Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

07. 04. 2020. 16:27 >> 16:41

Ditari 07.04.2020

07.04.2020

Edhe gjashtë raste të reja me COVID-19 në Mal të Zi

Në Mal të Zi prej dje deri sot në ore 8 e30 të mëngjesit janë konfirmuar edhe 6 raste të reja të koronavirusit duke e çuar numrin e të infektuarve në 239. Këto raste janë zbuluar pas analizave të 104 mostrave. Theksohet se sapo të prekurit janë 3 në Podgoricë, në Nikshiq 2 dhe në Tivar një rast. Të gjithë këta kanë pasur kontakte me personat e prekur më parë, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Më së tepërmi raste të konfirmuara ka në Podgoricë, 118, në Tuz 34, në Nikshiq 30, Tivar 20. Në Ulqin janë regjistruar 9 raste, në Andrivicë 7, në Bjello Pole e Herceg Novi nga 6, në Budvë 4, në Danillovgrad 3 dhe në Tivat 2 raste. Tre pacient në Qendrën Klinike të Mallit të Zi janë të vendosur në respirator, ka kumtuar drejtori i këtij institucioni Jevto Erakoviq. Ai ka shtuar se aktualisht në Qendrën Klinike gjenden 19 pacientë të cilët shërohen nga infektimi me virusin korona, duke shtuar se dje janë dalë nga spitali tre pacient të shëruar nga infektimi me këtë virus. “Presim që deri në fund të javës të çojmë në shtëpi edhe 5 pacient të tjerë“, ka theksuar Erakoviq.

Dita Botërore e Shëndetit shënohet përmes përkrahjes së grave në sektorin e shëndetësisë

Situata aktuale epidemiologjike e shkaktuar nga koronavirusi vërteton se infermieret, përmes ofrimit të shërbimeve të cilësisë së lartë, realizojnë role shumë të rëndësishme në parandalimin e infektimeve dhe në shërimin kompetentë të infektuarve, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Nga ky Institut, me rastin e 7 prillit – Ditës botërore të shëndetësisë, e cila këtë vit u është kushtuar infermiereve, kanë theksuar se përvojat e të gjitha shteteve tregojnë se ato mundësojnë që sistemet shëndetësore të realizojnë rolin e vetë të plotë në procesin e ruajtjes së shëndetit, pengimit dhe zbulimit me kohë dhe definitivisht të shërimit të sëmurëve si dhe bëjnë të mundur rehabilitimin e të prekurve. Siç kanë deklaruar nga Instituti për Shëndetin Publik, në Mal të Zi punojnë 3 mijë e 51 infermiere, 84% prej të cilave janë gra dhe 251 mami. Ndërsa, programi për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore i Kombeve të Bashkuara “UN Women” ka lansuar fushatën “Të mbështesim infermieret dhe mamitë.” Përmes një njoftimi të zyrës së kësaj organizate, bëhet e ditur se fushata është realizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Fondin për Popullatën të Kombeve të Bashkuara (UNFPA). “Duke pasur parasysh situatën e pandemisë COVID-19 me të cilën po ballafaqohet e tërë bota, këtë vit Dita Botërore e Shëndetit ka për qëllim lartësimin e rolit jetësor të cilin e kanë punëtoret shëndetësore në luftën ndaj pandemisë”, thuhet në njoftim. Fushata organizohet në tërë botë me rastin e 7 prillit, Ditës Botërore të Shëndetit. “Në këtë kohë të pandemisë, mjekët, infermierët, mamitë dhe punëtorët e tjerë të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën po rrezikojnë mirëqenien e tyre për t'u kujdesur për të gjithë ne. Sot, në Ditën Botërore të Shëndetit ju falenderohemi atyre”, thuhet në njoftimin e organizatës. Në të gjithë botën, llogaritet se rreth 70 për qind e punonjësve të sektorit shëndetësor dhe shërbimeve sociale janë gra.

 

Me mend dhe me punë të përkushtuar së bashku me qytetarët e MZ

Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq u ka dërguar qytetarëve mesazh inkurajimi në këto ditë të vështira kur e tërë bota po lufton me pandeminë e koronavirusit të ri. Ai të prekurve nga ky virus u ka dëshiruar shërim të shpejtë. Çdo njeri, siç ka theksuar kryeministri, është një vlerë e madhe për Malin e Zi. “Andaj të gjithë të prekurve nga virusi Covid-19, në mesin e të cilëve edhe 37 fëmijë, u drejtoj mesazh inkurajimi me dëshirë që sa më parë të shërohen”, ka shkruar Markoviq në Twiter. “Edhe pse çdo ditë luftojmë për ndaljen e përhapjes së epidemisë, të gjitha mendimet tona si dhe përkushtimi i mjekëve dhe i punëtorëve shëndetësorë janë me ju në çdo moment”, ka kumtuar Markoviq.

Penalizohen individ të cilët i kanë shkelur masat e ndalim daljes nga shtëpitë

Policia ka penalizuar 33 individë për shkak të shkeljes së masës të ndalim daljes nga objektet banesore prej orës 19 deri në ora 5 të mëngjesit. Qytetarët këto masa i kanë shkelur në 9 komuna dhe më së tepërmi janë penalizuar në Tivar, 10 sish, kurse në Nikshiq policia ka paraqitur fletpadi penale kundër tre personave për shkak të mosrespektimit të masave në fjalë. Për shkak të shkeljes së masave të përkohshme të cilat i ka miratuar Trupi Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse, policia ka arrestuar dje në Cetinë tre persona kurse në Ulqin po ashtu arrestohet një person interesantë për sigurinë, kurse një tjetër në Beranë dënohet në të holla. Të arrestuarit, siç kanë theksuar nga policia, do ti dorëzohen Prokurorit kompetent shtetëror për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bërë vepër penale të shkeljes së masave të paraparë për pengimin e përhapjes së koronavirusit.

Numër i njëjtë i të infektuarve në hyrje të javës së trettë të karantinimit

Qytetarët në komunën e Tuzit, janë duke hyrë në javën e tretë të karantinimit kurse, të gjashtën ditë me radhë numri i të infektuarve me Covid-19, vazhdon të jetë i njëjtë. Sipas raportit zyrtar, në këtë komunë janë 34 të infektuar që krahasuar me ditën e parë të 15 rasteve të vërtetuara pozitive në koronavirus, gjendja aktuale është shpresëdhënëse për rrjedhën e mëtejme të epidemisë në këto hapësira e që ka tronditur mbarë njerëzimin. Ndërkohë, opinioni në komunën e Tuzit, vlerësojnë se respektimi i masave të ndërmarra dhe disiplina e treguar nga qytetarët, kanë rezultuar gjendjen aktuale, respektivisht mospërhapjen e mëtejme të kësaj sëmundje, pasi parashikimet ditën e parë para dy javëve ishin mjaft shqetësuese. Ndërkohë, duke pas parasysh se prodhuesit e shumtë bujqësor në territorin e komunës, në këtë periudhë të sezonit duhet të punojnë intensivisht në tokat e veta, janë të lutur që të respektojnë masat e parapara të distancës fizike mes njëri tjetrit, pasi atyre u është mundësuar dalja në punë, nga dy persona por me kushtet e parapara për ruajtjen e shëndetit, për vete dhe për të tjerët.

përgatiti, Gjokë Dukaj 

 

Gjatë ditëve në vijim do të arrijnë dy tonë pajisje medicinale

Dy tonat të prapambetura të pajisjes medicinale prej gjithsejtë 19 tonelatave të cilat Qeveria e Malit të Zi ka blerë në RP të Kinës, do të distribuohen në Podgoricë gjatë ditëve në vijim, është kumtuar nga Qeveria e Malit të Zi. “Me qëllim të informimit të plotë të opinionit, i cili gjatë ditëve të kaluara është cak i pohimeve qëllimkëqija për gjoja humbjen e dy tonelatave të pajisjeve mjekësore dhe të teorive të ndryshme të komplotit, ju njoftojmë se e gjithë pajisjet medicinale të cilat i ka blerë Mali i Zi për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, është pronë e jona dhe se pjesa më e madhe e këtyre pajisjeve ka arritur në Mal të Zi”, është kumtuar nga Qeveria. Përkujtohet se Trupi Koordinues Nacional në bazë të nevojave të paraqitura të sistemit shëndetësor të Malit të Zi dhe të punësuarve në këtë sistem e që janë në linjën e parë të luftës kundër koronavirusit të ri, ka inicuar përmes farmacisë MONTEFARM të Malit të Zi blerjen nga Kina të 1 milion e 500 mijë maskave kirurgjikale, 170 mijë maska të tipit N 95, të 30 mijë veshjeve mbrojtëse, 20 mijë syze mbrojtëse, 1 mijë teste për virusin korona, 150 matës të temperaturës dhe 20 respirator.

 

Ndihma e BE është e mirëseardhur

Kryetari i Lëvizjes Evropiane në Mal të Zi Momçillo Radulloviq ka deklaruar në programin e mëngjesit të TVMZ se ndihma e Bashkimit Evropian është me vlerë tejet të madhe. Megjithatë ka theksuar se BE në fillimin e paraqitjes së koronavirusit nuk ka reaguar si duhet, mirëpo, gjatë javëve të fundit situata ka ndryshuar në të mirë. Ai ka kumtuar se të hollat e BE që i janë dedikuar Malit të ZI janë të aktivizuara. Kjo pandemi i ka vendos në provë shumë partner. Radulloviq megjithatë ka theksuar se BE në fillim nuk ka reaguar ashtu siç duhej. “BE nuk ka reaguar siç duhej në fazën e parë të paraqitjes së virusit gjë që institucionet evropiane e kanë pranuar para do kohe kështu që Ursulla Fon Der Llajen, pothuaj se i ka kërkuar falje Italisë. Radulloviq ka theksuar se mjetet e BE dedikuar Malit të Zi tanimë janë aktivizuar. “BE megjithatë ka reaguar, ndoshta me pakë vonesë, por aty është për një ndihmë mjaft të konsiderueshme. Ky është një raport afatgjatë dhe këto të tre milion janë vetëm përkrahje por do të ketë edhe ndihma të tjera”, ka theksuar ai. Ai po ashtu ka shtuar se nuk mund të harrohet as ndihma e deritashme e BE-së për Malin e Zi. Po ashtu ka theksuar se është e sigurt se do të ndodhin edhe rikompozime në marrëdhëniet ndërkombëtare. “Me siguri do të pasojë një krizë e thellë ekonomike të cilën do ta përjetojnë të gjithë duke filluar nga banorët, përmes institucioneve, deri tek shtetet dhe ekonomitë.,,,”. Radulloviq megjithatë ka theksuar se shpreson që Mali i Zi do ta tejkalojë relativisht më lehtë këtë krizë ekonomike dhe kjo, siç ka theksuar, ekskluzivisht varet nga përgatitjet detaje që do të bëhen për kohën që vjen.

Komuniteti rom gëzon përkrahjen e plotë të institucioneve

Vetëm përmes bashkëpunimit dhe qasjes së fortë gjithë përfshirëse institucionale mund të kontribuojmë në tejkalimin e ngecjes dhe në afirmimin e të drejtave dhe të pozitës së popullatës rome në Mal të Zi, ka deklaruar presidenti Millo Gjukanoviq në urimin e tij me rastin e 8 prillit, Ditës ndërkombëtare të romëve. Ai ka shtuar se pret edhe bashkëpunimin e plotë të komunitetit romë në luftën e koronavirusin. “Mali i Zi vazhdon të ndërtojë shoqëri multietnike qytetare e cila kultivon të drejtat dhe llojllojshmëritë e komuniteteve të pakicave përmes qasjes integruese dhe luftës kundër përjashtimeve sociale dhe kundër varfërisë”, ka kumtuar presidenti në urimin drejtuar kryetarit të shoqatës së romëve të Malit të Zi, Isen Gashi dhe të gjithë anëtarëve të Bashkësisë etnike rome. Gjukanoviq ka theksuar se Mali i Zi në periudhën e kaluar ka arritur suksese të mira drejtë inkluzimit të komunitetit rom, sidomos kur është fjala për arsimimin si parakusht për përmirësimin e pozitës së tyre sociale dhe ekonomike. Megjithatë, para nesh gjenden sfida të shumta si dhe qëllime afatshkurtra dhe afatgjate. Ai ka theksuar se komuniteti rom për aktivitetet dhe planet e veta mund të llogarisë në përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Malit të Zi.

Në Parlament vetëm për temat që kanë të bëjnë me virusin corona

Ekzistojnë kushtet për mbajtjen e Kuvendit të Malit të Zi, natyrisht, vetëm për aktet të cilat janë të lidhura drejtë për drejtë me situatën aktuale shoqërore të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ka deklaruar shefi i klubit të deputetëve të PDS, Nikolla Rakoçeviq. Ai ka vlerësuar se Qeveria e Malit të Zi dhe Trupi Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse kanë bërë përpjekje të mëdha dhe kanë arritur rezultate të shkëlqyera. Ai ka theksuar se Ligji për financimin e subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore paraqet pengesë reale për realizimin e të drejtave të qytetarëve në rrethanat aktuale.“Andaj, e konsideroj të arsyeshme edhe iniciativën e Qeverisë”, ka theksuar Rakoçeviq duke komentuar iniciativën e pushtetit ekzekutiv që ky Ligj të ndryshohet me qëllim që të mundësohen kontributet nga rezervat buxhetore në kohën e epidemisë, edhe pse ky është vit zgjedhor. Ai ka shtuar se klubet e deputetëve punojnë me kapacitet të plotë dhe në pajtim me rekomandimet e Trupit Koordinues Nacional, kurse Koleguimi i kryetarit të Kuvendit takohet tri herë në javë, kurse të premteve me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi.

 

Të ndryshohen Ligjet për punë dhe mbrojtje sociale dhe të fëmijëve

“Propozimi i ndryshimeve të ligjit për financimin e subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore është njeri ndër ligjet e radhës të cilin, Qeveria dhe Kuvendi së bashku, duhet ta vërtetojnë dhe ta miratojnë me qëllim të definimit urgjent të masave serioze për zbutjen e pasojave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit”, ka deklaruar Aleksandar Damjanoviq, deputet i pavarur e Shef i klubit të veçantë të deputetëve. Ai ka theksuar se janë të domosdoshme edhe ndryshimet e dispozitave të ligjit në sferën e punës, të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, të afarizmit financiar si dhe të propozim rebalancit. Siç ka deklaruar, para 10 ditësh e ka ftuar Qeverinë që ti dorëzojë Parlamentit propozim ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore. Sipas fjalëve të tij, opsion është propozimi i një lex specialis. Ai ka shtuar se me ligjin e propozuar duhet të definohet edhe mënyra e kontrollit të shpenzimit të mjeteve nga rezervat rrjedhëse dhe kjo është e mundur, siç ka theksuar ai, përmes formimit të një trupi ad hok, duke pasur para sysh shpenzimin e deritashëm jotransparent dhe jo ligjorë të mjeteve nga këto pozita buxhetore.

 

Shteti duhet të përkrah ekonominë

Qeveria duhet të paraqitet me një paket tre mujore të masave e cila do ti mbulojë të ardhurat në sektorin privat, varësisht se sa është e rrezikuar veprimtaria për shkak të epidemisë të koronavirusit, gjegjësisht nëse ato funksionojnë fare ose u është zvogëluar aktiviteti, konsideron nënkryetari i Partisë Socialdemokratike, Rashko Konjeviq. Ai ka deklaruar për gazetën “Dan” se qëllimi kryesor është ruajtja e të punësuarve dhe ndihma për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme e që përbëjnë 95% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve me mbi 70% të të punësuarve. “Me Ligj duhet edhe të shtyhet ose pjesërisht të shlyhen obligimet ndaj shtetit dhe administrate lokale për ato subjekte të cilat janë goditur nga masat e ndërmarra. Nuk mund të pritet nga punëdhënësit në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që vetë ti përballojnë shpenzimet nga kjo krizë”, ka theksuar Konjeviq. Andaj, konsideron ai shteti duhet të ofrojë ndihmë dhe të mendojë për formimin e një Fondi garantues për pjesët më të rrezikuara të ekonomisë.

 

Gjashtë raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 6 raste të reja me koronavirusin e ri. Kështu bëri të ditur, Silva Bino, nga Instituti i Shëndetit Publik. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Shqipëri ka arritur në 383 raste. “Gjatë 24 orëve të fundit 15 qytetarë janë shëruar nga sëmundja, duke e çuar numrin e të shëruarve në 131”, tha Bino, duke shtuar se deri më tani në Shqipëri janë shënuar 22 viktima. Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 170 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 24 pacientët që janë shëruar. Katër persona kanë vdekur. Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se në Klinikën Infektive janë hospitalizuar 61 pacientë. Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur. Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

 

Evropa jep shenja shprese për shërim nga COVID-19

Evropa po jep shenja të reja shprese lidhur me pandeminë ndërsa numri i përditshëm i personave të prekur nga koronavirusi në Spanjë, Itali e Francë po ulet. Edhe Greqia ka raportuar numrin më të vogël të të infektuarve me koronavirusin e ri nga 12 marsi, duke dhënë shenja për ulje të intensitetit të sëmundjes në këtë shtet. Ky shtet ka raportuar për 20 raste të reja të të prekurve, duke e dërguar në 1,755 numrin e të infektuarve. Sipas autoriteteve, deri më tani në Greqi kanë vdekur 79 persona nga kjo sëmundje. Në Maqedoninë Veriore numri i të prekurve nga virusi ka arritur në 570. Deri tash, numri i të vdekurve në këtë vend nga COVID-19 ka shkuar në 21. Në Serbi, në 24 orët e fundit, shtatë persona të tjerë kanë vdekur nga koronavirusi duke rritur bilancin në 58. Autoritetet shëndetësore thanë se 1,192 njerëz ishin testuar që nga raporti i fundit, 292 prej të cilëve ishin pozitivë, duke rritur totalin në 2200.

 

Me koronavirus janë infektuar 1.34 milion njerëz

Nga koronavirusi në botë janë të infektuar 1 milion e 347 mijë e 342 njerëz, kurse nga pasojat e Covid-19 kanë vdekur 84 mijë e 780 njerëz thuhet në sajtin e Worldometers. Nga koronavirusi janë shëruar 285 mijë e 101 njeri. Raste aktive gjithnjë janë 987 mijë e 685, prej të cilëve 95% kanë pasqyrë mesatare klinike, kurse 5%, gjegjësisht 47 mijë e 396 njerëz, janë në gjendje të rëndë ose kritike. Numër më i madh i të prekurve është në SHBA,, 367 mijë e 629, pastaj në Spanjë 136 mijë e 675, në Itali 132 mijë e 547, në Gjermani 103 mijë e 375, në Francë 98 mijë dhe në Kinë 81 mijë e 740 të prekur me koronavirus. Nga pasojat e këtij virusi më se tepërmi kanë vdekur në Itali ku numri i tyre arrin në 16 mijë e 523, në Spanjë 13 mijë e 341 dhe në SHBA, ku deri tani kanë humbur jetën afër 11 mijë njerëz. Në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 3 mijë e 834 raste të reja të infektimit, kështu që numri i përgjithshëm i të sëmurëve është mbi 100 mijë njerëz. Në Turqi gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 75 njerëz si pasojë e koronavirusit duke e çuar numrin e të vdekurve në këtë vend në 649, ka deklaruar ministri turk i shëndetësisë Fahretin Koca. Ai ka shkruar në Twiter se janë konfirmuar 3 mijë e 148 raste të reja të infektuar duke e çuar numrin e të prekurve nga koronavirusi në 30 mijë e 217 njerëz, transmeton Rojtersi.

OBSH-ja u thotë vendeve të mos nguten me lehtësimin e masave

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka rekomandime të qarta për vendet dhe rajonet lidhur me lehtësimin e masave ndaj pandemisë, por u kërkoi atyre që të mos i heqin ato shumë herët. "Njëra nga gjërat më të rëndësishme është që të mos hiqen shumë herët masat në mënyrë që të mos kemi një përkeqësim përsëri", tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier. Sipas tij, kjo situatë, është e ngjashme me të qenit i sëmurë vetë. “Nëse ngritesh shumë shpejt nga shtrati dhe vrapon shumë herët, rrezikon të biesh prapa dhe të kesh komplikime", shtoi ai. Disa vende në botë kanë paralajmëruar lehtësimin e masave të izolimit dhe të gjendjes së jashtëzakonshme. Më 6 prill Austria tha se mund të nisë lehtësimin e masave të izolimit nga java e ardhshme, por kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë distancimin fizik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

 

Veseli kërkon Seancë të jashtëzakonshme të premten

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, vizitoi sot komunën e Ferizajt, nga ku ka thënë se ka iniciuar që ditën e premte të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, ku tha se është një pako prej 320 milionë euro që do t’i ndihmojë punonjësit në sektorin privat. "Besojmë se ditën e premte do të jetë një ditë e bashkimit të spektrit politik", tha ai. Veseli tha se duhet të behet më shumë që t’iu ndihmohet komunave. Sa i përket që vendi është pa qeveri, Veseli tha se është çështje e atyre që e kanë ngritur mocionin dhe atyre që aktualisht janë në qeveri. Ndërkohë, siç njoftojnë mediat kosovare, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Gjilanit sot në Gjilan, para mediave tha se sot gjatë ditës qeveria do të ketë takim online. Kurti deklaroi se për takimin online është informuar edhe kryetari Haziri nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia. Në këtë takim online do të diskutohet për vazhdimin e masave. I pyetur për emrin e mandatarit të ri për krijimin e qeverisë ai tha se diskutimi i temave të tjera pos pandemisë do të ishte dobësi.

 

Rusia e quan manipulim të Prishtinës heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe

Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate, ka shprehur qëndrimin lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës në detyrë, për heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e masës së reciprocitetit. “Autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të manipulojnë me temën e heqjes së tarifave doganore 100 për qind për mallrat nga pjesa qendrore e Serbisë, të cilat u vendosën në nëntor 2018, dhe rezultuan që procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës të ndalet", thuhet në deklaratë. Nga 1 prilli, Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnjës. Në rastin e Serbisë, atë e ka zëvendësuar me masa reciprociteti, kurse ndaj Bosnjës nuk ka marrë ndonjë masë shtesë. Por, për autoritetet ruse, ky vendim është “një gjest tjetër i demagogjisë së ushtruesit të detyrës së kryeministrit, Albin Kurti". Rusia e quan të çuditshëm edhe reagimin e Bashkimit Evropian, pasi që, siç thuhet BE-ja “duhet të përgjigjet me një vlerësim të matur të situatës pa favorizuar asnjë nga palët”. Moska kërkon nga autoritetet e Kosovës heqjen pa kushte të masave ndaj Serbisë. Ndryshe, më parë Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Por, Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, thanë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.

 

Një marrëveshje Kosovë- Serbi, do ta largonte Rusinë nga Ballkani

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë në lidhje me tarifën 100 për qind. Në këtë njoftim thuhet se në Prishtinë po vazhdohet manipulimi me çështjen e taksës. Po ashtu, thuhet se Kosova po detyron Beogradin që të vendosë emrin e Republikës së Kosovës në mallra, duke bërë kështu që indirekt, Serbia ta pranojë Kosovën si shtet. Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Ardian Kastrati, këtë reagim të Rusisë po e sheh si normale, pasi që konsideron se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta linte Rusinë pa aleat në Ballkan. “Rusia ka frikë që eventualisht arrihet ndonjë marrëveshje. Dhe, nesër ajo ndodh, rrjedhimisht Rusia përjashtohet nga Ballkani. Përjashtohet sepse ajo ka ngelur e lidhur vetëm me serbët dhe Serbinë. T ë gjithë popujt e tjerë sllavë, ia kanë kthyer shpinën atyre”, tha ai. Në një deklaratë për KosovaPress, profesori Kastrati tha se pavarësisht se kërkesa për heqjen e taksës, nga ana e Rusisë, është e njëjtë me atë të Bashkësisë Ndërkombëtare, qëllimet janë të ndryshme.

 

Bujqit të cilët shkojnë në pronat e veta nuk u nevojitën vërtetime

Botërisht është e njohur se bujqësia dhe blegtoria janë dy degët, pothuaj se me të rëndësishme, te ekonomisë së një shteti. Ato janë të domosdoshme dhe të patejkalueshme në situatat e rëndomta, por në veçanti, në kohët e luftërave, fatkeqësive natyrore por edhe të situatave, siç është kjo e sotmja në mbarë globin, në kohën e pandemive të ndryshme. E gjithë kjo kërkon një zgjidhje të vetme; si të menaxhohet në këto situata prodhimtaria bujqësore dhe ajo blegtorale, mbase, që të dyja janë jetike dhe të domosdoshme për mbijetesën e njerëzimit. Kjo çështje u bë aktuale edhe në Komunën e Tuzit para tre javësh, kur banorët e Malësisë u izoluan për shkak të paraqitjes së epidemisë së koronavirusit. Lëvizjet u kufizuan vetëm brenda shtëpive, kështu që bujqit e shumtë nga Malësia, të njohur për prodhimin e produkteve bujqësore në tërë Malin e Zi, ishin të penguar të punojnë tokat e tyre dhe ti kryejnë mbjelljet pranverore. Lidhur me situatën e krijuar pas paraqitjes së kësaj epidemie dhe duke pasur parasysh nevojën që bujqit dhe blegtorët duhet të kryejnë veprimtarinë e vetë primare, me të cilat mbajnë, jo vetëm familjet e veta, por edhe shumë familje të tjera, drejtori i ndërmarrjes publike, “Komunalja” nga Tuzi, Nikollë Camaj, ka deklaruar se prodhuesve bujqësorë dhe blegtorëve nga Malësia nuk u është ndaluar të punojnë pronat e veta dhe për këtë arsye as që u nevojiten kurrfarë vërtetimesh. Ai ka theksuar se në kuadër të Komunës së Tuzit është arritur një marrëveshje në të cilën theksohet se bujqve dhe blegtorëve në terrorin e Komunës së Tuzit dhe të Malësisë nuk u nevojiten vërtetimet e organeve gjegjëse për të dalë në pronat e veta dhe këtë mund ta bëjnë pa kurrfarë pengese. “Prodhuesve bujqësore dhe blegtorëve në territorin e Malësisë u është lejuar qarkullimi në arat dhe pronat e tyre, natyrisht duke respektuar distancën, masë kjo e rekomanduar nga institucionet kompetente shëndetësore dhe shtetërore të Malit të Zi. Nëse ata i takon dikush nga kompetentët duke punuar në arat e veta, nuk do tu bëjë problem, sepse e kemi kuptuar se pronarët duhet ta kryejnë punën e vetë”. Camaj po ashtu ka deklaruar se vërtetimet, më mirë ti themi lejet, u janë lëshuar vetëm individëve të cilët merren me veprimtari shërbyese, siç janë elektricistët, punonjësit në ujësjellës etj.” Bujqve nuk u është ndaluar puna në pronat e tyre, andaj në këtë drejtim jemi përpjekur edhe tu sigurojmë farërat, derivatet dhe çdo gjë që u nevojitet në prodhimtarinë e tyre”, ka theksuar Camaj. Ai po ashtu ka shtuar se në Komunë janë përpjekur edhe që këtyre prodhuesve bujqësorë tu sigurohet grumbullimi i prodhimeve të gatshme, me qëllim që sadopak të zbutën pasojat e shkaktuara nga karantinimi tash gati tre javë në të cilën është zgjatur e tërë Malësia.

përgatiti, Pjetër Lucaj

Edhe nesër mot i kthjellët

Në Mal të Zi sot mban mot kryesisht i kthjellët. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e lindjes dhe verilindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Herceg Novi 24 gradë, Podgoricë 23, Ulqin 21, Tivar e Cetinë 18, Nikshiq 17, Plevle 15 dhe në Kollashin e Zhablak 10 gradë.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht me dell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, para dite kohë pas kohe deri e fortë lindore dhe veri lindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -4 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej 10 deri në 23 gradë celsius. 

ditarin e redaktoi, Marash Dedvukaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се