Žabljak
Pretežno oblačno
6.3 °C
Pljevlja
Pretežno oblačno
7.6 °C
Herceg Novi
Pretežno oblačno
16.7 °C
Nikšić
Oblačno
10.2 °C
Cetinje
Pretežno oblačno
9.6 °C
Bar
Pretežno oblačno
24.7 °C
Podgorica
Pretežno oblačno
16.0 °C
Ulcinj
Pretežno oblačno
17.2 °C
Kolašin
Pretežno oblačno
7.1 °C

Ditari

31. 03. 2020.   >>  18:31 0

Ditari 31.03.2020

31.03.2020

Konfirmohen 14 raste të reja

Në Mal të Zi janë konfirmuar edhe 14 raste të reja të prekura me koronavirus, kanë deklaruar nga Instituti për Shëndetin Publik, duke shtuar se nga fillimi i epidemisë të Covid- 19 janë sëmurë 105 individ. “Prej mbrëmë janë analizuar 115 mostra, në mesin e të cilave 14 kanë rezultuar pozitiv”, thuhet në kumtesën e këtij Instituti. Nën mbikëqyrjen shëndetësore gjenden 6 mijë e 262 persona. Në Mal të Zi më së shumti raste të regjistruara ka në Podgoricë, 38 dhe në Tuz 33 të prekur. Në Tivar janë konfirmuar 10 raste, në Ulqin dhe Andrievicë nga 7, në Budvë dhe Herceg Novi nga 4 dhe në Danillovgrad e Tivat nga një rast i prekur me koronavirus.

Në Mal të Zi 10 punëtorë shëndetësorë janë pozitiv në koronavirus

Në Mal të Zi momentalisht 10 punëtorë shëndetësor janë pozitiv në koronavirus, 10 mjekë dhe 4 infermiere,  është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Të gjithë këta, siç kanë theksuar, me virusin janë prekur jashtë vendeve të veta të punës. Të përkujtojmë se në izolimin shtëpiak gjenden 237 punëtorë shëndetësorë, prej të cilëve 40% janë izoluar nga shkaqet se në periudhën e kaluar kanë qëndruar në botën e jashtme për tu aftësuar. “Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare me qëllim të ruajtjes së shëndetit në Mal të Zi, kurse masa e përkufizimit të qarkullimit është sjell si njëra ndër masat kruciale dhe e cila duhet të respektohet”, kanë deklaruar drejtori i Institutit për Shëndetin Publik, Boban Mugosha dhe Vesna Miranoviq nga Drejtoria për kontrollin e cilësisë të mbrojtjes shëndetësore. Mugosha ka kumtuar se përkufizimi i qarkullimit është njëra ndër masat kruciale të cilat duhet të jenë pjesë e të gjitha përpjekjeve për momentin kur epidemia të  kulmojë, pas 14 ditëve nga rastet e para të regjistruara.

 

Nuk ka orë policore, masat janë të ligjshme

“Janë të pa sakta pohimet e Frontit Demokratik se Qeveria ka futur orën policore dhe se masat të cilat miratohen me qëllim të pengimit të  epidemisë së Coronavirusit janë të pa ligjshme”, është kumtuar nga Qeveria e Malit të Zi. Mbrëmë Fronti Demokratik ka kumtuar se me futjen jo kushtetuese të orës policore përmes Twiterit, Qeveria ka zyrtarizuar diktaturën dhe ka rrezikuar të drejtat më themelore të njeriut dhe lirinë e qytetarëve. Nga Qeveria kanë përkujtuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandeminë  globale të koronavirusit me 11 mars, kurse në Mal të Zi po ashtu epidemia është shpallur me vendimin zyrtarë me 26 mars të këtij viti. Theksohet se Trupi Koordinues Nacional dhe Ministria e Shëndetësisë të gjitha masat i sjellin në bazë të vlerësimit të shqetësimit të qytetarëve dhe ekskluzivisht duke u udhëhequr me interesin për shëndetin e tyre. Ndryshe, prej mbrëmë kanë hyrë në fuqi masat e reja për pengimin e përhapjes së koronavirusit me të cilat përkufizohen qarkullimet e qytetarëve. Nga Drejtoria e policisë është kumtuar se të gjithë ata të cilët do ti shkelin këto urdhëresa do të  arrestohen. Trupi Koordinues Nacional ka sjell mbrëmë masat e reja të përkohshme për mbrojtjen e qytetarëve nga koronavirusi. Me këto masa është paraparë pengimi i daljes nga objektet banesore  prej orës 19 të mbrëmjes deri në ora 5 të mëngjesit për çdo ditë pune, si dhe prej të shtunës në ora 13 deri të  hënën deri në ora 5 të mëngjesit.

Përjashtimet nga pengimi i qarkullimit vetëm me vërtetim të punëdhënësit

Të punësuarit në shëndetësi, në organet inspektuese në gjyqësorë dhe prokurori, në polici, në ushtri, në shërbimet e zjarrfikëse dhe shërbimet komunale, në media , përfshirë këtu personat të cilët marrin pjesë në emisionet mediatike si dhe në veprimtarinë bujqësore, përjashtohet nga ndalesa e daljes nga objektet e banimit. Shtabi operativ për përkrahjen ndaj ekonomisë, në kumtesën e lëshuar, ka sqaruar se nga ndalesa e daljes nga objektet e banimit prej të hënës deri të premten, prej orës 19 deri në ora 5 të mëngjesit të ditës së ardhshme, dhe të shtunave prej orës 13 deri të hënën në ora 5 të mëngjesit përjashtohen ndërmarrjet të cilat bëjnë furnizimin me energji elektrike dhe energji tjetër, komunikimet elektronike dhe radiodifuzioni, bëjnë qarkullimin dhe transportin e mallrave si dhe ato që bëjnë shërbimet postare. Nga Ministria e ekonomisë është kumtuar që nga ndalesa e daljes nga shtëpia përjashtohet edhe distribuimi i ushqimit dhe i ilaçeve në pajtim me urdhëresën, pastaj veprimtaritë prodhuese të cilat nënkuptojnë punën në turne, tregtitë me shumicë dhe pakicë në pajtim me përjashtimet e precizuara, veprimtaritë ndërtimore, veprimtaritë e sigurimit dhe mirëmbajtjes së objekteve si dhe veprimtaritë tjera të domosdoshme për funksionimin e sistemit të nevojshme për jetën e qytetarëve.

 

Pandemia do të ndikojë edhe në procesin e pranimit të Malit të Zi në BE

Nënkryetari i Parlamentit dhe përfaqësuesi i Koalicionit ”Shqiptarët e Vendosur” Genci Nimanbegu tha në një intervistë për gazetën “Dan” se situata politike, si në të gjithë botën, ashtu edhe në Mal të Zi, është ndryshuar dukshëm nga pandemia e virusit Corona. “Tani për tani, ekziston një diskurs i mirë politik midis opozitës dhe pushtetit, dhe unë mund të dëshmoj për këtë, duke pasur parasysh që kemi punuar së bashku në KolegIumin e Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi për çështjen e takimit me Trupin Koordinues Nacional. Duke ditur se cilat ishin marrëdhëniet para epidemisë COVID-19, duhet të them se pjekuria e shoqërisë politike në Mal të Zi duhet të vlerësohet”. I pyetur nëse kjo situatë do të ndikojë edhe në procesin e pranimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ai u përgjigj se me siguri do të ndikojë. “Sa i përket negociatave me BE-në, unë jam i sigurt se e gjithë kjo do të ndikojë në proces, jo vetëm në metodologjinë, por edhe në kohëzgjatjen e negociatave”. Nimanbegu beson se polemika mbi kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve do të humbasë rëndësinë e saj pas përfundimit të situata së përgjithshme me koronavirusin dhe se pret që shumica e partive opozitare do të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo i referohet, tha ai, si për zgjedhjet lokale të shtyra në Tivat ashtu edhe për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në vjeshtë. Zgjedhjet lokale në Tivat me siguri do të mbahen së bashku me zgjedhjet parlamentare në vjeshtë. Ai nuk beson se do të ndodhin ndryshime në legjislacionin zgjedhor. “Sa i përket marrëveshjeve të përbashkëta, nuk besoj se do të ketë pasi që ka mbetur pakë kohë deri në mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e rregullt”, tha Nimanbegu.

Me donacione është lehtësuar lufta për mbijetesën e kombit

Udhëheqja e Qendrës Klinike të Malit të Zi i ka falënderuar të gjitha institucionet, kompanitë dhe individët, të cilët në këto momente vendimtare kanë treguar përgjegjësi shoqërore dhe përmes donacioneve të veta,  siç kanë theksuar, ua kanë lehtësuar luftën për mbijetesën e popullatës. Qendra Klinike e Malit të Zi në traditën e vetë të gjithë i ka përballuar me sukses të gjitha sfidat, kurse sfidës aktuale, me të cilat ballafaqohet i tërë njerëzimi, nuk u kanë rezistuar as sistemet shëndetësore të vendeve shumë më të mëdha dhe më të pasura se seç është Mali i Zi, është kumtuar nga Qendra Klinike. Për këtë arsye veprimtaria unike e të gjithë subjekteve të shoqërisë, duke filluar nga qeveria, të gjitha institucionet shtetërore, kompanitë dhe e çdo individi, është formuala e vetme për sukses në luftën kundër armikut të pa dukshëm dhe shumë të fortë të njerëzimit. Të punësuarit në Ministrinë e mbrojtjes dhe pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi i kanë dhuruar Trupit Koordinues Nacional rreth 59 mijë euro. 33 deputetë të Kuvendit të Malit të Zi si dhe 5 funksionarë të Parlamentit i kanë dhënë pëlqimin shërbimit të Kuvendit malazez që gjysmën e rrogës të muajit mars, me vlerë të përgjithshme 30 mijë e 798 euro ti paguaj në llogarinë e Trupit Nacional Koordinues për sëmundjet ngjitëse me qëllim zbutjen e pasojave të pandemisë së Coronavirusit. Fondacioni Telenor i ka dhuruar Trupit Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse 25 mijë euro si kontribut për pengimin e epidemisë së coronavirusit.

Përpjekje që një pjesë e prodhimeve të gatshme të plasohen në treg

“Në bashkëpunim dhe koordinim me Trupin Koordinues Nacional, me Ministrinë e bujqësisë dhe zinxhirët e mëdhenj tregtarë, sot do të duhej të realizojmë grumbullimin e një pjese të prodhimeve të gatshme bujqësore nga territori i Tuzit”, ka deklaruar për gazetën “Pobjeda”, kryetari i kësaj komune Nik Gjeloshaj. Ai ka theksuar se përpjekjet e administratës lokale, përmes respektimit të gjitha rekomandimeve të Trupit Koordinues Nacional janë përqendruar në “zbutjen “ e masave të futura në këtë komunë, para së gjithash kur është fjala që qytetarëve tu mundësohet që gjatë ditëve të ardhshme ti kryejnë disa nga aktivitetet në sferën e bujqësisë. Gjeloshaj njoftoi se Komisioni Nacional për Sëmundje Infektive e ka pranuar kërkesën e ti për hapjen e shitoreve bujqësore në komunën e Tuzit. Prej sot janë të hapura farmacite bujqesore në mënyrë që bujqit e Malësisë të furnizohen dhe mos të ndalin aktivitetin. Gjeloshaj theksoi se qytetarët nuk e kanë të lejuar të shkojnë personalisht të bëjnë blerjen, por përmes telefonit do të bëjnë porosinë dhe këto shitore do t’u sjellin produktin e porosit te shtëpia.  Jeta në Tuz, siç thekson kryetari Gjeloshaj vazhdon me respektimin e masave të izolimit dhe qytetarët përpiqen ti respektojnë të gjitha urdhëresat. “Qytetarët po tregojnë nivel të lartë të tolerancës, të kulturës dhe të civilizimit dhe në këtë kuptim nuk kemi probleme”, ka theksuar Gjeloshaj. Shërbimet vullnetare po furnizojnë banorët me artikujt më të domosdoshëm. Në orët e mëngjesit kanë bërë shpërndarjen e bukës dhe të prodhimeve nga qumështi dhe gjatë ditës edhe ushqimin për foshnjat dhe medikamentet e nevojshme. “Puna vullnetare është në nivel të lartë. Vullnetarët arrijnë në çdo shtëpi dhe çdo gjë po rrjedh si duhet në këto rrethana jo normale”,ka theksuar kryetari i Komunës. Ai ka theksuar se Komuna çdo ditë fiton donacione të rëndësishme të cilat në pjesën më të madhe arrijnë nga diaspora e Malësisë.

 

Në Ulqin vazhdojnë donacionet në këtë kohë krize

Edhe në Komunën e Ulqinit vazhdojnë  të arrijnë donacione nga individë bamirës dhe shoqata humanitare. Grumbullimi dhe ndarja e këtyre donacioneve qytetarëve në nevojë, siç njofton kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiqi, duhet të bëhet vetëm nëpërmes  Ekipit komunal të mbrojtjes dhe shpëtimit. ” Çdo veprim tjetër pa dijeninë dhe lejen e Ekipit komunal dhe Ekipit koordinues nacional është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe masat, urdhëresat dhe vendimet që janë në fuqi  të cilat i ka sjellur  Ekipi Koordinues Nacional me qëllim të pengimit dhe përhapjes së koronavirusit”, ka thënë në njoftimin zyrtar kryetari Nrekiq. Në këtë komunë  gjatë ditës së sotme janë duke ndarë ndihma  familjeve në nevojë aktivistët e Kryqit të Kuq.

 

Nuk jemi  kandidatë për shlyerjen e borxhit

Ministri i financave, Darko Radunoviq ka deklaruar për gazetën “Dan” se janë në kontakt me të gjitha Institucionet financiare ndërkombëtare me të cilat Mali i Zi bashkëpunon, jo për shlyerjen e borxheve, por me qëllim të njoftimeve me programet e tyre të krizës në kohën e pandemisë me Coronavirus. Udhëheqësit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtare kanë kumtuar para disa ditësh se borxhet e vendeve më të varfra të goditura rëndë me pandeminë e virusit Covid-19, do të duhej të shlyhen me qëllim që tu lirohen resurset në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Në pyetjen nëse Mali i Zi bënë pjesë në mesin e këtyre vendeve, Radunoviq ka theksuar se Mali i Zi nuk bënë pjesë në grupin e këtyre vendeve. Borxhi publik i Malit të Zi, në bazë të projeksioneve nga muaji dhjetor, është 3.8 miliardë euro. Ministria e financave do të duhej që së shpejti të publikojë shumën e borxhit nga fundi i vitit 2019.

Të përkrahen ndërmarrjet dhe të subvencionohen rrogat

Shoqata e ndërmarrësve i ka propozuar Qeverisë që të sigurohet një përkrahje e caktuar në të holla për ndërmarrjet subvencione për rrogat, derisa të zgjas epidemia si dhe shlyerjen e obligimeve për pagesën e Tatimeve të Vlerës Shtesë (TVSH) në shumë 50%. Përfaqësuesja e shoqatës së ndërmarrësve, Edita Dautoviq, ka deklaruar se ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme si dhe punëtoritë e pavarura janë kategoria më e rrezikuar e ndërrmarrjeve dhe e qytetarëve, jo vetëm në Mal të Zi por edhe në nivelin global.

 

Janë eksportuar mallra në vlerë 61.2 milion euro

Shkëmbimi i përgjithshëm i mallrave në tregtinë e jashtme të Malit të Zi gjatë dy muajve të parë, sipas të dhënave preliminare të MONSTAT-it, ka qenë 391.6 milion euro ose 6.2% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga MONSTAT është kumtuar se është eksportuar mall me vlerë 61.2 milion euro ose 1.6 më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importi ka qenë 7.1% më i lartë dhe kap shumën e 330.4 milion euro. “Mbulimi i importit me eksportin ka qenë 18.5% dhe është më i ultë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur ky raport ka qenë 19.5%, kanë kumtuar nga MONSTAT-i.

 

Edhe dy raste të konfirmuara me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar sot për dy raste të reja të konfirmuara me koronavirusin e ri në Kosovë. Aktualisht në Kosovë është raportuar për 108 persona të infektuar me koronavirusin e ri, derisa një pacient ka vdekur nga kjo sëmundje. Qeveria në largim e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Në Shqipëri, dy pacientë të tjerë ndërruan jetë për shkak të koronavirusit mbrëmjen midis të hënës dhe të martës. Numri i vdekurve prej COVID-19 u rrit në 13 persona; prej tyre 8 vetë humbën jetën vetëm në 5 ditët e fundit. Deri tani janë zbuluar gjithsej 243 persona të prekur nga 1 mijë 670 teste, vetëm tek personat e dyshuar. Ndërsa në Serbi janë regjistruar 3 viktima të tjera brenda 24 orëve ku gjithsej janë 16. Autoritetet deklarojnë se janë regjistruar dhe 44 raste të reja duke e çuar numrin total në 785 të infektuar në të gjithë vendin. Maqedonia e Veriut ka shënuar viktimën e shtatë nga virusi COVID-19. Ndërkohë, 26 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit me COVID-19 duke e ngritur në 281 numrin e të prekurve. Në Greqi shkon në 37 bilanci i viktimave të Covid-19, 5 prej të cilëve u shënuan në 24 orët e fundit. Numri i të infektuarve në këtë vend aktualisht është 1212 persona të infektuar.. Në Kroaci shënohen 77 të infektuar të rinj, kështu që numri në total në këtë vend është 790 të sëmurë.

 

Spanja regjistron rekord të viktimave në 24 orë

Spanja ka regjistruar një rekord prej 849 vdekjeve të reja të lidhura me koronavirusin e ri, njëherësh shifrën më të lartë brenda 24 orëve, prej kur shtet është përballur me shpërthim të kësaj pandemie. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të vdekurve në këtë vend ka arritur 8,189. Aktualisht, Spanja është vendi i prekur më së keqi nga ky virus në Evropë, pas Italisë. Numri total i personave të infektuar në këtë shtet tani ka kaluar Kinën duke arritur në 94,417. Kurse numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara arriti në 3000, sipas zyrtarëve të shëndetësisë. 900 prej tyre janë vetëm në qytetin e Nju Jorkut, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të të infektuarve në mbarë botën me mbi 160.700 raste. Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra për Mjekësi të Bazuara në Provë, të vërtetuar nga Universiteti i Oksfordit, nivelet e vdekshmërisë në botë janë si më poshtë: Italia: 11.03% – Spanja: 8.38% – Mbretëria e Bashkuar: 6.29% – Franca: 6.16% – Kina: 4.05% – Shtetet e Bashkuara: 1.77% – Gjermania: 0.79%.

Nga nesër shfuqizohet taksa, hyn në fuqi reciprociteti ndaj Serbisë

Qeveria në detyrë e Kosovës pritet të shfuqizojë plotësisht taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina për ta zëvendësuar atë me masat e plota të reciprocitetit tregtar dhe politik. Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se kjo masë bazohet në vendimin e 20 marsit, kur qeveria kishte vendosur që të lirojë nga taksa importet për lenden e parë nga Serbia. Në bazë të këtij vendimi, është thënë se Qeveria e Kosovës, më 1 prill, do të nxjerrë vendim për të shfuqizuar vendimet e qeverisë së kaluar të datave, 21 dhe 28 nëntor të vitit 2018, kur ishte vendosur taksa ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjithë këto masa do vendosen bazuar në veprimet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës ndaj Kosovës.

 

Maqedonia e Veriut në NATO, siguri për rajonin

Maqedonia e Veriut dje u bë anëtarja e 30-të e NATO-s. Ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit u zhvillua në selinë e NATO-s në Bruksel në 30 mars. Protokolli i pranimit midis NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut u nënshkrua në 6 shkurt 2019. Llazar Elenovski përfaqësues special në NATO i Maqedonisë së Veriut, anëtarja më e re e NATO-s, tha se ishte dashur të bëhet shumë punë dhe kompromis, duke përfshirë edhe ndërrimin e emrit. Sipas tij anëtarësimi në NATO është një arritje shumë e madhe. "Është nder për Maqedoninë e Veriut, do të jetë ndihmesë ekonomike për vendin dhe siguri për gjithë rajonin", theksoi ai. Ai tha se arritje e madhe për rajonin do të jetë anëtarësimi i vendeve të rajonit në NATO dhe BE.

 

Nesër mot kryesisht i vranët dhe me reshje të borës

Në Mal të Zi sot mbajti mot me vranësira të ndryshueshme deri krejt i vranët, në veri me reshje të dobëta të borës. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e verilindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar 18 gradë, Herceg Novi 17, Ulqin 16, Podgoricë 15, Cetinë 10, Nikshiq 7, Kollashin 2, Plevle 0, dhe në Zhablak -4 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe në pjesën më të madhe të vendit me reshje të borës. Reshje të shiut dhe të skllotës do të ketë në viset jugore dhe qendrore. Pas dite në viset jugore pritet ndërprerje graduale e të reshurave dhe kthjellim i pjesërishëm. Pas  dite kthjellim i motit dhe ndërprerje e të reshurave pritet edhe në viset veriore të vendit. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë veriore dhe veri lindore. Temperatura e mëngjesit prej -8 deri në 3,kurse më e larta e ditës prej -5 deri në 10 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Marash Dedvukaj

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se