Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

30. 03. 2020. 17:35 >> 17:38

Ditari 30.03.2020

30.03.2020

Më tepër të infektuar në Tuz dhe në Podgoricë

Në Mal të Zi janë konfirmuar edhe 6 raste të reja të prekurve me virusin Corona, kanë deklaruar nga Instituti për Shëndetin Publik, duke shtuar se janë analizuar 29 mostra. Në Mal të Zi ka 91 persona të infektuar me koronavirus dhe më së tepërmi ka në Tuz, 32, dhe në Podgoricë 30 individë.  Instituti për Shëndetin Publik ka kumtuar se në Ulqin janë të infektuar 7 njerëz. Në Tivar dhe në Andrijevicë nga 6 të prekur, në Herceg Novi dhe në Budvë nga 4. Nga një person janë të prekur në Danillovgrad dhe në Tivat. Nën mbikëqyrjen shëndetësore sanitare në Mal të Zi aktualisht gjenden 6 mijë 278 njerëz. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi mbrëmë është pranuar një pacient i prekur me koronavirus i cili është në rrezik për jetën dhe është vendosur në respirator, ka deklaruar drejtori i Qendrës Klinike të Malit të Zi Jevto Erakoviq.

Një pacient vendoset në respirator

Sistemi shëndetësor i Malit të ZI disponon me 88 respiratorë dhe deri tani vetëm një pacient i cili është pozitiv në Covid 19, është i kyçur në të, ka kumtuar udhëheqësi i Shtabit Operativ Medicinal të krizës, Ranko Llazoviq. Ai për gazetën “Dan” ka deklaruar se deri në fund të kësaj jave numri i respiratorëve do të rritet në 150, nuk do të mungojnë dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Llazoviq ka theksuar se sektori shëndetësor në tërësi është funksional, por është duke u përgatitur për skenarin më të keq i cili, “siç shpresojmë as nuk do të ndodh”.Ai ka theksuar se një numër i mjekëve dhe i personelit medicinal janë në vetëizolim për shkak të rrezikut, mirëpo, sistemi shëndetësor i Malit të Zi funksionon në tërësi.

Mali i Zi ka kërkuar nga NATO 320 respiratorë 4 mijë teste .....

Trupi Koordinues Nacional i Malit të Zi për luftën kundër sëmundjeve ngjitëse ka kërkuar nga NATO- Pakti ndihmë në luftën kundër koronavirusit, kurse në kërkesën e publikuar në sajtin e NATO-s theksohet se Mali i Zi mes tjerash kërkon edhe 320 respirator, 4 mijë teste për koronavirus, një mijë shtretër me dyshek, mbi 5 milion maska kirurgjike, një milion veshje për përdorim të njëhershëm. Janë kërkuar edhe 150 shtretër me pajisje për një spital shtesë. Ndërsa, gjatë kësaj jave, me dy kontingjente, në Mal të Zi do të arrijnë sasi e re e pajisjeve medicinale dhe mbrojtëse, është kumtuar në Twiterin e Qeverisë së Malit të Zi. “Më tepër se 1 milion maska, 600 mijë doreza medicinale, një mijë syze mbrojtëse, një mijë veshje speciale, termometra në distancë është kumtuar nga Qeveria. Trupi Koordinues Nacional dhe Qeveria e Malit të Zi u janë falënderuar donatorëve, si Petros Statir, Poll Pui, Ranko Uboviqit, Aleksandar Mihajlloviqit dhe Taksin Shinavatres.

 

Ndihma e BE është sinjal se raportet ndërmjet Malit të Zi dhe BE përparojnë

Ndihma prej 3 milion euro e cila së shpejti do të kyçet drejtpërdrejtë në sistemin e mbrojtjes nga koronavirusi, përmes riprogramimit të 50 milion euro nga Fondet IPA, është sinjal i mirë se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian janë duke përparuar dhe se hyjnë në ujëra më stabile dhe produktive. Këtë për gazetën “Pobjeda” e ka vlerësuar kryetari i Lëvizjes Evropiane në Mal të Zi,  Momçillo Radulloviq. Ai ka theksuar se Ballkani, por edhe disa vende të BE-së, kanë pritur se reagimi i institucioneve të përbashkëta evropiane por edhe i disa vendeve kryesore anëtare do të jetë dukshëm më i fortë, më efikas dhe më në kohë.

 

Banka Qendrore dhuron 100 mijë euro

Banka Qendrore e Malit të Zi ka dhuruar 100 mijë euro në llogarinë e Trupit Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse për zbutjen e pasojave të pandemisë koronavirus. Siç kanë deklaruar, Banka Qendrore e Malit të Zi si institucion i përgjegjshëm shoqërorë, në këtë mënyrë edhe njëherë u bashkohet institucioneve, kompanive dhe individëve në grumbullimin e mjeteve për luftën kundër kësaj pandemije.

Në Ulqin shtohet numri i të prekurve me Covid-19

Situata epidemiologjike në Komunën e Ulqinit  është  serioze dhe  gjithnjë rritet numri i të prekurve me Coronavirus. Instituti për Shëndetin Publik njoftoi sot se në territorin e kësaj komunë  janë gjithsej 7 persona të infektuar me virusin Covid – 19, që   do të thotë  4 më shumë se një ditë më parë. “Një person është i shtruar në Qendrën Klinike në Podgoricë, dy janë në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar, ndërsa katër janë në izolim shtëpiak”, ka deklaruar specialistja e epidemiologjisë, dr. Lilana Joviqeviq. Ajo ka  apeluar tek qytetarët që të respektojnë rekomandimet e organeve kompetente dhe të rrinë në shtëpitë e tyre,  dhe të mos kenë kontakte fizike, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të luftojmë këtë sëmundje infektive. Komuna e Ulqinit për nga numri i personave të infektuar  ndodhet në vendin e tretë në Mal të Zi, pas Tuzit dhe Podgoricës. 

 

përgatiti, Gjekë Gjonaj

 

Dy ditët e kaluara nuk janë vërtetuar ratse të reja me Covid-19, në komunën e Tuzit

Nga vetë fakti se në dy ditët e kaluara nuk janë vërtetuar raste të reja të infektuarve me Covid -19, dëshmon se qytetarët në komunën e Tuzit janë duke respektuar maksimalisht masat e ndërmarra nga organet gjegjëse në parandalimin e zgjerimit të mëtejmë të koronavirusit. Komuna e Tuzit, aktualisht me 32 të infektuar, vazhdon të jetë në krye të komunave me numrin më të madh të infektuarve  edhe pse situata ndryshon nga çasti në çast. Banorët, tashmë janë të vendosur në respektimin e masave të parapara të karantinimit të plotë me shpesë se situata e krijuar sa më parë të ndryshoj në të mirë. Furnizimi me bukë vazhdon  rregullisht, njëjtë sikur për nevojat tjera të banorëve në komunikim me vullnetarët dhe Shtabin komunal për situata të jashtëzakonshme. Ajo që duhet veçuar nga kjo periudhë  e komunës në karantinë, është solidariteti i treguar nga individ, afaristë, shoqata dhe institucione të shumta lokale dhe në nivelin shtetëror, në mjete financiare dhe materiale tjera të nevojshme. Ndërkohë, solidariteti i bashkëvendësve tonë nga mërgimi është për çdo lëvdatë pasi individ, shoqata dhe fondacione të mërgimtarëve tonë, janë duke ndihmuar me shuma të konsiderueshme  parash për nevojat e banorëve të këtushëm.

 

pergatiti, Gj. Dukaj     

  

Mëso nga shtëpia prej sot edhe në gjuhën shqipe

Përmbajtjet, #Mëso në shtëpi, prej sot një pjesë e tyre emetohen edhe në gjuhën shqipe. Prej sot në TVMZ 2, në orarin e caktuar me parë javor, janë shtuar edhe mësimet në gjuhën shqipe, është kumtuar nga Ministria e arsimit. Orari i saktë i emetimit, siç kanë deklaruar, do të gjenden edhe në skemat e operatorëve televiziv. Përmbajtjet në gjuhën shqipe, siç është kumtuar, do të emetohen edhe në televizionet lokale, në Ulqin dhe Tuz, “TV Teuta” dhe “TV Boin”. “Në TVMZ 2 do të emetohen ligjëratat në gjuhën shqipe prej klasës së parë deri në klasën e pestë, çdo ditë pune, çdo ditë nga një klasë nga lëndët gjuhë shqipe dhe matematikë. Përmbajtjet tjera do të inçizohen dhe do të emetohen edhe në televizionet e përmendura lokale nga të cilat ka arritur përkrahja dhe për këtë opinioni do të njoftohet me kohë”, thuhet në kumtesë. Drejtori i drejtorisë në ministrinë e arsimit, Marash Dukaj, ka rekomanduar se, “të gjithë janë të pajtimit se #Mëso në shtëpi është iniciativë cilësore. “Natyrisht kjo nuk do të thotë se nuk duhet përparuar edhe më tepër sepse e kemi identifikuar si diçka e cila në këtë ose në format tjetër të ndryshuar mund të vazhdojë të jetojë edhe pas periudhës së krizës”,ka theksuar Dukaj. Nga Ministria e arsimit përkujtojnë se, #Mëso në shtëpi, është projekt i mësimit në distancë i cili fillimisht zhvillohet përmes televizioneve dhe e-platformës dhe i cili ka filluar menjëherë pas mbylljes së institucioneve edukativo- arsimore në Mal të Zi.

 

Prokuroria nisë procedurën kundër 100 individëve

Në të gjitha Prokuroritë themelore të shtetit në Mal të Zi është inicuar procedura kundër 100 individëve të cilët dyshohen për vepër penale të mosrespektimit të urdhrave të Qeverisë së Malit të Zi, ka kumtuar prokurorja e shtetit, Milica Angjeliq-Madiq. Ajo ka deklaruar për TVMZ se 50 procedura janë inicuar në Prokurorinë themelore të shtetit në Podgoricë. “Fjala është për personat për të cilët dyshohet se kanë bërë vepër penale të mosrespektimit të dekreteve duke rrezikuar shëndetin publik”, ka deklaruar ajo. Personat, SHK 35 vjeç dhe EM 27 vjeç nga Rozhaja, janë dënuar nga 60 ditë burg, për shkak te veprës penale për mosrespektimin e dispozitave për pengimin e sëmundjes ngjitëse. Nga Prokuroria themelore e shtetit në Rozhajë kanë deklaruar se këta dy persona kanë transportuar më tepër se nga dy persona të moshës madhore.

 

Është i domosdoshëm avancimi i prodhimtarisë vendore

Pandemitë dhe fatkeqësitë elementare në botë imponojnë nevojën e avancimit të prodhimtarisë vendore të prodhimeve strategjike, para së gjithash të ushqimit, me qëllim që në të gjitha kushtet të sigurohet furnizimi i tregut të brendshëm, është kumtuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi. “Prodhimet vendore gëzojnë besimin e qytetarëve për shkak të cilësisë së tyre të mirë. Shumica e konsumatorëve vlerëson se gjithnjë do të vazhdojnë të blejnë prodhime malazeze edhe gjatë 12 muajve të ardhshëm”, thuhet në sondazhin, të cilin në gjysmën e parë të muajt mars e ka realizuar për Oden Ekonomike, Agjencia IPSOS. Ndërsa në marketet e Malit të Zi ka artikuj të mjaftueshëm dhe qytetarët nuk duhet të kenë frikë për mungesë të ndonjë artikulli, kanë kumtuar përfaqësuesit e mega marketeve, “Voli”, “IDEA” dhe “HD- Lllakoviq”. “Kur është fjala për furnizimin ne kemi vazhduar kontuinitetin, pa marrë parasysh sfidat”, kanë deklaruar nga ndërmarrja, “Voli”.

Prej në muajin prill masa shtesë mbështetëse për ekonominë

Qeveria e Malit të Zi gjatë muajit prill do të prezantojë masat shtesë të përkrahjes për zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, i është kumtuar gazetës, “Pobjeda”, jozyrtarisht nga disa burime në pushtetin ekzekutiv. Cilat do të jenë këto masa, siç kanë deklaruar, tani për tani është herët të flitet, sepse çdo gjë varet nga zhvillimi i situatës me koronavirusin, respektivisht sa do të zgjas dhe kur jeta do të kthehet në normalitet. Qeveria në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Malit të Zi ka miratuar me 19 mars paketën e masave të përkrahjes për qytetarët dhe ekonominë, të cilat nënkuptojnë shtyrjen e pagesës së kredive për tre muaj pa kamatë. Është paraparë edhe shtyrja e pagesës së tatimeve dhe të kontributeve në të ardhura, po ashtu për 90 ditë.

 

Ambient i avancuar afaristë në vitin e kaluar

Ambienti afarist në Mal të Zi në vitin e kaluar është përparuar gjë që e tregon indeksi i lehtësimeve të afarizmit i cili ishte 6.9, theksohet në Librin e bardhë, të cilin e harton Këshilli i Investuesve të Huaj. Ky Këshill ka publikuar sot botimin e 10-të të Librit të bardhë, dokument ky kyç i tyre, në të cilin investuesit e huaj në bazë të perceptimit të vetë, shqyrtojnë ambientin afaristë dhe tërheqin vërejtjen ndaj sfidave kryesore me të cilat ballafaqohen në Mal të Zi. “Në vitin e kaluar është shënuar një përmirësim i ambientit afarist i cili ka të bëjë me rritjen e indeksit gjithë përfshirës në një afarizëm më të lehtë, duke apostrofuar implementimin e reformës e cila ka për qëllim përparimin e kushteve ekonomike dhe të biznes klimës”, thuhet në kumtesë.

 

Prej sonte në mesnatë të gjitha derivatet do të jenë më të lira

Të gjitha llojet e karburanteve në Mal të Zi prej sonte në mesnatë do të jenë më të lira prej 9 deri në 15 cent për litër, është kumtuar nga Ministria e Ekonomisë. Euro super 95 dhe 98 do të lirohen nga 15 cent dhe gjatë 15 ditëve të ardhshme do të kushtojë 99, respektivisht 1.03 cent për litër. Çmimet e eurodizelit dhe të vajgurit në shitje me shumicë do të jenë më të ulëta 9 centë dhe gjatë dy javëve të ardhshme do të kushtojnë 96, respektivisht 94 cent për litër. Ndryshimi i fundit i çmimeve të derivateve janë bërë me 17 mars me ç’rast të gjitha llojet e karburanteve ishin liruar nga 10 deri në 14 cent për litër.

Kosovë, shkon në 94 numri i të prekurve me COVID-19

Të dielën mbrëma autoritetet në Kosovës konfirmuan edhe tri raste të reja të të prekurve me COVID-19. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se dy prej tyre janë nga Prishtina dhe një nga fshati Kijevë i komunës së Malishevës dhe të tre ishin në kontakt me persona. Rastet e mbrëmshme e çuan në 94 numrin e të prekurve. Autoritetet janë vënë në përpjekje për të penguar zgjerimin e infektimit dhe një varg masash që ishin përcaktuar më herët si mbyllja e shkollave, janë zgjatur deri më 6 prill, deri kur do të vlejë edhe masa e ndalimit të lëvizjes së qytetarëve dhe makinave nga ora 17 deri në orën 6 të mëngjesit. Deri tash në Kosovë është regjistruar vetëm një rast vdekjeje nga pasojat e virusit, ndërsa një pacient është shëruar. Sipas të dhënave zyrtare deri tash në Kosovë janë testuar mbi një mijë persona si të dyshuar për koronavirus, ndërsa kanë arritur edhe shtatë mijë teste të reja në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe janë porositur edhe dhjetë mijë teste të tjera. Mosha më e prekur deri tash nga ky virus në Kosovë është mes 20 dhe 29 vjeç, ndërsa mosha më së paku e prekur është mes 60 dhe 69 vjeç.

Shqipëri, 32 mjekë e infermierë me COVID 19

Në Shqipëri afro 15 përqind e personave që kanë rezultuar pozitiv ndaj Covid 19 janë pjesë e personelit mjekësor në disa spitale të vendit. Autoritetet bënë të ditur sot se janë 32 mjekë dhe infermier të prekur, nga të cilët 8 prej tyre janë deklaruar tanimë të shëruar, por ata do të duhet të vijojnë me vetkarantinimin për një periudhë 14 ditore.  Në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 11 persona të tjerë të prekur, të cilët u zbuluan nga 90 teste të reja. Në total, numri i të infektuarve u ngjit në 223 raste, nga 1526 teste për raste të dyshuara. Zyrtarët njoftuan për 4 persona të shëruar në 24 orët e fundit dhe gjithsej janë 44 persona janë të shëruar pas dy testeve të njëpasnjëshme të kontrollit. Të vdekur raportohen 11. Kurse, Forcat e rendit dhe ushtrisë vazhdojnë të ndëshkojnë shoferë dhe këmbësorë, që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit. Duke filluar nga kjo e hënë, nuk do të lejohet më asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë. Janë duke u ndëshkuar edhe ato njësi tregtare që nuk mbyllin dyert në oraret e përcaktuara.

 

Rajoni me raste të reja me COVID- 19  dhe me vdekje

Për shkak të numrit në rritje të të infektuarve me koronavirus, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sa i përket luftës kundër pandemisë COVID-19, ka paralajmëruar orë policore 24 orë. Një total prej 741 persona me COVID 19 u regjistruan në Serbi. Së fundi janë regjistruar 82 raste të reja të infeksionit të virusit korona, duke rritur bilancin në gjithsej 741 persona, dhe tre kanë vdekur ose gjithsej 13 viktima, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Serbisë. Në respiratorë janë vendosur 55 qytetarë.  Edhe dy pacientë të shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup kanë vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në 6 numrin e viktimave. Ndërkohë, janë diagnostikuar edhe 16 persona të tjerë brenda 24 orëve të fundit duke e çuar në 257 numrin e përgjithshëm të të infektuarve me COVID-19. Në Kroaci është regjistruar viktima e dytë e koronavirusit, ku deri më tani gjithsej 481 persona rezultojnë të prekur, ndërkohë që 22 janë shëruar. Ndërsa ka shkuar në 42 numri i viktimave nga koronavirusi në Greqi. Gjithsej në Greqi janë 1,061 raste me pacientë të infektuar, ku 66 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

Vazhdon përhapja e koronavirusit në botë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se udhëzimet federale kundër koronavirusit, të tillat si distancimi fizik, do të vazhdojnë në gjithë SHBA-në së paku deri më 30 prill. Shtetet e Bashkuara kanë tani mbi 140,000 raste të të infektuarve me koronavirus. SHBA-ja, javën e kaluar, ka tejkaluar edhe Kinën, edhe Italinë me numrin e rasteve të raportuara. Vendi më i goditur evropian, Italia, ka konfirmuar afro 10,700 të vdekur dhe 97, 689 të infektuar. Spanja ka afro 78,800 raste dhe mbi 6,600 të vdekur. Numri i rasteve në Britani po shkon në 20 mijë dhe mbi 1,220 vdekje.  Numri i të vdekurve në gjithë botën të dielën në mbrëmje ishte mbi 33, 500, me Shtetet e Bashkuara dhe Francën me nga 2 mijë vdekje në një ditë të vetme, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins. Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Rusia, nga sot, ka mbyllur kufijtë, ndërsa kryeqyteti Moska i ka urdhëruar 12 milionë banorët e tij të qëndrojnë në shtëpi. Numri i të infektuarve me koronavirus në Rusi ka kaluar 1,500, ndërsa tetë pacientë kanë humbur jetën. Ndërsa Kina raportoi për rënie të numrit të rasteve të reja me koronavirus – për të katërtën ditë me radhë. Autoritetet shëndetësore atje thanë se të hënën janë shënuar 31 raste të reja, prej të cilave 30 janë importuar. Sipas Komisionit Kombëtar Shëndetësor, shifra paraqet rënie për 45 për qind, krahasuar me një ditë më parë.

 

Projekti evropian, në rrezik

Nga Bashkimi Evropian u kumtua sot se mosmarrëveshjet e vendeve anëtare për politikat ekonomike gjatë pandemisë së koronavirusit, rrezikojnë ta ndajnë projektin evropian. Paralajmërimi u bë nga komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni. “Është e qartë se dallimet ekonomike midis vendeve evropiane, në vend që të zvogëlohen përballë një krize si kjo, ato po rriten. Do të jetë shumë e vështirë ta mbajmë bashkë projektin evropian”, tha Gentiloni. Gjermania dhe shtetet e tjera veriore të BE-së e refuzuan në javën e kaluar një propozim të mbështetur nga nëntë vende, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Francën, për të ashtuquajturat “bono-detyrime për koronën”. Dy vendet me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi janë Italia dhe Spanja – të dyja anëtare të BE-së.

 

Thaçi takon ambasadorët e Quint-it

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi sot ambasadorët e Quint-it dhe atë të Bashkimit Evropian në Prishtinë, për t’i informuar për, siç tha, hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti nga Kuvendi i Kosovës, javën e kaluar. Te vendet e Quint-it bëjnë pjesë: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Në një njoftim për media të Presidencës së Kosovës thuhet se gjatë kësaj jave presidenti do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. “Pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, do të marr hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si president i Kosovës”, citohet të ketë thënë Thaçi. “Shteti ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik”, ka thënë ai. Presidenti kosovar këtë javë pritet të ftojë në takim për konsultime të gjithë liderët e partive politike, për të shikuar mundësinë e krijimit të qeverisë së re.Pasi që njoftimi zyrtar i mocionit nga Kuvendi ka arritur të premten në zyrën e tij, Thaçi nuk ka arritur të ftojë liderët në takim për sot.

Flamuri i Maqedonisë së Veriut sot do të ngritët para selisë së NATO- s

Ceremonia e ngritjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet sot para selisë së NATO-s në Bruksel, duke shënuar pranimin e vendit në Aleancën e Veriatlantikut. Ceremonia e ngritjes së flamurit do të zhvillohet njëkohësisht përpara selisë së Operacioneve të Komandës së Përbashkët (Shape – Mons) dhe në selinë e Komandës së Përbashkët të NATO-s për Transformime në Norfolk, Virxhinia. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe përfaqësues i delegacionit të Maqedonisë së Veriut në NATO pritet gjithashtu të japin një fjalim të shkurtër.

                                                                                                                                                                                                

Çmimi i naftës bie në nivelin më të ulët qysh në vitin 2002

Çmimi i naftës ka rënë në nivele të papara qysh në vitin 2002, pasi kërkesa për naftë të papërpunuar është zvogëluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, ka rënë sot në 23.03 dollarë për fuçi, gjë që paraqet nivelin më të ulët qysh në nëntor të vitit 2002. Çmimi ka rënë më shumë se për gjysmë gjatë muajit të kaluar, pasi kompanitë e kanë zvogëluar ose ndërprerë prodhimin e naftës. Kësaj i ka kontribuuar edhe një mosmarrëveshje midis Arabisë Saudite dhe Rusisë, e cila ka shpërthyer pasi Riadi ka dështuar ta bindë Moskën për zvogëlim të prodhimit. Arabia Saudite, udhëheqëse de facto e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, është pajtuar me vendet e tjera të këtij grupi që të ulin prodhimin. Kërkesat për naftë kanë rënë pasi shumë vende të botës janë izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i kthjellët. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 22 gradë, Herceg Novi 21, Podgoricë 20, Tivar 17, Cetinë 16, Nikshiq 14, Plevle 11, Kollashin 10 dhe në Zhablak 7 gradë.

Meteorologët për nesër para dite parashohin mot me vranësira të ndryshueshme dhe kryesisht të thatë, kurse gjatë pasdites i vranët dhe vende vende me reshje të shiut në jug dhe të borës dhe skllotës në veri. Të reshura më intensive priten në orët e vona të pasdites dhe gjatë natës. Të reshura të borës janë të mundshme edhe në viset qendrore dhe në viset e larta malore në jug të vendit. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë veriore dhe veri lindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -4 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej -1 deri në 16 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се