Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

14. 01. 2021. 00:00 >> 17:56

Ditari 14.01.2021

14.01.2021

Krivokapiq i fton në takim Gjukanoviqin, Beçiqin dhe Abazoviqin

Kryeministri Zdravko Krivokapiq u ka dërguar ftesë për takimin presidentit të shtetit Millo Gjukanoviq, kryetarit të parlamentit Aleksa Beçiq dhe nënkryetarit të Qeverisë Dritan Abazoviq, bëhet me die mediumi “Vijesti”nga disa burime. Ky takim, siç njoftohet do të duhej të mbahet të premten dhe siç kumtohet nga burimet e afërta shumicës parlamentare teme e takimit janë “Obstrukcionet në bashkëpunim”. Të theksojmë se Gjukanoviq ka refuzuar të nënshkruaj ligjet të cilat i ka miratuar shumica e re në pushtet si dhe disa vendime të Qeverisë së re , përfshirë këtu edhe ato për tërheqjen e ambasadorëve dhe për disa shkarkime në ushtrinë e Malit të Zi.

Abazoviq- Përkrahaja ndërkombëtare është dëshmi se Mali i Zi është në rrugë të drejtë

Përkrahja e fortë e Bashkësisë Ndërkombëtare është dëshmi se Mali i Zi gjendet në rrugë të drejtë , ka vlerësuar nënkryetari i Qeverisë Dritan Abazoviq në bisedën me ambasadorin e Hungarisë në Mal të Zi Jozef Negjashi. Nga Qeveria është kumtuar se Abazoviq dhe Negjashi kanë biseduar për përparimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve. Negjashi , siç theksohet , ia ka transmetuar urimet e Ministrit të punëve të brendshme Shandor Pinter me rastin e marrjes së detyrës. “Abazoviq dhe Negjashi janë pajtuar se Mali i Zi dhe Hungaria zhvillojnë një bashkëpunim të suksesshëm ekonomik dhe se në këtë drejtim duhet punuar edhe më me intensitet , sidomos në sektorin IT” thuhet në kumtesë.

Nuk do të ndalojmë me ndryshime kadrovike

Politizimi në Ministrinë e mbrojtjes ka ndikuar për sjelljen e vendimeve kështu që këto refleksione shihen në të gjitha fushat e punës, në veçanti kur është fjala për mosfunksionimin e Institucionit në tërësi, gjë që është shprehur në profesionalitetin dhe aftësitë, ka vlerësuar në intervistën e parë për gazetën “Pobjeda” ministrja e mbrojtjes Olivera Injac. Për këtë arsye, siç ka theksuar ajo, me qëllim të ngritjes së profesionalitetit dhe të aftësive do të vazhdohet me ndryshime ,, sepse siç thekson, ndryshimet kadrovike janë pjesë e çdo procesi refermues. Zhvillimi i sistemit të mbrojtjes ka pasur një karakter progresiv duke filluar prej vitit 2007, ka theksuar ajo. Megjithatë reforma e sistemit mbrojtës është proces i vazhdueshëm i cili është edhe më kërkues nga anëtarët e Paktit Nato. Duke folur për vendimin për shkarkimin nga detyra të shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Malit të Zi Dragutin Dakiq , ajo ka theksuar se ndryshmet kadrovike duhet të jenë pjesë e çdo procesi refermues, kështu që as ministria e mbrojtjes dhe ushtria e Malit të Zi nuk janë rezistente ndaj këtyre proceseve demokratike.

Radulloviq qëndron për vizitë në Gjermani

Ministri i punëve të jashtme Gjorgje Radulloviq prej sot e deri të shtunën do të qëndrojë për vizitë në Berlin, me ftesën e shefit të diplomacisë gjermane Hajk Masa. Siç është njoftuar nga Ministria e punëve të jashtme të Malit të Zi, Radulloviq përveç me mikpritësin, do të bisedojë edhe me zyrtarët në departamentin e kancelarit federal dhe në Bundestagun Gjerman. Kjo është vizita e parë bilaterale e Radulloviq prej marrjes së funksionit të ministrit të jashtëm. Nga Ministria e punëve të jashtme është kumtuar se ky është një rast i mirë për shqyrtimin e mundësive për intensifikimin e lidhjeve politike dhe në përgjithësi ndërshtetërore, dhe definimin e aktiviteteve të përbashkëta konkrete me interes të dyanshëm.

Edhe 7 humbje jete dhe 502 të infektuar

Laboratoret në Mal të Zi deri dje në ora 17 kanë përfunduar analizën e 1860 mostrave në korona virusin e ri në mesin e të cilave 502 raste kanë rezultuar pozitive. Gjatë kësaj kohe Institutit i është konfirmuar edhe vdekja e shtatë personave si pasojë e infektimit me Covid-19 të pacientëve nga Podgorica, H.Novi, Plevla, Nikshiqi dhe Budva. Numri i përgjithshëm i të vdekurve , si pasoje e infektimit me korona virus prej fillimit të qershorit të vitit të kaluar është 728, kurse prej fillimit të pandemisë 737 persona. Deri mbrëmë në ora 17 e 30 minuta është konfirmuar edhe shërimi i 480 pacientëve të infektuar me korona virus.

Në Qendrën klinike 42 pacientë në rrezik për jetën

Në Qendrën klinike të Malit të Zi , 42 pacientë Covid pozitiv janë në rrezik për jetën , është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Theksohet se në këtë qendër klinike aktualisht janë të shtruar 102 pacientë të infektuar nga Covid -19. Ndërkaq në spitalin e përgjithshëm në Beranë 6 pacientë të infektuar me korona virus janë në gjendje të rëndë klinike thuhet në kumtesën nga spitali i Beranës. Siç kumtohet,aktualisht në këtë institucion janë duke u trajtuar 32 pacientë të infektuar me virusin Covid-19. “ Gjashtë pacientë janë në gjendje të rëndë klinike dhe të gjithë janë të vendosur në ventilimin jo invaziv”, thuhet në kumtesë. Edhe në spitalin e përgjithshëm në Nikshiq 16 pacientë të infektuar me virusin Covid janë në rrezik për jetën, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Theksohet se në këtë spital aktualisht janë të hospitalizuar 83 pacientë kovid pozitiv.

Beçiq viziton spitalin e përgjithshëm në Beranë

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Aleksa Beçiq gjatë vizitës zyrtare në Komunën e Beranës, i ka dorëzuar drejtorit të spitalit të përgjithshëm Budimir Dabetiq donacionin e Kuvendit të Malit të Zi në shumë prej 5 mijë euro. Siç është kumtuar nga Kuvendi këtë shumë Kuvendi i Malit të Zi e ka ndarë me qëllim të kontributit në luftën e punëtorëve të atjeshëm shëndetësore me korona virus. Ai ka shprehur respekt ndaj të punësuarve në spitalin e përgjithshëm në Beranë për luftën e tyre dhe sakrificat me këtë sëmundje të rrezikshme. Drejtori i spitalit në Beranë dr. Budimir Dabetiq është shprehur shumë i kënaqur me rastin e vizitës së kryetarit Beçiq duke u falenderuar njëheri edhe për donacionin e Kuvendit i cili paraqet nxitje të rëndësishme për të punësuarit në këtë institucion.

 

Miratohet vendimi për financimin e përkohshëm

Ministria e financave dhe përkujdesjes sociale ka miratuar vendimin për financim të përkohshëm për muajin janar. Në akt vendimin e publikuar në Sajtin e kësaj ministrie theksohet se njësive konsumatore , të cilat financohen nga buxheti ,, për muajin janar do tu lejohen mjete deri në shumën e një të dymbëdhjetës të nevojave reale në vitin e kaluar fiskal. Qeveria kah mesi i dhjetorit të vitit të kaluar ka sjell vendimin që të fillojë me financimin e përkohshëm në vend që të propozojë buxhetin për këtë vit. Të theksojmë se buxheti për vitin 2021 duhet të miratohet deri në muajin mars. Nga ana tjetër deputeti i Partisë Social Demokratike Rashko Konjeviq ka kumtuar se kjo parti do ti dorëzojë Gjyqit kushtetues propozimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë të këtij akt vendimi të Qeverisë për financim të përkohshëm.

Ndihmë dhe sanimi i dëmeve për të dëmtuarit nga përmbytjet

Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujrave Aleksandar Stijoviq u ka premtuar ndihmë banorëve të zonave të dëmtuara nga përmbytjet në Zhablak Crnojeviq , e cila do të sigurohet në formën e ushqimit për bagëti me kërkesën e banorëve, të cilëve uji ua ka dëmtuar një pjesë të rezervave. Kjo ministri do të ndihmojë edhe në sanimin e dëmeve atyre amvisërive të cilat kanë pësuar dëme në fondin e bagëtive. Një delegacion i ministrisë në krye me Aleksandar Stijoviq ka vizituar këtë zonë dhe ka biseduar me banorët e rrezikuar nga përmbytjet duke u ofruar ndihmë dhe përkrahje adekuate. “Stijoviq ka premtuar ndihmë e cila do të sigurohet në formën e ushqimit për bagëti me kërkesën e banorëve të cilët kanë pësuar dëme nga përmbytjet dhe të cilat me këtë rast u kanë prishur një pjesë të rezervave dimërore për bagëti. Ministri Stijoviq dhe qytetarët janë pajtuar se mungesa e ujit për pije paraqet problem të madh të këtij rajoni dhe pengesë të madhe për zhvillimin e zonës të Zhablakut të Crnojeviqëve si destinacion turistik dhe si vend adekuat për jetën e qytetarëve ne shekullin 21.

Osmani dhe Kurti garojnë bashkë në zgjedhje

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kanë nënshkruar sot listën e përbashkët për garën në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë. “Presidentja në detyrë dhe unë, ish-kryeministri, me subjektet tona politike, do të na gjeni në të njëjtën vend dhe për të njëjtën qëllim. Kemi bërë marrëvëshjen e parimeve dhe synimeve politike, të cilën sapo e nënshkruam këtu para jush”, ka deklaruar Kurti. Ai ka pretenduar se përpara vetes kanë shumë punë, “por edhe një fitore të madhe”. “Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri, por edhe për presidente të re. Ne e kemi presidenten. Ajo e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet, e ka shprehur integritetin e institucionit dhe unitetin e popullit. Në këto zgjedhje, që janë referendum, duhet ta rilegjitimojmë këtë”, ka deklaruar mes tjerash ai. Osmani, në anën tjetër ka thënë se marrëveshja e sotme përfaqëson vullnetin e qytetarëve. Sipas saj, bashkimi me LVV-në shkon përtej listës së përbashkët zgjedhore. “Është bashkim rreth një kauze që ka synim një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Për dy dekada vendi ynë është drejtuar nga një mendësi politike e gabuar dhe për ta ndryshuar këtë ne do të garojmë së bashku në listën, e cila do të flasë me zërin tuaj, do të frymojë siç frymoni ju dhe do të guxojë ashtu siç guxoni ju për t’i dalë ballë çdo sfide”, tha pos tjerash Vjosa Osmani

Ekspertët e OBSH-së arrijnë në Vuhan për të hetuar origjinën e koronavirusit

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë arritur sot në Kinë për të nisur hetimin e shumëpritur për origjinën e koronavirusit. Media shtetërore kineze ka raportuar për arritjen e një ekipi prej 10 ekspertësh në Vuhan. Ata pritet të qëndrojnë për një muaj në qytetin ku është identifikuar për herë të parë virusi në fund të vitit 2019. Ekspertët – nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Gjermania, Japonia, Britania, Rusia, Holanda, Katari dhe Vietnami – do të fillojnë punën fillimisht në karantinë, dhe më pas do të zhvillojnë takimet me ekspertë kinezë përmes video-konferencave. Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka shprehur zhgënjim një javë më parë për vonesat e krijuara në organizim të këtij udhëtimi. Ai ka thënë se shkencëtarët do të fokusohen në atë sesi koronavirusi ka kaluar në njerëz. “Studimi do të nisë në Vuhan për të identifikuar burimin potencial të infektimit për rastet fillestare”, ka thënë Tedros. Për orgjinën e koronavirusit ka ende spekulime. Disa besojnë në mundësinë e bartjes nga lakuriqi në njerëz, përmes blerjes së ndonjë kafshe tjetër të shitur për ushqim apo qëllime mjekësore në ndonjë treg në Vuhan. Qeveria kineze ka promovuar teoritë se shpërthimi mund të ketë nisur me importe të ushqimeve të kalbura të detit, pretendim që është kundërshtuar nga shkencëtarë dhe agjencia ndërkombëtare.

​Masat e izolimit në Britani "kanë nisur të tregojnë rezultat"

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se masat e izolimit me qëllim të luftimit të koronavirusit “kanë nisur të tregojnë rezultat”, mirëpo nuk ka përjashtuar masa shtesë në Angli. Ai ka thënë se masat janë “duke u rishikuar vazhdimisht”. Sipas tij, qendrat e vaksinimit do të nisin së funksionuari 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, “sa më shpejt që është e mundur”. Më shumë se 2.5 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit në këtë shtet, derisa 412,167 banorë të Britanisë është thënë të kenë marrë edhe dozën e dytë. Nën masat aktuale të izolimit, banorët e Anglisë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm për arsye të domosdoshme. Aty përfshihet blerja e ushqimit, ushtrimet apo puna, nëse nuk mund të kryhet nga shtëpia. Masa të ngjashme janë duke u aplikuar edhe në Skoci, Uells, dhe Irlandën Veriore. Johnson ka thënë mes tjerash se “është ende shumë herët” për të vendosur rreth lehtësimit të masave në mesin e muajit shkurt, duke thënë se “duhet të punojmë tejet shumë për të arritur aty”. Ai ka pranuar se është “tragjedi” që shumë fëmijëve u është pamundësuar shkuarja nëpër ambiente shkollore dhe se rihapja e shkollave të tyre është “prioritet”.

​Gjermania shmang rënien rekorde ekonomike më 2020 pavarësisht pandemisë

Ekonomia e Gjermanisë është tkurrur për 5.0 për qind në vitin 2020, çka përbën shifër më të vogël sesa është parashikuar, meqë masat e pashembullta qeveritare të ndihmës kanë ndihmuar në zvogëlimin e shokut të shkaktuar nga pandemia. Franca dhe Italia, që mbajnë vendet e dyta dhe treta respektivisht në Eurozonë, është parashikuar që të përballen me 9 për qind tkurrje në vitin 2020. Të dhënat e sotme tregojnë sesi kriza me pandeminë është duke rritur dallimet brenda 19 vendeve anëtare që kanë për valutë euron. Zyra e Statistikave në Gjermani ka treguar se rritja e bruto-prodhimit të brendshëm ka pësuar rënie për 5.3 për qind. “Ka qenë vit i katastrofës, mirëpo duke marrë parasysh se nga çka jemi frikësuar përgjatë vitit të kaluar, mund të themi se jemi përballur me ulje të lehtë”, ka thënë analisti, Uwe Burkert. Zyra e Statistikave ka thënë se rritja ekonomike ka stagnuar në çerekun e katërt, mirëpo ekzistojnë trende pozitive në vitin 2021, çka nënkupton se Gjermania ka arritur të menaxhojë relativisht mirë valën e dytë të pandemisë së koronavirusit. Koalicioni qeveritar i kancelares gjermane, Angela Merkel ka miratuar një varg masash për t’iu ndihmuar kompanive dhe konsumatorëve në ekonominë më të madhe në Evropë. Në programet e ndihmës janë përfshirë: ndihma për likuiditet, skema për mbrojtje të vendeve të punës, ulje të taksave, dhënie të parave të gatshme dhe thirrje për investime afatgjata në infrastrukturë publike.

​Viti i dytë i pandemisë mund të jetë "më i ashpër

Viti i dytë i pandemisë së koronavirusit mund të jetë më i ashpër sesa i pari, marrë parasysh si po përhapet ky virus, sidomos në hemisferën veriore, përfshirë qarkullimin e varianteve të reja, ka thënë dje Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Viti i dytë i pandemisë mund të jetë edhe më i vështirë, teksa shohim dinamikën e përhapjes”, ka thënë Mike Ryan nga OBSH, gjatë një organizimi virtual në rrjetet sociale. Në përditësimin e fundit epidemiologjik, OBSH-ja ka thënë se javën e kaluar është raportuar për gjatë pesë milionë raste të reja me koronavirus. “Pas pushimeve, në disa shtete situata do të përkeqësohet përpara se të përmirësohet”, ka thënë Maria Van Kerkhove, po ashtu pjesë e OBSH-së. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet shëndetësore në gjithë botën kanë regjistruar mbi 90 milionë raste të infektimit me koronavirus, prej kur ka shpërthyer pandemia. Prej tyre, 1.9 milion pacientë kanë vdekur.

​AI kërkon hetime për viktimat civile në konfliktin e Nagorno-Karabakut

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International u ka bërë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit që të nisin menjëherë hetimet për përdorim “të gabuar të armëve” në zonat me popullatë të dendur civile, gjatë luftimeve për rajonin e Nagorno-Karabakut. Sipas kësaj organizate, sulme të tilla shkelin ligjin ndërkombëtar. Të dyja palët e përfshira në konflikt kanë mohuar se kanë shënjestruar civilë gjatë konfliktit “pavarësisht të dhënave të pakundërshtueshme se ato kanë bërë një gjë të tillë”, duke përdorur “me qëllim municion dhe armë tjera shpërthyese me efekt të gjerë”, ka thënë organizata për të drejtat e njeriut me seli në Londër. “Civilët janë vrarë, familjet janë ndarë dhe një mori shtëpish janë shkatërruar”, ka thënë Marie Struthers, drejtore e këtij grupi për Evropë Lindore dhe Azi Qendrore. Sipas raportit të kësaj organizate, 146 civilë, përfshirë fëmijë dhe persona më të moshuar, kanë vdekur në konfliktin që ka marrë jetën e më shumë se 6,000 personave. Autoritetet e Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë arritur armëpushim të ndërmjetësuar nga Moska, që ka hyrë në fuqi nga 10 nëntori i vitit të kaluar, duke u dhënë fund luftimeve më të këqija për Nagorno-Karabakun prej fillimit të viteve 1990. Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani ka rikthyer kontrollin e territorit që kanë zotëruar armenët nga vitet 1990, dhe rreth 2,000 paqeruajtës rusë janë angazhuar në mes të dyja palëve. Nagorno-Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, e refuzojnë udhëheqësinë e Azerbajxhanit.

​Trump bën thirrje që të mos ketë dhunë

Zyra për media e Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar një komunikatë nga presidenti amerikan Donald Trump, teksa Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur procedurat për shkarkimin e tij për shkak të rolit në sulmin ndaj Kongresit javën e kaluar nga një turmë e mbështetësve të tij. Në sulmin e 6 janarit, kanë mbetur të vdekur pesë persona, përfshirë në zyrtar policor. “Lidhur me raportimet për më shumë demonstrata, ju bëj thirrje që të mos ketë dhunë, të mos ketë shkelje të ligjit, dhe të mos ketë vandalizëm të çfarëdo lloji”, është cituar të ketë thënë Trump.“Kjo nuk është ajo në të cilën besoj unë dhe as Amerika. U bëj thirrje të gjitha amerikanëve të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe të qetësojnë gjakrat. Faleminderit”, ka thënë mes tjerash ai. Seanca e 13 janarit në Dhomën e Përfaqësuesve është iniciuar nga demokratët, që kanë shumicën në këtë trup, pasi nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka injoruar apelin e tyre një ditë më parë për të aktivizuar Amedamentin e 25-të, ashtu që Trump të shpallet “i paaftë për të ushtruar fuqitë dhe detyrat e tij në zyrë”.Artikulli për shkarkim të Trumpit – që akuzon këtë të fundit për nxitje të kryengritjes – duket se ka mbështetjen e disa republikanëve, vetëm disa javë para se presidenti amerikan të largohet nga detyra. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se procedura e shkarkimit të Trumpit nuk është e motivuar në bazë partiake. “Presidenti duhet të dënohet nga Senati, i cili do të sigurojë se republika do të jetë e sigurt nga ky njeri, i cili është kaq i vendosur për të shkatërruar gjërat që i duam dhe na mbajnë bashkë”, ka thënë ajo.

Shefi i Twitterit: Ndalesa ndaj Trumpit është "e drejtë", por e "rrezikshme"

Udhëheqësi i rrjetit social, Twitter, Jack Dorsey ka qëndruar mbrapa vendimit për t’ia ndaluar presidentit amerikan, Donald Trump qasjen në këtë platformë, mirëpo ka pranuar se ky veprim përbën shembull të rrezikshëm. Dorsey, kompania e të cilit është kritikuar pasi i ka bllokuar llogarinë Trumpit, ka thënë se beson se “ky ka qenë vendimi i drejtë për Twitterin”. Sipas tij, ky rrjet social “është përballur me rrethana të jashtëzakonshme, duke na detyruar të gjithëve që të fokusohemi në veprimet tona për siguri publike”. Twitter ka fshirë llogarinë e Trumpit javën e kaluar, duke cituar rrezikun e dhunës në të ardhmen, pas sulmit në Kongres nga mbështetësit e presidentit. Dorsey ka thënë se çdo sulm që ndodh jashtë, si pasojë e gjuhës online “është ajo që ka të bëjë me politikat tona”. Megjithatë, ai ka thënë se bllokimi i Trumpit përbën shembull, që sipas tij është i rrezikshëm, rreth “fuqisë së një individi apo një korporate që ka në bisedën publike globale”. Trump ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Twitter përgjatë presidencës së tij për të folur drejtpërdrejt me më shumë se 88 milionë mbështetës. Kjo ndalesë ka nxitur kritika nga ana e disa republikanëve që kanë thënë se një gjë e tillë dëmton të drejtën e presidentit për fjalë të lirë.

Nën Bedenat e Kalasë së Ulqinit sot u zbulua një përmendore përkujtimore

Nën Bedenat e Kalasë së Ulqinit sot u zbulua një përmendore përkujtimore e ngritur në nderim të viktimave të tërmetit të fuqishëm të 15 prillit t; vitit 1979. Të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishin ambasadori i Kroacisë , Veselko Grubishiq, ambasasori i Kosovës, Ylber Hysa, përfaqësues të Komunës së Ulqinit, familjarë të viktimave dhe dëshmitarë të tjerë të kësaj tragjedie, në të cilën humbën jetën 31 qytetarë të kësaj komunë . Me rastin e zbulimit të kësaj përmendorej,e cila u ngritë pas 42 vitesh, folën kryetari i komunës, Loro, Nrekiq, kryetari i kuvendit, Ilir Çapuni dhe ambasadori kroat, Veselko Grubishiq. Realizimin e kësaj përmendoreje e kanë mbështetur dhe ndihmuar të gjithë këshilltarët, familjarët e viktimave, dëshmitarët e asaj kohë dhe aktorët që kanë marrë pjesë në ato ditë tmerri, u tha ndër të tjera në aktivitetin e sotëm, për të cilin do t’u njoftojmë më gjerësisht në emisionin e ditës së shtunë.

 

Nga Ulqini Gjekë Gjonaj

 

Nesër mot me diell

Nesër në pjesët jugore dhe qendrore të vendit do të mbajë mot kryesisht me diell. Në veri pritet mot me vransira kalimtare dhe me intervale me diell. Do të fryjë erë e mesme e kohë pas kohe deri e fortë nga drejtimi i veriut. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej -13 deri në 2 kurse më e larta e ditës prej – 7 deri në 8 gc.

 

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се