Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

30. 01. 2014. 16:54 >> 17:30

LAJMET 30.01.2014

30.01.2014

Mali i Zi të bëhet hallka më e fortë e integrimeve

Mali i Zi ka mundësi që të bëhet hallka më e fortë në procesin e forcimit të integrimeve të shteteve ballkanike në NATO  dhe UE, ka vlerësuar  anëtari i nderit i Këshillit Atlantik në Uashington Stefano Stefanini. Ai ka theksuar se nuk  varet nga Mali i Zi nëse do të marr ftesën në shtator për anëtarësim në NATO, por nga Aleanca e cila duhet të vendos nëse këtë vit do të vazhdojë zgjerimin. Nëse Mali i Zi nuk e merr ftesën, shkaku nuk qëndron në shtetin e Malit të Zi por në vendimin e mundshëm të aleancës që të mos zgjerohet. Kjo duhet shikuar si shtytje e jo mossukses i Malit të Zi, ka theksuar Stefanini në intervistën për televizionin Atllas.

 

Sot mbahet mbledhja e Këshillit për mbrojtje dhe siguri

Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviq e ka caktuar për sot mbledhjen e Këshillit për mbrojtje dhe siguri në të cilën duhet të debatohet për realizimin e strategjisë nacionale të sigurisë me plotësimin e detyrimeve kyçe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Kryetari i Kuvendit Ranko Krivokapiq kishte kërkuar kohë më parë nga Vujanoviq që të caktojë mbledhjen e Këshillit në të cilën do të debatohej se çka duhet bërë që Mali i Zi të marr ftesën për anëtarësim në NATO. Krivokapiq ,ka vlerësuar se gjatë 6 muajve të ardhshëm duhet intensifikuar përpjekjet në plotësimin e obligimeve kyçe nga agjenda e NATO-s në mënyrë që Mali i Zi të marr ftesën për në samitin e Aleancës i cili do të mbahet në shtator. Siç theksohet, kushte kyçe për marrjen e ftesës janë sundimi i të drejtës , reforma e shërbimeve të sigurisë dhe ngritja e përkrahjes së qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO. 

 

Qeveria refuzon ligjin për KAP

Qeveria e Malit të Zi ia ka dorëzuar  Gjyqit kushtetues  propozimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë të ligjit për mbrojtjen e interesave shtetërore në sektorin e metalurgjisë. Qeveria në mbledhjen  e sotme ka shqyrtuar propozimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë të dispozitave të nenit 1,2,3 dhe 4 të ligjit për mbrojtjen e interesave shtetërore, në sektorin e metalurgjisë dhe ka vendos që propozimin t ia dorëzojë gjyqit kushtetues të Malit të Zi është kumtuar nga qeveria.

Me ligjin për mbrojtjen e interesave shtetërore në sektorin e metalurgjisë janë definuar kushtet shtesë të shitjes së subjekteve juridike në sektorin metalurgjik përmes procedurës falimentuese. Të përkujtomë se ligji, i cili është propozim i Frontit Demokratik është miratuar në parlament kah fundi i dhjetorit.

 

Nuk është zgjedhur anëtari i 5 i senatit të IRSH

Këshilli administrativ nuk e ka zgjedhur sot anëtarin e 5-të të Senatit të institucionit revizor të shtetit, sepse me rastin e votimit, asnjëri nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e duhur. Kandidati Radulle Zhugiq, të cilin e kanë përkrah deputetët e PDS dhe të Partisë Boshnjake ka fituar 6 vota, po aq kishte dhe Zaria Pejoviq për të cilin kanë votuar deputetët Frontit Demokratik, të PSP dhe të Malit të Zi Pozitiv. Deputeti i Partisë Social Demokratike Rifat Rastoder ka votuar për kandidatin Zharko Gjurishiq. Kryetari i këshillit, e deputet i PDS, Radivoje Nikçeviq ka theksuar se duke pasur para sysh faktin se asnjëri nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e nevojshme të votave , procedura do të përsëritet në njërën nga mbledhjet e ardhshme.

 

Propozim ligji është i mirë por duhen korrigjime plotësuese

Propozim ligji për buxhetin dhe përgjegjësinë fiskale i cili rregullon procedurën buxhetore dhe fut rregulla fiskale është zgjidhje e mirë ligjore e cila duhet përpunuar, kanë vlerësuar anëtarët e Këshillit parlamentar për ekonomi, financa dhe buxhet. Ata në pjesën e parë të debatit kanë vlerësuar se propozimi i tekstit të ligjit i cili është dashtë të sigurojë funksionimin stabil të sistemit  të financave publike është hap përpara, por duhet të mënjanohen disa paqartësi. Deputeti i PSD Damir Shehoviq ka kumtuar se ligji i propozuar parasheh futjen e rregullave fiskale të cilat nënkuptojnë deficitin buxhetor prej 3 për qind dhe nivelin e borxhit publikë  60 për qind.

 

KZSH  të hetojë deri në vitin 2016

Ekspertët e Komisionit Evropian në mënyrë indirekte kanë propozuar se Komisioni Zgjedhor i Shtetit do të duhej të merret me hetime administrative lidhur me shpërdorimin e resurseve shtetërore deri në formimin e agjencisë për antikorrupsion e cila do të fillojë të punojë më së voni në janar të vitit 2016. Në deklaratën në të cilën ekspertët e TAIEX analizojnë propozimet e opozitës, të PDS dhe MANS-it për ndryshimet e ligjit për financimin e partive politike, theksojnë se duhet pasur kujdes që forcimi i propozuar i rolit mbikëqyrës të KZSH të jetë në pajtim me konventën evropiane për të drejtat e njeriut.

 

Presidenti të konsultoi institucionet dhe OJQ-të

Këshilli ligjdhënës do të shqyrtojë të hënën ndryshimet e ligjit për avokatin e popullit me të cilat është paraparë që presidenti i Malit të Zi në procedurën e vërtetimit  të propozim kandidatëve për këtë funksion, të konsultojë institucionet shkencore dhe profesioniste dhe OJQ-të  për të cilat kjo  është  veprimtari kryesore. Theksohet se ky ndryshim është bërë në bazë të komenteve të Komisionit Evropian dhe trupave tjerë ndërkombëtarë që kanë kërkuar që ligji të parashoh procedurë transparente, inkluzive dhe pluraliste me rastin e zgjedhjes dhe propozimit për avokat të popullit. Është paraparë që kandidati për funksion duhet të ketë së paku  15 vjet përvojë pune 5 nga të cilat në sferën e të drejtave dhe lirive të njeriut.

 

Komisioni për mbrojtjen e dëshmitarëve do të ketë 5 anëtarë

Komisioni për zbatimin e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve në vend të tre do të ketë 5 anëtarë, parashihet me ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve me të cilin avancohet legjislatura në këtë sferë dhe sigurohet  zbatimi i tij më i mirë në praktikë. Sipas ligjit në fuqi, anëtarë të komisionit janë gjykatësi i gjyqit suprem, zëvendës prokurori i lartë i shtetit dhe udhëheqësi i repartit për mbrojtje. Është propozuar që komisioni të forcohet edhe me dy anëtarë – me drejtorin e entit për vuajtjen e sanksioneve penale dhe me një psikolog.

 

Markoviq i pari në regjistrin për dëgjim

Prokuroria kryesore e shtetit, në kuadër të hetimeve të hapura për shkak të vrasjes së kryeredaktorit të gazetës DAN Dushko Jovanoviq, së pari do të dëgjojë ministrin e drejtësisë Dushko Markoviq, pastaj ish shefin e ministrisë për punë të brendshme Andria Joviqeviq dhe gjykatësin hetues të Gjyqit të Lartë, Radomir Ivanoviq. Dëgjimin do ta zhvillojë zëvendësja e prokurorit të lartë të shtetit Vesna Joviqeviq. Deklarata do të merren edhe nga të gjithë pjesëtarët e policisë kriminalistike të cilët kanë punuar në shndritjen e vrasjes së Jovanoviqit.

 

FORCA  kapet për “shkumëve”

UDSH akoma nuk ka vendos se me cilën parti do të hyjë në koalicion në Ulqin, ka theksuar për portalin e RTMZ lideri i UDSH Mehmet Zenka, duke shtuar se forca  duke u ofruar partive shqiptare aleancë paszgjedhore  po kapet për shkumëve që të shpëtojë.

Zenka duke komentuar vendimin e këshillit kryesor të FORCA-ës i cili ka konkludar se duhet filluar bisedimet për formimin e pushtetit lokal me subjekte politike shqiptare, koalicionin “Së bashku për të ardhmen e Ulqinit dhe me UDSH”, ka theksuar se FORCA e ka pasur rastin që të merret vesh me partitë shqiptare edhe par zgjedhjeve por ka dëshiruar që me tjerët të bëjë kombinime të ndryshme. Këshilli Qendror i FORCA-së mbrëmë njëzëri ka vendosur të fillojë bisedimet për koalicionin paszgjedhor me PD dhe UDSH ndërkohë që pret vendimin e subjekteve tjera nacionale shqiptare.  Zenka ka vërtetuar se ekziston presion nga strukturat me ndikim në Shqipëri dhe në Kosovë  në Partitë shqiptare në Ulqin që pushtetin ta formojnë pa PDS.

 

Koalicioni PSD dhe MZP i konvenon PDS-së

Pjesëmarrja e paralajmëruar e përbashkët e Partisë Social Demokratike dhe Malit të Zi Pozitiv në zgjedhjet lokale në kryeqytet vetëm mund ti kontribuojë autoritetit të Partisë Demokratike të Socialistëve, ka theksuar kryebashkiaku i Podgoricës Miomir Mugosha.

Në analizat politike të cilat i realizojnë, mendojmë se kjo është e mirë për një rezultat edhe më të mirë të PDS në Podgoricë se sa ishte në periudhën e kaluar, ka theksuar Mugosha në konferencën për gazetarët  në prag të mbledhjes së nesërme të parlamentit lokal. Në pyetjen se nëse PDS ka vendos që të jetë bartës i listës i kësaj partie në zgjedhjet lokale në Podgoricë, Mugosha është përgjigjur negativisht.

 

Edhe Ivanoviq kandidohet për kryetar të Mitrovicës Veriore

Katër kandidatë të partive politike shqiptare e serbe, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së veriut. Deri në mesnatë kur përfundoi afati ligjor, Partia Demokratike e Kosovës, kandidoi Florent Azemin, Lidhja Demokratike e Kosovës Musa Miftarin, Lista serbe, Goran Radiqin, ndërsa Nisma qytetare SDP, Olliver Ivanoviqin.

Nisma qytetare SDP, vendosi në momentet e fundit të kandidojë kryetarin e saj Olliver Ivanoviq, i cili ndodhet në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime të kryera pas luftës në Kosovë. Kjo nismë tha se kandidimi i tij “është dëshmi se Oliver Ivanoviq, është i pafajshëm dhe se mosvënia e kandidaturës do të nënkuptonte se ai ka frikë nga akuzat e pabaza dhe të turpshme”. Olliver Ivanoviq, edhe në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës. Kandidatja e pavarur në zgjedhjet e vitit të kaluar, Adrijana Hoxhiq, kësaj radhe ka vendosur të mos kandidohet. Zgjedhjet do të përsëriten meqë kryetari i zgjedhur vitin e kaluar, Kërstimir Pantiq, nga Lista serbe, nuk pranoi të bëjë betimin sipas ligjeve të Kosovës.

 

Procesi kundër Ivanoviqit “ka prapavijë politike"

Deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, kanë kërkuar nga organet kompetente që t’ia mundësojnë Olliver Ivanoviqit mbrojtjen nga liria. Përmes një deklarate për medie, këta ligjvënës shkruajnë se janë të vetëdijshëm që prokuroria dhe gjykata janë të pavarura, dhe se duhet të jenë të liruar nga çfarëdo presioni. “Mirëpo, ditëve të fundit, jemi dëshmitar se kundër Ivanoviq po bëhet një fushatë nga mediet e Prishtinës, andaj edhe jemi të detyruar të reagojmë në këtë mënyrë”, thuhet në këtë njoftim. Por, ligjvënësit serbë thonë se megjithatë dyshojnë që procesi kundër Olliver Ivanoviq, të jetë tërësisht i motivuar mbi bazat të cilat rëndojnë mbi të. Përndryshe, Mbështetësit e kandidatit për kryetar të Mitrovicës së veriut, Olliver Ivanoviq, kanë protestuar edhe sot duke kërkuar lirimin e tij. Po në lidhje me këtë rast, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka drejtuar një letër baroneshës Catherine Ashton nga e cila ka kërkuar sqarime pse misioni i EULEX-it ka burgosur politikanin serb nga Kosova.

 

Zyrtarët e Kosovës biseduan me një delegacion amerikan për bashkëpunim kundër terrorizmit

Ministrat kosovar për Punë të Brendshme Bajram Rexhepi, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni pritën një delegacion nga SHBA-të për bashkëpunim kundër terrorizmit në përbërje të përfaqësuesve nga Departamenti i Shteti, Departamenti i Drejtësisë, Qendra Kombëtare e SHBA-ve Kundër Terrorizmit, Departamenti për Siguri Kombëtare dhe Byroja Federale e Hetimeve.  Delegacioni u takua me udhëheqësit e Kosovës, si pjesë e angazhimit të tij me disa vende të rajonit. Takimi u fokusua në nxitjen e bashkëpunimit të vazhdueshëm në sektorin e sundimit të ligjit, ngritjen e kapaciteteve, sigurinë e kufijve, kundër terrorizmit si dhe nismave të tjera rajonale të sigurisë, thuhet në një njoftim për shtyp.

 

Edhe sot bllokohet rektorati i UP-së

Vazhdon edhe sot bllokimi i rektoratit të Universitetit të Prishtinës, përkundër thirrjeve të ministrisë së arsimit për të ndaluar këtë praktikë të protestës së studentëve. Sipas një komunikate për shtyp nga tri grupe studentore, thuhet se edhe sot si ditëve të mëparshme, studentët kanë bllokuar punën e rektoratit, dhe se kështu do të vazhdojnë deri në largimin të siç thonë ata “të mashtruesit Ibrahim Gashi”. “Puna më e mirë që mund të bëhet sot për Universitetin është vetë pamundësimi i punës së Ibrahim Gashit”, thuhet në njoftimin e tyre. Ndërsa, rektori i UP-së Ibrahim Gashi ka thënë se nuk e ka ndërmend që të japë dorëheqje. Ai ka theksuar se pamjet e ditëve të fundit nuk i kanë pëlqyer, mirëpo e ka kuptuar policinë për punën profesionale që e ka bërë.  Sidoqoftë, ai thotë se në krye të këtij institucioni do të qëndrojë vetëm që të ndihmojë ta kapërcejë këtë fazë të vështirë që po kalon. Kurse, sipas njoftimeve, gjendja e krijuar në Universitetin e Prishtinës, ka nxitur debate edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Deputetët kanë kërkuar debat urgjent për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, sidomos pas protestave që tash e disa ditë po bëjnë studentët para rektoratit, duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi. 

 

Do të vazhdojnë ndarjet etnike në Ballkan gjatë 2014-s

Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper tha se megjithë zhvillimet pozitive në Ballkanin Perëndimor në vitin 2013, këtë vit rajoni do të vazhdojë të karakterizohet nga ndarje të thella etnike dhe politike. Clapper i bëri komentet përpara Komisionit të posaçëm të Senatit për çështjet e Zbulimit.

 

Ai tha se gjendja në Bosnje-Hercegovinë dhe ajo në Maqedoni për shkak të ndasive etnike është veçanërisht e paqëndrueshme. Qeveria e Maqedonisë, tha Clapper, vazhdon të nxisë programe që synojnë të inkurajojnë nacionalizmin e maqedonasve etnikë në kurriz të integrimit euro-atlantik të vendit. Sa më gjatë që rruga e Maqedonisë për anëtarësimin në BE dhe NATO të mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit si dhe të marrëdhënieve të dobëta dypalëshe me Bullgarinë, aq më i madh është rreziku që tensionet etnike të rriten.

 

Parlamenti i Ukrainës miraton ligjin e amnistisë për protestuesit

Parlamenti i Ukrainës miratoi një masë e cila u ofron amnisti protestuesve të arrestuar gjatë demonstratave antiqeveritare, por vetëm në qoftë se ata braktisin ndërtesat që i kanë pushtuar. Ligjvënësit miratuan masën të mërkurën në mbrëmje, por opozita në parlament e kundërshtoi këtë veprim. Kreu i opozitës, Arseniy Yatsenyuk, e përshkroi si "të papranueshëm" kushtin që protestuesit të lirojnë ndërtesat. Protestat në Ukrainë filluan në nëntor, pasi Presidenti Viktor Yanukovych hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

Presidenti rus Vladimir Putin premtoi të mërkurën se edhe nëse opozita vjen në pushtet në Ukrainë, Moska do të mbajë premtimin e saj për dhënien e një kredie prej 15 miliardë dollarësh Ukrainës së bashku me një zbritje të konsiderueshme të çmimit të gazit natyror. Sipas njoftimeve, presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovych, i cili po lufton me të gjitha forcat kundër protestuesve që po kundërshtojnë regjimin e tij, është sëmurë keq nga një virus dhe sot nuk ka dal në punë, njoftoi zyra e tij. Në anën tjetër, në Kiev protestuesit vazhdojnë të refuzojnë thirrjen për ndalimin e protestave, dhe lirimit të hapësirave qeveritare, pas ofertës së djeshme të parlamentit për një amnisti të përgjithshme të protestuesve të burgosur.

 

Në Turqi shtohen mosmarrëveshjet politike lidhur me Sirinë

Policia dhe prokurorët turq janë përfshirë në një mosmarrëveshje gjithnjë e më të thellë me qeverinë, lidhur me bllokimin e armëve që mendohet se dërgohen në Siri. Nga Stambolli njoftojnë se qeveria këmbëngul se autoritetet nuk kanë juridiksion, por këto njoftime po e vendosin politikën turke për Sirinë nën një mbikëqyrje politike gjithnjë e më të madhe. Gjatë javëve të fundit, prokurorët turq kanë ndaluar disa kamionë të Forcave Turke të Zbulimit që dyshohej se transportonin armë për grupet radikale islamiste në Siri. Analisti Sinan Ulgen, një analist në organizatën Carnegie Europe, thotë se kapja e këtyre kamionëve është një shenjë e përçarjeve në rritje brenda shtetit turk lidhur me politikën e qeverisë për Sirinë.Qeveria këmbëngul se kamionët po transportonin vetëm ndihma. Por partitë e opozitës e hedhin poshtë këtë pretendim, duke kërkuar të dinë përse nuk u lejua kontrolli i kamionëve.

 

Pritshmëritë për bisedimet e paqes mbi Sirinë

Ndërkohë që bisedimet e paqes mbi Sirinë po vazhdojnë, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi, i cili po ndërmjetëson negociatat, thotë se ai nuk pret ndonjë arritje thelbësore në raundin e parë të bisedimeve. Ndërmjetësi i OKB-së Lakhdar Brahimi nuk ishte i rezervuar kur u pyet se çfarë shpresonte të arrihej nga raundi i parë i bisedimeve të paqes mbi Sirinë.  Brahimi tha se shpresonte se sesioni i dytë i bisedimeve do të jetë më i organizuar dhe më produktiv se sesioni i parë.

Por, ai shtoi se nuk ishte i zhgënjyer nga mungesa e përparimit për shkak se ai nuk kishte pritur ndonjë rezultat që në raundin e parë. Megjithatë, ai vuri në dukje faktin se përfaqësues të qeverisë siriane dhe opozitës janë duke folur me njëri-tjetrin dhe askush nuk ka braktisur bisedimet, dhe sipas tij kjo në vetvete është një arritje.

 

Kryengritësit sulmojnë një ndërtesë qeveritare në Bagdad

Kryengritësit kanë sulmuar një ndërtesë qeveritare në Bagdad, sikurse që kanë ndodhur edhe disa shpërthimet në qendër të kryeqytetit të Irakut gjatë ditës së sotme. Thuhet se të paktën gjashtë persona të armatosur sulmuan ndërtesën e Ministrisë së Transportit. Forcat e sigurisë kanë vrarë sulmuesit dhe, siç njoftojnë agjencitë, në këto sulme kanë humbur jetën 18 persona. Në një pjesë tjetër të Bagdadit, ndodhen dy shpërthime me bomba pranë një tregu, ku kanë mbetur të vrarë të paktën gjashtë veta.
Me këto incidente, numri i të vrarëve në Irak gjatë këtij muaji ka shkuar mbi 900 njerëz.

 

Arabia Saudite zoton $4 miliardë shtesë për Egjiptin

Arabia Saudite pritet që t’i dhurojë Egjiptit mbi 4 miliardë dollarë shtesë në ndihma, për të formuar depozitat e bankës qendrore dhe prodhimet e naftës, lajmërojnë mediet lokale. Sipas gazetës shtetërore Al Ahram, pakoja e ndihmës do të merr vulën përfundimtare javën e ardhshme. Duke cituar burime anonime, ky medium shkruan se gjatë javës së ardhshme kryeministri i përkohshëm egjiptian Hazem el-Beblawi pritet të vizitojë mbretërinë saudite për të diskutuar në detaje ndihmën shtesë.

 

Unioni Afrikan diskuton për Republikën Afrikane e Sudanin Jugor

Liderët e Unionit Afrikan pritet të diskutojnë sot në Adis Abeba konfliktin në Republikën Qendrore Afrikane dhe Sudanin Jugor, ku mijëra civilë janë vrarë dhe qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Samiti dy ditor pritet të vlerësojë mundësinë e shtimit të forcave paqeruajtëse të Unionit Afrikan në Republikën Qendrore Afrikane. Ky union ka mbi 3,500 trupa ushtarake në terren. Ky shtet është zhytur në kaos prej marsit, pas përmbysjes së presidentit. Unioni Afrikan dhe Franca kanë dërguar trupat e veta në këtë shtet, por ato ende nuk kanë arritur që të ndalin dhunën. Në Sudanin Jugor, raportohet se kanë rinisur luftimet sporadike përkundër armëpushimit të shpallur më 23 janar nga blloku Lindor Afrikan IGAD, i cili punon ngushtë me Unionin Afrikan. Konflikti për pushtet ndërmjet të presidentit Salva Kiir dhe ish-zëvendësit të tij Riek Machar, është shndërruar në dhunë gjatë dhjetorit, kur edhe shpërthyen trazirat e përgjakshme ndërmjet të grupeve të ndryshme etnike në këtë shtet.

 

Më tepër mundësi për klasën e mesme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka shfrytëzuar fjalimin e tij për gjendjen në vend, për të shpallur atë që ai e cilësoi si “propozime konkrete dhe praktike”, për ta reduktuar dallimin ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Duke folur në sesionin e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka sinjalizuar qëllimin e tij për të ndërmarrë aksion ekzekutiv në ekonominë amerikane, duke e anashkaluar bllokadën në Kongres, për të “ndërmarrë hapa pa legjislacion” me qëllim që të zgjerohen mundësitë ekonomike për familjet e klasës së mesme amerikane. Ai ka theksuar se dëshiron të punoj me ligjvënësit për ta përshpejtuar rritjen ekonomike në mënyrë që i forcon dhe i rritë mundësitë për klasën e mesme amerikane.

Ai tha se ai do të vendos veto në çdo lëvizje të Kongresit për të imponuar sanksione të reja kundër Iranit, gjatë muajve të ardhshëm me qëllim që tu jepet gjasë për sukses përpjekjeve diplomatike për programin atomik të Teheranit. Presidenti Obama theksoi se një forcë e vogël e Shteteve të Bashkuara dhe e NATO-s mund të mbetet në Afganistan, edhe pas vitit 2014. Por, ai ka premtuar për ta shpallur të mbyllur luftën 12 vjeçare në Afganistan, në fund të vitit 2014.

 

Edhe nesër mot i ngjashëm            

Në Mal të Zi sot mbajti mot me vranësirë të ndryshueshme, vende vende me reshje të dobëta, kryesisht të shiut. Frynë erë dobët n deri mesatare nga drejtimet e jug lindjes.  

Temperaturat në orën 15 u shënuan: në Tivar 14 gradë, në Herceg Novi 13, Podgoricë 12, Ulqin 10, Plevle 7, Nikshiq e Kollashin 6, Cetinë 5, dhe në Zhablak 3 g.

Edhe për nesër meteorologët paralajmërojnë mot me vranësira të ndryshueshme, paradite me reshje të mundshme të shiut, kurse pasdite kryesisht i thatë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë  nga drejtimet e jug lindjes. Temperatura e mëngjesi do të jetë prej -2 deri në 8, kurse më e larta e ditës prej 6 deri në 17 g.c.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се