetes punë jashtë orarit dhe variable, për të cilat ka marrë gati 13 mijë e pesëqind euro, në kundërshtim me Ligjin për pagat e të punësuarve në sektorin publik, dhe më shumë se 8 mijë e 700 euro shtesë për punë në grupe punuese. Po ashtu është bërë e ditur se Inspeksioni do të iniciojë procedurën për vlerësimin e ligjshmërisë së Statutit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit para Gjykatës Kushtetuese. Siç mëson Portali i RTMZ,  raporti i Ministrisë së Financave është dërguar në Prokurorinë Speciale  Shtetërore.

Jovanoviq; Nuk të lejojmë vendosjen e masave të jashtëzakonshme

Kryetari i Kuvendit Komunal të Budvës, Nikolla Jovanoviq, ka thënë se nuk do të lejojë vendosjen e masave të jashtëzakonshme, dhe se do të mbrohet si në verën e vitit 2020. “Kemi guximin të shkurtojmë mandatin, pavarësisht marrëveshjes së dikujt në Qeveri”, tha Jovanoviq. Sipas fjalëve të tij, “Qeveria po sillet si qeveria e Dushko Markoviqit, Dukaj si Suzana Pribilloviq. Nëse ndokush mendon se do të zgjidhë gjithçka në Budvë për 15 minuta, siç bëri Dushko Markoviq në vitin 2020, unë e sfidoj të provojë”, tha Jovanoviq. Këshilltarët e Partisë Demokratike të Socialistëve e braktisën seancën, pasi mendojnë se është e jashtëligjshme. Pavarësisht rezultatit të kësaj seance, klubi i këshilltarëve të Partisë Demokratike të Socialistëve do të bëjë padi në Gjykatën Administrative dhe do të iniciojë pavlefshmërinë e vendimeve të sotme, tha këshilltarja e kësaj partie Ivana Llazoviq.

Knaus: Bakoyannis rekomandon që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka publikuar dy pika të opinionit të raportueses për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, Dora Bakoyannis. 

Knaus në një postim në X shkruan se në opinionin e i ish-ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, thuhet që Asambleja t’i rekomandojë Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Knaus në videon e publikuar në X, ka theksuar se ky është një lajm i mirë për të gjithë.

Javën që vjen mbahet takimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që ka në rend dite çështjen të Kosovës në Këshill të Evropës.

Besimtarët bektashian festojnë Ditën e S.Nevruzit

Besimtarët bektashianë festojnë Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj në fjalën e tij për të gjithë besimtarët bektashinj që festojnë sot Sulltan Nevruzin, solli në vëmendje shenjtin e madh, imam Aliun. Në këtë ditë të veçantë uroj ta doni më shumë njëri-tjetrin, të bëni mirë e të përparoni duke pasur dashamirësinë në zemrat tuaja.

Secili duhet të njohë veten, ta mundë egon dhe urrejtjen e të mbjellë paqe, dashuri e mirësi”, theksoi Baba Mondi. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se “duajeni atdheun, ashtu si jepni kontributin dhe integritetin tuaj në dheun tuaj. Kjo është pasuria për të cilën ka nevojë Shqipëria. S’ka pasuri si arsimi, s’ka varfëri më të madhe se injoranca”, tha Baba Mondi.

KS i OKB do të votojë për rezolutën e SHBA për armëpushim në Gazë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë për një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, në të cilën thuhet se "një armëpushim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm" në luftën Izrael-Hamas në Gaza, është "i domosdoshëm" për të mbrojtur civilët dhe për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare, për më shumë se 2 milionë palestinezë të uritur. Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield, u shpreh optimiste se projektrezoluta e re, më e ashpër, do të miratohet të premten nga këshilli 15 anëtarësh.

Rusia dhe Kina i vunë veto një rezolute të hartuar nga Shtetet e Bashkuara në fund të tetorit, duke bërë thirrje për pushimin e luftimeve për të ofruar ndihma, për mbrojtjen e civilëve dhe për ndalimin e armatimit të Hamasit. Ato thanë se kjo nuk pasqyronte thirrjet globale për një armëpushim.

A.Blinken, vazhdon misionin diplomatik në Izrael për amrëpushim  

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po qëndron në Izrael për ato që pritet të jenë bisedime të ashpra me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me luftën në Gazë, teksa dallimet publike rreth konfliktit janë thelluar.

Kjo është ndalesa e fundit e Blinkenit në misionin e tij të gjashtë diplomatik në Lindjen e Mesme, në të cilin ai pritet të takohet me Netanyahun dhe kabinetin e tij të luftës, me synimin që t’i bindë ata të mos zbatojnë planet e tyre për një ofensivë ushtarake në qytetin jugor të Rafahut.

Një ofensivë në shkallë të gjerë në Rafah ka rritur frikën se mund të përkeqësojë edhe më shumë krizën e thellë humanitare në Rripin e Gazës.

Thirrje për ndihma të nevojshme për Ukrainën 

Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, tha gjatë një vizite në Kiev të enjten se aleatët e Ukrainës nuk duhet të jenë shumë pesimistë mbi kapacitetet e saj për të luftuar ndaj trupave ruse dhe njëherësh bëri thirrje që ndihma e nevojshme të dërgohet sa më parë.

Amirali Bauer, drejtoi vizitën e parë zyrtare në Kiev të një delegacioni ushtarak të NATO-s që prej agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy, njoftoi se e kishte njohur zotin Bauer me nevojat më urgjente të Ukrainës për sa i përket furnizimit me armatime, municione dhe drone.
Zelenskiy tha se ata diskutuan ndër të tjera mbi rolin e NATO-s në koordinimin e mbështetjes për Ukrainën.

Nesër, mot i kthjellët, pasdite  vranësira graduale

Në Mal të Zi, mban mot me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët. Frynë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme. Temperatura në orën 13; Herceg Novi 22 gradë, Ulqin 20, Bjello Pole 18, Podgoricë e Budvë 17, Tivar e Nikshiq 16, Plevle, Cetinë e Beranë  15, Andrijevicë 14, Rozhajë 13, Shavnik 12, Kollashin 11, Petnjicë 10 dhe në Zhablak e Guci 9 gradë. 

Meteorologët parashohin se nesër do të mbaj mot kryesisht i kthjellët, pasdite me vranësira të pakta deri mesatare, në orët e mbrëmjes më të dendura. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, në veri herë pas here deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit nga -3 deri në 9, kurse më e larta ditore nga 11 deri në 21 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се