Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

12. 04. 2021. 00:00 >> 17:20

Ditari 12.04.2021

12.04.2021

Raportohet edhe për 8 raste të vdekjeve nga Covid 19 

Në Mal të Zi, edhe 8 persona e kanë humbur betejën me korona virusin e ri kurse janë regjistruar edhe 150 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik të Malit të Zi si dhe laboratorët tjera publike dhe private të cilat merren me diagnostifikimin e virusit korona, gjatë 24 orëve të fundit kanë përfunduar analizën dhe Institutit i a kanë dorëzuar rezultatet për 779 mostra në korona virusin e ri.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19, në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë është 1 mijë e 381 persona. Deri sot në ora 15 është konfirmuar edhe shërimi i 329 pacientëve. Duke pasur parasysh rastet e reja të zbuluara si dhe numrin e të shëruarve, numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive të prekurve me Covid-19 në Mal të Zi është 4 mijë e 204 persona, kurse prej fillimit të pandemisë në mars të vitit të kaluar ka numër në Mal të Zi, ka shkuar në 94 mijë e 419 persona, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. 

Nëse  vaksinimi dështon, do të kemi probleme 

Nëse do të mungojë përgjigja adekuate për vaksinim kundër virusit korona, Mali i Zi do të gjendet, jo vetëm në probleme medicinale, por edhe në ato financiare, ka deklaruar dr. Milica Doderoviq – Brkulan, nga spitalil i përgjithshëm në Nikshiq. Në programin e mëngjesit të TVMZ, ajo ka përkujtuar se lufta kundër Covidit është tejzgjatur dhe se jemi duke hyrë në muajin e 15 kundër epidemisë.

 “Nganjëherë ndihemi, pothuajse, të pafuqishëm, sepse nuk shohim rrugëdalje nga kjo situatë. Nëse vaksinimi nuk do të jetë adekuat dhe përgjigja e mjaftueshme për vaksinim, jo vetëm se do të kemi probleme medicinale,  por edhe financiare.

Megjithatë, do të shohim se si do të zhvillohet çdo gjë”, ka deklaruar ajo. Ajo, shpreson në rezultate pozitive dhe se përgjigja për vaksinim do të jetë, së paku, 50 deri në 60 për qind. Ajo po ashtu ka theksuar se kërkohet edhe ndihma e medieve për të dalë nga situata e krijuar.

Krivokapiq, me liderët e shumicës parlamentare 

Liderët e shumicës parlamentare do të takohen sot me kryeministrin Zdravko Krivokapiq në ndërtesën e Qeverisë.

Përfaqësuesit e shumicës parlamentare në takimin e djeshëm kanë arritur marrëveshjen lidhur me formën e ndryshimeve dhe të plotësimeve të ligjit për prokurorinë shtetërore dhe kanë paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim këtë propozim do t’ia dorëzojnë Parlamentit.

Nënkryetari i Qeverisë, Dritan Abazoviq, ka deklaruar pas takimit se  është i mendimit se e kanë gjetur zgjidhjen në pajtim me Komisionin  e Venecias. Lideri i demokracisë së re serbe, Millan Knezheviq, ka deklaruar se pas takimit të tretë është bërë harmonizimi i plotë i ligjeve të prokurorisë. 

Deputetja e PDS, Marta Shqepanoviq, i ka rekomanduar kryeministrit Krivokapiq, që të merret vesh me zëvendës kryeministrin, Abazoviq, se kush është autor i ligjeve prokuroriale në mënyrë që të dihet se kush është përgjegjës për miratimin e tyre, pasi që të shihen pasojat.

Ti lejohet Abazoviqit  të jetë në krye të Qeverisë 

Vendin e Zdravko Krivokapiq, në krye të Qeverisë së Malit të Zi, do të duhej ta marrë nënkryetari Dritan Abazoviq, sepse ai, si shqiptar etnik, është në krye të formacionit qytetarë dhe gjatë tërë kohës së veprimtarisë së vetë ka kontribuar dukshëm në uljen e distancave etnike ndërmjet qytetarëve të Malit të Zi, konsideron drejtori i Shoqatës për hulumtimin e politikave dhe teoritë politike, Vlladimir Paviqeviq. “Ai është sjell si politikan i cili me konseguencë mbështet sentimentet qytetare në Mal të Zi, por edhe në rajon mund të shërbejë si shembull. Ai është prezantuar si individ i cili e ka një plan dhe, për dallim nga Krivokapiqi,  është i orientuar dhe  ka ide, andaj këtij  personi, i cili ka plane në këtë moment të krizës  politike malazeze, duhet lejuar që të udhëheq Qeverinë”, konsideron Paviqeviq. Ai thekson se gjatë 4 muajve  të Qeverisë, qytetarët të cilët kanë luftuar për rrëzimin e Millo Gjukanviq, janë tejet të pakënaqur, sepse, Qeveria nuk shënon rezultate. Ai ka shtuar se Qeveria tash 4 muaj harton buxhetin, i cili akoma nuk është miratuar në Parlament. “Kam vënë re jovendosmërinë, joefikasitetin dhe paaftësinë e Qeverisë së Krivokapiqit. Andaj, edhe më ka lindur ideja për rikonstruim të Qeverisë”, ka theksuar ai duke shtuar se “tani e shohim se Krivokapiq nuk është për këtë funksion dhe se është krejtësisht i çorientuar, i shkel dispozitat dhe sulmon sundimin e ligjit”. Paviqeviq ka mohuar se në Mal të Zi ekzsitojnë tensione të mëdha.

 

BE, nuk i paguan kreditë nga palët e treta 

Komisioni Evropian është i shqetësuar për shkak të efekteve socio-ekonomike dhe financiare,të cilat mund ti godasin disa investime kineze, ka deklaruar zëdhënsja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernadez.

Ajo, ka theksuar se përkrahja e BE për investime të qëndrueshme do ti kontribuojë qëllimit të Malit të Zi që të sigurojë qëndrueshmërinë e borxhit publik, por BE nuk paguan kredi nga palët e treta.

“Bashkimi Evropianë ka themeluar instrumenet konkret të përkrahjes për projekte të mëdha infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Pisonero, duke shtuar se “plani ekonomik dhe investues do të ndihmojë që të shfrytëzohen edhe mjetet nga investuesit tjerë publikë dhe privat, përfshirë këtu Bankën investuese evropiane me kushte shumë të volitshme”.   “Përkrahje e BE për investimet e qëndrueshme do të kontribuojë në qëllimin e Malit të Zi që të sigurojë qëndrueshmërinë e borxhit publik, gjë që është me rëndësi të madhe në kontekstin e procesit të asocimit. BE nuk paguan kredi nga palët e treta” ka theksuar Pisonero. Ajo ka shtuar se çdo vend është i lirë që ti vërtetojë qëllimet e veta investuese. “Njëkohësisht, BE është i shqetësuar për shkak efekteve socialo- ekonomike dhe financiare, të cilat mund ti kenë disa investime kineze”, ka theksuar ajo. Pisonero ka shtuar se “BE do të vazhdojë të promovojë stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe respektimin e menaxhimit të mirë në partneritet me vendet e treta, po ashtu edhe në Ballkanin perëndimor.”

 

Abazoviq në mënyrë  të pandershme dhe me gënjeshtra e akuzon Gjukanoviqin 

Nënkryetari i Qeverisë, Dritan Abazoviq, për të satën herë me radhë, në mënyrë të pandershme dhe me gënjeshtra, e ka akuzuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukaqnoviq, se vepron drejtpërdrejtë kundër interesave të shtetit, ka kumtuar zëdhënësi e deputet i PDS, Millosh Nikoliq.

Të përkujtojmë se, Abazoviq, mbrëmë në Parlament, pas marrëveshjes për ligjet prokuroriale ka thënë se “Presidenti i shtetit dhe PDS, veprojnë drejtpërdrejtë kundër vendit.

 “Është e qartë, ka theksuar ai, se shpifjet e Abazoviqit paraqesin “vetëm vazhdimësinë e veprimtarisë së presonit, të cilin banorët e secilit qytet të Malit të Zi e refuzojnë me indinjat duke ia kthyer kurrizin, duke ia bërë të ditur me këtë akt se çfarë mendojnë për të dhe për rolin e tij”. 

Besimtarët të promovojnë vlerat e vaksinimit 

Reisi i Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq, i ka ftuar besimtarët që të promovojnë përparësitë  e vaksinimit. Ai, në prag të fillimit të muajit të Ramazanit, u ka bërë ftesë besimtarëve që tu përmbahen masave epidemiologjike. “Meshihati i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, i njofton besimtarët e vetë për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Sot, me perëndimin e diellit, fillon Ramazani, kurse nesër është dita e parë e agjërimit të Ramazanit. Duke pasur parasysh situatën e ndërlikuar epidemiologjike, u bëhet ftesë besimtarëve që të promovojnë përparësitë e vaksinimit dhe tu përmbahen masave shëndetësore dhe instruksioneve të Meshihatit, në kryerjen e riteve fetare në rrethana të jashtëzakonshme të cilat u janë dorëzuar të gjithë mexhliseve rajonale”, ka theksuar Fejziq. Siç ka theksuar ai, në Ramazan hyjmë me shpresë dhe dëshirë që të ndryshojmë gjendjen tonë dhe gjendjen e të tjerëve rreth nesh, drejtë një të nesërme më të mirë.

 

Presin përkrahje për rritjen e rrogës minimale në 50% të mesatares 

Socialdemokratët, presin përkrahje për amendamentin e tyre në propozimin e ndryshimeve të ligjit për punën, me të cilin është propozuar që rroga minimale nuk mund të jetë më e ulët se gjysma e rrogës mesatare dhe e cila aktualisht do të ishte diçka mbi 260 euro.  Socialdemokratët, theksojnë se Qeveria nuk e ka aprovuar amendamentin e deputetit të kësaj partie  dhe se është propozim i shumicës parlamentare që  rroga minimale të  rritet në 250 euro.

Konsiderojnë se është më e drejtë dhe më e volitshme për të punësuarit që kufiri i poshtëm i të ardhurave minimale të mos caktohet në shumën absolute, siç ka propozuar shumica parlamentare, por në përqindje, sepse është logjike, që në rast të rritjes të ardhurave mesatare, të rritet edhe rroga minimale. Pa marrë parasysh mendimin e Qeverisë, në këtë parti presin se amendamenti i tyre do të fitojë përkrahjen e shumicës së deputetëve në Parlament, sepse është më i volitshëm për të punësuarit dhe më i drejtë, pasi mundëson rritjen e rrogës minimale paralelisht në rritjen e të ardhurave mesatare.

 

Kurti, paralajmëron planin e veprimit për mandatin e ardhshëm të qeverisjes 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë vikendit, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar kanë zhvilluar punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se programi qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave tha se do të angazhohen me përkushtim. Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht, njoftoi kryeministri Kurti dhe paralajmëroi se këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim.

 

Paralajmërohet marrëveshja mes opozitës dhe pushtetit për Ligjin për shtetësi 

Për propozim-Ligjin për shtetësi, sot pritet të takohen kryeministri  i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe liderët opozitarë shqiptarë, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe Afrim Gashi nga Alternativa, transmeton Telegrafi.

Në këtë takim, sipas paralajmërimeve duket se do të gjendet zgjidhje e përbashkët mes pushtetit dhe opozitës për çështjen e shtetësisë.

Sipas paralajmërimeve të Zaevit dhe Selës, shtetësia nëse nuk do të mund të fitohet me “tre dëshmitarë”, është e pranueshme të fitohet me dorëzimin e çfarëdo dokumenti i cili do të jetë dëshmi e mjaftueshme se personi që aplikon për shtetësi, ka jetuar për një periudhë të caktuar në Maqedoninë e Veriut.

Sela ka bërë të ditur, se është i gatshëm të pranojë që si dëshmi të jepen dëftesat shkollore të fëmijëve të personave që aplikojnë për të marrë shtetësi.

Kompania Johnson&Johnson, shpërndan vaksinat kundër Covid 19 në BE 

Kompania Johnson&Johnson ka filluar shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 në Bashkimin Evropian, tha Peter Liese, një ligjvënës i Parlamentit Evropian, transmeton Reuters.

Shpërndarja ishte planifikuar të ndodhte në fillim të prillit, por procesi ishte shtyrë për shkak të problemeve me prodhimin.

Kompania amerikane është zotuar se do të furnizojë me 55 milionë doza deri në fund të qershorit dhe 120 milionë të tjera në tremujorin e tretë, tha Komisioneri i Bashkimit Evropian për Industrinë, Thierry Breton.

Vaksina e Johnson&Johnson merret vetëm përmes një doze dhe është 66 për qind efektive kundër koronavirusit.

Kjo është vaksina e katërt që është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave pas vaksinave: Pfizer-BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.

Pekini, shqyrton mudësinë e kombinimit të vaksinës kundër Covid 19 

Një zyrtar i lartë i Kinës për kontrollin e sëmundjeve tha se Pekini zyrtar po e konsideron mundësinë e kombinimit të vaksinave kundër COVID-19, duke e pranuar se efikasiteti i vaksinave ekzistuese “nuk është aq i lartë”.

Sipas të dhënave të publikuara, vaksinat e prodhuara në Kinë qëndrojnë shumë prapa atyre të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna, sa i përket efikasitetit që kanë ndajë sëmundjes COVID-19. Megjithatë, për shkak të teknologjisë me të cilat janë prodhuar, vaksinat e kompanive kineze, nuk kërkojnë temperatura shumë të ulëta për t’u ruajtur.

SHBA dhe Britania, kundërshtojnë fushatën destabilizuese të Rusisë 

Britania dhe Shtetet e Bashkuara “fuqishëm kundërshtojnë fushatën destabilizuese në Ukrainë” dhe i bëjnë thirrje Rusisë që të ndihmojë në uljen e tensioneve, tha më 11 prill Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab.

“Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe unë jemi pajtuar që Rusia menjëherë duhet të ndihmojë në përmirësimin e situatës dhe t’u përmbahet zotimeve që ka me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë”, tha Raab përmes një postimi në Twitter.  Në afërsi të kufijve mes Rusisë dhe Ukrainës, por edhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, janë parë forca të shtuara të ushtrisë ruse, gjë që ka rritur shqetësimet se Moska po përgatitet që të dërgojë trupa në lindje të Ukrainës. 

Cikloni tropikal dëmton shumë objekte në bregun perëndimor të Australisë

Stuhia tropikale Seroha në bregun perëndimor të Australisë shkatërroi një numër të madh shtëpish dhe mijëra familje mbetën pa energji elektrike.

Cikloni tropikal goditi brigjet e Australisë Perëndimore, në jug të qytetit turistik Kalbarri, me erë deri në 170 kilometra në orë, sipas zyrtarëve.

Rreth 70 për qind e banesave në qytetin Kalbarri, një qytet me 1.400 banorë, u dëmtuan, thanë zyrtarë nga Shërbimi i Zjarrfikësve  dhe të Urgjencës.

Qytetet tjera bregdetare pësuan më pak dëme.

Ciklone të tilla të fuqishme janë të rralla në Australinë subtropikale. 

 

Nesër, mot i ndryshueshëm dhe me të reshura 

Në Mal të Zi, mban mot kryesisht me diell, vende – vende, me  vranësira të pakta. Frynë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve jugore.

Temperatura në orën 14; Podgoricë 21 gradë, Plevlë, Andrijevicë e Rozhajë 20, Budvë e Guci 19, Tivar, Petrovac, Plavë e Shavnik 18, Herceg Novi, Ulqin, Kollashin, Cetinë e Bjello Pole 17, Nikshiq 16 dhe në Zhablak 12 gradë.

Nesër, do të mbaj mot kryesisht i vranët dhe me të reshura të përkohshme të shiut, më intensive në viset jugore dhe qendrore të vendit.

Do të fryjë erë  mesme, kohëpaskohe, deri e fortë e drejtimeve jugore.

Temperatura e mëngjesit prej 0 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej 7 deri në 16 gradë celsius. 

 

Përgatiti, Gj. Dukaj 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се