Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

19. 10. 2020. 00:00 >> 18:04

Ditari 19.10.2020

19.10.2020

Nesër për anëtarët e Këshillit administrativ

Nesër Parlamenti i Malit të Zi në vazhdimin e seancës konstituive do të duhej të zgjedh anëtarët e Këshillit administrativ. Ky këshill do të ketë 13 anëtarë, të cilët i propozojnë klubet e deputetëve në bazë të përfaqësimit të tyre në Parlament. Sipas informatave jo zyrtare , kryetar i Këshillit administrativ do të jetë Millun Zogoviq nga Fronti Demokratik. Në rend të ditës do të jetë edhe verifikimi i këshillave dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Parlamentit. Kryetari i Kuvendit Aleksa Beçiq më parë ka kumtuar se ekziston mundësia që nesër të zgjedhen nënkryetarët e Parlamentit dhe për këtë nevojiten disa forma të konsultimeve dhe marrëveshjeve politike. Përndryshe, mbledhja konstituive e Parlamentit të Malit të Zi në të cilën janë verifikuar mandatet e deputetëve, është mbajtur me 23shtator dhe kryetar i tij është zgjedhur lideri i Demokratëve Aleksa Beçiq.

Shqiptarët dhe myslimanët do të jenë pjesë e Qeverisë së re

“Boshnjakët dhe shqiptarët do të jenë pjesë e Qeverisë së re dhe askush nuk duhet të mendoj se vetëm ai e përfaqëson një popull të caktuar”, ka kumtuar lideri i Lëvizjes qytetare- URA, Dritan Abazoviq. Në pyetjen që të komentojë vendimin e Partisë Boshnjake se nuk duan të jenë anëtarë të Qeverisë së re, Abazoviq ka theksuar se këtë vendim e ka pritur. “Ne u kemi dërguar ftesë të ndershme dhe të sinqertë, por Partia Boshnjake mendon krejtësisht ndryshe dhe kjo është legjitime”, ka theksuar Abazoviq për Televizionin, “Vijesti”. Ai ka përsëritur se në Qeverinë e ardhshme gjithsesi do të gjenden edhe përfaqësuesit e partive të pakicave. Ai ka shtuar se është i kënaqur me bisedime që po zhvillohen rreth Qeverisë së re. “Shpresoj se dinamika, të cilën e ka vendosur mandatori,do të respektohet”, ka theksuar Abazoviq. Ai ka shtuar se “të gjithë duhet të bëjmë ç’është e mundur që Qeveria e re të formohet sa më parë si për shkak të situatës aktuale shëndetësore, ashtu edhe për shkak të sfidave të mëdha ekonomike me të cilat do të ballafaqohemi”.

Vendim i pritur i Partisë boshnjake dhe i koalicionit “Bashkë nji za”

“Vendimi i Partisë Boshnjake dhe i koalicionit shqiptar, “Bashkë nji za” që të mos jenë pjesë e Qeverisë së re ka qenë vendim i pritur, kurse shumica parlamentare është në rrugë të mirë që ta lëshojë rastin dhe të shfrytëzojë pakënaqësinë e popujve pakicë me pozitën e vetë brenda shtetit”, konsiderojnë në Aleancën Qytetare. Kryetari i kësaj Aleance, Boris Raoniq, ka vlerësuar se gjatë tri decenieve të fundit pothuaj se asgjë nuk është bërë në përmirësimin e cilësisë së jetës në territoret ku ata janë shumicë. Ndërkohë, Këshilli komunal i Lëvizjes së komitëve në Nikshiq ka përshëndetur vendimin e Këshillit kryesor të Partisë Boshnjake që të mos jetë pjesë e Qeverisë së re.“Në këtë mënyrë boshnjakët kanë treguar se nuk do të jenë dekor në pushtetin e ri, i cili siç duket, nuk e ka të qartë se çfarë duhet të bëhet. Boshnjakët, së bashku me pakicat tjera i kanë thënë “Po” Malit të Zi dhe na vjen mirë që janë së bashku me malazezët në luftën për një shtet qytetarë dhe evropian”, thuhet në kumtesën e Këshillit komunal të Lëvizjes komite të Nikshiqit.

Në polici dhe në ASN ka profesionistë

Në Drejtorinë e policisë dhe në Agjencinë për Sigurinë Nacionale (ASN), ka profesionistë, të cilët mund të udhëheqin me këto institucione, konsideron drejtori i Shoqatës për hulumtimin e politikave, Vlladimir Paviqeviq. Ai ka vlerësuar se sektori i sigurisë është më i ndjeshëm dhe se mandatori Zdravko Krivokapiq do të duhet të vendos në mënyrë të drejtë, e cila do të respektojë relacionet politike, por edhe nevojën për profesionalizëm.“Në veçanti thekson nevojën që në krye të Drejtorisë së policisë dhe të ASN të jenë profesionistët dhe se ata mund të gjenden në këto struktura, sepse atje nuk kanë punuar të gjithë për Partinë Demokratike të Socialistëve”, ka kumtuar Paviqeviq për agjencinë MINA.

Të ardhurat e Drejtorisë së doganave janë 19% më të ulëta se në vitin e kaluar

Drejtoria e doganave gjatë 9 muajve të parë të këtij viti ka inkasuar 495.3 milion euro, ose krahasuar me vitin e kaluar, 118.6 milion më pakë ose 19.32%, është kumtuar nga ky Institucion. Kjo, siç kanë sqaruar, është pasojë e rënies së qarkullimit në tregtinë e brendshme dhe të jashtme si dhe si pasojë e rënies së aktivitetit afarist për shkak të krizës ekonomike, e cila është e shkaktuar nga pandemia e virusit Covid-19. Gjatë këtij viti, Drejtoria e Policisë si e pavarur dhe në bashkëpunim me organet tjera shtetërore, ka shndritur kontrabandimin e mallrave në vlerë prej 1 milion e 990 mijë e 884 euro, prej të cilave 84% janë në cigare dhe në mallra tjera nga akciza.“Në bazë të rezultateve të sipërpërmendura, janë paraqitur gjithsejtë 16 fletëpadi penale në prokuroritë kompetente. Janë shqiptuar 173 fletëparaqitje për kundravajte si dhe dënime në të holla në vlerë prej 99 mijë e 150 euro, thuhet në kumtesë.

Prej sot fillon pranimi në programin e aftësimit profesionist

Paraqitja e shfrytëzuesve në programin e aftësimit profesionist të personave me arsimim të lartë ka filluar sot dhe do të vazhdoj deri me 19 nëntor. Nga Ministria e arsimit kanë kumtuar se shfrytëzuesit e ardhshëm të programit mund të paraqiten përmes rrugës elektronike në Portalin , www.eupruava.me. “Të drejtë në aftësimin profesionistë kanë të gjithë personat me arsimim superior e të cilët nuk kanë përvojë pune në nivelin e caktuar të arsimimit, respektivisht me nivelin e lartë të shkollimit e që njëkohësisht gjenden në evidencën e Entit për punësim të Malit të Zi”, kanë deklaruar nga kjo Ministri. Nga kjo Ministri kanë kumtuar se aftësimi profesionist zgjatë 9 muaj dhe se kjo kohë pranohet si përvojë pune në kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe është parakusht për dhënien e provimit gjegjës profesionist për arsimim të lartë.

PDS e akuzon Nikë Gjeloshaj për veprimtari joligjore

Këshilltari i Partisë Demokratike të Socialistëve në Kuvendin komunal të Tuzit, Simon Ivezaj, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, se kryetarët e Bashkësive lokale i ka vendosur në mënyrë joligjore dhe për këtë arsye, siç ka theksuar ai, i ka dërguar kërkesë sekretariatit për administratën lokale dhe administratorit kryesor. Ai ka theksuar se neglizhenca dhe vullneti vetjak i kryetarit të komunës, Nikë Gjeloshaj, kanë kulminuar në seancën e fundit të Kuvendit komunal me ç’rast janë miratuar disa vendime, në të cilët janë zgjedhur udhëheqjet e Bashkësive lokale, kurse qytetarët, siç ka theksuar, nuk kanë pasur të drejtë të marrin pjesë në procedurën e zgjedhjeve të tyre. Sipas fjalëve të tij, Sekretariati për administratën lokale ka caktuar tubime qytetare për të cilat, siç ka pohuar ai, kanë ditur vetëm aktivistët e zotërisë Gjeloshaj, kurse opinioni i gjerë dhe banorët e Komunës së Tuzit nuk kanë qenë të njoftuar për këto aktivitete në mënyrë të duhur.

Prej sot 5 shkolla kthehen në mësimin online

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e korona virusit kanë vdekur 4 persona dhe është konfirmuar infektimi i 145 të tjerëve, marrë nga 561 mostër, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Përndryshe, nga dita në ditë rritet numri i të infektuarve në të gjitha komunat e Malit të Zi. Kësaj situate më së tepërmi i kontribuojnë sjelljet tona dhe nëse këtë nuk e kuptojmë, nuk mund të presim stabilizimin dhe përmirësimin te situatës epidemiologjike në vend, kanë kumtuar epidemiologët. Deri në fund të javës së ardhshme do të duhej të arrijnë edhe vaksinat kundër gripit sezonal. Sivjet janë porositur doza më të mëdha se gjatë viteve të kaluara. Epidemiologët kanë këshilluar që detyrimisht të vaksinohen të sëmurit kronik, të moshuarit mbi 65 vjet, personat në strehime kolektive si dhe punëtorët shëndetësor. Përndryshe prej sot në shkollat në Budvë, Kollashin, Ulqin, Cetinë dhe Zhablak , për shkak të keqësimit të situatës epidemiologjike, procesi mësimor prej sot dhe gjatë dy javëve të ardhshme do të zhvillohet në distancë. Nga Ministria e arsimit kanë kumtuar se incidenca kumulative në këto komuna, sipas analizave më të reja, i ka kaluar 800 persona në 100 mijë banorë. Kurse në spitalin e përgjithshëm në Beranë, 8 pacientë Covid pozitiv janë në gjendje të rëndë klinike, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Theksohet se në këtë spital janë të shtruar 28 pacientë Covid pozitiv. Në spitalin e përgjithshëm në Nikshiq janë duke u trajtuar 89 pacientë, 5 prej të cilëve janë në rrezik për jetën, thuhet në kumtesën e këtij institucioni shëndetësor.

Lajçak u keqinterpretua, ndryshimet kushtetuese vlejnë edhe për Beogradin

Brukseli vlerëson se deklarata e përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për ndryshimet e nevojshme kushtetuese është keqinterpretuar. Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se duhet bërë dallimi mes asaj që është “percepcion dhe keqinformim, me realitetin e shpjeguar nga Lajçak”. “Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues. Dhe kjo vlen për Kosovën dhe Serbinë”, tha Stano. Të enjten e kaluar në konferencën për media në Beograd, Lajçak kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”. Në këtë kuadër ai ka shtuar se Kosova do të zbatojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër në Bruksel, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deklarata për ndryshime kushtetuese ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, kryesisht kundër çdo mundësie për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Kur bëhet fjalë tek Asociacioni, brenga kryesore është te kompetencat të këtij organi. Por, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano thotë se qëndrimi i BE-së për Asociacionin nuk ka ndryshuar.

Bërnabiq kërkon një Asociacion sipas marrëveshjes e jo si OJQ

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se çështja e Kosovës dhe marrëdhënia me Prishtinën mbetet një nga sfidat më të mëdha për çështjen e sigurisë së vendit. Ajo theksoi se Serbia ka zbatuar gjithçka që është rënë dakord në Bruksel dhe se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të formohet siç është rënë dakord, dhe jo si një Organizatë Joqeveritare (OJQ). Bërnabiq në TV Pink, deklaroi se nuk ka më dialog mbi Asociacionin dhe se është zhgënjyese që BE, e cila, siç theksoi ajo, është një qëllim strategjik i qeverisë së re serbe, lejoi që Asociacioni të mos formohej shtatë vjet pasi ishte rënë dakord, transmeton Klan Kosova. Siç shtoi ajo, norma e civilizimit është vija e kuqe që nëse negocion dhe nënshkruan diçka, atëherë e zbaton atë.

Kosova dhe Serbia me draft marrëveshje për personat e zhdukur

Kosova dhe Serbia kanë arritur draft marrëveshjen në Bruksel për personat e zhdukur. Por që do të funksionalizohet në rast të arritjes së marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse. Ky draft përfshin tri shtylla bazë që përfshijnë krijimin e një komisioni të përbashkët të udhëhequr nga BE-ja, i cili do të jetë përgjegjës për zbardhjen e personave të pagjetur. Ndërkaq, si pikën e dytë pritet të jetë hapja e arkivave shtetërore dhe e treta zbardhja e gjithë personave të zhdukur në afatin kohor prej 18 muajsh, pasi të arrihet marrëveshja finale. Këto u bënë publike në takimin e sotëm të Komisionit qeveritar për persona të zhdukur. Kryetari i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë për persona të zhdukur, Ibrahim Makolli duke raportuar para këtij komisioni tha se çështja e të zhdukurve është diskutuar qysh në takimin e parë në Bruksel.

Akuza të ndërsjella për shkelje të armëpushimit në Nagorno Karabak

Një armëpushim i ri, që synon ndalimin e luftimeve për rajonin e Nagorno Karabakut, duket se është në rrezik. Forcat armene dhe ato azerbajxhanase e akuzuan njëra-tjetrën për rinisjen e bombardimeve. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë sot konsultime të mbyllura për situatën, derisa shefi i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje të dyja palëve që të respektojnë armëpushimin. Armëpushimi, i shpallur më 17 tetor, ka qenë përpjekja e dytë për të ndaluar luftimet e rënda, që kanë shpërthyer më 27 shtator. 

Numri i të infektuarve me koronavirus në botë kalon 40 milionë

Numri global i rasteve të konfirmuara me koronavirus kaloi të hënën 40 milionë. Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins bazohen në raportimin zyrtar të vendeve veç e veç. Sipas tyre, numri i përgjithshëm i viktimave është mbi 1.1 milion, ndërsa i të shëruave mbi 27.5 milionë. Ekspertët, megjithatë, besojnë se numri i vërtetë i rasteve dhe viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, marrë parasysh mungesën e testimeve dhe raportimin e dobët nga disa vende. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të kryesojnë si nga numri i infektimeve me 8.1 milionë të diagnostikuar me koronavirus, ashtu edhe nga viktimat me më shumë se 219 mijë të vdekur nga sëmundja. Në Evropë, Spanja prin me numër të të infektuarve me mbi 936,000 persona, kurse sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka aktualisht shkallën më të rëndë të infektimit në Evropë, me mbi 660 të infektuar në 100,000 banorë, gjatë 14 ditëve të fundit. Kurse numri i viktimave nga ky vitus në Itali është 36,500 – që është më i larti në Evropë, pas Mbretërisë së Bashkuar.

Mali i Zi, vendi i parë në Evropë nga infektimet për 100 000 banorë

Mali i Zi renditet i pari në Evropë për nga numri i rasteve që nga fillimi i pandemisë,  në 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të fundit, vendi  ka një normë prej 2,385 rastesh të regjistruara me koronavirus për 100,000 banorë, ndjekur nga Armenia dhe Spanja. Sipas të njëjtit numër të njerëzve të infektuar për 100,000 banorë, Maqedonia Veriore është në vendin e 11-të, dhe Bosnja dhe Hercegovina është në vendin e 14. Në bazë të të njëjtave kritere, Kosova është në vendin e 17-të, Shqipëria në vendin e 27-të dhe Kroacia në vendin e 28-të. Ato ndiqen nga Sllovenia, e cila është pas Kroacisë, ndërsa Serbia është në vendin e 30-të me 509.12 të infektuar për 100,000 banorë. Kur bëhet fjalë për shkallën e incidencës në shtatë ditët e fundit, numri më i lartë i të infektuarve për 100,000 banorë u regjistrua në Andorra, pasuar nga Republika Çeke, Belgjika dhe Holanda, ndërsa Mali i Zi është në vendin e pestë. Megjithatë, njoftimet e undit nga ana e ekspertëve mjekësorë janë optimiste, sepse në frontin shkencor përpjekjet për krijimin e vaksinës vazhdojnë. “Me shumë gjasë shumica e amerikanëve do të vaksionohen në 2021. Nëse gjithçka shkon mirë, po shpresojmë që një pjese e madhe e popullsisë të ketë qasje ndaj vaksinës në muaj mars dhe prill”, tha Dr. Ashish Jha. Ndërkaq, kompania Pfizer thotë se nuk do të kërkojë autorizim të përdorimit emergjent të vaksinës para ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor, siç ka premtuar presidenti amerikan Donalld Trump, por shpreson se kjo mund të ndodhë në fund të nëntorit.

Edhe nesër mot kryesisht me diell

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët, në veri me vranësira të pakta lokale. Fryn erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar e Herceg Novi 22 gradë, Podgoricë e Ulqin 20, Cetinë 17, Nikshiq 16, Plevle 13, Kollashin 10 dhe në Zhablak 8 gradë. Edhe për nesër meteorologët parashohin të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -3 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 22 gradë celsius.

  

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се