Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

29. 01. 2020. 17:13 >> 17:22

Ditari 29.01.2020

29.01.2020

Anëtarësimi në BE është qëllim kurse esenca evropeizimi e jo datat

Anëtarësimi në BE është qëllim , kurse esenca është evropeizimi e jo datat. Ballkani duhet kthyer në shtepin e tij evropiane, kurse Mali i Zi zhvillon një proces cilësor negocues dhe përpiqet të jetë shembull i mirë në këtë drejtim, ka theksuar presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq me rastin e takimit me ministrin për punë të jashtme te Republikës së Greqisë Nikos Dendias , i cili qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi.

Presidenti është shprehur i kënaqur me vizitën e ministrit grekë, që pas vizitës së vitit të kaluar të presidentit grekë Prokopios Pavllopullos në Mal të Zi , paraqet nxitje të mëtejme për përparimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e dialogut në nivelin më të lartë politikë. Gjukanoviq ka theksuar rëndësinë e inkurajimit të partnerëve dhe miqëve evropianë siç është Greqia që të mos ia mbyllin dyert perspektives evropiane të rajonit. Ministri i jashtëm grekë ka vërtetuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është politikë afatgjate e vendit të tij dhe se i mbesin besnik kësaj ide, përmes vlerësimit se kjo është rruga e drejtë për zhvillim ekonomik dhe demokratik të shoqërisë. Dy anshëm është vlerësuar se dy vendet mund të bëjnë më  tepër në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

 

Zgjerimi i BE i kontribuon progresit të gjitha shteteve

Zgjerimi i Bashkimit evropian është njëra ndër politikat më të rëndësishme evropiane e cila i kontribuon progresit të gjitha shteteve anëtare dhe garanton shkallë më të lartë të sigurisë në Evropën Jug Lindore , kanë vlerësuar kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq dhe ministri grek për punë të jashtme Nikos Dendias.

Markoviq ka theksuar se politika e zgerimit nuk është vetëm pozitive për vendet e këtij rajoni , por qëllimi i saj është një Evropë më e sigurtë më me prosperitet. “Besoj se komisioni i ri evropianë do ta forcojë procesin e zgjërimit të BE duke u përqendruar në esencë dhe jo në formë. Për ne BE është zgjidha e vetme” ka theksuar Markoviq. Dendias ka theksuar se integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është njëri ndër prioritetet e politikës së jashtme dhe se Greqia në institucionet evropiane do të vazhdojë të përkrahë fuqishëm një politikë të tillë. Markoviq, e ka informuar ministrin Dendias për prioritetet e brendshme dhe të jashtme të qeverisë , duke shtuar se vendimi që synim të jetë politika ekonomike ka dhënë rezultate të mira të cilat pasqyrohen me projekte të mira zhvillimore, rritjen ekonomike , uljen e  papunësisë e të ngjashme. Markoviq dhe Dendias kanë konkluduar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë të mira dhe të dy palët shohin mundësinë e thellimit të tyre , sidomos në turizëm , komunikacion dhe arsim.

 

Darmanoviq -Daçiq e dinë se Mali i Zi nuk zhvillon politikë anti serbe

Mistri i punëve të jashtme të Serbisë Ivica Daçiq, e dinë fare mirë se Mali i Zi nuk zhvillon politikë anti serbe , mirëpo, deklaratat e politikanëve u shërbejnë disa qëllimeve tjera, ka kumtuar shefi i diplomacisë së Malit të Zi Srgjan Darmanoviq. Ai pas takimit me kolegun grekë Nikollas Dendias , ka theksuar se Mali i Zi udhëheqet me interesa shtetërore dhe se është i njohur në bazë të politikes së fqinjësisë së mirë. Sipas fjalëve të tij , është e domosdoshme të bisedohet për zbatimin e ligjit për liritë fetare duke shtuar se janë nënshkruar kontrata me të gjitha bashkësitë fetare dhe se kjo gjë duhet të bëhet edhe me kishën ortodokse serbe. Ministri për punë të jashtme i Greqisë Nikollas Dendias ka theksuar se me Darmanoviq ka biseduar për çështjet ekonomike dhe bilaterale. Ai marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve i ka vlerësuar si të mira, kurse si hapësirë për avancimin e bashkëpunimit ka veçuar fushën e energjetikës. Ai është shprehur i bindur se Mali i Zi së shpejti do të bëhet anëtari i radhës i bashkimit evropianë

 

Brajoviq; Mali i Zi gjithnjë vazhdon të përparojë

Mali i Zi përparon në vazhdimësi dhe gjithnjë forcon dialogun interparlamentar , si me Parlamentin Evropian  dhe shtetet anëtare , ashtu edhe me parlamentet e shteteve fqinje , ka vlerësuar kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Ivan Brajoviq. Ai gjatë takimit me shefat dhe përfaqësuesit e grupacioneve politike në Parlamentin Evropian në samitin e kryetarëve të parlamenteve ka theksuar se konsideron që gjatë këtij viti do të definohet më qartë perspektiva evropiane e shteteve të Ballkanit Perëndimorë , me afate dhe udhëzime të qarta. Përkrahje ndaj Malit të Zi , si vendit më të suksesshëm në procesin negocues, do të jetë sinjal i fortë pozitiv edhe për vendet e tjera të rajonit”, ka theksuar Brajoviq në Bruksel. Brajoviq vizitën e javës së kaluar në Mal të Zi të raportuesit të Parlamentit Evropianë për Malin e Zi Tonino Piculla , si dhe vizitën e paraparë të komisarit për zgjerim Oliver Verhali , i ka vlerësuar si hap pozitiv drejtë një qëllimi të përbashkët.

 

Nevojitën cilësi dhe përmbajte të reja të avokatit të popullit

Realiteti shoqëror dhe politikë në të cilin funksionon shteti juridik imponon nevojën e përmbajtjes dhe cilësisë së re brenda institucionit të avokatit të popullit , kanë theksuar kryeministri Dushko Markoviq dhe mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të njeriut Sinisha Bjekoviq. Qeveria e Malit të Zi , siç theksohet, e kupton rëndësinë dhe rolin e avokatit të popullit dhe do të kontribuojë në forcimin e mëtejmë të këtij institucioni. Markoviq dhe Bjekoviq janë pajtuar se realiteti shoqëror dhe politikë në të cilin funksionon shteti juridik imponon nevojën e përmbajtjeve dhe të cilësisë së re brenda institucionit të avokatit , gjë që do të sjellë përfitime për shoqërinë civile dhe përparimin e saj demokratikë, thuhet në tuiterin e Qeverisë së Malit të Zi. Gjatë takimit është vlerësuar se bashkëpunimi i  gjithë administratës shtetërore me insitucionin e avokatit të popullit është i rëndësishme për zhvillimin demokratik dhe gjithë përfshirës të Malit të Zi.

 

Nesër për kandidaten për prokurorin kryesor të shtetit

Këshilli për sistemin politik, legjislaturë dhe administratë do të zhvillojë nesër seancë dëgjuese konsultative të kandidates për prokurore kryesore të shtetit Lidija Vukçeviq , të cilën për këtë funksion e ka propozuar kolegji i prokurorisë. Përndryshe, funksionin e ushtruesit të detyrës të prokurorit kryesor të shtetit , prej me 8 tetor të vitit të kaluar , e ushtron Ivica Stankoviq. Për zgjedhjen e Kryeprokurorit të shtetit në parlamentin e Malit të Zi nevojitet përkrahja e dy të tretave , respektivisht përkrahja e tri të pestave të deputetëve. Në arsyetimin e kolegjit të prokurorisë theksohet se Vukçeviq është prokurore me karrierë e cila në organizatën e prokurorisë shtetërore ka punuar 26 vite me radhë , 23 prej të cilave në funksionin e zavendës prokurorit. Kolegji i prokurorisë të Malit të Zi, duke vlerësuar profesionalitetin , përgjegjësinë dhe etikën në punë njëzëri ka propozuar që Vukçeviq të zgjedhet prokurore kryesore e shtetit.

 

Kontraktohet rikonstruimi i urës në rrugën Plavë – Guci

Qeveria e Malit të Zi do të investojë rreth 400 mijë euro në rikonstruimin e urës mbi lumin Vruja , në aksin rrugorë Plavë- Vojno Sello – Guci , parashihet me kontratën për realizimin e punimeve , të cilën drejtoria e punëve publike e ka nënshkruar me ndërmarrjen nga Podgorica , “Fidia”. Afati për përfundimin e punimeve është 4 muaj duke filluar nga dita e hyrjes në punë. “Fjala është për njërin nga segmentet e projektit gjithëpërfshirës  për modernizimin e komplet aksit rrugorë Plavë-Guci  në gjatësi prej rreth 10 kilometrave”, është kumtuar nga qeveria. Për ndryshe ky investim është njëri ndër investimet më të mëdha në këtë rajon dhe do të mundësojë një trafik më të sigurtë dhe lidhje më të mirë rrugore ndërmjet Komunës së Plavës dhe asaj të Gucisë.

 

Organet shtetërore të ushtrojnë punën profesionale

Këshilli për kontrollin qytetarë të punës së policisë ka vlerësuar se të gjitha organet shtetërore janë të detyruara që punën e vetë ta ushtrojnë në mënyrë profesionale, por përgjegjësi e madhe u takon edhe medieve. Këshilli , ka mbajtur seancën e rregullt, në të cilën janë shqyrtuar ankimet e qytetarëve dhe të nëpunësive policorë. Këshilli ka shqyrtuar situatën e përgjithshme në vend dhe ka theksuar se të gjitha organet shtetërore janë të detyruara që punën e vetë ta ushtrojnë në mënyrën më profesioniste por edhe mediet janë përgjegjës që të kontribuojnë në shqyrtimin objektiv të realitetit dhe kanë përgjegjësi shoqërore që të jenë pjesë e zgjidhjes , e jo e problemit. Theksohet se edhe qytetarët do të duhej që me përgjegjësi ti shfrytëzojnë rrjetet shoqërore duke ruajtur dinjitetin e vetë por edhe të tjerëve . Këshilli , siç theksohet e ka vlerësuar pozitivisht punën dhe rezultatet e deritashme dhe njëzëri ka vendosur që Aleksandar Sasha Zekoviq të zgjedhet  kryetar edhe në periudhën e ardhshme një vjeçare.

 

GRENELL: GJERMANIA, FRANCA E BE S’JANË TË PËRFSHIRA, i MIRËPRES NË DIALOG

Përfaqësuesi Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express ka konfirmuar se aktualisht është duke i udhëhequr i vetëm përpjekjet për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Grenell ka konfirmuar se në punën e tij të deritanishme të konkretizuar edhe me dy marrëveshje, një për linjën ajrore dhe tjetra për hekurudhën Prishtinë-Beograd, nuk kanë qenë të përfshirë as Gjermania, as Franca e as Bashkimi Evropian.Megjithatë ai thotë se të gjithë ata që janë të interesuar për të ndihmuar janë të mirëpritur. Ndërkohë lidhur me punën e Richard Grenell dhe çështjen e bashkëpunimit, nuk kanë pranuar të flasin nga Qeveria e kancelares Angela Merkel. Emri i kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ai i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kanë qenë më të përfolurit përgjatë vitit 2019, sa herë është diskutuar rreth përpjekjeve për rinisje të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ishin bllokuar për shkak të taksës. Në fundin e prillit të vitit 2019 Merkel kishte organizuar një Samit në Berlin në përpjekje për të zhbllokuar situatën. Përveç Macronit, në këto përpjekje Qeveria Federale ishte koordinuar ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë gjithë këto përpjekje për rinisje të dialogut Kosovë-Serbi përmes bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të huaja, Richard Grenell, aktualisht është duke i udhëhequr i vetëm. Nuk janë përfshirë as Gjermania e kancelares, Angela Merkel, as Franca e Macronit e as Bashkimi Evropian. Grenell, megjithatë ka thënë se të gjithë që dëshirojnë të ndihmojnë janë të mirëpritur, ka thënë ambasadori Richard Grenell.

 

ABAZI: DERI MË 4 SHKURT DO TË BËJMË Ç’MOS QË TË ARRIJMË MARRËVESHJEN ME LDK

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, është i bindur se do të ketë marrëveshje ndërmjet partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai i ka thënë “Gazetës Blic” se janë në fazën finale të marrëveshjes e që sipas tij nuk ka asnjë alternativë tjetër pos që këto dy subjekte të bëhen bashkë dhe të qeverisin me vendin. Deklarimet dhe qëndrimet  e të dy subjekteve politike VV e LDK janë që marrëveshja duhet të gjendet dhe bëhet, sepse pos VV e LDK qytetarët nuk kanë alternativë tjetër për qeverisje, tek e fundit qytetarët me votat e tyre e kërkuan këtë marrëveshje për bashkëqeverisje”, tha Abazi shkruan Gazeta Blic. Sipas tij oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për partinë e Isa Mustafës ka qenë që kryetarit i Kuvendit të jetë me rotacion. “E vërtetë po dukemi larg por nuk do të thotë se është e pamundur që të gjendet një modus i veprimit. Ne e kemi thënë LDK ta marrë kryetarin e Kuvendit në një afat një vjeçar dhe ne pastaj ta kemi atë tri vitet e tjera, ka thënë Abazi.

 

Shqipëria goditet sërish nga tërmeti

Një tërmet me magnitudë 5 shkallë të Rihterit ka goditur Shqipërinë mbrëmë, me epiqendër në rrethinën e Durrësit, por i cili është ndier në Tiranë, ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter Qendra Sizmiologjike Mediteriane.Ndërkaq, Instituti i Gjeoshkencës në Shqipëri ka njoftuar se tërmeti ishte me magnitudë 4.8 shkallë. Në disa pamje të shfaqura nga mediat lokale në Shqipëri, shihen banorët e shqetësuar të cilët kanë dalur në rrugë pas dridhjeve. Dridhjet janë dëgjuar edhe në Kosovë. Një termët me magnitudë 6.4 shkallë të Rihterit,kishte goditur Shqipërinëmë 26 nëntor të vitit 2019, duke lënë të vdekur 51 persona dhe qindra të tjerë të lënduar. Thumana dhe Durrësi pësuan më së shumti nga dridhjet e fuqishme të tërmetit.

 

Parlamenti Evropian pritet të votojë për Brexit-in

Parlamenti Evropian në Bruksel pritet të votojë mbi ratifikimin e kushteve të largimit historik të Britanisë së Madhe nga BE-ja. Akti i rëndësishëm legjislativ parashikohet të jetë i fundit për 73 anëtarët e mbetur britanikë të Parlamentit Evropian, midis 678 ligjvënësve të tjerë. E njohur si Marrëveshja e Tërheqjes, ajo mbron të drejtat e shtetasve të BE-së dhe britanikëve që banojnë në territorin e njëri-tjetrit, detyrimet financiare të Britanisë dhe një sistem doganor që do të mbajë Irlandën Veriore kryesisht nën rregulla evropiane, raporton AFP. Gjatë seancës pritet të ketë debate, fjalime lamtumire dhe madje edhe muzikë, raportoi BBC. Miratimi i parashikuar i marrëveshjes së Brexit-it do të shkurorëzonte përfundimisht Britaninë e Madhe nga blloku, më 31 janar. Britania e Madhe do të jetë vendi i parë që pas 47 viteve të anëtarësimit, do të dalë nga blloku politik dhe ekonomik, duke lënë pas 27 shtete anëtare. Të dyja palët do të duhet të bëjnë një traktat për të përcaktuar të ardhmen e marrëdhënies së tyre. Sapo Britania e Madhe zyrtarisht të dalë, flamuri i saj kombëtar do të ulet në mëngjesin e 1 shkurtit, jashtë Parlamentit Evropian, përpara se të shfaqet në një muze. "Brexit është një humbje për të gjithë ne", tha zëvendës-presidenti i Komisionit Evropian, Marosh Sefçoviq pas një takimi të rregullt të ministrave të BE-së, më 28 janar.

 

Rritet numri i të vdekurve nga virusi në Kinë

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë bëri të ditur se nga virusi i ri kanë vdekur 132 njerëz derisa 5.974 raste janë konfirmuar si të infektuar. Rreth 9,200 raste të dyshuara të sëmundjes së frymëmarrjes po monitorohen, tha autoriteti shëndetësor qeveritar, në një deklaratë më 29 janar.

Dhjetëra raste janë konfirmuar edhe jashtë territorit të Kinës, përfshirë në Evropë, Amerikën e Veriut dhe gjetkë në Azi. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara tani tejkalon atë të SARS-it, një tjetër sëmundje e organeve të frymëmarrjes që vrau më shumë se 600 njerëz në të gjithë botën më 2002-2003. Simptomat e llojit të ri të koronavirusit përfshijnë ethe, kollë dhe pengesa në frymëmarrje. Autoritetet kanë mbyllur qasjen në 17 qytete në provincën Hubei, ku besohet të jetë origjina e virusit. Të huajt kanë filluar të largohen nga krahina e goditur nga virusi ku janë bllokuar më shumë se 50 milionë njerëz. Organizata Botërore e Shëndetit e ka njohur shpërthimin e virusit si një emergjencë kombëtare, por ende nuk e ka shpallur atë si një emergjencë ndërkombëtare.

 

OBSH dërgon ekspertë në Kinë për virusin

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se do të dërgojë ekspertë ndërkombëtarë në Kinë "sa më shpejt të jetë e mundur" për të ndihmuar në mbledhjen e informacioneve lidhur me një reagim global kundër shpërthimit vdekjeprurës të një virusi. Kina dhe OBSH ranë dakord që ekspertët "të punojnë me homologët kinezë për një përgjigje globale ndaj kësaj situate", tha organizata përmes një deklarate. Marrëveshja pason bisedimet në Pekin, midis shefit të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe presidentit kinez, Xi Jinping.

"Ndalimi i përhapjes së këtij virusi si në Kinë, ashtu edhe në nivel global është përparësia më e lartë e OBSH-së", tha Tedros, duke vlerësuar "seriozitetin" e përgjigjes së Kinës ndaj shpërthimit. Një ekip i OBSH-së në fillim të këtij muaji vizitoi Vuhanin, qytetin me 11 milionë njerëz, në të cilin shpërtheu virusi.

 

Qeveria bullgare i mbijeton sërish votës së mosbesimit

Qeveria e kryeministrit bullgar, Boyko Borisov i ka mbijetuar një vote mosbesimi të thirrur nga opozita, për shkak të mungesës së ujit, që i ka kushtuar me pozitë të punës, ministrit të Ambientit, Neno Dimov. Vetëm 102 deputetë nga 240 sa janë në parlament kanë votuar për rrëzim të qeverisë më 29 janar, derisa 124 të tjerë kanë qenë kundër. Ky ka qenë tentimi i katërt i këtij lloji për ndërrim të qeverisë në Bullgari, prej kur është formuar më 2017. Dimov ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si ministër i Ambientit më 10 janar dhe është akuzuar për keqmenaxhim të rezervave të ujit në rajonin perëndimor të këtij shteti.

Prokurorët akuzojnë atë se ka ofruar rezerva të ujit për kompani industriale edhe kur është informuar se niveli i ujit në digën në qytetin Pernik ka rënë dukshëm, ndonëse ai është burimi i vetëm i ujit në atë zonë. Dimov, që rrezikon të përballet me tetë vjet burgim ka mohuar ndonjë keqbërje dhe ka arsyetuar krizën e ujit me motin e thatë dhe menaxhimin e keq të hapësirave lokale ujore.

 

Policia franceze përleshet me protestuesit

Policia franceze u përlesh me zjarrfikësit që protestuan të martën në Paris, me kërkesën për rritjen e pagave, dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Mijëra zjarrëfikës morën pjesë në protestën në kryeqytetin francez, duke kërkuar edhe një rritje të bonusit të tyre për shkak të rrezikut në punë, i cili nuk ka ndryshuar që nga viti 1990. Policia gjuajti gaz lotsjellës dhe goditi disa protestues me shkopinj gome. Zjarrëfikësit kishin organizuar protesta edhe në tetor 2019, me të njëjtat kërkesa. Franca është përballur me trazira të gjera që nga dhjetori, pasi sindikatat janë mobilizuar kundër planeve të presidentit, Emmanuel Macron, për të reformuar sistemin e pensioneve. Sindikatat ankohen se reforma e tillë do të kërkojë nga miliona punëtorë që të punojnë përtej moshës së pensionit ligjor, 62 vjeç, ose do të përballen me pensione të zvogëluara.

 

Turqia thotë se do të hakmerret kundër çdo sulmi të qeverisë siriane

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha të martën se do të hakmerret "fuqishëm dhe pa hezitim" kundër çdo sulmi në pozicionet e saj, nga ana e forcave të presidentit, Bashar al-Asad, në provincën veri-perëndimore të Idlibit në Siri.

Forcat e qeverisë siriane hynë në jug të qytetit të martën, duke shënuar një përparim të rëndësishëm në kthimin nën kontroll të territorit të mbajtur nga rebelët. Më 10 janar, Turqia dhe Rusia, u pajtuan për një armëpushim në rajonin e banuar nga rreth 3 milionë njerëz. Ankaraja për vite me rradhe ka mbështetur rebelët sirianë, të cilët luftojnë për të mposhtur presidentin sirian, Bashar al -Asad. Rusia e përkrahë qeverinë e Asadit. Komisionarja e Lartë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Michelle Bachelet, ka bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të veprimeve ushtarake në provincën e Idlib-it në Siri, duke thënë se përpjekja e fundit për armëpushim akoma nuk kishte arritur të mbrojë civilët. Rreth 350.000 sirianë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Idlibi, që nga fillimi i dhjetorit 2019, duke kërkuar strehim në zonat kufitare pranë Turqisë, thanë Kombet e Bashkuara.

 

Nesër mot kryesisht i thatë

         Sot në Mal të Zi ka mbajtur mot kryesisht i vranët por pa të reshura. Frynë erë e dobët deri mesatare vende vende deri e fortë perëndimore dhe jug perëndimore.

          Temperaturat: Ulqin 16, Tivar, H. Novi e Budvë 15, Podgoricë14, Cetinë 10, Nikshiq 9, Kollashin, Bjello Pole, Plavë e Beranë 7, Plevle e Plluzhinë 6, Rozhaj e Guci 5, dhe në Zhablak 3 g.

       Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe kryesisht i thatë . Gjatë pas ditës pritet kthijellim gradual i motit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej -5 deri në 7, kurse më e larta e ditës prej 0 deri në 15 g. c.

 

 

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се