Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

14. 04. 2021. 00:00 >> 16:58

Ditari 14.04.2021

14.04.2021

Raportohet edhe për 14 raste të vdekjeve nga Covid 19

Në Mal të Zi, edhe 14 persona e kanë humbur betejën me korona virusin e ri kurse janë regjistruar edhe 216 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi 78 pacientë të infektuar me koronavirus jetën e kanë në rrezik.

Siç bëhet me dije, në këtë institucion shëndetësor janë të hospitalizuar 141 pacientë me infeksion COVID-19. Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Mal të Zi ka shkuar në 1 mijë e 405 persona. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në Malin e Zi, 3 mijë e 839 raste të infektimit me koronavirus janë aktive. Në Mal të Zi 15% të banorëve kanë qenë të sëmurë nga virusi korona ka deklaruar ministri për zhvillimin ekonomik, Jakov Millatoviq. Ai poashtu ka sqaruar se në imunitetin kolektiv ndikon numri i qytetarëve të paregjistruar të cilët kanë qenë të prekur nga virusi. Me rrjedhën e volitshme nga periudha e kaluar, numri i rasteve aktive deri në gjysmën e muajit maj do të mund të ishte në nivelin nga vera e vitit të kaluar, ka thënë Millatoviq.

 

Situata epidemiologjike më e mirë, jemi më optimistë

Situata epidemiologjike në Mal të Zi është më e mirë gjë që konfirmohet nga numri i pacientëve, thotë pulmologia interniste, Nena Millaçiq, duke shtuar se pasqyra e situatës epidemiologjike në vend është optimiste. Në programin e mëngjesit të Televizionit të Malit të Zi, Millaçiq tha se ajo dhe kolegët e saj, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar, ishin vazhdimisht në ngërç, jo vetëm se u sëmurën një numër i madh i pacientëve, por edhe punonjës shëndetësorë, prandaj tensioni ishte më i lartë. Siç tërheq vërejtjen ajo, vaksinimi kundër virusit korona është "gjëja e duhur për të bërë". Çdo vaksinë është më e mirë se asnjë. Unë u bëj thirrje qytetarëve të paraqiten sa më shumë që të jetë e mundur sepse vaksinimi është shpëtimi i vetëm në këtë moment," tha Milaçiq. Duke folur për shërimin e pacientëve me postkovid, ajo thotë se është një pyetje e vështirë sepse çdo sëmundje, para edhe korona, është e një karakterit individual. "Është karakteristike që rikuperimi zgjat një kohë të gjatë. Edhe pacientët me një pasqyrë të lehtë klinike vijnë dy ose tre muaj pas sëmundjes për t'u ankuar mbi simptomat e caktuara, të tilla si gulçimë, lodhje të shpejtë, presion në gjoks," tha Milaçiq.

 

Hapja e shkollave me rëndësi krahas njohurive edhe për shëndetin mendorë

Hapja e shkollave me respektim rigoroz të masave epidemiologjike ka rënësi vendimtare për arritjen e njohurive, por edhe për shëndetin mendor dhe socializëm të fëmijëve, është kumtuar nga UNICEF-i. Nga kjo organizatë ndërkombëtare kanë kumtuar se këtij apeli i janë bashkangjitur bashkë kryesueset e klubit të grave në Kuvend, Branka Boshnjak dhe Vesna Paviqeviq. Dy javët e fundit që nga hapja e institucioneve arsimore në 15 komuna, sipas të dhënave nga Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit, 62 nxënës dhe 30 mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme janë infektuar me koronavirus. Bëhet me dije se në shkollat fillore janë infektuar 23 nxënës dhe 17 arsimtarë, ndërsa në shkollat e mesme 39 nxënës dhe 13 mësimdhënës. Meqenëse numri i personave të infektuar ka rënë, Ministria e Arsimit dhe Instituti i Shëndetit Publik tash dy javë po konsiderojnë hapjen graduale të shkollave dhe kopshteve. Siç kanë theksuar nga UNICEF-i, përvojat dhe hulumtimet kanë treguar se periudhat e gjata të mbylljes së shkollave ndikojnë negativisht në mësimin e fëmijëve, shëndetin e tyre mental e fizik, janë më të rrezikuar nga dhuna, keqtrajtimi dhe neglizhimi.

 

Kosovë, nis sot vaksinimi i të moshuarve në shtëpitë e kujdesit

Komiteti kosovar për vaksinim kundër COVID-19 njofton se procesi i vaksinimit kundër COVID-19 do të vazhdojë me vaksinimin e të moshuarve të vendosur në shtëpitë e kujdesit për të moshuar dhe punëtorët socialë që kujdesen për ta, në komunat ku ka Qendra të këtilla. Gjithashtu sot do të vaksinohen edhe pacientët në dializë. Përndryshe, 14 të vdekur dhe 701 raste të reja me COVID-19 janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

 

COVID-19 nuk ka përfunduar

Rastet globale me Covid-19 janë rritur për shtatë javë rresht, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). OBSH raportoi më shumë se 4.5 milionë raste të reja dhe 76,000 vdekje në javën e kaluar, shkruan CNN, transmeton lajmi.net. Kjo është një rritje prej 7% në vdekjet e koronavirusit nga java e kaluar, duke shënuar javën e katërt radhazi të vdekjeve në rritje. Numri më i lartë i rasteve të reja u raportuan në Indi, SHBA, Brazil, Turqi dhe Francë. Numri i vendeve që raportojnë variante shqetësuese të virusit është gjithashtu në rritje, vuri në dukje OBSH. Kurse, vendet e BE-së do të marrin 50 milionë më shumë vaksina Covid-19 të prodhuara nga Pfizer dhe BioNTech deri në fund të qershorit. Kështu tha sot kryetarja e Komisionit të BE-së, pasi dërgesat e pritura në fund të vitit do të çohen përpara.

 

Hetohen veprimet anësore të vaksinës Jonson & Jonson

Komiteti i sigurisë i Agjencisë Evropiane të Barnave po heton që prej një jave të gjitha raportet e ngjarjeve embolike te personat e vaksinuar me Xhonson, njoftoi rregullatori në një shënim. “Tani për tani, nuk është e qartë nëse ekziston një lidhje shkakore”, tha EMA. “Zhvillimet e sotme po monitorohen nga afër nga EMA”, shkroi në Twitter eurokomisionerja për Shëndetin, Stella Kiriakides. Agjencia vuri në dukje se është në kontakt me rregullatorin amerikan FDA dhe rregullatorët e tjerë ndërkombëtarë dhe do të komunikojë më tej sa të përfundojë vlerësimin. Vaksina antiCOVID-19 Xhonson u ndalua në SHBA dhe shpërndarja e saj në Evropë u vonua, sepse autoritetet shëndetësore po hetojnë një lidhje të mundshme me raste të rralla të mpiksjes së gjakut në disa të vaksinuar.

 

Edhe AstraZeneka në tapet për mpiksje gjaku

Danimarka bëhet vendi i parë që pushon plotësisht administrimin e vaksinës Covid 19 të AstraZeneka-s, pas lidhjes së saj të mundshme me raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut. Lajmin e raportuan disa media daneze këtë të mërkurë, shkruan Rajters. Autoritetet shëndetësore daneze tashmë pritet të paraqesin një afat të ri për programin e vaksinimit të vendit. Agjencia Evropiane e Barnave njoftoi javën e kaluar se kishte gjetur një lidhje të mundshme midis vaksinës dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes së gjakut, por tha se rreziku i vdekjes nga Covid 19 ishte “shumë më i madh” sesa rreziku i vdekshmërisë nga efektet e rralla anësore. Një mori vendesh në të gjithë botën, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë rifilluar administrimin e vaksinës për disa grupe moshash, kryesisht ato mbi 50 ose 60 vjeç. 

 

Në PE miratohet raporti për Malin e Zi

Deputetet e Këshillit të politikës së jashtme të Parlamentit Evropian e kanë miratuar raportin mbi Malin e Zi të raportuesit Tonino Piculla. Ata kanë kanë shprehur përkrahje të plotë procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe kanë ftuar Qeverinë e re që të orientohet për reforma të mëtejshme. Deputetet e Parlamentit Evropian kanë lavdëruar përparimin në luftën kundër kriminalitetit të organizuar, por kanë ftuar pushtetin që t’i shpejtojë reformat, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, sistemit gjyqësor, lirinë e medieve dhe në luftën kundër korrupsionit. Raportuesi Tonino Piculla ka thënë se në raport vërtetohet përkrahja e fuqishme e Parlamentit Evropian procesit të anëtarësim të Malit të Zi në BE. Përkrahja e lartë publike në rritje për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të duhej të jetë nxitje për vendimmarrësit e Mali të Zi që të punojnë së bashku për përmbushjen e këtij qëllimi, ka thënë ai. Deputetet evropianë kanë shprehur brengosje për shkak të klimës së tensionuar politike në vend. Ata kanë nënvizuar se dialogu i hapur dhe konstruktiv i të gjithë aktorëve shoqërorë është kyç për përparimin në rrugën drejtë anëtarësimit në BE.

 

KE shqyrton amendamentet në Ligjin për prokurorinë

Komisioni Evropian e ka marrë projektligjin mbi Prokurorinë, që i është dorëzuar nga zyra e kryenegociatorit. Zëdhënësja e Komisionit, Ana Pisonero Hernandez, ka thënë shkurtimisht për Televizionin e Malit të Zi se u është dërguar një propozim amendament dhe se po e shqyrtojnë. Kabineti i Zëvendës Kryeministrit Dritan Abazoviq njoftoi dje se Zyra e kryenegociatorit paraqiti në Komisionin Evropian një projekt ndryshimesh në Ligjin mbi Prokurorinë, i përkthyer në gjuhën angleze. Nga kjo zyrë është bërë me dije se ndryshimet e propozuara janë plotësisht në përputhje me propozimet e Komisionit të Venecias, dhe se ata po presin me padurim dialogun dhe të gjitha sugjerimet nga partnerët evropianë.

 

Beçiq nesër në konferencën e kryetarëve të Parlamenteve të Iniciativës së Adriatikut dhe Jonit

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq do të marrë pjesë nesër në konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Adriatikut dhe Jonit, e të cilën e organizon Kuvendi shtetërorë i Sllovenisë, në kuadër të kryesimit të kësaj iniciative nga ky vend. Nga Kuvendi kanë kumtuar se për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, konferenca do të zhvillohet online. Siç është paralajmëruar, konferencën do ta hapin kryetari i Kuvendit shtetërorë të Sllovenisë, Igor Zorçiç, kurse pjesëmarrësve do tu drejtohen presidenti i këtij vendi, Borut Pahoq, sekretari shtetërorë në Ministrinë e jashtme, Gashper Dovzhan dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj iniciative, Gjovani Kastellaneta.

 

Moment vendimtar historik për Malin e Zi

Kryeministri Zdravko Krivokapiq ka thënë se qeveria po bën të gjithën që shoqëria malazeze të arrijë tolerancën zero ndaj korrupsionit dhe shovinizmit. Gjatë takimit me ambasadorin jo-rezident të Belgjikës, Konrad Adam, Krivokapiq ka thënë se ky është një moment vendimtar në historinë e Mali të Zi sepse, siç ka theksuar, është duke u zhvilluar transformimi i parë demokratik pas 75 vjetësh. Adam ka theksuar se Belgjika dëshiron që Qeveria të vazhdojë t’i respektojë vlerat evropiane dhe që Mali i Zi sa më parë t’i bashkëngjitet Bashkimit evropian. Qeveria ka arritur rezultate të caktuara në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, por përparim të konsiderueshëm në kapitujt 23 dhe 24 nuk do të ketë derisa prokuroria është joefikase dhe e kapur nga politika, ka vlerësuar nënkryetari i qeverisë, Dritan Abazoviq, që gjithashtu ka biseduar me ambasadorin jo-rezident të Mbretërisë së Belgjikës në Malin e Zi. Me ambasadorin e Belgjikës është takuar edhe kryetari i kuvendit Aleksa Beçiq. Në takim është përsëritur se shumica e re parlamentare mbetet besnike e orientimit të politikës së jashtme të Mali të Zi.

 

Gjukanoviq i gatshëm për koalicion me Abazoviq

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq akuzoi qeverinë aktuale për paqëndrueshmëri, ndërsa beson se një koalicion i ri i gjerë mund të formohet shumë shpejt. Në këtë kuptim, Gjukanoviq shtoi se sheh potenciale demokratike në Lëvizjen Qytetare- URA, të Dritan Abazoviq.

Në të njëjtën kohë, ai përjashtoi mundësinë e partneritetit të PDS-së me Frontin Demokratik. “Unë ende njoh disa kapacitete demokratike midis Demokratëve dhe URA-s”, tha Gjukanoviq. Ai beson se është e mundur të arrihet një koalicion më i gjerë dhe mendon se do të ishte i dobishëm për Malin e Zi. Ai përsëriti se qeveria aktuale u formua nën kujdesin e një komuniteti fetar – Kishës Ortodokse Serbe dhe e quajti periudhën pas 30 gushtit të vitit të kaluar, kur DPS-ja e tij humbi pushtetin pas 30 vjetësh, “fillimi i sezonit të ngrënies”. “Sulmet janë një arsye shqetësimi dhe një arsye për një reagim që nuk është gjithmonë institucional”, tha Gjukanoviq për televizionin publik malazez, duke shtuar se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare nuk janë e drejta për ta përmbysur shtetin.

 

Tentime dashakeqëse për tensionim të situatës

Kryeministri Zdravko Krivokapiq ka thënë se thëniet se do të bëj koalicion më Partinë Demokratike të Socialisteve (PDS), janë keqdashëse, të cilat më shumë flasin mbi planet e dështuara të dikujt, se mbi planet e tij të vërteta. Ai deklaruar për gazetën e Beogradit “Blic” se në mënyrë qesharake krijohet një tension artificial, kurse të gjitha deklaratat e ditëve të fundit kanë për qellim ta dobësojnë qeverinë aktuale dhe ndikimin e saj te qytetarët e Mali të Zi.

Duke komentuar deklaratën e njërit nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, i cili ka thënë se Krivokapiq është takuar me Millo Gjukanoviqin dhe për këtë arsye është shumë i brengosur, kryeministri ka thënë se kur Mandiqi thotë se është takuar në mënyrë sekrete me Gjukanoviqin, sipas të gjitha gjasave ai gjykon duke u nisur nga vetja. Krivokapiq ka theksuar se insistimi i Mandiqit se është takuar në mënyre sekrete me Gjukanoviqin edhe pse, siç ka thënë, dihet mirë se ky takim ka qenë publik, është vetëm në funksion të fshehjes së faktit se bashkëpunëtori i tij, Millan Knezheviq, pas takimit me mua ka shqiptuar të pavërteta.

 

Mirë që PDS nuk na donë si partner

Nga Fronti Demokratik kanë deklaruar se janë të kënaqur me qëndrimin e presidentit Millo Gjukanoviq, se në këtë aleancë nuk identifikon partnerin e vet të koalicionit të ardhshëm, siç e ka identifikuar te Zdravko Krivokapiq dhe te tjerët, përbërës më të vegjël të shumicës parlamentare. Sipas fjalëve të tyre, Gjukanoviq mbrëmë në transmetuesin publik ka filluar kërkimin e aleatëve të ri politik. Nga Fronti kanë deklaruar se kanë nevojë për ndihmë nga adresa të rëndësishme në mënyrë që të pajtohet anëtarët e grindur të qeverisë. Ata kanë thënë se besojnë se adresat që ua kanë rekomanduar Zdravko Krivokapiqin dhe kanë garantuar për të, do të përcaktohen qartë për pajtim. Nga Fronti kanë theksuar se nuk kanë pritur konfrontime në shtëpinë e vet dhe, siç kanë thënë, nuk kanë mundur ta mendojnë se dikush nga shumica e re të takohet në mënyrë sekrete me Gjukanoviqin.

 

Do ta përkrahim qeverinë e Kosovës në rrugën drejt BE-së

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, në Twitter ka falënderuar kryeministrin e vendit Albin Kurti i cili ka ndarë pikëpamjet e tij dhe planin e tij qeverisës me të. Ai ka shtuar tutje se BE është e gatshme të ndihmoj qeverinë e Kosovës në rrugën e saj drejtë BE-së. “Faleminderit kryeministrit Albin Kurti që ka ndarë pikëpamjet e tij me Zyrën e BE-së në Kosovë, në lidhje me planet e tij qeverisëse. BE është e gatshme të mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt të përafrimit me BE”, ka shkruar Szunyog.

 

Debat për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u zhvillua me qëndrime rëndom tërësisht të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë. Debati u ndërpre për pak kohë pasi që përfaqësuesi i Federatës rusë reagoi kundër shfaqjes së simboleve të Kosovës në sfond të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Kosova votoi në zgjedhjet e fundit për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe po hynë në një erë të re. Kosova, tha ajo, synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO si dhe të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në një të ardhme. Një pjesë e ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit tha se ka ardhur koha që të përmbyllet misioni i UNMK-ut në Kosovë, ndërsa të gjithë anëtarët e këtij Këshilli u bënë thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

 

Biden i propozon presidentit rus takim të nivelit të lartë

Presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin për të ulur tensionet e shkaktuara nga një grumbullim trupash i Rusisë në kufirin me Ukrainën dhe propozoi një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve. Në shenjë shqetësimi rreth tensioneve të shtuara në krizën e Ukrainës, Presidenti Biden i telefonoi Presidentit Putin për të propozuar që ata të takohen në një vend të tretë, ndërsa nënvizoi angazhimin e SHBA ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Kremlini konfirmoi se Presidenti Biden kishte propozuar një takim të nivelit të lartë, por nuk tha se cila ishte përgjigja e udhëheqësit rus.       

 

Realizohet projekti “Toleranca për të gjithë”

Me përkrahjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, u realizua projekti “Toleranca për të gjithë”, njofton Ul- Info. Në kuadër të projektit është zhvilluar hulumtimi tek fëmijët dhe të rinjtë, të shkollës fillore dhe të mesme, në territorin e Komunës së Ulqinit. Në fokusin e hulumtimit ishte se si të rinjtë e definojnë tolerancën, cilët janë ato nocione më të përafërta me tolerancën, sipas mendimit të tyre, a mendojnë se moshatarët e tyre kanë marrëdhënie të mira në mes veti, a do të kishin dëshirë që në shkollën e tyre të flitet më shumë për tolerancë, shkruan Ul- Info. Rezultatet e hulumtimit u prezantuan në fletushkën “Vlerësimi i tolerancës tek të rinjtë”.

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Në bregdet sot po mban mot kryesisht me diell, kurse në viset tjera kryesisht i vranët, në jug me të reshura të dobëta të shiut, kurse në veri me të reshura të dobëta të borës. Fryn erë e lehtë deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Herceg Novi 16 gradë, Tivar 15, Ulqin e Budvë 14, Podgoricë 12, Cetinë 9, Plavë e Nikshiq 7, Plevle e Beranë 4, Kollashin e Rozhajë 2 dhe në Zhablak -2 gradë. 

Nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme, me intervale me diel dhe kryesisht i thatë. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme, kryesisht nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -7 deri në 7, kurse më larta e ditës prej 3 deri në 17 gradë celsius.

 

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се