Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

03. 04. 2020. 19:51 >> 20:17

Ditari 03.04.2020

03.04.2020

Konfirmohen 16 raste të reja të prekur me koronavirus

Në Mal të Zi janë konfirmuar 16 raste të reja të infektuar me koronavirus, duke e çuar kështu numrin e të prekurve në 160 individ. Drejtori i Institutit për Shëndetin Publik Boban Mugosha ka deklaruar se prej dje në ora 18 deri sot në orën 8 të mëngjesit janë analizuar 114 mostra. “Të prekurit e ri nga ky virus janë regjistruar në Podgoricë, Tivar, Nikshiq , Danillovgrad dhe në Herceg Novi. Më së tepërmi të prekur janë regjistruar në Podgoricë, 10 sish“, ka theksuar Mugosha në konferencën për gazetarët. Ai ka sqaruar se 9 të infektuarit e ri kanë qenë në kontakt me rastet e mëparshme, dy raste janë të sapo importuara, kurse 5 janë duke u hetuar. Mugosha ka theksuar se prej fillimit në Mal të Zi janë prekur gjithsejtë 160 persona. Ai ka shtuar se në Podgoricë janë të infektuar 73, në Tuz 34, Tivar 12 , Ulqin 9, Andrievicë 7, Bjello Pole 6, Budvë 4, në Hrecg Novi e Nikshiq nga 5, në Tivat 2 dhe në Danillovgrad 3 persona. “Kemi të bëjmë me një transmision lokal. Kemi arritur që të jemi vendi i cili më së gjati ka rezistuar të jetë I infektuar, por mosrespektimi sa duhet i masave dhe i urdhëresave ka rezultuar me këtë përhapje të virusit”, ka tërhequr vërejtjen Mugosha. Ai ka theksuar se situate epidemiologjike në Vrella të Ribnicës është shkaktuar për shkak të numrit të madh të anëtarëve brenda familjes dhe me një numër të madh të kontakteve. Ndryshe, Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi ka lansuar sot aplikimin mobil për paraqitjen e simptomave dhe të gjendjes shëndetësore, i cili është pjese e sistemit të gjerë të integruar për menaxhimin e informatave lidhur me pandeminë e virusit korona në Mal të Zi. Aplikimi mobil, siç theksohet, ka për qëllim ofrimin e mundësisë së thjeshtë dhe të sigurt për paraqitjen e simptomave ose të gjendjes aktuale shëndetësore përmes vetëm disa klikimeve. Qytetarët mund te hyjnë ne këtë aplikacion përmes linkut të cilin do ta marrin përmes mesazhit SMS.

Qytetarët kryesisht i respektojnë masat

Qytetarët në pjesën më të madhe i respektojnë masat e Trupit Koordinues Nacional për pengimin e përhapjes të virusit Corona, por ka edhe individë të pa përgjegjshëm. Gjatë natës së mbrëmshme, kur në fuqi është masa e ndalimit të daljes nga objektet banesore pas orës 19, policia ka penalizuar 37 persona. Trupi Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse me propozimin e Institutit për Shëndetin Publik të Malit të Zi dhe në pajtim me informatën e shërbimeve kompetente të sigurisë, se shumica e qytetarëve u përmbahen masave të parapara të përkohshme, ka dhënë pëlqimin që Ministria e shëndetësisë të zbusë ndalimin e daljes së qytetarëve nga objektet banesore gjatë ditëve të uikendit. “Me urdhëresën e Ministrisë së shëndetësisë për ndryshimin e ndalesës për daljen nga banesat, do të mundësohet edhe qarkullimi të dielave deri në orën 13 përmes respektimit strikt të gjitha masave të tjera të parapara”, është kumtuar nga Qeveria e Malit të Zi. Siç precizohet, ndalohen qarkullimet prej të hënës deri të premten, prej orës 19 deri në ora 5 të mëngjesit si dhe të shtunave dhe të dielave prej orës 13 deri në ora 5 të mëngjesit të ditës së ardhshme. Është vazhduar deri me 17 prill edhe zbatimi i disa masave të përkohshme të miratuara me 16 dhe 17 mars. Trupi Koordinues Nacional, duke respektuar rekomandimet e qytetarëve lidhur me këto masa, i ka bërë ftesë drejtorisë së policisë dhe organeve tjera kompetente që pa përjashtim të sanksionojnë çdo shkelje të vërtetuar e këtyre urdhëresave.

Masat e TKN i përkrahin 92% të qytetarëve të Malit të Zi

Masat të cilat i ka propozuar Trupi Koordinues Nacional (TKN), për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit e gëzojnë përkrahjen e pothuaj se të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, kurse përkrahja më e madhe shkon për ndalimin e të gjitha tubimeve publike dhe private – 97%, masat e vetë izolimit po ashtu 97%, karantinën 97% dhe mbylljen e objekteve hoteliere 96%, tregojnë të dhënat nga hulumtimi reprezentativ nacional të opinionit publik, të cilin e ka realizuar agjencia IPSOS me përkrahjen e UNICEF-it. Nënkryetari i Qeverisë e Kryetar i Trupit Koordinues nacional, Millutin Simoviq u ka shpreh respekt dhe falënderim qytetarëve për një përkrahje kaq të madhe ndaj Qeverisë së Malit të Zi në formimin e Trupit Koordinues Nacional për luftën kundër koronavirusit dhe për sjelljen e paketës së masave gjë që e kanë bërë 95% të qytetarëve. Ndërsa, Qeveria e Malit të Zi dënon ashpër publikimin e emrave të personave të prekur nga virusi Corona. Siç theksohet, në këtë mënyrë shkelen të drejtat themelore të njeriut. Qeveria u ka bërë ftesë institucioneve kompetente shtetërore që urgjentisht të gjurmojnë se ku qëndron burimi i këtij regjistri dhe të identefikohen përsonat të cilët i distribuojnë këto informata.

Për Malin e Zi mbi 8 milion euro ndihmë

Ambasadorët e shteteve anëtare të BE të akredituar në Malin e Zi dhe shefi i delegacionit të BE, Aivo Orav, kanë kumtuar në deklaratën e përbashkët se do të jenë me Malin e Zi në kohë të mira, por edhe atëherë kur do të ballafaqohet me skamjet. Është paraparë që ndihma e radhës prej 8.4 milion euro dedikuar sistemit shëndetësorë të distribuohet prej vitit 2021, thuhet në kumtesë. Përndryshe, dje është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Bashkimit Evropian , UNDP dhe Qeverisë së Malit të Zi si përgjigje ndaj nevojës së Malit të Zi për një përkrahje të drejtpërdrejtë në luftën kundër pandemisë së Covid- 19. Bashkimi Evropian do të jetë përkrah Malit të Zi në kohë të mira, por edhe kur ballafaqohet me skamje, kanë theksuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE të akredituar në Podgoricë si dhe shefi i delegacionit të BE në Mal të Zi Aivo Orav. “Në këtë çështje të gjithë jemi së bashku dhe duhet ta ruajmë njëri – tjetrin. Këtu edhe ekziston esenca e Evropës”, thuhet në kumtesën e tyre të përbashkët.

Uniteti i NATO-s i rëndësishëm për ballafaqimin me virusin

Ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq ka deklaruar se uniteti dhe solidariteti I aleatëve të NATO-s , si dhe përpjekjet e përbashkëta janë të rëndësishme në ballafaqimin me krizën e shkaktuar nga Covid 19. Siç theksohet, Darmanoviq ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, I cili është organizuar përmes një video konference. “Njëra nga temat kryesore të takimit ka qenë implikimet e sigurisë të krizës të shkaktuar nga Covid- 19 brenda Aleancës dhe vendeve aleate. Lidhur me këtë, në takim është miratuar deklarata me të cilën shprehet solidariteti dhe vendosmëria e vendeve aleate që përmes bashkëpunimit reciprok dhe koordinimit me partnerët tjerë ndërkombëtare të kontribuojnë në pengimin e pandemisë së koronavirusit”, thuhet në kumtesë. Ministri Darmanoviq ka theksuar rëndësinë e unitetit dhe të solidaritetit dhe përpjekjet e përbashkëta dhe përkrahjen në përballje me krizën Covid 19, si në planin bilateral, ashtu edhe përmes mekanizmave multilateral. Aleatët i kanë dëshiruar mirëseardhjen Maqedonisë Veriore, e cila për here të pare ka marrë pjesë në takim si anëtare e Aleancës.

Holanda ndihmon transportimin e pajisjeve nga Kina në Mal të Zi

Qeveria e Holandës do ta ndihmojë Malin e Zi në organizimin e transportit ajror të paisjeve mbrojtëse nga Kina në Mal të Zi, me kërkesën e autoriteteve malazeze drejtuar Qendrës Koordinuese të NATO-s. Kontingjenti me 19 tonë pajisje medicinale, të cilat i ka paguar Qeveria e Malit të Zi, është ngarkuar në aeroplanë në Pekin dhe me një fluturim të veçantë komercial është nisur drejtë Malit të Zi. Siç është kumtuar në Twiterin të Qeverisë, aterrimi i aeroplanit në Podgoricë pritet rreth orës 20 e 30 minuta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Qeverinë e Malit të Zi dhe partnerët tjerë, shqyrtojnë mundësi të ndryshme të përkrahjes dhe të ndihmës për Malin e Zi në luftën kundër Covid 19 dhe për zbutjen e pasojave ekonomike dhe shoqërore nga virusi, ka kumtuar edhe ambasadorja amerikane në Podgoricë Xhudi Rajzing Rajnke.

Kompetentët shëndetësor, vlerësojnë respektimin e masave nga banorët

Kompetentët shëndetësor në komunën e Tuzit shprehen të kënaqur për shkak të mosparaqitjes së ndonjë rasti të ri të infektimit me Covid-19, e që siç thonë ata, kjo vërteton se banorët e këtushëm janë të vendosur në respektimin e masave të ndërmarra nga Instituti i Shëndetit Publik. Njëkohësisht, ky fakt duhet të shërbej si dëshmi e rezultatit nga respektimi i vendimeve të kompetentëve për vetëizolim dhe në ruajtjen e distancës fizike nga njëri tjetri, gjithherë në mbrojtje të shëndetit për veten dhe të tjerët. Ndërkohë, në dy ditët e kaluara nuk janë vërtetuar raste të reja të infektuarish me Covid 19, që rikthen shpresën për mos- eskalimin e situatës. Andaj, banorët në komunën e Tuzit, janë gjithnjë e më të kujdesshëm, që me veprimet e veta të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes, e jo të kundërtën. Njëkohësisht, vazhdojnë donacionet dhe kontributi i bamirësve për të gjithë banorët e komunës, për ti ndihmuar ata në përballje me pasojat e shkaktuara nga gjendja e krijuar. Sidomos, duhet veçuar, donacionet e shumta nga bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim; në SHBA, Gjermani, Austri e vende tjera; individ, shoqata dhe fondacione të ndryshme të cilët janë duke u solidarizuar gjithnjë me bashkëvendësit në vendlindje.

Përgatiti, Gjokë Dukaj

Anulohen aktivitetet për shënimin e Ditës së Ulqinit

E shtuna e parë e muajit prill, e cila simbolizon përfundimin e mbjelljes së ullinjve, daljen e detarëve në det dhe fillimin e sezonit turistik, është festa zyrtare e Komunës së Ulqinit. Nënkryetarja e kësaj komunë, Hatixhe Gjoni, konfirmoi për Radion tonë anulimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara për shënimin e Ditës së Ulqinit. “Për shkak të epidemisë së COVID-19 në Mal të Zi, Komuna e Ulqinit ka vendosur që të anulohen të gjitha aktivitetet e planifikuara për ta shënuar Ditën e Ulqinit. Jemi në një situatë të vështirë epidemiologjike e cila nuk na mundëson organizime të këtilla”, thotë Gjoni. Sipas saj, të gjithë mysafirët e ftuar më parë brenda dhe jashtë shtetit janë njoftuar me kohë me këtë vendim të komunës. Ndërsa, komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Mal të Zi, ka organizuar sot transportin deri në pikën kufitare në Kullë të 20 shtetasve nga Kosova te cilët kanë qëndruar dhe kanë qenë te angazhuar me punë në Mal të Zi, respektivisht në komunën e Ulqinit, mësuam nga nënkryetarja e komunës Hatixhe Gjoni. Ajo shtoi se Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Mal të Zi ka organizuar me 30 mars transportin deri në pikën kufitare në Bozhaj të 80 shtetasve nga Shqipëria te cilët kanë qëndruar dhe kanë qenë te angazhuar me punë në Komunën e Ulqinit.

përgatiti, Gjekë Gjonaj

Propozohen ndryshimet e ligjit për financimin e subjekteve politike

Qeveria ka vërtetuar propozimin e ndryshimeve të ligjit për financimin e subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore, me të cilat mundësohet pagesa e kontributeve sociale brenda vitit zgjedhor, në rast të gjendjes së jashtëzakonshme dhe të gjendjes së luftës, si dhe në rast të epidemisë ose pandemisë të sëmundjeve ngjitëse. Nga Qeveria është kumtuar se projekt- ligji për ndryshimet e ligjit për financimin e subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore është vërtetuar përmes mbajtjes së seancave dhe në bazë të fitimit të pëlqimit të shumicës se anëtarëve. Qeveria ka shqyrtuar informatën për pagat për punë të zgjatur dhe për stimulimin e të punësuarve në sektorin e shëndetit publik për muajin mars duke dhënë pëlqimin që në kushtet e rrethanave të jashtëzakonshme, paga për të punësuarit në shëndetësi të rritet paralelisht me numrin e orëve mbi orarin e rregullt të punës. Është dhënë pëlqimi që të punësuarve në sistemin e shëndetit publik, të cilët gjatë muajit mars kanë qenë në punë, tu paguhet një stimulim prej 15% në të ardhurat e tyre.

Propozimet e Qeverisë do të kenë përkrahjen

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu, ka deklaruar se pret që Qeveria të ofrojë propozime konkrete kur është fjala për ndryshimet e ligjit për financimin e subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore, të cilat ua ka sugjeruar deputetëve kryeministri Dushko Markoviq dhe se këto propozime do të gëzojnë përkrahjen e një numri të madh të deputetëve. “Kryeministri Markoviq ka dhënë vlerësimin e vetë: se ligji për financimin e subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore pengon realizimin e politikës e cila është e domosdoshme për ndihmë ndaj qytetarëve. Pres që Qeveria të jap propozime konkrete dhe pastaj fjalën do ta ketë parlamenti për të miratuar ose refuzuar propozimin e Qeverisë. Është e sigurt se propozimet, të cilat do të shqyrtohen, do të kenë mbështetjen e shumë deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi”, ka theksuar Nimanbegu.

Medojeviq në krye të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale

Ivan Medojeviq është emëruar drejtori i Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen e lirë informatave, në mbledhjen e mbajtur sot të Këshillit të kësaj Agjencie. Në procedurën e paraparë me ligj dhe në bazë të konkursit publik, kushtet për emërim të drejtorit të Agjencisë i kanë plotësuar tre kandidat-e, Çedomir Mitroviq, Goranka Vuçiniq dhe Ivan Medojeviq. Siç theksohet në kumtesën e Këshillit të Agjencisë, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe të biografisë personale të kandidatëve, me shumicë votash, të kryetarit të Këshillit, Stefan Radonjiq dhe anëtarit të Këshillit, Bojan Obrenoviq, emërohet Ivan Medojeviq, prokuror shumë vjeçar i shtetit në Prokurorin themelore të shtetit. Kurse anëtari i Këshillit, Muhamed Gjokaj, ishte kundër zgjedhjes së tij.

“Elita intelektuale për epokën e re në radhët e studentëve”

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq ua ka uruar të gjithë studentëve të Malit të Zi 4 prillin – Ditën e studentit. Siç thuhet në urim, kjo ditë i përkujton studentët, të gjithë të rinjtë dhe tërë shoqërisë në vlerat antifashiste, në lirinë e mbrojtur dhe të kultivuar dhe i nxitë për ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore malazeze me shpresë për një të ardhme të afërt më të mirë. Edhe kryeministri Dushko Markoviq ia ka uruar kryetarit të Parlamentit të studentëve të Universitetit të Malit të Zi dhe të gjithë studentëve në Mal të Zi, 4 prillin – Ditën e studentit. Markoviq ka vlerësuar se studentët, si bartës të ardhshëm të zhvillimit dhe prosperitetit shoqërore paraqesin themelin e shtetit tonë.

Ju lutemi rrini në shtëpi!

Në rajonin e Ballkanit ditët e fundit janë rritur rastet e reja me koroavirus. Greqia ka numrin më të madh të infektuarve. Dy vdekje të tjera që nga statistikat e fundit të qeverisë greke, ka bërë që numri i viktimave në Greqi, të shkojë në 53 në total. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës iu ka bërë thirrje sërish qytetarëve që të rrinë në shtëpi në këtë kohë kur Kosova si e gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit.“Jemi në fillim të prillit, moti po përmirësohet andaj lusim qytetarët të rrinë në shtëpi dhe të mos grumbullohen!”“Ruani higjienën, mbani distancën sociale, sepse këtë sfidë do ta kalojmë aq shpejt sa ne kujdesemi për veten dhe të tjerët”, thuhet në thirrjen e këtij Instituti. Ndryshe, deri sot në Kosovë gjithsej numri i personave të infektuar me COVID-19 ka arritur në 125, 10 prej tyre janë shëruar, ndërsa një ka ndërruar jetë. Rritet numri i të infektuarve edhe në Shqipëri. Janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19 duke e çuar në 304 numrin total deri më tani të infektuarve, bëhet e ditur nga zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Nga një prej qyteteve më pak të prekura në vend deri një ditë më parë Shkodra sot shënohet në një nga zonat më problematiket sa i takon përhapjes së koronavirusit, njoftojnë mediat shqiptare. Përndryshe, në këtë vend ndërgjegjësimi i qytetarëve për t’u mbrojtur nga koronavisuri po zbehet. Në ditën e 22 të karantinës lëvizjet në qytete të këmbësorëve dhe automjeteve gjatë orëve të paradites kanë qenë të shumta. Në Maqedoninë e Veriut dje janë regjistruar 30 raste të reja, me ç’rast numri i të infektuarve është 384 persona. Në 24 orët e fundit në Serbi kanë vdekur tre persona, ndërsa janë regjistruar 1171 raste të të infektuarve me korona virusin e ri. Deri tani në Serbi janë shtrirë 783 pacientë, ndërsa 81 prej tyre janë vendosur në respirator. Në Bosnjë Hercegovinë deri sot janë të regjistruar 552 persona, kurse në Republikën Serbe 274 njerëz me COVID-19, kurse në Slloveni vetëm sot janë shënuar 34 raste të reja, kurse numri i përgjithshëm shkon në 937, ndërsa të vdekur janë 20 persona.

Mbi 1 milionë të prekur nga koronavirusi në botë

Numri i të prekurve nga koronavirusi në botë, kaloi shifrën 1 milionë, ndërsa ai të vdekurve nga pandemia është tani rreth 53 mijë, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins. Numri i viktimave vazhdoi të rritet ndjeshëm në Itali, Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara, ku u regjistruan qindra vdekje të tjera. 932 persona kanë humbur jetën në Spanjë në 24 orët e fundit, duke e çuar në 10 mijë 935 numrin total të viktimave, ndërkohë që numri i rasteve me koronavirus në këtë vend është rritur në 1 qind e 17 mijë e 710. Në Itali pati 760 të vdekur të tjerë, duke e çuar numrin e të vdekurve në vend në 13,915, shifra më e lartë mes të gjitha vendeve. Numri i të vdekurve në Shtetet e Bashkuara ishte të enjten mbi 5, 900 por Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se viktimat mund të kapin shifrën nga 100 mijë në 240 mijë. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht mbi 244 mijë raste, ose thuajse një të katërtën e rasteve me koronavirus në botë. Rusia sot raportoi 601 raste të reja kështu që numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 arriti në 4,149, ndërsa numri i të vdekurve qëndron në 34. Në Izrael arrin në 7.030 numri i rasteve dhe 37 numri i vdekjeve. Në gjithë botën, koronavirusi ka shkaktuar kaos për qeveritë kombëtare dhe lokale që po përpiqen të furnizojnë spitalet me pajisje mjekësore, ndërsa miliona vetë kanë humbur punën. 

Kombet e Bashkuara kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon "bashkëpunim ndërkombëtar" në luftën kundër pandemisë koronavirus. Rezoluta e miratuar më 2 prill ishte dokumenti i parë i miratuar nga organizata me 193 vende anëtare për pandeminë që e ka përfshirë botën. Rezoluta thekson rolin qendror të OKB-së në krizën globale shëndetësore dhe ekonomike dhe i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, të udhëheqë mobilizimin dhe koordinimin e një përgjigje globale ndaj pandemisë. Rezolutat e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme nuk janë detyruese, por kanë një fuqi politike në varësi të mbështetjes së tyre.

Lajçak emërohet zyrtarisht i dërguar i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd

Këshilli i Bashkimit Evropian, emëroi sot ish ministrin e punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Përmes një njoftimi, Këshilli thotë se “detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës”. Mandati fillestar i Lajçakut do të jetë 12 muaj. Se do të ndodhte emërimi i Lajçakut në këtë pozitë, ishte paralajmëruar shumë më herët nga burime brenda Bashkimit Evropian. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte deklaruar se “misioni i tij është i paracaktuar të dështojë”. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Lajçak në emër të Bashkimit Evropian, mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi më 2006. Ndërkohë që presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq ia ka uruar Mirosllav Llajçakut emërimin në detyrën e përfaqësuesit special të BE për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për çështjet tjera me rëndësi rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Parlamentarët Evropianë kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Zyra për shtyp e Parlamentit Evropian, i cili po ashtu në rrethanat e krizës së pandemisë punon me kapacitete shumë të kufizuara, ka shpërndarë një komunikatë me të cilën shprehet kënaqësi për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me tarifat 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Këtë e kanë quajtur hap të rëndësishëm, i cili mund të çojë drejt rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.Shefi i delegacionit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Romeo Franz, dhe raportuesja Viola Von Crammon-Taubadel, kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës. Kanë kërkuar që BE-ja tash të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh krizën politike, shkruan KOHA. Franz ka thënë se tash pret nga BE-ja që të veprojë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe t’i heqë vizat. Parlamenti Evropian ka qenë deri më tash pa dyshim institucioni i BE-së, i cili më së shumti ka mbështetur Kosovën edhe në forcimin e shtetësisë së saj, edhe në liberalizimin e vizave.

BE-ja po shqyrton çështjen e hapjes ose jo të kufijve

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot se janë duke u zhvilluar bisedime midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në lidhje me mundësinë e zgjatjes ose jo të mbylljes së kufijve, përtej festës së Pashkëve."Ne jemi në konsultim me vendet anëtare se si të vazhdohet përtej Pashkëve", i tha ajo radio “1 Europe”, transmeton Reuters. Von Der Leyen përsëriti gjithashtu se buxheti i ardhshëm i BE-së duhet të marrë formën e një "Plani Marshall" të ri për të nxitur rimëkëmbjen e Evropës nga shpërthimi i koronavirusit. Dy vendet me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi janë Italia dhe Spanja – të dyja anëtare të BE-së, transmeton REL. Më 17 mars, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të mbyllin kufijtë e BE-së për të gjitha udhëtimet jo thelbësore për 30 ditë. 

Nesër mot me vranësira të ndryshueshme

Në Mal të Zi sot mban mot me vranësira të ndryshueshme, deri krejt i vranët. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 17 gradë, Tivar e Herceg Novi 16, Podgoricë 15, Plevle 12, Cetinë 11, Nikshiq 10, Kollashin 9 dhe në Zhablak 7 gradë. Për nesër në viset jugore dhe bregdetare të Malit të Zi parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, kurse në veri kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të mundshme. Do të fryjë erë veriore dhe verilindore, kohë pas kohe deri e fortë. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -4 deri në 9, kurse më e larta e ditës prej 4 deri në 20 gradë celsius.

ditarin e përgatiti, Pjetër Lucaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се