Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

19. 01. 2021. 00:00 >> 16:35

Ditari 19.01.2021

19.01.2021

Abazoviq dhe Raduloviq e kanë ftuar presidentin Gjukanoviq në bisedime

Nënkryetari i Qeverisë Dritan Abazoviq dhe ministri për punë të jashtme Gjorgje Radulloviq i kanë dërguar ftesë presidentit të shtetit Millo Gjukanoviq për konsultime në kuadër të politikës së jashtme të cilat do të mbaheshin me 26 janar , është kumtuar nga Qeveria. Siç theksohet , temë e takimit do të jetë “çështja e kthimit të ambasadorëve”.

“Organizimi i konsultimeve është tregues i kapaciteteve demokratike të Qeverisë , si dhe i rëndësisë së dialogut, në veçanti me qëllim të funksionimit të bashkëpunimit dhe me qëllim të zgjidhjes së çështjeve për të cilat ekzistojnë qëndrime të ndryshme”, thuhet në kumtesë. Presidenti Gjukanoviq më parë ka vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet për miratimin e dekretit lidhur me revokimin e 7 ambasadorëve , duke shtuar se ky propozim i Qeverisë i është dorëzuar pa ndonjë arsyetim valid.

 

Ishte e mundur të veprohej ndryshe

Kryetari i Aleancës qytetare, Boris Raoniq , ka vlerësuar se Malit të Zi në këtë moment nuk i është nevojitur rivokimi i ambasadorëve, por nëse ka qenë e nevojshme të tërhiqen disa individ, atëherë kjo është dashtë të bëhet ndryshe. Ish shefi i diplomacisë të Malit të Zi, Branko Llukovac konsideron se konsultimet me ambasadorët me siguri do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve dhe pastaj do të shihet zhvillimi i ngjarjeve. Raoniq dhe Llukovac janë të pajtimit se do të ishte më mirë që shteti ti tërheq ata ambasadorët të cilëve së shpejti u skadon mandati ose janë në prag të pensionimit. Llukovac për programin e mëngjesit të TVMZ ka theksuar se është pritur që pushteti i ri do të përpiqet të zëvendësojë sa më shumë njerëz të cilët veprojnë në pozita të larta, si në vend ashtu edhe në botë. Kryetari i Aleancës qytetare Raoniq po ashtu ka theksuar se në këtë moment Malit të Zi i duhet imazhi i stabilitetit.

 

ToMontengro mund të funksionojë edhe para një prillit

Sekretari shtetëror në Ministrinë e investimeve kapitale, Zoran Radunoviq , ka deklaruar se kompania e re ajrore nacionale ToMontengro në rastin më të mirë do të mund ta fillojë punën deri me një prill.

“Nëse e trashëgojmë tërë pronën e Montenegro Arilines, punën , përvojën dhe njohurit, atëherë presim që të gjithë këtë ta transferojmë në kompaninë e re. Nëse kjo arrihet , mund të pritet që të fillojmë punën edhe para një prillit. Nëse nuk arrijmë të trashëgojmë tërë pronën e MA, themelimi i kompanisë së re do të jetë më e vështirë”, ka theksuar Radunoviq. Në programin e mëngjesit të TVMZ ai ka kumtuar se nuk ka qenë e mundur që të vazhdohet puna pa penges në komunikacionin e Montengro Arilines . Ai ka theksuar se vetëm në vitin 2019 kompania e deritashme ka pas një rritje të shpenzimeve prej 7.5%,kështu që me këtë afarizëm negativ nuk ka qenë e mundshme të vazhdohet puna dhe të ardhmen e sheh në themelimin e kompanisë së re ToMontengro , ka theksuar Radunoviq. Ai ka shtuar se dy aeroplanë të kompanisë së mëparshme, për shkaqe teknike janë jashtë funksionit, kurse dy të tjerë akoma janë operativ.

 

Nuk mund të flitet për punësime partiake

Avokati Zoran Piperoviq , mbrojtës i kryetarit të Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq dhe i funksionarit lokal Sead Osmanoviq, të cilët dje janë marrë në pyetje në prokurorinë themelore të Ulqinit për shkak të dyshimit të veprës penale të punës së pa- ndërgjegjshme , ka theksuar se nuk mund të paraqes detajet e deklaratave të tyre, por as që mund të flitet për punësime partiake. Të përkujtojmë se Nrekiq dhe 4 funksionarë të tjerë lokal janë marrë në pyetje për shkak të dyshimit për vepër penale të punës së pandërgjegjshme në shërbim ,duke dëmtuar buxhetin e shtetit përmes këtyre punësimeve. Ata në procedurën e mëtejme gjyqësore do të mbrohen nga liria. Përveç Nrekiqit , të dyshuar janë edhe sekretari i Sekretariatit për financa ,Sead Osmanoviq, sekretari i Sekretariatit për veprimtaritë komunale dhe mbrojtjen e mjedisit, Mustafa Gorana, drejtori i Shërbimit për mbrojtje dhe shpëtim, Saubih Mehmeti dhe sekretari i Policisë komunale e ish kryetar i Kuvendit komunal, Milazim Mustafa.

 

Bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore shembull për Ballkanin

Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi ,Dritan Abazoviq , ka zhvilluar sot një takim onlain me nënkryetarin e parë të Qeverisë së Maqedonisë Veriore Artan Grubi, gjatë të cilit është theksuar se dy vendet kultivojnë marrëdhënie të mira dhe pa çështje të hapura dhe se marrëdhëniet e Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore janë shembull mbi të cilat duhet bazuar bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor . Grubi ka theksuar se ekziston hapësirë për përparimin e marrëdhënieve dhe se parakushti bazë për vazhdimin e bashkëpunimit është i plotësuar përmes bashkëpunimit të mirë të deritashëm. Siç është kumtuar nga kabineti i nënkryetarit, Abazoviq dhe Grubi kanë arritur marrëveshjen që në periudhën e ardhshme të organizohet një takim me përbërje të gjerë i cili do të kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

 

Nesër për ligjet, të cilat Gjukanoviq i ka kthyer për rishqyrtim

Kuvendi i Malit të Zi do të votojë përsëri nesër për ligjet të cilat i ka miratuar me 29 dhjetor të vitit të kaluar dhe të cilat presidenti i shtetit Millo Gjukanoviq i ka kthyer mbrapa për rishqyrtim. Deputetët do të deklarohen përsëri për ndryshimet e ligjit për liritë ose bindjet fetare dhe pozitën juridike të Bashkësive fetare, për punën e nënëpunësve dhe punonjësve shtetëror , si dhe për mbrojtjen shëndetësore. Gjukanoviq i ka kthyer mbrapa edhe ndryshimet e ligjit për institucionet kredituese, sanimin e institucioneve kredituese dhe të fiskalizimit në qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve. Nga Opozita është paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë parlamentare.

 

Në Qendrën Klinike 36 , kurse në spitalin e Beranës 3 pacientë në gjendje të rëndë klinike

Në Qendrën Klinike të Malit të Zi 36 pacientë të infektuar me koronavirus janë në rrezik për jetën , është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Aktualisht në këtë Qendër klinike janë duke u trajtuar 88 pacientë kovid pozitiv. Ndërkaq , në spitalin e përgjithshëm në Beranë 3 pacientë pozitiv në koronavirus kanë pasqyrë të rëndë klinike, thuhet në kumtesë. Siç theksohet , në spitalin e Beranës aktualisht janë të shtruar 30 pacientë kovid pozitiv. “Tre pacientë kanë pasqyrë të rëndë klinike dhe të gjithë janë të vendosur në ventilimin joinvaziv”,thuhet në kumtesë.

 

Regjistrohen edhe 310 raste të reja të infektimit dhe një viktimë

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e infektimit me koronavirus një pacientë e ka humbur jetën dhe janë konfirmuar 310 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për shëndetin publikë. Theksohet se laboratorët e këtij instituti , si dhe laboratorët tjera publike dhe private të cilat merren me diagonostifikimin e infektimit me koronavirus deri dje në ora 17 e 30 minuta kanë përfunduar analizat e 1060 mostrave , në mesin e të cilave gjithsej 310 kanë rezultuar pozitiv. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid 19 prej fillimit të qershorit të vitit të kaluar është 737, kurse prej fillimit të pandemisë 746 persona. Deri dje në ora 17 është konfirmuar edhe shërimi i 550 pacientëve, Numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid 19 në Mal të Zi është 9233 , kurse numri i përgjithshëm i të prekurve prej fillimit të epidemisë është 55 mijë e 803 persona.

 

Beçiq, Mali i Zi ka treguar pjekuri demokratike

Mali i Zi ka treguar një pjekuri demokratike dhe do ti mbetet besnik synimit strategjik të politikës së jashtme, ka theksuar kryetari i Parlamentit Aleksa Beçiq gjatë bisedimeve me kolegun slloven Igor Zorçiq. Siç është kumtuar nga parlamenti, Beçiq gjatë një takimi onlain me Zorçiq e ka falënderuar Slloveninë për përkrahje të vazhdueshme. Theksohet se Beçiq dhe Zorçiq kanë biseduar për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse bilaterale , si dhe për planet e vazhdimit të mëtejmë të integrimit të Malit të Zi në BE dhe për forcimin e aleancës në kuadër të NATO-s. Beçiq ka theksuar se pret që Sllovenia të vazhdojë përkrahjen drejtë Malit të Zi në procesin e mëtejmë të integrimeve dhe se politika e zgjerimit do të jetë prioritet gjatë presidencës së ardhshme sllovene me Këshillin Evropianë. Zorçiq ka theksuar se dy vendet nuk kanë çështje të hapura dhe se ky fakt paraqet bazë të mirë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe dialogut. Zorçiq ka theksuar se BE nuk mund të jetë e kompletuar pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Mbrojtja speciale e fëmijëve të jetë pjesë e punës të trupave dhe organeve të Qeverisë

Mbrojtja speciale e fëmijëve duhet të bëhet pjesë përbërëse e punës në të gjithë trupat dhe organet e Qeverisë , është vlerësuar gjatë takimit të ministrit të drejtësisë dhe të drejtave njerëzore dhe të pakicave Vlladimir Leposaviq me shefin e përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi Huan Santander. Siç është kumtuar nga Ministria e drejtësisë, bashkëbiseduesit kanë folur për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, përfshirë këtu pakicat dhe kategoritë më të rrezikuara. Leposaviq ka theksuar se është i vendosur për vazhdimin e bashkëpunimit me UNICEF dhe ajo të intensifikohet përmes projekteve të përbashkëta dhe zhvillimin e kapaciteteve administrative në ministri. “Bashkëbiseduesit janë pajtuar se mbrojtja speciale e fëmijëve duhet të jetë pjesë përbërëse e punës e të gjitha trupave dhe organeve të Qeveris” , thuhet në kumtesë.

 

Haradinaj-Vuçiqit: Mos keni frikë, Kosova po e kërkon atë që i takon

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka reaguar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, pas deklaratës së këtij të fundit në drejtim të Haradinajt.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se për sa kohë Vuçiqit i dukem i rrezikshëm jemi në rrugë të drejtë.

“Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar sot pas deklaratës së Haradinajt për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke e quajtur Haradinajn politikan serioz, të fortë dhe të rrezikshëm.

 

Vuçiq: Sot fillon vaksinimi me vaksinën tjetër ‘Sinofarm’

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se në Serbi sot do të fillojë edhe një fazë tjetër e vaksinimit anti-COVID.

Vaksina që do të jepet kësaj here është nga ‘Sinofarm’.

Sipas tij nga sot fillon shpërndarja e mbi 250 mijë vaksinave dhe se sipas tij pritet që të nënshkruhet edhe nëj marrëveshje tjetër me Poloninë, që të merren rreth 800 mijë vaksina të tjera, transmeton lajmi.net.

Të gjitha këto Vuçiq i bëri të ditura pas takimit që pati me Ekipin Operativ të Vaksinimit.

Pavarësisht gjithë kësaj, Serbia vazhdon të jetë në situatë shumë të rëndë të përballjes me COVID-19, ku rastet janë në numër të madh, poashtu edhe  të viktimave.

 

Rreth 69 milionë persona shërohen nga COVID-19 në botë

Rreth 69 milionë persona janë shëruar nga COVID-19 në gjithë botën, derisa mbi 96 milionë persona rezultojnë të infektuar me të.

68 milionë e 767 mijë e 891 persona vlerësohet të jenë shëruar nga virusi COVID-19 në botë.

Një gjë e tillë bëhet e ditur në faqen botërore të statistikave, worldometers.info.

Numri i të infektuarve me COVID-19 në gjithë botën ka shkuar në 96 milionë e 97 mijë e 716, ndërsa 2 milionë e 51 mijë e 770 persona kanë vdekur nga ky virus.

Amerika prinë e para me numrin më të madh të të infektuarve me gjithsej 24 milionë e 626 mijë e 441 raste, pastaj India me 10 milionë e 582 mijë e 647 raste, Brazili me 8 milionë e 512 mijë e 238 raste, Rusia me 3 milionë e 612 mijë e 800 raste dhe Britania me 3 milionë e 433 mijë e 494 raste.

 

Gjermani: Mbyllja zgjatet deri në shkurt

Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron të zgjasë masat e rrepta të bllokimit deri më 15 shkurt në mënyrë që të ndalojë infeksionet e reja të koronavirusit.

Sot, Merkel duhet të zhvillojë një takim me kryeministrat e shteteve federale në Gjermani, për diskutimin e zgjatjes së masës së tanishme të rreptë të kyçjes, sipas së cilës shumica e dyqaneve dhe shkollave jo-prioritare janë të mbyllura, por edhe futjen e kufizimeve të reja.

Kancelarja dhe anëtarët e tjerë të qeverisë kanë paralajmëruar tashmë se masat mund të zgjaten pas janarit për shkak të situatës së keqe me epideminë në vend.

 

Biden: Ndalimet e udhëtimit do të qëndrojnë, pavarësisht urdhrit të Trump

Administrata e Biden nuk do të heqë kufizimet ekzistuese të Covid për udhëtarët nga jashtë. Zëdhënësi i Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden, thotë se SHBA-ja do të vijojë të mbajë ndalimet e udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, pjesën më të madhe të BE-së dhe Brazilin, pavarësisht një urdhri të presidentit Donald Trump për t’i hequr ato .

Shtëpia e Bardhë vendosi të hënën që ndalimi i hyrjes do të përfundonte më 26 janar, gjashtë ditë pasi Biden të marrë detyrën. Por, zëdhënësi i z. Biden, Jen Psaki, tha në Twitter se tani nuk ishte koha për të lehtësuar masat e udhëtimit.

“Me përkeqësimin e pandemisë dhe shfaqjen e varianteve më ngjitëse në botë, kjo nuk është koha për të hequr kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare. Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata Biden nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime deri më 26 janar. Në fakt, ne kemi ndërmend të forcojmë masat e shëndetit publik në udhëtimet ndërkombëtare për të zbutur më tej përhapjen e Covid-19”, shtoi ai.

SHBA vendosi kufizimet në Evropë marsin e kaluar dhe ndalimi i hyrjes braziliane u vendos në maj.

Shtëpia e Bardhë kishte lëshuar një deklaratë duke thënë se Presidenti Trump kishte nënshkruar një urdhër për heqjen e ndalimit të hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, zonën Shengen të Evropës që lejon udhëtimin përtej kufijve të hapur dhe Brazilin nga 26 janari. Ndalimet e udhëtimit për Kinën dhe Iranin do të vijojnë të qëndrojnë, thuhej në urdhër.

Pas një urdhri, javën e kaluar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), shumica e udhëtarëve ajrorë që mbërrijnë në SHBA nga 26 janari do të duhet të sigurojnë një test negativ Covid-19 ose provë të rimëkëmbjes nga sëmundja për të hyrë.

 

Navalny dërgohet në një qendër ndalimi në Moskë

Lideri opozitar rus Aleksei Navalny, është dërguar në një dhomë burgu në qendrën e ndalimit Matrosskaya Tishina në Moskë, pasi i është caktuar masa e ndalimit për 30 ditë, pas arritjes dramatike nga Gjermania në Rusi më 17 janar.

Kritiku i Kremlinit, 44-vjeçar, është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar Sheremetyevo pasi ka arritur nga Berlini, ku është shëruar pas një helmimi të muajit gusht.

Navalny beson se sulmi me helm është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Aleksei Melnikov, sekretar i grupit për të drejta të njeriut, Komisioni për Monitorim Publik, ka thënë më 18 janar, se ai ka vizituar Navalnyn në qendrën e ndalimit.

Ai ka shkruar se Navalny ka falënderuar mbështetësit e tij dhe ka thënë se është i lumtur që është kthyer në Rusi.

Në seancën e 18 janarit, të mbajtur në një dhomë të improvizuar në një stacion policie në Moskë, Navalny e ka quajtur “tallës të drejtësisë” gjyqtarin që ka marrë vendim për ndalimin e tij deri më 15 shkurt.

Ndalimi i Navalnyt ka nxitur zemërim në gjithë botën dhe thirrje ndërkombëtare, duke i bërë presion Kremlinit për lirim të menjëhershëm të tij.

Në Shën Petersburg, policia ka ndaluar të paktën 20 persona në mesin e qindra mbështetësve të Navalnyt, të cilët janë mbledhur në kompeksin tregtar, Gostiny Dvor.

Njerëzit janë ndaluar edhe gjatë marsheve të ngjashme, si shenjë mbështetjeje ndaj Navalnyt edhe në Moskë dhe Kimki, qytet afër kryeqytetit rus.

 

Turqia urdhëron 238 arrestime në ushtri për lidhje me Gylen

Turqia ka urdhëruar arrestimin e 238 personave në një operacion që synon të dyshuarit në ushtri të dyshuar të lidhur me një predikues mysliman, për të cilin Ankaraja thotë se ishte pas një grushti shteti të dështuar të vitit 2016, njoftoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Operacioni, i cili u shtri në 60 provinca, ishte pjesë e një goditje 4-vjeçare kundër rrjetit të klerikut me qendër në SHBA Fethullah Gulen. Ai mohon përfshirjen në përpjekjen për puç në korrik të 2016-s, në të cilën u vranë më shumë se 250 njerëz.

Sipas asaj që raporton Anadolu, 160 vetë ishin arrestuar në sulmet e fundit të policisë, të urdhëruar nga prokurorët në Izmir. Ajo tha se të dyshuarit kishin në shënjestër Qipron veriore, ku ishte vendosur ushtria turke.

Midis të dyshuarve ishin 218 personel ushtarak, përfshirë gjashtë kolonelë, tre nënkolonelë dhe nëntë majorë, raporton Anadolu.

Që nga përpjekja e grushtit të shtetit, rreth 80 mijë njerëz janë në pritje të gjyqit dhe rreth 150 000 nëpunës civilë, personel ushtarak dhe të tjerë janë shkarkuar ose pezulluar. Më shumë se 20 000 njerëz ishin dëbuar nga ushtria turke.

 

Boko Haram vret 4 ushtarë në Niger

Pjesëtarët e organizatës terroriste shpërthyen një pajisje të vendosur më parë në rajonin Diffa derisa po kalonte një automjet ushtarak.

Së paku katër ushtarë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën rëndë gjatë një sulmi të grupit terrorist Boko Haram në Niger, njoftoi dje Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pjesëtarët e organizatës terroriste shpërthyen një pajisje të vendosur më parë në rajonin Diffa derisa po kalonte një automjet ushtarak, tha ministria në një deklaratë.

Boko Haram nisi një kryengritje të përgjakshme në vitin 2009 në Nigerinë verilindore, por më vonë përhapi mizoritë e saj në vendet fqinje, Çad dhe Kamerun, duke shkaktuar përgjigje ushtarake.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, mbi 30 mijë persona janë vrarë dhe rreth 3 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda një dekade të aktiviteteve terroriste të Boko Haramit në Nigeri.

Dhuna e kryer nga Boko Haram ka prekur rreth 26 milionë njerëz në rajonin e Liqenit Çad dhe ka zhvendosur 2,6 milionë të tjerë, ka bërë të ditur Agjencia e OKB-së për Refugjatët.

 

Nesër mot i vranët

Në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Frynë ere kryesisht e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat e shënuara në orën 13:Herceg Novi 11, Tivar,Ulqin e Budvë 10, Podgoricë e Petrovac  9, Cetinë e Nikshiq 5, Rozhajë 3, Shavnik, B.Pole e Beranë 2, Kollashin e Andrivicë 0, Plevle ,Plavë e Guci -1 dhe në Zhablak  -2 gradë.

Për nesër meteorologët  parashikojnë mot  me  vranësira  mesatare deri krejt i vranët ,pasdite dhe në orët e mbrëmjes ,kryesisht  në pjesët  jugore dhe qendrore  vende -vende me reshje te dobëta. Do të fryjë erë  mesatare deri e fortë  nga drejtimet jugore. Temperatura e mëngjesit  prej -8 deri në 5, kurse më e larta e ditës  prej 0 deri në 11 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се