Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

03. 06. 2020. 17:39 >> 17:56

Ditari 03.06.2020

03.06.2020

Kuvendi vazhdoi punën me përgjigjen e ministrave në pyetjet e deputetëve

Në Kuvendin e Malit të Zi sot vazhdoi mbledhja në të cilën ministrat u përgjigjen në pyetjet e deputetëve. Ministri i jashtëm Srgjan Darmanoviq duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të Frontit Demokratik Millun Zogoviq për përzierjen e Serbisë në punët e brendshme të Malit të Zi, tha se është e vërtetë se ai ka deklaruar një gjë të tillë dhe këtë mund ta vërtetojë edhe tani. Ai tha se një rol të veçantë kanë mediet e regjimit në Serbi, duke shtuar se as në kohën e Millosheviqit nuk ka pasur propagandë mediatike kundër Malit të Zi siç ka tani. Darmanoviq përkujtoi se presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Serbe Irinej, janë takuar për të deklaruar çmos kundër Malit të Zi, gjë që nuk do duhet të jetë punë e tyre.

Brajoviq - opozita në Mal të Zi është e vetëdijshme se koalicioni qeverisës është më i mirë

Kryetari i parlamentit Ivan Brajoviq tha se opozita në Mal të Zi është e vetëdijshme se koalicioni qeverisës është më i mirë sipas të gjitha sondazheve, dhe se nuk ka asnjë legjislacion që mund t'u sigurojë partive opozitare një fitore zgjedhore. Ai konsideron se çështja e kishës duhet të ishte zgjidhur menjëherë pas referendumit duke shtuar se qeveria është e gatshme për bisedime me opozitën, por pa shantazhe. Brajoviq, për programin e mëngjesit,tha se në prag të zgjedhjeve, kurrë nuk ka një pasqyrë idilike midis qeverisë dhe opozitës.

Markoviq bisedoi me ambasadoren e Emirateve të bashkuara Arabe

Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë në një nivel të lartë dhe lidhjet miqësore dhe partneriteti duhet të ngrihen në nivel strategjik si dhe bashkëpunimi ekonomik duhet të forcohet më tej, u vlerësua në takimin e kryeministrit Dushko Markoviq me ambasadoren e sapoemëruar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Nabile Abdelaziz Naser Saed Alshamsi. Markoviq gjatë takimit tha se Mali i Zi, pasi shpalli fundin e epidemisë së koronavirusit, është përqendruar në rimëkëmbjen ekonomike dhe dhe zhvillimit të përgjithshëm. Ambasadorja Alshamsi vlerësoi se Mali i Zi ka një vend të veçantë në politikën e jashtme dhe ekonominë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe se do të bëjë çështë e mundur për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale.

Boshkoviq - në Ushtrinë e Malit të Zi ka pjesëtarë të të gjitha nacionaliteteve

Ministri i Mbrojtjes Predrag Boshkoviq deklaroi sot në Parlament se në Ushtrinë e Malit të Zi ka pjesëtarë të të gjitha nacionaliteteve, ndërsa serbët përbëjnë mbi 20 përqind të tyre. Ai porositi se arma e Ushtrisë së Malit të Zi nuk është drejtuar kundër askujt në vend. Boshkoviq tha se ish komandanti i Aviacionit i cili shkon me mision në Bruksel është serb nga Kragujevci. Po ashtu krye shefi i Shtabit të Përgjithshëm G 1 është serb nga Trebinja. Boshkoviq theksoi se është më me rëndësi që këta kuadro Malin e Zi e ndiejnë si vend të tyre.

Kujoviq - nuk mund të përjashtohet mundësia e një vale e re e sëmundjes gjatë vjeshtës apo dimrit

Megjithëse Mal i Zi dje ka shpallur fundin e epidemisë së koronavirusit në vend, askush nuk mund të përjashtojë mundësinë që një vale e re e sëmundjes të ndodhë gjatë vjeshtës apo dimrit, deklaroi anëtari i Shtabit mjekësor të emergjencës, doktor Aleksandar Kujović. Ai thekson se situata do të varet nga ajo që po ndodh në nivelin global, si dhe nga sjellja jonë. Kujoviq thotë se nuk ka dyshim që një valë të dytë të mundshme do ta presim më mirë sesa të parën falë përvojës por edhe pajisjeve medicinale.

Trupi Koordinues Nacional për fundin e koronavirusit konstatoi se ky është rezultati i përpjekjeve disa mujore i krejt sistemit

Pas miratimit të vendimit për shpalljen e përfundimit të epidemisë së koronavirusit në Mal të Zi, Trupi Koordinues Nacional konstatoi se ky ishte rezultat i përpjekjeve disa mujore nga i gjithë sistemi. Anëtarët e këtij ekipi theksuan se angazhimi cilësor dhe efikas i sistemit shëndetësor dhe stafit operacional është demantimi më i mirë i pretendimeve të pavërteta të bëra nga adresat më të larta në rajon se gjoja në Mal të Zi kryhen testime të shpejta ndaj Kovid 19 dhe se vendi nuk ka laboratorë adekuat dhe resurse për testime. Qytetarët më së mirë e dinë dhe shohin se çfarë është bërë dhe kjo është arsyeja pse ata mbështesin në një përqindje të madhe,pra mbi 90 përqind, gjithçka që kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin Trupi Kordinues nacional dhe Qeveria. Por për opinionin ndërkombëtar ne njoftojmë se Mali i Zi ka laboratorin më modern, ekspertë cilësor dhe organizim të shkëlqyer, deklarohet nga Trupi nacional koordinues.

Shtyhet mbledhja e kuvendit komunal të Budvës

Është shtyrë sot mbledhja e kuvendit komunal të Budvës e cila me procedurë urgjente është caktuar nga kryetari Krsto Radoviq në të cilën do të duhej të debatohet mbi mënyrën se si Ministria e Financave me ndihmën e Gjykatës Ekonomike ka bllokuar llogarinë e komunës në vlerë prej 29.3 milion eurosh. Për shkak të mungesës së kuorumit mbledhja është shtyrë. Për këshilltarët e Partisë Demokratike të Socialistëve kjo mbledhje është thirrur në mënyrë jo ligjore.

Millosh Peruniçiq me prejardhje nga Tivari është vrarë dje në Spanjë

41 vjeçari Millosh Peruniçiq me prejardhje nga Tivari është vrarë dje në Spanjë, jozyrtarisht njoftohet Televizioni i Malit të Zi nga policia malazeze. Motivi i vrasjes tash për tash nuk është i njohur, por hetuesit kanë marrë xhirimet e kamerave si dhe kanë në pyetje disa dëshmitarë. Ndaj Peruniçiqit është shtënë nga një motor në lëvizje me armë automatiku me silenciator,me çrast sulmuesi menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.

 

VOTOHET QEVERIA E RE, AVDULLAH HOTI KRYEMINISTËR i KOSOVËS

Kuvendi i Kosovës ka votuar me 61 vota pro qeverinë e rë të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së. Kësisoj, nga sot e tutje Kosova do të ketë qeverinë e re, përbërja e së cilës është kjo: Besnik Tahiri – Zëvendëskryeministër i parë . Driton Selmanaj – Zëvendëskryeministër. Albulena Balaj – Zëvendëskryeministre. Goran Rakiq – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i pushtetit Lokal. Hykmete Bajrami – Ministre e Financave. Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë. Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës. Agim Veliu – Ministër i Brendshëm. Anton Çuni – Ministër i Mbrojtjes. Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës. Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë. Blerim Kuçi- Ministër i Ekonomisë. Meliza Haradinaj – Ministre e Politikës së Jashtme.Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë. Ramë Lika – Ministër i Arsimit. Skënder Reçica- Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Vesel Krasniqi – Ministër i Tregitsë dhe Industrisë. Enis Kercan – Minisër i Zhvillimit Rural. Dalibor Jevtiq – Ministër për Kthim dhe Komunitete.

 

Thaçi: Votimi i qeverisë së re është një veprim i rëndësishëm për demokracinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ofruar bashkëpunim qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). “Votimi i qeverisë së re është një veprim i rëndësishëm për demokracinë dhe për qytetarët e vendit. Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, ka shkruar presidenti Thaçi. Të drejtën për formimin e qeverisë nga LDK-ja e njohu Gjykata Kushtetuese e Kosovës që shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për formimin e qeverisë së re. Dekretin e presidentit e dërgoi në kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje që pretendonte se nuk kishte shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese për të propozuar mandatarin e ri. Qeveria Kurti u rrëzua në muajin mars pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi në Kuvend.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani deklarohet kundër qeverisë

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryetarja e këtij institucioni, Vjosa Osmani, duke folur për refuzimin e saj që të drejtojë seancën në të cilën u votua qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, tha se kjo qeveri nuk përfaqëson vullnetin qytetar.“Në radhë të parë një qeveri, e cila në tërësi varet nga votat e Listës Serbe, do të thotë nga Beogradi, dhe së cilës votën e 61 ia siguroi presidenti Thaçi në kundërshtim me rolin e tij kushtetues asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar”, deklaroi Osmani. Osmani nuk bëri të ditur nëse do të vazhdojë të mbajë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Në vazhdimësi Osmani ka bërë të ditur se ishte në favor të formimit të një qeverie teknike me mandat gjashtë deri në nëntë muaj dhe shkuarje të vendit në zgjedhje pas pandemisë së koronavirusit.

 

VELIU: DO TË VAZHDOJ PUNËN NË PËRMBUSHJE TË PROGRAMIT TË QEVERISË SË RE

Qeveria Hoti mori besimin e deputetëve të Kuvendit. Me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim. Me votimin e kësaj qeverie, Agim Veliu, i është rikthyer postit të ministrit të Punëve të Brendshme, ndërsa ka thënë që sipas tij, këtë rezultat e ka sjell rrjedha politike. “Unë kam pasë një agjendë një program, sa i takon disa punëve dhe çështjeve që i kam pasë filluar dhe sigurisht do të vazhdoj të punoj në përmbushje të programit të Qeverisë së Re”. Veliu ka thënë se nuk e konsideron këtë si revansh ndaj askujt. “Në politikë jam moti dhe nuk punoj me inate me revanshe. Punoj në zbatim të politikave të subjektit që i takoj. Ata e kanë përdodur si një lloj revanshi ndaj meje, pasi e kanë thënë disa herë që nuk duhet të merrem me atë punë. Jeta është e gjatë, edhe kur dikush mendon që nuk mundesh, ti mundesh”, theksoi Veliu.

 

HAXHIU: PREJ NJË QEVERIE TË POPULLIT, DOLËN TEK NJË QEVERI ILEGALE

Pas votimit të qeverisë së re, ka reaguar edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Qeverinë Hoti, ajo e ka quajtur qeveri ilegale të Thaçit. Sipas saj, kjo qeveri varet drejtpërdrejtë nga Serbia. “Prej një Qeverie të popullit, dolën tek një Qeveri ilegale të Hashim Thaçit dhe e cila varet nga Serbia!”, ka shkruar ajo në Facebook.

 

AMBASADA AMERIKANE: MEZI PRESIM TË PUNOJMË ME QEVERINË HOTI

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka përshëndetur votimin e Qeverisë së re në krye me Avdullah Hotin kryeministër. Kjo ambasadë ka thënë se mezi pret të punojë me Qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë, forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe luftimin kundër Covid-19.

Grenell thotë se mezi pret bashkëpunimin me qeverinë Hoti

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka mirëpritur votimin e qeverisë së re të Kosovës. “Ne e mirëpresim formimin e qeverisë së re dhe mezi presim të bashkëpunojmë për vazhdimin e dialogut me Serbinë”, thuhet në deklaratën e zyrtarit amerikan. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Masa e reciprocitetit është vendosur nga qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Albin Kurti. Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

 

Vuçiq nuk e përjashton mundësinë e rifillimit të dialogut

Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. "Ne do të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e re e Prishtinës, nëse do t'i heqë ato masa", tha Vuçiq gjatë një vizite në Novi Pazar. I pyetur nëse është realiste që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në fund të qershorit, Vuçiqi u përgjigj se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë, heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës. Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Maqedonia e V. raporton për 101 të infektuar dhe 4 të vdekur nga COVID-19

Maqedonia e Veriut sot ka regjistruar 101 të infektuar me koronavirus, që paraqet shifrën më të lartë të të infektuarve që nga fillimi i muajit prill. Autoritetet thanë se janë regjistruar edhe katër viktima nga COVID-19. Viktimat janë nga Shkupi, Kumanova, Prilepi dhe Tetova. "Janë persona kryesisht të moshuar, të diagnostikuar edhe më sëmundje tjera kronike si; diabet, sëmundje të zemrës, tension të lartë e diagnoza tjera", thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik. Shkupi vazhdon të mbetet vatra e rasteve të reja dhe sipas raportit, në kryeqytet janë shënuar 59 raste. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut tani ka arritur në 2,492 prej të cilëve 1,605 janë shëruar, ndërsa 742 raste janë ende aktiv. Komisioni i Sëmundjeve Infektive të enjten do të diskutoj gjendjen pas rritjes së rasteve me Covid-19 dhe nuk e përjashton mundësinë e paraqitjes së propozimit në qeveri për aplikimin e masave kufizuese, në veçanti gjatë fundjavës kur besimtarët ortodoks shënojnë një festë fetare. Megjithatë, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka thënë se virusi për momentin nuk e ka fuqinë e njejtë, si në fillim të pandemisë, dhe se të gjithë të infektuarit janë në gjendje stabile. Ai gjithashtu ka theksuar se numri i lartë i rasteve është edhe si rezultat i numrit të lartë të testeve që po kryhen në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani janë testuar rreth 32 mijë mostra.

 

Italia po rihap kufijtë

Derisa Evropa gradualisht po lehtëson masat e izolimit dhe kufizimet kundër pandemisë, Italia rihapi kufijtë e saj për turistët nga shumica e vendeve të tjera evropiane. Kufizimet e udhëtimit brenda vendit gjithashtu do të shfuqizohen, në mënyrë që njerëzit të lëvizin lirshëm midis rajoneve të ndryshme. Turizmi është jetik për ekonominë e Italisë. Vendi po përballet me recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore.

 

Në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar protestat

Në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar protestat për vrasjen e një afrikano-amerikani në Mineapolis, derisa shumë shtete kanë vendosur masën e shtetrrethimit për të parandaluar trazirat, dhunën dhe plaçkitjet. Dhjetëra qytete përfshirë Nju Jorkun, Los Anxhelosin po zbatojnë masat e shtetrrethimit, ndërsa presidenti Donald Trump po rrit presionin ndaj guvernatorëve për të angazhuar Gardën Kombëtare një ditë pasi ai kërcënoi për ndërhyje të ushtrisë kundër trazirave dhe plaçkitjeve. Në Uashington, automjetet e blinduara ushtarake dhe policia u pozicionuan në rrugët e qytetit.

 

Nesër mot i ngjashëm me të sotmin

Në Mal të Zi mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe vende vende me reshje të dobëta të shiut. Fryn erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan në : Herceg Novi 25, Tivar 23, Ulqin 22, Podgoricë 21, Nikshiq 18, Cetinë 17, Plevle 13, Kollashin 12 dhe në Zhablak 9 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, nga mesi i ditës vende vende edhe me reshje të dobëta të shiut. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende edhe në formë të stuhisë e drejtimeve të jugut dhe juglindjes. Temperatura e mëngjesit prej 3 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 15 deri në 26 gradë.

 

 

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се