Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

18. 01. 2021. 00:00   >>  17:10

Ditari 18.01.2021

18.01.2021

Nrekiq dhe 4 bashkëpunëtorë të tij shoqërohen në QS të Ulqinit

Kryetari i komunës  së Ulqinit, Loro Nrekiq, dhe katër bashkëpunëtorët e tij gjenden në Qendrën e sigurisë në Ulqin, ku janë duke u marrë në pyetje lidhur me hetimet për punësime të paligjshme në këtë komunë.

Ata, jozyrtarisht akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Nënkryetari i Qeverisë, Dritan Abazoviq, ka publikuar në Tuiter se është arrestuar kryetari i komunës Ulqin dhe katër funksionarë të tjerë.

Përveç kryetarit, Nrekiq, janë shoqëruar edhe sekretarët e shërbimeve komunale S.O, M.G, S.M si dhe M.M. “Është arrestuar kryebashkiaku i Ulqinit e shef i PDS-së lokale  dhe disa funksionarë të tjerë. Shkak është punësimi partiak”, ka theksuar, Abazoviq, në Tuiter. Ai ka shtuar se gjykata duhet të vërtetojë se si janë realizuar fitoret zgjedhore. “Qytetarët këtë e kanë të qartë. Qeveria është e vendosur që ti ndërpresë të gjitha shpërdorimet e mundshme”, ka konkluduar Abazooviq. Të theksojmë se hetimet për punësimet joligjore në Komunën e Ulqinit, janë inicuar në fillim të shkurtit të vitit të kaluar.

 

Nesër do të mbahet mbledhja e Këshillit për mbrojtje dhe siguri

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do të kryesojë mbledhjen e Këshillit për mbrojtje dhe siguri e cila është  caktuar për nesër, është kumtuar nga shërbimi për informim i presidentit të shtetit.

“Me rendin e ditës është paraparë shqyrtimi i propozim vendimit për përfundimin e pjesëmarrjes të ushtrisë së Malit të Zi në misionin “Përkrahja e vendosur”, në Afganistan, zgjerimin e angazhimit në misionin e KFOR-it , çështjet  kadrovike dhe disa çështje të tjera nga kompetencat e këtij këshilli”, thuhet në kumtesë.

Në mbledhje do të shqyrtohet edhe raporti për pjesëmarrjen e Ushtrisë së Malit të Zi, në stërvitjet ose trajnimet në botën e jashtme gjatë vitit 2020, si dhe propozimi i vendimit, me të cilin lejohet pjesëmarrja e pjesëtarëve të ushtrisë në manovrat ndërkombëtare gjatë vitit 2021.

 

Edhe dy persona të vdekur dhe 357 të infektuar

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur dy persona dhe janë konfirmuar 357 raste të reja të infektimeve, është  kumtuar nga Instituti për shëndetin publik. Theksohet se laboratorët e këtij Instituti si dhe laboratorët tjera publike dhe private, të cilat merren me diagnostifikimin e infeksionit me korona virus deri dje në ora 17 e 30 minuta, kanë përfunduar analizat e 1362 mostrave, në mesin e të cilëve, 357 kanë rezultuar pozitiv.

“Deri dje në ora 17 e 30 këtij instituti i janë konfirmuar edhe dy raste të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid -19, të një pacienti 69 vjeçar nga Nikshiqi dhe të një tjetri 75 vjeçar, po ashtu nga ky qytet”,thuhet në kumtesë. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid- 19, prej fillimit të qershorit të vitit të kaluar është 736, kurse prej fillimit të pandemisë 745 persona. Theksohet se deri dje në ora 17 e 30 minuta është konfirmuar edhe shërimi i 492 paceintëve. Duke pasur parasysh të gjitha rastet e reja të zbuluara si dhe numrin e të shëruerëve,, numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive në Mal të Zi me Covid -19 është 9474 persona. Prej fillimit të epidemisë, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistrua të infektimit me korona virusin e ri në Mal të Zi, është 55 mijë e 493 persona.

 

Numri i të infektuarve në Mal të Zi gjithnjë është i lartë

Epidemiologia e Institutit për shëndetin publik, Marija Bozhoviq, ka kumtuar se në Mal të Zi nuk ka vatër dhe rritje  të shtuar të numrit të prekurve nga korona virusi, mirëpo, numri i të infektuarve është gjithnjë i lartë.

 Në programin e mëngjesit të TVMZ ajo ka theksuar se nuk mund të flitet për një ulje drastike të numrit të infektuarve. Duke folur për masat e zbutura para do kohe, Bozhoviq ka theksuar se rregullisht përcillet situata epidemiologjike në vendet e rajonit , kështu që Qeveria me rastin e sjelljes së masave ka parasyshë shumë faktorë. Kur është fjala për vaksinimin, ajo ka theksuar se do të jetë e rekomanduar dhe mbi bazat vullnetare. Vaksina kundër korona virusit, kur të arrijë ajo në Mal të Zi, siç ka theksuar, do të ruhet në frigoriferët  e  këtij instituti,, pastaj të Entit  për transfuzionin e gjakut dhe në Institutin bioteknik dhe do të transportohen të  sigurta në të gjitha qytetet e Malit të Zi.

 

Subvencionet për prindërit janë në pajtim me programin mbështetës

Me qëllim të pengimit të përhapjes së infeksionit me korona virusin e ri, si dhe me qëllim të mbrojtjes së banorëve nga kjo sëmundje ngjitëse, gjatë ndërprerjes së punës edukativo arsimore, në institucionet publike dhe private shkollore dhe zbatimit të sistemit të mësimit onlajn , njërit nga prindërit e fëmijës të moshës deri në 11 vjeçe dhe të fëmijëve me nevoja të veçanta edukative, me pengesa në zhvillim, u sigurohet e drejta për mungesë të paguar nga puna, është kumtuar nga Ministria e shëndetësisë. “E drejta në mungesë të paguar nuk u garantohet të punësuarve në shëndetësi, në Ministrinë e mbrojtjes, në Agjencinë për sigurinë nacionale, në ministrinë për punë të brendshme, në drejtorinë e policisë, në drejtorinë e doganave, në drejtorinë e tatim pagimeve si dhe në organet dhe shërbimet e tjera  dhe as personave juridik, veprimtaria e të cilave është kusht i domosdoshëm për punën dhe jetën e qytetarëve, me përjashtim nëse të dy prindërit janë të punësuar pranë  këtyre punëdhënësve”,është kumtuar nga ministria. Subvencionet për pushim të paguar për prindërit do të paguhen në pajtim me programin e ofrimit të përkrahjes për ekonominë dhe të punësuarit, me qëllim të zbutjes së efekteve negative të  epidemisë të shkaktuar nga korona virusi Covid- 19.

 

Sot ka filluar gjysmë-vjetori i dytë

Gjysmë - vjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme në Mal të Zi ka filluar sot, kurse procesi mësimor gjatë javës së parë  do të organizohet në distancë.

Nga Ministria e arsimit , shkencës, kulturës dhe sportit kanë deklaruar më parë se për vazhdimin e vitit shkollorë , shkollat do të mund të zgjedhin ndërmjet dy modeleve të ofruara, në pajtim me kapacitetet e veta hapsinore dhe kadrovike. Shefi i grupit punues për përgatitjen e modelit për organizimin e procesit mësimor në gjysmë - vjetorin e dytë, Martin Qallasan, ka sqaruar se modeli i parë nënkupton që të gjithë nxënsëit të shkojnë në shkollë , përmes respektimit të masave epidemiologjike. Ai, ka theksuar se modeli i dytë,  i cili është propozuar për shkollat fillore, nënkupton që nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta detyrimishtë të marrin pjesë në mësimin brenda shkollës, kurse nxënësit e klasave të tjera në shkollë do të shkojnë në turne të caktuara.

 

Sot kanë filluar konsultimet me ambasadorët

Ministri i punëve të jashtme, Gjorgjije Radulloviq, i ka filluar sot konsultimet me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të Malit të Zi. Ministria e punëve të jashtme, i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit diplomatikë dhe konsullorë që të vinë në Mal të Zi përfundimisht me ditën e sotme,duke shtuar se mospjesëmarrja në konsultime  pa shkak të justifikuar, paraqet shkelje të rëndë të detyrës.

Nga kjo Ministri, kanë theksuar se konsultimet do të fillojnë sot  gjë që në praktikë do të thotë  se ambasadorët janë të detyruar që të udhëtojnë për Mal të Zi. “Për terminin e saktë dhe formatin e konsultimeve opinioni do të jetë i njoftuar me kohë. Mospjesëmarrja në konsultime pa ndonjë shkak të arsyeshëm, paraqet shkelje të  rëndë të detyrës zyrtare",”thuhet në kumtesë.

Të theksojmë se presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka refuzuar të nënshkruajë vendimin për revokimin e 7 ambasadorëve.

 

Sekulloviq, qëndron sot për vizitë në Maqedoninë e Veriut

Ministri i punëve të brendshme të Malit të Zi, Sergej Sekulloviq, qëndron sot për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku bisedon me mikpritësin, Oliver Spasovski. Siç është  kumtuar nga kjo ministri, në Podgoricë në prag të vizitës, Sekulloviq, ka biseduar me ambasadorin e Maqedonisë Veriore në Mal të Zi, Mihaillo Trpkoski. “Treguesi më i mirë i marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy shteteve është vetë fakti se për vizitën e parë zyrtare udhëtoj për në Maqedoninë e Veriut”, ka theksuar Sekulloviq, në  prag të vizitës në Shkup.

 

Mali i Zi në listën destinacioneve më të mira të qëndrueshme

Revista më e popullarizuar britanike për udhëtime ”Culture Trip”, e ka radhitur Malin e Zi, në listën e destinacioneve më të mira të qëndrueshme për vitin 2021, është kumtuar nga Organizata turistike nacionale.

Mali i Zi, edhe njëherë është gjetur në shoqërinë e destinacionit botërore ekzotike, siç  janë Maldivet, Japonia, Tajlanda etj.

“Viti që e kemi lanë pas, udhëtimet i kishte në planin e dytë. Megjithatë, gëzon fakti që qysh tani  vendet e tilla si Mali i Zi, të jenë destinacionet e para në listën e udhëtarëve nga e  tërë bota”, thuhet në kumtesë. Siç thekson autori i artikullit të publikuar, fushata me titull “Në shoqëri me natyrën”, e ka kthyer Malin e Zi, në “radarë të udhëtimeve”. Për të gjithë ata të cilët, tanimë, kanë vendosur të zgjedhin Malin e Zi, si destinacionin e vizitës në vitin 2021, autorët e listës kanë publikuar edhe një tekst shtesë – udhërrëfyes me informatat më të rëndësishme, të cilat duhet ti dinë për Malin e Zi.

 

Shtrenjtohen të gjitha llojet e karburanteve

Të gjitha llojet e karburanteve prej sonte në mesnatë do të shtrenjtohen prej 2 deri në 5 centë për litër , është kumtuar nga Ministria e investimeve kapitale. Çmimet e benzinës euro super 95 dhe 98 do të shtrenjtohen 5, respektivisht 4 centë , kështu që gjatë 15 ditëve të ardhshme do të kushtojnë 1.19, respektivisht 1.22 euro për litër. Euro dizeli do të shtrenjtohet 3 centë dhe do të kushtojë 1.06 euro për litër , kurse vajguri në shitje të lirë është shtrenjtuar 2 centë dhe do të kushtojë 1.04 centë për litër.

Të theksojmë këtu se ndryshimet e fundit të çmimeve të derivateve janë korrigjuar me 22 dhjetor të vitit të kaluar, kur të gjitha llojet e derivateve janë shtrenjtuar 1 deri në 2 centë për litër.

 

28 subjekte politike të paraqitura në gareën zgjedhore në Kosovë

Tri partitë më të mëdha në Kosovë Vetëvendosja, LDK dhe PDK, synojnë postin e kryeministrit të Kosovës. Vjosa Osmani, presidente në detyrë dhe Ramush Haradinaj nga AAK, synojnë postin e presidentit përmes parlamentit.

Deri të shtunën në mbrëmje (16.01.), subjektet politike në Kosovë kishin afat që të dorëzonin listat e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të garuar për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt.

"Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për çertifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079 kandidatë”, tha zëdhënësi Elezi.

 

KQZ, kërkon nga nga përgjegjësit të bëjnë verifikimin e kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përgjegjëse për verifikimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media se ky institucion u ka dërguar shkresa të veçanta gjashtë institucioneve, për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, përkitazi me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Shkresat janë dërguar në: Policinë e Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes, Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në ligj thuhet se kandidatët që janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk mund të garojnë për deputetë.

Po sipas ligjit, kandidat nuk mund të jetë një person që është gjykatës, prokuror ose dikush që është i shpallur fajtor me vendim të gjykatës në tre vjetët e fundit.

Ai kërkoi nga institucionet përgjegjëse që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar, 2021, në orën 12:00, të përgjigjen për kërkesat që kanë lidhur me verifikimin e kandidatëve.

 

Arrijnë një milion vaksina kundër koronavirusit në Serbi

Një aeroplan që bartte një milion doza të vaksinës kundër koronavirusit, Sinopharm, ka arritur të shtunën në Serbi, duke e bërë shtetin e parë evropian që pranon vaksinën kineze për koronavirus.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka dalë në aeroport së bashku me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo për të pritur avionin që bartte vaksinat.

“Dua ta falënderoj presidentin (e Kinës) Xi Jinping dhe udhëheqësinë kineze për dërgimin e një milion dozave të vaksinës”, tha Vuçiq, i cili ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve më të ngushta me Kinën në vitet e fundit.

Ai tha se rregullatori i barnave në Serbi, pritet që në ditët në vijim të miratojë për përdorin vaksinën e Sinopharm, duke lejuar që administrimi i kësaj vaksine të nisë brenda javës.

 

Bilanci i tregtisë së jashtme në  BE-së, arrin në 277 miliardë dollarë 

Bilanci i tregtisë së jashtme të Bashkimit Evropian shënoi një tepricë prej 187.2 miliardë eurosh (227 miliardë dollarë) në 11 muajt e parë të vitit 2020, zbuloi sot Zyra e statistikave të bllokut.

Sipas Eurostat, shifra ishte më e lartë nga 169.4 miliardë euro në periudhën janar-nëntor të vitit 2019.

Eksportet nga BE-ja shënuan rënie me 10.3 për qind në 1.75 trilionë euro ndërsa importet ishin 1.56 trilionë euro, me rënie prej 12.3 për qind, në 11 muaj në bazë vjetore.

Tregtia brenda 27 vendeve anëtare të BE-së shënoi rënie me 8.4 për qind duke arritur në 2.6 trilionë euro nga viti në vit në të njëjtën periudhë.

 

Masa të shtuara të sigurisë në Washington në prag të inaugurimit të J.Biden 

Autoritetet në Uashington dhe në kryeqytetet e shteteve të tjera amerikane po përgatiten për protesta të dhunshme, disa ditë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Mijëra trupa të armatosura të Gardës Kombëtare tashmë janë vendosur në Uashington. Autoritetet po planifikojnë që të mbyllin për qarkullim rrugë dhe ura që çojnë për në Uashington. Ndërkaq, guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Garda Kombëtare t’i ndihmojë zyrtarët lokalë të rendit dhe disa shtete amerikane tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, nga frika se mund të ketë protesta, të ngjashme si ato më 6 janar në Kongresin amerikan, ku mbetën të vdekur pesë persona.

 

Navalnyt, i ndalohet komunikimi me avokatë

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili u ndalua të dielën nga autoritetet e zbatimit të ligjit në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, është duke u mbajtur në burg pa ndonjë komunikim, thanë avokatët e tij.

Avokatët thanë se atyre nuk u është dhënë qasje qëkur Navalny u dërgua në stacionin e policisë afër aeroportit dhe se gjendja e tij nuk është e qartë. Më herët, Ivan Zhdanov, drejtor i Fondacionit Anti-korrupsion të Navalnyt, dhe zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh, thanë se ai është në Departamentin e Punëve të Brendshme në qytetin Khimki. Yarmysh shtoi se autoritetet vazhdojnë të refuzojnë që t'i lejojnë atij të takojë avokatin. Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane kërkuan lirimin e menjëhershëm të politikanit rus të opozitës.

 

Johnson, paralajmëron takimin e përfaqësuesve të G7 në muajin qershor

Britania ka njoftuar për planet që këtë vit të jetë nikoqire e samitit të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara, që do të shënonte mbledhjen e parë të këtij grupi, pas inaugurimit të Joe Bidenit në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët thanë se samiti është paraparë të mbahet më 11 deri më 13 qershor në qytetin Kornvall, në jugperëndim të Anglisë. Udhëheqësit e shteteve të G7-së nuk janë takuar fizikisht që prej vitit 2019. Presidenti amerikan, Donald Trump ishte detyruar që të anulonte një takim në Shtetet e Bashkuara për shkak të pandemisë së koronavirusit. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden do të inaugurohet më 20 janar. Lufta kundër koronavirusit pritet të jetë një ndër temat kryesore në takimin e G7-ës. Kryeministri britanik, Boris Johnson përmes një deklarate tha se “grupi i shteteve më demokratike, prej kohësh është katalizatori për veprime të rëndësishme ndërkombëtare për trajtimin e sfidave më të mëdha me të cilat përballemi”.

 

Armin Laschet, kryetar i ri i partisë konservatore gjermane  CDU

Partia konservatore gjermane, Unioni Demokristian (CDU), ka zgjedhur Armin Laschet, kryetar të ri të partisë.

Laschet, 59 vjeç, ka mposhtur në garën zgjedhore konservatorin, njëherësh rivalin e kancelares Angela Merkel, Friedrich Merz.

Në konventën partiake, që u mbajt online për shkak të pandemisë së koronavirusit, Laschet fitoi 521 vota dhe Merz 466. Ndërkaq, Nobert Roettgen, u eliminua në raundin e parë të votimeve

Në fjalimin e tij pas fitores, Laschet u zotua se do të bëjë gjithçka që partia e tij të dalë mirë në zgjedhjet e ardhshme rajonale dhe se ai do të mbajë postin e kancelarit.

“Për më tepër, zgjedhje më të rëndësishme janë para nesh”, tha ai, i cili ka qenë nënkryetar i CDU-së që prej vitit 2012.

Delegatët për herë të parë mbajtën konventën partiake online, për shkak se masat e vendosura kundër koronavirusit ndalojnë mbajtjen e tubimeve.

 

Nesër, mot kryesisht me diell

Në Mal të Zi, mban mot kryesisht me diell, vende me vranësira kalimtare. Frynë erë e mesme deri e fortë nga drejtimi i verilindjes.

Temperaturat në orën 13; Budvë 8 gradë, Herceg Novi 7, Podgoricë, Tivar e Petrovac 6, Ulqin 5, Cetinë 1, Nikshiq e Beranë -1, Shavnik e Plavë -2, Plevle, Bjello Pole, Andrijevicë e Guci -3, Plluzhinë -4, Rozhajë -5 dhe në Kollashin e  Zhablak -7 gradë.

Për nesër parashihet të mbaj mot kryesisht me diell, në orët pasditës pritet vranësim gradual. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet jugore.

Temperatura e mëngjesit prej -12 deri në 1, kurse më e larta e ditës prej -4 deri në 10 gradë celsius. 

 

Përgatiti, Gj. Dukaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се