Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

26. 03. 2020. 18:26   >>  18:27

Ditari 26.03.2020

26.03.2020

Në Tuz dhe në Podgoricë më tepër të infektuar

Në Mal të Zi janë konfirmuar edhe 14 raste të prekura me Coronavirus, kanë kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik, duke shtuar se janë analizuar 44 mostra. Nga Instituti kanë theksuar se rastet pozitive janë të lidhura me rastet e konfirmuara më parë. Prej gjithsejtë 67 personave të prekur me virus më së tepërmi janë në Tuz, 26, kurse në Podgorice 25 persona. Sipas të dhënave të Institutit për Shëndetin Publik, në Herceg Novi dhe në Budva jan të prekur nga 4 individë. Në Ulqin dhe në Tivar nga 3, kurse në Andrievicë dhe në Danillovgrad nga 1 person. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi janë duke u shëruar 15 pacientë të prekur me virusin Covid-19, njëri prej të cilëve është në rrezik për jetën dhe i cili është kyçur në respirator, është kumtuar nga ky institucion shëndetësorë. Nën mbikëqyrjen shëndetësore sanitare në Mal të Zi gjenden 6356 individë.

Ftohen qytetarët e Tuzit të mos dalin as në oborret e veta

Banorët në komunën e Tuzit, pas shpërthimit të valës së parë të infektuarve me Covid-19, janë shumë më të kujdesshëm në respektim të masave të ndërmarra në parandalimin e mëtejmë të numrit të infektuarve. Ndërkohë, siç thamë edhe më parë, pas analizave në vijim, sipas të dhënave nga Instituti për shëndetin publik, komuna e Tuzit, me 26 të infektuar, vazhdon të ketë numrin më të madh të prekurve nga ky virus. Sipas të dhënave nga Instituti përkatës, pason kryeqyteti Podgorica me 25 të infektuar, kurse në komunat tjera të prekura, numri i të infektuarve është dukshëm më i vogël. Ndërkohë, kryetari i komunës Nik Gjeloshaj, ka kërkuar nga të gjithë qytetarët të mos dalin nga shtëpitë e tyre, sepse, siç theksohet, ndaj të gjithë atyre që do të shkelin këtë rekomandim do të merren masa ligjore nga kompetentët.

Vazhdon furnizimi i banorëve në komunën e Tuzit

Edhe krahas situatës së krijuar dhe, për fat të keq, numrit në rritje të infektuarve me Covid 19, në komunën e Tuzit, furnizimi i banorëve të Tuzit dhe në mbarë Malësinë, është duke funksionuar sipas planit të hartuar nga Shtabi komunal për situata të jashtëzakonshme. Mëngjesin e sotëm dhe gjatë ditës, shpërndarja e bukës ishte edhe më efikase se ditën e djeshme, pasi tashmë, është rritur numri i volunterëve të cilët janë kyçur në realizimin e këtij aksionit si dhe në përgjigje të kërkesave tjera të qytetarëve. Sidomos, prej mbrëmë është rritur numri i tyre për BL të Tuzit pasi ajo ka numrin më të madh të banorëve. Sot po ashtu, volunterët, kanë vazhduar edhe shpërndarjen e pakove me artikuj të nevojshëm, donacion i Ministrisë së ekonomisë së Malit të Zi.

 

Bëhen hetime mbi përhapjen e panikut

“Individët të cilët përhapin panik duke shqetësuar opinionin dhe personat të cilët nuk u përmbahen masave të Qeverisë dhe të Ministrisë së shëndetësisë për pengimin e epidemisë të Coronavirusit jenë nën mbikëqyrjen e rreptë të prokurorisë“, ka deklaruar Prokurori special kryesor, Milivoje Katniq. Ai ka theksuar se në kohën kur janë në fuqi masat e Qeverisë për pengimin e virusit të ri Corona, të gjithë prokurorët janë duke punuar në lëndët e filluara më parë dhe në disa hetime të reja. “Në kuadër të këtyre masave gjatë ditëve të fundit janë arrestuar disa individ”, ka deklaruar Katiniq për gazetën “Dan”. Ai ka shtuar se të punësuarit janë të pajisur me maska dhe dorëza, në veçanti  ekipi i veçantë  special i cili vepron në terren dhe grumbullon fakte materiale.

 

Serbia konfiskon tre respirator të Malit të Zi

Nga 5 respiratorë, të cilët Fondi për sigurimin shëndetësor i Malit të Zi i ka porositur nga përfaqësuesi i prodhuesit suedez, tre janë mbajtur e pastaj  konfiskuar dje në kufirin me Serbinë, ka vërtetuar drejtori i Fondit, Sead Çirgiq. Ai për të përditshmen “Vjesti” ka theksuar se fjala nuk është për donacion, por ky Institucion ka nënshkruar kontratë me furnizuesin, kompaninë,“Farmont” dhe janë dërguar dy aparate. Ai ka sqaruar se sipas informatave të fituara nga furnizuesi tre respiratorët tjerë janë konfiskuar. Kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor i kanë shkruar dje Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, me rastin e vendimit që të mos eksportohet pajisje medicinale jashtë territorit të BE-së, duke kërkuar që kjo formë e restrikcionit të mos aplikohet në këtë rajon. Sipas njoftimeve të fundit, respiratorët e konfiskuar janë shitur një kompanie tjetër në Serbi.

 

Ballkani perëndimor të përjashtohet nga vendimi për restrikcionet e  eksportimit të pajisjeve medicinale nga BE

Forumi Investues i Odave Ekonomike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor ka kërkuar nga Komisioni Evropian që shtetet e këtij rajoni të bëjnë përjashtim nga vendimi për restrikcionin e eksportimit të pajisjeve medicinale nga Unioni Evropian. Nga Oda Ekonomike e Malit të Zi, e cila është anëtare e Forumit, kanë theksuar se në letrën, të cilën kryetari i Këshillit drejtues të Forumit Investues të Odave Ekonomike, Marko Çadezh ia ka dërguar kryetares së Komisionit Evropian, Ursulla Von Der Llajen, bëhet apel që me iniciativën evropiane, “korridori i gjelbër“ të përfshihen ekonomitë e rajonit gjë që është në të mirë të BE dhe të Ballkanit Perëndimorë. “Përkufizimet e paradokohshme kur është fjala për eksportimin e pajisjeve mbrojtëse medicinale nga BE, mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor”, ka tërhequr vërejtjen Çadezh. Ai i ka bërë ftesë Komisionit Evropian që ta zgjerojë këtë, me qëllim që në të të përfshiheshin edhe shtetet e Ballkanit Perëndimorë.

 

Donacione të reja për Trupin Koordinues Nacional

Vazhdojnë donacionet drejtë Trupit Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse me qëllim të ndihmës në shërimin dhe pengimin e përhapjes së virusit Corona. Me kontributin në vlerë 10 mijë euro, Qendra për hulumtimet Ekotoksikologjike nga Podgorica jep kontribut shtesë, me qëllim që pasojat e pandemisë të virusit Covid -19 në vendin tonë të ulet në masën më të ulët të mundshme. Sindikata e pavarur e Bankës Qendrore të Malit të Zi ka dhuruar 5 mijë euro për Trupin Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse me qëllim të zbutjes së pasojave të pandemisë. Klubi i deputetëve të Demokratëve i ka donuar Komunës së Tuzit 1 mijë euro, është  kumtuar nga kjo parti.

 

Nesër do të mbahet konferenca “Ekonomia në kohën e Coronës”

Konferenca onlain me titull, “Ekonomia në kohën e Coronës”, të  cilën për herë të parë e organizon Asociacioni i menaxherëve të Malit të Zi, në bashkëpunim me kompaninë  M: tel, do të mbahet nesër. Nga ky Asociacion është kumtuar se në  këtë Konferencë do të flasin ekspertët lokal dhe rajonal nga fusha e telekomunikacionit, energjetikës, sektorit bankar dhe financave pastaj të hotelerisë, të mediave dhe të marketingut. “Qëllimi është që përmes konferencës onlain të përcillen qëndrimet dhe mesazhet më të rëndësishme të asociacionit drejtuar ekonomisë dhe qytetarëve nga fushat e sipër përmendura të ekonomisë, por edhe që panelistët të shqyrtojnë masat e Trupit Koordinues Nacional”, thuhet në kumtesë.

 

Strategjia e BE-së kundër pandemisë, nuk është e plotë pa Ballkanin

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Tonino Picula, theksoi rëndësinë që Bashkimit Evropian të ndihmojë financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor në krizën e shkaktuar nga shpërthimi i virusit Sars-Cov-2. “Ky gjithashtu është një mesazh politik që flet për të ardhmen e procesit të zgjerimit", tha Picula, duke theksuar se vendet e rajonit janë të rrethuar nga shtetet anëtare të BE-së dhe gjeografikisht i përkasin Evropës. Raportuesi i Ballkanit në Parlamentin Evropian theksoi se një strategji gjithëpërfshirëse e BE-së kundër pandemisë, nuk do të ishte e plotë nëse nuk përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai i bëri këto komente gjatë një seance emergjente të Parlamentit Evropian ku diskutohet ndarja e ndihmës financiare për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet në procesin e negociatave të pranimit, të cilat preken seriozisht nga urgjenca e shëndetit publik. Dje Komisioni Evropian miratoi një pako emergjente prej 38 milionë euro për sistemet shëndetësore në rajon.

Coronavirusi, në Shqipëri të prekur dhe 4 fëmijë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 32 pacientë të infektuar me Coronavirusin e ri. Prej tyre, 25 janë në gjendje stabile shëndetësore, ndërkaq 7 pacientë janë me oksigjenoterapi. Drejtori i departamentit për informim në Ministrinë kosovare të Shëndetësisë ka bërë të ditur se një pacient është në pritje të rezultatit laboratorik për COVID-19. Në Kosovë janë 71 persona të konfirmuar me Coronavirus. Në Shqipëri mes të prekurve nga Coronavirusi janë dhe 4 fëmijë të moshave të ndryshme, nga 3 deri në 15 vjeç. Autoritetet shëndetësore shpjeguan se ata janë kontakte të rasteve pozitive, se nuk kanë shenja klinike dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 28 raste të reja, numri më i lartë që nga 9 marsi, kur u identifikua rasti i parë pozitiv ndaj COVID-19. Në total jnë 174 raste të konfirmuara deri tani. Paralelisht, po zgjerohet çdo ditë dhe harta e qyteteve ku janë regjistruar persona të infektuar, duke u shtrirë thuajse në të gjithë vendin. Kurse sot janë konfirmuar 73 raste të reja të Coronavirusit në Serbi, duke rritur kështu bilancin në 457. Nga raporti i fundit, u testuan mostrat e 295 individëve, 73 prej të cilëve ishin pozitivë dhe 222 negativë. Kurse Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë Veriore, njofton se gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 24 raste të reja me Coronavirus. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid-19 në këtë vend shkon në 201. Kurse sot shënohet viktima e dytë e Coronavirusit në Kroaci, ku deri më tash gjithsej 481 njerëz janë sëmurë dhe 22 janë shëruar. 

Spanja tejkalon Kinën, e dyta nga numri i të vdekurve

Italia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara janë aktualisht qendrat kryesore në shkallë globale të betejës me Coronavirusin. Kriza globale e krijuar nga epidemia e Coronavirusit vazhdon të thellohet në botë. Organizata Botërore të Shëndetësisë paralajmëron se Shtetet e Bashkuara mund të shndërrohen në epiqendrën e ardhshme të epidemisë.  Spanja ia kaloi Kinës dhe renditet tani pas Italisë me 3434 të vdekur, pasi u regjistruan 738 viktima të reja nga COVID-19. Ministria spanjolle e shëndetësisë tha se mbi 5000 vetë janë shëruar nga COVID-19. Epidemia ka vënë nën presion të rëndë infrastrukturën shëndetësore të Spanjës, sidomos në zonën e kryeqytetit, Madrid ku janë regjistruar gjysma e të vdekurve dhe një e treta e të infektuarve. Italia, e dyta në botë për nga numri i të infektuarve, por e para për totalin e vdekjeve nga COVID-19, mbi 7 mijë e 500, po i forcon edhe më shumë masat e rrepta, në përpjekje për ta vënë situatën nën kontroll. Në botë numërohen tani mbi 436 mijë raste me COVID-19 dhe më shumë se 22 mijë të vdekur.

 

Numri i të papunëve arrin rekord në SHBA

Numri i personave pa vende të punës në Shtetet e Bashkuara ka arritur në shifra rekorde, teksa ekonomia përballet me vështirësi për shkak të përhapjes së Coronavirusit të ri. Rreth 3.3 milionë persona janë regjistruar për të kërkuar benefite që u takojnë të papunëve për javën e 21 marsit, ështët thënë në të dhënat e Departamentit të Punës. Rekordi i kaluar ishte shënuar më 1982, kur numri i të papunëve kishte arritur në 695,000. Kjo rritje e numrit të papunëve i jep fund zgjerimit të ngadalshëm por të qëndrueshëm të tregut të punës. Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 69,197 persona të infektuar me Coronavirusin e ri, derisa rreth 1,046 kanë vdekur nga kjo sëmundje.

 

Bie qeveria e Kosovës

Parlamenti i Kosovës miratoi mbrëmë me 82 vota mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Mocioni pasoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e saj, Agim Veliu nga ana kryeministrit Albin Kurti javën e kaluar, për shkak të mospajtimeve rreth deklarimit apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme. Lidhja Demokratike, akuzoi kryeministrin Kurti se ishte ai i cili vendosi t’i jap fund koalicionit qeverisës. Kryeministri Albin Kurti, tha gjatë debatit se “qeveria nuk rrëzohet kurrë për një ministër, përveç kur ai ministër është më shumë, kur ai ministri është plan”. Qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike është formuar në fillim të muajit shkurt dhe u gjet nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit 2018, duke çuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Përndryshe sot kryeministri kosovar në detyrë Albin Kurti deklaroi se qeveria do të vazhdojë punën e saj sepse janë qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Në një shkrim të tijin në Facebook, shefi i ekzekutivit tha se kjo ishte një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme.

 

Rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë, thotë një zëdhënëse e KE-së

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se rrëzimi i qeverisë e shpie Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e përballjes me Coronavirusin. Ajo bëri thirrje që liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi në interesin e popullit. “Ajo çfarë i duhet Kosovës është stabilitet dhe përpjekje për të luftuar Coronavirusin dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Hapat tjerë pas votës së mosbesimit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Në Mal të Zi po mban mot me vranësira të ndryshueshme deri krejt i kthjellët. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e verilindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar 20 gradë, Herceg Novi 19, Podgoricë 18, Ulqin 17, Nikshiq 15, Cetinë 11, Plevle 8, Kollashin 6 dhe në Zhablak 2 gradë.

Për nesër para dite meteorologët parashohin të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i thatë, kurse pas dite vende vende me reshje të  dobëta të shiut në jug dhe të borës dhe skllotës në veri të republikës. Do të fryjë  erë e dobët deri mesatare nga drejtimet lindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -2 deri në11,kurse më e larta e ditës prej 3 deri në 15 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се