Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 10. 2020. 00:00 >> 18:06

Ditari 13.10.2020

13.10.2020

Së shpejti juristët me integritet kandidat për kryeprokuror të shtetit

Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet orientim i përhershëm dhe gjenerator kryesor i reformës në Mal të Zi, kurse Qeveria e re proevropiane do ti jap energji të re procesit të integrimeve evropiane dhe finalizimit të procesit të asocimit, ka kumtuar kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Aleksa Beçiq. “Parlamenti, brenda një afati të shkurtër do të fillojë me zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe do të mundësojë zgjedhjen e një juristi me integritet për prokuror suprem të shtetit, të gjykatësve të Gjyqit kushtetues dhe të anëtarëve të Këshillit gjyqësor nga radhët e juristëve eminent dhe do të fillojë reformën e legjislacionit zgjedhor me qëllim të respektimit të rekomandimeve të OSBE /ODIHR, duke treguar kështu seriozitetin dhe përkushtimin e sinqertë ndaj procesit të integrimeve evropiane“ ka theksuar Beçiq. Këtë Beçiq e ka theksuar duke iu falënderuar kryetarit të Parlamentit Evropian, David -Maria Sasolli, në urimin e tij me rastin e zgjedhjes në funksionin e kryetarit të Parlamentit. Beçiq në përgjigje thekson se raporti i sivjetmë i BE-së për Malin e Zi është edhe një konfirmim i mirëkuptimit për rrjedhat gjithëpërfshirëse shoqërore politike dhe në përcjelljen e vazhdueshme të situatës në vend nga ana e BE dhe administrata e saj.

E pamundur që Qeveria të jetë e përbërë vetëm nga ekspertët

Mandatori Zdravko Krivokapipq ka paralajmëruar se Qeveria e re e Malit të ZI do të formohet deri me 10 ose 11 nëntor. Ai për TV Prva të Beogradit, ka deklaruar se ka mbetur pakë kohë dhe se Mali i Zi, Qeverinë e re, mund ta fitojë deri me 10 ose 11 nëntor, “me qëllim që të përballemi me probleme të shumta”. Ai ka përsëritur se në pozitat kryesore në Qeveri do të jenë ekspertët, por edhe disa politikanë. “Është e pamundur që në ambientin aktual Qeveria të jetë plotësisht Qeveri ekspertësh, mirëpo, politikanët të cilët do të hyjnë në Qeveri do të duhet të tregojnë profesionalizëm në dikastere të cilat do ti udhëheqin”, ka theksuar Krivokapiq. Ai nuk ka dëshiruar të thotë se kush do të jetë në krye të shërbimit të sigurisë, por ka shtuar se këtë fushë duhet lënë profesionistëve të vërtetë. “Ka ardhur koha që ky sektor duhet të kujdeset vetëm për sigurinë e Malit të ZI dhe të qytetarëve të tij dhe të jetë krejtësisht profesionale dhe të mos jetë partiak dhe të mos i shërbejë vetëm një individi”, ka shtuar Krivokapiq. Ai i ka bërë sot ftesë presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq që të vizitojë Malin e Zi duke shtuar se ky shtet preferon raporte të mira me të gjitha shtetet e rajonit, para së gjithash me Serbinë.

Sektorin e Sigurisë ta kryesojnë personat që janë lojal ndaj shtetit

Koalicioni “E zeza mbi të bardhën” kërkon që në disa funksion në Qeverinë e ardhshme, në veçanti në ato sektorë që kanë të bëjnë me sigurinë, të vendosen individë të cilët janë lojal ndaj shtetit, ka kumtuar lideri i URA-s Dritan Abazoviq, duke shtuar se nga kjo kërkesë nuk do të heq dorë. Ai në intervistën dhënë mediumit “Vjesti” ka theksuar se në tërësi është harmonizuar koncepti ndërmjet tij dhe mandatorit për përbërjen e Qeverisë së re, Zdravko Krivokapiq, që në krye të Agjencisë për Sigurinë Nacionale dhe të Drejtorisë së policisë të emërohen profesionistët. “Pra, në krye të këtyre sektorëve të mos jenë persona politik ose pjesëtarë të ndonjë grupacioni“, ka theksuar Abazoviq. Ai ka shtuar se për zgjidhje të tilla e kanë përkrahjen edhe të Bashkësisë ndërkombëtare. Siç ka theksuar, aktualisht vazhdon procesi gjatë të cilit do të prezantohen preferencat e të gjithë pjesëmarrësve në Qeverinë e re, kurse për emrat konkret do të bisedohet në javën e ardhshme.

Qytetarët para së gjitha do të votonin liderët e koalicioneve

Pjesa më e madhe e qytetarëve, nëse u ofrohet mundësia e përkrahjes së kandidaturave individuale të cilit do emër nga lista, do të zgjedhin që të përkrahin bartësit e listave, ka treguar sondazhi i agjencisë “De Fakto”. Në anketën, të cilën gazeta “Dan” e ka shfletuar, më së tepërmi përkrahje do të merrnin liderët e aleancave në pushtet, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq, pastaj bartësi i listës të PDS, Dushko Markoviq dhe kryetari i Socialdemokratëve, Ivan Brajoviq. Ky sondazh është realizuar me qëllim që të bëhet krahasimi i ndarjes së mandateve, i cili ka pasuar si rezultat i shfrytëzimit të sistemit të listave të mbyllura në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, me situatën hipotetike të ndarjes së mandateve nga sistemi i listave të hapura. Sipas agjencisë “De Fakto”, një numër i konsideruar i të anketuarve, bile edhe nëse u ofrohet cili do emër nga lista, do të zgjedhin bartësit e listave. Këtu, siç theksohet, përjashtim bën Partia Socialdemokratike, bartësi i listës të së cilës ka marrë vetëm diçka mbi 12% të përkrahjes.

Politika e komunikacionit nuk ka shënuar progres

Mali i Zi në shumicën e kapitujve negocues për anëtarësim në BE ka shënuar progres mesatar, tregon raporti i Komisionit Evropian për progresin e Malit të Zi për këtë vit. Përparim i mirë është shënuar në kapitujt, E drejta afariste, Shërbimet financiare, Bujqësia dhe zhvillimi rural, siguria e ushqimit, Tatimet dhe shkenca dhe hulumtimet. Për dallim prej këtyre kapitujve, në raport është vlerësuar se Mali i Zi në kapitullin 14 – politika e komunikacionit, nuk ka shënuar progres. Në raportin e Komisionit Evropian theksohet se në kapitullin 1 – qarkullimi i lirë i mallrave, është bërë progres i kufizuar, por theksohet se ky kapitull është përgatitur jo aq sa duhet.“Për shkak të rritjes së ulët të investimeve, ekonomia gjatë vitit 2019 ka ngecur në tempon e qëndrueshëm. “Eksporti, në veçanti shërbimet, është rritur, por pamjaftueshëm që të ndalojë deficitin e llogarisë rrjedhëse”, thuhet në raport. Theksohet se janë duke u realizuar disa projekte të rëndësishme infrastrukturore duke e shndërruar Malin e Zi gradualisht në një eksportues të energjisë elektrike dhe i cili është duke zhvilluar rrjetin rrugor, ndërkaq, siç theksohet, baza industriale është akoma e dobët.

Situatë kaotike në arsim në kohën e pandemisë

Kryetari i Sindikatës së arsimit të Podgoricës, Sllobodan Savoviq, ka vlerësuar se situata është alarmante dhe kaotike në sistemin arsimorë gjatë kohës së pandemisë, sepse 15 ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor, shumë gjëra akoma nuk janë definuar. Në programin e mëngjesit të TVMZ, Savoviq ka folur për kushtet e punës të personelit arsimor dhe me këtë rast, mes tjerash, ka theksuar se akoma nuk është definuar se si do të paguhet puna shtesë e kuadrit mësimdhënës. Sipas analizave të tyre, siç ka theksuar ai, disa kolegë në shkollat fillore do të punojnë deri në 30% mbi normën. Ai konsideron se mësimdhënësit nuk janë të aftësuar sa duhet dhe nuk i kanë kaluar të gjitha trajnimet e domosdoshme. “Ky është një sistem konservativ dhe duhet të ketë një tërësi organizative, e cila nuk do të vendoset vetëm nga Ministria, por më tepër nga institucionet e specializuara, siç janë Enti për shkollim dhe Qendra për arsimimin e mesëm dhe profesionist.

Urgjentisht të zgjidhen problemet kryesore të prinddërve

Shoqata e prindërve i ka dërguar një shkresë presidentit të shtetit, kryetarëve të Qeverisë, të Parlamentit dhe të Trupit Koordinues Nacional si dhe Ministrive të arsimit dhe shëndetësisë, në të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente, siç theksohet, për problemet kyçe të prindërve në Mal të Zi. Atyre u kanë bërë ftesë që të bëjnë ç’është e mundur në mënyrë që prindërit, fëmijët e të cilave mësimin e ndjekin në distancë në komunat ku janë në fuqi masat e veçanta të futura për shkak të virusit korona, të kenë të drejtë në pushim me pagesë. Në letrën e nënshkruar nga drejtoresha e shoqatës së prindërve, Kristina Mihailloviq, u bëhet apel kompetentëve që të sillet masa e qartë dhe precize në mënyrë që prindërit e fëmijëve të moshës deri në 12 vjeçare, të cilët mësimin nuk e ndjekin në shkolla, të kenë të drejtë në pushim të paguar dhe shteti të sigurojë subvencione për rrogat e tyre. Kërkohet që prindërve të fëmijëve me të meta në zhvillim e që janë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme poashtu tu mundësohet pushimi i paguar në kohën e mësimit në distancë, sepse nuk janë me rëndësi vitet e nxënësit, por me rëndësi është se ata nuk mund ta përcjellin procesin mësimor në mënyrë të pavarur.

Mungesa nga puna të arsyetohet me vendimin e inspektorëve

Drejtori i Fondit për sigurimin shëndetësor, Sead Çirgiq, ka sqaruar se mungesa në punë, si pasojë e infektimit me koronavirus, mund të arsyetohet tek punëdhënësi me vendimin e inspeksionit shëndetësor – sanitarë. Në rast të tillë, mungesa e të punësuarit nga puna duhet të kompensohet 100%, pa marrë parasysh nëse i punësuar është i infektuar ose është kontakt i të infektuarit. “Që i punësuari të realizojë në tërësi rrogën, është e domosdoshme që punëdhënësit t'ia dorëzojë vendimin për vetëizolim të cilin e ka marrë nga inspektori shëndetësor sanitarë. “Kjo mjafton që punëdhënësi atij t'ia paguaj bazën 100% të ardhurave të tij”, ka theksuar Çirgiq. Ai në programin e mëngjesit të TVMZ ka theksuar se me ligjin për sigurimin shëndetësor, si njëra nga të drejtat themelore, është paraparë e drejta në kompensim me rastin e pengimit të përkohshëm për punë, në mes të cilave edhe mungesa e shkaktuar nga sëmundja e korona virusit.

Në spitalin e Nikshiqit vdes një pacient

Një pacient në spitalin e përgjithshëm në Nikshiq, i lindur në vitin 1961, ka vdekur për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga infektimi me Covid-19, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Në këtë spital, siç theksohet, aktualisht janë në trajtim 70 pacientë. Kurse në Qendrën Klinike të Malit të Zi, siç njoftojnë, aktualisht janë të shtruar 53 pacientë të infektuar me virusin korona, prej të cilëve 17 janë në gjendje të rrezikut të lartë për jetë. Siç u kumtua nga ky Institucion, 3 pacinetë janë të intubuar dhe në ventilim mekanik. Kurse, siç njoftojnë nga Trupi Koordinues Nacional, në Plevle dhe në Zhablak prej sot janë në fuqi masat e reja të ashpërsuara. “Nëse trendi i përhapjes së këtillë i sëmundjes vazhdon, mund të llogaritet në mbylljen e objekteve hoteljerike në Podgoricë dhe ndalimi i qarkullimit prej orës 22”, ka kumtuar Senad Begiq, ndihmës drejtor i Institutit për Shëndetin Publik. Ai në konferencën për media të Trupit Koordinues Nacional ka theksuar se ka kohë të mjaftueshme për tu bërë përpjekje që Podgorica të mos mbyllet. Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e korona virusit kanë vdekur 9 persona dhe janë konfirmuar 181 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Theksohet se laboratorët e këtij Instituti deri dje në ora 17 kanë përfunduar analizën e 534 mostrave në korona virusin e ri. Poashtu theksohet se prej fillimit të muajit qershor kanë vdekur 202 persona si pasojë e infektimit me Covid-19, kurse prej fillimit të vitit 211 persona. Deri dje në ora 17 është konfirmuar edhe shërimi i 300 pacientëve. Numri i përgjithshëm i rasteve aktuale të infektuar me Covid-19 në Mal të Zi është 3.919, kurse prej fillimit të vitit numri i përgjithshëm i të infektuarve me korona virus është 14 mijë 50 persona.​

Asociacioni, shkas për presion ndaj Kosovës

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron sot në Kosovë. Vizita e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në Kosovë dhe më pas, siç është paralajmëruar edhe në Serbi, tregon interesimin e Bashkimit Evropian (BE) që të përshpejtojë dinamikën e dialogut ndërmjet dy vendeve, me përfshirjen më të fuqishme të saj, thonë njohësit kosovar të zhvillimeve politike. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd, do të jetë për “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Nga zyra e BE-së në Prishtinë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Lajçak, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti si dhe me të gjithë liderët e tjerë politikë në Kosovë. Përderisa Serbia këmbëngul që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë temë e negocimit në tavolinën e dialogut në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar disa herë që në dialogun e Brukselit nuk do të pranojë që negociojë për këtë çështje. Këtë qëndrim kryeministri i Kosovës, Hoti e ka ripërsëritur edhe në seancën e djeshme në Kuvendin e Kosovës, ku ishte thirrur për interpelancë lidhur me procesin e dialogut në Bruksel.

Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje brenda muajsh

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se beson që arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh dhe jo vitesh, nëse të dyja palët angazhohen në mënyrë konstruktive. Ai i bëri këto komente pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë bisedimet Kosovë- Serbi. Borrell tha se Bashkimi Evropian nuk “përshkruan zgjidhjen, nuk synon të përshpejtojë artificialisht procesin por as ta zvarrisë atë”, duke theksuar se Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se gjetja e një zgjidhjeje është kusht i domosdoshëm në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, raportoi, para ministrave të jashtëm për procesin e bisedimeve, pas të cilit tha se “diskutimi i sotëm konfirmoi që bisedimet janë qartazi të lidhura me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

Gjuriq akuzon Kosovën se po përpiqet ta pezullojë dialogun

Ambasadori i ri serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq thotë se Kosova është duke bërë përpjekje për të pezulluar dialogun dhe që nuk dëshiron ndonjë rezultat. Ai ka njoftuar se sot në Beograd do të ketë një takim me përfaqësuesit politikë serbë nga Kosova, në të cilin do të diskutohet për përgjigjen që do të japë pala serbe. I pyetur lidhur me deklarata e fundit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti se nuk do të pranojë të bëhen negociata shtesë rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai thotë se kjo përçon një mesazh të papërgjegjësisë, shkruajnë agjencitë serbe të lajmeve. Ndryshe sot Petar Petkoviq, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka deklaruar se nëse Prishtina nuk e zbaton detyrimin nga marrëveshja e Brukselit, atëherë edhe detyrimet e Serbisë nga ai dokument do të pushojnë. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd, Petkoviq paralajmëroi se Serbia do ta konsiderojë edhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

S’ka bisedime me Turqinë pa e tërhequr anijen eksploruese

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, deklaroi sot se Greqia nuk do të zhvillojë bisedime me Turqinë në lidhje me shfrytëzimin e burimeve natyrore në Mesdhe pa u tërhequr anija eksploruese “Oruc Reis” nga ujërat e kontestuara. Për aq gjatë sa anija Oruc Reis është në zonë, ne nuk do të mbajnë kontakte për eksplorim me Turqinë”, tha ky zëdhënës. Dje Greqia tha se vendimi i Ankarasë për të dërguar anije afër ishullit grek, Kastellorizo, është eskalim i madh dhe kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen në rajon, shkruan Reuters. Turqia e kishte tërhequr muajin e kaluar këtë anije nga ujërat e kontestuara. Ky vendim ishte marrë para samitit të Bashkimit Evropian, në të cilin u diskutua për sanksione ndaj Turqisë. Në këtë samit, Bashkimi Evropian njoftoi se nëse Turqia i vazhdon operacionet në rajonin e Mesdheut Lindor, sanksionet kundër këtij shteti mund të vendosen në dhjetor. Ndërkohë, edhe Gjermania i bëri thirrje Turqisë që t’iu japë fund “provokimeve” në Detin Mesdhe. Mosmarrëveshja për të drejtat e kërkimit në det të hapur bëri që Greqia të kërkojë nga Bashkimi Evropian sanksione kundër Turqisë.

Armenia dhe Azerbajxhani sfidojnë armëpushimin, vazhdojnë luftimet

Armenia dhe Azerbajxhani i vazhduan luftimet në dhe përreth rajonit të kontestueshëm të Nagorno Karabakut, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për zbatimin e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia. Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit kumtoi sot se situata në disa pjesë të zonës së konfliktit ka qenë e tensionuar gjatë natës dhe i akuzoi forcat e armatosura armene për bombardimin e qarkut Tartar, këtë mëngjes. Ministria armene e Mbrojtjes i mohoi akuzat, duke pretenduar se pala azerbajxhanase "i rifilloi aksionet e shoqëruara me zjarr nga artileria”. Zyrtarët armenë në këtë rajon njoftuan se numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 542, 17 më shumë se një ditë më parë. Raportimet për përleshje të reja bënë që Bashkimi Evropian dhe Rusia të kërkojnë respektim të armëpushimit. Në anën tjetër, Azerbajxhani ka thënë se nga 27 shtatori, kur filluan luftimet, janë vrarë 42 civilë azerë dhe 206 të tjerë janë plagosur. Nagorno Karabaku është i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset dhe është i populluar nga armenët etnikë. Marrëveshja e armëpushimit është arritur në Moskë më 10 tetor dhe synonte t’i lejonte forcat etnike armene dhe ato azerbajxhanase t’i shkëmbejnë të burgosurit dhe trupat e njerëzve të vrarë në luftime.

Trump i rikthehet fushatës, pasi rezultoi negativ për COVID-19

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka rezultuar negativ për COVID-19 dhe ai nuk paraqet më rrezik për ta transmetuar virusin. Kështu ka thënë mjeku i Shtëpisë së Bardhë, 10 ditë pasi Trumpi njoftoi se ishte prekur nga koronavirusi. Në një njoftim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë vetëm disa orë para se Trumpi të rifillonte tubimet e fushatës, Dr. Sean Conley tha se presidenti ishte testuar negativ për disa ditë rresht, duke përdorur një test antigjeni të Laboratorëve Abbott, BinaxNOW. Presidenti Trump i është rikthyer fushatës të hënën në mbrëmje me një tubim në Sanford, të Floridës, i pari që kur zbuloi më 2 tetor se ai ishte pozitiv për COVID-19.Kritikët fajësojnë Presidentin Trump se nuk ka inkurajuar mbështetësit në aktivitetet e fushatës, dhe madje as stafin e Shtëpisë së Bardhë, që të mbajnë maska mbrojtëse dhe t'i përmbahen udhëzimeve të distancimit fizik. Të paktën 11 ndihmës të afërt të presidentit amerikan kanë rezultuar të infektuar me koronavirus. Megjithëse Trumpit i lejohet për të zhvilluar takime elektorale, udhëzimet tregojnë se ai mund të ketë nevojë të qëndrojë në izolim për t’u siguruar që nuk e përhap koronavirusin.

Johnson & Johnson ndalon përkohësisht testimin e vaksinës për COVID-19

Kompania Johnson & Johnson njoftoi sot se ka ndaluar përkohësisht testimin e një vaksine kundër sëmundjes COVID-19, për shkak të një sëmundjeje të pashpjegueshme te një pjesëmarrës në testim. Vaksina e kompanisë farmaceutike amerikane është konsideruar si një nga kryesoret në mesin e disa vaksinave potenciale në botë. E kemi ndërprerë përkohësisht dozimin e mëtejshëm në të gjitha provat tona klinike, përfshirë fazën 3, për shkak të një sëmundjeje të pashpjegueshme te një pacient pjesëmarrës në studim”, kumtoi përmes një deklarate kompania Johnson & Johnson. Sipas saj, pauzat e tilla janë normale gjatë testimit të mijëra njerëzve. Johnson & Johnson nuk pranoi të japë hollësi për sëmundjen e pjesëmarrësit. Në muajin shtator, kompania ka njoftuar se vaksina e saj eksperimentale kundër sëmundjes COVID-19 ka prodhuar reagim të fuqishëm imunitar gjatë testimit të fazës së hershme dhe të mesme. Johnson & Johnson ka nisur pastaj testimin në 60 mijë persona, rezultatet e të cilit priten në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2021. Aktualisht, në të gjithë botën, janë duke u zhvilluar rreth 170 vaksina të mundshme kundër koronavirusit. Prej tyre, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 26 janë në faza të testimit në njerëz. Më shumë se 38 milionë njerëz në të gjithë botën janë diagnostikuar me koronavirus, duke përfshirë mbi 1 milion vdekje, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë të ditur se janë shënuar raste të pacientëve që janë infektuar dy herë me COVID-19. Përndryshe, rritja e rasteve të të prekurve me Covid-19 ka detyruar disa shtete të BE-së të shtrëngojnë me tej masat anti-covid. Shtetet në të gjithë Evropën vazhdojnë të shohin shifra rekorde të infeksioneve të reja me COVID-19, ndërsa një studim tregon se virusi mbetet aktiv në sipërfaqe deri në 28 ditë. Italia, Çekia, Franca, Spanja, Britania e Madhe kanë vendosur kufizime më të rrepta. Në Itali, ndalimi i festave private brenda dhe jashtë shtëpive, është një rekomandim i fortë për të shmangur përhapjen e COVID-19. Qeveria çeke njoftoi mbylljen, duke nisur nga nesër, të restoranteve dhe bareve në të gjithë vendin, si dhe ndalimin e konsumimit të alkoolit në vendet publike, ndërkohë që numri i kontaminimeve me COVID-19 ka regjistruar një rritje rekord. Masat e reja do të jënë në fuqi deri në 3 Nëntor. Kurse kryeministri britanik Boris Johnson do të anoncojë sistemin anti-covid me 3 nivele për Anglinë. Johnson do të mbledhë pasditen e sotme Parlamentin, ku do të publikohet skema e mbylljes së vendit në tre nivele të ndryshme që janë: mesatare, e rrezikshme, shumë e rrezikshme.

Edhe nesër mot kryesisht i vranët dhe me reshje

Sot në Mal të Zi po mban mot kryesisht me vranësira të ndryshueshme. Fryn erë e dobët, deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat e shënuara në orën 14 ishin: në Budvë 20 gradë, Ulqin 19, Podgoricë e Tivar 18, Herceg Novi 17, Cetinë 13, Plavë 12, në Guci e Nikshiq 10, Kollashin e Beranë 9, në Rozhajë e Bijello Pole 8, Plevle 7 dhe në Zhablak 4 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të shiut. Të reshura më të dendura priten gjatë orëve të pas ditës, kryesisht në zonat jugore dhe qendrore të vendit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 1 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 8 deri në 21 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се