Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

21. 03. 2024. 00:00 >> 18:37

Ditari 21.03.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Policia e Sektorit Kundër Krimit ka arrestua dy persona nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të krijimit të organizatës kriminale

Policia e Sektorit Kundër Krimit kanë arrestua dy persona nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të krijimit të organizatës kriminale, ndërsa tre persona të tjerë nga i njëjti grup janë në kërkim, njoftoi Drejtoria e Policisë. Bëhet me dije se zyrtarët e Sektorit për luftë kundër krimit, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Speciale dhe me urdhër të prokurorit special të shtetit, kanë bastisur disa lokacione në territorin e Podgoricës, Cetinës dhe Budvës. “Ekziston dyshimi se të dyshuarit V.B nga Podgorica, Ž.R. dhe M.M. nga Cetina, R.V. nga Budva, si dhe S.V. nga Serbia, kanë kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale, përkatësisht janë bë anëtar të ndonjërit nga grupet e organizuara kriminele gjatë vitit 2020, e që kishte për qëllim kryerjen e disa veprave të rënda kriminale, thuhet në kumtesën e policisë

Sharanoviq - Departamenti për Luftimin e Krimit dhe Departamenti i Policisë Speciale me vendosmëri vazhdojnë aktivitetet e tyre

Departamenti për Luftimin e Krimit (SBPK) dhe Departamenti i Policisë Speciale (SPO) me vendosmëri vazhdojnë aktivitetet e tyre për disa muaj me qëllim të shtypjes së grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në Mal të Zi, tha ministri i Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq. Drejtoria e Policisë më herët bëri të ditur se zyrtarët e Departamenti për Luftimin e Krimit në bashkëpunim me Policinë Speciale kanë arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale, ndërsa tre persona të tjerë nga i njëjti grup janë në kërkim. Sharanoviq përshëndeti veprimet dhe kontrollet e sotme në të cilat u arrestuan anëtarët e një grupi të organizuar kriminal, të cilët, sipas raportit, planifikonin të kryenin disa krime të rënda gjatë vitit 2020.“Zyrtarët e Departamenti për Luftimin e Krimit dhe Policisë Speciale vazhdojnë luftën e fortë dhe të vendosur kundër të gjitha formave të krimit, si partner i besueshëm i Prokurorisë Speciale të Shtetit”, tha Sharanoviq. Ai poashtu theksoi se krijimi i një mjedisi stabil dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Malit të Zi është prioritet absolut.

Qeveria ka emëruar sot Predrag Buriqin inspektor të përgjithshëm për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare

Qeveria ka emëruar sot Predrag Buriqin inspektor të përgjithshëm për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.Qeveria më 9 nëntor ka shkarkua Artan Kurtin nga posti i Inspektorit të Përgjithshëm të ASG-së. Qeveria njoftoi se në seancën e sotme është përcaktuar propozimi për tërheqjen e Veselin Shukoviqit, ambasador i Malit të Zi dhe Përfaqësues i Përhershëm në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara, me bazë rezidente me seli në Vjenë. Qeveria vendosi gjithashtu propozime për tërheqjen e Shukoviq-it nga posti i ambasadorit në Japoni, Australi dhe Zelandën e Re, në baza jorezidente, për shkak të përfundimit të mandatit me fuqinë e ligjit. Qeveria tha gjithashtu se është marrë vendim për emërimin e Gordana Tmusiq Raduloviqit si(ushtruese të detyrës) të ndihmësdrejtoreshës të Institutit për Arsim. Poashtu,siç kanë n joftua qeveria ka marrë vendim për emërimin e Marko Vukashinoviqit për ushtrues të detyrës të drejtorit të përgjithshëm të drejtoratit për bashkëpunimin ndërkombëtar, integrimet evropiane dhe fondeve të UE në ministrinë e arsimit, shkencës dhe inovacioneve.Qeveria poashtu ka marrë vendim për shkarkimin e anëtarëve të Byrosë për Koordinim Operativ Nikolla Terziq dhe Vladimir Bulajiq dhe vendim për emërimin e anëtarëve të rinj të Byrosë në përbërje të Aleksandar Radoviqit, Vladimir Bulajiqit dhe Sava Laketiqit”, thuhet në njoftim.

Seanca e Kuvendit të Kryeqytetit është shtyrë për ditën e hënë,për shkak të mungesës së kuorumit

Seanca e Kuvendit të Kryeqytetit, e cila ishte caktuar për sot, është shtyrë për të hënën për shkak të mungesës së kuorumit. Pesë ish-këshilltarët e Lëvizjes Evropa Tani, të cilët formuan një klub të posaçëm dhe këshilltarët e Partisë Demokratike të Socialistëve nuk ishin të pranishëm në seancën e parlamentit lokal. Kryetari i klubit të këshilltarëve të Lëvizjes Evropa Tani, Vasilije Çarapiq, tha se pesë këshilltarë janë larguar nga klubi i tyre. Sipas marrëveshjes së koalicionit do të mundohemi ta zgjidhim situatën, ka shtuar Çarapiq. Anëtarja e Lëvizjes Qytetare URA, Milena Vukoviq- Sekulloviq, tha se pranojnë kërkesën e ish-këshilltarëve të Lëvizjes Evropa Tani, të cilët kërkuan shtyrjen e seancës parlamentare. Është e qartë se ka fërkime brenda Lëvizjes Evropa Tani, tha Vukoviq Sekulloviq.

Ngjarjet nga seanca e sotme ku nuk kishte kuorum janë konfirmimi më i mirë i krizës së thellë në kryeqytet

Tri klubet opozitare konsiderojnë se ngjarjet e nga seanca e sotme ku nuk kishte kuorum janë konfirmimi më i mirë i krizës së thellë në kryeqytet, tha në konferencën për media këshilltari i Partisë Demokratike të Socialistëve Andrija Klikovac. Raporti i këtillë midis partive të shumicës është vetëm një vazhdimësi e raporteve të tyre në nivel shtetëror. Sot kemi një situatë të paqëndrueshme si në Qeveri ashtu edhe në Kuvend, si dhe në komuna të shumta, kurse qysh sot edhe në kryeqytet. Zgjidhja më e mirë është organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, tha Klikovac.

PSP u bëri thirrje drejtuesve të bashkisë së Podgoricës që me seriozitet të kryejnë funksionet e tyre

Partia Socialiste Popullore u bëri thirrje drejtuesve të bashkisë së Podgoricës që të merren seriozisht dhe të kryejnë funksionet e tyre në përputhje me detyrimet e tyre dhe në interes të qytetarëve. Kryetari i Këshillit të PSP -së së Kryeqytetit, Bogdan Bozhoviq, tha se janë të zhgënjyer me gjendjen e parlamentit të qytetit e poashtu edhe me administratën e kryeqytetit. “Nuk duhet të lejohet që mosmarrëveshjet e brendshme dhe personale mes këshilltarëve që përbëjnë shumicën në Kuvend të bëhen problem për të gjithë qytetarët e Podgoricës”, tha Bozhoviq.

Osmani: Synim strategjik i Kosovës, anëtarësimi në INTERPOL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson, tha se mbështetja e SHBA-ve për Kosovën ka qenë në çdo hap të shtetndërtimit. Presidentja Osmani ka deklaruar se Kosova është detyruar të fillonte nga zeroja. “Sukseset tona janë edhe dëshmi e bashkëpunimit me partnerët. Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë vulën e byrosë që drejton ndihmëssekretari, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Në takim me ndihmëssekretarin e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL që do të jetë i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së. Osmani tha se të vetmit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët dhe grupet kriminale.“Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, tha Osmani. “Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për ndihmë që ka dhënë Byroja Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve për institucionet e Kosovës për gjatë viteve. Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën ka qenë në çdo hap strategjik dhe në çdo hap të shtetndërtimit”, tha pos tjerash Osmani.

Robinson: SHBA është këtu për t’ju mbështetur në rrugën tuaj

Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-ve, Todd D. Robinson, në deklarimin e tij pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se  porosia e tij është të tregojë se SHBA-ja është këtu për t’ju mbështetur në rrugën tuaj.“Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që po bënë policia për qytetarët e rëndomtë, porosia ime është që SHBA është këtu për t’ju mbështetur në rrugën tuaj. Institucionet e Sigurisë, e Gjyqësorit, po punojnë për një Kosovë më të fortë dhe më transparente”, tha Robinson. Robinson tha se nuk është hera e parë që është në Ballkanin Perëndimor duke shtuar se e mirëpret mundësinë për të parë më shumë nga Kosova.

Zgjerimi, në rend dite në samitin e BE-së

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvillojnë sot dhe nesër në Bruksel samitin e radhës, në të cilin, mes shumë temave tjera, do të jetë edhe procesi i zgjerimit. Temat kryesore të këtij samiti kanë të bëjnë me vazhdimin e ndihmës Ukrainës që të përballet me agresionin e Rusisë, me situatën në Lindjen e Mesme, me forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së dhe me përgatitjen e bllokut për zgjerimin e ardhshëm. Pritet që gjatë këtij samiti, liderët e BE-së të japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, sipas një rekomandimi të bërë nga Komisioni Evropian para dhjetë ditësh. Një vendim i tillë është përfshirë në draftin e konkluzave që do të duhet ta miratojnë liderët në këtë samit, draft të cilin e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë. “Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.

Rusia sulmon me raketa Kievin

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se dhjetë persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare u plagosën, përderisa mbrojtja ajrore ukrainase zmbrapsi një sulm masiv me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas mëngjesin e 21 marsit. Ndaras, Forcat Ajrore ukrainase thanë përmes një postimi në Telegram se sistemet e mbrojtjes ajrore mëngjesin e 21 marsit rrëzuan 31 raketa ruse që po shënjestronin Kievin. “Armiku sulmoi Kievin me dy raketa balistike të llojit Iskander-M dhe me 29 raketa lundruese të llojit Kh-101”, u tha në njoftim. “Të gjitha raketat e armikut u rrëzuan në rajonin e Kievit”, thanë Forcat Ajrore ukrainase. Klitschko tha se dy prej të plagosurve në kryeqytetin ukrainas janë hospitalizuar, ndërkaq të tjerët kanë marrë ndihmën e nevojshme në vendin e ngjarjes. Autoritetet e qytetit raportuan për shkatërrime në disa qarqe të Kievit si rezultat e copëzave të raketave të shkatërruara që ranë. Veçmas, sipas autoriteteve në Kiev, është dëmtuar një ndërtesë banimi në qarkun Shevçenik, e cila u përfshi nga zjarri. Banorët e këtij qarku janë evakuuar, thanë zyrtarët. Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kievi së fundi po përballet me mungesë të municioneve dhe armëve të avancuara, përderisa po vazhdon t’iu bëjë thirrje aleatëve që t’i dërgojnë më shumë ndihma ushtarake me qëllim që të përballet me forcat ruse.

SHBA-ja me draft-rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gazë

Shtetet e Bashkuara kanë qarkulluar një draft-rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës", tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Diplomati amerikan e bëri këtë njoftim gjatë turneut në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë edhe një vizitë në Izrael. SHBA-ja, aleate kyçe e Izraelit, më herët kishte vendosur veto në Këshillin e Sigurimit për rezolutat lidhur me Gazën. Rasti i fundit ishte në shkurt, kur Uashingtoni kundërshtoi përdorimin e fjalës “menjëhershëm” në draftin e dorëzuar nga Algjeria. Javët e fundit, megjithatë Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Izraelit, përderisa insiston që Hamasi  duhet të lirojë menjëherë pengjet e marra gjatë sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor. “Në fakt, ne kemi një rezolutë që e kemi dërguar para Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve dhe shpresojmë që çdo shtet ta mbështetë atë”, tha Blinken gjatë vizitës në Arabinë Saduite.

Kina dërgon dhjetëra avionë luftarakë mbi Tajvan

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se 32 avionë luftarakë të ushtrisë kineze janë detektuar përreth ishullit në 24 orët e fundit. Ky është numri i dytë më i lartë i fluturakeve kineze të detektuara mbi ishullin vetëqeverisës gjatë këtij viti. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Tajvanit, po ashtu, tha se në 24 orët e fundit janë detektuar edhe pesë anije të Marinës së Kinës përreth Tajvanit. Trembëdhjetë avionë “kanë kaluar vijën e mesme në Ngushticën e Tajvanit”, u shtua në deklaratë. Kjo vijë është kufiri jozyrtar mes Kinës dhe Tajvanit. Forcat e armatosura të Tajvanit kanë “monitoruar situatën dhe dislokuan një avion patrullues, anije të Marinës, dhe sisteme të mbrojtjes raketore si përgjigje ndaj aktiviteteve të detektuara”. Në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit, kjo ministri kishte detektuar 33 avionë luftarakë kinezë rreth ishullit – numër rekord i avionëve të detektuar gjatë këtij viti.

Rusia: Do të hakmerremi nëse BE-ja armatos Ukrainën me përfitimet nga asetet tona

Rusia do të ndërmarrë masa hakmarrëse në përputhje me interesat e saj dhe do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë që ka në dispozicion, nëse Bashkimi Evropian përdor përfitimet nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë për Ukrainën,ka n joftua sot  Kremlini. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto deklarata para takimit të liderëve të BE-së në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe për këtë çështje. “Natyrisht, ne do të përdorim të gjithë mekanizmat e mundshëm ligjorë, ato që i kemi në dispozicion tani, dhe të gjitha ato që do t’i kemi në dispozicion në të ardhmen. Bazuar në parimin e reciprocitetit, ne do të hakmerremi për këtë, por do të zgjedhim metoda të ndryshme në përputhje me interesat tona”, tha ai për gazetarët.

Sot u bë varrimi i profesor doktor Palokë Berisha

Sot u bë varrimi i profesor doktor Palokë Berisha, i cili ndërroi jetë para 3 ditësh në moshën 89 vjeçare. Palokë Berisha u lind në fshatin Gurrec të Malësisë në vitin 1935. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Normalen në Prishtinë, ku i përfundoi edhe studimet e pedagogjisë. Disertacionin e doktoraturës e ka mbrojtur në Universitetin e Zagrebit. Fillimisht ka punuar si edukator në Normalen e Prishtinës, pastaj si profesor në Universitetin e Prishtinës, kurse së fundi ishte i angazhuar edhe në Programin studimor për arsimimin e mësuesve në gjuhën shqipe, në Podgoricë. Berishaj është autor i 15 librave, pothuajse të gjithë kanë të bëjnë të kaluarën e arsimit shqip në Mal të Zi.

Për nesër pritet mot me vranësire të ndryshueshme

Për nesër pritet mot me vranësire të ndryshueshme, në jug me intervale të gjata me diell, vende-vende mund të ketë edhe reshje të dobëta të shkurtra shiu. Në fund të ditës pritet kthjellim gradual. Në veri, paradite nëpër lugina me mjegull të mundshme. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi i veriut. Temperatura e mëngjesit nga -2 deri në 10, kurse më e larta ditore nga 7 deri në 21 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се