Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

20. 03. 2024. 00:00 >> 19:04

Ditari 20.03.2024

Përgatiti, Gj. Dukaj

"Marrja e IBAR do të përshpejtonte  rrugën tonë evropiane"

Mali i Zi, si lider afatgjatë në integrimin në BE, dëshiron të përfundojë procesin dhe të bëhet anëtar i plotë i BE-së deri në vitin 2028, tha Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë një takimi me ambasadorët e Quint-ë-s, në OSBE.

Millatoviq, siç është paralajmëruar, i njohu ambasadorët me prioritetet e politikës së jashtme, të cilat bazohen në aspiratat që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, për të forcuar besueshmërinë e tij si anëtare e NATO-s, për të përmirësuar më tej bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë si dhe pozicionin e saj në kornizat shumëpalëshe.

Ai, kujtoi rezultatet e arritura nga Mali i Zi në periudhën e kaluar në fushën e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së institucioneve, duke shtuar se marrja e IBAR-it do të ishte një shtysë më tepër për të përshpejtuar rrugën tonë evropiane.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e mbështetjes së OSBE-së në rrugën drejt pjekurisë  demokratike, veçanërisht kur bëhet fjalë për reformën zgjedhore dhe përmirësimin e procesit zgjedhor në Mal të Zi.

“Ambasadorët e OSBE-së përshëndetën progresin demokratik dhe institucional të Malit të Zi dhe deklaruan se do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të fortë për proceset reformuese në vendin tonë”, përfundon deklarata.

Kandidatët për anëtarë të Bordit Raiçeviq, Vujoviq, Koprivica...

Në mbledhjen e Këshillit për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore, duhet zgjedhur tre anëtarë të asociuar nga sektori joqeveritar dhe dy nga komuniteti akademik.

Kandidatët për anëtarë të asociuar nga sektori joqeveritar janë: Maja Raiçeviq nga Qendra për të Drejtat e Grave, Goran Maçanoviq nga Shoqata e të Verbërve të Malit të Zi, Zlatko Vujoviq (CEMI), Dragan Korivica nga Qendra për tranzicionin demokratik,  Ana Neneziq nga Instituti Analitiko, Božidar Vujičić nga Aksioni civil.

Kandidatët për anëtarë të asociuar nga komuniteti akademik janë: Zlatko Vujoviq, Nikoleta Gjukanoviq dhe Danillo Kaleziq.

Në mbledhje, po ashtu, në kuadër të këtij Këshillit, është formuar komisioni për Monitorimin e Procesit Zgjedhor.

Hapet linja Tivar - Ancona, lidhja më e shpejtë me Evropën Perëndimore

Kryeministri Millojko Spajiq,  bisedoi për rivendosjen e linjës detare me Italinë me pronarin e kompanisë Adria Ferries, Alberto Rossi dhe pas takimit u njoftua se trageti në linjën Tivar – Ankona, mund të fillojë sërish këtë vit.

“Qeveria e Malit të Zi do të rikthejë linjën detare me Italinë, dhe trageti në linjën Tivar-Ankona mund të fillojë të funksionojë që në vitin 2024, u konkludua në takimin e kryeministrit Spajiq, me kreun e kompanisë Adria Ferries, Albert Rossi”, njoftoi Qeveria.

Siç thonë ata, trageti do të jetë lidhja më e shpejtë mes Malit të Zi dhe Evropës Perëndimore.

"Lidhja më e shpejtë me Evropën Perëndimore, trageti midis Tivarit dhe Ankonës, mund të fillojë përsëri të funksionojë në vitin 2024", ka shkruar Spajiq, në rrjetin X.

Siç shtoi ai, kjo do të kishte një efekt pozitiv në turizmin për të dy vendet.

Pejoviq në Austri: Thirrje për të përshpejtuar negociatat për anëtarësim në BE

Konferenca e Nëntë e kryetarëve të parlamenteve të strategjisë së BE-së për rajonin e Danubit, përfundoi dje me miratimin e Deklaratës së përbashkët, ku mori pjesë edhe nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Boris Pejoviq, me ftesë të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Siç u njoftua nga Parlamenti i Malit të Zi, konferenca dyditore u shënua nga një diskutim i organizuar në tre panele, kushtuar sigurisë në rajonin e Danubit, rëndësisë së arsimit për forcimin e demokracisë, si dhe mënyrave për të lidhur rajonin e Danubit si një zonë unike kulturore, natyrore dhe shkencore. Në panelin e parë kushtuar sigurisë, folësit konfirmuan mbështetjen e plotë për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe bënë thirrje për përshpejtimin e procesit të negociatave me pesë vendet e rajonit të Danubit që janë kandidate për anëtarësim në BE, përfshirë Malin e Zi.

Fokusi i sesionit të dytë ishte rëndësia e njohjes së të rinjve me funksionimin e sistemit politik demokratik dhe panelistët ndanë përvojat e tyre mbi praktikat e mira që ata zbatojnë në këtë fushë në parlamentet e tyre. Në panelin e tretë, pjesëmarrësit diskutuan për modalitetet e bashkëpunimit kulturor dhe akademik që mund të përmirësojnë lidhjen e vendeve në rajonin e Danubit dhe theksuan se bashkëpunimi duhet të forcohet veçanërisht në zonat kufitare që janë të drejtuara drejt njëra-tjetrës.

Mali i Zi,  është i vendosur të ndjekë penalisht krimet e luftës

Duke marrë parasysh sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, veçanërisht në kontekstin e përballjes me të kaluarën dhe arritjes së drejtësisë, mbështetja për punën e Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe Prokurorisë së Lartë Shtetërore në hetimet e krimeve të luftës, është e  padiskutueshme, tha ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, Andrej Milloviq, në një takim me Komisioneren për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës (KE), Dunja Mijatoviq.

Sipas deklaratës nga Ministria e Drejtësisë, Milloviq, ka theksuar se Mali i Zi, si nënshkrues i Konventës së Lubjanës dhe Hagës, është i vendosur që ta zbatojë siç duhet procesin e ballafaqimit me të kaluarën, siç dëshmohet nga bashkëpunimi i shkëlqyer me Mekanizmin ndërkombëtar të për gjykatat penale.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se departamenti i qeverisë po punon me përkushtim për ndryshimet e legjislacionit sipas udhëzimeve të Brukselit, në mënyrë që gjatë presidencës belge, Mali i Zi, të përmbushë kërkesat për miratimin e Raportit për përmbushjen e standardeve të përkohshme (IBAR).

Ekziston hapësirë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit

Drejtori për marrëdhënie globale i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Andreas Shall, priti ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit malazez në Paris. Siç u njoftua, Dukaj në fillim shprehu kënaqësinë për partneritetin dhe bashkëpunimin miqësor mes Ministrisë së Administratës Publike dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe theksoi se ka hapësirë për konkretizimin dhe forcimin e bashkëpunimit në disa fusha, me fokus të veçantë në reformën e administratës publike. “Rëndësia e mbështetjes së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik reflektohet në shkëmbimin e përvojave përmes iniciativave të ndryshme, punishteve, seminareve, dhe formave të tjera të bashkëpunimit. Kjo mbështetje është e rëndësishme si në tejkalimin e sfidave në procesin e reformës së administratës publike.

Gjatë ditës pritet ekstradimi i V. Eriq nga Suedia

Një nga të dyshuarit për hapjen e tunelit në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, Vlladimir Eriq, do të duhej të ekstradohet pasdite nga Suedia në Mal të Zi. Këtë informacion e ka konfirmuar për Portalin e Radiotelevizionit të Mali të Zi, kreu i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë, Dushko Millanoviq. Kujtojmë se Eriq, u arrestua më 13 tetor të vitit të kaluar në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar në aeroportin e Stokholmit teksa po përpiqej të nisej për në Beograd.

Vukshiq; Nuk është respektuar Ligji për Punë të Brendshme

Këshilltari i presidentit të Malit të Zi për sigurinë, Dejan Vukshiq, tha për emisionin “Link” se gjatë zgjedhjes  ushtrues i detyrës së drejtorit të policisë, nuk është respektuar Ligji për Punë të Brendshme. Ai deklaroi se drejtori i policisë zgjedhet në bazë të propozimit të Ministrit të Punëve të Brendshme. Vukshiq, theksoi se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë. Ai tha se partitë që e përbëjnë qeverinë kanë marrëveshje për koalicion dhe nëse nuk respektohet, atëherë ndonjë parti nuk e ka respektuar atë që është marrë vesh. Mund të presim që diçka e tillë të ndodhë edhe në të ardhshme edhe nga partitë tjera dhe kjo nuk duhet parë vetëm si shkelje e ligjit, por edhe si shkelje e marrëveshjes që shërbeu si bazë për bashkëpunim të partive në pushtet, theksoi Vukshiq.

Mbledhja elektronike e Kuvendit komunal në Shavnik

Kryetarja e Kuvendit Komunal të Shavnikut, Nadezhda Kotlica, tha se seanca elektronike e parlamentit lokal duhet të mbahet sot, në orën 18:00. Përfaqësuesit e koalicionit “Për të ardhmen e Shavnikut” dhe të Partisë Socialiste Popullore, refuzuan të marrin pjesë në seancën elektronike. Për zgjedhjet në Shavnik do të diskutojë edhe Këshilli për Reformën Zgjedhore. Kryetari i Komisioni shtetëror të zgjedhjeve, Nikolla Mugosha, tha se zgjidhja e krizës në këtë komunë duhet të jetë prioritet i këtij Këshilli. Përfaqësuesi i Demokratëve në Këshill, Nikolla Rovçanin, ka tërhequr vërejtjen se situata aktuale në Shavnik është e paqëndrueshme.

Fati i kontratës me kompaninë Brskovo, do të diskutohet në Qeveri

Çështja e prishjes së kontratës me kompaninë Brskovo, pasi të merret mendimi i avokatëve, nesër mund të jetë para ministrave në Qeveri, mëson Televizioni i Malit të Zi.

Sipas informacioneve tona, një nga konkluzionet është se koncesionari ka bërë shkelje të kontratës, për të cilën, siç thuhet në vlerësim, kanë qenë në dijeni, prandaj kanë korrigjuar Studimin e vitit 2019 dhe drejtpërdrejtë ia kanë dorëzuar Studimin e vitit 2022 ekipit hartues të planit hapësinor, gjë që nuk ishte në përputhje me Marrëveshjen dhe nuk i ka eliminuar të gjitha mangësitë. Problematike janë edhe prania e metaleve të rënda në zonën e koncesionit, mosrespektimi i Ligjit për menaxhimin e mbeturinave, trajtimi sipërfaqësor dhe masat joadekuate për mbrojtjen e mjedisit. Sipas informacioneve, koncesionari ka 60 ditë në dispozicion për të eliminuar të gjitha mangësitë, dhe më pas formalisht plotësohen kushtet për prishjen e kontratës.

Miratohet vendimi për zgjedhjen e pesë anëtarëve të rinj

Në seancën e Këshillit Kundër Korrupsionit, është miratuar vendimi për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Këshillit për Parandalimin e Korrupsionit. Drejtoresha e Agjencisë, Jelena Peroviq, në fillim të seancës tha se Agjencia ka realizuar një nga vitet më të suksesshme që nga themelimi i saj. Ajo tha se, me kërkesë të Agjencisë, në gjykatën kompetente për kundërvajtje vitin e kaluar kanë përfunduar më shumë se njëmijë e pesëqind procese. Deputeti, Millun Zogoviq, e pyeti drejtoreshën Peroviq, se deri ku ka arritur procesi për orët e ish-presidentit Millo Gjukanoviq. Peroviq u përgjigj se procedura është në fazën përfundimtare dhe se vendimi duhet të merret në 20 ditët e ardhshme.

Anulohet vendimi i KK të Zetës

Gjykata Administrative e anuloi vendimin e Kuvendit Komunal të Zetës nga 25 gushti i vitit të kaluar, me të cilin u shkarkua Lluka Kërstoviq nga pozita e kryetarit të parlamentit lokal. Gjykata me anë të një komunikate theksoi se vendimi i kontestuar është i kundërligjshëm. Siç thuhet, meqenëse, ndër të tjera, procesverbali i seancës në të cilën është marrë vendimi i kontestuar nuk i është bashkangjitur shkresave të lëndës, Gjykata nuk ka mundur të shqyrtojë gjendjen faktike. Po ashtu, në vendimin e kontestuar nuk ka sqarim, por vetëm thuhet se kryetarit të Kuvendit Komunal të Zetës i ka skaduar mandati.

MONSTAT kumtoi se në tremujorin e fundit të viti 2023, ishin 38.8 mijë të papunë

Në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Monstat-it, në Mal të Zi kishte  318,7 mijë banorë aktivë, nga të cilët 279,9 mijë ose 87,8 për qind ishin të punësuar.

Nga numri i përgjithshëm i popullsisë aktive, 38.8 mijë ose 12.2 për qind, janë të papunë.

Krahasuar me tremujorin paraprak, numri i të punësuarve është ulur me 4.8 për qind, ndërsa krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 është rritur me 9.3 për qind.

Nga gjithsej popullsia aktive, 178.5 mijë ose 56 për qind janë burra, dhe 140.3 mijë ose 44 për qind janë gra.

Struktura e të punësuarve sipas sektorëve të veprimtarisë tregon se pjesa më e madhe e tyre janë në sektorin e shërbimeve, 76,7 për qind, më pas në sektorët e veprimtarisë jobujqësore, përkatësisht industri dhe ndërtim, 18,8 për qind dhe në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimi, 4.4 për qind.

Anketa ka përfshirë 1.88 mijë familje.

Osmani, kundërshton pohimet se Serbia është më pranë NATO-s se Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar pohimin e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është më pranë NATO-s se Kosova. Pas pjesëmarrjes në një ngjarje të organizuar në Prishtinë në kuadër të “Javës së Gruas”, Osmani tha për mediat se është vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia, dhe “ajo është Rusia e [presidentit, Vladimir] Putinit”. Hill, gjatë një interviste për transmetuesin publik serb, deklaroi më 19 mars se aktualisht Serbia është më pranë aleancës ushtarake perëndimore sesa Kosova, duke thënë se NATO-ja punon çdo ditë me ushtrinë serbe, mban trajnime dhe ushtrime. Sipas Osmani, Serbia, sikurse Rusia, shkel vlerat kryesore të NATO-s, siç është mbrojtja nga forcat autoritaret dhe rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare.

Blinken, në Lindjen e Mesme, në kërkim të marrëveshjes për armëpushim në gazë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të qëndrojë në Lindjen e Mesme për të gjashtën herë që kur nisi lufta në Rripin e Gazës, në përpjekje për të siguruar një pauzë të përkohshme në luftime dhe lirimin e pengjeve. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, pas një sulmi të grupit radikal palestinez në jug të Izraelit, që la të vrarë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë. Gjatë kësaj vizite në rajon, Blinken do të takohet me udhëheqësit sauditë në Xhedah dhe me ata egjiptianë në Kajro për të diskutuar lidhur me bisedimet që po ndërmjetësohen nga Egjipti dhe Katari për arritjen e një marrëveshjeje, por edhe për dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Nesër, kryesisht mort me diell

Për nesër pritet mot kryesisht i kthjellët, pasdite vranësim gradual. Në veri në mëngjes me ngrica të pakta deri mesatare, vende-vende nëpër lugina me mjegull ose vranësira të ulëta.

Do të fryjë erë, kryesisht e lehtë nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej -5 deri në 6 gradë, kurse më e larta e ditës  prej 11 deri në 20 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се