Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

24. 06. 2020. 17:28   >>  17:37

Ditari 24.06.2020

24.06.2020

Do të luftojmë për çdo vend pune në Mal të Zi

Kryeministri Dushko Markoviq ka theksuar se Mali i Zi në kohën e pandemisë së korona virusit do të luftojë dhe do të ngadhënjej mençuria dhe potencial ekonomik dhe do të luftojë për çdo vend pune në çdo cep të Malit të Zi. Markoviq gjatë orës së kryeministrit duke u përgjigjur në në pyetjen e deputetit të PDS, Andria Nikoliq, ka deklaruar se Mali i Zi e ka filluar luftën kundër koronavirusit me kohë që në muajin janar. Kemi arritur, ka theksuar kryeministri, “të pengojmë përhapjen e virusit dhe ta eliminojmë atë”. Siç ka theksuar me veprimtari të përbashkët, Mali i Zi ka rritur rezultate të mira të vlerësuara edhe jashtë kufijve. Deputetin e FD Nebojsha Medojeviq e ka interesuar nëse deklaratat e disa ministrave mund të kuptohen si mirënjohje për qeverinë se modeli ekonomik neoliberal, ka pësuar disfatë duke shkaktuar korrupsion ekonomik, varfëri, pabarazi ekstreme sociale, borxhe të mëdha dhe disfatë të financave publike. Markoviq me këtë rast ka kumtuar se prej vitit 2007 rritja mesatare reale ekonomike ka qenë 2.8%, kurse rritja kumulative 42.4%. Bruto prodhimtaria e brendshme, siç ka kumtuar Markoviq, është më tepër se dyfishuar. “Të ardhurat për kokë të banorit prej rivendosjes së pavarësisë janë rritur 2.2 herë”, ka theksuar Markoviq duke shtuar se janë rritur edhe të ardhurat mesatare në republikë. Disa rroga të menaxherëve në kompanitë në të cilat shumicën e pronësisë e ka shteti janë tejet të larta krahasuar me rrethanat në të cilat jetojmë, ka deklaruar kryeministri Dushko Markoviq, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të Partisë Socialdemokratike, Rashko Konjeviq, duke shtuar se do të insistojë që ligjit të zbatohet njësoj për të gjithë. Genc Nimanbegu nga Forca e pyeti kryeministrin se sa është i kënaqur me punën dhe rezultatet e Qeverisë gjatë tërë mandatit në fushën e avancimit të drejtave dhe të pozitës së popujve pakicë në realizimin e dispozitave kushtetuese nga neni 79 i Kushtetutës së Malit të Zi. Markoviq u përgjigj se edhe pse Mali i Zi është shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë, duhet biseduar edhe për mundësitë e avancimit të kushteve për fuqizimin e realizimit të të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive nacionale në Mal të Zi. Siç tha Markoviq, Qeveria me përkushtim punon për afirmimin e të drejtave të pakicave, kurse institucionet janë garant i respektimit të të drejtave të pakicave në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet. “Qeveria në këtë mandat ka sjellë strategjinë për politikën e pakicave 2019- 2023, si dokument me të cilin janë definuar masat për avancimin e mëtejmë të pozitës së pakicave në Mal të Zi”, theksoi Markoviq. Ai rekomandoi se shteti mbetet garant i respektimit të drejtave të pakicave si vlera themelore të Malit të Zi demokratik dhe evropian.

Kuvendi e ka miratuar rebalancin e buxhetit

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë miratuar mbrëmë ndryshimet dhe plotësimet e ligjit e buxhetit për këtë vit, me të cilat Qeveria duhet të sigurojë mjete stabile deri në fund të vitit, por edhe të krijojë parakushte juridike për huazime plotësuese. Për rebalanc të buxhetit kanë votuar 42 deputetë të koalicionit në pushtet, kurse nuk ka pasur vota kundër dhe as të përmbajtur. Ministri i financave Darko Radunoviq duke ua arsyetuar deputetëve rebalancin e propozuar ka theksuar se rënia reale e Bruto prodhimtarisë së brendshme në Mal të Zi në këtë vit vlerësohet 6.8%, kurse në vitin e ardhshëm pritet rritje e pjesërishme e ekonomisë për 4.9%. Të ardhurat burimore të buxhetit , siç ka shtuar do të jenë 17% më të ulëta dhe ato do të jenë 1.7 miliard euro ose 37% të Bruto prodhimtarisë së brendshme. Genc Nimanbegu nga klubi i partive boshnjake, shqiptare dhe kroate ka theksuar se rebalanci i propozuar duhet të jetë i tillë me qëllim që barrën e krizës të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ta ndajnë së bashku të gjithë, respektivisht punëtorët dhe punëdhënësit, por vende e punës duhet të ruhen, ka theksuar Nimanbegu. Ministri i financave Darko Radunoviq ka theksuar se Qeveria me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të ligjit për buxhetin për këtë vit do të duhej të sigurojë mjete të mjaftueshme deri në fund të vitit si dhe një dozë të caktuar të rezervave buxhetore.

Mali i Zi është i ballafaquar me presione jo principiele ndaj sovranitetit

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Ivan Brajoviq në mbledhjen e Asamblesë parlamentare të procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore ka theksuar se Mali i Zi po ballafaqohet edhe me një sfidë tejet serioze – me presione jo principiele ndaj sovranitetit tonë në sjelljen e vendimeve dhe realizimin e prioriteteve të parapara evropiane, me qellim të nxitjes së përçarjeve dhe tensioneve. Ai edhe njëherë ka theksuar se Mali i Zi sot ka forcë dhe kapacitet që tu kundërvihet të gjitha sulmeve dhe presioneve duke vazhduar rrugën e caktuar më parë, duke pasur parasysh, para së gjithash, qytetarët e vetë dhe interesat nacionale. Brajoviq ka folur sot në video seancën e Asamblesë parlamentare të procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore i cili tubon 13 shtete të rajonit. Temë e seancës së sivjetme ka qenë, “Gjasat për bashkëpunimin rajonal në epokën pas pandemisë, koha për integrim edhe më të madh”. Kryetari i Parlamentit i ka ftuar kolegët nga BE që edhe përkundër të gjitha sfidave dyert e BE ti mbajnë të hapura për vendet e Evropës jug lindore sepse ky është interes i përbashkët politikë, ekonomik dhe i sigurisë.

Kapitulli 8 do të hapet me 29 qershor

Mali i Zika marr dritën jeshile nga shtetet anëtare të BE për hapjen e kapitullit të fundit, VIII– konkurrenca. Gazeta “Pobjeda” bëhet me dije se Konferenca qeveritare në të cilën ky kapitull do të hapet edhe zyrtarisht do të mbahet me 29 qershor, sipas të gjitha gjasave në formën e video konferencës. Kryeministri Dushko Markoviq ka theksuar se me hapjen e kapitullit VIII, Mali i Zi ka vërtetuar se është shtet më me perspektivë dhe shteti më afër anëtarësimit në BE. Mbi propozimin për hapjen e kapitullit të fundit negocues me Malin e Zi pozitivisht janë deklaruar përfaqësuesit e shteteve të BE në grupin punues të Komisionit për zgjerim, kurse sot atë duhet ta vërtetojë edhe Këshilli i përfaqësuesve të përhershëm të shteteve anëtare të BE në Bruksel.

Edhe sot pati tensione para Komunës së Budvës

Nëpunësit e sigurimit privat nuk u kanë lejuar funksionarëve të shkarkuar Marko Careviq dhe Krsto Radoviq që të hyjnë në ndërtesën e Komunës së Budvës. Para ndërtesës janë tubuar numër i madh i qytetarëve dhe është shtuar dukshëm prania e policëve. Pjesëtarët e policisë malazeze gjenden para ndërtesë së Kuvendit të Budvës, kurse brenda në ndërtesë u lejohet hyrja vetëm personave të cilët gjenden në listën të cilën ua ka dorëzuar Vlladimir Bullatoviq, të cilin shumica prej 17 këshilltarëve e ka zgjedhur kryetar të Komunës. Siç njofton ekipi i TVMZ nga terreni, disa individë janë përpjekur të hyjnë në lokalet e komunës në hyrjen dytësore, por policia ka intervenuar duke i penguar në qëllimin e tyre. Funksionarët e FD dhe të Demokratëve, së bashku me qytetarët e tubuar u përpiqen ta bindin policinë që tua lejojë hyrjen në ndërtesë. Deputeti në Kuvendin e Malit të Zi Sërgjan Miliq ia ka tërhequr sot vërejtjen këshillit për kontrollin civil të policisë se disa nëpunës policorë të vendosur para ndërtesës së Komunës në Budva nuk i kanë shenjat identifikuese.

Vërtetohen edhe 5 raste të reja me korona virus

Në Mal të Zi janë konfirmuar edhe 5 raste të reja të prekura me korona virus, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Nga ky Institut kanë theksuar se prej dje pasdite është bërë analiza e 69 mostrave, 5 prej të cilave kanë rezultuar pozitiv në Covid-19. Tre nga këta të prekur janë nga Rozhaja dhe nga një në Podgoricë dhe Berana. Përndryshe, në Mal të Zi aktualisht janë aktiv 59 raste me Covid-19, prej të cilëve 22 në Rozhaj, 17 në Podgoricë, nga 4 në Beranë dhe Bjello Pole, në Tivar, Ulqin e Budvë nga 3, në Bjello Pole e Cetinë nga 2 dhe në Danillovgrad 1 individ.

Javët e ardhshme, kritike për frenimin e koronavirusit

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës aktualisht janë të shtrirë 85 pacientë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 2,268 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,108 janë shëruar dhe 38 kanë vdekur. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Tiranë, njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. Në Maqedoninë Veriore, gjatë 24 orëve të fundit nga 1363 testime të realizuara, 118 kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostifikuar me Covid-19 në vend shkon në 5311, prej të cilëve 2048, 251 pacientë kanë ndërruar jetë si pasojë e Covid-19 në disa raste të shoqëruara me sëmundje tjera. Sipas të dhënave të fundit, në Serbi me koronavirus janë të prekur edhe 102 persona. Theksohet se një pacientë e ka humbur betejën me këtë sëmundje, duke e çuar numrin e të vdekurve në 263. gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 6025 mostra, kurse numri i përgjithshëm i rasteve aktive është 775, 19 prej të cilëve janë vendsur në respirator. Zyrtarë të shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara thanë se ka një tendencë shqetësuese të rritjes së rasteve me koronavirus. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, tha përpara një komiteti të Kongresit amerikan se javët e ardhshme “do të jenë kritike” për të frenuar numrin e të infektuarve. Numri ditor i rasteve të reja në SHBA aktualisht qëndron në rreth 30,000, pasi më herët ka rënë në rreth 20,000. Autoritetet në SHBA kanë konfirmuar mbi 2.3 milionë raste me koronavirus dhe mbi 121,000 viktima - më së shumti në botë. Në aspektin global, numri i të infektuarve ka arritur në mbi 9.2 milionë. Prej tyre, mbi 4.6 milionë janë shëruar dhe mbi 477,000 kanë vdekur. Ekspertët e shëndetit thonë se koronavirusi nuk ka gjasa të mposhtet derisa të zhvillohet vaksina.

Presidenca gjermane me BE-në, prioriteti kyç, plani me Macron-in

Kalimi i pandemisë së virusit Corona dhe rimëkëmbja ekonomike në Evropë janë dy çështjet qendrore, me të cilat do të merret Gjermania gjatë kohës që do të kryesojë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, prej 1 korrikut deri me 31 dhjetor 2020. Ky është konstatimi i partive të Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve, në negociatat e Këshillit të koalicionit të zhvilluara në zyrën e Kancelarisë. Kabineti qeveritar pritet te miratojë programin. Gjermania do të angazhohet gjatë kohës së presidencës me gjithë fuqinë për tejkalimin e kësaj pandemie dhe për rimëkëmbjen ekonomike të Evropës. Qeveria gjermane synon të lërë pas këtij mandati një Evropë më inovative, më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Një synim tjetër është edhe një Evropë më e sigurt, ku respektohen vlerat e përbashkëta si dhe një Evropë më të fuqishme në botë. Qëllimi është zbatimi sa më i shpejtë i programit Merkel-Macron. “Ne duam që të tregojmë se presidenca gjermane angazhohet për një Evropë sociale, për një Evropë të bazuar mbi parimet e drejtësisë, për një Evropë të qëndrueshme, me shanset e përbashkëta për të ardhmen”, thuhet në dokument. Për te shmangur pasojat ekonomike të pandemisë Corona në BE, ekziston një propozim i Komisionit të BE për financimin e projekteve ekonomike dhe investigative, me një vëllim prej 750 miliardë eurosh. Prej tyre 500 miliardë euro do të jenë si ndihma për vendet anëtare të BE, ndërsa pjesa tjetër janë kredi. Borxhet duhet të kthehen në buxhetin e BE deri në vitin 2058. Merkel ka deklaruar në një takim me video të premten se programi i ndihmave është një prej sprovave më të mëdha për BE.

Analistët amerikanë mbi takimin Kosovë-Serbi

Shtëpia e Bardhë ka ftuar të shtunën Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuciq për një takim të ndërmjetësuar prej saj, në të cilin SHBA do të përpiqen të rigjallërojnë bisedimet e ngecura për normalizimin mes dy vendeve. Ndërsa takimi i 27 qershorit afron, disa hollësi të rëndësishme janë bërë të ditura. Richard Grenell, i ngarkuari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, thotë se takimi do të përqendrohet te çështjet ekonomike, ndërsa çështjet politike do të lihen për t’u zgjidhur nga Bashkimi Evropian. Disa kanë shprehur dyshimin se takimi në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë më tepër një spektaktakël që administrata të mund ta paraqesë si sukses të saj. Daniel Serwer, i cili ka punuar prej një kohe të gjatë me çështjet e Ballkanit, nuk beson se ndarja e roleve mes SHBA dhe Bashkimit Evropian përsa i takon bisedimeve Kosovë-Serbi është një ide e mirë. Serwer thotë se edhe pse nuk është i kënaqur me gjendjen e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për Ballkanin dhe sidomos për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk do të thotë se amerikanët nuk do të dalin me diçka të rëndësishme në aspektin ekonomik.

Dialogun me Serbinë e udhëheq kryeministri

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në raportimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me dialogun Kosovë- Serbi dhe takimin në Uashington tha edhe njëherë se është ai që do të udhëheq dialogun. Hoti tha se në dialog po hyjnë për njohje reciproke dhe për të siguruar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se parimet për procesi ne dialogut mbështetën në Kushtetutën e vendit. “Dialogu udhëhiqet nga kryeministri i vendit, sepse kështu thotë Kushtetuta e vendit, sepse kështu thotë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit të kaluar. Tani sa i përket parimeve për procesi ne dialogut, janë tre parime të artikuluara në Kushtetutë: E para, që integriteti territorial është i panegociushëm; e dyta, që organizmi kushtetues i vendit është i panegociushëm dhe e treta, që marrëveshja që mund të arrihet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, tha ai. Ndërsa ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka bërë me dije se Kosovës i duhet unitet në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se për këtë proces Kosovës i duhet një delegacion me konsensus më të gjerë sesa qeveria dhe presidenti. Tahiri ka vlerësuar se ShBA-ja dhe BE-ja do ta plotësojnë njëra-tjetrën në fazën finale të dialogut. Sipas saj, delegacioni i Kosovës në këtë proces duhet ta mbrojë shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës. Prishtinë

Vuçiq në Moskë këshillohet me presidentin rus para takimit Kosovë - Serbi në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se mori këshilla të vyera dhe mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, lidhur me çështjen e Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin rus në Moskë, ku po qëndron po ashtu për të marrë pjesë në një parakalim me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Vizita e presidentit serb në Moskë, ndodh në prag të takimit të së shtunës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump. Njëkohësisht Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara prej tij dhe muaji korrik pritet të jetë periudhë bisedimesh. Vuçiç pohon se Beogradi synon të vazhdojë të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e tij me perëndimin në njërën anë dhe Rusinë e Kinën ndërsa synon një marrëveshje me Kosovën, që është kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

 

Rusia mban paradën e fitores në Luftën e Dytë Botërore

Rusia shënon sot Ditën e Fitores me një paradë ushtarake, e cila është dashur të mbahet më 9 maj, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sivjet janë bërë saktësisht 75 vjet prejse Bashkimi i atëhershëm Sovjetik ka mposhtur Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Izolimi në Moskë, për shkak të koronavirusit, është lehtësuar këtë muaj, duke i hapur rrugë edhe organizimit të paradës. Parada përfshiu rreth 14,000 trupa nga 13 vende, më shumë se 200 automjete historike dhe moderne ushtarake dhe 75 avionë. Shumica e trupave në paradë ishin nga Rusia. Për presidentin rus, Vladimir Putin, kjo ngjarje është veçanërisht e rëndësishme këtë vit, pasi mbahet para referendumit të 1 korrikut mbi ndryshimet kushtetuese, që do t’i mundësonin atij mbetjen në pushtet deri në vitin 2036.

 

Nesër mot me vranësira të ndryshueshme

Sot në pjesën më të madhe të Malit të Zi mban mot kryesisht i kthjellët. Frynë erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtime të ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Herceg Novi 30 gradë, Ulqin 29, Budvë e Tivar 27, Cetinë e Nikshiq 26, Bijello Pole 22, Beranë e Plevle 20, Kollashin 19, Rozhaj 18 dhe në Zhablak 14 gradë.

Për nesër në jug dhe viset qendrore parashihet të mbajë mot kryesisht me diell kurse në veri, në orët e pas ditës vranësira graduale dhe me reshje bubullimë lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 7 deri në 20, kurse më e larta e ditës prej 22 deri në 32 gradë celsius.

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се