Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

28. 07. 2020. 00:00 >> 17:34

Ditari 28.07.2020

28.07.2020

Dy të vdekur dhe 95 të infektuar me korona virus

Në Mal të Zi deri dje në ora 17 janë regjistruar 95 raste të reja të infektuar me korona virus kurse dy persona kanë vdekur nga pasojat e Covid 19, ka kumtuar Instituti për shëndetin publikë. Më së tepërmi të prekur ka pasur në Podgoricë 39, Nikshiq 25, në Bjello Pole 6, Kotorr 4, në Beranë, Rozhaj e Plavë nga 3, në Tivat, Plevle e H. Novi nga 2 dhe në Budvë, Andrievicë, Mojkovc e Plluzhinë nga një i infektuar. Numri i përgjithshëm i vdekjeve të konfirmuara prej fillimit të muajit qershor është 36 thuhet në kumtesë. Numri i përgjithshëm i rasteve aktive me Covid 19, në Mal të Zi aktualisht është 2 mijë e 39. Prej fillimit të pandemisë numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me Covid 19 është 2893. Më së tepërmi të prekur ka në Podgoricë 902 në Nikshiq 225, në Bjello Pole 139, në Rozhaj 120 dhe në Beranë 103. Në Komunat tjera numri i të infektuarve është nën 100. Aktualisht në Tuz siç kumtohet janë të prekur 2 persona.

Në Mal të Zi janë të hospitalizuar 188 pacientë

Drejtori i Qendrës klinike të Malit të Zi Jevto Erakoviq ka kumtuar se në spitalet në tërë territorin e Malit të Zi janë të shtruar 188 pacientë dhe ka shprehur besimin se ka filluar tendenca e rënies së pacientëve që duhet të shtrohën në spital, kështu që sipas mendimit të tij nuk do të jetë e nevojshme shfrytëzimi i kapaciteteve. “Në spitalin e Tivarit janë të shtruar 33 pacientë , prej tyre tre fëmijë . Në Beranë janë të shtruar 65 pacient , 6 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë klinike” ka theksuar ai. Në Qendrën klinike janë të shtruar 25 pacientë, 9 prej të cilëve në kliniken interne dhe 5 në atë intensive. Drejtori i Institutit për shëndetin publikë Boban Mugosha ka theksuar faktin se në disa komuna në viset veriore të Malit të Zi vërehet ngadalësimi i përhapjes së epidemisë.. “Situata është e tillë që duhet të kemi kujdes edhe për ekonominë dhe vetëm në raste të veçanta , nëse nuk do të respektohen masat do të ndërmerren masa më të ashpra Lidhur me këtë kemi vazhduar për dy orë edhe punën e objekteve hotelerike sepse mendojmë se kështu do të jetë më mirë por kontrollet do të jenë më të forta, ka theksuar ai.

 

Arrijnë 86 respirator dhe pajisje tjera mbrojtëse

Në Mal të Zi ka arritur kontigjenti i katërt i pajisjeve medicinale , i cili përmban 86 respirator dhe mbi 235 mijë copë të paisjeve mbrojtëse personale për nevojat e sistemit shëndetësor. Ky donacion është pjesë e projektit të Bashkimit Evropianë për mbështetje urgjente në luftën e Malit të Zi kundër Covid 19, me vlerë të përgjithshme prej 3 milion euro dhe të cilën e realizon zyra e UNDP në Mal të ZI. Prej fillimit të projektit në muajin prill e deri sot , në Mal të Zi kanë ardhur gjithësejt 100 respirator spitalor, 10 aparate bashkëkohore të rengenit dhe mbi 400 mijë pajisje mbrojtëse personale , përfshirë këtu maska kirurgjike, doreza , kostume mbrojtëse , syze e të ngjashme. Me rastin e dorëzim pranimit të pajisjeve , shefi i delegacionit të BE në Mal të Zi ambasadori Aivo Orav ka theksuar se ky donacion arrin në kohën e duhur , kur Mali i Zi po ballafaqohet me valën e dytë të epidemisë të korona virusit. Nënkryetari i Qeverisë Millutin Simoviq me këtë rast ka theksuar se Mali i Zi , si edhe shumë shtete të tjera gjithnjë po i bën ballë sfidës së epidemisë Covid 19. “Bindja për sukses definitiv është e themeluar në përgjegjësinë e përbashkët dhe në kontributin e të gjithëve duke filluar nga insitucionet kompetente deri tek çdo individ i cili përmes respektimit të masave e jep kontributin e vetë.

 

Miratohet ligji për RTMZ dhe mediat

Kuvendi i Malit të Zi sot e vazhdoi seancën e vetë të rregullt , në të cilën deputetët diskutojnë për shumë propozime për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve. Një pjesë të mirë në fillim të seancës deputetët e shpenzuan rreth diskutimit mbi proçes verbalin nga seanca e mbajtur me 26 dhe 27 dhjetor të vitit të kaluar. Për ndryshe Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar dje , me votat e deputetëve të partive në pushtet ligjin për mediat dhe ligjin për servisin publikë nacional Radio dhe Televizioni e Malit të Zi. Miratimin e këtyre ligjeve e kanë përkrahur 41 deputet të koalicionit në pushtet. Në votim partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë duke vlerësuar se nuk mund të tolerohet që ligjet mediatike të ndryshohen vetëm një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Fryma dhe karakteri i ligjit për mediat , siç është sqaruar , nënkupton garancinë e lirisë së mediave të përfshira në postulatet themelore të standardeve ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. Është paraparë që me qëllim të forcimit të Institutit të konfliktit të interesave, deputetet dhe këshilltarët nuk mund të zgjedhjen anëtarë të Këshillit të RTMZ, tri vite pas skadimit të mandatit

 

Të garantohet siguria shëndetësore e të gjithë votuesve

Pushteti i Malit të Zi gjatë mbajtjes së zgjedhjeve duhet të garantojë fushatë të lirë dhe të ndershme, por edhe siguri shëndetësore për të gjithë votuesit për shkak të pandemisë së korona virusit, ka deklaruar për RTMZ kryesuesi i Këshillit parlamentarë për BE dhe Malin e ZI Vlladimir Billçik. Ai ka theksuar se edhe pse nuk do të ketë mundësi që fizikisht të jetë i pranishëm në Mal të Zi gjatë këtyre zgjedhjeve, Parlamenti Evropianë do të përcjell me kujdes situatën politike në Mal të Zi. “Ne në Parlamentin Evropianë do të përcjellim dekleratat dhe vlerësimet e OSBE-së “ ka theksuar Billçik. Është me rëndësi që pushteti të garantojë kushte për fushatë të lirë dhe të ndershme, sidomos në mediume , duke pasur para sysh se format tradicionale të fushatës , përfshirë këtu mitingjet me përmasa të mëdha , nuk do të jenë të lejuara për shkak të situatës së krijuar nga Pandemia e Covid 19 “ ka theksuar Billçik. Pandemia, siç ka sqaruar ai, i ka frenuar të gjitha aktivitetet e jashtme të Parlamentit Evropianë, kështu që ky institucion evropianë nuk do ti mbikëqyrë zgjedhjet në Mal të Zi me 30 gusht. Ai ka konkluduarë se misioni i OSBE është i autorizuar që ti përcjell dhe mbikëqyrë zgjedhjet dhe se Parlamenti Evropianë do ti përcjell deklaratat dhe vlerësimet e kësaj organizate.

 

Potenciale të shumta për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar

Ndërmjet Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar , ekzistojnë potenciale të shumta për avansimin e marrëdhënieve, ka deklaruar kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Ivan Brajoviq duke shprehur interesim për forcimin e dialogut politikë. Ai, siç është kumtuar nga Parlamenti, ka pritë në vizitën lamtumirëse ambasadorën e Britanisë Alison Kemp. Brajoviq e ka falenderuar zonjën Kemp për angazhimin dhe kontributin e dhënë në përparimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Malit të Zi dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kemp është falenderuar për rastin e dhënë që në fund të mandatit të saj edhe njëherë të bëjë shkëmbimin e mendimeve për bashkëpunimin e deritashëm si dhe për rrethanat e brendshme politike në Mal të Zi në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Ajo ka theksuar se Kuvendi edhe për kundër sfidave të shumta me të cilat është ballafaquar gjatë këtij mandati ka arritur përparim të rëndësishëm në punën e vetë. Ajo ka shtuar se gjatë periudhës së krizës së pa mbajtur mend globale të shkaktuar nga epidemia e Covid 19, Mali i Zi mund të llogaris në përkrahje të fortë të Mbretërisë së Bashkuar.

 

PSD e dorëzon listën e vetë zgjedhore

Malit të Zi i duhen shteti, individi dhe institucionet e forta, me qëllim të tejkalimit të krizës së përbashkët duke siguruar një jetë stabile dhe me prosperitet për çdo qytetar, ka theksuar kryetarja e Partisë Socialdemokratike, Draginja Vuksanoviq - Stankoviq. Kjo është partia e parë politike e cila e dorëzon listën zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen më 30 gusht. Vuksanoviq – Stankoviq është bartëse e listës, në vendin e dytë është zëvendësi i saj Rashko Konjeviq, kurse i treti në listë do të jetë ish lideri i partisë Ranko Krivokapiq. Vuksanoviq pas dorëzimit të listës ka deklaruar se PSD së bashku me qytetarët do ta forcojnë Malin e Zi dhe do të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo ka shtuar se PSD në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të marr pjesë me slloganin “Mali i Zi i fortë”.

Tri ditë pushim për Kurban Bajramin

E premtja , e shtuna dhe e diela , 31 korrik dhe 1 e 2 gushti do të jenë ditë pushimi për të punësuarit e konfesionit islam në Mal të Zi, ka kumtuar Ministria për punë dhe përkujdesje sociale. “Të punësuarit e fesë islame kanë të drejtë në pushim me pagesë me qëllim të kremtimit të festës fetare të Kurban Bajramit për tri ditët e sipër përmendura” , thuhet në kumtesë. Nga kjo ministri kanë përkujtuar se organet shtetërore, organet e administratës lokale, Institucionet publike, ndërmarrjet publike dhe subjektet e tjera të cilat ushtrojnë veprimtari me interes publikë janë të detyruar që gjatë ditëve të festës të sigurojnë kryerjen e punëve , ndërprerja e të cilave mund të ketë pasoja të dëmshme për qytetarët dhe për shtetin

 

HOTI: PROCESI I DIALOGUT ËSHTË PLOTËSISHT I KOORDINUAR ME SHBA-TË

Shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti iu është përgjigjur kritikave që ka dhënë kreu i AAK- së, Ramush Haradinaj lidhur me kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkohë, që ka deklaruar se procesi i dialogut me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është duke u zhvilluar në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjatë vizitës sot në Forcën e Sigurisë së Kosovës së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn tha se fjalën e fundit për masat duhet ta japin profesionistët shëndetësorë.“Në qeveri jemi duke shqyrtuar një listë të re të masave të propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, jemi në proces. Unë e kam thënë gjithmonë bash me ministrin, ne do t’i respektojmë plotësisht rekomandimet që na vijnë nga profesionistët shëndetësorë në përputhje me situatën në të cilën gjendemi. Hoti po ashtu ka bërë të ditur se edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe se sipas tij, pa mbështetjen ndërkombëtare Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë. “Çdo anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare bëhet gjithmonë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe kjo është e vërteta, potencoi Hoti. Ne jemi dakorduar që në këtë proces të rrugëtojmë bashkë sepse e dimë që po nuk e patëm këtë mbështetje ne nuk mund të çojmë përpara këtë agjendë të anëtarësimeve në organizata”, ka shtuar Hoti. Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se vazhdon koordinimi me SHBA-të rreth dialogut me Serbinë. “Procesi i dialogut që është duke u zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së dhe është plotësisht i koordinuar me SHBA”,ka deklaruar Hoti.

TË ENJTEN PRITET TAKIMI I RADHËS HYSENI-GJURIQ

Ekipet e ekspertëve, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, do të takohen gjatë kësaj jave. Sipas burimeve brenda Bashkimit Evropian, takimi pritet të zhvillohet të enjten dhe aty do të bisedohet për temat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik. Ky do të jetë takimi i dytë në nivel ekspertësh, pasi më 23 korrik, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, u takuan në Bruksel dhe biseduan për çështjen e të pagjeturve dhe të zhvendosurve.Kosova në dialogun në nivelin e ekspertëve përfaqësohet nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, ndërkaq Serbinë e përfaqëson drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe më 23 korrik, deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje për kapituj të veçantë, përderisa nuk arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.Në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti, por edhe koordinatori Skender Hyseni, insistojnë se dialogu me Serbinë është vetëm në nivelin politik dhe nuk do të ketë diskutime teknike. Të gjitha takimet, siç ka deklaruar koordinatori Hyseni pas takimit të 23 korrikut, do të kenë për qëllim përgatitjet rreth draftimit të një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse. Burimet në BE pohojnë se varësisht nga rrethanat, gjatë vjeshtës presin rritje të dinamikës së takimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të përshpejtohet arritja e një marrëveshjeje. Synohet që takimet në nivel ekspertësh të mbahen çdo javë dhe dy herë në muaj të ketë takime në nivel të lartë politik ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Prishtina për njohje, Beogradi për kompromis

Kosova dhe Serbia për arsye të ndryshme ende nuk kanë vullnet të fuqishëm politik për të arritur një marrëveshje përfundimtare, ndërkohë që procesi i dialogut vazhdon vetëm për shkak të shtysës nga faktorët ndërkombëtarë, thotë drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika, Naim Rashiti. Në anën tjetër, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se Brukseli zyrtar është tërësisht i papërgatitur për vazhdimit e dialogut. Kosova dhe Serbia i janë rikthyer dialogut në Bruksel, pas 20 muajsh që kur ky dialog ishte ndërprerë dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar që presin nga palët që t’i kontribuojnë “normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”. Por, të dyja palët, vazhdojnë të kenë qëndrime skajshmërisht të kundërta qoftë për natyrën e këtij dialogu, qoftë për një zgjidhje të mundshme përfundimtare, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar që dialogu me Serbinë është vetëm politik, “për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”. Por, në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se Serbia është për dialog dhe kompromise që çojnë në zgjidhje, por nëse i bëhet thirrje që në dialog të shkojë “për të firmosur pavarësinë e Kosovës”, atëherë ai ka kërkuar që të mos i bëhet fare thirrje për pjesëmarrje në dialog.

 

Opozita shqiptare e Maqedonisë së Veriut, në "marsh kundër vjedhjes së votës

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka mbajt dje një protestë në Shkup me moton “Marshi për Demokraci”. Marshi është kundër vjedhjes së votave në zgjedhjet e 15 korrikut, thanë drejtuesit e koalicionit opozitar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. “Zgjedhjet më 15 korrik janë zgjedhjet më jodemokratike të organizuara deri më tani. Vjedhja e votës, zhvatja e votuesve, votimi për njerëz që nuk jetojnë, kërcënimi i komisionarëve janë vetëm disa dëshmi për dhunimin e vullnetin të lirë të qytetarëve. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është fitues i zgjedhjeve, por grabitës i vullnetit politik të shqiptarëve”. “Kjo parti mund të ketë legalitetin që i jep Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, por asnjëherë legjitimitetin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e koalicionit, të lexuar në marshin që nisi nga Çairi dhe përfundoi para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup. “Kërkojmë nga BE-ja që ta dënojë abuzimin e votës dhe të mos e njohë legjitimitetin e BDI-së. Të reformohet kodi zgjedhor, që vendi të mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Beteja për demokraci do të vazhdojë deri në arritjen e saj. Dymbëdhjetë deputetët tanë do të jenë zëri i shqiptarëve për demokraci. Loja nuk ka përfunduar, pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së lirë do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimit përfundimtar. Nëse kërkesat tona shpërfillen, ne do të vazhdojmë me të gjitha format e protestës”, tha Afrim Gashi, kryetar i Alternativës. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, drejtoi akuza kundër Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar si “hartues të manipulimit të procesit zgjedhor”. “Ata [KSHZ] vetëm legjitimë nuk janë. Ata që përgatitën vjedhjen, mund t’i quajnë legalë, por legjitimë asnjëherë. Legjitimiteti, mbi të gjitha, kërkon t’i respektosh të vdekurit dhe jo t’i shfrytëzosh për të votuar. Do të mbrojmë lirinë dhe të drejtën e shqiptarëve për të jetuar këtu në këtë vend”, tha pos tjerash Ziadin Sela.

 

SHBA-ja dhe Rusia do të nisin bisedime për kontrollin e armëve bërthamore

Tri ditë bisedime për kontrollin e armëve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pritet të nisin më 28 korrik në Vjenë. Përgjatë raundit të parë të bisedimeve muajin e kaluar të dyja shtetet kanë diskutuar për marrëveshjen e fundit mes tyre për këtë çështje, përkatatësisht, Traktatin për Armët e Reja Strategjike, që përcakton se sa koka bërthamore mund të ketë secili shtet. Pas bisedimeve në muajin qershor, i dërguari i posaçëm presidencial për kontrollin e armëve, Marshall Billingslea, pati thënë në një konferencë për media se ai dhe zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, kanë arritur mjaftueshëm përparim, si dhe janë pajtuar për të krijuar disa grupe punuese teknike, teksa synojnë të zëvendësojnë marrëveshjen e vitit 2010, para se të skadojë në shkurt të vitit të ardhshëm. Këto bisedime do të zhvillohen një ditë pas një dialogu njëditor të mbajtur më 27 korrik rreth sigurisë hapësinore, njëherësh i pari i një formati të tillë mes dy shteteve prej vitit 2013. Në të, Shtetet e Bashkuara kanë propozuar rregulla për sjellje të përgjegjshme në Hapësirë, të cilat do të krijoheshin bazuar në rregullat ekzistuese të luftës, duke marrë për bazë parimet si proporcionaliteti dhe njerëzimi.

 

SHBA-ja mbyll konsullatën në Çengdu teksa rriten tensionet me Kinën

Stafi diplomatik amerikan është larguar dje nga konsullata në qytetin kinez, Çengdu, pas përfundimit të afatit prej 72 orësh. Kina ka urdhëruar mbylljen e kësaj zyreje në përgjigje të vendimit amerikan për mbyllje të konsullatës kineze në Hjuston, Teksas, javën e kaluar, pas pretendimeve se ky objekt është shfrytëzuar si qendër për spiunim. Para përfundimit të afatit të fundit të djeshëm, stafi është parë duke u larguar nga ndërtesa, pllaka në hyrje është larguar dhe flamuri amerikan është ulur poshtë. Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se stafi kinez ka hyrë në ndërtesë pas përfundimit të afatit të fundit. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë: Konsullata ka qenë në qendër të marrëdhënieve tona me njerëzit në Kinën Perëndimore, duke përfshirë Tibetin, për 35 vjet. “Ne jemi të zhgënjyer nga vendimi i Partisë Komuniste të Kinës dhe do të tentojmë të arrijmë te njerëzit e këtij rajoni të rëndësishëm përmes qendrave tjera në Kinë”. Teksa konsullata amerikane është mbyllur, në afërsi janë parë turma njerëzish që kanë mbajtur flamurin kinez dhe kanë bërë fotografi. Tensionet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë përshkallëzuar për një varg çështjesh: Konsullata në Çengdu – e themeluar më 1985 – ka përfaqësuar interesat amerikane në një varg çështjesh në jugperëndim të Kinës, duke përfshirë edhe rajonin autonom të Tibetit, ku ka pasur presion të vazhdueshëm për pavarësi. Pjesa më e madhe e misionit diplomatik, me më shumë se 200 punëtorë, ka qenë e punësuar në nivel lokal. Për shkak të industrisë dhe rritjes së numrit të shërbimeve, Çengduja konsiderohet nga SHBA-ja si ofruese e mundësive për eksport të produkteve bujqësore, veturave dhe makinerisë. Pas mbylljes së këtij misioni, SHBA-ja do të ketë katër konsullata në territorin kinez, si dhe ambasadën në Pekin. Ajo po ashtu ka edhe një konsullatë në Hong Kong, në ish-koloninë britanike.

 

Kina akuzon Zelandën e Re për shkelje të ligjit ndërkombëtar

Kina ka akuzuar Zelandën e Re për shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi kjo e fundit ka pezulluar traktatin e saj për esktradim me Hong Kongun dhe ka rritur kontrollet në mallrat ushtarake të eksportuara me këtë shtet. Ndryshimet janë bërë pas vendimit të Kinës për të miratuar ligjin për siguri kombëtare për Hong Kongun, ka thënë ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters përmes një deklarate. “Rruga e Kinës drejt ligjit të ri për siguri kombëtare ka shkatërruar parimet për sundim të ligjit, ka dëmtuar organizimin ‘një shtet, dy sisteme’, mbi të cilin bazohet statusi unik i Hong Kongut si dhe ka shkuar kundër përkushtimeve që i ka bërë Kina për komunitetin ndërkombëtar”. Zelanda e Re “nuk mund të besojë më” se sistemi i drejtësisë penale në Hong Kong është mjaftueshëm i pavarur nga Kina, ka thënë Peters. Megjithatë, ambasada kineze në Zelandën e Re e ka cilësuar vendimin “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë një zëdhënës përmes një deklarate.

 

Nesër mot me diell dhe tejet i nxehtë

Sot në Mal të Zi mban mot me diell . Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme.Temperaturat në orën 14 u shënuan; Podgoricë e H.Novi 35 gradë, Cetinë 33, Ulqin e Nikshiq 32, Budvë e Petrovac 31, Tivar 30, B.Pole,Shavnik e Andrievicë 29, Plevle , Pluzhinë, Beranë e Rozhajë 28, Guci 27, Kollashin 26 dhe në Zhablak 23 gradë.

Për nesër metereologërt parashohin të mbajë mot me diell dhe tejet i nxehtë. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme.Temperatura e mëngjesit do të sillet prej 9 deri në 25 kurse më e larta e ditës prej 24 deri në 40 gc.

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се