Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

23. 10. 2020. 00:00 >> 17:54

Ditari 23.10.2020

23.10.2020

Edhe 3 persona të vdekur dhe 190 të tjerë të infektuar

Në Mal të Zi, gjatë 24 orëve të fundit, nga pasojat e korona virusit, kanë vdekur 3 persona dhe janë konfirmuar 190 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për shëndetin publik të Malit të Zi. Theksohet se laboratorët e këtij Instituti, deri dje në ora 17, kanë përfunduar analizën PCR të 837 mostrave në korona virusin e ri dhe në mesin e tyre janë regjistruar 190 raste të reja të infektimit. “Deri dje në ora 17, këtij instituti i janë konfirmuar edhe tri raste të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid 19  tek pacientet nga Tivati, Cetina dhe Plevla, të lindur me 1958, 1977 dhe në vitin 1946 dhe të cilët janë trajtuar në spitalet e Nikshiqit dhe të Tivarit. Nga fillimi i qershorit, në Mal të Zi, nga pasojat e korona virusit kanë vdekur 244 të sëmurë kurse prej fillimit të vitit 253 persona. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 278 pacientëve. Numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid 19, në Mal të Zi, është 3913 persona, kurse nga fillimi i vitit numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me Covid 19, është 16 mijë e 259 persona.

Vdes një pacient nga Berana

Një paciente 73 vjeçare, nga Berana, ka vdekur në spitalin e përgjithshëm të këtij qyteti, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Në spitalin e përgjithshëm në Beranë, janë duke u shëruar 24 pacientë pozitiv në korona virus. “Gjashtë pacientë janë në gjendje të rëndë klinike dhe janë të vendosur në ventilimin jo invaziv”. Në spitalin e përgjithshëm në Nikshiq, aktualisht janë të hospitalizuar 69 pacientë. “7 pacientë janë në rrezik për jetën dhe gjenden në repartin e trajtimit intensiv. 4 pacientë janë të kyçur në ventilimin jo invaziv, kurse për momentin asnjë pacientë nuk është i intubuar në respirator”, është kumtuar nga spitali i përgjithshëm në Nikshiq. Siç kumtohet, pacientët në këtë spital janë me parametra stabile vitale dhe aktualisht ndihen mirë.

 

Vaksinimi kundër gripit do të fillojë në javën e ardhshme

Të gjitha shtëpitë e shëndetit në Mal të Zi, në javën e ardhshme, do të duhej të fillojnë vaksinimin e qytetarëve kundër gripit sezonal, ka njoftuar drejtori i Shtëpisë së shëndetit në Podgoricë, Nebojsha Kavariq. Ai, në programin e mëngjesit të TVMZ, ka kumtuar se shtëpitë e shëndetit do të fitojnë sasi të vaksinave në përputhje me numrin e banorëve në komunat e caktuara. Siç ka theksuar Kavariq, grupmoshat që duhet të marrin vaksinën janë qytetarët e moshës mbi 65 vjeçare, të  sëmurit kronik,  përfshirë këtu edhe fëmijët me sëmundje kronike dhe punëtorët shëndetësor, transmeton Portali i RTMZ. “Me rastin e vaksinimit kundër gripit sezonal së pari duhet të caktohet termini dhe ky vaksinim, sipas situatës aktuale, do të bëhet në të gjitha objektet e mbrojtjes primare shëndetësore”, ka theksuar ai. Kur është fjala për pacientët Covid pozitiv, Kavariq, ka theksuar se rekomandohet që pacientët pas shërimit nga korona virusi, vaksinën kundër gripit sezonal ta marrin pas një muaji, kurse personat asimptomatik mund ta marrin këtë vaksinë pa ndonjë problem, nëse bëjnë pjesë në grupin e rrezikut.

Mandatori vazhdon bisedimet për ndarjen e ministrive 

Mandatori për përbërjen e Qeverisë së re e bartës i listës “Për të ardhmen e Malit të Zi “ Zdravko Krivokapiq, ka bërë një projekt të ndarjes së dikastereve në Qeverinë e re, bëhet me dije gazeta “Dan”. Sipas informatave të gazetës nga burime jo zyrtare, ky projekt plan duhet të harmonizohet me të gjithë konstiuentët e pushtetit të ri gjatë  ditëve në vijim. Sipas këtij projekti, koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, do ti takonin 8 ministri dhe një vend i nënkryetarit në Qeverinë e Malit të Zi. Këtij koalicioni, do ti takonin Ministria e punëve të brendshme, e shëndetësisë, e arsimit, e komunikacionit, Ministria e  shkencës, sportit, ministria e ekonomisë dhe ministria e administratës publike.

Sipas projektit të mandatorit, koalicionit “Paaqja është kombi ynë”  do ti takonin ministria e shëndetësisë, Ministria e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit, Ministria për  punë dhe çështje sociale, Ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave si dhe Ministria e punëve të jashtme. Koalicionit, të cilin e udhëheq, Aleksa Beçiq, do ti takonte edhe një vend i nënkryetarit të Qeverisë. Koalicionit “E zeza në të bardhën”, do ti takonte vendi i nënkryetarit të Qeverisë  që ka të bëjë me koordinimin e shërbimeve të sigurisë si dhe Ministria e mbrojtjes, Ministria e bujqësisë dhe zhvillimit rural si dhe ministria për kulturë dhe media. Krivokapiq, postin e ministrit të financave e ka ruajtur për një ekspert sipas zgjedhjes personale si dhe vendin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë.  Me këtë  projekt, parashihet që pozitat udhëheqëse në Agjencinë për sigurinë nacionale dhe në drejtorinë e policisë, të emërohen individ profesionist  e që do ti koordinojë URA. Më parë, të gjitha koalicionet e kanë pasur si detyrë që mandatorit Krivokapiq, t’ia dorëzojnë regjistrin e dikastereve për të cilat ato konsiderojnë se mund ti udhëheqin njerëzit kompetent nga radhët e tyre.

Është detyrë e Qeverisë së  re që ti përparojë marrëdhëniet me Rusinë

Marrëdhëniet e Malit të Zi, me Federatën Ruse, janë tradicionale dhe ato duhet të përmirësohen në  periudhën që vjen, është vlerësim i përbashkët i liderëve të Lëvizjes qytetare URA, Dritan Abazoviq, dhe i ambasadorit të Rusisë në Podgoricë, Vlladisllav Maslenikov. Siç është kumtuar nga kjo parti, Abazoviq, është takuar dje me ambasadorin e Rusisë në Mal të Zi, Vlladisllav V.Maslenikov. “Ne jemi shtet i vogël dhe është mirë të jemi në sistemin kolektiv të mbrojtjes, mirëpo kjo nuk do të thotë se duhet të kemi raporte të këqija me asnjë  shtet, në veçanti jo me Rusinë. Është përgjegjësi e madhe e Qeverisë së re që ti avancojë marrëdhëniet me Federatën ruse dhe ky është obligim i yni”, ka theksuar Abazoviq. Dyanshëm është  konstatuar se marrëdhëniet ndërmjet Podgoricës dhe Moskës, nuk janë në nivelin e duhur dhe janë pajtuar se një gjendje e tillë duhet të ndryshohet. “Hapësirë dhe mundësi për bashkëpunim në çdo aspekt ka mjaftueshëm”,  dhe ky është një konkluzion i përbashkët i takimit të liderit të URA-s me ambasadorin e Federatës ruse në Mal të Zi.

Krivokapiq; Pushteti i ri nuk do të mbijetojë nëse e shkel Kushtetutën

Pushteti i ri nuk do të mbijetojë nëse do të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, ka vlerësuar kryetari i nderit i Partisë Socialdemokratike, Ranko Krivokapiq. Ai, me rastin e 13 vjetorit të miratimit të Kushtetutës të Malit të Zi të pavarur, ka theksuar se funksioni i Kushtetutës është që ta “pengojë” pushtetin i cili dëshiron të  shkatërrojë vlerat themelore të Malit të Zi të pavarur. Krivokapiq, për TVMZ  ka theksuar  se çështjet e identitetit, të cilat e kanë ndarë thellë shoqërinë malazeze, tani me marrëveshjen e tri koalicioneve është  lënë anash, derisa të mos arrihen kushtet  për të biseduar për këto  çështje por deri atëherë do të respektohet kushtetuta. Në pyetjen se si e sheh këtë formë të marrëveshjes, Krivokapiq, ka theksuar se Kuvendi Kushtetues, ka miratuar Kushtetutën e Malit të Zi pas referendumit dhe kjo marrëveshje është dëshmi se sa e mirë është Kushtetuta, transmeton Portali i RTMZ.  Në pyetjen nëse është i rrezikuar Mali i Zi qytetar, laikë, euroatlantik dhe, në veçanti, për Malin e Zi antifashist duke pasur para sysh situatën aktuale politike dhe konceptin Kushtetues, Krivokapiq, ka theksuar se gjithmonë ekzistojnë kërcënime për idetë moderne dhe konceptet qytetare. Pushteti ka hartuar një Kushtetutë të mirë por nuk ka arritur që të realizojë  sundimin e ligjit dhe të drejtën sociale, andaj, edhe ka ndodhur ndryshimi i pushtetit. Ky pushtet i ri, nuk do të mbijetojë nëse vepron në kundërshtim me Kushtetutën”, ka theksuar Krivokapiq.

Mali i Zi, i realizon detyrimet kryesore nga agjenda e NATO-s

Mali i Zi, edhe në kushtet e krijuara nga pandemia, vazhdon ti realizojë detyrimet kryesore nga agjenda e NATO-s dhe ti avancojë aftësitë e veta, ka theksuar Ministri i mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, në takimin e Këshillit të Atlantikut Verior. Mbledhjen dyditore të Këshillit të Atlantikut Verior në formatin e ministrave të mbrojtjes e cila mbahet përmes video konferencës, e kryeson sekretari i përgjithshëm, Jens Stolltenberg. Siç është kumtuar nga Ministria e mbrojtjes, Boshkoviq, ka theksuar se edhe në kushtet e shkaktuara nga Pandemia e korona virusit, Mali i Zi, vazhdon ti realizojë  obligimet nga agjenda e NATO-s. Ai ka theksuar se është i domosdoshëm intensifikimi i bashkëpunimit, si mes aleatëve ashtu edhe mes organizatave kryesore ndërkombëtare me qëllim të definimit të mekanizmave për forcimin e rezistencës dhe përgjigjes adekuate ndaj kërcënimeve bashkëkohore  dhe sfidave të sigurisë. Ministrat kanë konstatuar se kriza e shkaktuar nga pandemia e Covid 19, ka treguar se NATO  është fleksibil dhe i gatshëm që, pa marrë parasysh rrethanat, ti realizojë të gjitha aktivitetet e parapara dhe të ruaj autoritetin e politikës së përgjithshme dhe atë të mbrojtjes.

Paraqiten qytetarët të cilët ofrojnë tokat e veta për poligon 

Ministri i mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, ka kumtuar se kësaj Ministrie, i janë paraqitur një numër i madh i njerëzve të cilët kanë ofruar pronat e veta për poligonin ushtarak. Të përkujtojmë se stërvitjet ushtarake në Sinjajevinë, të cilat është dashtë të zhvillohen gjatë këtyre ditëve, është shtyrë, sepse nuk kanë ekzistuar kushtet për mbajtjen e tyre. Nga Ministria e mbrojtjes, kanë sqaruar se ushtria e Malit të Zi, nuk i ka anuluar stërvitjet në Sinjajevinë dhe as nuk do të heq dorë nga ato. “Të gjithë atyre, shteti dhe të gjithë ne personalisht u falënderohemi së tepërmi për lojalitetin dhe patriotizmin e treguar ndaj shtetit të Malit të Zi. Për një gjë të tillë, nuk do të ketë nevojë, sepse Qeveria e ka caktuar poligonin në Sinjajevinë, si lokalitetin e vetëm i cili i plotëson të gjitha standardet dhe jam i sigurt se edhe ata të cilat do të gjenden në këto kolltuqe  që jemi ne sot, pasi që të  lirohen nga urrejtja do ta kuptojnë se kjo është zgjidhja me e mirë dhe e vetme për të gjithë”, ka theksuar Boshkoviq, për Antena M. Mediet, më parë kanë kumtuar se Millan Mrvosheviq nga Nikshiqi, i ka ofruar ushtrisë së Malit të Zi 70 mijë metra katrorë të pronës individuale për poligonin ushtarak.

 

BE, ende nuk e din se kur do të vazhdoj dilaogu mes Prishtinës dhe Beogradit 

Bashkimi Evropian ende nuk e di se kur do të vazhdohet me takimet mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel.

I pyetur se kur mund të ndodhë takimi i radhës, pasi tash e disa javë nuk ka pasur takime, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thënë se “puna e të dërguarit të posaçëm (për dialogun) Miroslav Lajçak dhe ekipit të tij po vazhdon dhe është një punë e ngjeshur. Sapo të kemi ndonjë datë për të shpallur për takimet e radhës ne do ta bëjmë këtë”.  Zëdhënësi i BE-së nuk ka dashur të komentojë as takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të cilin u diskutua rreth dialogut dhe situatës në Kosovë.

 

Protestojnë djathtistët në hapje të festivalit “Mirëdita, dobar dan”, në Beograd 

Festivali "Mirëdita, dobar dan!" u hap në Beograd, teksa forca të shtuara të sigurisë ruajtën objektin ku po mbahet festivali, pasi qindra protestues e kundërshtuan këtë ngjarje kulturore.

Ky festival ia prezanton publikut skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës.

Festivali mbahet që nga viti 2014 dhe atë e organizon Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut. Festivali do të zgjasë deri më 24 tetor.

Kundër mbajtjes së këtij festivali protestuan organizatat djathtiste. Disa qindra njerëz, të udhëhequr nga kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, u mblodhën rreth orës 18:00, kur edhe ishte koha e paralajmëruar për hapjen e festivalit.

Megjithatë, kordoni i policisë qëndroi në mes të protestuesve dhe objektit ku mbahet festivali. Festivali po mbahet në Qendrën për dekontaminim kulturor.

Protestuesit valvitën flamurin e Serbisë dhe të partisë “Zavetnici”, mbajtën pankarta me fotografi të manastireve që gjenden në Kosovë dhe po brohoritën parulla për Kosovën dhe komente fyese ndaj pjesëmarrësve të këtij festivali.

 

Brukseli, i shqetësuar për shkak të hapjes së zyrës ruse në Serbi

Hapja e një zyre ruse në Serbi është pritur me shqetësim të madh nga Bashkimi Evropian.

Peter Stano, zëdhënës i diplomacisë dhe shefit të sigurisë së Bashkimit Evropian, thotë se BE ka përcjellë me shqetësim të madh raportimet rreth hapjes së zyrës ruse nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë  në Beograd.

Qëllimi i hapjes së kësaj zyre thuhet se është forcimi i lidhjeve ushtarake të Rusisë me Serbinë.

Reagimi i Stanos ishte i qartë rreth këtij veprimi të Serbisë.

“Serbia e ka identifikuar integrimin në BE-së si përparësi strategjike dhe pritet që të përafrojë në mënyrë progresive politikat e saj në përputhje me politikat dhe pozicionet e miratuara nga Bashkimi Evropian”, tha Stano.

Ai shtoi se bashkëpunimi ushtarak midis vendeve evropiane, duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

 

Evropa shënon mbi 200 mijë raste të reja me koronavirus në një ditë

Vala e dytë e koronavirusit në Evropë ka dyfishuar rastet e reja në dhjetë ditët e fundit.

Sipas llogaritjeve të agjencisë Reuters, rajoni ka kaluar 200,000 raste të reja brenda një dite, për herë të parë më 22 tetor.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Evropë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në kontinent aktualisht qëndron në 5.3 milionë, ndërsa numri i viktimave është afër 205,000.

Spitalet në të gjithë Evropën janë nën presion, edhe pse pranimet për koronavirus janë nën gjysmën e niveleve që kanë qenë në kulmin e pandemisë, gjashtë muaj më parë.

Në Republikën Çeke, tash për tash vendin e goditur më së keqi në Evropë, qeveria miratoi një plan për pranimin e rreth 300 profesionistëve shëndetësorë ushtarakë nga vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që do të ndihmojnë në trajtimin e fluksit të pacientëve me koronavirus.

Në Belgjikë dhe vende të tjera, spitalet janë duke shtyrë trajtimet jo-urgjente.

Koronavirusi në të gjithë botën ka infektuar mbi 41.6 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 1.1 milion kanë vdekur dhe mbi 28.3 milionë janë shëruar. 

 

Gjermania paralajmëron vaksinimin kundër Covid 19 para fundit të vitit

Gjermania po përgatitet të nisë vaksinimin kundër koronavirusit përpara fundit të vitit, shkruan e përditshmja gjermane Bild.

Ministria e Shëndetësisë planifikon të krijojë 60 qendra të posaçme vaksinimi, për të siguruar që vaksinat mund të ruhen në temperaturën e duhur, dhe u ka kërkuar 16 landeve federale të vendit që t’i japin adresat për to deri më 10 nëntor, raporton Bild, pa cituar burimet e tij.

Në një video-konferencë këtë javë, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili edhe vetë është diagnostikuar me koronavirus të mërkurën, ka thënë se kompania BioNTech e Gjermanisë është afër miratimit të vaksinës së saj.

I pyetur se kur i pret vaksinat e para, Spahn ka thënë: “Kjo mund të ndodhë para fundit të vitit”, citon Bild pjesëmarrësit në video-konferencë.

BioNTech po zhvillon vaksinën në partneritet me kompaninë amerikane Pfizer Inc.

Debat i ashpër mes kandidatëve presidencial Tramp- Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden mbajtën debatin e fundit, në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Trump, i cili qëndron prapa në shumicën e sondazheve të opinionit, e mbrojti trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit, e cila ishte tema kryesore e debatit.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara “po mësojnë të jetojnë” me virusin dhe se ato do ta kenë një vaksinë kundër tij deri në fund të vitit.

“Duhet të rikuperohemi. Nuk mund ta mbyllim kombin tonë”, tha Trump, i cili vetë ka qenë i infektuar me koronavirus dhe është shëruar.

Biden tha se derisa pandemia përhapet, Trump nuk ka ndonjë plan për të ndaluar një “dimër të errët” të vdekjeve nga koronavirusi.

Biden po ashtu i hodhi poshtë akuzat se ai do ta mbyllte përsëri të gjithë vendin, për shkak të pandemisë, duke thënë se në vend të kësaj, do të merrte një qasje shumë më shkencore.

Të dy fajësuan njëri-tjetrin dhe partitë politike të njëri-tjetrit për dështimin për të siguruar një raund të ri të ndihmës financiare për koronavirus, që aktualisht është bllokuar në negociata.

Një faktor kyç në zgjedhjet e këtij viti është votimi i hershëm, për shkak të pandemisë. Deri më tani, rreth 47 milionë amerikanë kanë votuar.

Putin, pohon se ka intervenuar që Navalny  të dërgohet për shërim në Gjermani  

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se ai personalisht ka intervenuar, në mënyrë që lideri opozitar rus, Aleksei Navalny të mund të dërgohej në Gjermani për shërim, pasi ishte helmuar me agjentin nervor noviçok në muajin gusht.

Duke folur në një paraqitje televizive më 22 tetor, Putin po ashtu tha se nëse autoritetet ruse do kishin dashur që Navalny të vdiste, atëherë Moska nuk do ta lejonte që ai të fluturonte drejt Berlinit, ku 44-vjeçari po kurohet pasi helmimi për pak sa nuk i mori jetën. Navalny, një kritik i madh i Putinit dhe një aktivist kundër korrupsionit, e ka fajësuar presidentin rus, se qëndron prapa helmimit të tij, një akuzë të cilën Kremlini e ka hedhur poshtë.

 

Nesër, mot i ndryshueshëm. Në mbrëmje me të reshura kalimtare

Në Mal të Zi, mban mot kryesisht me diell. Frynë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve veriore.

Temperatura në orën 14; Rozhajë 26 gradë, Budvë e Kollashin 24, Podgoricë,  Petrovac e Tivar 22, Herceg Novi, Cetinë, Ulqin e Zhablak 21, Nikshiq, Shavnik,Plluzhinë, Guci e Plavë 19, Plevlë e Beranë 18, Andrijevicë 17 dhe në Bjello Pole 14 gradë.

Për nesër parashihet të mbaj mot me vranësira të ndryshueshme deri plotësisht i vranët, në orët e mbrëmjes me të reshura kalimtare të shiut,

Do të fryjë erë e lehtë deri e mesme, vende vende deri e efortë e drejtimeve jugore.

Temperatura e mëngjesit prej 2 deri në 15, kurse më e larta e ditës prej 17 deri në 23 gradë celsius.     

 

 

Përfatiti, Gj. Dukaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се