Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

23. 04. 2020. 17:18 >> 17:29

Ditari 23.04.2020

23.04.2020

Edhe një rast infektuar me koronavirus

Prej dje pas dite deri sot, laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik e kanë përfunduar analizën e 155 mostrave në mesin e të cilave është zbuluar një infektim i ri me korona virus, është kumtuar nga ky Institut. Fjala është për një të infektuar me vendbanim të përhershëm në Plavë i cili është shtruar në karantinën institucionale në Ulqin dhe i cili në Mal të Zi ka arritur para 13 ditësh. Numri i përgjithshëm i të infektuarve nga fillimi i pandemisë së koronavirusit është rritur në 316. Në Podgoricë ka më së tepërmi të infektuar,161, në Tuz 37, Nikshiq 34, Tivar 32 , Ulqin 22 , Budvë, Plavë e Andrijevicë nga 7, në Bjello Pole e Herceg Novi nga 6 dhe në Danillovgrad e Tivat nga tre persona. Përndryshe në Mal të Zi deri tani nuk ka pasur raste të pacientëve të shëruar më parë që kanë qenë pozitiv me koronavirus, ka deklaruar internisti endokrinolog, Sreten Kavariq. Ai këtë e ka deklaruar duke u përgjigjur në pyetjen e reporterit të ri të UNICEF-it, Agron Gojçaj nga Tuzi. Në pyetjen e Agronit se ç'farë duhet të bëhet, duke pasur parasysh mundësin se edhe pacientët e shëruar mund të transmetojnë koronavirusi, dr. Kavariq e ka sqaruar procedurën e cila e pret çdo pacient të shëruar dhe e cila nënkupton 14 ditë të izolimit shtëpiak dhe ritestimin në korona virus.

Nëse nuk do të respektohen masat, do të kthehen kufizimet

Drejtori i Institutit për Shëndetin Publik, Boban Mugosha ka kumtuar se shpreson se sjelljet e djeshme të qytetarëve janë vetëm reagimi i parë pas një karantine të gjatë dhe se beson se do të respektohen masat e parapara, në të kundërtën, siç ka theksuar ai, do të jenë të detyruar të fusin përkufizime të reja. “Shpresoj se qysh sot do të kthehet një normalitet, sepse nëse qytetarët nuk i respektojnë masat, do të jemi të detyruar që në një masë ti rikthejmë ndalesat e mëparshme. Nuk guxojmë të lejojmë që kontrolli dhe mbikëqyrja ndaj epidemisë të zbutet me qëllim që të mos e paguajmë një çmim dukshëm më të larë“, ka deklaruar ai në Parlamentin e Malit të Zi. Nga Instituti për Shëndetin Publik përsëri kanë apeluar për ruajtjen e distancës fizike, mbajtjen e higjienës dhe shmangien e kontakteve. Të përkujtojmë se Insituti për Shëndetin Publik ka tërhequr vërejtjen se pamjet e mbrëmshme nga rrugët e Podgoricës tregojnë se nuk kemi mësuar sa duhet dhe përsëri apelon në mbajtjen e distancës, higjienës dhe shmangien e kontakteve.

 

Në gjysmën e dytë të majit mund të pritet hapja e objekteve hoteliere

“Qytetarët e Malit të Zi kanë treguar mirëkuptim, durim, patriotizëm dhe solidaritet dhe për këtë jemi krenar”, ka theksuar në deklaratën për gazetën, “Pobjeda” kryeministri Dushko Markoviq, duke komentuar zbutjen e masave të miratuara për shkak të pandemisë së korona virusit. Kryeministri Markoviq u ka rekomanduar përfaqësuesve të turizmit dhe hotelierëve se prej me 4 maj do të krijohen parakushtet për hapjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, kurse për në pjesën e dytë të majit është paraparë mundësia e punës në hotelieri dhe veprimtaritë shërbyese, duke respektuar rregullat dhe procedurat epidemiologjike. “Do ti hapim edhe marinat tona për të gjitha mjetet lundruese dhe kërkoj që prej sot të fillohmë përgatitjet për shfrytëzimin e këtij resursi”, ka theksuar kryeministri, është kumtuar nga Qeveria. Ai ka theksuar se Mali i Zi nuk e ka futur gjendjen e jashtëzakonshme, sepse një gjë e tillë përkufizon, jo vetëm të drejtat dhe liritë, por edhe potencialin krijues dhe ndërmarrës në çdo segment. Mali i Zi dallohet në bazë të rezultateve për pengimin e epidemisë dhe për modelin e menaxhimit të krizës nga të gjitha vendet tjera, ka theksuar Markoviq. Ai ka shtuar se ka fituar informata dhe propozime të mira dhe se ato do të analizohen me kujdes në Qeveri dhe në Ministrinë e turizmit.

Përmes bashkëpunimit rajonal kundër përhapjes së infektimit

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi, beson se situata e pandemisë me koronavirus është gjithënjë e më e mirë dhe se shifrat inkurajojnë.”Kështu brenda një të ardhmeje pritet fillimi i procesit të hapjes së ekonomive dhe i shoqërive”, ka deklaruar për gazetën,“Dan”, ambasadori Kurtezi. “Vetëm së bashku do ta mposhtim virusin dhe pasi ta mundim këtë epidemi, do të duhet të mendojmë se si kjo sëmundje është paraqitur dhe i ka përhapur efektet e veta devastuese në tërë botën dhe si të gjithë të prekurit janë përgjigjur ndaj kësaj krize. Tani është koha për unitet, që Bashkësia ndërkombëtare të solidarizohet në zhdukjen e këtij virusi dhe në zbutjen e pasojave të tij. Për fat të keq kjo ka mund të ndodh edhe më shpejt dhe në mënyrë më efikase”, ka theksuar Kurtezi.

 

Mali i Zi ka reaguar shpejt, Tramp as tani nuk është efikas sa duhet

“Mali i Zi në luftën kundër pandemisë së korona virusit është njëra nga vendet më efikase i cili ka shënuar rezultate të mira nga fakti se ka reaguar shpejt”, ka deklaruar profesori i Universitetit Xhon Hopkins, Daniell Server. Duke folur për implikimet e korona virusit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ai në emisionin në Televizionin e Malit të Zi ka theksuar se vëmendja e akterëve global në Uashington dhe në Bruksel është transferuar nga Ballkani në pjesët tjera të Evropës. “Kemi parë se si kanë reaguar i deleguari amerikanë Grenell në Kosovë, mirëpo, ai këtë e ka filluar para pandemisë, kështu që mendoj se aktualisht për Uashingtonin, Ballkani nuk është prioritet. Nëse flasim për këtë pjesë të botës, mendoj se do të jetë e rëndësishme se çfarë ndoll në Ukrainë por edhe në Hungari me ligjet e reja. Po ashtu do të jetë me rëndësi edhe situata në BE pas pandemisë”, ka theksuar Server. Ai ka shtuar se shtetet duhet të hapen vetëm pas kontrollimit të pandemisë me këtë virus, por siç ka theksuar, Qeveria amerikane për momentin nuk e ka nën kontroll virusin Covid-19.

Britania e Madhe i dhuron Ushtrisë malazeze pajisje mbrojtëse

Ushtria e Malit të Zi ka fituar nga kolegët nga Britania e Madhe kostume mbrojtëse e cila ekipet për dekontaminim, i cili gjendet në terren i duhet për së tepërmi, është kumtuar nga Ministria e mbrojtjes. Nga kjo ministri e kanë falënderuar Ambasadën e Britanisë së Madhe në Mal të Zi dhe e ambasadoren Alison Kemp për kontributin e rëndësishëm në luftën kundër Covid-19. Ministri i mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, ka deklaruar se Mali i Zi ka miq dhe aleatë të mëdhenj. “Britania e Madhe e cila po ashtu ballafaqohet me Covid-19, e ndihmon Malin e Zi dhe ushtrinë e saj. Falënderim për Alison Kemp, dhe ambasadën britanike për kontributin e dhëne”, ka shkruar Boshkoviq në Twiter. Nga ambasada e Britanisë së Madhe në Mal të Zi kanë deklaruar se bashkëpunimi ushtarak ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë.

 

Inicohet fushata onlain “BE në shuplakë”

Delegacioni i BE në Mal të Zi dhe Info Qendra e BE, kanë nisur fushatën onlain me titull “BE në shuplakë”, e cila u mundëson qytetarëve që periudhën e krizës të shkaktuar nga pandemia nga Covid- 19 ta tejkalojnë me më pak frikë dhe shqetësime më të vogla. Nga delegacioni i BE është kumtuar se pandemia e Covid-19, e ka ndryshuar jetën e të gjithë qytetarëve dhe se ata, tani më tepër se askurrë më parë, kohën e kalojnë të mbyllur në shtëpitë e veta, në internet, duke kërkuar përmbajtje të cilat do tu ndihmojnë në plotësimin e kohës së lirë. Për këtë arsye, delegacioni i BE në Mal të Zi dhe Info Qendra e BE kanë nisur onlain fushatën me titull simbolik,“BE në shuplak”, e cila mund tu ndihmojë qytetarëve që këtë periudhë ta kalojnë me më pak stres dhe më pak shqetësim”, thuhet në kumtesën e BE.

 

Banka Qendrore shqyrton mundësin e futjes së masave shtesë

Banka Qendrore e Malit të Zi shqyrton edhe futjen e masave shtesë me qëllim të dhënies së përkrahjes për qytetarët dhe ekonominë me ç'gjë ndikimi negativ i koronavirusit për qytetarët dhe afaristët si dhe për sistemin e përgjithshëm financiar të Malit të Zi do të zbutej dukshëm. Shqyrtohet edhe sigurimi i qasjes më efikase dhe katalizimi i linjave më të volitshme kredituese e sistemit financiar nga ana e Bankës Evropiane për zhvillim dhe rindërtim, për klientët ekzistues dhe klientët e ri, nga sistemi bankar i Malit të Zi nga paketa e re e solidaritetit e cila kap shumën e 3 miliardë dollarëve. Siç është kumtuar nga Banka Qendrore, Mali i Zi është njëra ndër vendet e radha në botë e cila e ka miratuar moratoriumin dhe llogaritja e kamatave gjatë kësaj kohe do të zbatohet në formën identike si edhe në juridiksionet tjera.

 

“Vendimet e seancës së fundit juridikisht të pa vlefshme”

“Për shkak të mënyrës së organizimit të punës të Kuvendit të Malit të Zi, vendimet e seancës së fundit juridikisht janë të pa vlefshme”, kanë kumtuar nga Mali i Zi Demokratik. Ata kanë vërtetuar se për shkak të ndarjes së deputetëve nëpër salla është penguar zbatimi i plotë dhe konsekuentë i rregullave të deputetëve. Demokratët pohojnë se organizimi i punës së Kuvendit është në shpërputhje me rregulloren. Ata konsiderojnë se seanca ka pasur mundësi të organizohet sipas shembullit të përvojave rajonale dhe evropiane në një sallë, siç janë sallat e hoteleve ose të qendrave sportive.

 

Do t’i mbështesim bujqit e Malësisë

“Qytetarët iu përgjigjën mirë zbutjes së masave, erdhi paksa lehtësimi për të gjithë, por u kemi sqaruam atyre se është e rëndësishme që të vazhdojnë të zbatojnë të gjitha masat që kanë të bëjnë me distancën dhe higjienën, kështu që njerëzit janë përgjithësisht të kujdesshëm dhe i përmbahen asaj”, tha kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj në emisionin e mëngjesit në “TV Vijesti”. Siç tha ai, për kontrolle më të rrepta nuk ishte nevoja as gjatë masave më të rënda, por qytetarët iu përgjigjën mirë apelit dhe komunikimi me ta funksionon në parimin e marrëveshjes. “Masat e ndihmës që kemi kërkuam nga Qeveria kryesisht përqendrohen në bujqësi, pasi një numër i madh i qytetarëve të komunës së Tuzit janë të angazhuar në këtë aktivitet”, shtoi Gjeloshaj, duke thënë se gjatë karantinës, qytetarët nuk kanë mundur të punojnë në tokat e tyre, gjë që reflektohet në produktet e tyre por edhe në mundësitë e shitjes dhe në çmime. Gjeloshaj theksoi rregullisht i përcjellin ngjarjet në komunë, në mënyrë që të paktën përafërsisht të vlerësohen dëmet që ekzistojnë, por që tani është shumë e vështirë. Gjeloshaj tha se do të bëjnë rebalancin e buxhetit të komunës, dhe do të mundohen të gjenden në të fondet për të ndihmuar bujqit.

 

 

Integrimi i plot në BE është çelës i stabilitetit dhe i zhvillimit

“Mali i Zi vazhdon të jetë faktor konstruktiv dhe do ti ofrojë përkrahje dialogut dhe misionit të plotë të përfaqësuesit special të BE Mirsllav Llajçak”, ka deklaruar presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Siç theksohet në Twiterin e tij, zgjidhja e çështjeve të hapura dhe integrimi i plotë në BE është çelës i stabilitetit dhe i zhvillimit të rajonit në përgjithësi, por edhe me rëndësi të madhe për vetë BE. Llajçak është përfaqësuesi special i BE për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për çështje të tjera rajonale në Ballkanin perëndimorë.

Vdes edhe një pacient me koronavirus në Kosovë

Klinike Infektive në Prishtinë ka njoftuar për vdekjen edhe të një pacienti i prekur nga koronavirusi i ri. Kjo është vdekja e 19-të që regjistrohet si pasojë e koronavirusit në Kosovë. Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 630 persona. Nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus janë shëruar 138 persona. Me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar për 41 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ndërkohë që nuk janë regjistruar viktima. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 1,300 ndërsa i të vdekurve mbetet në shifrën 56. Kurse sipas Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, deri sot në total në të gjithë vendin janë 663 të prekurit nga COVID 19. Po sot parlamenti votoi në favor të kërkesës së Qeverisë për të shtyrë deri më 23 qershor Gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Opozita e ka kritikuar këtë kërkesë duke qenë se sipas saj Kushtetuta nuk lejon afat më të gjatë se 30 ditë.

Bota e mbërthyer nga koronavirusi

Koroanvirusi po rrit shqetësimin e përhapjes në gjithë botën me shpejtësi. Në botë numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi është mbi 2.6 milionë kurse numri i atyre që kanë humbur jetën është rritur në më shumë se 183 000. Në SHBA u regjistruan 1738 vdekje nga Covid në 24 orët e fundit, duke e rritur numrin e viktimave në mbi 46.500 që nga shpërthimi i pandemisë kurse numri i përgjithshëm i infeksioneve është rreth 840 000. Ndërsa në Kinë për të tetën ditë me radhë nuk janë raportuar viktima të koronavirusit kurse rastet e rinj pozitiv kanë rënë nën shifrën dhjetë, gjashtë prej të cilëve janë raste të importuara. Në Spanjë deri më tani janë regjistruar mbi 208 mijë raste infeksioni dhe më shumë se 21 700 vdekje. Në Francë, epidemia e COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e 21 373 personave që nga fillimi i pandemisë. Aktualisht, ka 5 218 pacientë në kujdesin intensiv, gati 2 000 më pak se dy javë më parë. Ndërkohë numri i përgjithshëm i personave të testuar pozitiv nga koronavirusi është mbi 157 mije infeksione. Turqia konfirmoi 117 viktima të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19) gjatë 24 orëve të kaluara, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 2.376. Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Turqi ka shkuar në 98.674, pasi 3.083 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë në virusin.

 

Gati gjysma e viktimave me Covid-19 janë regjistruar në shtëpi kujdesi

Pothuajse gjysma e të gjithë personave që kanë vdekur nga koronavirusi në Evropë kanë qenë banorë të shtëpive të kujdesit, ka thënë drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Evropë, Hans Kluge. Ai ka thënë sot në një konferencë për media se “ka të dhëna shqetësuese” për ata që jetojnë në shtëpi kujdesi. SHBA-ja regjistroi 1 738 të vdekur si pasojë e koronaavirusit të ri, një bilanc në rënie në raport me një ditë më parë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Ky bilanc ditor e çon në 46 583 numrin total të të vdekurve që prej fillimit të pandemisë në SHBA, zyrtarisht vendi më i prekur nga COVID-19 në botë. Si pasojë e këtij virusi deri më tani në gjithë botën janë infektuar mbi 2.6 milionë persona derisa mbi 180,000 kanë vdekur. Kancalarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se kontrollimi i koronavirusit të ri, përbën sfidë të madhe për kohezionin e Evropës. “Kjo është sfida më e madhe prej Luftës së Dytë Botërore, për jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë”, ka thënë ajo para Parlamentit gjerman. Instituti gjerman, Robert Koch ka konfirmuar për 145,694 persona të prekur dhe 4,879 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri në Gjermani.

 

BE-ja diskuton planin e rimëkëmbjes pas koronavirusit

Liderët evropianë zhvillojnë një video-samit, për të diskutuar përgjigjen e përbashkët financiare ndaj recesionit ekonomik që po afrohet si pasojë e koronavirusit të ri. Ata pritet t’i kërkojnë Komisionit Evropian, që të propozojë një Fond të Rimëkëmbjes, i cili do të shënjestrojë sektorët dhe rajonet më të prekura nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi. “Unë propozoj që t’i kërkojmë Komisionit të analizojë nevojat e sakta, dhe të prezantojë një dokument që bashkon të gjitha sfidat me të cilat po përballemi”, ka thënë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Bazuar në disa propozime, shuma e Fondit në fjalë mund të shkojë nga 1 deri në disa trilionë euro. Megjithatë ende nuk është bërë e qartë se si do të mbushet ky Fond, në formë të kredive apo granteve.

 

Avdullah Hoti, kandidat i Lidhjes Demokratike për kryeministër të Kosovës

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, propozoi sot Avdullah Hotin kandidat për formimin e qeverisë së re. Propozimi u hodh pak pasi që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i kërkoi kësaj partie emrin e mandatarit të ri, një ditë pasi që kishte paralajmëruar se do t’i jap mandatin kujtdo që dëshmon se ka shumicën në parlament. Knadidati për kryeministër, Hoti, tha se sfida e parë që do të përballet Qeveria e re e Kosovës, do të jetë pandemia Covid-19. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha ky vendim i presidentit Thaçi, për t’i dhënë mandatin kujtdo që dëshmon se ka shumicën në parlament, rrezikon seriozisht rendin kushtetues të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje që kërkon zgjedhje të reja pas pandemisë. Të gjitha partitë politike mbështesin formimin e qeverisë dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme përveç Lëvizjes Vetëvendosje e cila edhe takimin e cilësoi si jo kushtetues. Partitë tjera politike përfshirë edhe ato të pakicave kombëtare u shprehën kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe në favor të formimit të një qeverie të re.

 

Nesër fillon Ramazani

Muaji i shenjt islamik i Ramazanit fillon nesër, kurse besimtarët do ta kalojnë atë në agjërim, lutje dhe falje. Ramazani është muaji i 9 i kalendarit myslimanë dhe fillimi i tij shënohet me dukjen e gjysmë hënës. Ky është muaji gjatë të cilit, siç besohet, ka filluar predikimi i Kuranit. Besimtarët, gjatë 30 ditëve të Ramazanit janë në agjërim duke u përmbajtur nga marrja e ushqimit dhe e ujit, por ndalohet edhe pirja e duhanit dhe çdo sjellje që nuk është në pajtim me dispozitat e Allahut. Agjërimi i Ramazanit fillon herët në mëngjes dhe zgjatë deri në perëndim të diellit kur edhe përgatitet iftari dhe pastaj lejohet marrja e ushqimit dhe e pijeve gjatë tërë natës. Gjatë Ramazanit besimtarët do të duhej të vizitojnë të afërmit, fqinjët, vëllezërit sipas fesë si dhe të vizitojnë të sëmurit dhe tu ndihmojnë të varfërve dhe skamnorëve. Pas agjërimit të Ramazanit, me 24 maj kremtohet për tri ditë Bajrami i Ramazanit.

 

Si asnjë herë më parë të ndiqen urdhërimet e fesë dhe të shkencës

Besimtarët e konfesionit mysliman në kohën kur e tërë bota po ballafaqohet me pandeminë e sëmundjes infektuese e cila kërcënon shëndetin dhe jetën njerëzore, më tepër se askurrë më parë duhet tu përmbahen rregullave të fesë dhe të shkencës, ka kumtuar Reisi i Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq. Ai në mesazhin e vetë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, ka theksuar se ky është muaji i fitores mbi frikën, i faljes ndaj mëkatit, i shpëtimit ndaj sfidave. Fejziq ka theksuar se Ramazani gjithnjë përkujton se përmbajtja dhe durimi janë rruga më e mirë drejtë suksesit dhe arritjes së mëshirës së Zotit. Ai ka përkujtuar se besimtarët këtë Ramazan e presin në mungesë të riteve fetare nëpër xhami, teravi dhe tubime për iftar. “Kjo nuk është një zgjidhje e gjeneratës sonë por e fatit i cili na ka takuar. Ta shfrytëzojmë këtë kohë në vetmi për tu takuar me krijuesin e botëve të dukshme dhe të pa dukshme. Çdo gjë në botë është kalimtare, edhe kjo do të kalojë”, ka theksuar Fejziq.

Edhe nesër mot kryesisht me diell

Në Mal të Zi sot mban mot kryesisht i kthjellët, deri me vranësira të pakta lokale. Fryn erë e dobët nga drejtimet e ndryshme, vende vende deri e mesme veriore dhe verilindore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 21 gradë, Podgoricë, Herceg Novi e Budvë 20, Tivar 19, Beranë, Nikshiq e Bijello Pole 17, Plevle e Cetinë 16, në Plavë 15, Kollashin 14, Rozhajë 13 dhe në Zhablak 10 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -2 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 23 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се